ATV

Author: ATVLive

  • 15 vjet nga anëtarësimi në NATO, ShBA: Shqipëria, një partner dhe aleat i besueshëm

    15 vjet nga anëtarësimi në NATO, ShBA: Shqipëria, një partner dhe aleat i besueshëm

    Si sot, 15 vjet më parë, për Shqipërinë u shënua një pikë kthese historike për vendin.

    Shqipëria u anëtarësua në NATO, duke u shndërruar në një partner dhe aleat i besueshëm për vendet e tjera të NATO-s.

    Në këtë ditë të rëndësishme ka pasur edhe një mesazh nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ku e bën të qartë se “Sot Shqipëria ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri – sot Shqipëria ka NATO-n”.

    “15 Vite së Bashku: Udhëtimi i Shqipërisë me NATO-n. Që nga anëtarësimi në NATO në 2009, zhvillimi i Shqipërisë në një partner dhe aleat të besueshëm ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Sot Shqipëria ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri – sot Shqipëria ka NATO-n. Së bashku, ne qëndrojmë më të fortë. Edhe shumë vite të tjera si aleatë në NATO!”, shkruan ambasada.

  • Haradinaj në Lybeniq: Barbaria e shtetit fashist serb nuk kurseu askënd që i doli para

    Haradinaj në Lybeniq: Barbaria e shtetit fashist serb nuk kurseu askënd që i doli para

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar ngjarjet e kobshme të fillimit të prillit të vitit 1998 në Lybeniq dhe zonën përreth.

    Haradinaj ka thënë se aty janë vrarë fëmijë, gra e pleq.

    “Sa herë vijmë në Lybeniq, një pjesë e zemrës mbetet këtu, me familjarët që ende presin që të dashurit e tyre të kenë një varr për t’iu vendosur lule. Lybeniqi u masakrua edhe më 25 maj 1998, e java e parë e prillit 1999 ishte e kobshme për këtë fshat e zonën përreth, që u bënë cak të represionit të tmerrshëm e të paparë. Armiku ekzekutoi mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur, nga fshatrat Lybeniq, Buçan, Rashiq, Loxhë, Kosuriq e Prilep”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se barbaria e shtetit fashist serb nuk ka kursyer askënd që i ka dalë para.

    “A vritet njeriu, vetëm se e ëndërron lirinë e Atdheut të tij? Këtë e bëri pa mëshirë barbaria e shtetit fashist serb, që nuk kurseu askënd që i doli para, gra, fëmijë e pleq.

    Sot e për mot, përulemi me respekt para sakrificës së të rënëve për liri!”, është shprehur Haradinaj.

  • Masakra e Lybeniqit, Kurti: Të adresohen me urgjencë krimet e luftës

    Masakra e Lybeniqit, Kurti: Të adresohen me urgjencë krimet e luftës

    Sot përkujtohet masakra e Lybeniqit në Pejë, ku forcat e regjimit serb, 25 vjet më parë, vranë 79 civilë të këtij fshati. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25-vjetorin e masakrës, bëri homazhet pranë lapidarit të 79 banorëve të vrarëve të këtij fshati.

    Kurti tha se ushtarët serbë ndanë gratë fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty.

    “Sipas skenarit të krimit, ushtarët serbë ndanë gratë fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty. Xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, ku ushtarët serbë shtinë me armë automatiku në mënyrë të përsëritur që askush të mos mbetej i gjallë”, tha Kurti.

    Kreu i qeverisë kërkoi nga sistemi i drejtësisë një adresim me urgjencë të rasteve të kryera gjatë luftës, për çka si tha ai dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar.

    “Shpresoj të deponohen sa më shumë dëshmi për krimet e kryera këtu në Kosovë. Ndërkaq sistemi të drejtësisë nga këtu i bëj thirrje edhe një herë për adresim me urgjencë të rasteve të kryera gjatë luftës, sepse këto krime asnjëherë nuk janë vjetruar, por dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar. Në Policinë e Kosovës në të kaluarën krimet e luftës janë trajtuar në kuadër të hetimeve të krimeve të rënda”, tha Kurti.

