Prezantuesja e njohur, Elita Rudi do t’i rikthehet sërish ekranit televiziv.
Drejtori i ATV-së, Zija Rexhepi, ka njoftuar se Elita pas një pauzë rikthehet me një projekt të ri në ATV, pjesë e këtij projekti do të jetë edhe Nderim Neziri.
Kujtojmë se Elita Rudi në të kaluarën ka qenë pjesë e disa televizioneve të ndryshme në Kosovë, përmes programeve të saj.
Për herë të parë, Komuna e Skenderajt nuk është përfshirë në Këshillin Organizativ të shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare, e cila shënohet më 5, 6 dhe 7 mars.
Sipas vendimit të publikuar nga Qeveria, pjesë e këshillit do të jenë disa ministra dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.
E mospërfshirja e komunës në të cilën ishte zhvilluar ngjarja që i dha kthesë luftës, konsiderohet e padrejtë nga zyrtarët në Skenderaj.
“Më e keqja ka qenë se ne e kemi marrë vesh lajmin krejt tash në prag të epopesë, madje edhe përfaqësuesin e kemi pas gati kur të na kishin ftuar, është hera e parë, shumë absurde në vendin ku veç shënohet kjo epope të mos përfshihemi”, tha zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku.
Pavarësisht kësaj, Komuna e Skenderajt do t’i vazhdojë aktivitetet sipas agjendës së përcaktuar vetë.
“Ne i kemi aktivitetet në nivel lokal, dhe pavarësisht kësaj do të vazhdojmë me aktivitetet e planifikuara nga ne komuna…”, tha Lushtaku.
Por, sipas asamblistit të Vetëvendosjes, Hysni Mehani, ka arsye përse komuna nuk u përfshi në këshillin organizativ.
“Ka mundësi që s’e kanë përfshirë Skenderajn për shkak se vitet paraprake nuk ka arritur fort rezultat apo ndonjë përfshirje, kontribut të kënaqshëm edhe pse ishte pjesë e këshillit”, tha Mehani.
Sidoqoftë edhe njëra prej ftesave nuk dihet nëse ka shkuar në vendin e duhur, meqë siç është njoftuar organizatat e dala nga lufta nuk janë ftuar asnjëherë në Këshill.
Manifestimi i Epopesë së UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars organizohet nga viti 2000.
Inteligjenca artificiale (AI) jo vetëm që ngre frikën për punët dhe të drejtat e njeriut, por gjithashtu rrezikon të ketë një ndikim të madh në mjedis.
Ekspertët vlerësojnë se kërkesa për AI do të rrisë tërheqjen e ujërave nëntokësore ose sipërfaqësore në mes 4.2 dhe 6.6 miliardë metra kub deri në vitin 2027. Kjo është afërsisht sa gjysma e sasisë së konsumuar nga Mbretëria e Bashkuar çdo vit.
Çështja qëndron në të ashtuquajturat modele të mëdha gjuhësore që janë në qendër të teknologjisë së re dhe janë në gjendje të përpunojnë sasi të mëdha të dhënash tekstuale, numerike dhe të tjera.
Për të funksionuar, këto modele kërkojnë sasi të mëdha fuqie llogaritëse dhe përdorimin e serverëve që përdorin ujë të ftohtë, disa prej të cilëve mund të ripërdoren, për të ftohur pajisjet duke thithur nxehtësinë nga ajri.
Financial Times raporton se në vitin 2022 përdorimi në rritje i qendrave të të dhënave çoi në një rritje të konsumit të ujit me 34% për Microsoft, 22% për Google dhe 3% për Meta.
Në përgjithësi, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, qendrat e të dhënave, kriptovalutat dhe AI përbënin pothuajse dy për qind të kërkesës globale për energji elektrike në vitin 2022. Kjo shifër mund të dyfishohet deri në vitin 2026 për të arritur pothuajse konsumin e energjisë elektrike të Japonisë.
Sam Altman, themelues i ChatGPT, ngriti alarmin në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke thënë se nevojitet një përparim energjetik për të fuqizuar AI në të ardhmen.
