ATV

Author: ATVLive

  • ​Javën e ardhshme përfundon procesi i verifikimit të peticionit në veri

    ​Javën e ardhshme përfundon procesi i verifikimit të peticionit në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë javën e ardhshme lidhur me procesin e verifikimit të nënshkrimeve. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u tha se nuk ka përfunduar ende procesi i verifikimit të nënshkrimeve të serbëve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe.

    Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se java e ardhshme do të jetë përfundimtare për këtë proces dhe se paraprakisht do të miratojnë disa rregullore të brendshme.

    “Ju njoftojë që javën tjetër, diku ka fundi i javës do ta trajtojmë atë çështje. Nuk jemi të gjithë, në tërësi të gatshëm me të. Java tjetër do të jetë përfundimtare lidhur me peticion. Procesi nuk ka përfunduar, javën tjetër do të jemi në një takim të tillë dhe do ta trajtojmë. Afër jemi, por nuk ka përfunduar tërësisht procesi. Javën tjetër, unë po besoj kah fundi i javës e mbajmë një mbledhje, paraprakisht do të miratojmë disa rregullore të brendshme zgjedhor çka janë të nevojshme për çfarëdo procesi zgjedhor në të ardhmen”, ka thënë Radoniqi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 janar kishte njoftuar se ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.

    Në mbledhjen e sotme të KQZ-së është vendosur edhe për regjistrimin e një partie serbe në Kosovë.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se kjo parti politike do të ketë numrin rendor 51.

    “Zyra i rekomandon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aprovimin e kërkesës për regjistrim të partisë politike-Srpski Narodni Pokret (SNS). Në rast të regjistrimit, marrjes së vendimit për aprovim, iniciativa politike Srpski Narodni Pokret (SNS) do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara dhe do të jetë partia me numër rendor 51”, tha ai.

    Srpski Narodni Pokret (SNS) është partia e katërt serbe që regjistrohet në Republikën e Kosovës dhe që do të funksionojë në mesin e shumë partive të tjera në vendin tonë.

    Pas vendimit të KQZ-së për regjistrim, kjo parti do të listohet në regjistrin e partive politike me numër 51.

    Deri më tani nga radhët e komunitetit serb janë të regjistruara edhe tri parti politike, Srpska Lista me kryetar Zlatan Elek, Partija Kosovskih Srba me kryetar Aleksandër Jabllanoviq dhe Srpska Demokratija me kryetar Aleksandar Arenijeviq.

  • Bashkëpunimi Rusi-Kinë në teknologjinë 5G ‘përbën rrezik për Ukrainën’

    Bashkëpunimi Rusi-Kinë në teknologjinë 5G ‘përbën rrezik për Ukrainën’

    Rusia është duke e rritur bashkëpunimin me Kinën në teknologjinë satelitore dhe atë 5G, dhe diçka e tillë mund të lehtësojë luftën e Moskës në Ukrainë, është thënë në një raport të institutit britanik The Royal United Services Institute (RUSI).

    Në raportin e publikuar më 1 mars, është thënë se ndonëse integrimi i rrjetit 5G në zonat e fushëbetejës mund të përcillet me komplikime, infrastruktura për ndihmën kineze ndaj satelitëve rusë veçse ekziston dhe mund të lehtësojë “veprimet ushtarake ruse në Ukrainë”.

    Kina, e cila ka lidhje të ngushta me Moskën, ka refuzuar të dënojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe i ka ofruar ndihmë ekonomike Rusisë, duke ia bërë më të lehtë Kremlinit përballjen me sanksionet e Perëndimit.

    Pekini ka thënë se nuk i shet armë vdekjeprurëse Rusisë për luftën në Ukrainë, mirëpo qeveritë e Perëndimit e kanë akuzuar vazhdimisht Kinën se i ka ofruar ndihmë teknologjike Moskës, pavarësisht sanksioneve të Perëndimit.

    Në raportin e RUSI-t jepen më shumë detaje se si bashkëpunimi në mes të Rusisë dhe Kinës në sektorin 5G dhe teknologjinë satelitore mund të ndihmojë Rusinë në fushëbetejë.

    “Dronët dhe pajisjet tjera të avancuara teknologjike kanë qenë kyçe në të gjitha frontet në Ukrainë, duke nisur prej mbledhjes së informacioneve, e deri të fushata e sulmeve ajrore”, është thënë në raport.

    Sipas raportit, zhvillimi i rrjetit 5G ka rezultuar me ndikim të madh në marrëdhëniet strategjike ruso-kineze në vjetët e fundit.

    5G është teknologji standarde, e cila mundëson shpejtësi më të madhe të transferimit të të dhënave, në krahasim me rrjetin 4G.

