ATV

Author: ATVLive

  • ​Këmbësorja goditet nga vetura në Prishtinë

    ​Këmbësorja goditet nga vetura në Prishtinë

    Një këmbësore është goditur mbrëmë në vendkalimin e rrugës “Agim Ramadani”, në Prishtinë.

    Sipas një video të siguruar nga KosovaPress, ajo është goditur nga ngasësi i veturës golf 4 dhe gjendja e saj dukej e rëndë. Aty shihen policia dhe auto-ambulanca.

  • ​Ditëlindja e Faik Konicës

    ​Ditëlindja e Faik Konicës

    Faik Konica u lind më 15 mars 1876 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor 1942 në Uashington. Konica ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtar dhe shkrimtar shqiptar.

    Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA.

    Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

    Më 1912 u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit të SHBA-së me medaljen e artë, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”.

    Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris, ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën e njohur “Albania”. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

    Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” dhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj.

    Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

    Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ’20-ta u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA.

    Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe.

    Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqipe. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

  • ​Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit

    ​Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit

    15 marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit që për qëllim ka mbrojtjen e konsumatorëve.

    Mbrojtja ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e tregtarëve.

    Më 15 mars 1962, presidenti i SHBA-së John F. Kennedy miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”. Ndërsa, me Rezolutën 39/248, më 9 prill 1985, Kombet e Bashkuara kanë miratuar Udhëzimin për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit dhe që nga ajo kohë, 15 marsi është Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve.

    Në vitin 1985, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njohu universalitetin e të drejtave të konsumatorëve, kohë kur ajo miratoi direktivat për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe katër të drejta të tjera: të drejtën e përmbushjes së nevojave bazë, të drejtën e zhdëmtimit, të drejtat për edukimin e konsumatorëve dhe të drejtën për një mjedis të shëndetshëm.

    Kosova ka ligjin e saj për mbrojtjen e konsumatorët, të miratuar në qershor 2004. Ligji përfshin të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar.

  • ​16 vjet nga tragjedia e Gërdecit

    ​16 vjet nga tragjedia e Gërdecit

    Sot mbushen 16 vjet nga tragjedia e Gërdecit, në të cilën humbën jetën 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën pas shpërthimit që tronditi fshatin në periferi të Tiranës.

    Shpërthimi, i cili ndodhi rreth orës 12:05 të mesditës në punishten e demontimit të armëve, dëmtoi dhe qindra shtëpi të zonës përreth.

    Ngjarja pushtoi të gjitha televizionet vendore, por edhe ekranet e shumë kanaleve të huaja si Euro News, CNN dhe të tjera, ku ngjarja mori prioritet.

    Sipas vendimit të gjykatës, ish-përgjegjësi i fabrikës së armëve të demontimit që shpërtheu më 15 mars 2008 në Gërdec u dënua me 18 vjet burg, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari po ashtu me 18 vjet burg, ndërsa administratori i fabrikës Alba-Demil, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg.

  • Borrell: Rezultati i luftës në Ukrainë do të vendoset këtë pranverë dhe verë

    Borrell: Rezultati i luftës në Ukrainë do të vendoset këtë pranverë dhe verë

    Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha pas takimeve në Uashington se sigurimi i mbështetjes së re për Ukrainën nuk mund të priste pasi përfundimi i luftës në Ukrainë do të vendoset këtë pranverë dhe verë.

    Mes dyshimeve mbi vazhdimin e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Kievin, Borrell tha se mesazhi i tij për udhëheqësit amerikanë ishte “Çfarëdo që duhet bërë, duhet bërë shpejt”.

    “Është e vërtetë për ne. Duhet të shpejtojmë. Duhet të rrisim mbështetjen tonë, të bëjmë më shumë dhe më shpejt. Kjo është arsyeja pse ne po rrisim kapacitetet tona të mbrojtjes industriale. Dhe është gjithashtu e vërtetë për SHBA-në. Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë. Shumë analistë presin një ofensivë të madhe ruse këtë verë dhe Ukraina nuk mund të presë deri në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme në SHBA”, tha Borrell.

  • Macron: Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqe

    Macron: Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqe

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e quajti Rusinë e Vladimir Putinit kundërshtare që nuk do të ndalet në Ukrainë nëse mposht trupat e Kievit në konfliktin dyvjeçar, duke u bërë thirrje evropianëve që të mos jenë “të dobët”, por të bëhen gati që të përgjigjen.

