ATV

Author: ATVLive

  • Osmani takon Embalon, diskutojnë për thellim marrëdhëniesh Kosovë-Guinea Bissau

    Osmani takon Embalon, diskutojnë për thellim marrëdhëniesh Kosovë-Guinea Bissau

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njofton se është takuar me presidentin e Guinea-Bissaut, Umaro Sissoco Embalo.

    Me anë të një postimi në llogarinë e saj në platformën X, Osmani shprehet se gjatë takimit të tyre të pestë së bashku, diskutuan për potencialin e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.

  • Viktima e dytë në Lushnje, pas babait vdes dhe i biri

    Viktima e dytë në Lushnje, pas babait vdes dhe i biri

    Pas babait ka ndërruar jetë dhe djali nga shpërthimi në Lushnjë.

    Një shpërthim i fuqishëm u regjistrua ditën e sotme në një magazine në ndërtim në Lushnje, e cila ishte në pronësi të deputetit të PS, Bujar Çela.

    Nga ky shpërthim u regjistrua një vitkimë dhe disa të plagosur, mes tyre dhe vetë deputeti Çela. Ky i fundit iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa u raportua se disa të plagosur u transportuan drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

    Paraprakisht dyshohet se shkak për shpërthimin është bërë një vinç që ka prekur linjën e tensionit të lartë.

  • 71 zyrtarë policorë janë suspenduar nga puna megjithatë marrin pagë

    71 zyrtarë policorë janë suspenduar nga puna megjithatë marrin pagë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    71 zyrtarë policorë u paguan me muaj të tërë pa dalë fare në punë, gjatë vitit të shkuar. Kjo praktikë vazhdon ende, derisa ndaj zyrtarëve policorë ka masë suspendimi nga puna.

    Deri në një vendim përfundimtar për largim apo kthim në punë, ata nuk guxojnë t’i afrohen institucionit, megjithëse shteti ua paguan më shumë se gjysmën e pagës.

    Sipas ish-policit, tashmë avokat, Muhamet Mujaj, zgjatja e masës së suspendimit në radhë të parë i dëmton policët, por edhe vetë shtetin. Andaj kritika ka edhe për sistemin gjyqësor për zvarritje të lëndëve.

    Kjo konsiderohet se ndikon negativisht edhe në vetë institucionin e policisë dhe punën.

    Sipas Inspektoratit policor, numri i rasteve të suspendimit ka rënë dukshëm, krahasuar me vitin 2022, në të cilit IPK-ja kishte rekomanduar suspendimin e plotë të 164 policëve.

  • Është shtyrë sërish seanca ndaj ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe tre deputetëve të tjerë

    Është shtyrë sërish seanca ndaj ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe tre deputetëve të tjerë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Xhelal Sveçla, Salih Zyba e Fitore Pacolli u paraqitën në seancën gjyqësore nën akuzën për hedhje të gazit lotsjellës, në vitin 2018, ndërsa Drita Millaku mungoi.

    Thuajse menjëherë avokatët mbrojtës të deputetëve dhe tashmë ministrit Sveçla, deklaruan se nuk janë pajisur me të gjitha provat.

    Megjithëse, prokurori deklaroi se Prokuroria do të angazhohet që mbrojtja të pajiset me të gjitha materialet e trupi gjykues mori vendim që seanca të shtyhet.

    Por, në seancën e radhës më 26 mars, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët do të përballen me një akuzë më pak, meqë ajo për pengim të personit zyrtar do t’iu parashkruhet sepse më 21 mars bëhen 6 vjet nga koha prej kur është kryer vepra.

    Akuza e dytë, ajo për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, e dënueshme me 1 deri në 8 vjet, nuk mund të parashkruhet deri në vitin 2038.

    Pikërisht për hedhje të gazit lotsjellës, ditë më parë u lirua Glauk Konjufca. Këtë vendim të gjykatës nuk e kishte pritur as ai vetë.

    “Por, që lirohem krejt, ka qenë befasi edhe për mua. Kam pritur që të jetë dënim ose me kusht, ose me gjobë. Nuk do ta kisha problem që të jem i dënuar”, ka deklaruar Konjufca.

    Trupi gjykues kishte deklaruar se nuk është provuar nëse Konjufca ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, duke shtuar se asnjë nga dëshmitarët nuk e ka inkriminuar Konjufcën.

  • Konjufca: BE-ja nuk ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin

    Konjufca: BE-ja nuk ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin

    Deklarimet e Ambasadorit Hovenier në tryezën e rrumbullakët me gazetarë, ATV-ja i ka transmetuar në tërësi, përfshi kërkesën për lëvizje rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Mirëpo, Kryetari i Kuvendit e ka keqkuptuar këtë deklarim të Ambasadorit.

