ATV

Author: ATVLive

  • Florian Marku rikthehet sonte në ring, përballet me Chris Kongon

    Florian Marku rikthehet sonte në ring, përballet me Chris Kongon

    Florian Marku do të rikthehet sonte në ring. Kundërshtari i tij do të jetë Chris Kongo dhe pritet të jetë tejet interesant ky meç.

    Kjo, pasi që duke marrë parasysh se boksierët patën një konfrontim të ashpër në një konferencë shtypi në gusht të vitit të kaluar.

    Boksieri shqiptar në boksin profesionist ka 13 fitore – prej tyre tetë me “nokaut” – dhe një barazim.

    Ndërsa, Chris Kongo ka 14 fitore e dy humbje në boksin profesionist.

    Ky meç pritet që të fillojë rreth orës 21:30, teksa do të zhvillohet në “O2 Arena” në Londër.

    Meçi i takon kategorisë së peshave të lehta dhe do të zgjasë 10 raunde.

  • Ambasadorja e Izraelit në Kosovë uron Pashkët

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë uron Pashkët

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka uruar festën e Pashkëve Katolike.

    Ajo uroi më të mirat miqve të saj që po festojnë në Izrael, Kosovë dhe në mbarë botën.

    “Gëzuar Pashkët dhe urimet më të mira të gjithë miqve që po festojnë në Izrael, Kosovë dhe në mbarë botën! Happy Easter, Chag Pesach Sameach, Gëzuar Pashkët, Sretan Uskrs!”, ka shkruar Ziv në X.

  • Vrasje në tentativë në Prizren, Policia jep detaje

    Vrasje në tentativë në Prizren, Policia jep detaje

    Viktima ka thënë se në veturë ishin dy persona dhe se me njërin prej tyre ka pasur një mosmarrëveshje më herët.
    Policia njofton se është bastisur shtëpia e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

    “VRASJE NË TENTATIVË – Rr. Gani Saramati, Prizren. 30.03.2024-22:40.Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte në lëvizje me veturën e tij, i është afruar një veturë tjetër e cila po ashtu ishte në lëvizje dhe nga e njëjta është shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Sipas viktimës, në veturën e dyshuar ishin, dy të dyshuar meshkuj K-Shqiptar, ndërsa me njërin prej tyre me herët ka pasur një mosmarrëveshje. Lidhur me rastin ,është njoftuar prokurori, është bastisur shtëpia e të dyshuarit mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar dhe as te dyshuarit nuk janë takuar. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar. Rasti nen hetime.”

  • Mobilizimi i UÇK-së që ndodhi 25 vjet më parë

    Mobilizimi i UÇK-së që ndodhi 25 vjet më parë

    Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 31 mars 1999 vendosi për një mobilizim të përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.

    Ne po ua sjellim urdhrin e asaj kohe për mobilizim:

    Për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve të kohëve të fundit, si rezultat i veprimtarisë ofensive të forcave serbe dhe për mundësinë e kryerjes më intensive të detyrave luftarake për çlirimin e Kosovës, në zbatim të Urdhrit Nr. 151, datë 31.03.1999, “Për mobilizimin e përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe për çlirimin e Kosovës”.

    Urdhëroj:

    Mobilizimi i përgjithshëm në Kosovë e jashtë saj për të gjithë popullin e Kosovës për kompletimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të fillojë më datën 01.04.1999 dhe të vazhdojë në proces.

    Të detyruar për t’u lajmëruar për në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë moshat nga 18-50 vjeç. Lajmërimi për regjistrim prej datës 01.04.1999 deri më 30.04.1999.

    Të gjithë kuadrot ushtarake të lajmërohen për të marrë detyrat në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga data 01 deri më 25 prill 1999.

    Çdo kuadër i inkuadruar i ri, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të marrë urdhrin përkatës të emërimit në detyrën funksional nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantët e njësiteve ushtarake, të marrin në dorë evidentimin e të gjithë të detyruarve për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të mbahen evidenca të sakta e të plota.

    Për aftësinë e trupave dhe kuadrove të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngrihen edhe qendra të reja stërvitore, ku me programe intensive të bëhet aftësimi i trupave para futjes në front.

    Stërvitja do të zgjasë nga 10-15 ditë. Për zbatimin e këtij urdhri kur nuk arrihet të gjejë zbatim detyrimi ligjor, Policia Ushtarake të veprojë brenda e jashtë Kosovës, për të detyruar paraqitjen e të gjithë atyre moshave që detyron vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ngarkohen me zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantët e zonave të drejtimeve të njësive dhe Policia Ushtarake.

    Ndjek zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
    Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

    Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • “Djali më bie në gjumë i uritur”- nëna Fetije me kancer kërkon që mos t’i ndalet ndihma sociale

    “Djali më bie në gjumë i uritur”- nëna Fetije me kancer kërkon që mos t’i ndalet ndihma sociale

    “Mësuesja e tij e ka veshur dhe e ka rritur me aq sa kishte mundësi, e veç sikur ta shihja duke u rritur e duke u bërë i zot i vetës, edhe po të vdisja nuk më intereson”. Këto janë fjalët e Fetije Delijajt, të cilën e ka lodhur sëmundja dhe sfidat e jetës.

    Ani pse vetë e sëmurë me kancer, për çka nuk ka mundësi t’i blejë as barnat, hallin më të madh e ka për djalin e saj 13-vjeçar, të cilit thotë se shpesh s’ka as çfarë t’i jap për të ngrënë.

    E të vetmen lutje që e ka nëna Fetije është që djali t’i rritet e të bëhet zot i vetës.

    Familjes tre anëtarëshe e cila jeton në një shtëpi që iu është dhuruar nga një donator në lagjen “Kodra e Trimave”, të Prishtinës, iu është ndërprerë edhe ndihma sociale që e kishte marrë më herët.

    Nëna Fetije tanimë ka harruar vetën dhe krejt çka kërkon është që djali i saj të ketë ushqim për të ngrënë, por që nuk i mjaftojnë 100 eurot që i merr për shkak të sëmundjes së saj. Ajo kërkon ndihmë prej institucioneve që t’i rikthehet ndihma e asistencës sociale për t’i ndihmuar sadopak.

    55-vjeçarja ka treguar për KosovaPress, se mësuesja e djalit, me aq sa ka pas mundësi, e ka ndihmuar djalin, i cili ndonjëherë edhe bie në gjumë i uritur për shkak se nuk ka ushqim.

    Delija kërkon nga institucionet që mos ia ndalin ndihmat sociale, pasi nuk ka mundësia t’ia dal.

    Të gjithë ata që dëshirojnë ta ndihmojnë familjen Delijaj, mund ta kontaktojnë në numrin 049-556-470, ose ta vizitojnë në lagjen “Vranjefc”, të Prishtinës.

  • Vrasjet e aksidentet në Prishtinë – Nevojë imediate për formimin e Policisë së Kryeqytetit

    Vrasjet e aksidentet në Prishtinë – Nevojë imediate për formimin e Policisë së Kryeqytetit

    Vrasjet e plagosjet e shumta që tronditen Prishtinën, po e shton nevojën për formimin e Policisë së Kryeqytetit. Ekspertët e sigurisë, thonë për Ekonomia Online se kjo çështje është imediate për sigurinë në vend.

    Ata kanë mirëpritur edhe njoftimin e Drejtorit të përgjithshëm të PK-së, Gazmend Hoxha, i cili ka thënë se Policia e Kryeqytetit synohet të bëhet këtë vit, kjo pasi sipas tyre, ajo do të minimizoj krimin e organizuar, rrahjet, vrasjet dhe shumë çështje të tjera.

    Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka thënë se Prishtina është metropol për Kosovën dhe se përqendrimi i madh i popullatës në kryeqytet e bënë shumë të nevojshme Policinë e Kryeqytetit.

    “Dihet mirëfilli që Prishtina është kryeqytet dhe për Kosovën është metropol, pra përqendrimi i popullatës në një numër aq të madh siç është Prishtina është më së e nevojshme formimi i Policisë së qyteti sepse është e pa mundur që vetëm përmes kamerave të sigurisë të monitorohet i tërë qyteti. Pamë edhe rastet e fundit, prandaj Policia e qytetit është më së e nevojshme dhe pavarësisht asaj që është kosto që i adresohet buxhetit të Kosovës, duke e ditur që institucionet e sigurisë janë në shërbim të qytetareve mendoj që me funksionalizmin e policisë së qytetit do të ulet ndjeshëm krimi i organizuar, rrahjet, vrasjet e të tjera”, ka thënë ai.

    Islami ka thënë se kjo njësi policore do të veproj konform ligjit dhe do të rregullohet me ligj dhe se nuk do të ketë interferime të kompetencave ne mese Policisë së Kosovës në përgjithësi dhe asaj të Kryeqytetit.

    “Unë mendoj që policia e qytetit do të veproj konform ligjit dhe do të rregullohet me ligj, pra veprimet e tyre do të jenë konform ligjit të policisë dhe unë nuk besoj që do të ketë interferime të kompetencave ne mese Policisë së Kosovës në përgjithësi dhe asaj të Policisë së qytetit. Pra gjithçka do të rregullohet dhe unë besoj që bashkëpunimi do të jetë në nivel të kënaqshëm mesë të dy policive dhe se formimi i policisë së qytetit është jetik për kryeqytetin tonë”, ka thënë ai.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Ternava, ka thënë se pas vrasjeve të fundit që ndodhën në vend, formimin i Policisë së Kryeqytetit do ti eliminojë këto dukuri negative.

    “Tani duke ditur situatën në të cilën po gjendemi dhe duke hasur në raste të ndryshëm të vrasjeve sikur që jemi dëshmitarë që shpesh po ndodhin. Edhe duke ditur që kemi një numër jo të vogël të Policisë mbi 9 mijë policë, por krejt këta polic tani janë të angazhuar në territore të ndryshme të krejt Kosovës, sidomos një numër i madh edhe në veri, prandaj mangësia e tyre ndoshta edhe po vërehet në pjesë të tjera të urbanizuar sikur qytete e mëdha sikur së është Prishtina. Por megjithatë edhe më parë e kemi pasur ne policinë komunale, të qytetit. Para viteve 90-ta kemi qenë si Polici e pavarur. Është në favorin e situatave sepse ata bëjnë plane permanente, plane të detajizuara të qytetit edhe e jetësojnë detyrat e policisë, i caktojnë policët që të kryejnë punët permanentë dhe kontrolla të përhershme. Prandaj mendoj se ne krijim i policës komunale do ti kontribuoj të mirës, ne fund të fundit edhe praktikat po e dëshmojnë që pardje pat vrasje të pa mëshirshme, për dikë edhe të rasti sikurse ajo gruaja. Kështu që këto dukuri duhet të eliminohen e vetëmja mënyre që të eliminohen është kontrolle e ashpër edhe permanente e policisë”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se qyteti do të jetë i monitoruar 24 orë nga policët dhe se efikasiteti në luftimin e dukurive negative do të jetë më i madh.

    “Shembull po them një polic që e kryen punë e tij tetë orë dhe në kryerjen e tij tetë orë, tjetri vjen e zëvendëson edhe tetë tjera, kështu që 24 ore është në pyetje që të jenë të pranishëm policët në mënyrë permanente. Këta fqinjë këtu kjo ndërtesë është e mjaftueshme që e sheh policinë këtu edhe ajo ndikon në preventiv që mos me bë vepra të këqija, vrasje, drogë. Ju e dini që kjo dukuria e drogës është në situatë të vështire të rëndë se si është duke u zhvilluar edhe nëpër shkolla fillore, le më në të mesmet e të tjera. Vetë prania e policisë ndikon në ruajtjen e ligjeve, prandaj efikasiteti do të jetë shumë më i përqendruar”, ka thënë ai.

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjatë javës ka thënë se Policia e Kryeqytetit synohet të bëhet këtë vit dhe se projekti parasheh që të themelohet një drejtori e veçantë për Prishtinën me “një strukturë unike”, që përfshin njësi të trafikut, njësi të reagimit të shpejtë e njësi të hetimeve.

  • Presidentja Osmani uron festën e Pashkëve

    Presidentja Osmani uron festën e Pashkëve

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani u ka uruar festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolik dhe të krishterë me rastin e festës së Pashkëve.

    Osmani ka shkuar se festa e Pashkëve personifikon dashurinë dhe sakrificën për njerëzimin.

    “Festa e Pashkëve personifikon dashurinë dhe sakrificën për njerëzimin
    Pashkët ringjallin shpresën për ditë më të mira, drejt një të ardhmeje me besim e shpresë, ndaj uroj që secila familje të rrethohet nga dashuria, paqja dhe gëzimi! Festa e Pashkëve shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë, të cilat populli ynë i kultivon në vazhdimësi.
    Le të na sjellin Pashkët shpresë, mirësi e begati për mbarë kombin shqiptar!
    Gëzuar për shumë mot Pashkët!”.

  • Pejë: Gruaja thotë se pas iftarit me kolegë u kthye në shtëpi por burri nuk e la të hyjë brenda

    Pejë: Gruaja thotë se pas iftarit me kolegë u kthye në shtëpi por burri nuk e la të hyjë brenda

    Një grua në Pejë ka raportuar në Polici se pasi kishte dalë me kolegë të punës për iftar, kur ishte kthyer në shtëpi, bashkëshorti i saj nuk e ka lënë të hyjë në shtëpi.

    I dyshuari është arrestuar e më pas me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Pejë 30.03.2024-20:50. Viktima femër kosovare ka raportuar se pasi kishte dal me koleg të punës për të ngrënë iftar, kur ishte kthyer në shtëpi, bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar nuk e ka lejuar që të hy në shtëpi. I dyshuari është arrestuar, dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”

  • Gazeta e njohur spanjolle: Real Madridi sytë kah Edon Zhegrova

    Gazeta e njohur spanjolle: Real Madridi sytë kah Edon Zhegrova

    Forma e mirë e yllit kosovar, Edon Zhegrova, nuk po kalon pa u vërejtur.

    Madje, së fundmi, gazeta El Fichajes, po raporton se Real Madridi ka kthyer sytë kah anësori i Lille.

    Në artikullin e publikuar, gazeta e njohur spanjolle thekson se Zhegrova mund të jetë befasia e Real Madridit për merkaton e verës.

    Veç Mbappe apo Alphonso Davies, skuadra më e trofeshme në futboll ka vëmendje edhe për lojtarin e Kosovës.

    Edon Zhegrova po kalon absolutisht në një formë fenomenale në Lille.

    Ai së fundmi shënoi dy herë në derbin ndaj Lens.

    Këtë sezon në Ligue 1, Zhegrova ka shënuar 5 herë dhe ka asistuar 5 herë.

  • Kurti për shqiptarët në Luginë: Do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për ta

    Kurti për shqiptarët në Luginë: Do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për ta

    Në trevjetorin e qeverisjes, kryeministri Kurti ka thënë se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur.

    “Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur. Ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë.”

    Kurti ka shkruar se Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës.

    “Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve.”

    Ai ka thënë se përmes memorandumit të nënshkruar me Këshillin Kombëtar Shqiptar janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme.

    “Ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke patur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen. Për këtë arsye në vitin 2022 nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme.”

    I pari i ekzekutivit ka përmendur edhe sigurimin e librave në vitin 2022 dhe 2023.

    “Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore.”

    Kryeministri Kurti ka thënë se kanë mbështetur përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

    “Mbështetëm përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me qëllim të ndërgjegjësimit ndërkombëtar në lidhje me diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve, shkeljen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimin e adresave. Si rezultat këto çështje për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan.”

    Ai ka thënë se juristëve nga Lugina e Preshënes ia kanë mundësuar aplikim për dhënien e provimit të jurisprudencës.

    “Juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë ua mundësuam aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore këtu në vend. Studentëve të diplomuar të mjekësisë kuota për shkollim specialistik dhe mbështetje financiare në nivel të barabartë me specializantët nga Kosova.”

    Kurti ka shkruar se është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente.

    “Gjithashtu, është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente. Ministria e Punëve të Brendshme ka përpiluar dhe publikuar formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e pa dokumentuar nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që Projektligji për Shtetësinë e Kosovës është në shqyrtim në Kuvend. Ai do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të përfitimit të shtetësisë së Republikës sonë edhe nga shqiptarët e Luginës.”

    Kurti ka thënë se do të jenë gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

    “Me drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.”