ATV

Author: ATVLive

  • Gërvalla: Ledhatimi i Serbisë nuk është diçka sekrete

    Gërvalla: Ledhatimi i Serbisë nuk është diçka sekrete

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ledhatimi i serbisë nga Bashkësia Ndërkombëtare.

    “Ledhatimi i Serbisë nuk është kurrfarë sekreti, ajo nuk është fjalor vetëm i institucioneve të Republikës së Kosovës, por po të ndiqni mediat ndërkombëtare, po të lexoni gazetat më prestigjioze, po të shihni deklaratat e ë burrështetasve të tjerë, do ta shihni që ka një ledhatim të dukshëm të Vuçiqit, i cili edhe pse nuk heziton madje edhe të sulmojë me paramilitarë fqinjë e tij, prapëseprapë ka një lloj hezitimi për ta ballafaquar me pasojat e veprimeve të tilla”, tha Gërvalla. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ministres Gërvalla në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Fjalët “hajn”, “mashtrues” dhe “të korruptuar” dominuan debatin në kuvend

    Fjalët “hajn”, “mashtrues” dhe “të korruptuar” dominuan debatin në kuvend

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Si rëndom seanca e Kuvendit, as sot nuk filloi me kohë, por gati me një orë vonesë. Andaj, ata pak deputetë që erdhën në orën 10:00, patën mundësi të bisedojnë.

    Kaq relaksuese situata nuk ishte edhe kur nisi të diskutohej për numrin e kontratave njëburimore gjatë Qeverisë Kurti 2, për çka edhe u thirr seanca e së enjtes.

    Sipas opozitës kontratat me procedurë të negociuar janë burim i korrupsionit.

    Por, ministri i Infrastrukturës nuk e pati të qartë, përse erdhi sot në Kuvend.

    “Unë nuk jam duke e ditur pse më keni thirrë mua, krejt çka u fol qetu nuk ka të bëjë me mua. Deputetja që e ka thirrë seancën e filloi fjalimin e saj dhe përfundoi dhe në rastin kur duhej të fliste për Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021, tha 10 milionë, por që realisht është 1 milion. Për me arsyetua pse më kanë thirr mua, thanë që kur vjen puna te Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës tha 10 milionë”, tha ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

    Debati u ashpërsua kur deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Halil Thaçi, akuzoi ish-ministren e Financave se edhe në kohën e saj, ishin nënshkruar disa kontrata me procedurë të mbyllur.

    Pas kësaj situate, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, lëshoi sallën.

    Për shkak të ofendimeve, siç tha edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci u lagua nga drejtimi i seancës.

    Iniciuesja e seancës, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paraqiti rezolutën, ku mes tjerash paraqiti nevojën edhe të themelimit të një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me kontratat njëburimore.

    Mirëpo, kjo rezolutë nuk u hodh në votim për shkak se nuk kishte kuorum për vendimmarrje.

  • Gra e vajza protestojnë pas dyshimit për dhunimin e 13 vjeçares nga Deçani

    Gra e vajza protestojnë pas dyshimit për dhunimin e 13 vjeçares nga Deçani

    Përgatiti: Sara Shehu

    Gati një javë pas protestës së 8 marsit, në Prishtinë u organizua edhe një protestë nëpërmes së cilës u kërkua siguri dhe drejtësi për vajzat dhe gratë.

    Protesta u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pas raportimeve se një vajzë 13-vjeçare nga Deçani është përdhunuar nga dy burra të moshës madhore në Drenas.

    “Bashkëprotestues jemi bashkuar për t’i zaptu sheshet e parqet dhe për të treguar se në këtë shtet nuk ka paqe dhe as siguri. Nuk ka paqe, liri dhe siguri se ato janë privilegj i një pakice. Çdo ditë një grua ngacmohet, dhunohet e dikur vrahet. E nisim ditën dhe e mbyllim duke u frikësuar për veten, shoqet dhe e gratë që i njohim ose jo”, tha Fjolla Muqaj, aktiviste.

    Protestuesit marshuan në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimin “Siguri për gratë”, “Poshtë patriarkati” dhe “Drejtësi për gratë”.

    Derisa Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dy të dyshuarit për përdhunim gjatë protestës nga institucionet është kërkuar të merren parasysh kërkesat që rastet e dhunës të dënohen.

    Sipas të dhënave të Policisë, vetëm vitin e shkuar janë raportuar rreth 79 raste të përdhunimit dhe sulmeve seksuale në nivel vendi.

  • Përveç “Elektroseverit”, qytetarët në veri “mund të zgjedhin furnizues të tjerë”

    Përveç “Elektroseverit”, qytetarët në veri “mund të zgjedhin furnizues të tjerë”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Elektroseveri nuk do të jetë opsioni i vetëm për furnizim me energji elektrike për qytetarët në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Jo-zyrtarisht, këtë e konfirmuan edhe në Zyrën e Rregullatorit për Energji, teksa në KESCO thanë se aktualisht nuk kanë qasje në veri.

    Ndonëse nuk është qartësuar tërësisht si proces, diçka e tillë mirëpritet nga përfaqësues politikë lokalë.

    “Është mirë që qytetarëve t’u jepet zgjedhja në dy opsione dhe qytetari, normalisht të zgjedhë opsionin më të lirë”, tha Skender Sadiku, zv.kryesues i Kuvendit Komunal në Mitrovicë e Veriut.

    Megjithatë, gazetari Branislav Krstic vlerëson se kjo mund të jetësohet në një fazë të mëvonshme.

    “Në qoftë se ekziston një kompani e cila është e zgjuar, me çfarë konsumatorësh ka në veriun e vendit, edhe ajo do të jetë e mundshme pas një marrëveshje konkrete midis KEDS-it dhe Elektroseverit”, tha Krstic.

    Në Elektrosever nuk dhanë një përgjigje përtej asaj që shkruan në fletushkë.

    Në fund të muajit të kaluar, krahas faturave fikse ose paushall, kjo kompani u dërgoi konsumatorëve edhe propozim-kontratat për furnizim.

    Ky zhvillim krahas nisjes së pagesës vlerësohet pozitiv.

    “Kjo është një shenjë e normalizimit edhe pse kushtimisht prek xhepin e qytetarit, por kjo është e mirë sepse ideja e mos-pagesës duhet të luftohet, definitivisht, sepse dikush ka paguar”, tha Sadiku.

    Krahas kritikave për fushatë informuese jo-serioze, Krstic është optimist për nisjen e procesit të matjes së konsumit dhe faturave të bazuara në të.

    “Jam i sigurt që deri në maj do të kemi një situatë ku do të kemi 90% e konsumatorëve janë të regjistruar”, tha Krstic.

    Propozim-kontrata për konsumatorët në katër komunat në veri, ka gjithsej 17 nene dhe është tërësisht e shkruar në cirilikë.

  • Opozita përkrah vendimin, kritikon Kurtin për shkelje të kauzave

    Opozita përkrah vendimin, kritikon Kurtin për shkelje të kauzave

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Vendimi i Qeverisë për t’i dhënë leje Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pronat në favor të Manastirit Ortodoks të Deçanit, nxiti reagimin opozitar.

    Megjithëse, një hap të tillë po e vlerësojnë si obligim, krerët e tri partive më të mëdha opozitare kritikojnë Kurtin për ndryshim të qëndrimit të kahershëm.

    Duke folur për takimin e përbashkët që patën të mërkurën mbrëma, me Emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ata vlerësojnë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët.

    Megjithatë, ambasadat e huaja në Kosovë, përfshirë edhe atë të SHBA-së e kanë mirëpritur vendimin e së mërkurës të kryeministrit Kurti, duke e quajtur të vonuar por të domosdoshëm.

  • Kosova drejt Këshillit të Evropës pa kushte të tjera

    Kosova drejt Këshillit të Evropës pa kushte të tjera

    Përgatiti: Armand Hoti

    Zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për bartjen e pronësisë të 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, qe parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në fund të muajit maj, këshilli i Ministrave i KiE-së, do të vendosë nëse Kosova do bëhet anëtari më i ri i organizatës me seli në Strasburg të Francës.

    Deputeti opozitar, Arben Gashi, njëherësh anëtar i delegacionit kosovar në KiE, nuk pret të ketë pengesa të tjera për anëtarësim.

    “Nuk ka asnjë indicie që mund të ketë probleme. Presim që në fund të këtij muaji raportuesja për Kosovë, të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të komitetit për politik dhe demokraci dhe të rekomandojë anëtarësimin e Kosovës si vend, i cili i plotëson kriteret për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, jam optimist se kjo do të ndodhë”, tha Gashi.

    Edhe pse zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e vlerëson si progres të ndjeshëm në rrugën drejt anëtarësimit, njohësi i integrimeve, Dritëro Arifi, nuk e përjashton mundësinë për vonesa.

    “Po besoj që kjo mund të jetë një pikënisje e mirë edhe për Kosovën edhe për Këshillin e Evropës që Kosova të paktën të hyjë në ato kanalet për anëtarësim, sepse nuk besoj që anëtarësimi mund të bëhet shumë shpejt, çfarë mund të bëhet është avancimi i Kosovës në KiE. Kjo nuk është më në dorën e Kosovës, por fati ynë është në mundësinë e aleatëve që të na avancojnë më tutje”, tha Arifi.

    Arifi theksoi se shteti është vonuar në marrjen e vendimeve, që do ta afronin anëtarësimin e shtetit në KiE.

    “Narracioni që është ndërtuar në Kosovë, që ne do të humbim dhe do të zhdukemi, pra një narracion shumë negativ për këtë çështje dhe u pa dje që Kosova nuk u zhduk, por vetëm u përforcua më shumë. Në fund të ditës mendoj që ka fituar shumica e shumica janë shqiptarë”, tha Arifi.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në majin e vitit 2022.
    I themeluar në vitin 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

  • Kurti për takimin me Escobarin: Ia tregova hapat që kemi ndërmarrë për çështjen e dinarit

    Kurti për takimin me Escobarin: Ia tregova hapat që kemi ndërmarrë për çështjen e dinarit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për takimin me emisari amerikan, Gabriel Escobar.

