ATV

Author: ATVLive

  • Varroset ish-boksieri Besar Nimani

    Varroset ish-boksieri Besar Nimani

    Ish-boksieri Besar Nimani është varrosur të enjten, pasi u vra të shtunën e kaluar në Bielefeld të Gjermanisë.

    “Qindra shqiptarë të pranishëm në varrimin e boksierit Besar Nimani, i vrarë javën e kaluar në Bielefeld të Gjermanisë”, ka shkruar gazetari Arlind Sadiku.

    Ai është varrosur në varrezat e myslimanëve në “Sennefriedhof”.

    Përndryshe, policia gjermane ka nisur një operacion të madh për kapjen e të dyshuarve. Autoritetet kanë kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët për arrestimin e autorëve. Bëhet fjalë për dy 33-vjeçarë, Ayman Dawoud Kirit dhe Hüseyin Akkurt.

  • Escobar arrin në Manastirin e Deçanit

    Escobar arrin në Manastirin e Deçanit

    Një ditë pas vendimit të Qeverisë për tokat e Manastirit të Deçanit, Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka shkuar atje për vizitë.

    Ai dje është takuar me Presidenten Osmani dhe krerët e opozitës.

    Gabriel Escobar e ka vizituar sot edhe Manastirin e Deçanit.

    Në ora 15:30, Escobar do të takohet me Kurtin në objektin e Qeverisë së Kosovës.

  • 6 vite nga vdekja e fizikanit të njohur Stephen Hawking

    6 vite nga vdekja e fizikanit të njohur Stephen Hawking

    Sot bëhen gjashtë vite prej se Stephen Hawking, një prej fizikanëve më të njohur në botë, dha frymën e fundit. Ai vdiq në moshën 76-vjeçare në shtëpinë e tij në Cambridge.

    Anglezi ishte i njohur për punën e tij me vrimat e zeza dhe relativitetin, po ashtu ka shkruar disa libra të njohur shkencor duke përfshirë “Një histori e shkurtër e kohës”, shkruan KultPlus.

    Në moshën 22-vjeçare mjekët i kishin dhënë vetëm disa vite jetë, pasi u diagnostikua me një sëmundje të rrallë nervore. Sëmundja e la atë në karrocë me rrota dhe po thuajse të pa aftë për të folur.

    Hawking gradualisht kishte humbur përdorimin e dorës së tij, dhe me 2005 ai filloi të kontrollojë pajisjen e tij të komunikimit me lëvizjet e muskujve të faqeve, me një normë prej rreth 15 fjalë për minutë.

    Stephen William Hawking, u lind më 8 janar të vitit 1942 në Oksford, Britani e Madhe dhe ishte një prej fizikanëve teorik më te njohur në botë.

    Ai ishte astrofizikan dhe që nga viti 1979 pronar i katedrës lukasiane dhe profesor matematike në Universitetin e Kembrixhit, detyrë që mbahej dikur nga Isak Njutoni.

  • Vetëvendosje lëshon seancën e thirrur nga opozita për kontratat njëburimore

    Vetëvendosje lëshon seancën e thirrur nga opozita për kontratat njëburimore

    Deputet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar seancën e jashtëzakonshme, në të cilën po shqyrtohej Propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, raporton EO.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se grupi i saj ka vendosur që të lëshojë sallën e Kuvendit në seancën e thirrur nga opozita për kontratat njëburimore.

    Ajo tha se seanca e ka humbur kuptimin e saj dhe kaloi në sharje e ofendime, duke iu drejtuar opozitës se nëse kanë fakte për hajni t’i dërgojnë në organet përgjegjëse.

  • ​Akuzat për kontrata njëburimore, LVV i konsideron false

    ​Akuzat për kontrata njëburimore, LVV i konsideron false

    Lëvizja Vetëvendosje po i konsideron false akuzat e opozitës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të qeverisë Kurti.

    Deputetja e mazhorancës, Arta Bajralia, tha se ka dhjetë muaj që raporti i auditimit për kontratat njëburimore është publik, derisa opozita ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për këtë sot, në vend se të ketë seancë të rregullt dhe të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Ka dhjetë muaj që raporti është publik dhe nuk është thënë asnjë fjalë në lidhje me të dhe tani po e trajtojmë me një seancë të jashtëzakonshme, një raport që do të vinte gjithsesi në seancë të rregullt. Se kuptoj se ku është relevanca e kësaj seance dhe opozitë bërjes tuaj. Në vend që të kemi seancë të rregullt ku i trajtojmë dhe votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, ku po presin 1 vit pa u votuar, ligjet dhe çështjet të tjera, por ju e keni te kauzat false të cilat po mundoheni t’i ndërtoni dhe të fatmirësisht nuk po iu funksionojnë”, tha ajo, në seancën e jashtëzakonshme në lidhje me kontratat njëburimore të ekzekutivit.

    Sipas saj, nënshkrimi i kontratave njëburimore kanë qenë ndër vite, derisa më së shumti siç tha ajo ka pasur në vitin 2015, kur kryeministër ishte Isa Mustafa.

    “Nëse e shikojmë numrin e kontratave njëburimore dhe aneks kontratave që nga viti 2008, atëherë duhet të kuptojmë se në vitin 2021 nuk ka pasur asnjë situatë të jashtëzakonshme, pasi përqindja e kontratave të negociuara në raport me të gjitha kontratat brenda vitit duke përfshirë të gjitha institucionet është 12 për qind. Ndërkaq, nëse i shohim ndër vite numri më i madh i kontratave të negociuara janë në vitin 2015, me 16 për qind, pikërisht në vitin kur zonja Bajrami ka qenë ministre e Tregtisë, ndërsa Isa Mustafa kryeministër”, theksoi ajo./kp/

  • ​Tahiri: Ka material të mjaftueshëm për prokurori lidhur me tenderët njëburimor

    ​Tahiri: Ka material të mjaftueshëm për prokurori lidhur me tenderët njëburimor

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri, ka deklaruar se nga hetimet që kanë bërë në shtatë institucione të vendit për dy vjet janë 220 kontrata që kapin vlerën e mbi 153 milion euro, për çfarë tha se ekzistojnë arsye të mjaftueshme që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision hetimor për kontratat një burimore të nënshkruara gjatë qeverisjes Kurti.

    Ai poashtu ka thënë se KEK-u prin me nënshkrimin e këtyre kontratave.

    “Ato që kanë qenë problematike gjatë kohës së qeverisjes Kurti janë dy lloj kontrata që janë burim i korrupsionit. Kur flasim për kontratat sekret, ne nuk dimë asgjë se çfarë ka ndodh, këtu përfshihen edhe çështja e rezervave shtetërore, blerja e armeve, e çështjeve tjera padyshim të rëndësishme, por për këto procedura nuk dimë asgjë, as vlerën e as llojin e produkteve që janë blerë. Këtu përfshihen edhe vaksinat gjatë vitit 2021, kundër COVID-19. Si GP në hulumtimi, që kemi bërë në shtatë institucione del se vlera totale për vitin 2022 dhe 2023 në këto institucione, del 153 milion e 889 mijë euro, pra janë 220 kontrata. Institucionet të cilat kanë nënshkruar këto kontrata prin KEK-u, me mbi 101 milion, pra ka nënshkruar 87 kontrata, apo më mirë me thënë nga Korporata kriminale energjetike e Kosovës… Ministria e Kulturës është më e çuditshmja, nuk e di ka kanë dalë këto 36 kontrata njëburimore në vlerë prej 2.4 milion euro, çka është dashtë të bëhet… Poashtu MPB i ka mbi 21 milion, pra 20 kontrata për dy vite”, ka theksuar Tahiri.

    Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për tenderët njëburimor, Tahiri ka thënë se me aq sa kanë parë gjatë hulumtimit ka material të mjaftueshëm për prokurori.

    “Në total për dy vjet kapin shumë mbi 153 milionë apo 220 kontrata. I përmenda vetëm shtatë institucione dhe kjo është më se e qartë që kemi një arsyeshmëri të mjaftueshme që ta nisim një komision hetimor për ta bërë një hetim për këto kontrata… Me aq sa kemi parë në hulumtimin tonë ka material të mjaftueshëm për prokurori. Hetimi parlamentar do t’i procedojë në prokurori të gjitha ato kontrata që shohim që ka arsyeshmëri të mjaftueshme, që ka elemente penale”, shtoi Tahiri.

  • Raporti vjetor i NATO-s: Prania e aleancës në Kosovë, kyçe për Ballkanin

    Raporti vjetor i NATO-s: Prania e aleancës në Kosovë, kyçe për Ballkanin

    Prania ushtarake e Aleancës Veri-atlantike (NATO) në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, thuhet në raportin vjetor të NATO-s, të cilin do ta paraqesë të enjten në Bruksel sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

    Në raport theksohet se për vite të tëra misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka ruajtur një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat tjera ndërkombëtare si, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe të tjerat.

    “Në vitin 2023 KFOR-i luajti rolin kyç për të siguruar stabilitet në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Pas shpërthimit të dhunës në muajin maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1.000 forca rezervë për misionin, që paraqet rritjen më të madhe në një decenieje. Kjo ia ka mundësuar KFOR-it ta trefishojë numrin e patrullimeve dhe ta katërfishojë praninë në veri të Kosovës“, thuhet në raport.

    Tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten në fund të majit 2023, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

    Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it.

    Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues.

    Si rrjedhojë, NATO-ja e shtoi numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës, KFOR, në Kosovë.

    Sipas raportit të së enjtes, tani misioni i KFOR-it i ka 4.700 pjesëtarë në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë.

    Në raportin e tij vjetor, Stoltenberg përmend edhe ndihmën që NATO-ja ia ka ofruar organizatave të sigurisë në Kosovë për ndërtimin e kapaciteteve të tyre, sidomos në fushën e logjistikës, mbështetjen mjekësore, prokurim dhe menaxhim të resurseve njerëzore.

    Edhe në këtë raport shprehet mbështetje e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “NATO-ja mbetet e përkushtuar në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Beogradit dhe Prishtinës. Dialogu është platforma kryesore për arritjen e zgjidhjes e cila respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme, që është në dobi të sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimorë“, thuhet në raport.

    Në këtë raport të hollësishëm përmenden aktivitetet kryesore të NATO-s në vitin e fundit, nga angazhimi për ndihmë Ukrainës për t’u përballur me agresionin e Rusisë, rritja e pranisë në krahun lindorë për të siguruar mbrojtjen e territorit të të gjitha vendeve anëtare, rritja e investimeve për forcimin e kapaciteteve ushtarake të aleancës, deri tek angazhimi në misionet, siç është ai i KFOR-it në Kosovë.

    NATO-ja prezanton rregullisht raport vjetor për aktivitetet e veta.

    Raporti i prezantuar të enjten në Bruksel konsiderohet i fundit i paraqitur nga sekretari i tanishëm Stoltenberg, pasi pritet që së shpejti, mundësisht para samitit në Uashington në korrik, aleatët të pajtohen për emërimin e pasardhësit të Stoltenbergut. /Radio Evropa e Lirë

  • Studimi i ri zbulon sa kohë qëndron Covid-19 në trupin tonë

    Studimi i ri zbulon sa kohë qëndron Covid-19 në trupin tonë

    Sa kohë qëndron koronavirusi në trup?

    Edhe pse është një infeksion kalimtar i rrugëve të frymëmarrjes, simptomat nuk zhduken menjëherë te shumë pacientë, sindroma Long Covid, që mund të shpjegohet me gjetjet më të fundit shkencore.

    Sipas një studimi të ri nga studiuesit në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko (UCSF), virusi është ende në trupin e pacientëve për më shumë se një vit pas përfundimit të fazës akute të sëmundjes. Në veçanti, copëzat e virusit, antigjenet e COVID mbetën në gjak deri në 14 muaj pas infektimit dhe në indet e pacientëve për më shumë se dy vjet.

    “Gjetjet tona, nga dy studime, ofrojnë disa nga provat më të forta ende se antigjenet e COVID mund të vazhdojnë te disa njerëz, edhe pse ne besojmë se ata kanë përgjigje normale imune,” tha Dr. Michael Peluso, një studiues i sëmundjeve infektive në fakultetin e Mjekësisë UCSF, i cili udhëhoqi të dy studimet, të cilat u prezantuan në Konferencën mbi Retroviruset dhe Infeksionet Oportuniste në Denver (3-6 mars).

    Për studimin e parë, studiuesit u fokusuan në mostrat e gjakut nga 171 persona të infektuar me koronavirus. Duke përdorur një test ultra të ndjeshëm për të zbuluar proteinën e virusit, e cila e ndihmon atë të hyjë në qelizat njerëzore, shkencëtarët zbuluan se virusi ishte ende i pranishëm deri në 14 muaj më vonë në disa njerëz.

    Megjithatë, një faktor i rriti shanset: mes njerëzve që ishin shtruar në spital, probabiliteti i zbulimit të antigjeneve të COVID ishte rreth dy herë më i lartë se tek njerëzit që nuk ishin shtruar në spital. Në të njëjtën mënyrë, shanset ishin më të larta për ata që u sëmurën rëndë, por nuk u shtruan në spital.

    “Si klinike, këto korrelacione më bindin se ne kemi identifikuar diçka të rëndësishme, sepse ka kuptim që dikush që kishte qenë i sëmurë më rëndë do të grumbullonte më shumë antigjene në trup,” vëren Dr. Peluso.

    Në studimin e dytë të ekipit hulumtues, studiuesit e kthyen vëmendjen e tyre te studimet e indeve, veçanërisht mostrat nga Banka e indeve të gjata të COVID-it të UCSF, e cila përmban mostra të dhuruara nga individë të shëndetshëm dhe pacientë me Covid të gjatë. Me synimin për të zbuluar se sa kohë qëndron virusi në inde, ata ishin në gjendje të zbulonin pjesë të ARN-së virale deri në dy vjet pas infeksionit fillestar, megjithëse nuk kishte prova të ri-infeksionit. Ekipi hulumtues gjeti virusin në indin lidhës ku bazohen qelizat imune, duke sugjeruar se pjesë të virusit po shkaktonin sulmin e sistemit imunitar. Në fakt, në disa nga mostrat, studiuesit zbuluan se virusi mund të jetë aktiv.

    Dr. Peluso arrin në përfundimin se nevojiten studime të mëtejshme për të verifikuar nëse qëndrueshmëria e këtyre pjesëve të virusit çon në COVID afatgjatë dhe rreziqe të tilla të lidhura si sulmi në zemër dhe goditje në tru. /tch

  • Bajrami: Qeveria po abuzon me kontrata njëburimore, mbi 240 milionë euro është dëmtuar buxheti

    Bajrami: Qeveria po abuzon me kontrata njëburimore, mbi 240 milionë euro është dëmtuar buxheti

    Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka akuzuar qeverinë për nënshkrimin e mbi 1 mijë 800 kontratave njëburimore në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Sipas saj, rreth një e treta e buxhetit të shtetit, shpenzohen përmes prokurimit publik.

    Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet përshqyrtim Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, deputetja Bajrami ka thënë se kjo qeveri e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me këto kontrata.

    “Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik gjatë këtij mandati qeverisës janë nënshkruar mbi 1 mijë 800 kontrata njëburimore në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Rreth një e treta e buxhetit të shtetit, taksave dhe tatimeve që ju paguani në vendin tonë shpenzohen përmes prokurimit publik. Shpenzime këto që në vazhdimësi janë në rritje. Ligji i prokurimit publik, ky që është në fuqi me gjithë të metat që ka, bazohet në parimet e ekonomisë së tregut, efikasitetit, trajtimit të barabartë, jo diskriminimit, qëllimi tij është që të sigurojë mënyrë më transparente të shfrytëzimit të fondeve publike nga ana e institucioneve kontraktuese. Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i mirë. Për më tepër kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut dhe ndikon në deformimin e konkurrencës së drejtë, e mbi të gjitha këto kontrata janë burim i korrupsionit…1803 kontrata, dhe kjo listë nuk është e plotë, sepse këtu nuk figuro fare tenderi për rezerva shtetërore i MINT prej 10 milion euro”, tha Bajrami.

    Duke folur për kontratat njëburimore, ajo tha se Raporti për vendin i Komisionit Evropian ka treguar se në vitin 2022 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 290 kontrata në vlerë prej 559 milionëve, për çfarë tha se një pjesë e konsiderueshme 20.8 për qind thuhet që janë dhënë përmes procedurave të negociuara pa publikim të kontratës, rreth 78 milionë euro.

    “Kontratat me negocim të drejtpërdrejt edhe pse të lejuara në ligjin e prokurimit publik në kushte shumë specifike të përcaktuara në ligj gjatë këtij mandati po dalin që të jenë metodë e abuzimit me paranë publike dhe dëmtim i rënë i konkurrencës së drejtë në treg… Raporti për vendin i Komisionit Evropian, ky i fundit na jep statistika alarmante, dhe thotë që tregu i prokurimeve publike në Kosovë në vitin 2022 ishte 6.5 për qind e GDP-së. Sipas këtij raporti në vitin 2022 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 290 kontrata në vlerë prej 559 milionëve. Një pjesë e konsiderueshme 20.8 për qind thuhet që janë dhënë përmes procedurave të negociauara pa publikim të kontratës, rreth 78 milionë euro”, shtoi ajo.

    Ndërsa, ka thënë se në mesin e abuzueseve prin KEK-u me 43 milionë euro.

    “Në mesin e abuzueseve prin KEK-u, e cila prej 340 milionëve ka 102 milionë kontrata të negociuara, janë gjithsej 112 kontrata. KEK-u ka negociuar 13 kontrata me të njëjtën kompani në vlerë prej 5.6 milionë euro me një kompani. Janë 43 milion euro të dhëna me kontrata të negociuara. E kemi Telekomin e Kosovës me 28 kontrata dhe 21 milionë kem mandej Shërbimin Klinik Spitalor të Kosovës me 52 kontrata, 3.5 milionë, Ministrinë e Arsimit me 41 kontrata, 10.2 milionë. Ne e dimë që ju nuk keni punuar asgjë, nuk keni arritur të përmbushni asnjë prej premtimeve, por janë edhe 881 milionë euro që kjo qeveri taksa dhe tatime e qytetarëve i ka dhënë me vendime të qeverisë dhe këto janë skema të abuzimit publik e korrupsionit që keni tentuar të blini paqe dhe të mirëmbani votën”, ka thënë ajo.

  • Gërvalla takon Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të rajonit në NATO, prioritet siguria dhe integrimi

    Gërvalla takon Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të rajonit në NATO, prioritet siguria dhe integrimi

    Vizitën në selinë e NATO-s, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla e përmbylli me një takim të posaçëm në një darkë pune me të gjithë Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të rajonit, anëtarë të NATO-s, ku u rikonfirmua mbështetja për Kosovën, thuhet në komunikatën media.

    Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e parezervë të gjithë Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve të rajonit në NATO për Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

    Sipas komunikatës, Gërvalla ka ritheksuar përkushtimin dhe progresin e arritur në shumë fusha dhe angazhimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për të ardhmen euroatlantike si dhe avancimin sa më të shpejtë të anëtarësimit tonë në NATO.

    “Republika e Kosovës është dëshmuar në vazhdimësi si një partner i besueshëm dhe i rreshtuar krah aleatëve dhe partnerëve në NATO dhe Bashkimin Evropian, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe Evropë”, tha Gërvalla.

    Gërvalla tutje ka informuar përfaqësuesit e pranishëm rreth obstruksioneve, sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë kundër Kosovës, por edhe kundër paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë.

    Në këtë takim të përbashkët, ku u takuan me Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të rajonit, anëtarë të NATO-s, të Kroacisë, ambasadorin Mario Nobilo, të Turqisë, ambasadorin Zeki Levent Gumrukcu, të Sllovenisë, ambasadorin Andrej Benedejcic, të Bullgarisë, ambasadorin Nikolay Milkov, të Shqipërisë, ambasadorin Ilir Gjoni, të Maqedonisë së Veriut, ambasadorin Dane Taleski, të Greqisë, ambasadorin Ioannis Miltiadis Nicolaidis, dhe të Malit të Zi, u.d Maja Djurdjic, Gërvalla shoqërohej nga përfaqësuesi i Republikës së Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n, ambasadori Astrit Zemaj dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Luksemburg dhe Bashkimin Evropian, Agron Bajrami.