ATV

Author: ATVLive

  • Çfarë ndodh kur Papa vdes? Rregullat që Françesku ndryshoi

    Çfarë ndodh kur Papa vdes? Rregullat që Françesku ndryshoi

    Çfarë ndodh kur Papa vdes? Një funeral papal ka qenë tradicionalisht një çështje e përpunuar, por Papa Françesku miratoi së fundmi planet për ta bërë të gjithë procedurën më pak komplekse.

    Papët e mëparshëm u varrosën në tre arkivole me fole të bëra nga selvi, plumbi dhe lisi. Papa Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri të veshur me zink. Ai ka hequr gjithashtu traditën e vendosjes së trupit të Papës në një platformë të ngritur të njohur si katafalkë në Bazilikën e Shën Pjetrit për shikim publik.

    Në vend të kësaj, besimtarët do të ftohen të bëjnë nderimet e tyre ndërsa trupi i tij mbetet brenda arkivolit, me kapak të hequr. Françesku do të jetë gjithashtu Papa i parë në më shumë se një shekull që do të varroset jashtë Vatikanit.

    Ai do të prehet në Bazilikën e Shën Marisë Major, një nga katër bazilikat kryesore papale në Romë.

  • A do ta votojnë sot partitë opozitare Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit?

    A do ta votojnë sot partitë opozitare Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit?

    Përpjekja e katërt për konstituimin e Kuvendit të Kosovës vijon të hënën. Partitë e opozitës së deritashme, PDK, LDK dhe AAK kanë thënë se nuk do ta përkrahin me votë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare, Albulena Haxhiun.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë ndryshuar qëndrim për të propozuarën e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiun.

    Asnjë nga partitë e opozitës së deritashme nuk ka votë për Haxhiun, kanë thënë përfaqësues të këtyre partive politike të hënën.

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, e cila në sytë e opozitës konsiderohet si figurë përçarëse më shumë sesa unifikuese, mori 57 vota nga 61 të nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare të shtunën, në përpjekjen e tretë për krijimin e Kuvendit.

    Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës, në një deklarim për portalin FrontOnline të hënën, e la të hapur mundësinë e gjetjes së një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, por jo me Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare.

    Ai tha se është i nevojshëm koordinimi mes subjekteve partiake për të kaluar ngërçin e krijuar në proces.

    “Po, është detyrë e partisë fituese që me reflektu, në drejtim të jetësimit të vullnetit të popullit, themelimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm,” tha ai.

    Edhe LDK-ja tha se nuk ka ndryshuar qëndrim për kandidaturën e Haxhiut.

    Alban Zogaj, deputet i LDK-së në legjislaturën e nëntë, tha se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e sotme.

    “Po do të marrim pjesë. Qëndrimi ynë deri në ketë moment nuk ka ndryshuar” tha ai shkurtimisht për FrontOnline.

    AAK-ja e Ramush Haradinajt po ashtu e ka kundërshtuar me votë të shtunën kandidaturën e Haxhiut. Qëndrim të njëjtë do të mbajë edhe në vazhdimin e seancës të hënën, tha sot deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.

    “Do të marrim pjesë në seancë, por nuk kemi votë për kandidaturën e Vetëvendosjes” tha Kadrijaj për FrontOnline.

    Në vazhdimin e seancës konstituive të shtunën, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Glauk Konjufca e propozoi për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu.

    Në dy procedura votimi, për kandidaturën e paraqitur votuan 57 deputetë, ndërsa kryesuesi Dehari konstatoi se propozimi nuk kalon dhe në këto rrethana njoftoi për ndërprerjen e seancës.

    Seanca vazhdon sot në orën 15:00.

  • Vrasja e rreshterit Lika, arrestohen shtatë persona

    Vrasja e rreshterit Lika, arrestohen shtatë persona

    Shtatë persona janë arrestuar të hënën në një aksion policor në Kaçanik.

    Të arrestuarit dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, i cili u vra më 1 prill të këtij viti në hyrje të banesës së tij në qendër të Kaçanikut.

    Të dyshuarit janë arrestuar në disa lokacione në Kaçanik, merr vesh Paparaci nga burime brenda organeve të rendit.

    Njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar një aksion të madh në Kaçanik mëngjesin e të hënës.

    Disa bastisje janë kryer në lokacione të ndryshme.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se aksioni është ndërmarrë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm pas hetimeve intensive të zhvilluara për rastin.

    “Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mengjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha Kelani të hënën.

    Rreshteri Muhamed Lika u vra me armë zjarri të martën e 1 prillit rreth orës 23:00 në hyrje të banesës së tij.

  • Drejtori i Policisë dhe Kryeprokurori i Ferizajt mbajnë konferencë për media

    Drejtori i Policisë dhe Kryeprokurori i Ferizajt mbajnë konferencë për media

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Burim Çerkini do të mbajnë konferencë për media të hënën nga ora 11:30.

    Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një njoftim për media.

    Konferenca lidhet me arrestimin e shtatë personave të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika.

    “Sot, më 21.04.2025, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë do të mbaj një konferencë për media ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Kaçanikut dhe i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika”, thuhet në njoftim.

    “Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend Hoxha, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj z. Burim Çerkini”, tha Policia.

  • Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, reagon Vatikani

    Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, reagon Vatikani

    Është shuar në moshën 88-vjeçare Papa Françesku!

    Vatikani ka njoftuar se Papa Françesku u nda nga jeta të hënën e Pashkëve, më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare në rezidencën e tij në Casa Santa Marta.

    Shkëlqesia e Tij, Kardinali Farrell, njoftoi me dhimbje vdekjen e Papa Françeskut, me këto fjalë: “Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku.

