ATV

Author: ATVLive

  • Elmi Reçica bën betimin si deputet – i vetmi që mungoi në seancën e kaluar

    Elmi Reçica bën betimin si deputet – i vetmi që mungoi në seancën e kaluar

    Deputeti i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka bërë sot betimin si anëtar i legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

    Në seancën e kaluar, Reçica kishte munguar, duke qenë i vetmi deputet që nuk kishte kryer këtë detyrim formal.

    Sot, ai iu bashkua të tjerëve duke e dhënë betimin para Kuvendit, ndërsa tekstin e lexoi kryesuesi Avni Dehari.

    Me këtë akt, procesi i betimit të të gjithë deputetëve të zgjedhur tashmë është përmbyllur. /atvlive.tv

    Të gjitha zhvillimet i ndiqni drejtpërdrejt në ATV në videon më poshtë:

  • Nis seanca konstituive e Kuvendit me një minutë heshtje për Papa Françeskun

    Nis seanca konstituive e Kuvendit me një minutë heshtje për Papa Françeskun

    Seanca e katërt konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një minutë heshtje në nderim të ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, raporton ATV.

    Kërkesa u bë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i cili u shpreh: “Për kalimin në amshim të shenjtërisë së tij Papa Françeskut, ju ftoj që të mbajmë një minutë heshtje”.

    Pas kësaj, Kuvendi do të vazhdojë me përpjekjen për zgjedhjen e kryetarit të tij dhe përfundimin e procesit të konstituimit. /atvlive.tv

    Të gjitha zhvillimet mund t’i përcillni drejtpërdrejt në ATV në videon më poshtë:

  • Grupi parlamentar i VV-së hyn në sallë

    Grupi parlamentar i VV-së hyn në sallë

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të hyjnë në sallën e Kuvendit të Kosovës, teksa pritet të fillojë tentativa e katërt për konstituimin e legjislaturës së re, raporton ATV.

    Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme dhe dështimit të seancës së fundit për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, tani pritet që vazhdimi i katërt i seancës të fillojë së shpejti. /atvlive.tv

    Të gjitha zhvillimet e fundit mund t’i përcillni drejtpërdrejt në ATV në videon më poshtë:

  • Krasniqi: Pritet të dështojë edhe tentativa e sotme për konstituimin e Kuvendit

    Krasniqi: Pritet të dështojë edhe tentativa e sotme për konstituimin e Kuvendit

    Analisti Lirim Krasniqi, në “Studio e Hapur” në ATV, tha se mungesa e kompromisit nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryeparlamentarit, me partnerët e mundshëm të koalicionit, po e mban të bllokuar konstituimin e Kuvendit.

    Ai tha se përderisa nuk ka marrëveshje për ndarjen e pozitës së Kryetarit të Kuvendit, nuk mund të pritet zgjidhje as për formimin e Qeverisë.

    “Përderisa nuk ka kompromis për këtë pozitë, që do të rezultonte pastaj në kompromis edhe në Qeveri, në numrat dhe pozita për Qeveri, nuk pritet të ketë zhbllokim të situatës,” deklaroi Krasniqi.

    Sipas tij, deklaratat e eksponentëve të Vetëvendosjes tregojnë qartë se nuk ka ndryshim qëndrimesh, prandaj është e pritshme që edhe kjo tentativë për konstituim të Kuvendit të përfundojë pa sukses.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • “Përgatitje të ngadalta në Kuvend, mungojnë deputetët e Vetëvendosjes”, gazetari i ATV-së jep detajet e fundit

    “Përgatitje të ngadalta në Kuvend, mungojnë deputetët e Vetëvendosjes”, gazetari i ATV-së jep detajet e fundit

    Pak para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në një lidhje të drejtëpërdrejtë në STUDIO E HAPUR, gazetari i ATV-së, Driton Sadiku, tregoi se prania e deputetëve në sallë është shumë e ulët dhe mungesa më e theksuar vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ai tha se të parët që kanë mbërritur në sallë janë deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të ndjekur nga ata të Lidhjes Demokratike dhe më pas edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

    “Derisa po qëndrojmë këtu, nuk ka ardhur ende asnjë deputet nga Partia Fituese, pra Lëvizja Vetëvendosje. Në ulëse të tyre vërehet vetëm në fillim që është i vendosur flamuri kombëtar, por që realisht nuk është ardhur ende asnjë deputet,” tha Sadiku.

    Sipas tij, mungesa e deputetëve të VV-së mund të sinjalizojë mungesë marrëveshjeje për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, e cila vazhdon të jetë propozimi i vetëm nga kjo parti.