Kryeshefi Ekzekutiv i OpenAI tha gjithashtu, megjithatë, se ky zbulim duhet të mundësohet nga burime energjie miqësore me klimën, si fuzioni bërthamor ose energjia diellore më e lirë. /ANSA
Danimarka njoftoi të enjten se do të shqyrtojë kërkesat për azil nga palestinezët në Gaza për shkak të nivelit ekstrem të dhunës në zonë, e cila paraqet rrezik abuzimi në kundërshtim me nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë se nënshtrimi ndaj torturës ose trajtimit ose dënimit çnjerëzor ose poshtërues është në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Kjo justifikon dhënien e azilit për aplikantët nga qyteti i Gazës i dëmtuar nga lufta sipas ligjeve të emigracionit të Danimarkës.
Bordi Danez i Apelit për Refugjatët në një deklaratë tha se: “Palestinezëve pa shtetësi nga Gaza, të cilët kanë përfituar nga mbrojtja ose ndihma nga UNRWA, si rregull i përgjithshëm, duhet t’u jepet një leje qëndrimi”.
Bordi i refugjatëve konfirmoi se gjithsej katër aplikantë për statusin e refugjatit ishin në pritje para tyre. Ajo pranoi të katër aplikimet sipas seksioneve të ndryshme të lejeve të qëndrimit.
Izraeli ka nisur një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, për të cilin Tel Aviv tha se vrau më pak se 1.200 njerëz. Të paktën 30.035 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 70.457 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Izraeli ka vendosur gjithashtu një bllokadë në Rripin e Gazës, duke e lënë popullsinë e tij, veçanërisht banorët e Gazës veriore në prag të urisë.
Lufta ka shtyrë 85% të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza. /AA
Elon Musk, pronari multimiliarder i Tesla dhe X, po padit kompaninë e inteligjencës artificiale OpenAI, duke e akuzuar firmën se i jep përparësi fitimit mbi zhvillimin e AI, mbi të mirën publike.
Musk po ngre padi kundër OpenAI, ku ai ishte bashkë-themelues, dhe shefit ekzekutiv të saj, Sam Altman, për shkeljen e një kontrate duke refuzuar premtimin e saj për të zhvilluar me kujdes AI dhe për ta bërë teknologjinë gjerësisht të disponueshme.
Veprimi gjyqësor është i fundit në një seri sfidash ndaj Altman, i cili u rrëzua nga pozicioni i tij në OpenAI nga bordi i kompanisë dhe shkoi për një kohë të shkurtër në punë në Microsoft, aksioneri më i madh i OpenAI, përpara se të kthehej në postin e tij.
Gjigandi i AI u themelua fillimisht si një kompani jofitimprurëse, por është rritur në interesa tregtare, gjë që ka shkaktuar tension midis anëtarëve të bordit dhe themeluesve.
Duke përqafuar një marrëdhënie të ngushtë me Microsoft-in, OpenAI dhe drejtuesit e tij më të lartë e kanë vënë atë pakt “të ndezur” dhe po “pengojnë” misionin e kompanisë, pretendon Musk në padi.
“Nën bordin e saj të ri, ajo jo vetëm që po zhvillon, por në të vërtetë po përpunon një AGI [inteligjencë të përgjithshme artificiale] për të maksimizuar fitimet për Microsoft-in, në vend që të jetë për të mirën e njerëzimit”, thuhet në dosje. /SkyNews/
Një shpërthim i fortë ka ndodhur në një magazinë në ndërtim në Lushnjë.
Një person humbi jetën, shtetasi Roland Hoxha. Gjithashtu raportohet për gjashtë persona janë plagosur, mes tyre edhe deputeti i PS, Bujar Çela.
Ende nuk dihet shkaku i saktë i këtij shpërthimi, ndërsa dyshohet se gjatë punës në fabrikë, një vinç ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka pasur një shpërthim.
Forcat e policisë, ambulanca dhe zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje. Shpërthimi dyshohet se ka qenë shumë i fortë dhe zhurma është dëgjuar pothuajse në të gjithë qytetin. /tch
Shoqata “HANDIKOS” sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me ç‘rast u organizua aktiviteti i një shëtitje 30 minutëshe me karrocë në njërën nga rrugët e kryeqytetit.
Pjesëmarrës të këtij aktiviteti ishin nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, dhe anëtar të kabinetit të cilët u shoqëruan nga drejtori i “HANDIKOS”, Afrim Maliqi.
Nga shoqata u përmendën sfidat që përballen personat me karrocë, ndërsa nga autoritetet komunale premtuan më shumë angazhim në krijimin e kushteve për lëvizje më të lehtë të tyre.