    “Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm (me orën lokale), peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij”, njofton Vatikani.

    “Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve dhe më të margjinalizuarve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne e përgëzojmë shpirtin e Papa Françeskut në dashurinë e pafundme të mëshirshme të Zotit Një dhe Triuni”, shtoi Farrell.

  • Tarifat amerikane, Trump: Është mirë të shohësh se bota e di se ne jemi seriozë

    Tarifat amerikane, Trump: Është mirë të shohësh se bota e di se ne jemi seriozë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka thënë se “është mirë të shohësh se bota e di se ne jemi seriozë” për adresimin e çekuilibrave tregtarë me vendet e tjera, duke pretenduar se liderët botërorë dhe drejtuesit e biznesit kanë kërkuar lehtësim nga tarifat që kur ato u njoftuan në fillim të këtij muaji, transmeton AA.

    Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha se deklarata e tij e 2 prillit për “Ditën e Çlirimit” – e cila prezantoi tarifa reciproke për vendet që ai akuzon për praktika të padrejta tregtare – ka nxitur kontakte nga qeveritë e huaja dhe udhëheqësit e korporatave

    “Ata duhet të korrigjojnë gabimet e dekadave të abuzimit, por nuk do të jetë e lehtë për ta,” shkroi ai. “Ne duhet të rindërtojmë Pasurinë e Vendit tonë të Madh dhe të krijojmë RECIPROCITET të vërtetë.”

    Gjatë javëve të fundit, Trump ka njoftuar një sërë politikash tarifore, duke lëshuar deklarata të ndryshueshme që kanë ngritur shqetësime për paqëndrueshmërinë ekonomike globale.

  • Sveçla pas aksionit policor në Kaçanik: Muhamed Lika e familja e tij meritojnë drejtësi

    Sveçla pas aksionit policor në Kaçanik: Muhamed Lika e familja e tij meritojnë drejtësi

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me aksionin policor të zhvilluar në orët e hershme të së hënës në Kaçanik. Ky aksion lidhet me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, raporton kp.

    Sveçla ka shkruar në Facebook se drejtësia për rreshterin Lika që u vra më 1 prill, është domosdoshmëri.

    “Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi”, ka shkruar Sveçla në Facebook, duke lënë të kuptohet se aksioni i sotëm në Kaçanik është një hap drejt zbardhjes së këtij rasti të rëndë më 1 prill.

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë do të mbaj një konferencë për media në orën 11:30 në Drejtorinë Rajonale e Policisë së Kosovës në Ferizaj, ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Kaçanikut dhe i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika. Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend HOXHA, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj Burim Çerkini.

    Mëngjesin e së hënës, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka nisur një operacion policor që ka të bëjë me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar Luljeta Mehmeti zëdhënëse e Policisë së Kosovës.

    Mehmeti theksoi se aksioni policor po zhvillohet pas hetimeve intensive nga njësitet relevante

    “Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mengjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik”, ka thënë ajo për KosovaPress.

    Sipas saj, pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë.

    Më 1 prill, Muhamed Lika ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën ‘Idriz Seferi’, në Kaçanik rreth orës 23:00. Ai u transportua në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, raporton KosovaPress.

    Për vrasjen e mbrëmshme të rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, dy persona janë të dyshuar në këtë rast. Kështu ka thënë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini. Ai pati theksuar se dyshohet se nga vendi i ngjarjes kanë ikur në këmbë të dyshuarit. /kp

  • Osmani: Populli i Kosovës u bashkohet miliona njerëzve në zi për vdekjen e Papës

    Osmani: Populli i Kosovës u bashkohet miliona njerëzve në zi për vdekjen e Papës

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se trashëgimia e Papa Françeskut, i cili vdiq sot në mëngjes, do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku.

    Vjosa Osmani ka shkruar në X se populli i Kosovës u bashkohet miliona njerëzve në zi për vdekjen e Papës.

    “Populli i Republikës së Kosovës i bashkohet miliona njerëzve anembanë botës në zi për vdekjen e Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut – një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë në kohën tonë. Trashëgimia e tij do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku. Ne qëndrojmë me të gjithë ata që përcjellin mesazhin e tij të qëndrueshëm të shpresës, paqes dhe dinjitetit njerëzor”, shkruan Vjosa Osmani në X.

    Papa Françesku vdiq të hënën e 21 prillit, në moshën 88-vjeçare, ka njoftuar Vatikani. Lajmin e trishtë e njoftoi Eminenca e Tij, Kardinali Farrell.

    Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.

  • Një 18-vjeçar i arrestuar në Kaçanik, dyshohet për vrasjen e policit Muhamed Lika

    Një 18-vjeçar i arrestuar në Kaçanik, dyshohet për vrasjen e policit Muhamed Lika

    Një 18-vjeçar është në mesin e të arrestuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika.

    Mediat raportojnë jozyrtarisht se i dyshuari është R.B, 18-vjeçar.

    Ai raportohet se në momentin kur dyshohet se e kreu vrasjen, ishte 17-vjeçar.

  • Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare Papa Françeksu

    Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare Papa Françeksu

    Vatikani njoftoi të hënën ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, në moshën 88-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, përcjell ATV.

    Papa Françesku, i cili ishte përballur me probleme shëndetësore gjatë muajve të fundit, ka qenë një figurë kyçe për Kishën Katolike që nga zgjedhja e tij në vitin 2013. Gjatë papatit të tij, ai njihej për qëndrimet e tij reformuese dhe thirrjet për drejtësi sociale, paqe dhe dialog ndërfetar. /atvlive.tv