ATV

Author: ATVLive

  • Ende nuk dihet se kur do të nisin gërmimet për varrezat masive në Serbi

    Ende nuk dihet se kur do të nisin gërmimet për varrezat masive në Serbi

    Institucionet e Kosovës kanë bërë kërkesë te pala serbe për gërmimin në 11 lokacione dhe rikthimin në pesë lokacionet të varrezave masive që tanimë janë të konfirmuara në territorin e Serbisë. Ndërkohë, nëpërmjet një shkrese i kanë kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të kenë qasje të plotë në arkiva të brigadës 37 të ish-ushtrisë jugosllave dhe brigadës 549, të cilat kanë vepruar në regjionin e Drenicës dhe Prizrenit, ku edhe janë kryer krime të përmasave gjenocidale.

    Në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur thonë se do të vazhdojnë gërmimet në territorin e Kosovës, megjithatë, sfidë mbeten gërmimet në Serbi për shkak të qasjës në vazhdimësi politizuese e Beogradit zyrtar kundrejt këtij procesi.

    Kushtrim Gara nga ky komision i ka thënë për KosovaPress-it se deri tash janë të konfirmuara pesë varreza masive në territorin e Serbisë, ku janë gjetur dhe zhvarrosur më shumë se 900 viktima shqiptare nga lufta në Kosovë.

    “Sfidë dhe shqetësim mbetet qasja në vazhdimësi politizuese e Serbisë kundrejt këtij procesi dhe siç e kemi thënë edhe më parë politizimi i kësaj procesi mbetet turpi i këti shekulli…Ne kemi diskutuar edhe mbi mundësinë e një agjende të dinamizmit të këtij procesi, dhe tani më kanë filluar gërmimet vlerësuese edhe me procesin e zhvarrimit në disa lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës.. Kemi kryer gërmime të nevojshme në lokacion në fshatin Prekaz, që kanë rezultuar në gjetjen e një pjese kockore dhe pastaj kemi vazhduar gërmime në Komunë të Suharekës, ku gërmimet nuk kanë rezultuar me gjetje,… kemi edhe disa lokacione të shënjuara përfshirë edhe lokacionin Tusus që ne do të kthehemi në disa pika të tjera që kanë mbetur nga viti i kaluar, pastaj kemi një lokacion në Komunë të Podujevës që ne po e trajtojmë si rast për konfirmim identiteti dhe sigurisht që pastaj ka një sërë lokacionesh… Sfiduese mbeten lokacionet në territorin e Serbisë, përkundër të kërkesave të vazhdueshme, përkundër të dhënave që ne kemi iniciuar në formë të kërkesave gjatë takimeve që kemi pasur gjatë këtyre muajve, por edhe në takime paraprake, nuk ka ende ndonjë datë çoftë për të filluar gërmimet në lokacion të shënjuara në të cilat nuk është punuar asnjëherë apo edhe për të vazhduar gërmimet në lokacionet që është punuar në vitet e pasluftës por në bazë të dhënave që ne kemi, është e nevojshme që të kthehemi për të realizuar gërmimet e nevojshme vlerësuese edhe në këto lokacione”, ka thënë Gara.

    Gara ka shtuar se kryesuesi i Komisionit Qeveritar, Andin Hoti, ka dërguar një shkresë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke kërkuar që të kenë qasje të plotë në arkiva të Brigadës 37 dhe 549, të ish-ushtrisë jugosllave, të cilat kanë qenë të përfshirë në rajonin e Drenicës dhe Prizrenit.

    “Me 28,29 dhe 30 mars kemi pasur takimin tre palësh mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur të Republikës së Kosovës, të Malit të Zi dhe të Serbisë për persona të zhdukur… Janë të paktën 20 lokacionesh të adresuara në kuptimin e kërkesave për palën serbe, çoftë lokacioni në territorin e tyre për të vazhduar gërmimet apo edhe në territorin e Republikës së Kosovës… Tek rasti arkiva sigurisht që është rikthyer në agjendë dhe kemi bërë përpjekje t’i vëmë theks të veçantë edhe shkresës që kryesuesi i Komisionit Qeveritar, ka kërkuar në muajin qershor prej presidentit të Serbisë, Vuçiq, me kërkesën për qasje të plotë në arkiva të brigadës 37 të ish-ushtrisë jugosllave, për gjeste, për krime të përmasës gjenocidale të kryer kryesisht në regjionin e Drenicës. Krahas brigadës 37 ka qenë edhe kërkesa për brigadën 549 për krime në regjionin e Prizrenit

    Gara shtoi se në këtë takim tre palësh kanë kërkuar të kenë qasje edhe në një list që është bërë nga autoritetet e Serbisë në vitinb 2021, ku janë evidentuar 16 lokacione të masakrave masive në Serbi, prej të cilave Kosova, tanimë i di vetëm pesë.

    “Krahas këtyre pesë varrezave masive që janë hapur në territorin e Serbisë, pashmangshëm një prej kërkesave, krye temave që është adresuar nga ana jonë, ka qenë insistimi që të kemi qasje në listën prej 16 lokacioneve lokacioneve të varrezave masive dhe kjo listë që është prezantuar dhe ne nuk kemi arrit ta sigurojmë por megjithatë kjo listë ekziston, po flasim për qeverinë e Zoran Gjingjiqit, që në atë kohë është formuar një grup punues të cilët kanë nxjerr këtë listë prej 16 lokacione të varrezave masive dhe ne deri tani kemi konfirmuar vetëm pesë varreza masive në territorin e Serbisë, në lokacionin Batajnicë, Petrovosello, Bajnabasht, përkatësisht Rudnicë të Rashkës dhe Kishevac të Rashkës, janë gjetur dhe zhvarrosur më shumë se 900 viktima shqiptare nga lufta në Kosovë dhe mbetje mortore të zhvarrosen dhe të adresohen në territorin e Kosovës, megjithatë, shtrohet pyetja dhe ka qen një nga rastet që ne kemi insistuar të mësohet edhe lista prej 11 lokacioneve që ende nuk janë të konfirmuara në territorin e Serbisë, apo edhe një sërë lokacionesh kryesisht në regjionin e Rashkës dhe Novi Pazarit, të të cilat mbi bazën e informatave që ne kemi dërguar për palën serbe, sigurisht që ne do të duhet të kishim datën e fillimit të gërmimit të lokacioneve”, ka shtuar ai, duke shtuar se vetëm me një presion më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, është arritur të ketë gërmime në pesë lokacionet ku janë gjetur varrezat masive në Serbi.

    Përndryshe, në Kosovë mbeten edhe mbi 1600 persona të zhdukur./kp

  • ​Maqedoni e Veriut: Sulmohet me armë zjarri vetura e krytetarit të komunës së Haraçinës, plagosen dy persona

    ​Maqedoni e Veriut: Sulmohet me armë zjarri vetura e krytetarit të komunës së Haraçinës, plagosen dy persona

    Sot gjatë ditës ka pasur disa të shtëna me armë në drejtim të veturës së kryetarit të Haraçinës, ku si pasojë e gjuajtjeve, kanë mbetur dy persona të plagosur.

    Sipas informacioneve të para të marra nga tereni, të plagosur kanë mbetur nënpunësi i Komunës dhe shoferi i kryetarit të Komunës.

    Personi që ka kryer sulmin, thuhet të jetë person i njohur për Policinë i cili ka qenë i përfshirë edhe në krime të tjera. /Alsat.mk

  • Kosova në mesin e 9-të vendeve që ka përparimin më të shpejtë në demokraci

    Kosova në mesin e 9-të vendeve që ka përparimin më të shpejtë në demokraci

    Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një raporti të Instituti V-dem, sipas të cilit Kosova është prej vendeve të rralla në botë ku demokracia është duke u përmirësuar në vazhdimësi.

    Sipas këtij publikimi Kosova këtë vit është në vendin e 62 nga 179 vende të botës, dhe lë pas të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Raporti i fundit i V-dem e nxjerrë Kosovën në mesin e 9 shteteve në botë që kanë përparimin më të shpejtë në parametra të demokracisë. Këtë vit jemi në vendin e 62 nga 179 vende të botës. Pas kemi Malin e Zi në vendin 67, Shqipërinë në vendin 82, Maqedoninë e Veriut në vendin 89, Bosnjen dhe Hercegovinën në vendin 92 dhe Serbinë në vendin 107”, thuhet nga VV-ja.

  • Patriarku i Moskës e përshkruan pushtimin e Ukrainës si “luftën e shenjtë” të Rusisë

    Patriarku i Moskës e përshkruan pushtimin e Ukrainës si “luftën e shenjtë” të Rusisë

    Karshi luftës që po bën Vladimir Putin janë rreshtuar edhe prijësit fetar. Madje ata vlerësojnë se kjo luftë që po bëhet në Ukrainë është e shenjtë.

    Kështu ka thënë patriarku i Moskës tha se në Ukrainë po zhvillohet një “luftë e shenjtë” dhe beson se Rusia do të marrë përsipër Kievin.

    Kreu i Kishës Ortodokse Ruse me bazë në Moskë, Patriarku Kirill, e përshkroi pushtimin e Ukrainës si “luftën e shenjtë” të Rusisë kundër Ukrainës.

    Kreu i kishës, Patriarku Kirill, përforcoi retorikën e Kremlinit për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e quajti atë një “luftë të shenjtë” ekzistenciale dhe civilizuese.

    Sipas Institutit Amerikan për Studimin e Luftës, ky është një përkulje domethënëse për autoritetet ruse, të cilat deri më tani kanë shmangur me kujdes karakterizimin zyrtar të pushtimit rus të Ukrainës si çdo lloj lufte. Pak ditë më parë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia është “në gjendje lufte”.

    Në një dokument të ri ideologjik dhe politik, Kirill e quajti “operacionin ushtarak special” të Putinit përveç një lufte të shenjtë dhe një fazë të re në luftën e popullit rus për “çlirimin kombëtar… në Rusinë jugperëndimore”, duke iu referuar në Ukrainën lindore dhe juglindore.

    Kirill shpjegoi pretendimet duke thënë se ushtarët po mbrojnë “Rusinë e Shenjtë” dhe botën nga sulmi i globalizmit dhe fitorja e Perëndimit, i cili ka rënë në Satanizëm.

    Patriarku pohoi se lufta në Ukrainë do të përfundojë me Rusinë që do të marrë ndikim ekskluziv në të gjithë territorin e Ukrainës moderne dhe duke përjashtuar çdo qeveri ukrainase që Kremlini e përcakton se është armiqësore ndaj Rusisë.

    Javë më parë, historiani dhe studiuesi fetar ukrainas me qendër në Kiev, Vladyslav Havrylov tha se Kisha Ortodokse Serbe dhe ajo Ortodokse Ruse po bashkëpunojnë në luftën kundër Ukrainës. Këto komente Havrylov i bëri në “Samitin ballkanik për dezinformimin” të organizuar nga The Geopost, i cili u mbajt dje në Prishtinë.

    Havrylov para të pranishmëve tha se dezinformimi po ndikon në luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë, derisa shtoi se ka kërcënime dhe militarizim të dhunshëm të fëmijëve ukrainas.

    Historiani ukrainas theksoi sa Rusia përpiqet të vendosë të rinj nga territoret e pushtuara të Ukrainës në ushtrinë ruse për të luftuar kundër vendit të tyre (Ukrainës), e sipas tij kjo po funksionon pasi rinisë ukrainase po u shpërlahet truri përmes propagandës.

    “Dua t’ju tregoj disa fakte rreth dezinformimit, veçanërisht për efektet e dëbimit me forcë, militarizimit dhe rusifikimit të fëmijëve ukrainas, dhe se si Kisha Ortodokse e Rusisë dhe bashkëpunimi mes kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Ortodokse Serbe po ndihmojnë në luftën kundër Ukrainës… Ju mund të shihni një qendër paraburgimi moderne, është si qendrat e paraburgimit të përkohshëm ku Rusia përpiqet të vendosë ukrainasit, përpiqet të vendosë fëmijë… mund të shihni kërcënime ose militarizim të dhunshëm të fëmijëve ukrainas. Kjo është një organizatë e quajtur ‘ushtria e re” është një qendër organizimi paraushtarak që është krijuar nga ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Lavrov dhe ata përpiqen të vendosin të rinj nga territoret e pushtuara të Ukrainës në ushtrinë ruse për të luftuar kundër Ukrainës. Është një situatë shumë e rrezikshme dhe si rezultat i kësaj situate mund të shihni në foton tjetër një portret të të rinjve që luftojnë kundër Ukrainës pas kësaj shpëlarjeje truri, pas dezinformimit rus, pas propagandës ruse”, tha ai derisa shpalosi edhe fotografi gjatë fjalës së tij në kuadër të Samitit për dezinformim.

    Ai foli edhe për serbët që po luftojnë përkrah Rusisë në Ukrainë, derisa apeloi që sa më parë të ndalet dezinformimi dhe propaganda ruse.

    “Dhe kur ne flisni për ndikimin e Serbisë sidomos nga Kisha Ortodokse Serbe, mund të shihni një mbledhje në Serbi, është një mbledhje pro ruse. Dhe në foton tjetër mund të shihni rektorin e disa universiteteve në Mal të Zi, por ky rektor përpiqet të fusë një propagandë pro ruse, ata përpiqen të fusin një propagandë pansllave dhe proruse në shoqërinë malazeze dhe në shoqërinë serbe… Dhe, në foton e fundit mund të shihni veçanërisht një organizatë paraushtarake serbe të quajtur ‘serpski çetniki’ dhe janë të përfshirë në procesin e luftës kundër Ukrainës, dhe për këtë arsye dezinformimi në këtë fushë është kaq i rrezikshëm për Ukrainën dhe është i rrezikshëm edhe për palën evropiane, sepse nëse nuk mund ta ç’instalojmë këtë praktikë, e cila është shumë e rrezikshme për vendet e tjera evropiane. Ne duhet të ndalojmë menjëherë këtë praktikë dezinformuese dhe këtë propagandë”, theksoi ai.

  • ​Zgjedhjet në Turqi: Partia e Erdogan pëson humbje të madhe, opozita fiton në qytetet kryesore

    ​Zgjedhjet në Turqi: Partia e Erdogan pëson humbje të madhe, opozita fiton në qytetet kryesore

    Zgjedhjet lokale të Turqisë të dielën shënuan një humbje të madhe për presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Partinë e tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), pasi partia kryesore e opozitës shpalli fitoren në qytetet kryesore, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë.

    Turqia mbajti zgjedhjet mbarëkombëtare të dielën për kryetarët e bashkive të qyteteve, kryebashkiakët e rretheve dhe zyrtarë të tjerë lokalë që do të shërbejnë për pesë vitet e ardhshme. Pengesa për partinë në pushtet erdhi pasi Erdogan u rizgjodh si president në zgjedhjet e majit, duke mundur liderin e opozitës Kemal Kilicdaroglu në një balotazh të ngushtë. Pas fitores së tij presidenciale, Erdogani kishte synimin për rimarrjen e qyteteve të humbura nga opozita në vitin 2019.

    Rezultatet zyrtare paraprake treguan se Partia Popullore Republikane (CHP) e opozitës kishte fituar 49 nga 81 komuna, duke përfshirë 14 nga 30 zonat urbane në vend, tha Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë.

    Me 99.8% të votave të numëruara, rezultatet jozyrtare treguan se rivali kryesor politik i Erdoganit Ekrem Imamoglu i CHP u rizgjodh si kryetar i Stambollit me 51.1% të votave, sipas transmetuesit shtetëror TRT. Në rang vendi, CHP fitoi më shumë vota, me 37.7%.

    Në kryeqytet, Ankara, kandidati i CHP dhe kryebashkiaku aktual Mansur Yavas siguroi 60.4% të votave. Në Izmir, Cemil Tugay i CHP-së fitoi me 48.9% të votave.

    “Ndërsa festojmë fitoren tonë, ne i dërgojmë një mesazh tingëllues botës: rënia e demokracisë përfundon tani,” shkroi kryebashkiaku i Stambollit të hënën në X. “Stambolli qëndron si një fener shprese, një dëshmi e qëndrueshmërisë së vlerave demokratike në fytyra e autoritarizmit në rritje.”

    Për Erdoganin, Stambolli është një kurorë strategjike dhe personale, të cilën ai ishte i vendosur ta rimarrë në zgjedhjet e së dielës. Qyteti u drejtua për 25 vjet nga parti me prirje fetare – fillimisht nga Partia e Mirëqenies, anëtare e së cilës ishte Erdogan, dhe më pas nga Partia AK – derisa CHP laike fitoi kryesinë e saj në vitin 2019 nën Imamoglu.

    Partia AK humbi 10 rrethina të Stambollit ndaj rivalëve në zgjedhjet e fundit. Beyoglu, rrethina e Stambollit ku lindi Erdogan, humbi nga CHP.

    Erdogan nuk ishte kandidat në këto zgjedhje, por vota u pa kryesisht si një provë nëse AK Partia mund të rifitonte qytetet që humbi në zgjedhjet e 2019-ës.

    Udhëheqësi 70-vjeçar pranoi humbjen në emër të partisë së tij, duke thënë se ka në plan të respektojë vullnetin e popullit turk.

    “Fatkeqësisht, nuk mundëm të merrnim rezultatin që dëshironim dhe shpresonim në testin e zgjedhjeve lokale”, tha Erdogan në një fjalim të mbajtur të hënën në selinë e AK Partisë në Ankara. Pavarësisht nga rezultatet, shtoi ai, “fituesi i këtyre zgjedhjeve është kryesisht demokracia jonë, vullneti kombëtar dhe të gjithë 85 milionë njerëzit, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike”. /CNN/

  • Gazetares së REL-it, Kurmasheva, i zgjatet paraburgimi në Rusi

    Gazetares së REL-it, Kurmasheva, i zgjatet paraburgimi në Rusi

    Një gjykatë në Rusi më 1 prill ia zgjati paraburgimin gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, deri më 5 qershor, raporton Shërbimi Tatar-Bashkir i Radios Evropa e Lirë.

    Kurmasheva, 47 vjeç, u arrestua në Kazan tetorin e kaluar dhe u akuzua se nuk është regjistruar si agjente e huaj sipas një ligji ndëshkues rus që shënjestëron gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerë.

    Ajo gjithashtu akuzohet për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe përballet me 10 vjet burg nëse shpallet fajtore.

    Radio Evropa e Lirë dhe qeveria amerikane thonë se akuzat janë hakmarrje për punën e saj si gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

    Ajo kishte udhëtuar në Rusi për të vizituar dhe për t’u kujdesur për nënën e saj të moshuar dhe fillimisht u ndalua teksa priste fluturimin e saj të kthimit më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku iu konfiskuan pasaportat amerikane dhe ruse.

    Shumë kritikë dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se i ashtuquajturi ligj i agjentëve të huaj përdoret nga Kremlini për të goditur çdo disident.

    Moska gjithashtu është akuzuar për arrestimin e amerikanëve për t’i përdorur si pazare për t’i shkëmbyer me rusët e burgosur në Shtetet e Bashkuara.

    Në shkurt, 23 vende e nominuan Kurmashevën për Çmimin Botëror të Lirisë së Shtypit të UNESCO/Guillermo Cano 2024.

    Çmimi, i krijuar në vitin 1997, është një çmim vjetor që nderon një person ose një grup njerëzish që japin një kontribut “të shquar” në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit në të gjithë globin, pavarësisht nga “rreziku dhe persekutimi” me të cilin përballen.

  • ​Lista e shteteve që prodhojnë energji elektrike nga pjesa bërthamore

    ​Lista e shteteve që prodhojnë energji elektrike nga pjesa bërthamore

    Faqja World of Statistics ka publikuar në llogarinë e saj në Twitter një listë të shteteve që energjinë e tyre elektrike e prodhojnë nga pjesa bërthamore

    Përqindja e energjisë elektrike e prodhuar nga pjesa bërthamore:

    Franca: 62.6%

    Sllovakia: 59.2%

    Ukraina: 55% (2023 data)

    Hungaria: 47.0%

    Belgjika 46.4%

    Sllovenia: 42.8%

    Çekia: 36.7%

    Zvicra: 36.4%

    Finlanda: 35.0%

    Bullgaria: 32.6%

    Armenia: 31.0%

    Koreja e Jugut: 30.4%

    Suedia: 29.4%

    Spanja 20.3%

    Rusia: 19.6%

    Rumania: 19.4%

    ShBA: 18.2%

    PakistanI: 16.2%

    Mbretwria e Bashkuar: 14.2%

    Kanadaja: 12.9%

    Emirtatet e Bashkuara Arabe: 12.4%

    Bjellorusia: 11.9%

    Japonia: 6.1%

    Argjentina: 5.4%

    Kina: 5.0%

    Afrika e Jugut: 4.9%

    Meksika: 4.5%

    Holanda: 3.3%

    India: 3.1%

    Brazili: 2.5%

    Irani: 1.7%

    Gjermania: 0%

    Italia: 0%

    Lituania: 0%

    Kazakistani: 0%

  • Shala i reagon Muratit: Të pavërteta, shifrat e demantojnë – deklarata për fushatë zgjedhore

    Shala i reagon Muratit: Të pavërteta, shifrat e demantojnë – deklarata për fushatë zgjedhore

    Ministri i financave, Hekuran Murati, deklaroi të dielën se investimet kapitale në 2023 kanë shënuar rritje prej 33%, niveli më i lartë ndonjëherë. Ai përmes një postimi në Facebook, tha se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale.

    Por, me këto deklarata nuk po pajtohet deputeti i PDK-së, Ferat Shala.Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se e vërteta e vetme është se ka pasur rritje qeverisja lokale që udhëhiqet nga PDK-ja.

    “Vetëm një e vërtetë është në deklaratën e ministrit Murati është se kanë pasur rritje qeverisja lokale ku ka qeverisur PDK-ja dhe ato janë shumë, të tjerat janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme”, thotë ai.

    Deputeti vlerëson se Murati duhet të përgjigjet për investime kapitale të ministrive, ku shifrat e demantojnë atë.

    “Pra, z.Murati nuk duhet të përgjigjet për investimet kapitale të pushtetit lokal sepse nuk e ka asnjë ingerencë e asnjë kompetencë, por ai duhet të japë llogari për investimet kapitale në nivel të sektorëve qeveritar, në nivel të ministrive përkatëse të qeverisë, të cilat realisht shifrat e demantojnë skajshmërish ministrin Murati”, thekson Shala për Gazeta Blic.Lidhur me paralajmërimin për ‘boom’ për këtë vit, deputeti i PDK-së thotë se jemi në fazën fillestare por s’mund të pritet diçka duke i parë punët në këto 3 vite.

    “E sa i përket shifrave të parapara për këtë vit, ne jemi në fazën fillestare, do të shohim. Nga ajo që kemi parë në këto 3 vite, është vështirë të ketë ndryshime substanciale në investime kapitale, me theks të veçantë të reja, ndërsa ato që janë të bartura, edhe mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël sidomos në infrastrukturë të dy-tre projekteve që janë në zhvillim e sipër, tash e katër vite”, deklaron ai.Se pse po i bën ministri Murati këto deklarata, deputeti shton se për shkak se jemi në vit zgjedhor.

    “Ne kemi thënë edhe përballë ministrit Murati në komision për buxhet dhe financa që në total edhe planifikimi edhe realizimi ka qenë jashtëzakonisht i ulët. Tashmë kemi hyrë në vitin zgjedhor dhe z.Murati orvatet që të krijojë një opinion të paqenë sa i përket investimeve kapitale sepse nuk ka projekte për të numëruar, nuk ka projekte në realizim, që pritet të shihen, të preken, nga qytetarët nga bizneset, prandaj që normalisht e vetmja gjë që i ka mbetur është ASK që të marrë aty shifra dhe ato të mos i interpretojë direkt dhe të paraqitet me anë të statistikave punën e tij të pasuksesshme”, përfundon deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

  • Gjakovë: 13-vjeçarja raporton se është sulmuar seksualisht nga një burrë

    Gjakovë: 13-vjeçarja raporton se është sulmuar seksualisht nga një burrë

    Në Gjakovë, një 22-vjeçar po dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur pasi 13-vjeçarja ishte takuar me të dyshuarin, i cili ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të.

    Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari e kishte prekur viktimën në pjesët intime të trupit, derisa ndodheshin bashkë në veturën e tij.

    Si rezultat i denoncimit, Policia ka marrë veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave, me ç’rast i dyshuari është arrestuar.

    Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Sulm seksual’, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • BE-ja ende nuk ka pajtim rreth ndryshimeve të kapitullit 35 për Serbinë

    BE-ja ende nuk ka pajtim rreth ndryshimeve të kapitullit 35 për Serbinë

    Edhe pse kanë kaluar plot dy muaj prej kur Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS) kishin dorëzuar propozimin e tyre për ndryshimin e kushteve nga kapitulli 35 i kornizës negociuese në procesin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, në Këshillin e BE-së ende nuk është arritur konsensusi i nevojshëm për miratimin e këtyre ndryshimeve.

    Radio Evropa e Lirë mëson se mes vendeve anëtare ende ka dallime në qëndrime dhe Presidenca belge e Bashkimit Evropian është duke bërë përpjekje për tejkalimin e këtyre dallimeve. Sipas të njëjtave burime, propozimi i parë i Komisionit Evropian për këto ndryshime nuk ishte pranuar nga disa shtete. Pastaj, disa vende anëtare kishin bërë propozime të veta dhe për to ishte diskutuar në grupet punese të Këshillit që merren me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me procesin e zgjerimit.

    Burimet diplomatike në BE pohojnë se gjatë muajin prill kjo çështje do të diskutohet nga ambasadorët e BE-së në COREPER, që është Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare në BE.

    Qëllimi i ndryshimit të kësaj kornize është që zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, e arritur në shkurt të vitit 2023, të përfshihet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit, si kusht specifik për Serbinë.

    Edhe ashtu normalizimi i raporteve me Kosovën për Serbinë është i përfshirë në këtë kapitull, por në të kërkohet përparim në procesin e normalizimit. Synohet që tash si kusht të përmendet zbatimi i marrëveshjes.

    Në takimin e fundit në muajin dhjetor të vitit 2023, vendet anëtare kishin kërkuar nga Komisioni Evropian që më së voni deri në fund të muajit janar të këtij viti, të dorëzojnë propozimin për ndryshimin e kornizës negociuese për Serbinë.

    Dy ditë pasi kishte skaduar ky afat, në fillim të muajit shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së kishin dorëzuar propozimin e tyre.

    Vonesat në propozimin e Komisionit kishin ardhur, sipas burimeve diplomatike në BE, për shkak të përpjekjeve të komisionarit për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, për të penguar këtë propozim. Hungaria, vend nga i cili vjen ky komisionar, sipas burimeve diplomatike, vazhdon të jetë ndër vendet anëtare që pengojnë miratimin e këtyre ndryshimeve në Këshill të BE-së.

    Kapitulli i 35-të i negociatave të anëtarësimit, i cili quhet “çështjet tjera”, nuk ka të bëjë me legjislacionin e BE-së, por në këtë kapitull vendosen gjërat specifike që kërkon BE-ja apo ndonjë vend anëtar. Në rastin e Serbisë ai përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën.

    Ky kapitull ishte hapur ndër të parët qysh në dhjetor të vitit 2015, për të përcjellë përmes tij përparimin drejt normalizimit të raporteve. Deri në vjeshtën e vitit të kaluar, Komisioni Evropian zakonisht e ka vlerësuar sjelljen e Serbisë në dialog si “konstruktive” dhe ka konstatuar se në këtë mënyrë ajo përmbush kriteret për të avancuar në procesin e negociatave të anëtarësimit. Por, në Raportin e Progresit nga vjeshta e vitit 2023 është konstatuar se Serbia, në disa fusha, ka bërë hapa prapa në respektimin e obligimeve nga dialogu për normalizimin e raporteve me Kosovën.

    Për mungesë të përparimit në zbatimin e obligimeve BE-ja e ka qortuar edhe Kosovën, madje edhe duke vendosur masa restriktive ndaj saj. Këto masa janë ende në fuqi.

    Diplomatët e disa vendeve anëtare të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se BE-ja duhet sa më shpejt të sigurojë miratimin e ndryshimeve të kornizës negociuese për Serbinë, sepse në të kundërtën do të dalë joserioze rreth zbatimit të Marrëveshjes të cilën vet e kishte ndërmjetësuar dhe e kishte quajtur si sukses të madh.

    Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe Aneksi për zbatimin e saj i arritur në Ohër në marsin e vitit 2023, nuk ishin nënshkruar nga palët sepse këtë e kishte refuzuar pala serbe.

    Por, BE-ja vazhdon të insistojë se, edhe pse nuk është nënshkruar, kjo Marrëveshje është pranuar nga palët dhe ajo paraqet obligim ligjor për to. Zbatimi i saj, sipas zyrtarëve të BE-së, është kusht për avancim në procesin e integrimit në BE.

    Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Pikërisht për faktin se kanë kaluar më shumë se një vit prej arritjes së kësaj marrëveshjeje, si dhe nga paralajmërimi i BE-së se zbatimi i saj do të jetë pjesë formale e kornizës negociuese për Serbinë, miratimi i këtyre ndryshimeve në Këshill nga vendet anëtare, konsiderohet i domosdoshëm dhe synohet të arrihet sa më shpejt.

    Korniza negociuese e BE-së është dokument bazë, mbi të cilin edhe zhvillohet procesi i negociatave të anëtarësimit me një vend kandidat. Korniza negociuese për Serbinë ishte aprovuar nga këshilli në dhjetorin e vitit 2013, ndërsa Serbia i kishte hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në në janar të vitit 2014. Deri tash Serbia i ka hapur për negocim 22 nga gjithsejtë 35 kapituj. Për shkak të mosmbështetjes së sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, Serbia që nga viti 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull./rel