ATV

Author: ATVLive

  • Rreth 300 mjekë e infermierë besohet se janë larguar nga Kosova në 3 muajt e parë të këtij viti

    Rreth 300 mjekë e infermierë besohet se janë larguar nga Kosova në 3 muajt e parë të këtij viti

    Kosova rrezikon të mbetët pa mjekë, pasi që çdo muaj po ikin nga vendi profesionistët shëndetësor.

    Papunësia, kushtet jo të mira të punës, pakënaqësitë shumën e pagës, janë disa nga arsyet kryesore pse mjekët po e braktisin Kosovën

    Ministria e Shëndetësisë thotë se është duke punuar që të krijojë kushte me të mira për stafin shëndetësor në vend dhe se po i përkrahin dhe mbështesin mjekët.

    ‘’Ministria e Shëndetësisë është duke vazhduar me investime në infrastrukturë e pajisje mjekësore në mënyrë që profesionistët të mund të shfaqin gjithë potencialin e tyre. Edhe në buxhetin e këtij viti është paraparë sigurimi i aparaturave më qëllim të ngritjes së shërbimeve të reja’’, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për FrontOnline.

    Poashtu, MSH-ja thotë se do të ketë rritje të pagave edhe vitin e ardhshëm.

    ‘’Qeveria e Kosovës ka rritur pagat për profesionistët shëndetësorë dhe aktualisht paga e një mjeku në Kosovë është ndër më të lartat në rajon. Krahas zhvillimit ekonomik me progres pozitiv rritja në koeficientin e pagës do të vazhdoj edhe vitin e ardhshëm’’.

    Nga kjo ministri thonë se janë duke mbështetur mjekët të cilët kanë zgjedhur të punojnë vetëm në sektorin publik.

    ‘’Ministria e Shëndetësisë është duke mbështetur mjekët të cilët kanë zgjedhur të punojnë vetëm në sektorin publik me shtesë në pagë’’, thonë nga MSH-ja.

    Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka treguar numrin e mjekëve që janë larguar nga Kosova përgjatë tre muajve të parë të këtij viti.

    ‘’Sa i përket numrit të mjekëve, trendi po vazhdon i njëjti. Deri më sot janë 29 mjekë që kanë marrë dokumentacionin e duhur për punësim në shtetet evropiane. Pra janë 29 mjekë që janë larguar në tre muajt e parë të këtij viti e që është numër i njëjtë me tre muajt e parë të vitit të kaluar’’, thotë ai.

    Sejdiu thotë se arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova janë papunësia, kushtet e punës dhe kushtet e kualitetit të shkollimit specialistik.

    ‘’Ne tash e sa vite bëjmë një sondazh apo pyetësor për arsyet e largimit të mjekëve që po largohen nga Kosova dhe arsyeja kryesore e largimit është papunësia sepse kemi 441 mjekë të papunë, të deklaruar në Ministrinë e Financave dhe ATK kjo është arsye e parë, dhe arsye e dytë janë kushtet e punës dhe kushtet kualiteti i shkollimit specialistik dhe arsye e tretë janë pagat duke pasur parasysh se ke këta janë shumica mjekë të përgjithshëm të diplomuar dhe paga e tyre është rreth 700 euro’’.

    Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, më tej tregon se ka më shumë që dy vite që oda të cilën ai e drejton nuk ka pasur takim me Ministrinë e Shëndetësisë.

    Sipas Sejdiut, oda që ai drejton por edhe oda tjera kanë kërkuar takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, por nuk kanë marrur përgjigje.

    ‘’Ne takime me MSH-në nuk kemi pasur tash e më shumë se dy vite, përveç raporteve tona të rregulla që i dërgojmë të gjitha e ku përfshihen këto që i ceka më lartë. Ne kemi bërë kërkesë zyrtare gjithë kryetarët e odave, para afro dy muajsh që të bëjmë një takim dhe të diskutojmë me ministrin rreth implementimit të legjislacionit që i përket odave dhe MSH-së, por përgjigje nuk kemi marrë dhe nuk e dimë arsyen’’, shprehet Pleurat Sejdiu, kryetar i OMK-së.

    Shqetësues largimin e mjekëve nga Kosova e sheh edhe Tevide Imeri, kryetare e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë

    Ajo thotë se nëse vazhdon ky trend do të jetë shqetësues.

    ‘’Nëse ndiqet trendi i largimit të mjekëve si në vitin 2023, duke ia shtuar këtu faktin edhe të masave të reja, të cilat i kanë marrur vende si Gjermania, mund të themi se numri për këtë vit mund të jetë edhe më shqetësues’’, thekson Imeri.

    Imeri thotë se sipas informatave që ajo ka janë rreth 300 mjekë dhe infermierë që kanë ikur nga Kosova.

    ‘’Nuk kemi numër të saktë për këtë tre mujor. Diku rreth 300 është numri sipas informatave që kemi’’ thotë ajo.

    Për Imerin, sfiduese vazhdo ntë jetë mungesa e mjekëve dhe anesteziologëve.

    ‘’Vazhdon të jetë sfiduese mungesa e mjekëve të punës, anesteziologëve dhe kuadrov deficitare’’ ka thënë Imeri.

    Ajo thotë se janë takuar me ministrin e shëndetësisë Arben Vitia ku kanë marrë edhe disa zotime.

    ‘’Jemi takuar me ministrin Vitia në kuadër të partneritetit social e ku kemi diskutuar për këtë çështje dhe mbetët prioritet i angazhimit tonë nga ai kemi marrë premtime për angazhimin e tij në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve përmes zhvillimit të kuadrov, kushteve të punës dhe edukim të vazhdueshëm profesional’’, thotë Imeri.

  • Tetë vjet nga hyrja në fuqi e MSA ndërmjet BE-së dhe Kosovës

    Tetë vjet nga hyrja në fuqi e MSA ndërmjet BE-së dhe Kosovës

    Sot mbushen tetë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

    Marrëveshja është kulmi i përpjekjeve dhe përkushtimit në agjendën evropiane të më shumë se një dekade e gjysmë të institucioneve të Kosovës, dhe të njëjtën kohë paraqet një fillim të ri që i hap rrugë, përshpejton dhe e përforcon procesin të integrimit evropian me qëllim të anëtarësimit në BE.

    Kjo ishte marrëveshja e parë kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës, e cila u nënshkrua më 27 tetor 2015 dhe ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

    MSA sjell dobi të shumta që prekin rrafshet politike, ekonomike, të përafrimit të legjislacionit, që si rezultat do të përmirësojnë institucionet, dhe mjedisin e biznesit, dhe do të ndikojnë edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

    Sa i përket pjesës politike, Kosova merr përsipër që të zbatojë një agjendë edhe më ambicioze të reformave, të drejtuar kah zhvillimi politik, ekonomik dhe social, dhe nga ana tjetër BE-ja zotohet që t’i mundësojë Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë ato financiare, që të arrihet zbatimi i këtyre reformave, në mënyrë që vendi ynë të përmbushë kriteret e anëtarësimit.

    Nga pikëpamja ekonomike, MSA përforcon marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë në mes të BE-së dhe Kosovës.

    Ndër të tjera, MSA-ja ofron mbështetje teknike dhe financiare për reformat ekonomike të Kosovës që do të çojë drejt përforcimit të një ekonomie funksionale të tregut, e cila do të jetë në gjendje të përballet me presionin konkurrues të tregut të BE-së.

    Qeveria e Kosovës i ka paraparë të gjitha këto veprime përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ky program është dokumenti kryesor nacional i politikave për aderim në BE dhe qëllimi parësor i programit është përmbushja e detyrimeve të MSA-së brenda afateve të parapara me këtë marrëveshje.

  • 25 vjet nga masakra në Gjakovë dhe Lybeniq të Pejës

    25 vjet nga masakra në Gjakovë dhe Lybeniq të Pejës

    Mbi 60 shqiptarë të lagjes së I-rë në Gjakovë janë masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1999. Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Flaka që dilte nga shtëpia e familjes Vejsa tronditi të gjithë banorët e qytetit. Krismat e automatikëve nuk kishin të ndalur. Shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë.

    20 vetë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzimit u ngjitën në qiell bashkë me flakën që dogji trupat e tyre për ta sjellë dritën e lirisë.

    Nga ana tjetër u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari.

    Ndërsa po në këtë vit, më 1 prill, në fshatin Lubeniq të Pejës në orët e hershme të mëngjesit, formacionet ushtarake, policore, militare dhe paramilitare e kishin rrethuar në të gjitha anët këtë fshat, i cili shtrihet rrëzë Alpeve Shqiptare dhe në mes të fshatit Raushiq dhe Strellc, ku vranë shumë persona.

  • Bie ashensori, lëndohen pesë persona

    Bie ashensori, lëndohen pesë persona

    Përgatiti: Armand Hoti

    Në destinacion nuk arritën shëndosh e mirë. Mbrëmjen e së shtunës, ky ashensor i një ndërtese në Fushë në Kosovë, ra nga kati i dytë në bodrum, duke lënë të lënduar pesë persona që ndodheshin brenda.

    Nga emergjenca në QKUK, thanë se nuk kanë pranuar dikë të lënduar nga ky aksident. Megjithatë, në vendngjarje dolën Policia dhe ambulanca.

    Pas kamerave, banorët e këtij objekti thanë se muajve të fundit ashensori nuk ka qenë fare funksional për shkak të defekteve.

    Obligimin për mirëmbajtjen e ashensorit, që nga marsi e ka marrë një kompani tjetër.

    Por, mirëmbajtësi i ri nuk iu përgjigj thirrjeve të televizionit.

    As nga Policia Rajonale e Prishtinës, nuk u përgjigjën lidhur me aksidentin. Madje, rasti nuk figuron as në raportin 24 orësh të policisë. Në lagje po ashtu flitet se në ashensor kanë hyrë më shumë persona ngase ai mund t’i përballojë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Përkujtohen 106 të vrarët nga masakra e Pastaselit

    Përkujtohen 106 të vrarët nga masakra e Pastaselit

    Përgatiti: Haris Ademi

    Gjithë këta njerëz u mblodhën të dielën në Pastasel të Rahovecit, për t’i përkujtuar masakrën që ndodhi këtu, para 25 vjetëve.

    Nga ky fshat dhe përreth tij, forcat serbe më 31 mars 1999, vranë 106 persona. Shumë prej tyre ende konsiderohen të zhdukur.

    Një nga të mbijetuarit, tregon për tmerrin që përjetuan atë ditë.

    Edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, kujton pamjet që ka parë, pas masakrës.

    Ndërsa kryeministri Albin Kurti thotë se çdo ditë e fundit e marsit, është kujtesë për krimet që u bënë ndaj civilëve shqiptarë.

    Kurti përkujtoi të dielën edhe masakrën në Burim të Malishevës, ku u vranë 42 civilë shqiptarë, nga 10 deri në 90 vjeç.

    E po ashtu shkroi edhe për krimet në familjen Kumnova në Gjakovë, ku u rrëmbyen, vranë e zhdukën gjashtë anëtarë të familjes, eshtrat e pesë prej të cilëve u gjetën në Batajnicë, më 2011.

    Kryeministri përsëriti zotimin për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Të shtëna me armë zjarri në Prizren, sekuestrohet pistoleta

    Të shtëna me armë zjarri në Prizren, sekuestrohet pistoleta

    Disa të shtëna armësh janë dëgjuar mbrëmë në Prizren, më saktësisht në rrugën “Gani Saramati”, ku dy person nga automjeti ka gjuajtur në drejtim të një automjeti tjetër.

    Rastin për ATV-në e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Mbrëmë me datë 30.03.2924, rreth orës 22:40 është raportuar per gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Gani Saramati” në Prizren. Viktima e rastit(A.K. d.l.1995 nga Korisha) është paraqitë në stacionin Policor të Prizrenit. Ai ka raportuar se deri sa ka qenë në automjet në lëvizje njëri nga dy të dyshuar të njohur për viktimën nga automjeti i tyre i cili ishte gjithashtu në lëvizje, ka nxjerrë armën-pistolet dhe ka shtënë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat askush nuk ka marr lëndime. Policia pasi ka mbledhë provat dhe dëshmit e mundshme, në konsultim me prokurorin e shtetit kan filluar hetimet për rast të klasifikuar si “Vrasje në tentativë”. Policia i ka kërkuar të dyshuarit në shtëpin e tyre në Prizren,por ata janë larguar dhe nu është ditur vendqëndrimi i tyre. Gjithashtu me urdhër të prokurorit kujdestar është bastisë shtëpia e të dyshuarve, por nuk është gjet asgjë e dyshimtë apo e ndaluar me ligj. Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kan vazhduar me hetimimin e rastit dhe pasi që kan ra në kontakt me të dyshuarit, ata sot me datë 31.03.2024 rreth orës 13:00 janë dorëzuar në polici, gjithashtu edhe arma-pistoleta e përodrur është gjet dhe sekuestruar. Pas intervistimit në prezencën e avokatëve mbrojtës të dy të dyshuarev, me urdhër të prokurorit i është caktuar ndalimi policor për 48 orë”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

  • Dy vjet pritje, s’pritet ndryshim në përmbajtjen e Kodin Civil

    Dy vjet pritje, s’pritet ndryshim në përmbajtjen e Kodin Civil

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas më shumë se dy vjetësh, për Projekt-Kodin Civil pritet të diskutohet në Kuvend, në qershor të këtij viti.

    Kjo nismë legjislative ishte kundërshtuar bindshëm nga disa deputetë, përfshirë edhe ata të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast kishte dështuar të miratohej.

    Por pritja për gjithë këtë kohë, nuk prite të sjell rezultat ndryshe.

    Qeveria si sponsorizuese e projekt-kodit, nuk ka bërë ndonjë ndryshim përmbajtësor që do të ndryshonte qëndrimin e deputetëve e do shtynte përpara votimin.

    “Nga diskutimet që i kemi me qeverinë nuk është thënë e do të ketë ndryshime përmbajtësore por do të jetë një rikthim i Kodit Civil ashtu siç ka qenë në rast se qeveria vendos në ndërkohë atëherë me siguri do të behte njoftimi publik, por deri më tani nuk ka pasur diskutim për plotësim ndryshime të versionit I cili më herët ka qenë në Kuvend”, tha shefja e GP të LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Kjo po konsiderohet e pritshme nga monitoruesit e legjislativit. Përveç kësaj, ata japin edhe kritika për mungesë të dialogut me kundërshtuesit në Kuvend.

    “Duhet të kritikohen Ministria e Drejtësisë që nuk ka nxitur dialog qoftë përbrenda grupit parlamentar apo përbrenda kuvendit të tërësi që të josh deputetët e tjerë të partive politike sepse kemi të bëjmë me të drejta civile të qytetarëve dhe jo një dokument që përfaqëson bindjet apo përcaktimet ideologjike”, tha Arbër Thaçi nga IKD.

    Mospajtime dhe debate të ashpra e kishin përcjellë leximin e parë të projekt-Kodit Civil, në mars të 2022-tës, ku nuk arriti të miratohej, pasi mori 29 vota kundër, 28 për dhe katër abstenime. Të gjitha kritikat lidheshin me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

    Për t’u miratuar kjo nismë, pushtetit i duhen edhe votat e opozitës. Herën e kaluar, e gjithë leanca për Ardhmërinë e Kosovës ishte pozicionuar kundër projekt-kodit, sikurse edhe deputeti Mërgim Lushtaku i Partisë Demokratike.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Trepça” mbyll marsin me zero prodhim, humb 1 milion euro

    “Trepça” mbyll marsin me zero prodhim, humb 1 milion euro

    Përgatiti: Armand Hoti

    Njësia kryesore e ndërmarrjes “Trepça”, po e mbyll marsin me zero prodhim të koncentratit të plumbit dhe zinkut.

    Humbjet nga ndërprerja e prodhimit, sipas kryeshefit të ndërmarrjes, Bashkim Kurti, kapin një vlerë prej diku 1 milion eurove.

    “Është fitim i humbur, realisht diku një milion është humbja, në ditë i bie rreth 30 e ca mijë, apo 40 mijë euro humbje”, ka thënë Kurti.

    Puna në horizontet e Stan Tërgut u ndërpre për shkak të mungesës së furnizimit me eksploziv për thuajse tërë muajin.

    As flotacioni, ku xehja shndërrohet në koncentrat, nuk qe furnizuar me reagencat e nevojshme.

    Kryeshefi Kurti thotë se furnizimi me lëndë shpërthyese e reagenca mund të bëhet në javën që vjen.

    “Për eksploziv e dijmë që nuk kemi, por me fillim të javës së ardhshme na kanë premtuar se do furnizohemi. Reagenca diçka kemi marrë, ndërsa të martën apo të mërkurën pritet të nënshkruhet kontrata”, ka thënë Kurti.

    Profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se humbja e 1 milionshit do ta shtojë nevojën për intervenimin e Qeverisë në ndërmarrje.

    “1 milion euro mungesë të hyrave do të ketë pasoja jo vetëm mospagesën e detyrimeve të së kaluarës, punëtorët i kanë kontratat dhe ndërmarrja ka detyrim t’i paguaj pagat. Kjo do krijoj një gjendje ku Qeveria do duhet që sërish t’i subvencionoj pagat”, tha Qerimi.

    Sipas Qerimit, menaxhmentit dhe Qeverisë i duhet një plan i ri.

    “Do duhej që Qeveria të ulet bashkë me menaxhmentin, të krijoj një plan të qëndrueshëm të likuiditetit…dhe bashkë me menaxhmentit të prioritizojë pagesat të cilat pa tjetër duhet të kryhen”, tha Qerimi.

    Borgjet e ndërmarrjes ndaj furnitorëve kapin një vlerë prej rreth 6 milion eurove.

    Burime brenda ndërmarrjes, i thanë ATV-së, se nga miniera më e madhe e gjigantit metalurgjik, këtë muaj u eksploatuan vetëm rreth 800 tonë xehe, nga rreth 13 mijë sa ishin planifikuar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ministria e Mjedisit kontrakton si ekspertë aktivistët e Vetëvendosjes

    Ministria e Mjedisit kontrakton si ekspertë aktivistët e Vetëvendosjes

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Për jetësimin e programit për banim të përballueshëm, për të cilin Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tashmë ka hartuar projektligjin, janë angazhuar dhjetë ekspertë – disa prej tyre aktivistë të partisë në pushtet.

    Ekspertët e angazhuar përmes një tenderi, për 12 muaj do të përfitojnë nga 8400 deri në 11 mijë euro.

    Njëri nga ata që nënshkroi kontratë, i angazhuar si profesionist i fushës së ekonomisë është edhe Abdyl Gashi, ish-kryetar i degës së Vetëvendosjes në Artanë. Aktualisht ai është anëtar i kësaj partie.

    Gashi nuk i ka kthyer përgjigje televizionit as pas dy ditësh pritjeje.

    I angazhuar si ekspert i ndërtimit është edhe Ibrahim Ajupi, gjithashtu aktivist i Vetëvendosjes. Megjithatë, Ajupi tha se kjo nuk ka ndikuar në përzgjedhjen e tij. Ai shtoi se konkurrenca nuk ishte e madhe.

    “Unë jam inxhinier me shumë përvojë, kandidat në doktoratë dhe kam ekspertizë të madhe në projektim dhe menaxhim të projekteve. Mendoj që edhe po të kishte konkurrencë do të isha favorit në konkurs. Por pasi që nuk kishte interesim e as konkurrencë, nuk kisha as nevojë për favorizim, të jeni të sigurt që ishte thjesht një konkurrim i imi në një projekt në të cilin do të mundohem të jap kontribut”, tha Ajupi.

    Në tenderin që kap vlerën prej 100 mijë eurosh, kishte aplikuar edhe Donjeta Alloqi, e cila ishte diskualifikuar pas ankesave.

    “Ministria e Mjedisit, me 20 shkurt pezulloi lëndën dhe ktheu përgjigje për tre pjesëmarrësit të cilët janë ankuar. Dy prej tyre marrin përgjigje negative, ndërsa një tjetër i cili në vendimin e datës 14 shkurt ishte refuzuar sepse nuk e ka pasur dokumentacionin të kompletuar, duke i munguar “Deklarata nën Betim”, tani ministria thotë që personi në fjalë e paska pasur Deklaratën, por s’e kemi pa. Me këtë arsyetim (që duket banal) e bënë rishqyrtimin edhe një herë, ku mua më largojnë duke e shpërblyer personin në fjalë me kontratë”, ka thënë Alloqi.

    Meqë, nuk kishte shpresë se do ta fitojë lëndën, Alloqi vendosi të mos i ndjekë procedurat deri në fund.

    “Më 14 mars është refuzuar kërkesa ime, e cila është konsideruar si e pabazuar. Pas kësaj kam mundur t’i drejtohem OSHP-së, por nuk e kam bërë, sepse pas konsultimit me avokatin, nuk më dha shumë shpresë që mund të fitohet një lëndë e tillë. Nuk besoj që duhet ta theksoj se sa e dëshpëruar jam me gjithë këtë proces”, ka thënë më tej Alloqi.

    Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ktheu përgjigje se me çfarë kriteresh janë përfituar kontratat. Sidoqoftë, për të gjithë të kontraktuarit pritet t’i shpenzojë 105 mijë e 600 euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Murati paralajmëron “boom” të investimeve kapitale këtë vit

    Murati paralajmëron “boom” të investimeve kapitale këtë vit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ministri i Financave, Hekuran Murati po krenohet me investimet kapitale të vitit që lamë pas.

    Sipas tij, viti 2023 ishte përmbyllur me një rritje të tyre prej 33%, apo në total 561 milionë euro investime, nivel i cili nuk është arritur më parë.

    Por jo vetëm kaq. Murati po paralajmëron që në këtë vit, të ketë ngritje edhe më të lartë.

    “Lajmi akoma më i mirë është se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale”, ka thënë Murati.

    Krejt këto të dhëna, opozita po i quan manipulime. Deklaratat e shifrat prezantuara nga Murati po vlerësojnë të rreme.

    “Vlera e shpenzimeve kapitale e vitit 2023 është e ngjashme me nivelin e shpenzimeve kapitale të vitit 2012, kur buxheti i Kosovës ka qenë sa gjysma e atij të vitit 2023. Nëse e marrim parasysh inflacionin prej rreth 30% që nga viti 2012, atëherë e kuptojmë se investimet kapitale të vitit 2023 madje vlejnë më pak se ato të vitit 2012 për rreth 30% në terma real”, tha Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në PDK.

    Sipas, anëtarit të kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi tij 349 milion euro ishin investimet kapitale në vitin 2023, e njëjtë edhe në 2017-tën.

    Madje Rukiqi po akuzon qeverinë Kurti edhe për nepotizëm.

    Buxheti i Kosovës për vitin 2024 është paraparë të jetë mbi 3 miliard e 300 mijë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: