ATV

Author: ATVLive

  • ​Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

    ​Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

    Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

    Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç.

    Çfarë e shkakton autizmin? Shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Ende nuk ka të dhëna që autizmi shkaktohet nga diçka që prindërit kanë apo nuk kanë bërë para apo gjatë shtatzënisë, apo ndërsa kujdesen për fëmijën e tyre.

    Si diagnostikohet autizimi? Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.) që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme.

    Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme.

    Ndërveprimi social: Fëmijët me autizëm shpesh kanë vështirësi në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve sociale. Krahasuar me fëmijët që zhvillohen normalisht, ata të diagnostikuar me autizëm mund ta kenë më të vështirë të vendosin dhe mbajnë kontakt me sy, të përgjigjen kur u flitet në emër, të luajnë lojëra të tilla si kukafshehti, apo të përfshijnë fëmijë të tjerë në lojë. Ata mund të pëlqejnë të jenë me prindërit apo të përfshihen në lojëra aktive, por shfaqin më pak interes dhe reagim krahasuar me fëmijët e tjerë me zhvillim normal.

    Komunikimi: Fëmijët me autizëm janë përgjithësisht më të ngadaltë në përdorimin e fjalëve apo frazave të thjeshta që janë normale për atë moshë. Gjithashtu, ata kanë më pak të ngjarë të përdorin gjeste të zakonshme të tilla si të kërkuarit e diçkaje, apo të drejtojnë vëmendjen e dikujt drejt një pamje apo tingulli. Disa fëmijë mund të kenë një zhvillim gjuhësor në kohën e duhur, por mund të shfaqin kthim pas apo humbje të aftësive të komunikimit rreth moshës 18-24 muaj. Kjo humbje e aftësive mund të përfshijë ulje të interesave sociale, sikurse edhe humbje të fjalëve apo frazave të cilat i kanë përdorur më parë. Fëmijët që kanë zhvillim të gjuhës mund të shfaqin modele jo të zakonshme të të folurit, të tilla si përsëritja apo bërja jehonë e frazave që dëgjojnë nga të tjerët apo nga televizori. Ata mund të kërkojnë gjëra që dëshirojnë por e kanë shumë të vështirë të mbajnë një bisedë të thjeshtë.

    Sjelljet dhe interesat: Fëmijët me autizëm përgjithësisht shfaqin një shkallë më të kufizuar lojërash krahasuar me moshatarët e tyre, dhe shfaqin më tepër sjellje përsëritëse; për shembull, ata mund të fokusohen më tepër në rreshtimin e objekteve sesa në ushqimin e një kukulle apo arushi. Gjithashtu, ata mund të jenë të interesuar për disa objekte të caktuara apo të këmbëngulin në ndjekjen e rutinave të caktuara, apo mund të përsërisin lëvizje specifike si përplasja e duarve, hedhja apo lëvizja para-mbrapa.

    Koha: Përveç shfaqjes së diferencave zhvillimore në tri hapësirat e mësipërme, fëmijët me autizëm i shfaqin këto modele përpara moshës trevjeçare.

    Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas.

  • ​Përvjetori i lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu

    ​Përvjetori i lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu

    Më 2 prill të vitit 1879, në Trieste u lind aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.

    Në skenën gjermanishtfolëse mishëroi mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë evropiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri në bashkëkohësi.

    Karriera e tij do të niste në moshën 19-vjeçare, kur filloi të ekzekutonte role minore si “kompars” në skenën e Burgtheatër.

    Më pas u angazhua në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme do ta shpinte për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera të Evropës dhe të Amerikës Veriore.

    Në vitin 1935, në perëndim të jetës së tij, aktori kërkoi shtetësinë italiane, që u mirëprit nga autoritetet përkatëse.

    Po ashtu, si bir i një shqiptari nga Kavaja dhe një arberësheje, dëshiroi të merrte edhe shtetësinë e vendit të tij të origjinës, i cili refuzoi të plotësonte vullnetin e tij të fundit.

    Moisiu ndërroi jetë më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Në dokumente paraqiten njoftime për shfaqjet e dhëna prej tij.

  • Lëkundje të forta tërmeti ‘shkundin’ Japoninë

    Lëkundje të forta tërmeti ‘shkundin’ Japoninë

    Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi Iwate dhe Aomori në Japoninë veriore, njoftoi Agjencia Meteorologjike e Japonisë.

    Epiqendra ishte në pjesën veriore bregdetare të prefekturës Iwate, tha agjencia, duke shtuar se nuk ishte lëshuar asnjë paralajmërim për cunami. Për momentin nuk ka raportime për dëme apo të lënduar.

  • Paralajmërohen erëra të forta, mund të ketë dëme materiale

    Paralajmërohen erëra të forta, mund të ketë dëme materiale

    Sot parashihet mot me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa vonë pasdite mund të ketë shtim të vranësira dhe reshje lokale shiu, kryesisht në Rrafshin e Kosovës: zona veriore, verilindore, lindore dhe ajo disi qëndrore, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë shkarkesë elektrike.

    Era do fryjë nga kuadrati i perëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-75 km/h, ku edhe ka mundësi të ketë dëme materiale.

    Sipas MeteoKosova, temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 10 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 20°C.

  • ​Tyson rikthehet sërish në ring

    ​Tyson rikthehet sërish në ring

    Mike Tyson do të jetë 58 vjeçar kur të përballet me Jake Paul më 20 korrik në Teksas, por ai tha se fansat mesi po presin për të parë ish-kampionin e peshave të rënda në ring përsëri.

    Përplasja mes një prej luftëtarëve më të frikshëm në histori dhe boksierit të shndërruar në YouTuber, Paul, do të mbahet në stadiumin AT&T me 80,000 vende në Arlington dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Netflix .

    “Unë jam 58 vjeç dhe çfarë? Po marr miliarda shikime vetëm duke folur me dikë për të luftuar,” tha Tyson për Reuters, përcjellë KosovaPress.

    “Të gjithë, edhe shumica e sportistëve, janë xhelozë, kjo është e vërtetë. Unë them në pokën tuaj më të mirë të karrierës nuk mund t’i mblidhnji një milion njerëz. Unë do ta mbushë atë arenë me 80 mijë vende”, shtoi ai.

    ‘Iron Mike’, i cili ka një rekord 50-6 me 44 nokaute, tha se Paul e njeh interesin e qëndrueshëm të publikut për të.

    “Pse mendoni se ai dëshiron të luftojë me mua dhe jo me dikë tjetër?” tha Tyson për Paul, i cili ka një rekord 9-1 me gjashtë nokaute.

    Lufta është e para për Tyson që kur u përball me Roy Jones Jr në një ndeshje ekspozuese në nëntor 2020.

  • “Ibër – Lepenci” mbyll 2023-ën me fitim, shitja e energjisë burim kryesor i të hyrave

    “Ibër – Lepenci” mbyll 2023-ën me fitim, shitja e energjisë burim kryesor i të hyrave

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rreth 630 mijë euro është fitimi i vitit të kaluar i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”.

    Referuar raportit vjetor, vlera e të hyrave që ndërmarrja solli në total në 2023-ën, kap një vlerë prej mbi 10 milionë eurosh.

    Kurse shpenzimet e ndërmarrjes për këtë periudhë, kushtuan rreth 9 milionë e 700 mijë euro.

    Prodhimin i energjisë i solli “Ibër – Lepencit” më së shumti të hyra.

    Sipas raportit, afro tetë milionë euro nga të hyrat totale, burojnë nga shitja e energjisë së gjeneruar nga hidrocentrali në Ujman.

    “Të hyrat nga energjia elektrike kapën një shifër prej 7.818.043 euro, duke përbërë kështu 76% të të hyrave totale”, thuhet në njoftimin nga Ibër – Lepenci.

    Për çmimin e shitjes së energjisë nga kjo ndërmarrje, një muaj më parë, ka folur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Sipas saj, “Ibër Lepenci”, në bazë të një kontrate detyrohej që energjinë ta shiste me çmim të ulët.

    “Deri në vitin 2021 dhe një pjesë të 2022-tës, ka qenë një kontratë me një çmim shumë të ulët, e cila e ka pamundësuar “Ibër Lepencin” që të shfrytëzojë, që të inkasoj të hyra dhe ta shesë energjinë me kushte të tregut”, tha Rizvanolli.

    “Ibër – Lepenci”, në 2023-ën prodhoi më shumë energji, ngase kishte planifikuar.

    Ndërkaq, distribuimi i ujit, i solli ndërmarrjes mbi 2 milionë e 200 mijë euro nga të hyrat totale.

    “Të hyrat nga uji ishin 2.242.119 euro duke përbërë kështu rreth 21,87% të të hyrave totale. Kjo shumë ishte 1,93% më e lart sesa shuma e planifikuar dhe 5% më e lart sesa ajo e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet më tej në njoftimin nga Ibër – Lepenci.

    Nga sektori i ujitjes, “Ibër – Lepenci” gjeneroi mbi 150 mijë euro, duke tejkaluar synimet e paraqitura në plan të biznesit.

    Kjo shumë është për 15% më e ulët nëse krahasohet me të hyrat nga ujitja në vitin 2022.

    “Ibër – Lepenci” ka operuar me humbje për vite të tëra që nga shpallja e pavarësisë, ndërkaq, pos 2023-ës, ndërmarrja e mbylli me fitim edhe vitin 2022.

  • 25 vjet nga Masakra e Lybeniqit

    25 vjet nga Masakra e Lybeniqit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    25 vjet më parë, banorët e Lybeniqit të Pejës përjetuan tmerrin kur ushtria serbe në këtë fshat vrau e masakroi 79 banorë.

    Për t’i kujtuar të rënët, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe tek lapidari i fshatit, prej ku bëri thirrje për adresim me urgjencë të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    “Shpresoj të deponohen sa më shumë dëshmi për krimet e kryera këtu në Kosovë. Ndërkaq, sistemi të drejtësisë nga këtu i bëj thirrje edhe një herë për adresim me urgjencë të rasteve të kryera gjatë luftës, sepse këto krime asnjëherë nuk janë vjetruar, por dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar. Në Policinë e Kosovës në të kaluarën krimet e luftës janë trajtuar në kuadër të hetimeve të krimeve të rënda”, tha Kurti.

    Për masakrën e Lybeniqit shkroi edhe Presidentja Vjosa Osmani, në rrjete sociale, duke thënë se tendenca për shfarosje të popullit shqiptar nuk kurseu as Muhametin 18 muajsh dhe Leonardin 7 vjeç.

    Një prillin e 1999-ës, e përkujtoi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Madje ai tha se, sa herë që viziton Lybeniqin, një copë zemre i mbetet aty.

    Haradinaj shtoi se barbaria e shtetit fashist serb nuk kurseu askënd që i doli para. Armiku ekzekutoi mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur, nga fshatrat Lybeniq, Buçan, Rashiq, Loxhë, Kosuriq e Prilep.

  • Edhe disa muaj afat, opozita pesimiste për ndryshimin e Ligjit për Pagat

    Edhe disa muaj afat, opozita pesimiste për ndryshimin e Ligjit për Pagat

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas shpalljes si të pavlefshme të disa neneve të Ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese, kjo gjykatë i dha Kuvendit 6 muaj afat t’i bëjë ndryshimet.

    Derisa kanë mbetur edhe disa muaj kohë ligjvënësit nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë veprim në këtë drejtim. Madje, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në opozitë, nuk besojnë fare se do të ketë ndryshime.

    Megjithatë, Valon Ramadani, kryetar i Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal, tha se ka vullnet që brenda afatit të caktuar të bëhen ndryshimet.

    Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, derisa Kuvendit i kanë mbetur edhe 4 muaj afat që të ndryshojë ose plotësojë nenet.

    Pikat të cilat duhet të ndryshohen janë nenet që kanë të bëjnë me fushëveprimin, pagën bazë, shtesat, vëllimin e punës e të tjerë.

    Ligji për Pagat në sektorin publik u dërgua në Kushtetuese nga Avokati i Popullit, pas 104 ankesave të dorëzuara nga punëtorë të fushave të ndryshme, organizata e asociacione.