    Diplomatët perëndimorë në tetor i patën paraqitur Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për formimin e Asociacionit dhe Kryeministri Kurti kishte shprehur gatishmëri që ta nënshkruajë atë draft.

    Ambasadori Hovenier përsëriti dje po ashtu se për Shtetet e Bashkuara marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohirt janë dokumenta valid dhe në fuqi.

    Kjo marrëveshje nuk po zbatohet dhe Parlamenti Evropian, në një rezolutë të miratuar këtë javë ka kërkuar nga BE-ja që të që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Ddështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në tekstin e Parlamentit Evropian.

    Për transformimin e rolit të BE-së nga lehtësues në një formë arbitri ose zbatuesi të marrëveshjeve, këtyre ditëve është folur edhe në qarqe tjera mediale dhe diplomatike. /atvlive.tv

  • Kuvendi e deputetja Demi Murtezi paditen për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ

    Kuvendi e deputetja Demi Murtezi paditen për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Seanca e Kuvendit e datës 16 mars 2022, në të cilën u diskutua për Kodin Civil, u bë shkak që këtë të premte në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, pesë organizata joqeveritare të paraqesin padi kundër Kuvendit dhe deputetes Labinotë Demi – Murtezi.

    Veç padisë, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dorëzuan edhe ankesë te Avokati i Popullit. Ndaj kritikave që padia u dorëzua vonë, arsyeja ishte grumbullimi i fakteve, derisa u paralajmërua se padia e ankesa nuk do të jenë të fundit.

    “Jemi në proces të mbledhjes së fakteve dhe kjo nuk do të jetë e fundit do të vazhdojmë edhe tutje. Normalisht nuk dëshirojmë të ngutemi pasi që duam të veprojmë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës”, tha drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Arbër Nuhiu.

    Në seancën e para gati 2 vjetëve për Projekt-kodin civil, nga 61 deputetë sa kanë votuar, 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenuan.

    Projekt-kodi Civil është kundërshtuar nga një pjesë e madhe e deputetëve, për shkak të nenit 1138, i cili lejon bashkësitë civile mes personave me gjini të njëjtë.

  • Me një shëtitje në rrugët e kryeqytetit, është shënuar dita ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës

    Me një shëtitje në rrugët e kryeqytetit, është shënuar dita ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Me karrocat e tyre vendosën të bëjnë një shëtitje 30-minutëshe në rrugët e kryeqytetit. Në këtë shëtitje për ta shënuar ditën ndërkombëtare të përdoruesve të karrocës, dolën edhe zyrtarë nga komuna e Prishtinës

    Kërkesat e përdoruesve të karrocës janë të pakta, por kryesorja është qasja për lëvizjes.

    Në anën tjetër, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës u premtoi mbështetje në planet që i kanë për të ardhmen.

    Në Kosovë llogariten të jenë afro 4 mijë qytetarë përdorues të karrocës.

    Ndërkaq, shumë institucione edhe publike nuk kanë qasje për lëvizje për këtë kategori.

  • Në Komunën e Zubin Potokut janë funksionalizuar tri zyra, të cilat janë duke ofruar shërbime

    Në Komunën e Zubin Potokut janë funksionalizuar tri zyra, të cilat janë duke ofruar shërbime

    Përgatiti: Nora Luta

    Përveç në zyrën alternative në Çabër, qytetarët e Zubin Potokut nga java e fundit e muajit shkurt, mund të marrin shërbime komunale në objektin komunal.

    Për herë të parë pas nëntë muajsh, komuna veriore që drejtohet nga Izmir Zeqiri po kryen shërbime për qytetarë, në objektin që vazhdon të sigurohet nga Policia e Kosovës.

    Zeqiri ka konfirmuar për ATV-në se janë funksionalizuar tri zyra që do të ofrojnë shërbime për pajisje me dokumente identifikuese, regjistrim të automjeteve dhe të bizneseve. Ai shtoi se gradualisht e gjithë puna do të kryhet nga ky objekt.

    E disa nga ta që pranuan të flasin para kamerës u shprehën të lumtur me rikthimin e punës.

    Komuna e Zubin-Potokut nga maji i vitit 2023 udhëhiqet nga Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, pas zgjedhjeve komunale që u mbajtën në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Por Zeqiri postin e tij e ushtron ende nga zyra në Çabër, pasi qytetarët kundërshtuan futjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, në objektet komunale dhe prezencën e policisë.

    Zgjedhjet sollën tensione jo vetëm në Zubin Potok, por edhe në Zveçan e Leposaviq.