    “Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, madje që në vitin 2019. Gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshime të nevojshme ligjore që kriminelët serbë të luftës të përballen me drejtësinë, sepse këto krime, përveç se nuk falen, as nuk vjetrohen kurrë. E për t’u dokumentuar me saktësi të gjitha krimet kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të cilën janë hapur, tashmë, 25 pozita të ekspertëve dhe zyrtarëve që do të punojnë”, shtoi ai.

  • ​MPJD me një njoftim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës

    ​MPJD me një njoftim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës se që nga nesër, me fillim në ora 06:00 të mëngjesit e deri me datën 4 prill, në ora 06:00 të mëngjesit, kufijtë e Greqisë do të jenë të mbyllur, si pasojë e një greve 48 orëshe të paralajmëruar nga shërbimi doganor grek.

    MPJD njofton shtetasit e saj se kalimi i kufirit do të lejohet vetëm për këmbësorët, pa bagazhe dhe për personat me probleme serioze shëndetësore.

    “Shtetasit e Republikës së Kosovës që mund të kenë nevojë për informacione shtesë inkurajohen të kontaktojnë Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë në numrin e mëposhtëm të telefonit:+30 210 721 1711”, thuhet në njoftim.

  • ​Sekuestrohet marihuanë, para dhe një trotinet

    ​Sekuestrohet marihuanë, para dhe një trotinet

    Dy persona janë arrestuar dhe janë sekuestruar një shumë e parave të gatshme, substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë, një telefon celular, 240 qese të vogla plastike të zbrazura dhe një trotinet.

    Sipas Policisë, ata janë arrestuar dje pasdite në Prizren, ku pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • ​389 vende të lira pune në Forcat e Armatosura

    ​389 vende të lira pune në Forcat e Armatosura

    Ministri Mbrojtjes në Qeverinë e Shqipërisë, Niko Peleshi fton të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

    “Nuk ka kohë më të mirë për të bërë një hap drejt një karriere të suksesshme si ushtar apo detar profesionist në Forcat e Armatosura”, u shpreh Peleshi.

    Ministri tha se “me 389 pozicione të lira në dispozicion, është koha për të nisur një përvojë mbresëlënëse zhvillimi dhe krenarie, duke u bërë versioni më i mirë i vetes. Regjistrohu sot për të filluar rrugëtimin drejt një të ardhmeje të re”, u shpreh Peleshi.

    Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit pranë MM është deri më 12 prill 2024.

  • ​Subvencionimi nga 500 euro për gratë që lindin në QKMF e Rahovecit rrit interesimin për lindje

    ​Subvencionimi nga 500 euro për gratë që lindin në QKMF e Rahovecit rrit interesimin për lindje

    Nga 500 euro po i marrin gratë që lindin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Rahovecit, që nga fillimi i këtij viti. Menjëherë pas këtij vendimi të kryetarit të komunës, Smajl Latifi, ky subvencionim ka prodhuar efekt pozitiv duke shtuar interesimin dhe gatishmërinë e grave shtatzëna për të lindur në QKMF-në e kësaj komune.

    Kushti i vetëm për të marrë këtë mbështetje nga komuna është që gratë rahoveciane të lindin në spitalin e Rahovecit. Kryetari Smajl Latifi ka thënë për KosovaPress, se kjo përkrahje për gratë e Rahovecit ka vazhduar edhe më herët dhe do të vazhdojë gjithmonë.

    Latifi tha se subvencionimi ka për qëllim që të rritë natalitetin në vend dhe të dëshmojë se QKMF-ja plotëson kushtet për çdo lindje. Sipas tij, ky është një shembull i mirë që duhet ta praktikojnë edhe kryetarët e tjerë në komunat e tyre.

    “Tashmë kanë nënshkruar vendime individuale për lindjet të cilat kanë ndodhur në këtë repart. E kemi forcuar kapacitetin në repartin në Rahovec, kemi rinovuar sallën e lindjeve, ka kushte optimale për lindje të zakonshme në këtë repart, dhe ka edhe shtim të kuadrove…. Në qoftë se i ka tre fëmijë, ne e rritim shumën… qëllimi i parë është që të dëshmojmë se kjo qendër e lindjeve jo vetëm që është funksionale por është i gatshëm me pranuar gra që do të i mundësohet një lindje e zakonshme me sukses të plotë, besimi i qytetarëve, grave, nënave në repartin tonë…..Ndikimi i këtij subvencionimi nuk besoj që nuk kalon pa prodhuar efekte, për shkak se ne subvencionojmë lindje, i japim përparësi dhe mbështetje, lindjes, jetës, gjallërisë….. Ne i ftojmë që të kenë besim, kuadrot mjaftë të angazhuara dhe po përpiqemi të forcojmë pozicionin përmes investimeve direkt dhe indirekt që bëjmë në repartin e gjinekologjisë, më herët kanë lindur nga 13 foshnje një foshnje, pse tash mos të lindin….Po munden, besoj që është shembull i mirë dhe praktikë që mund të shfrytëzohet, sipas mundësive dhe nga komunat e tjera në mënyrë që çfarë bënë qeveria, ka bërë pak mendoj për lindjet, nënat dhe gratë lehona. Ne mund të bëjmë si komuna dhe të kryejmë punëtorë dhe të krijojmë një ndjenjë të mirë me 500 euro nuk është një mrekulli, por ndihmë edhe për nënën edhe për fëmijën dhe atë familje…. I ftoj kolegët e mi, kryetarët që të ndërmarrin veprime në qoftë se kanë mundësi”, tha Latifi.

    Ndërkaq, se subvencionimi do të vazhdojë të rritet për çdo vit dhe nuk do të ndalet e thotë edhe, drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Rahovecit, Saranda Sallteku.

    “Subvencionimi ka qenë në vitin e kaluar, kurse gjatë këtij viti me vendimin e kryetarit e kemi rritur në shumën 500 euro, dhe qëllimi i këtij vendimi ka qenë që të rritet nataliteti dhe të krijohen kushte sa më të mira për gratë që lindin në Rahovec. …. Ky vendim është për vitin 2024 dhe secilin vit po rritet subvencionimi….. Prej viteve të ardhshme mundet me u rrit ky subvencionim”, tha Sallteku.

    Po ashtu, edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec, Elbunit Kryeziu tha se me hyrjen në fuqi të subvencionimit me nga 500 euro për gratë që lindin në këtë repart, ka pasur shumë interesim edhe për gratë që kryejnë edhe lindje të tjera.

    Drejtori Kryeziu tha se në krahasim me vitin e kaluar, numri i lindjeve në këtë repart ka shkuar deri në gjashtë lindje dhe se presin që ky numër të rritet.

    “Lindje sigurisht që ka pasur, por sikur në krejt Kosovën ka rënë, në vitin e kaluar i kemi pasur 18 lindje. Këtë vit nga 1 janari deri më sot i kemi gjashtë lindje. Subvencionet kanë qenë edhe vitin e kaluar, nëse nuk gaboj me 400 euro ose më pak, këtë vit me 500 euro, por ka disa vite që trendi i lindjeve ka rënë…Sigurisht që po, normalisht me indikacionet që mund të kryhen në Rahovec, kryhen gjithmonë me referim, me leje të mjekut, kemi gjinekolog, në momentin që paraqitet një shtatzënë ata vijnë e shohin si po shkon, lindja dhe nëse kryhet normal, e përfundojmë këtu…..Ka pas pyetje të shumta, edhe prej grave që lindin me “seksio” por ato sigurisht nuk mund t’i marrë. Subvencionimi ka qenë vetëm për gratë që lindin në maternitetin e QKMF-së në Rahovec. Presim që të rritet numri, viti ka filluar shumë mirë, gjashtë lindje nuk është numri i vogël”, tha Kryeziu,

    Subvencionimi për gratë që lindin në Rahovec në vitin 2021 ka qenë 200 euro, në vitin 2022, 300 euro, në vitin 2023, ka qenë 400 euro, ndërsa në këtë vit subvencionimi do të jetë 500 euro./kp

  • ​Djeg disa hektar mal, arrestohet

    ​Djeg disa hektar mal, arrestohet

    Një person është arrestuar dje në Podujevë, pasi që nga pa kujdesia e tij kishte djegur disa hektar mal të ankuesit mashkull kosovar.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • Gara e nxehtë për titull: A do të jetë ky viti i Tahir Batatinës?

    Gara e nxehtë për titull: A do të jetë ky viti i Tahir Batatinës?

    Një garë sikur asnjëherë më parë po zhvillohet sivjet për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës.

    Pavarësisht se muaj më parë Ballkani dukej si triumfues i padiskutueshëm, gjërat kanë ndryshuar.

    Pas fitores ndaj Lirisë, Llapi kryeson tabelën e Superligës me 54 pikë, një më shumë se Ballkani që ka 53. Kurse, skuadra e Dritës gjendet në vendin e tretë me 51 pikë.

    Edhe pse dy herë fitues i kupës, trajnerit të Llapit, Tahir Batatinës, i mungon titulli i Superligës. Ky vit, duket se mund të jetë në duart e tij.

    Kjo pasi Llapi në ndeshjet e fundit të Superligës, i pret në Podujevë edhe Dritën edhe Ballkanin. Një mundësi kjo që të distancohet edhe më shumë në krye të tabelës.

    Megjithatë, mbetet të shihet nëse Batatina me skuadrën e tij do ta shkruajnë historinë, apo Ballkani do ta vazhdojë dominimin. Aty po përfshihet edhe Drita, megjithatë e cila me barazimin ndaj Malishevës, nuk arriti ta shfrytëzojë gabimin e Ballkanit.

  • Shkëlqeu me dy gola ndaj Lens, Edon Zhegrova në formacionin e javës në Francë

    Shkëlqeu me dy gola ndaj Lens, Edon Zhegrova në formacionin e javës në Francë

    Edon Zhegrova është duke bërë paraqitje fantastike me fanellën e skuadrës së Lille në kampionatin francez.

    Forma fantastike tij ka vazhduar edhe në ndeshjen e fundit që Lille e luajti nda Lens dhe Zhegrova ishte figura kryesore.

    Ylli kosovar realizoi dy gola në fitoren e ekipit të tij me rezultatin 2:1, në kuadër të xhiros së 27-të.

    Paraqitja e tij nuk ka shkuar pa u vlerësuar, ai ka hyrë në formacionin e javës nga SofaScore.

    25-vjeçari mori notën 8,2 në këtë sfidë, derisa është përfshirë në 11-shen më të mirë të javës, raporton Express.

    Përveç reprezentuesit kosovar në formacionin e javës në Ligue 1 janë edhe Giggi Donnarumma, Gulbert, Oumu e Toure në defensivë.

    Sierro, Savanier, Vitinha dhe Andrey Golovin në mesfushë si dhe dyshja Dallinga dhe Balogun në repartin ofensivë.

    Në 26-të paraqitjet e këtij edicioni në Ligue 1, Zhegrova ka shënuar pesë gola e ka bërë po aq asistime. E në të gjitha garat, Edoni ka realizuar 11 gola.

    Pas 27-të xhirove, Lille gjendet i katërti në tabelë me 46 pikë të grumbulluara.