  • Përkundër masave, Kosova përfiton nga fondet IPA III të BE-së

    Përkundër masave, Kosova përfiton nga fondet IPA III të BE-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Edhe pse nën masa ndëshkuese, të premten, Kosova nënshkroi marrëveshje nga e cila, bashkë me Malin e Zi, do të përfitojnë afër tetë milionë euro e gjysmë nga Bashkimi Evropian.

    Ky i fundit veçse ka ndarë mjetet financiare për ujdinë ndërmjet dy shteteve për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III 2021-27.

    “Me 8.4 milionë euro të alokuara për të ardhmen, jemi të përkushtuar në nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe bashkimit në këto fusha të rëndësishme”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

    Nuk ka konfirmim zyrtar nëse kjo marrëveshje e re, në kuadër të instrumentit të para-anëtarësimit, përbën lëvizje në raport me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Shenjë shpresëdhënëse e vlerësoi këtë zhvillim politologu Fidan Ukaj.

    “Mund të jetë sinjal që BE-ja dëshiron t’i lehtësoj këto masa, me shpresën që t’i largojë, e po ashtu fondet e IPA-s të vazhdojnë të jepen edhe për projekte shumë të rëndësishme për Kosovën, të cila kanë qenë edhe më herët. Mos të harrojmë, edhe USAID ka ndarë mjete për Kosovën, dhe mund them lirisht se janë sinjale të mira, pozitive, se shumë shpejtë mund të kemi largimin e këtyre masave apo sanksioneve nga BE-ja”, tha Ukaj.

    Rreth 300 milionë euro është një vlerësim për totalin e projekteve të pezulluara –shumica në kuadër të IPA-s – si pasojë e ndëshkimit nga BE-ja.

    Në anën tjetër, blloku 27 anëtarësh po pret raportin final hetimor për 24 Shtatorin, para se të shqyrtojë vendosjen eventuale të masave për Serbinë.

    Bashkimi Evropian ende nuk ka pajtimin e brendshëm as për ndryshimet e propozuara në Kapitullin 35 të rrugës së anëtarësimit të Serbisë, konkretisht futjen si kusht të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Kosovën.

    Pengues kryesor në të dyja rastet është Hungaria, kryeministri i së cilës, Viktor Orban, në Tetor, samitin në Spanjë, kishte qeshur me kërkesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që BE-ja ta ndëshkojë Serbinë.

  • Rinisin punimet për zgjerimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Ibër

    Rinisin punimet për zgjerimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Ibër

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pesë vjet më parë, u nis rregullimi dhe zgjerimi i shtratit të lumit Ibër, në Mitrovicë.

    Por ky projekt ku përfshihej edhe shëtitorja, nuk përfundoi me kohë, ani pse premtimi i të parit të komunës që në atë kohë ishte Agim Bahtiri, projekti do të përfundonte brenda mandatit.

    Për projektin në atë kohë u ndanë 1.8 milion euro, por kjo shumë duket se nuk mjaftoi, kështu nga Komuna e Mitrovicës ndan sërish buxhet.

    “Projekti i rregullimit ka vlerën 700 mijë euro. Projekti do të ketë hapësira rekreative, do të jenë 500 trupa të ri të pemëve. Brenda kësaj vere do ta gëzojnë qytetarët e Mitrovicës, këtë projekt që do të bëjë ndryshimin e kësaj pjese”, tha drejtori i Shërbimeve Publike dhe Investimeve, Granit Tmava.

    Sipas drejtorisë së shërbimeve publike, punimet tash do të kryhen për pak muaj. Për këtë shpresojnë më së shumti banorët e lagjes “2 korriku”, që ishin të prekur nga vërshimet sa herë që kishte të reshura.

    “Më përpara na ka marrë uji, tash e janë tu e ndërtua kanalin shumë mirë”, tha një qytetar.

    “Mirë është sigurisht pasi po sigurohet edhe bazamenti duhet me kanë ma mirë tash”, tha një tjetër qytetar.

    Ky projekt pritet t’i bashkojë dy pjesët e qytetit të Mitrovicës, atë urbane me Liqenin Akumulues.