    Ai tha se Evropa duhet të bëhet gati për luftë nëse dëshiron paqe.

    Muajin e kaluar, Macron shkaktoi kundërthënie kur deklaroi se nuk e përjashton mundësinë e dislokimit të trupave tokësore në Ukrainë në të ardhmen, përderisa shumë udhëheqës u distancuan nga ky qëndrim ndërkaq disa të tjerë, veçmas në Evropën Lindore, e mbështetën këtë ide.

    “Nëse Rusia e fiton këtë luftë, besueshmëria e Evropës do të reduktohej në zero”, tha Macron gjatë një interviste televizive në Francë, pasi udhëheqësit opozitarë francezë e kritikuan atë për deklaratën e dislokimit të ushtarëve në Ukrainë.

    Por, Macron tha se nuk pajtohet aspak me udhëheqësit opozitarë.

    “Sot, të zgjedhësh të abstenosh apo të votosh kundër mbështetjes së Ukrainës nuk është të zgjedhësh paqen, por të zgjedhësh humbjen. Ka dallim”, tha ai.

    Partia kryesore opozitare e Macronit e Marine Le Pen nga ekstremi i djathtë, më herët gjatë javës abstenoi gjatë votimit për një marrëveshje të sigurisë që Franca nënshkroi me Ukrainën, ndërkaq një parti e majtë votoi kundër.

    “Nëse lufta zgjerohet në Evropë, Rusia do të fajësohet. Por, nëse ne vendosim të jemi të dobët, nëse vendosim sot që nuk do të përgjigjemi, nënkupton se veçse kemi zgjedhur humbjen. Unë nuk e dua këtë”, tha ai.

    Ai tha se është e rëndësishme për Evropën që të mos vendosë vija të kuqe, që sipas tij do të dërgonte sinjal dobësie në Kremlin dhe do të inkurajonte Rusinë që të vazhdojë me pushtimin e Ukrainës. Ai refuzoi të japë detaje se si do të dukej një dislokim në Ukrainë.

    “Nuk e dua këtë. Dua që Rusia të ndalojë luftën dhe të tërhiqet nga pozicionet e saj dhe të lejojë që të ketë paqe”, tha ai. “Nuk do t’i japë detaje dikujt që nuk më jep asgjë. Kjo është për presidentin Putin. Kam arsye që nuk jam preciz”, tha ai.

    Macron tha se Franca kurrë nuk do të niste një ofensivë kundër Rusisë dhe se Parisi nuk është në luftë me Moskën, pavarësisht faktit që Rusia ka nisur sulme agresive ndaj interesave franceze në dhe jashtë Francës.

    “Regjimi i Kremlinit është kundërshtar ”, tha Macron duke refuzuar që ta quajë armike Rusinë. Ai po ashtu tha se Putini po bën kërcënime për sulme me armë bërthamore, të cilat sipas tij, nuk janë deklarata të duhuara.

    Macron tha se Ukraina gjendet në një situatë “të vështirë” në terren dhe se ka nevojë për mbështetje të fuqishme nga aleatët.

    “Paqja nuk do të thotë kapitullimi i Ukrainës. Nëse do paqe nuk nënkupton mposhtje. Paqja nuk nënkupton që të heqim dorë nga Ukraina”, tha ai.

    Udhëheqësi francez po ashtu tha se shpreson që do të vijë një ditë që paqja të negociohet me një president rus “kushdo qoftë ai”.

    Ai po ashtu njoftoi se nuk ka anuluar vizitën e planifikuar në Ukrainë për shkaqe sigurie. “Kështu tha Rusia. Nuk duhet t’iu besoni atyre”, tha ai./Radio Evropa e Lirë

  • Hill: Themelimi i Asociacionit çështje kohe, e zgjidhë edhe problemin e dinarit edhe të strukturave paralele

    Hill: Themelimi i Asociacionit çështje kohe, e zgjidhë edhe problemin e dinarit edhe të strukturave paralele

    Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka folur për bisedimet Kosovë-Serbi dhe vizitën e Emisarit Gabriel Escobar në Kosovë, duke thënë se ky i fundit ka dërguar porosi mjaft të ashpra.

