ATV

Author: ATVLive

  • Vijon sot seanca – pas dështimit në zgjedhjen e kryekuvendarit

    Vijon sot seanca – pas dështimit në zgjedhjen e kryekuvendarit

    Sot me fillim nga ora 15:00 do të vazhdojë seanca konstituive, me pikat e mbetura nga seancat e kaluar, e që janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

    Ndryshe në seancën e së shtunës, deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfunduan punën me votimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe betimin e deputetëve.

    Gjatë seancë të së shtunës dy herë deputetët dështuan të zgjidhnin Albulena Haxhiun, kryeparlamentare. Haxhiu, ka deklaruar se do të jetë sërish emri i propozuar nga subjekti i saj për pozitën e kryetares së Kuvendit pavarësisht dy tentimeve të dështuara në seancën për konstituimin e legjislaturës së nëntë, për shkak të mungesës së votave të nevojshme.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një deklarate për media, vlerëson se e njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përkrahjen e saj për atë kandidaturë. Sipas PDK-së, ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas votimit të mandateve të deputetëve, kishte thënë se është parë situata me numrat për formimin e institucioneve dhe arsyet e bllokimit.

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, theksoi nevojën urgjente për ndërtimin e institucioneve funksionale në vend.

  • Policia për aksionin në Kaçanik: Është në lidhje me vrasjen e policit Muhamed Lika

    Policia për aksionin në Kaçanik: Është në lidhje me vrasjen e policit Muhamed Lika

    Policia e Kosovës konfirmoi se aksioni i zhvilluar herët në mëngjes në Kaçanik është i ndërlidhur me vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika.

    “Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante, pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

    Njësia Speciale, së bashku me hetues të krimeve të rënda, ka bastisur një barnatore në këtë qytet, nën dyshimet për veprimtari të paligjshme që mund të jenë të lidhura me hetimet për vrasjen që tronditi opinionin publik.

    Më herët, Prokuroria kishte bërë të ditur se nga kamerat e sigurisë është parë që dy persona të rinj kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të rreshterit Lika, duke e lënë të vdekur. Motivet e vrasjes vazhdojnë të mbesin të paqarta, ndërsa autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit.

  • Moti sot me diell e vranësira, temperaturat arrijnë 26 gradë

    Moti sot me diell e vranësira, temperaturat arrijnë 26 gradë

    Moti sot parashihet me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas IHMK-së, vranësirat gjate ditës vende- vende mund te sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9 -12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 23-26 gardë Celsius.

    Do të fryjë erë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-6m/s.

  • Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Emir Sahiti: Nëse është e nevojshme, e la edhe shpirtin tim në fushë kundër Zvicrës, Suedisë dhe Sllovenisë

    Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Emir Sahiti: Nëse është e nevojshme, e la edhe shpirtin tim në fushë kundër Zvicrës, Suedisë dhe Sllovenisë

    Futbollisti i kombëtares së Kosovës, i cili aktualisht luan për ekipin gjerman Hamburg, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin ‘EKIPI A’ në ATV.

    I pyetur për ndeshjet që do të zhvillojë kombëtarja e Kosovës në kualifikueset e Kupës së Botës, kundër Zvicrës, Suedisë dhe Sllovenisë, Sahiti deklaroi se Kosova ka potencialin për t’i mposhtur të gjitha këto vende.

    ‘Qëllimi ynë është gjithmonë të shënojmë fitore, sepse kemi shumë lojtarë cilësorë, duhet të japim maksimumin dhe nëse është e nevojshme, të lëmë shpirtin në fushë kundër tyre’, tha Sahiti.

    Kujtojmë se të shtunën Sahiti shënoi dy gola në barazimin që ekipi i Hamburgut arriti kundër Schalke, ndeshje kjo që përfundoi 2:2./ATVLIVET.TV

     

  • Telekomi nuk ia kthen shtetit këstin e parë të kredisë 6-milionëshe

    Telekomi nuk ia kthen shtetit këstin e parë të kredisë 6-milionëshe

    Përgatiti: Armand Hoti

    Telekomi i Kosovës, nuk e ka paguar ende asnjë këst të kredisë gjashtë milionëshe, që mori nga Qeveria në vitin 2022.

    Parat ishin dedikuar për “pakon vullnetare”, që mundësoi largimin nga puna të 302 punëtorëve tepricë.

    “Këstin e parë, kemi pasur ta paguajmë në dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo pasi u bllokuan llogaritë, nuk arritëm ta paguajmë dhe planifikojmë ta paguajmë tash”, tha drejtori Financiar në Telekom, Feim Kelmendi.

    Gjysma e kredisë për këtë pako, planifikohet të kthehet këtë vit.

    Telekomi e ka aktive edhe një kredi tjetër 20 milionëshe, që u shpenzua për investime në teknologji. Këstin e parë, duhet ta paguaj në vitin që vjen.

    Së fundmi, ndërmarrjes iu aprovua edhe një kredi 10 milionëshe nga qeveria në detyrë.

    Mjetet do të shpenzohen për t’i mbuluar detyrimet tatimore dhe ato ndaj kontraktorëve, meqë llogaritë e Telekomit, janë të bllokuara për shkak të një kontesti përmbarimor.

    Profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, mbështet ndihmën për Telekomin, porse sipas tij, është dashur të pritet edhe pak.

    “Mendoj që ky vendim është dashur të shtyhet së paku për 1 muaj apo pak më shumë, derisa qeveria e re të krijohet dhe ta sheh orientimin e ndërmarrjes”, tha Qerimi.

    Totali 36 milionësh, duhet të kthehet deri në vitin 2030.

    “Prej vitit të ardhshëm deri në vitin 2030, është mesatarja mujore që duhet të kthehen, e që besoj se kompania e ka këtë kapacitet”, tha Kelmendi.

    Vitin 2023 dhe vitin 2024, Telekomi e mbylli me rreth shtatë milion euro fitim secilin.

  • Një i vdekur dhe një i lënduar në rrugën Prishtinë – Ferizaj

    Një i vdekur dhe një i lënduar në rrugën Prishtinë – Ferizaj

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Plagëve që i mori kur u aksidentua në rrugën Prishtinë – Ferizaj, nuk arriti t’iu mbijetoj një 30 vjeçar, andaj vdiq.

    Bashkudhëtari I tij, u lëndua rëndë derisa trajtimin po e merr në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Sot rreth orës 04:30,ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën Prishtinë- Ferizaj, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy persona, njëri nga të cilët nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka vdekur.

    Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Punë njësitit të trafikut rrugorë iu doli edhe me 47 aksidente që nga to 27 ishin me të lënduar.

    Shkaktarët e aksidenteve të ndryshme ende nuk dihet, andaj njësiti rrugorë u angazhua që të hetoj rastet.

    Por sipas policisë përdorimi I telefonit qe shkaktar për 50% të aksidenteve.

    “Aksidentet me për 50 përqind shkaktohen nga përdorimi i telefonit, policia është aktivizuar kemi hartuar planin operativ, dhe bëjë apel të gjithë vozitësve mos ta përdorin telefonin, mos të shkaktojnë probleme”, tha Vedat Zuka, shefit të Njësisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë.
    Veç të dielën sipas Shefit të Njësisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë, Vedat Zuka u gjobitën 60 qytetarë.

    “Vetëm ditën e diel janë shqiptuar afër 60 gjobave për përdorim të telefonit , po flas vetëm në kryeqytet pa pjesët tjera përreth e qytetet tjera. Arsyet janë disa të aksidenteve të natyrave të ndryshme por në mesin e arsyeve janë edhe përdorimi i telefonit”, tha Zuka.

    Veç kësaj policia e Kosovës për 24 orët e fundit shqiptoi hiq më pak se 2172 gjoba.

  • Rriten subvencionet, zvogëlohen shpenzimet kapitale

    Rriten subvencionet, zvogëlohen shpenzimet kapitale

    Përgatiti: Driton Sadiku

    47% me 18% ishte bilanci i buxhetit të shtetit mes Subvencioneve dhe Transfereve, me shpenzimet kaputale, për vitin e kaluar.

    Pak a shumë ky është trendi i shpenzimit të parasë publike për katër vjet, nga qeveria që tash është në detyrë. Madje më 2022, shpenzimet kapitale ishin gati katër herë më të vogla se subvencionet dhe trasnferet. Por raport i tillë ishte edhe më 2020, në qeverinë Hoti, kur ishte edhe kohë pandemie.

    Ekonomistët vlerësojnë se qeveria Kurti kishte tjetër qasje ndaj menaxhimit të parasë publike.

    “Vendi dhe ekonomia zhvillohen me projekte kapitale, infrastrukturore që hap vende të reja të punës dhe krijon stabilitet. Sigurisht do të kishin impakt pozitiv, do kishte të hyra më shumë si për buxhetin, si për ngritjen e cilësisë së jetës dhe me siguri do të kishte rritje ekonomike”, tha Jakup Bellaqa, ekonomist.

    Në disa raste, pati kritika se subvencionet nuk patën ndikim real në zhvillim ekonomik.

    “Qeveria Kurti e ka orientuar buxhetin jo në interes publik por në interesa tjera të caktuara që e kanë lidhur me interesin e qeverisë e në veçanti duke i harxhuar mjetet pa planifikim dhe duke mos harmonizuar objektiven e përmbajtjes me qeverisjen e tij”, tha Kenan Gashi nga OJQ “Avonet”.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, viti kur pati më së shumti shpenzime kapitale ishte 2008-ta, me 40%, në raport me subvencionet dhe transferet që ishin 28%.

  • Nga rrënimi në restaurim, vendoset për fatin e objektit të ish-Gjykatës në Vushtrri

    Nga rrënimi në restaurim, vendoset për fatin e objektit të ish-Gjykatës në Vushtrri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    ’Në mars të vitit 2021, Komuna e Vushtrrisë, atëkohë e udhëhequr nga Xhafer Tahiri i LDK-së, kishte filluar rrënimin e këtij objekti në të cilin dikur ishte e vendosur gjykata themelore, me qëllim që ta lirojë hapësirën për zgjerim të sheshit. Por atë ditë Ministria e Kulturës ia kishte ndalur punimet pasi pati thënë se duhet bërë një vlerësim për të parë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe statusin e ndërtesës në fjalë.

    ’Që nga ajo kohë ky objekt në njëfarë forme është shndërruar në deponi mbeturinash por njehërit edhe strehë për narkotik. Kjo në fakt ka qenë edhe brenga kryesore e komunës që tash udhëhiqet nga Ferit Idrizi, që qe peng e një përgjigje nga ministria e kulturës për të ndërmarrë hapa të mëtejmë.

    Paralel me këto, qe edhe rreziku i shembjes në objektin gjysmë të rrënuar.

    Fiks 4 vjet iu deshën Ministrisë së kulturës që ta marr një vendim lidhur me fatin e këtij objekti. Ky dikaster qeveritar rishtazi ka marrë vendim për restaurimin e këtij objekti, derisa thanë se kanë filluar edhe me procedurat e prokurimit.

    Është e paraparë që komplet objekti të rikonstruktohet, pra prej rikonstruksionit të kulmit fasadën e jashtme, brenda komplet dhe ka me qenë një objekt shumë i kompletuar.

    Interesimi i komunës për ta përfunduar këtë projekt ishte kaherë, saqë ofroi edhe mjete financiare për ministrinë.

    “Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë edhe për qendrën për trashëgimi kulturore në Mitrovicë, kemi gjetur një gjuhë të përbashkët për të vazhduar me punimet…”, tha Nexhat Merovci, inxhinier i projektit.

    Një lajm i tillë u mirëprit edhe nga qytetarët e Vushtrrisë.

    E realizimi i punimeve deri në përfundimin e tërësishëm të këtij objekti pritet të marr kohë afërsisht dy vjet, e që komuna ende nuk e ka ndarë mendjen se për çfarë do të shërbej pasi të kompletohet.

  • Festohen Pashkët Katolike në Kosovë

    Festohen Pashkët Katolike në Kosovë

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Me lutjet për paqe dhe dashuri mes njëri tjetrit, filloi mesha ceremoniale e Pashkëve në katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

    Famullitari, Don Agim Qerkini u shpreh se me lutjet e tyre, të kujtojnë të moshuarin, të vetmuarin e të sëmurin që Zoti me anë të lutjeve t’i forcojë në vështirësi të jetës.

    “Populli ynë dhe i gjithë njerëzimi, sot kanë shumë nevojë për një paqe të vërtetë, të trefishtë me Zotin, të afërmin, me vetveten, ta lusim Krishtin që paqja e tij të mbretërojë në mbarë botën…”, tha Qerkini.

    Në fjalimin e tij drejtuar besimtarëve, tregon arsyen për pjesëmarrjen e gjithë këtyre besimtarëve në meshë.

    “Besojmë në një Zot të gjallë, dhe jo vetëm por të gjallë e të pranishëm në mesin tonë. Mëngjesi i kësaj dite thirret në disa shprehje…”, tha Qerkini.

    Ndërsa, edhe mbrëmë ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë, në po të njëjtin vend.

    “Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Evropë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit”, tha Gjergji.

    Pas meshës solemne, nga ora 19:00 është planifikuar edhe pritja solemne në Qendrën “BogdaniPolis”, organizuar nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

    Pashkët, janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik i Kishës Katolike dhe i kishave të tjera të krishtera, të cilat kremtojnë Ringjalljen e Jezusit.

  • Gjesti performon në “Air Albania” në ndeshjen Shqipëri – Serbi?

    Gjesti performon në “Air Albania” në ndeshjen Shqipëri – Serbi?

    Repartisti i njohur nga Peja, Gjesti, ish banori i Big Brother VIP Kosova do performojë në stadiumin ”Air Albania”.

    Kjo pikërisht në ditën kur Shqipëria dhe Serbia do kenë përballjen e tyre për fazën kualifikuese për Botërorin 2026.

    Gjesti këtë e ka konfirmuar vetë në një paraqitje të tij pas shpalljes fitues në Big Brother VIP Albania, ndërsa u ka bërë thirrje fansave të tij t’i bashkohen më 7 qershor.

    Klan Kosova është transmetues ekskluziv i Kombëtares se Shqipërisë për Kosovë.

    Ndeshjen e parë eliminatore, Shqipëria e ka nisur në ‘Wembley’ ku ka humbur 2-0 nga Anglia, kurse duelin e dytë e ka fituar 3:0 ndaj Andorras.