    Objektet komunale po vazhdojnë të sigurohen nga Policia, teksa në Zveçan javën e kaluar u tërhoqën pjesëtarët e KFOR-it.

  • Përlotet nëna e 15 vjeçarit të vrarë, thotë se djali i saj ende e ka të vendosur lulen në bankën

    Përlotet nëna e 15 vjeçarit të vrarë, thotë se djali i saj ende e ka të vendosur lulen në bankën

    Përgatiti: Nora Luta

    Të pakënaqur me ndarjen e drejtësisë nga gjykata e shkallës së parë, familja Muja po kërkon verdikt ndryshe nga Gjykata e Apelit.

    Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi Xhafer Bardhin me burgim të përjetshëm për vrasjen e B.M dhe A.M, vetëm 15 vjeç, por e liroi të birin e tij. Avokat i familjes tha se vendimin për lirimin e djalit të Xhaferit, e konsideron të padrejtë, për çka kërkoi që rasti të kthehet në rigjykim.

    Me vendimin e gjykatës së shkallës së parë nuk është pajtuar as mbrojtja e të dënuarit, e cila nga kolegji i Apelit, kërkoi që rasti të kthehet në rigjykim.

    Ndërkohë, qëndrimi në seancë për familjarët e viktimave u bë i pamundur, pasi gjendja e tyre emocionale u përkeqësua kur Gjykata deshi t’ua japë fjalën, siç e kërkon procedura.

    Gjykata Themelore e Prishtinës për vrasjen që ndodhi në vitin 2021, në tetor të 2023-s, e dënoi me burgim të përjetshëm Xhafer Bardhin, ndërsa djalin e tij, Amir Bardhin e kishte liruar nga akuza.

    Sipas aktakuzës, Bardhi në bashkëkryerje kishte privuar nga jeta A.M, dhe prindin e tij, për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të një parcele në pyllin e fshatit Gradicë të Drenasit.

  • Qasja në nënstacionin e Vallaçit për institucionet kosovare, nuk është ende e mundur

    Qasja në nënstacionin e Vallaçit për institucionet kosovare, nuk është ende e mundur

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ndonëse rryma në katër komunat veriore ka nisur të faturohet që nga 1 janari, sistemi energjetik brenda territorit vazhdon të mos kontrollohet tërësisht nga ana e institucioneve të Kosovës.

    Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut, vazhdon të mos ketë qasje në nënstacion e Vallaçit. Këtu gjatë së premtes, nuk u panë as punëtorë, derisa hyrja brenda nuk ishte e mundur. Brenda rrethojave të nënstacionit më verior të Republikës, ishin të parkuara disa vetura pa ndonjë logo.

    Megjithëse, KOSTT-i njoftoi se ka nisur procedurat, nuk dha ndonjë përgjigje konkrete se kur pritet të ketë qasjes fizike.

    “KOSTT-i ka themeluar Grupin Punues dhe ka njoftuar ZRRE-në, në lidhje me autorizimet për qasje dhe analizë. KOSTT-i, gjithashtu, ka përgatitur Planin Aksional, përfshirë veprimet konkrete të nevojshme rreth qasjes fizike dhe analizave të gjendjes së aseteve të transmetimit të KOSTT-it, në pjesën veriore të Sistemit të Transmetimit të Kosovës. Për më shumë, ju lutem drejtohuni ZRRE-së dhe Qeverisë së Kosovës, si organe kompetente për mbikëqyrjen e procesit për respektimin e Udhërrëfyesit”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

    Por, Zyra e Rregullatorit për Energji konfirmoi se vendimi për qasje është në kompetencën e plotë të KOSTT-it.

    “Sa i përket autorizimit për qasje në nënstacionin e Vallaçit, ju informojmë se në përputhje me kapitullin III të Ligjit për Energji Elektrike, Operatori i Sistemit të Transmetimit mban në pronësi sistemin e transmetimit dhe është përgjegjës për operimin e këtij sistemi në Republikën e Kosovës, në pajtim me Licencën e lëshuar nga Rregullatori”, thuhet në njoftimin e ZREE-së.

    Ky stacion vlerësohet i rëndësishëm meqë përmes tij bëhen të gjitha shkëmbimet energjetike me Serbinë. Gjendja jo e mirë teknike e nënstacionit që gjendet në periferi të Zveçanit u konfirmua edhe në planin zhvillimor të KOSTT-it teksa theksohet rreziku për sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit të konsumatorëve. Projekti për revitalizimin e njërit prej nënstacioneve të para të ndërtuara në Kosovë, është planifikuar të përfundojë në vitin 2027.