    “Megjithatë, ajo që është ngushëlluese është se të gjithë e kuptojnë se është e nevojshme të zgjidhet ky problem. Negociatori amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, ishte në Kosovë dhe i dërgoi mesazhe mjaft të ashpra dhe të qarta lidershipit kosovar. Duhet të zgjidhen disa probleme dhe çështja e heqjes së dinarit është më e freskëta dhe ndoshta më e vështira”, tha Hill.

    Sipas tij, dinari është një problem i madh për momentin, por çështja thelbësore është Asociacioni.

    “Çështja themelore që duhet të zgjidhet dhe për të cilën tashmë është rënë dakord në të kaluarën është Asociacioni i Komunave Serbe. Me themelimin e atij Asociacioni do të zgjidhen të gjitha problemet tjera si strukturat paralele apo përdorimi i dinarit. Çështja është vetëm kur, jo nëse do të ndodhë. Logjika është shumë e qartë, të dyja palët tashmë kanë rënë dakord për këtë, kjo është ajo që dëshiron BE-ja dhe do të realizohet”, ka thënë Hill në Euronews Serbia.

  • Parlamenti Evropian miraton ligjin e parë në botë për inteligjencë artificiale

    Parlamenti Evropian miraton ligjin e parë në botë për inteligjencë artificiale

    Evropa ka arritur në vijën përfundimtare të Aktit të Inteligjencës Artificiale (AI), një kornizë monumentale rregullash mbi inteligjencën artificiale që e bëjnë BE-në lider në botë në rregullimin e teknologjisë së re.

    Me një shumicë të madhe, Parlamenti Evropian dha miratimin përfundimtar për Aktin e AI, i cili tani do të duhet të miratohet nga Këshilli Evropian përpara se të bëhet ligj.

    Ky është një formalitet pasi ambasadorët e BE muajin e kaluar dhanë gjithçka të qartë, duke kapërcyer rezistencën e fundit ndaj ligjit. Korniza e rregullave për zhvillimin, futjen në treg dhe përdorimin e sistemeve të AI në BE mbahet nga një ekuilibër delikat midis përpjekjes për inovacion dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

    Qasja e bazuar në rrezik, e miratuar nga legjislacioni, sipas së cilës një sërë detyrimesh u jepen zhvilluesve dhe ofruesve të sistemit të AI në bazë të niveleve të ndryshme të rrezikut të identifikuar, është inovative. Kur rreziku është i papranueshëm, hyjnë ndalimet. Ky është rasti, për shembull, me teknikat manipuluese dhe njohjen e emocioneve, të cilat janë ndaluar në shkolla dhe vendet e punës.

    Dhe pastaj është rasti i njohjes së fytyrës, i cili lejohet vetëm për autoritetet ligjzbatuese dhe i nënshtrohet kushteve strikte. Një tjetër element i ri është seksioni i kushtuar AI gjeneruese, i cili u fut në mes me synimin për t’i dhënë një përgjigje fillestare shqetësimeve të ngritura nga përhapja jashtëzakonisht e shpejtë e sistemeve të tilla si ChatGPT.

    Komisionari i Tregut të Brendshëm “Demokracia 1 – Lobi 0”, Thierry Breton, postoi me kënaqësi në rrjetin X, pasi mbeti i papërkulur nga presioni nga Parisi, i cili donte një dorë më të lehtë në AI gjeneruese për të promovuar yjet në rritje të biznesit francez, para së gjithash Mistral.
    Rrjeti X ishte i mbushur me komente entuziaste për votimin, duke filluar me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila tha se rregullat e reja do të ishin “një model për AI të besueshme në të gjithë botën”.

    Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola tha se ishte “krenare” në emër të eurodeputetëve për një akt “që ndërthur udhëheqjen, inovacionin dhe respektimin e të drejtave themelore”.

    Roma përshëndeti gjithashtu miratimin e ligjit në PE, me nënsekretarin Alessio Butti që lavdëroi punën “serioze, të heshtur” të qeverisë së Giorgia Meloni për “të mbizotëruar linjën italiane që synon rregulla të caktuara, të holla, në vend të vetërregullimit të thjeshtë nga kompanitë”.