    “Lëvizja Vetëvendosje vazhdon në atë se Albulina Haxhiu do të jetë kandidate për ta marrë postin e kryetares së Kuvendit. Nuk ka qëndrim, ndërkohë që qëndrimi i opozitës është që nuk do ta votojnë,” shtoi gazetari.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • LIVE | Tentimi i katërt për konstituimin e Kuvendit

    LIVE | Tentimi i katërt për konstituimin e Kuvendit

    Për herë të katërt brenda pak ditësh, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot nga ora 15:00 në përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e re.

    Procesi ka hasur në pengesa që nga seanca e parë konstituive më 15 prill, e cila u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve për verifikimin e mandateve të deputetëve. Partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kundërshtuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, duke kërkuar dorëheqje formale nga anëtarët e Qeverisë që ishin zgjedhur deputetë.

    Pas një ndërprerjeje të dytë më 17 prill dhe një tentative të tretë më 19 prill, më në fund u arrit konsensus për të votuar raportin e Komisionit të përkohshëm, duke i hapur rrugë betimit të deputetëve.

    Deputetët u betuan me formulën kushtetuese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk arriti të zgjidhet në dy raunde votimi – duke marrë 57 vota për, 20 kundër dhe tre abstenime – një numër i pamjaftueshëm për zgjedhje.

    Seanca u ndërpre për herë të tretë, ndërsa sot pritet tentativa e katërt për konstituim të Kuvendit. Vëmendja është përqendruar tek qëndrimet e partive opozitare, të cilat kanë paralajmëruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Haxhiut.

    A do të ketë zgjidhje sot apo do të përsëritet skenari i ditëve të kaluara, mbetet të shihet në vazhdim. /atvlive.tv

    Të gjitha zhvillimet e fundit mund t’i përcillni drejtpërdrejt në ATV, në videon më poshtë:

  • Kina paralajmëron vendet e tjera të mos bëjnë marrëveshje tregtare me SHBA-në në dëm të saj

    Kina paralajmëron vendet e tjera të mos bëjnë marrëveshje tregtare me SHBA-në në dëm të saj

    Kina i ka paralajmëruar të hënën vendet e tjera që të mos bëjnë marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara në dëm të Kinës.

    Qeveritë, përfshirë ato të Tajvanit, Japonisë dhe Koresë së Jugut, i kanë filluar bisedimet me Uashingtonin pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifa të larta kundër pothuajse të gjithë partnerëve tregtarë të Amerikës më 2 prill.

    Taksat mbi importet u pezulluan shpejt për shumicën e vendeve pas një paniku në tregje, por Trump i rriti edhe më shumë larta kundër Kinës.

    “Kina kundërshton fuqishëm çdo marrëveshje që bëhet në kurriz të interesave kineze”, tha Ministria e Tregtisë e Kinës në një komunikatë.

    “Nëse kjo ndodh, Kina nuk do ta pranojë kurrë dhe do të marrë kundërmasa në mënyrë të vendosur dhe të barabartë. Kina është e vendosur dhe e aftë t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e saj”, tha ajo.

    Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha më herët këtë muaj se vendet që janë duke negociuar marrëveshje tregtare me SHBA-në duhet t’i “qasen Kinës si një grup” së bashku me Uashingtonin.

    Tarifat amerikane ndaj vendeve të tjera përbëjnë një formë të ngacmimit ekonomik, tha Ministria kineze.

    “Për interesa të përkohshme egoiste, të sakrifikosh interesat e të tjerëve në këmbim të të ashtuquajturave përjashtime, është njësoj si t’ia kërkosh lëkurën tigrit. Kjo do të përfundojë duke dështuar nga të dyja anët dhe do t’i dëmtojë të tjerët pa përfituar vetë”, theksoi ajo.

    Kina tha se është e hapur për bisedime me Uashingtonin, por deri tani nuk është njoftuar për ndonjë takim.

    Trump e bëri Kinën cak kryesor të tarifave të tij, duke vendosur disa runde tarifash me një total prej 145 për qind ndaj importeve kineze. Pekini u kundërpërgjigj me tarifa prej 125% ndaj importeve amerikane.

    Tarifat kanë frikësuar eksportuesit dhe kanë vonuar dërgesat, duke rrezikuar të ndikojnë negativisht në ekonominë globale. /REL

  • Vuçiq kërcënon me dhunë, ultimatum studentëve të largohen nga objekti i RTS

    Vuçiq kërcënon me dhunë, ultimatum studentëve të largohen nga objekti i RTS

    Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar përdorimin e forcës ndaj studentëve protestues që kanë bllokuar që nga e hëna objektin e Radio Televizionit të Serbisë.

    Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë, duke thënë se policia mund të përdorë forcën ndaj atyre që po bllokojnë ndërtesën e televizionit shtetëror serb.