    Kurti përmes një postimi në platformën ‘X’ falënderoi Escobarin për angazhimin dhe mbështetjen e ShBA-së, ndërsa shtoi se ekziston nevoja që t’i kërkohet llogari Serbisë për sulmin në Banjskë.

    Tutje shtoi, se e ka informuar Escobarin lidhur me hapat që ka ndërmarrë qeveria për çështjen e dinarit.

    “Fantastike të takohesh me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar. E falënderova për mbështetjen e ShBA-së dhe nevojën që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin e Banjskës. Gjithashtu e informova për hapat që ka ndërmarrë qeveria dhe gatishmërinë për të mirëpritur sugjerimet”, shkroi Kurti.

  • Escobar pas takimit me Kurtin: Më premtoi se do t’i shqyrtonte propozimet që ia bëra

    Escobar pas takimit me Kurtin: Më premtoi se do t’i shqyrtonte propozimet që ia bëra

    Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti kanë disa sfida për shkak të trajtimit të pakicës serbe. Megjithatë, ai tha se takimi ishte i mirë dhe se SHBA mbetet partneri më i qëndrueshëm dhe më i përkushtuar i Kosovës.

    Emisari amerikan, pas takimit me Kurtin, tha se shpreson më shumë fleksibilitet nga Kosova sa i përket rregullores së BQK-së, ku ndalohet dinari serb. Krahas kësaj, ai tha se kryeministri i ka premtuar se do t’i shqyrtojë disa nga propozimet që i ka bërë sot sa i përket zbatimit të rregullores së BQK-së.

    Sipas tij, komuniteti serb në Kosovë janë ndikuar negativisht nga rregullorja e BQK-së.

    I pyetur mbi qasjen e tij në procesin e dialogut, Escobar tha se një gjë e tillë nuk është e pa balancuar, derisa përmendi mbështetjen ndaj Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe sigurimin e raketave antitank Javelin.

    “Gjithçka që kemi bërë në vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës, kështu që menjëherë pas Ohrit kemi mbështetur kandidaturën tuaj për Këshillin e Evropës, kemi mbështetur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri, ju qëndruam pranë pas sulmeve të 24 shtatorit dhe ne morëm një vendim për të ndihmuar në sigurimin e Javelin-ëve… Gjithçka që kemi bërë ka qenë për Kosovën dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë… Ndërkohë, ne shpresojmë që Kosova të dëgjojë shqetësimet tona”, përfundoi ai. /kp/

  • QUINTI-i lavdëron Qeverinë për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit

    QUINTI-i lavdëron Qeverinë për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit

    Shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mirëpresin dhe lavdërojnë veprimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, i cili konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit në disa hektarë. të tokës.

    “Udhëzimi i Zyrës Qendrore Kadastrale për regjistrimin e kësaj toke në Manastirin e Deçanit dhe sigurimi që ky veprim të ketë përfunduar është një hap i rëndësishëm përpara nga autoritetet kosovare, në përputhje me aspiratat e saj evropiane dhe euroatlantike”.

    “Siç e kemi thënë majin e kaluar në përvjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, u tha në këtë deklaratë.

  • ​Auditimi thotë se ka lista të pritjes së pacientëve në disa klinika të QKUK-së

    ​Auditimi thotë se ka lista të pritjes së pacientëve në disa klinika të QKUK-së

    Në kuadër të sezonit auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke kryer auditimin e performancës “Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike”, i cili do të vlerësojë zbatimin e masave për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes nga Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe Spitalet e Përgjithshme.

    Auditimi do të vlerësojë edhe procesin e shpërndarjes së burimeve njerëzore dhe materiale, si dhe mënyrën e regjistrimit dhe monitorimit të listave të pritjes.

    Lista të pritjes së pacientëve ka në disa klinika të QKUK-së dhe në disa reparte të Spitaleve të Përgjithshme.

    Procesi i auditimit do të fokusohet te pesë lista me gjithsej mbi 4600 pacientë. Auditimit do t’i nënshtrohet lista e pritjes me afër 1800 pacientë në Kliniken e Kirurgjisë Vaskulare, lista e pritjes me afër 1400 pacientë në Klinikën e Ortopedisë, lista e pritjes me 1000 pacientë në Kliniken e Oftalmologjisë, lista e pritjes me 400 pacientë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale si dhe lista e pritjes nga gjashtë muaj deri në një vit në Klinikën e Radiologjisë.

    Ndërsa në Spitalet e Përgjithshme listat e pritjes kryesisht janë në repartin e Radiologjisë – CT, Eho, Mamografia, Rëntgeni etj., si dhe në repartet e Kirurgjisë së Përgjithshme.

    Duke ditur vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor në Kosovë, përmes këtij auditimi Zyra Kombëtare e Auditimit ka për synim të bëjë vlerësimin e gjendjes dhe nëse Klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë efikase në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.