    Sipas raportit të RUSI-t, 5G ka potencial të riformësojë fushëbetejën.

    Më 2019 Rusia dhe Kina janë pajtuar për ndërtim të tri stacioneve vëzhguese në Kinë dhe tri tjerave në Rusi.

    Kjo teknologji mundëson mbledhjen e pamjeve, përmirëson menaxhimin logjistik, mundëson vëzhgimin e lëvizjeve ushtarake dhe saktëson identifikimin dhe eliminimin e shënjestrave tokësore.

    Ky raport është publikuar teksa qeveritë perëndimore janë duke i rritur përpjekjet për t’i luftuar tentimet e Rusisë për t’iu ikur sanksioneve të vëna për nisjen e luftës në Ukrainë.

    Më 23 shkurt, në prag të përvjetorit të dytë të nisjes së luftës, Shtetet e Bashkuara u kanë vënë sanksione rreth 100 entiteteve, që janë duke i ndihmuar Rusisë t’iu ikë sanksioneve dhe janë duke ofruar ndihmë për makinerinë ruse të luftës.

    Në këtë luftë përfshihen kompanitë kineze, të akuzuara për ofrimin e mbështetjes për “bazën ushtarake të Rusisë”.

  • ​Vazhdon greva e punëtorëve teknikë në UP, ndërpritet ajo në Qendrën Studentore

    ​Vazhdon greva e punëtorëve teknikë në UP, ndërpritet ajo në Qendrën Studentore

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se po vazhdon greva e punëtorëve teknikë të Universitetit të Prishtinës, ndërsa greva në Qendrën Studentore ka përfunduar pas vendimit për rritjen e pagave.

    Në një postim në Facebook, Azemi ka shkruar se rritja e pagave për punëtorët teknikë në Qendrën Studentore do të fillojë menjëherë.

    “Të gjithë punëtorët unanimisht votuan për fillimin e punës dhe nga ora 10 gjithçka është normale”, ka shkruar ai.

    Azmi ka thënë se greva në UP po vazhdon greva pa asnjë sinjal se ajo do të përfundojë së shpejti.

    “Tani punëtorët po dërgohen në spital dhe kryesisht janë me tension të lartë. Qarkullojnë lajme jozyrtare se për ditët në grevë nuk do të paguhemi. Ne ju bëjmë me dije se çdo shkelje e ligjit mbi grevat nga ana juaj neve na e imponon që të radikalizohemi e që ne nuk e dëshirojmë”, ka shkruar Azemi.

  • Memli Krasniqi, bashkë me presidenten Osmani, pjesë e Forumit të nivelit të lartë Diplomatik të Antalisë

    Memli Krasniqi, bashkë me presidenten Osmani, pjesë e Forumit të nivelit të lartë Diplomatik të Antalisë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë (ADF), ku do të jenë prezentë përfaqësues nga 147 vende të botës nën temën “Ngritja e diplomacisë në mes të krizës”.

    Këtë vit, në këtë forum do të marrin pjesë rreth 4.500 pjesëmarrës, duke përfshirë 19 krerë shtetesh, 73 ministra dhe 57 përfaqësues ndërkombëtarë.

    Në këtë forum pjesëmarrëse është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është i vetmi nga liderët e partive politike nga Kosova, i cili është ftuar dhe po merr pjesë në këtë forum ndërkombëtar.

    Kryetari i PDK-së tashmë ka njoftuar për takimin e tij të parë në kuadër të këtij forumi me zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, nga i cili ka kërkuar mbështetjen për njohje të reja dhe anëtarësim të Kosovës në NATO dhe Këshill të Evropës.

    Ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosoje, Lidhja Demokratike e Kosovës apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për mospjesëmarrjen e liderëve të tyre në këtë Forum të nivelit të lartë.

    Më shumë se 50 panele do të mbahen në forum nga 1 deri më 3 mars dhe do të shfaqen disa ekspozita. Forumi do të mbulojë tema të ndryshme si çështjet globale, diplomacia, siguria, kriza klimatike, migrimi, islamofobia, luftërat tregtare dhe inteligjenca artificiale.

  • ​BE do të lëshojë 54 milionë dollarë për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë javën e ardhshme

    ​BE do të lëshojë 54 milionë dollarë për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë javën e ardhshme

    Komisioni Evropian njoftoi të premten se do të “vazhdojë t’i paguajë” 50 milionë euro (54.1 milionë dollarë) agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) javën e ardhshme.

    Kësti i dytë dhe i tretë prej 16 milionë eurosh do të lëshohen më vonë, thuhet në një deklaratë të komisionit.

