ATV

Author: ATVLive

  • ​Më shumë prodhime kosovare në tregun izraelit

    ​Më shumë prodhime kosovare në tregun izraelit

    Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, përmes një postimi në platformën “X”, ka njoftuar për rritjen e numrin të prodhimeve kosovare në tregun izraelit.

    “Jam e lumtur të shoh gjithnjë e më shumë prodhime kosovare të pranishme në tregun izraelit, me kompaninë e njohur kosovare të shitjes me shumicë të pijeve “Frutomania” tani të qasshme për konsumatorët këtu në Izrael. Mbetemi të përkushtuar për afrimin e ekonomive tona dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar ambasadorja Ziv.

  • ​Largohet tarifa nga BQK për monedhat metalike

    ​Largohet tarifa nga BQK për monedhat metalike

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë njofton se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka larguar tarifën nga BQK për depozitimin e monedhave metalike.

    Në përgjigjen zyrtare të pranuar nga Banka Qendrore e Kosovës drejtuar DhTIK, sqarohet se tashmë bizneset nuk detyrohen të paguajnë një tarifë të tillë gjatë depozitimit të monedhave metalike, ndërsa me kërkesë të BQK-së dhe me dakordim paraprak me Drejtuesit e Bankave Komerciale të njëjtën praktikë e kanë zbatuar të gjitha bankat komerciale në vend.

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë nëpërmjet një komunikate thekson se tash e disa vite vazhdimisht ka kërkuar dhe zhvilluar takime e aktivitete të vazhueshme duke kërkuar që tarifa për valutat metalike për bizneset të cilëve iu janë ndaluar 3.7%, 5%, 8% e shumë së dorëzuar gjatë depozitimit të monedhave metalike nga qarkullimi i tyre, të largohet sepse kjo tarifë ka dëmtuar rëndë bizneset të cilat operojnë me monedha metalike.

    “Si shembull për ilustrim po sqarojmë se para ndryshimit të tarifës për depozitimin e monedhave metalike nga BQK, për dorëzimin e 10.000 EUR para metalike në bankat komerciale, biznesit i janë ndaluar 370 deri në 500 euro. Bizneset që janë afektuar më së tepërmi nga kjo tarifë ishin furrat e bukës, marketet, dyqanet e vogla etj., që më së shumti kanë punë me monedha metalike, e të cilat operojnë me marzha shumë të ulëta të fitimit, andaj aplikimi i kësaj tarife ka shkaktuar një barrë të madhe për këto biznese. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përshëndetë largimin e kësaj tarife nga Banka Qendrore e Kosovës, duke mbetur me shpresë se institucionet e vendit do të marrin parasysh imputet nga përfaqësuesit e bizneseve dhe hapa konkret për lehtësimin dhe krijimin e një klime sa më të përshtatshme për të bërë biznes në vend”, thuhet në komunikatë.

  • 1 prilli – sot shënohet Dita e Gënjeshtrave

    1 prilli – sot shënohet Dita e Gënjeshtrave

    Sot pothuajse në të gjithë botën shënohet Dita e Rrenave.

    Dita e Rrenave është një zakon vjetor më 1 Prill që përbëhet nga shaka me gënjeshtra dhe mashtrime praktike.

    Historia pas Ditës së Gënjeshtrave është e panjohur dhe ka pasur hipoteza të shumta në lidhje me origjinën e saj.

    Megjithatë, teoria më e besueshme e lidh atë me fundin e shekullit të 16-të, kur Papa Gregori XIII propozoi zbatimin e kalendarit gregorian.

    Kur kalendari Gregorian hyri në fuqi, 1 janari u bë fillimi i vitit. Ai zëvendësoi praktikën e fillimit të vitit në fund të marsit sipas kalendarit julian. Franca u bë vendi i parë që pranoi dhe zbatoi kalendarin e ri.

    Pavarësisht lajmeve që po shpërndaheshin, disa individë nuk ishin në dijeni të ndryshimit ose refuzuan të ndiqnin ndryshimet e reja.

    Ata vazhduan të kremtonin Vitin e Ri më 1 Prill.

    Kështu, njerëzit që ndiqnin kalendarin gregorian filluan të tallnin dhe tallnin këta njerëz.

    Praktika e përgjithshme ishte se ata që refuzonin të ndiqnin kalendarin e ri konsideroheshin budallenj dhe talleshin nga ata që e bënin.

    Kështu, duke krijuar traditën e 1 Prillit të Ditës së Gënjeshtrave.

  • Rama prezanton projektin fitues në konkursin ndërkombëtar për dizajnin e çerdheve dhe kopshteve në Lagjen Kolovicë

    Rama prezanton projektin fitues në konkursin ndërkombëtar për dizajnin e çerdheve dhe kopshteve në Lagjen Kolovicë

    Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se është zgjedhur projekti fitues për dizajnin e çerdheve dhe kopshteve në Lagjen Kolovicë.

    Sipas tij, pjesë e projektit do jetë edhe një kopsht i quajtur “Kopshti i qetë”.

    “Projekti fitues në konkursin ndërkombëtar për dizajnin e çerdheve dhe kopshteve në Lagjen Kolovicë, krijuar nga arkitektët Serhat Sen, Kemal Tas, Dilara Akdemir, Alican Tugenkoglu dhe Ramiz Laçi, sjell një frymë të re në krijimin dhe realizimin e çerdheve dhe kopshteve. 🌳

    Ngrehina është vendosur në një nga kodrinat e parcelës është dizajnuar mbi idenë e dizajnit që sheh nga brenda. Përmes krijimit të një shiriti të gjelbër në fasadë, ne kemi pasur për qëllim ta shfyrtëzojmë dheun i cili do të zhvendoset për ndërtim. Hapësirat funksionale përfshijnë zyrat, depotë dhe dhomat teknike, të vendosura në të dy anët e hyrjes. Në holl, ana e majtë të çon tek ndarjet e kujdesit ditor, të lidhura me një atrium dhe një kopsht të jashtëm, të cilin e kemi quajtur “Kopshti i qetë”. Ngjitur, në anën e djathtë të hollit është korridori i lojërave, që të çon tek kopshti. Kjo hapësirë ka disa oborre të brendshme, njëri prej të cilëve është më i madh se të tjerët, brenda të cilit është një amfiteatër i cili është i ndërlidhur me me çatinë. Po ashtu, një hapësirë tjetër e përbashkët, e ndërlidhur me ato të kopshtit, e cila zgjerohet në një oborr të brendshëm”, ka shkruar Rama.

  • Hagë: Edhe gjykimi i tretë drejt fundit, së shpejti jepen fjalët finale në gjykimin e Pjetër Shalës

    Hagë: Edhe gjykimi i tretë drejt fundit, së shpejti jepen fjalët finale në gjykimin e Pjetër Shalës

    Procedurat në Dhomat e Specializuara të Hagës po vazhdojnë të zhvillohen. Përveç vonesës që është më e gjatë në rastin e krerëve të UÇK-së, gjykimet e tjera duket se po ecin shpejt.

    Pas rastit të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, atij të Salih Mustafës, tash edhe gjykimi në rastin ndaj Pjetër Shalës po shkon drejt fundit.

    Bazuar në kalendarin e Gjykatës Speciale, më 15 prill do të fillojë dhënia e fjalëve përfundimtare në gjykimin ndaj ‘Ujkut’, raporton Nacionale.

    Specialja ka rezervuar pesë ditë për fjalët përfundimtare, kurse më pas maksimum deri në 90 ditë është koha e lejuar që të shpallet vendimi i shkallës së parë.

    Mbrojtja e Shalës ka kërkuar 3 orë e gjysmë kohë për ta dhënë fjalën përfundimtare, kurse në seancë pritet të mbajë një fjalim edhe Pjetër Shala.

    Prokuroria e Specializuar në anën tjetër ka kërkuar nga 4 deri në 5 orë për ta dhënë fjalën e saj të fundit. Kurse, avokati i viktimave do të mbajë fjalë finale deri në 1 orë e 15 minuta.

    Për çka akuzohet Shala?

    Pjetër Shala ishte arrestuar në Belgjikë më 16 mars 2021, kurse më 15 prill u dërgua në Qendrën e Paraburgimit të Hagës.

    Kjo për shkak të konfirmit të aktakuzës për krime lufte ndaj tij.

    “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime”, thuhej në njoftimin e Speciales.

    Krimet që rëndojnë mbi shalën janë: Ndalim arbitrar, trajtim mizor, torture dhe vrasje e paligjshme.

    Pjesa më e madhe e gjykimit në këtë rast u zhvillua e mbyllur, sidomos ajo me dëshmitarët e Prokurorisë.

    Gjykimet e para

    Gjykata Speciale deri më tash ka shpallur dy vendime përfundimtare: njëri në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt e tjetri ndaj Salih Mustafës.

    Aktgjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt u shpall më 18 maj 2022: Trupi Gjykues shpalli të dy të akuzuarit fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe dënoi secilin të akuzuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku të llogaritet koha e kaluar në paraburgim deri tani, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin.

    Ata tash po mbrohen në liri.

    Kurse, Salih Mustafa me vendimin e shkallës së parë u dënua me 26 vjet burg. Kurse, në Apel atij dënimi iu ulë në 22 vjet burg. Aktualisht, procesi është në Gjykatën Supreme të Hagës.

  • ​Lajçak për takimin e kësaj jave në Bruksel: Shpresoj të tejkalohen mosmarrëveshjet

    ​Lajçak për takimin e kësaj jave në Bruksel: Shpresoj të tejkalohen mosmarrëveshjet

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq do të jenë në Bruksel këtë javë. Lajçak ka thënë se të enjten shpreson se do të jenë në gjendje të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura.

    Lajçak ka shkruar në Facebook se të hënën e kaluar ka pritur në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe drejtorin Petkoviq.

    “Vazhduam diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund erdhëm në përfundim se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të jenë në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë mosmarrëveshjet e mbetura të enjten”, ka shkruar ai.