    “U bëj thirrje organeve kompetente shtetërore që në ditët në vijim të marrin masa të ndryshme për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në të gjitha çështjet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Që të rivendoset rendi juridik, të mbrohet rendi dhe paqja publike, të jetë plotësisht e qartë se Serbia si shtet funksionon dhe kërkoj që ta bëjnë këtë sa më shumë pa përdorimin e forcës. Atëherë kur forca është e nevojshme, në atë rast duhet të jetë sa më pak e mundur për të zgjidhur gjërat”, ka thënë Vuçiq.

    Një grup studentësh dhe qytetarësh vazhdojnë të bllokojnë ndërtesat e Radio Televizionit të Serbisë në Takovska dhe në Koshutnjak.

  • Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, Italia “paralizon” sportin, shtyhen katër ndeshje të Serisë A

    Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, Italia “paralizon” sportin, shtyhen katër ndeshje të Serisë A

    Papa Françesku ndërroi jetë sot dhe në Itali nuk do të zhvillohet asnjë ndeshje futbolli që ishte parashikuar për sot, mes të cilave edhe 4 ndeshje të Serisë A.

    Torino-Udinese, Cagliari-Fiorentina, Genoa-Lazio dhe Parma-Juventus janë shtyrë për një datë tjetër, që mbetet për t’u caktuar.

    Edhe Seria B ka shtyrë të gjithë javën e 34-t që ishte parashikuar për sot.

    Ndërkohë, janë shtyrë edhe ndeshjet e kampionateve të të rinjve.

    Sa i përket ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës së Italisë (Inter-Milan dhe Bologna-Empoli), të programuara respektivisht të mërkurën dhe të enjten, do të luhen rregullisht.

    Edhe Komiteti Olimpik Italian ka vendosur të anulojë çdo aktivitet sportiv të parashikuar për ditën e sotme.

  • ​ANSA: Papa mund të ketë vdekur nga hemorragjia në tru

    ​ANSA: Papa mund të ketë vdekur nga hemorragjia në tru

    Një hemorragji cerebrale është shkaku i mundshëm i vdekjes së Papa Françeskut, jo problemet e frymëmarrjes që rrjedhin nga pneumonia e tij e fundit kërcënuese për jetën, raportoi ANSA duke cituar burime të mirinformuara.

    Sipas asaj që ka mësuar ANSA, hemorragjia e trurit është shkaku i mundshëm i vdekjes së Françeskut.

    Vdekja e tij ndodhi papritur mëngjesin e sotëm në orën 7:35 dhe, siç raportohet, nuk lidhej drejtpërdrejt me sëmundjet e frymëmarrjes. Hemorragjia cerebrale është në fakt një variant më i keq dhe më fatal i një goditjeje në tru.

    Papa Françesku, i cili u nda nga jeta sot në moshën 88-vjeçare, i është nënshtruar një operacioni të vështirë për t’i hequr një pjesë të mushkërive kur ishte i ri. Me kalimin e viteve, ai përballej shpesh me probleme të frymëmarrjes, përfshirë bronkitin, gjë që e çoi në shtrimin e tij disa herë në spital.

    Momentet kryesore nga historia e tij shëndetësore:

    1957: Në të njëzetat e hershme, Papa Françesku pësoi një infeksion të rëndë respirator që kërkonte që mjekët t’i hiqnin një pjesë të mushkërisë së djathtë.

    Korrik 2021: Papa kaloi dhjetë ditë në Spitalin Gemelli të Romës, ku iu hoq një pjesë e zorrës së trashë me operacion për të trajtuar një shtrëngim të rëndë të zorrëve.

    Janar 2023: Ai iu nënshtrua një operacioni tre-orësh gjatë të cilit iu riparua hernia.

    Prill 2023: Papa u shtrua përsëri në spital për një infeksion të frymëmarrjes, pasi përjetoi dhimbje të forta në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje. Mjekët më pas e diagnostikuan atë me bronkit akut.

    Qershor 2023: Ai iu nënshtrua një tjetër operacioni abdominal në spitalin Gemelli.

    14 shkurt 2025: Papa u shtrua në spital pasi luftoi me bronkitin për më shumë se një javë.

    19 shkurt 2025: Mjekët e diagnostikuan atë me pneumoni dypalëshe.

    24 shkurt 2025: Testet e gjakut treguan probleme fillestare, të lehta të veshkave.

    28 shkurt 2025: Papa përjetoi një “krizë të izoluar të frymëmarrjes”, shoqëruar me të vjella, të cilat çuan në një përkeqësim të papritur të gjendjes së tij të frymëmarrjes.

    3 mars 2025: Françesku pësoi dy episode të dështimit të frymëmarrjes.

    23 mars 2025: I dobësuar dukshëm, Papa Françesku lirohet nga spitali, transmeton KosovaPress.