    “Përtej mbështetjes së tij për UNRWA, Komisioni mbetet plotësisht i përkushtuar për të adresuar gjendjen e vështirë humanitare të popullit palestinez, veçanërisht në Gaza, por edhe më gjerësisht në rajon,” tha KE, duke shtuar se për këtë qëllim, ai do të ndajë një shtesë prej 68 milionë euro për 2024”.

    Pagesa shtesë do të sjellë shumën totale në 150 milionë euro. Për më tepër, Komisioni ka ndarë 125 milionë euro ndihma humanitare për palestinezët për vitin 2024. Komisioni po kontrakton sot 16 milionë eurot e para”, tha KE.

    Disa vende pezulluan fondet e tyre për UNRWA në janar pas akuzave izraelite se 12 nga mijëra punonjës të agjencisë morën pjesë në sulmin e 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit. Agjencia po heton pretendimet, por ka paralajmëruar se ndërprerja e financimit rrezikon një katastrofë. /AA

  • ​Pozitë dhe opozitë: S’duhet të ketë diskutime politike për rregulloren e BQK-së në Bruksel

    ​Pozitë dhe opozitë: S’duhet të ketë diskutime politike për rregulloren e BQK-së në Bruksel

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka ritheksuar se s’do të ketë diskutime politike për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë. Sipas tyre, e vetmja formë e diskutimit për vendimin për dinarin, mund të jetë për gjetjen e lehtësirave sesi komuniteti serb në Kosovë, të pranojë mjetet nga Serbia. Kategorik kundër diskutimit në Bruksel për rregulloren e BQK-së, janë edhe dy partitë opozitare, PDK dhe AAK.

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se vetmja formë e trajtimit të rregullores së BQK-së, është gjetja e lehtësirave për hapjen e llogarive bankare për qytetarët e komitetit serb në Kosovë. Kusari-Lila po ashtu ritheksoi se vazhdimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga BE-ja është e pakuptimtë.

    “Çështja e valutës dhe përdorimit të valutës në Kosovë ka pasur diskutimin dhe vendimmarrjen politike kur është miratuar Kushtetuta e Kosovës dhe ajo është bërë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Asnjë diskutim tjetër në raport me politikat me BQK-së apo dispozitat që derivojnë nga kushtetuta e Kosovës për këtë çështje, nuk mund të rikthehen, në kuptimin e ndonjë fleksibiliteti. E vetmja formë e trajnimit të kësaj çështje është lehtësira për ngritjen e formave apo mënyrave të hapjes së llogarive nga komuniteti serb në Kosovë për të pranuar ato mjete. I vetmi diskutim politik nëse konsiderohet i tillë është që ato transfere që vinë kesh në Kosovë, të transferohen përmes llogarive bankare”, theksoi ajo.

    Kundër diskutimeve politike për rregulloren e BQK-së në Bruksel, u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se nëse do të ndodhte një gjë e tillë është dëmi më i madh që mundet me iu bë Kosovës.

    Tahiri kritikoi sërish kryeministrin Albin Kurti, për mosparaqitje në samitin BE-Ballkani Perëndimor, që është mbajtur të enjten në Tiranë.

    “Absolutisht jo. Ky është dëmi më i madh që mundet me iu bërë Kosovës, ku çështje të tilla me u ngrit në këtë nivel të diskutimeve. Pra ky është një ujë që shkon vetëm në mulli të Serbisë, ky është një favor që ia bëjmë Serbisë. Kjo ka qenë një çështje jona e brendshme që është dashur të rregullohej në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkesa e tyre ka qenë e qartë, të koordinohemi dhe në anën tjetër, qytetarëve serb në Kosovë mos t’iu paraqitet vështirësi në një periudhë tranzitore…Krijimi i kësaj krize që i shkon përshtati vetëm Vuçiqit, unë nuk po e kuptoj kryeministrin e Kosovës pse duhet me bërë një veprim të tillë. Pse duhet me krijuar një krizë që përfundon në tryezën e tavolinës në Bruksel”, tha ai.

    Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se euro është valuta e vetme në Kosovë dhe se vendimi për ndalimin e dinarit serb në Kosovë nuk do të duhet të jetë pjesë e negociatave të Brukselit.

    “Valuta e vetme në Kosovë është euro dhe si e tillë duhet të jetë. Dinari nuk duhet të diskutohet në Bruksel në asnjë moment dhe kjo është brendshme. Kësaj çështje duhet t’i jepet një zgjidhje në Kosovë me koordinim me aleatët ndërkombëtar dhe me argumentimet që i ka qeveria”, theksoi Tahiri.

    Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që seanca e radhës e rregullt të mbahet me 7 mars.

    Ndërkaq, u bë e ditur që me 5 mars në mbahet një seancë e veçantë për nder të 26- vjetorit të Epopesë së UÇK-së./KP/

  • ​Romano: Një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal

    ​Romano: Një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal

    Giampiero Romano, gjenerali italian dhe kreu i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Serbi, në një intervistë për European Western Balkans, ka thënë se qëndrueshmëria në Kosovë është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht pas ngjarjeve të vitit 2023 në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

    Për bashkëpunimin e NATO-s me Serbinë dhe situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, EWB zhvilloi një intervistë me shefin e Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, gjeneral brigade Giampiero Romano.

    European Western Balkans: Si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor?

    Giampiero Romano: Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, siç pasqyrohet në Konceptin Strategjik të NATO-s, të miratuar në Samitin e Madridit 2022. Kjo pikë është riafirmuar në takimet e njëpasnjëshme të nivelit të lartë, përfshirë në Samitin e Vilniusit korrikun e kaluar, si dhe në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel në nëntor të vitit 2023 dhe në takimin e fundit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel këtë muaj shkurt. Këtë e theksoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në rajon në muajin nëntor, dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, gjatë vizitës së fundit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Në përgjithësi, rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990. Megjithatë, ka ende arsye për shqetësim. Në Kosovë situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne pamë rritje të tensioneve dhe dhunës vitin e kaluar, duke përfshirë sulmet e paprovokuara dhe të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it majin e kaluar, dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjska shtatorin e kaluar. Gjithashtu nuk ka pasur përparim të vërtetë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe duhet të riangazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE.

    Në Bosnje dhe Hercegovinë, ne shohim tensione në rritje, retorikë përçarëse dhe kërcënime separatiste, të cilat rrezikojnë reformat dhe minojnë stabilitetin. Ky trend është shqetësues dhe i papranueshëm. Ai bie ndesh me dakordimin dhe frymën e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit duhet të respektohet dhe NATO vazhdon të mbështesë plotësisht punën e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë përpjekjet reformuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe rrugën euroatlantike. Ne kemi nevojë për një angazhim të vërtetë dhe një qasje konstruktive nga të gjithë liderët e Bosnjë dhe Hercegovinës për të siguruar ruajtjen dhe funksionimin e strukturave të unifikuara.

    Siç tha Sekretari i Përgjithshëm gjatë vizitës së tij në rajon, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit. Një Ballkan Perëndimor paqësor dhe i qëndrueshëm është i rëndësishëm për sigurinë tonë dhe për stabilitetin në të gjithë zonën euro-atlantike. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj, duke përfshirë misionin tonë të KFOR-it në Kosovë, dhe Zyrën tonë Ndërlidhëse Ushtarake në Beograd, dhe Shtabin e NATO-s në Sarajevë.

    EWB: Në shkurt bëhen dy vjet që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës. Si ka ndikuar ajo luftë në arkitekturën e sigurisë në rajon dhe cilat janë sfidat kryesore për rajonin?

    GR: Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 – pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014 – ka shkatërruar paqen në zonën euro-atlantike dhe ka ndryshuar rëndë mjedisin e sigurisë. NATO dënon në termat më të ashpër të mundshëm luftën brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, një vend i pavarur dhe demokratik dhe një partner i ngushtë i NATO-s.

    Për më shumë se 30 vjet, NATO u përpoq të ndërtonte një partneritet konstruktiv me Rusinë, duke zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin praktik në fushat me interes të përbashkët. Pavarësisht kësaj, Rusia ka shkelur vazhdimisht normat dhe parimet që mbështesin një rend të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë evropiane, dhe ka demonstruar një model sjelljeje gjithnjë e më agresive veçanërisht gjatë dekadës së fundit.

    Ndikimi i luftës brutale të agresionit të Rusisë është i gjerë dhe ndihet në shumë rajone. Shqetësimet për ndikimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë intensifikuar që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska. Kjo është arsyeja pse NATO do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin tonë me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë dhe kundër ndikimit keqdashës, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga akterët shtetërorë dhe joshtetërorë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. Fatkeqësisht, ne e shohim rregullisht Rusinë duke bërë të kundërtën.

    Në Samitin e NATO-s në Vilnius, aleatët riafirmuan vendosmërinë e NATO-s për të rritur dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik në Ballkanin Perëndimor. Vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik. Sekretari i Përgjithshëm dhe Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksuan rëndësinë e progresit të vazhdueshëm në këtë drejtim gjatë vizitave të tyre përkatëse në rajon. Vazhdimi i forcimit të mbështetjes sonë për partnerët do të jetë gjithashtu një prioritet kyç ndërsa përgatitemi për Samitin e Uashingtonit këtë korrik për të shënuar 75-vjetorin e NATO-s.

    EWB: Si reagon NATO ndaj vendimit të SHBA-së, një anëtare e rëndësishme e NATO-s, për të miratuar shitjen e Javelins në Kosovë? Çfarë mesazhi i dërgon kjo Beogradit zyrtar?

    GR: Këto janë vendime për të cilat duhet komentuar institucionet në Kosovë dhe SHBA. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis paqësor dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). KFOR-i ka një qëndrim fleksibël në terren, i cili rregullohet rregullisht në bazë të vlerësimit tonë të situatës së sigurisë. Kjo na mundëson të përballemi me çdo sfidë që mund të lindë dhe të kontribuojmë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe në mbarë rajonin.

    EWB: Viti i kaluar është shënuar me sfida dhe kërcënime të shumta të sigurisë në Kosovë. A është KFOR-i ende një garantues i paqes dhe stabilitetit në Kosovë?

    GR: Një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për sigurinë tonë. Për më shumë se dy dekada, NATO ka kontribuar për një Kosovë paqësore dhe stabile. Mandati i OKB-së për misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it është i pandryshuar. Ne vazhdojmë të mbështesim një mjedis të qetë dhe të sigurt për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes.

    Majin e kaluar, ne pamë dhunë kundër misionit tonë paqeruajtës të KFOR-it, duke lënë 93 trupa të NATO-s të plagosur, disa në gjendje të rëndë. Në muajin shtator, ne pamë një shpërthim tjetër të dhunës së rëndë kundër Policisë së Kosovës në Banjskë. Kjo është e papranueshme. Duhet të vërtetohen faktet dhe autorët të dalin para drejtësisë.

    Që nga maji i kaluar, ne kemi rritur praninë e KFOR-it në veri të Kosovës, me dislokim të forcave rezervë dhe patrullime shtesë. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas mbetet në kontakt me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, dhe me përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, OKB-në dhe komunitetin ndërkombëtar.

    Në të njëjtën kohë, Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Ne mirëpresim hapat e fundit pozitivë për targat dhe zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

    EWB: Si e vlerësoni nivelin e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe autoriteteve në Beograd? Në cilat fusha bashkëpunimi është më i afërt?

    GR: Serbia është një partner afatgjatë i NATO-s që nga viti 2006, kur Serbia iu bashkua Partneritetit për Paqe të NATO-s. Për më shumë se 17 vjet, Serbia dhe NATO kanë zgjeruar bashkëpunimin për një sërë çështjesh dhe kanë punuar së bashku për të promovuar reformat, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në zonën më të gjerë Euro-Atlantike. Roli im si shef i zyrës së NATO-s në Beograd ndihmon në forcimin e bashkëpunimit tonë, nga i cili përfitojnë NATO dhe Serbia.

    Partneriteti ynë është krijuar për t’iu përshtatur nevojave të Serbisë dhe interesave të sigurisë, në respekt të plotë të politikës së deklaruar të Serbisë për neutralitet ushtarak. Ne bashkëpunojmë në shumë nivele të ndryshme dhe fusha politike, ushtarake dhe shkencore. Kemi një komunikim të mirë-krijuar, përfshirë edhe në nivelin më të lartë politik, me kontakte të rregullta mes Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Gjatë vizitës së tij në Beograd nëntorin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti Vuçiç diskutuan për rifillimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

    Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin tonë praktik, Serbia mund të zgjedhë nga mbi 1600 aktivitete të ndryshme në listën tonë të partneritetit. Këto aktivitete përfshijnë edukimin, trajnimin dhe ngjarje të tjera, të cilat plotësojnë nevojat specifike të vendeve partnere.

    Përveç kësaj, që nga viti 2007, Serbia është angazhuar në mënyrë aktive në Programin e NATO-s, Shkenca për Paqe dhe Siguri, në fusha të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e energjisë dhe mjedisit, teknologjitë e avancuara, mbrojtjen kibernetike dhe kundër-terrorizmin. Sekretari i Përgjithshëm pa disa shembuj të projekteve të fundit në vizitën e tij në Beograd. Disa shembuj praktikë përfshijnë DEXTER – një projekt për të krijuar sisteme për zbulimin e hershëm të eksplozivëve dhe armëve të zjarrit në një mjedis të tranzitit masiv – dhe SP4LIFE – për të krijuar sisteme të zbulimit të hershëm kundër sulmeve terroriste dhe aksidenteve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore. Një shembull tjetër është zhvillimi i sistemeve më të qëndrueshme të ruajtjes së energjisë për të ulur koston dhe çështjet e sigurisë të teknologjisë së litium-jonit dhe përdorimin e biokarburanteve si një zgjidhje kyçe në të ardhmen e energjisë së rinovueshme me aplikime ushtarake dhe civile.

    Ky program ka bashkuar shumë shkencëtarë nga NATO dhe Serbia gjatë viteve për të shkëmbyer përvoja dhe për të ndjekur përparime teknologjike dhe shkencore. Shumë laboratorë në Serbi janë pajisur falë këtyre projekteve dhe tani shkencëtarët, mendjet kureshtare nga Serbia mund të punojnë së bashku për të ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të sigurt.

    Gjithashtu NATO dhe Serbia bëjnë shumë së bashku në fushën e trajnimit ushtarak. Kjo i ndihmon Forcat e Armatosura Serbe të kontribuojnë edhe më efektivisht në operacionet paqeruajtëse të udhëhequra nga OKB dhe BE, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare për të gjithë.

    EWB: A pret NATO që autoritetet në Serbi të theksojnë dhe promovojnë bashkëpunimin me NATO-n më shumë sesa kanë bërë deri tani?

    GR: NATO dhe Serbia kanë një bazë gjithëpërfshirëse dhe solide mbi të cilën mund të çojmë përpara bashkëpunimin tonë dhe ka një hapësirë për të bërë më shumë për t’i komunikuar aktivitetet tona të përbashkëta popullatës serbe në një mënyrë transparente dhe faktike.

    Serbia ka marrë një vendim sovran për të zyrtarizuar marrëdhëniet e saj me NATO-n, përmes një partneriteti të përshtatur të bazuar në dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik, në respekt të plotë të politikës së deklaruar të neutralitetit ushtarak. Kjo është ajo që mbështet të gjitha përpjekjet tona të komunikimit dhe ajo që ne do të vazhdojmë të theksojmë në të gjitha angazhimet tona me audiencën serbe. Për ne është shumë e rëndësishme që të informojmë publikun për bashkëpunimin tonë, pasi kjo është reciprokisht e dobishme si për NATO-n ashtu edhe për Serbinë dhe ka një efekt të drejtpërdrejtë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale në zonën euroatlantike.

    Ne kemi bërë një rrugë të gjatë që nga viti 2006, kur Serbia iu bashkua Partneritetit për Paqe, dhe jemi të gatshëm ta çojmë partneritetin tonë përpara, në përputhje me ritmin dhe shtrirjen e përcaktuar nga autoritetet serbe. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur dezinformatat, lajmet e rreme dhe narrativat e rreme janë të dukshme. Diplomacia publike është një nga fushat ku Serbia dhe NATO mund të bëjnë shumë më tepër për përfitimin tonë reciprok.

    Ne kemi luajtur rolin tonë për disa vite tashmë në mënyra të ndryshme, duke përfshirë vizitat në zyrat tona – duke komunikuar për aktivitetet tona të ndryshme – angazhimet me një numër të gjerë organesh mediatike përmes intervistave dhe qasjes në ngjarjet e nivelit të lartë të NATO-s, si Takimet Ministrore dhe Samitet, bashkëpunim shkencor, pjesëmarrje në konferenca dhe seminare dhe vizita nga gazetarë, akademikë, opinionistë, deputetë dhe zyrtarë qeveritarë në selinë e NATO-s.

    Në këtë sfond, NATO dhe Serbia mund të punojnë edhe më ngushtë së bashku për të demaskuar lajmet e rreme, për të luftuar narrativat e rreme dhe për të trajtuar kërcënimet hibride. Këto sfida trajtohen më së miri përmes veprimeve transparente dhe konkrete, të cilat përcjellin fakte dhe komunikojnë vlera të përbashkëta. E gjithë kjo është çelësi për të mbrojtur shoqëritë demokratike dhe për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj ndërhyrjeve malinje të jashtme.

    Në nivel dypalësh, po ashtu janë duke u zhvilluar shumë aktivitete ndërmjet Serbisë dhe aleatëve të NATO-s. Këto vende dhurojnë dhe investojnë shumë burime në Serbi, përmes Fondeve të Mirëbesimit të NATO-s, fondeve të BE-së, ose në baza thjesht dypalëshe.

    Ka ende një hendek të konsiderueshëm informacioni midis asaj që bëjmë dhe asaj që arrin tek audienca në Serbi, kështu që ky është një nga prioritetet e mia kryesore. Ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos për të shpjeguar se çfarë është NATO, vlerat që ajo përfaqëson dhe parimet e NATO-s dhe partneritetit afatgjatë të Serbisë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të angazhohemi me popullin e Serbisë dhe të eksplorojmë mënyra të reja për të vazhduar bashkëveprimin në mënyrë transparente dhe konstruktive.

  • Trupi i Navalnyt dërgohet te varri

    Trupi i Navalnyt dërgohet te varri

    Mijëra persona me lule në duar – të rrethuar nga forcat e sigurisë – janë mbledhur nëpër rrugët afër Kishës “Ikona e Nënës dhe Zotit” dhe varrezës Borisovskoye në Moskë, ku zhvillohet ceremonia e varrimit të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

    Ceremonia në kishë ka përfunduar dhe trupi i tij tani është duke u dërguar te varri.