Drejtori Maliqi tha se në Kosovë janë rreth 4 mijë persona që përdorin karrocën dhe se të njëjtit e kanë të vështirë që të lëvizin lirshëm në rrugët e Prishtinës dhe në vende të tjera.
Ndërkaq nënkryetarja e Komunës të Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu u shpreh se ndjenja për të qenë në karrocë qenka e fortë, pasi sipas saj, liria e lëvizjes varet nga karroca.
Ajo theksoi se e dinë që në Prishtinë këta persona hasin në vështirësi për të lëvizur, teksa shtoi se kanë vullnet politik për të ju qëndruar pranë dhe se në të ardhmen do të ketë mbështetje konkrete ndaj tyre.
Dita e Përdoruesve të Karrocës për herë të parë u shënua më 2019 në Kosovë me qëllim të arritjes së ndikimit pozitiv të karrocës në jetën e një personi, rikujtimit të numrit të përdoruesve të karrocës në vend dhe në botë, si dhe vetëdijesimit të shoqërisë për ta bërë botën një vend të qasshëm për të gjithë. /kp
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, është duke vazhduar me zbatimin e planit operativ “siguria në trafikun rrugor” me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
“Njësitet dhe stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, gjatë muajit shkurt, kanë ndërmarr një sërë aktivitetesh bazuar në planin operativ “siguria në trafikun rrugor”. Në zbatim të këtij plani, janë ndërmarrë masa të duhura preventive me qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në zbatim të planit operativ “siguria në trafikun rrugor “, dhe planeve të tjera operative, gjatë muajit shkurt janë shqiptuar gjithsej 5936 gjoba të trafikut dhe janë konfiskuar si93 patentë shoferi. Prioritet në planet operative, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, identifikimi dhe marrja e masave në përputhje me ligjin për rregullat e trafikut rrugor ndaj kundërvajtësve të cilët drejtojnë automjetet duke tejkaluar shpejtësinë e lëvizjes, përdorin telefonin e dorës gjatë ngasjes, bëjnë tejkalime të parregullta, bëjnë gara shpejtësie etj.
Gjatë muajit shkurt ndër të tjera janë shqiptuar:
•2646 gjoba për tejkalim të shpejtësisë,
•115 gjoba për tejkalimet e parregullta (në vendet e ndaluara),
•210 gjoba për kundërvajtësit të cilët gjatë ngasjes kanë përdorur telefonin e dorës,
•796 gjoba për mos vendosje të rripit të sigurisë etj.
AAK e Ramush Haradinajt bashkë me partnerët e koalicionit kanë organizuar sot një tryezë në të cilën kanë diskutuar për gjendjen e arsimit në vend, për sfidat dhe rrugën përpara për përmirësimin e gjendjes.
Haradinaj ka thënë se sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Ai ka thënë se me arsim s’bëhet pazar, pasi që përcaktohet e ardhmja e vendit.
Ai ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se nuk e ka prioritet arsimit dhe sipas Haradinajt problemet janë alarmante.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Me Arsimin nuk bëhet pazar sepse është përcaktues për të ardhmen e vendit.
Fatkeqësisht Arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. Problemet janë shtuar dhe janë alarmante. Ndikimi i dëmshëm politik, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e fondeve për hulumtime shkencore, pagat e ulëta si dhe kushtet e dobëta infrastrukturore dhe lufta e hapur ndaj sindikatave dhe mësimdhënësve, kanë sjellur këtë sektor buzë kolapsit.
Në tryezën e dytë për Arsimin, kësaj radhe organizuar në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030, gjatë diskutimit me panelistët, profesionistë të fushave të ndryshme me kontribut të shquar në sektorin e Arsimit, u ngrit shqetësimi për degradimin e skajshëm që kjo qeveri i ka sjellur Arsimit.
Bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e Arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para, që do të kulmojnë me një plan të përbashkët për ta rikthyer dinjitetin e mësimdhënësve dhe ndryshimin pozitiv të gjendjes arsimore në vend.
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit.
Lajmi u bë i ditur në një postim në rrjetin social X nga ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë ndërmjet zëvendësministrit të Jashtëm Besart Kadia dhe homologut të tij nga Azerbajxhani.
Marrëveshja e nënshkruar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, hap mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve. /Euronews.al/