  • ​Arrestohet për kërcënim dhe armëmbajtje pa leje në Zubin Potok

    ​Arrestohet për kërcënim dhe armëmbajtje pa leje në Zubin Potok

    Një person është arrestuar dje pasdite në Zubim Potok, pasi që dyshohet se ka kanosur viktimën mashkull kosovar. Tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 12 fishekë.

    Sipas Policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti procedohet në procedurë të rregullt.

  • Kandiq: Vuçeviq të tregojë ku janë varrosur trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit

    Kandiq: Vuçeviq të tregojë ku janë varrosur trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit

    Shefi ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq dhe ministri i Mbrojtjes, tashmë i mandatuar për kryeministër të Serbisë, Millosh Vuçeviq, duhet të tregojnë se ku janë varrosur Rukije dhe Feriz Krasniqi, që ishin vrarë më 27 mars 1999 në fshatin Sushicë të Shtërpcës.

    Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, në platformën “X” ka shkruar se këta dy zyrtarë serb duhet të përgjigjen në këtë pyetje.

    “Le të kërkojmë nga shefi i ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, të zbulojnë vendin ku u varrosën trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit, të vrarë nga pjesëtarët e Ushtrisë së Jogosllavisë, më 27 mars 1999 në fshatin Sushicë (Kosovë)”, ka shkruar ajo.

    Ndryshe, Millosh Vuçeviq, ish-ministri serb i Mbrojtjes, njëherësh udhëheqës i partisë në pushtet në Serbi, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

    Historia e vrasjes së çiftit Rukije dhe Feriz Krasniqi

    Kur një batalion i ushtrisë Jugosllave i drejtuar nga Kapiteni Petroviq mbërriti në fshatin Sushicë në Kosovë në fund të muajit mars 1999, ai urdhëroi të gjithë shqiptarët të dalin nga shtëpitë. Feriz Krasniqi dhe gruaja e tij e paralizuar Rukija nuk kanë mundur të dalin. Mosbindja u ka kushtuar atyre jetën.

    I zemëruar nga lutjet e Ferizit se ai nuk mund të shkonte askund dhe nuk mund të linte vetëm gruan e tij të paralizuar, Petroviq ka urdhëruar rezervistët e ushtrisë Nenad Stamenkoviq dhe Tomica Joviq të vrisnin çiftin. Një njësi speciale e ushtrisë jugosllave e krijuar me qëllimin e vetëm për të djegur dhe zhdukur trupat i ka larguar më pas kufomat e tyre.

    Historia e Feriz dhe Rukije Krasniqit dhe mizoria me të cilën janë vrarë ata do të ishte varrosur me siguri së bashku me kufomat e tyre si shumë shqiptarëve tjerë, nëse nuk do të ishte një oficer i ushtrisë Jugosllave.

    Zëvendës koloneli Ljubisha Miçiq, i dislokuar aty pranë pasi ka dëgjuar për këtë vrasje ka shkuar në fshatin ku banonte çifti Krasniqi dhe ka mbledhur prova.

    Më 20 Dhjetor, gjykata ushtarake në Nish ka dënuar Stamenkoviq dhe Joviq me katër vjet e gjysmë burgim për vrasjet.

    Petroviq është dënuar me katër vjet e dhjetë muaj burgim sepse ka urdhëruar vrasjet.

  • Ambasadori i Zvicrës: Investitorët zviceranë duan garanci ligjore si kusht për të investuar në Kosovë

    Ambasadori i Zvicrës: Investitorët zviceranë duan garanci ligjore si kusht për të investuar në Kosovë

    Garanci ligjore është njëra nga kërkesat kryesore që po kërkojnë investitorët zviceranë. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher.

    Kryediplomati zviceran ka bërë të ditur se komuniteti i biznesit të këtij shtetit e sheh të rëndësishme të ketë garanci në Kosovë, në mënyrë që të shtohen investimet.

    “Mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi rolin e garancive ligjore për investimet dhe që ne shohim se Zvicra është investimi i dytë i rëndësishëm në vend dhe ajo që dëgjoj nga komuniteti i biznesit është shumë e rëndësishme të ketë garanci dhe rolin e ligjit”, u shpreh ambasadori.

    “Mendoj se ajo që investitorët zviceranë duhet të bëjnë këtu në Kosovë, janë njerëzit dhe prandaj ne jemi këtu. Kemi nevojë për njerëz të trajnuar që duan të investojnë dhe të mësojnë dhe kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme”, deklaroi ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher.

  • Pejë: Dikush gjuan me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tyre, dy persona njoftojnë policinë

    Pejë: Dikush gjuan me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tyre, dy persona njoftojnë policinë

    Dy persona në Pejë kanë raportuar mbrëmjen e së shtunës në polici, se kanë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tyre, nga persona ende të paidentifikuar.

    Të shtënat dyshohet se kanë ndodhur për shkak të disa mosmarrëveshjeve-borxheve.

    “Nga predhat janë dëmtuar dy tjegulla dhe një gyp-ujëmbledhës. Rasti po hetohet nga ekipet përkatëse policore”, thuhet në raporton e policisë.