    Prindërit e Navalnyt, Anatoliy and Lyudmila, janë parë duke marrë pjesë në ceremoninë në kishë, por asnjëri nuk ka bërë ndonjë koment publik.

    Aleati i Navalnyt, Ivan Zhdanov, i ka inkurajuar njerëzit që të ecin në këmbë prej kishës deri te varri, që është rreth 30 minuta larg.

    Disa persona janë dëgjuar duke bërtitur jashtë kishës “ekzekutues”, “Rusia do të jetë e lirë”, “jo luftës”.

    Të tjerë kanë thënë duke qarë, “nuk do të të harrojmë”.

    Prindërit e Navalnyt.

    Ceremonia është mbajtur te kisha në qarkun Marjino, ku ka jetuar Navalny për një kohë, sipas ish-zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh.

    Diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkura, Gjermanisë, Francës kanë shkuar në kishë për të nderuar Navlanyn.

    Ata janë parë të veshur në të zeza dhe me trëndafila në duar.

    Diplomatët e huaj në Moskë.

    Në rrugën drejt kishës janë vendosur shumë gardhe metalike.

    Ka raportime që të paktën 40 makina të policisë janë parkuar afër kishës në mëngjesin e 1 marsit.

    Yarmysh ka thënë se për ata që nuk mund të marrin pjesë, ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka lëshuar një paralajmërim përmes gazetarëve se çdo organizim i paligjshëm do të konsiderohet shkelje e ligjit, një lloj kërcënimi që policia do të intervenonte shpejt nëse duhet të merret me turmat.

    Ai ka thënë se Kremlini nuk e konsideron Navalnyn si politikan dhe nuk ka asgjë për të thënë për familjen e Navalnyt.

    Vendi ku do të varroset Navalny.

    Qindra rusë janë arrestuar vetëm pse kanë dërguar lule nëpër qytet për të përkujtuar Navalnyn.

    Ivan Pavlov, avokat i njohur rus për të drejta të njeriut, i cili është larguar prej shtetit, ka thënë se autoritetet ruse do ta konsiderojnë funeralin si “organizim masiv i padëshirueshëm” dhe do të tentojnë të kufizojnë sa më shumë numrin e pjesëmarrësve.

    “Jam i sigurt që do të ketë kordone të policore dhe vëzhgim me video prej të gjitha anëve”, ka thënë ai.

    “Si masë parandaluese, ata do t’i marrin në pyetje aktivistët nëpër stacione policore, apo do t’i vizitojnë nëpër shtëpi për t’iu dhënë paralajmërime. E kemi parë tashmë këtë”.

    Në ceremonitë ortodokse, njerëzit zakonisht parakalojnë para trupit të të vdekurit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, dhe më pas ceremonia udhëhiqet prej një prifti dhe më pas një kori.

    Ivan Zhdanov, ish-udhëheqës i Fondacionit të Navalnyt kundër Korrupsionit, ka thënë se ka thashetheme në media që vetëm familjarët do të mund të marrin pjesë në ceremoni.

    Trupi i Navalnyt i është dorëzuar nënës së tij, Lyudmila më 24 shkurt, më shumë se një javë pas vdekjes së tij prej “shkaqeve natyrore” në një burg në rajonin rus të Arktikut.

    Ai ka qenë 47-vjeçar.

    E veja e Navalnyt, Yulia, ka thënë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është përgjegjës për vdekje e burrit të saj.

    Edhe disa zyrtarë perëndimorë e kanë të njëjtin mendim.

    Ai ka qenë duke vuajtur një dënim me burgim prej 19 vjetësh për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht. /REL

  • ​Konjufca: BE-ja s’ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin

    ​Konjufca: BE-ja s’ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë që t’i propozojë Kosovës draft të statutit për themelimin e Asociacionit.

    Një ditë pas kërkesës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier që Kosova të dërgojë draftin e propozuar nga euro-amebikët në Gjykatë Kushtetuese, kryeparlamentari Konjufca, tha se Kosova nuk mundet të qëndrojë gatitu dhe çfarëdo drafti që BE-ja, propozon të dërgojë në kushtetuese.

    Ai tha se kërkesën e ambasadorit amerikan e ka kuptuar në formën që Kosova t’i drejtohet me një draft të vetin Gjykatës Kushtetuese.

    “I vetmi obligim që e ka Kosova është marrëveshja e vitit 2013. Mendoj se BE-ja nuk ka kompetencë me i propozu asociacion Kosovës. Është gabim me menduar se është kompetencë e BE-së neve me na caktu, kurse kompetencë e jona më dërgu në Gjykatën Kushtetuese. Ndoshta zotëri Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozojë një draft të Asociacionit. Kjo është një temë tjetër. Unë nuk e kam kuptuar ashtu siç e paske kuptuar ti. Unë e kam kuptuar që Kosova me iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një draft, por unë nuk mendoj se është kompetencë e BE-së, me i propozu draft Kosovës dhe Kosova me qëndru gatitu dhe dërgu draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedurë”, tha Konjufca.

    Ai shtoi se reagimi i amerikanëve ka ardhur më shumë për shkak të vendimit për dinarin, për të cilin theksoi se shumë lehtë mund të gjendet një zgjidhje.

    “Më shumë ka qenë çështja e dinarit, e cila ka sjell te ky reagim i ShBA-së. Qeveria ka dhënë shpjegimet e veta se është mirë që mospajtimin po e kemi vetëm në aspektin kohor. Ata kanë kërkuar më shumë konsultime me komunitetin serb, por legaliteti i vendimit nuk po kontestohet. Kjo është një drejtë e Kosovës të cilën duhet të gjejmë modalitetin më të mirë që sesi të zbatohet dhe të përfitojnë të gjithë. Të ndalet kjo praktik vërtet e keqe e parave kesh, të cilat hynë me miliona-miliona dinarë në territorin e Kosovës. Por të njëjtën kohë komuniteti serb mos të ndihen i kërcënuar apo destabilizuar nga vendimet e tilla. Kjo është e mundshme të arrihet, nuk është vështirë të arrijmë një zgjidhje. Po ashtu, guvernatori i BQK-së edhe në takimin e Brukselit e ka shpjeguar një plan sesi të ndodh gjatë muajve të ardhshëm sesi të implementohen fazat, që mund të konsideroheshin si parapërgatitje, por edhe të shkohet drejtpërdrejtë në plotësimin e kornizës për heqjen e dinarit si valutë e përdorimit të transaksionit brenda Kosovës”, theksoi Konjufca.

    Në anën tjetër, Konjufca e mirëpriti rezolutën e djeshme të Parlamentit Evropian, ku kërkohet qasje e re në dialog dhe largim të masave ndaj Kosovës.

    “Thirrja e Parlamentit Evropian është ajo më e duhura që na është nevojitur. Më të vërtet pas 24 shtatorit, gjëja më absurde që ka ndodh prej bashkësisë ndërkombëtare është që Kosovës me iu vazhdu masat, Kosovës mos me iu heq të njëjtat. Të njëjtën kohë, Serbia i cili është drejtpërdrejtë sponsorizues i këtij grupi terrorist dhe në formë të një akti të agresionit e ka sulmuar Kosovën më 24 shtator. Kjo u vërtetua edhe prej informatave të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore se ky grup ka shfrytëzuar institucionet e sigurisë të shtetit të Serbisë për me u trajnuar dhe kryer të gjitha përgatitjet e tyre….Ndërkombëtarët disa e thonë, disa nuk e thonë, disa e thonë në përshpirtje, por kjo duhet të thuhet në raporte të cilat publikohen dhe mbajnë përgjegjëse Serbinë për këtë sulm. Tash kur mendohet e gjithë kjo unë nuk mund të kuptoj sesi Kosovës ende i vazhdohen masat të vendosura nga BE-ja”, theksoi Konjufca.

    Duke folur për procesin gjyqësor ndaj tij, ku ditë më parë u lirua nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Konjufca e tha se ka qenë pak i befasuar më atë vendim.

    “Që lirohem krejt kjo ka qenë befasi për mua të them të drejtën, për arsye se unë kam prit se do të jetë dënim me kusht ose me gjobë. Por gjykata me siguri është bazuar tek dëshmitarët. Nuk do të kisha problem që të isha edhe dënuar”, theksoi ai./KP/

  • ​Boksierët e Kombëtares së Kosovës do të marrin pjesë në turneun më të fortë në botë

    ​Boksierët e Kombëtares së Kosovës do të marrin pjesë në turneun më të fortë në botë

    Boksierët djem dhe vajza të Kombëtares së Kosovës në boks do të marrin pjesë në turneun më të fortë në botë për të rinj (17/18 vjet) “Adriatic Pearl”, që mbahet në Budva të Malit të Zi nga data 3 deri më 11 mars.

    Kosova do të marr pjesë me tre boksierë dhe pesë boksiere të përzgjedhur nga trajnerët e kombëtares, raporton KosovaPress.

    Në këtë garë pritet pjesëmarrja e boksierëve nga afro 30 shtete. Ky turne shërben si test për boksierët tanë para Kampionatit Evropian që do të mbahet nga data 2 deri më 15 prill në Poreç të Kroacisë.