    Bashkë-raportuesi i Aktit të AI, Brando Benifei, i pa gjërat ndryshe, duke thënë se qeveria italiane ka qenë “shumë munguar dhe ndonjëherë e ngatërruar” gjatë negociatave.
    Përveç fërkimeve politike, kreu i delegacionit të Partisë Demokratike (PD) në parlament tha se ka qenë një “ditë historike”, duke theksuar se teksti përfundimtar “pasqyron shumë prioritetet e Parlamentit Evropian, diçka që nuk e bën këtë shumë shpesh”.

    Shumica në pushtet dhe partitë opozitare të Italisë votuan pro, me përjashtim të Lëvizjes 5-Yje (M5S), e cila paralajmëroi për rrezikun e krijimit të “barrierave të hyrjes, rritjes së ndarjeve dhe dekurajimit të inovacionit evropian”.
    Ky nuk ishte zëri i vetëm kritik. Amnesty International tha se ishte “zhgënjyese” që BE-ja u kishte dhënë “përparësi interesave të industrisë dhe forcave të zbatimit të ligjit mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

    Business Europe i bëri thirrje BE-së të mbështesë “kompanitë që inovojnë” dhe të lehtësojë “qasjen në kapital dhe financim për zhvillimin e AI”, për shkak se “Evropa ka ende shumë terren për të bërë në garën e AI”. /ANSA

  • Gërvalla thotë se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është çështje muajsh

    Gërvalla thotë se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është çështje muajsh

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, ka lënë të kuptohet se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të jetë çështje muajsh.

    Ajo thotë se, nëse kërkesa për anëtarësim kalon në muajin prill, ka mundësi që në maj me rastin e 75-vjetorit të formimit të Këshillit të Evropës, Kosova të jetë anëtarja më e re.

    “Nëse në prill kalon kërkesa jonë, merr votën masive për të kaluar rekomandimin në Këshillin Ministror përsëri, atëherë shpresojmë që në takimin e majit kah mesi i majit do të jetë takimi i ministrave të Jashtëm, të cilët njëkohësisht do të festojnë 75-vjetorin e formimit të Këshillit të Evropës edhe aty shpresojmë që Kosova do të jetë anëtarja më e re”, tha Gërvalla. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ministres Gërvalla në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • “Ndërkombëtarët janë të tronditur kur e shohin”, Gërvalla flet për raportin 50 faqesh të Qeverisë për sulmin terrorist në Banjskë

    “Ndërkombëtarët janë të tronditur kur e shohin”, Gërvalla flet për raportin 50 faqesh të Qeverisë për sulmin terrorist në Banjskë

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Ministria që ajo drejton, raportin për suolmin terrorist në Bansjkë e ka përcjellë te ndërkombëtaret qysh në tetor të vitit të kaluar.

    Ajo thotë se ndërkombëtarët janë të tronditur kur e shohin atë raport, për shkak se aty ka edhe fotografi të ndryshme që e tregojnë sa masiv ka qenë sulmi.

    “Në përgjithësi, janë shumë të tronditur kur ua japim atë raport, sepse aty ka edhe fotografi të ndryshme të cilat e shpjegojnë, jo vetëm sa masiv ka qenë ai sulm, por shpjegojmë edhe origjinën e armëve, që janë aty, sasinë e armëve, përshkrimin e armëve e tjerë e tjerë. Zakonisht, partnerët me të cilët bisedoj dhe u jap në dorë, janë mjaft të tronditur nga përmbajtja e tij. Por, është shumë me rëndësi të thuhet që informacionet janë dhe informacionet, faktet që ne i kemi futur në atë raport janë të verifikueshme në Kosovë”, tha Gërvalla.

    Ajo thotë se përse Prokuroria ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, atë ende nuk e di.

    “Nuk është që ne nuk kemi përfaqësues ndërkombëtarë që po të ketë dilema rreth vërtetësisë së atyre fakteve, u dashka të presim Prokurorinë dhe Gjykatën. Krejt tjetër temë është për ne, pse Prokuroria ende, gjashtë muaj më pas nuk e ka ngritur asnjë aktakuzë të vetme për rrethana të cilat qartë e tregojnë”, tha Gërvalla. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të ministres Gërvalla në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: