ATV

Author: ATVLive

  • Zotimi i krerëve të shtetit: Specialët në veri “vetëm kur ka nevojë”

    Zotimi i krerëve të shtetit: Specialët në veri “vetëm kur ka nevojë”

    Përgatiti: Nora Luta

    Krerët e shtetit janë zotuar se do ta dërgojnë Njësinë Speciale të Policisë në katër komunat veriore, vetëm në rastet e nevojshme.

    Ky është një prej zotimeve dhënë raportueses për Kosovën në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.

    “Të përmbahen nga përdorimi i Njësisë Speciale të Policisë Speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore, të sigurohet që ato dislokohen vetëm në rast nevoje dhe të shtojnë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhet në këtë zotim.

    Nuredin Ibishi duke marrë shembull marrëveshjen me NATO-n për FSK-në, thotë se liderët kosovarë duhet të jenë të kujdeseshim, pasi çdo kushtëzim mund të mbetet peng i vazhdueshëm.

    Angazhimi i Njësive Speciale të Kosovës sipas njohësve të çështjeve së sigurisë, rregullohet me ligj dhe çdo veprim tjetër mund të bjerë në kundërshtim edhe me kushtetutë.

    Përveç për policinë, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti janë zotuar që të përmbahen edhe nga kritikat e panevojshme ndaj gjyqësorit e sistemit prokurorial.

    Kjo, sipas juristëve, është e domosdoshme të zbatohet në praktikë për të siguruar një pavarësi të organeve të drejtësisë.

    Letra e nënshkruar nga tre krerët e shtetit është miratuar bashkë me opinion statutor dhe është pjesë e rrugëtimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

  • Rregullat e reja, nga e mërkura dënime të ashpra për shoferët

    Rregullat e reja, nga e mërkura dënime të ashpra për shoferët

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Shoferët që bëjnë gara të tilla me vetura, i presin dënime të ashpra.

    Me ligjin e ri për rregullat në trafik, i cili hyn në fuqi nga e mërkura, garat si këto do t’iu kushtojnë deri në 500 euro shoferëve dhe do të mbeten pa patentë-shofer për 1 vit.

    Hiç më lehtë nuk do të shpëtojnë as ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, meqë dënimet mund të arrijnë deri në 500 euro dhe lagim të katër pikëve nga patentë-shoferi.

    Dënimet pothuajse të njëjta nga 100 deri 500 euro i presin edhe ata që gjatë ngasjes përdorin telefonin.

    Dyfish më shumë se kaq, do të dënohen shoferët që nuk e pastrojnë automjetin dhe bëjnë rrugën me baltë.

    Shoferët që nuk vendosin rripin e sigurisë, do të gjobiten me nga 150 euro.

    Ashpërsimi i dënimeve, po mirëpritet nga qytetarët meqë thonë se po rrezikohet jeta e tyre.

    Por, rritjen e dënimeve nuk është se e përkrahin në tërësi ekspertët e komunikacionit. Sipas Bekim Ahmetit, ky Ligj i Ri, nuk do të ketë efekt të madh në zvogëlimin e rrezikshmërisë në komunikacion.

    Zgjidhje të duhur, Ahmeti e sheh vendosjen e radarëve statikë.

    Rastet e vdekjeve në aksidente nuk janë hiç të rralla në vend.

    Vetëm në vitin që lamë pas, 88 qytetarë vdiqën si pasojë e aksidenteve.

  • Rruga e shembur në Klinë, banorët rrezikojnë të bllokohen

    Rruga e shembur në Klinë, banorët rrezikojnë të bllokohen

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Shenja që rruga është e dëmtuar nuk ka.

    Edhe pse mbetet e hapur, mirëpo banorët e tre fshatrave të Klinës, e kanë të vështirë të kalojnë me vetura këndej, për shkak të shembjes së dheut.

    Rruga është dëmtuar për shkak të reshjeve atmosferike. Nga komuna e Klinës nuk kthyen përgjigje të hënën për ATV-në, nëse ka ndonjë plan për këtë problem.

    Derisa të fillojnë punimet, banorët thonë se lëvizja nëpër këtë rrugë do të mbetet e kufizuar.

    “Këtu kalojnë shumë njerëzit, është shumë rrezik. Uji prej lartit, e ka prish nuk e mbaj në mend 72 vjet i kom kështu s’ka ndodhë asnjëherë, me u dëmtu në këtë pjesë rruga”, tha Sadik Dallaveri, banor.

    Meqë, terreni është jo i mirë, sipas banorëve, rreziku rritet kur terri mbulon fshatin.

    “Rrezik është boll, kur të vijnë prej anës së lartë të panjohurit munden me ra me u mbytë. Na që jemi afër këtu po e dimë. Veç një herë kanë ardhë e kanë hedhur zhavorr”, tha Hasan Dallaveri, banor.

    Nëse rruga nuk rregullohet, banorët e fshatit Jashanicë dhe Kërnicë për të shkuar në shtëpinë e tyre, duhet të përdorin rrugët alternative nëpër komunën e Skenderajt.

  • Harry thotë se i duhet terapi, pasi pa skenat e nxehta në serialin ku luan Meghan

    Harry thotë se i duhet terapi, pasi pa skenat e nxehta në serialin ku luan Meghan

    Meghan Markle që kur është bërë pjesë e familjes mbretërore ka paguar një “faturë” të majme për imazhin e saj, nisur edhe nga e kaluara si aktore dhe rolet në disa filma. E njohur për rolin e Rachel Zane në serialin “Suits”, bashkëshortja e princit Harry ka pasur disa skena intime me aktorin Patrick J. Adams (i cili luan rolin e Mike Ross) në të njëjtin serial.

    Por, Harry thotë përmes kujtimeve në librin e tij “Spare”, se do të ishte më mirë që ato skena të mos i kishte parë kurrë. Në një moment dobësie, për të cilin fajëson Google, princi ka tentuar të shohë disa fragmente me skena të nxehta nga filmat e partneres së tij. Familja mbretërore gjithashtu i ka zbuluar këto skena, të cilat kanë rënduar jo pak në pozitat e saj si bashkëshortja e princit.

    Princi Harry thotë se ka pasur nevojë për “terapi me goditje elektrike” për të hequr nga mendja skenat e seksit të Meghan Markle në serialin “Suits”.

    “Kam parë Meghan dhe aktorin tjetër në serial që “sakatonin” njëri-tjetrin në një lloj zyre apo sallë konferencash, edhe pse nuk kisha nevojë që të shihja gjëra të tilla drejtpërdrejtë,” thotë ai.

    Princi Harry pranoi se këto skena intime shpesh monitoroheshin nga pallati, gjë që ndikoi edhe në procesin e tij të të shkruarit të librit.

    Është e sigurt të thuhet se Princi Harry ka mësuar nga gabimet e të kaluarës së tij, sidomos kur bëhet fjalë për Meghan!

  • ​Kupa Botërore e Gjimnastikës Ritmike 2024 do të zhvillohet në Sofje midis 12 dhe 14 Prill

    ​Kupa Botërore e Gjimnastikës Ritmike 2024 do të zhvillohet në Sofje midis 12 dhe 14 Prill

    Sportistët më të mirë në botë do të marrin pjesë në Kupën Botërore të Gjimnastikës Ritmike 2024 në Sofje, tha në një konferencë shtypi Federata Bullgare e Gjimnastikës Ritmike (BRGF). Gara do të mbahet në Arena Sofje nga data 12 deri më 14 prill.

    Boryana Kaleyn, Stiliyana Nikolova dhe një ansambël femrash do të përfaqësojnë Bullgarinë, duke përfshirë Magdalina Minevska, Sofia Ivanova, Kamelia Petrova, Rachel Stojanov dhe Margarita Vasileva. Në Sofje do të garojnë gjithsej 55 sportistë individualë nga 42 vende dhe 13 ansamble.

    Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës Morinari Watanabe do të jetë i ftuar special në Kupën e Botës.

    Nënkryetarja e BRGF-së, Nevjana Vlladinova shprehu entuziazëm për mbledhjen e elitës botërore të sportit në Sofje edhe për një vit. Ajo vuri në dukje se ky vit është një vit olimpik kështu që gara do të jetë shumë e fortë. Vetëm kampionia e botës Darja Varfolomeev (Gjermani) dhe e Kinës nuk do të marrin pjesë në konkurs, shtoi ajo.

    Më herët gjatë ditës, selia e BRGF nënshkroi një marrëveshje partneriteti me UNICEF dhe fondet nga biletat e ditës nga konkursi i së premtes do të dhurohen për bamirësi.

    Nga data 4 deri më 7 prill në sallën e Sofjes do të zhvillohet turneu ndërkombëtar i gjimnastikës ritmike. Në të do të marrin pjesë përfaqësues të 36 vendeve, duke përfshirë 90 vajza nga 45 ekipe dhe 85 gra. Për herë të parë do të ketë edhe konkurs për ansamble. /BTA/

  • Vazhdojnë të rriten çmimet e naftës

    Vazhdojnë të rriten çmimet e naftës

    Çmimet e naftës u rritën të hënën mes shqetësimeve për furnizim të shtrënguar të naftës për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe Luftës Rusi-Ukrainë.

    Standardi ndërkombëtar i papërpunuar Brent u tregtua me 87.24 dollarë për fuçi në orën 9:31 të mëngjesit me orën lokale (0631 GMT), një rritje prej 32% nga çmimi i mbylljes prej 86.96 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 83.42 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, një rritje prej 0.30% nga seanca e mëparshme që u mbyll me 83.17 dollarë për fuçi.

    Ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Palestinës dhe lufta Rusi-Ukrainë vazhdon, shqetësimet globale të furnizimit me energji janë vënë në rrezik, duke i shtyrë çmimet më të larta.

  • “Pfizergate” me vaksinat e COVID, prokurorët hetojnë porosinë 20 miliardë euro të Von der Leyen

    “Pfizergate” me vaksinat e COVID, prokurorët hetojnë porosinë 20 miliardë euro të Von der Leyen

    Telashe në horizont po duken për presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Prokurorët e lartë europianë po hetojnë negociatat e saj për blerjen e vaksinave anti-COVID me drejtuesin e kompanisë Pfizer. Këtë e raporton media e njohur, Politico, që citon një zëdhënës nga zyra e prokurorisë, e cila sqaron se po shqyrtohen dyshimet nëse janë bërë shkelje kriminale.

    Në fakt hetimi është një vazhdim i një investigimi të bërë nga prokurorët e Belgjikës ndaj Von der Leyen për “ndërhyrje në funksionet publike, shkatërrim të SMS-ve, korrupsion dhe konflikt interesi”, sipas dokumenteve të siguruara nga Politico.

    Çështja e pagëzuar me emrin “Pfizergate”, për blerjen më të madhe të vaksinave për pandeminë koronavirus, është ngritur vitin e kaluar nga politikani belg Frederic Baldan, që më pas mori mbështetjen e qeverisë së Polonisë dhe Hungarisë. Në qendër janë mesazhet e shkëmbyera mes Von der Leyen dhe kreut të Pfizer, Alber Bourla, të raportuara së pari nga media amerikane New York Times, përmes së cilave dyshohet se janë përcaktuar kushtet e marrëveshjes, që ende mbahen sekret.

    Prokurorët europianë, që po hetojnë marrëveshjen me vlerë mbi 20 miliardë euro për krime financiare, në teori mund të sekuestrojnë telefona dhe materiale të tjera nga zyrat e Komisionit Europian, apo kudo në Europë, përfshirë vendlindjen e Von der Leyen. Ky zhvillim vjen në një moment kur shefja e KE-së po kërkon një mandat të dytë.

    Marrëveshja mes Brukselit dhe Pfizer është arritur në mes të pandemisë në vitin 2021 dhe është parë si një triumf i madhe për politikanen gjermane, por polemikat nuk kanë munguar gjatë këtyre viteve, me raportime të shumta që sugjerojnë se vitin e kaluar janë shpërdoruar doza vaksinash me vlerë 4 miliardë euro.

  • Kosovari vdiq në aksidentin e rëndë në Itali, Ferrari po shkonte 200 km/h – flet vëllai i tij

    Kosovari vdiq në aksidentin e rëndë në Itali, Ferrari po shkonte 200 km/h – flet vëllai i tij

    Një kosovar nga kantoni Vaud i Zvicrës vdiq tragjikisht në një aksident të rëndë me Ferrari të dielën në Italinë veriore.

    Vetura u copëtua, copat u shpërndanë dhe flakë e madhe u pa. Mediat italiane shkruajnë se Ferrari GT C4 i bardhë kishte qenë duke lëvizur me mbi 200 km/h kur ka rrëshqitur në rrugën e lagësht dhe është përplasur në anësore.

    Zjarrfikësve iu desh mjaft mund që ta nxirrnin kosovarin e vdekur nga vetura.

    Mediumi zviceran, Blick shkruan se 40-vjeçari të shtunën në mbrëmje – vetëm disa orë para vdekjes – ishte në një klub nate në kantonin e Valais dhe pas performancës më pas ishte nisur për në Itali me Ferrari.

    Vëllai i tij 41-vjeçar ka treguar se vetura i përkiste atij.

    “Është e vështirë ta shprehësh me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.

    Vëllai i kosovarit të vdekur në aksident nuk e di se si ndodhi, kush po e drejtonte veturën dhe kush ishte viktima tjetër – një grua sipas mediave italiane.

    “Për momentin nuk kemi marrë shumë informacion nga policia. Vëllai im tjetër, i cili jeton në Itali, tani kujdeset për gjithçka”. Gjithçka që ai di është se një test i ADN-së po pritet të bëhet.

    Sipas raportimeve të mediave italiane, identifikimi është i komplikuar pasi të vdekurit u dogjën në veturën që mori flakë. Ndërkohë, policia e Settimo Torinese ka kontaktuar disa të afërm dhe u ka kërkuar atyre që të ndihmojnë në identifikimin e të vdekurve përmes analizës së ADN-së.

    Vetë vëllai sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por tani po udhëton për në Zvicër, siç i tha Blick të hënën. “Ne duam ta mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”.

  • Netanyahu ringjall masën për mbylljen e televizionit Al Jazeera të Katarit në Izrael

    Netanyahu ringjall masën për mbylljen e televizionit Al Jazeera të Katarit në Izrael

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ringjalli të hënën masën për mbylljen e stacionit televiziv satelitor të Katarit “Al Jazeera” në Izrael, duke thënë përmes zëdhënësit të partisë së tij se parlamenti do të mblidhet në mbrëmje për të ratifikuar ligjin e nevojshëm.

    Pas kësaj, Netanyahu “do të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të mbyllur Al Jazeeran në përputhje me procedurën e përcaktuar në ligj”, thuhet në deklaratën e partisë Likud.

    Izraeli ka akuzuar më parë këtë medium për nxitje kundër Izraelit në mesin e shikuesve arabë.

    As zyra kryesore e stacionit në Izrael dhe as qeveria e Katarit në Doha nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

    Al Jazeera ka akuzuar më parë Izraelin për shënjestrim sistematik të zyrave dhe personelit të tij.

    Zyrtarët izraelitë janë ankuar prej kohësh për mbulimin e Al Jazeera-s, por nuk kanë ndërmarrë veprime, duke pasur parasysh financimin nga Katari të projekteve të ndërtimit palestinez në Rripin e Gazës – i parë nga të gjitha palët si një mjet për të shmangur konfliktin.

    Më 7 tetor në këtë zonë nisi lufta, pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz.

    Izraeli u përgjigj me një ofensivë ajrore, tokësore dhe detare që ka vrarë të paktën 32,782 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Ministria nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve.

    Doha ka ndërmjetësuar negociatat për armëpushim, sipas të cilave Izraeli ka rimarrë disa nga ata që ishin marrë peng.

    Megjithatë, bisedimet për një armëpushim të dytë të propozuar duket se nuk po shkojnë askund. Në janar, Netanyahu bëri thirrje publikisht që Katarit t’i bëhet presion për të ushtruar më shumë presion ndaj Hamasit. Katari është nikoqir i zyrës politike të grupit dhe disa zyrtarëve të lartë të Hamasit.

    I pyetur nëse kërcënimi kundër Al Jazeera-s mund të jetë pjesë e një presioni të tillë, një zëdhënës i qeverisë izraelite, Avi Hyman, nuk u përgjigj drejtpërdrejt, megjithëse ai tha se mediumi ka shpërndarë “propagandë për shumë e shumë vite”.

    Ministri izraelit i komunikimit akuzoi mediumin më 15 tetor për nxitje pro-Hamasit dhe ekspozim të trupave izraelite në prita.

    Al Jazeera dhe qeveria e Dohas nuk iu përgjigjën këtyre akuzave.

    Muajin pasardhës, Izraeli dukej se e kurseu stacionin e Katarit, në vend të kësaj urdhëroi t’i jepte fund transmetimeve lokale të një kanali më të vogël pro-iranian libanez, Al Mayadeen, sipas rregullave emergjente të medias.

    Projektligji që pritet të ratifikohet të hënën kaloi leximin e tij të parë në Knesset në shkurt. /REL

  • ​Nga MKRS e konfirmojnë: Projekti i stadiumit nacional prezantohet brenda këtij viti

    ​Nga MKRS e konfirmojnë: Projekti i stadiumit nacional prezantohet brenda këtij viti

    Fillimi i punëve për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës pritej të bëheshin qysh në vitin 2019, por ky projekt deri sot ende nuk e ka gëzuar një përfundim. Tani, me marrjen e kandidaturës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ndër planet e institucioneve vendore është edhe fillimi i ndërtimit të stadiumit nacional.

    Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku para disa muajve kishte shpalosur planin për ndërtimin dhe rinovimin e 27 stadiumeve në Kosovë, ku pjesë e tyre ishte edhe stadiumi nacional, plan ky që pritet të jetësohet gjatë pesë viteve të ardhshme.

    Edhe pse komisioni për vlerësimin e ndërtimit të stadiumeve është formuar, ende nuk dihet asgjë sa i përket ndërtimit të stadiumit nacional, as vendi dhe as koha se kur do të fillojnë ndërtimet.

    Në një intervistë për KosovaPress, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani bëri të ditur se po synohet që projekti i stadiumit nacional të prezantohet brenda këtij viti. Po ashtu, Osmani tregoi se po punohet me intensitet të lartë në masterplanin dhe në hartimin e kornizës ligjore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

    “Projekti i Stadiumit Nacional synohet të prezantohet përbrenda këtij viti, po e quajmë nacional sepse ashtu e kemi etiketuar ndër vite. Po punohet në hartimin e kornizës ligjore për Lojërat Mesdhetare me intensitet shumë të lartë si dhe me masterplanin e Lojërave Mesdhetare, dokument ky i cili do të na kthejë mbrapa të gjitha përgjigjet, qoftë për llojin e investimit, qoftë për koston, mirëpo mbi të gjitha edhe për lokacionet e duhura të investimeve që do t’i shërbejnë Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, mirëpo edhe gjithë komunitetit sportiv mandej e tutje”, tha Osmani.