ATV

Author: ATVLive

  • Armë “Made in Albania” brenda vitit 2030?

    Armë “Made in Albania” brenda vitit 2030?

    Qeveria shqiptare duket se ka shtuar dozat e ambicies në lidhje me industrinë ushtarake dhe eksportet “Made in Albania”. Madje, duke vënë edhe një afat kohor: vitin 2030. Në fjalën e mbajtur gjatë përurimit të Qendrës së Inovacionit, të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, kryeministri shqiptar Edi Rama i kushtoi një vëmendje të veçantë rigjallërimit të të gjithë industrisë ushtarake në Shqipëri.

    Për 6 vjet eksporte ushtarake “Made in Albania”

    Pasi i tha “Po” presidentit të Ukrainës Zelensky për gatishmërinë e Shqipërisë për t’iu bashkuar një bashkëprodhimi municionesh luftarake me vendin e tij dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pas pak më shumë se një muaji kryeministri shqiptar është shprehur me terma më konkretë rreth çështjes.

    “Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania” – bëri të ditur Rama.

    Edhe këtë herë ai përmendi sërish aleatët, pa u ndalur tek ndonjë shtet specifikisht, por duke theksuar se Shqipëria synon të jetë aksionere në këtë sipërmarrje, për të marrë dhe ajo fitimet e saj.

    “Po përgatisim platformën e re të zhvillimit të industrisë ushtarake, për të nisur një valë investimesh në industrinë e mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë një vend që, jo vetëm konsumon atë që taksapaguesit japin në aspektin e mbrojtjes, që jo vetëm vë në dispozicion të Forcave të Armatosura instrumente, mjete, armë të importuara, por edhe që përmes industrisë së mbrojtjes nxjerr fitime, të cilat shkojnë në funksion të mbrojtjes përsëri dhe përmes industrisë së saj ushtarake, arrijnë që të furnizojë me prodhime të këtushme sigurisht në bashkëpunim me sipërmarrje të mëdha, serioze të vendeve aleate, nevojat e Forcave tona të Armatosura” – tha Rama.

    Platforma të reja, baza të vjetra

    Platforma e re e zhvillimit të industrisë ushtarake që synon të rigjallërojë qeveria, mbështetet në bazat dhe uzinat e vjetra ushtarake që vendi ka pasur para viteve ’90. Tashmë sytë janë kthyer sërish nga Poliçani, Gramshi dhe Mjekësi, ish-uzinat e ngritura rreth viteve 1960, që shërbyen kryesisht për prodhimin e armëve Kallashnikov, pushkë, mortaja, mina, granata, mina dhe municione luftarake.

    Gramshi dhe Poliçani u rikthyen në vëmendjen e publikut rreth dy vite më parë, kur brenda një harku të shkurtër kohor, shtetas çekë dhe rusë të prezantuar si blogerë apo turistë, u kapën duke filmuar brenda këtyre bazave. Pas ngjarjeve, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se në të dyja këto ish-uzina të vjetra ushtarake demontohet sporadikisht armatim i lehtë i sekuestruar nga policia shqiptare gjatë operacioneve policore dhe se Shqipëria nuk kishte industri aktive ushtarake./DW

  • Mërgimtarët e cilave shtete kanë dërguar më shumë para në Kosovë?

    Mërgimtarët e cilave shtete kanë dërguar më shumë para në Kosovë?

    Një nga shtyllat e ekonomisë së Kosovës pa dyshim janë remitencat e dërguara nga diaspora shqiptare

    Lidhur me dërgesat e parave në Kosovë, dhjetë vendet që kanë dërguar më shumë remitenca për një vit janë:

    Gjermania – 512.6 milionë euro

    Zvicra – 252.2 mln euro

    SHBA – 98.5 mln euro

    Austria – 62.2 mln euro

    Italia – 61.6 mln euro

    Franca – 49.9 mln euro

    Belgjika – 45 mln euro

    Suedia – 30.6 mln euro

    Britania – 30.2 mln euro

    Norvegjia – 22.9 mln euro

    Gjatë vitit 2023 janë dërguar zyrtarisht rreth 1.344.000.000 euro, sipas institutit GAP. /Albinfo.ch

  • KFOR: Jemi gati t’i marrim të gjitha masat pavarësisht nga vjen rreziku

    KFOR: Jemi gati t’i marrim të gjitha masat pavarësisht nga vjen rreziku

    KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka publikuar një video, përmes së cilës ka treguar se janë gati për t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për një mjedis të sigurt në vend.

    Në video rikujtohet se 4,600 trupa nga 28 aleatë dhe partnerë të NATO-s shërbejnë në Kosovë për ta ruajtur vijën kufitare prej 351 kilometrash me Serbinë

    “Nivel i lartë i gatishmërisë operacionale për ta parandaluar rrezikun e përshkallëzimit të ri, pavarësisht se nga vjen kërcënimi. Ne jemi të gatshëm t’i marrim të gjitha masat e nevojshme për ta vazhduar përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në videon e publikuar nga KFOR-i.

    KFOR-i rikujton si zakonisht se po vazhdon ta zbatojë mandatin e tij si reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, misionit të BE-së për sundimin e ligjit, me të cilët thotë se “punojmë në koordinim të ngushtë”.

  • ​Kuka: Edhe në Paris pres medalje nga xhudo

    ​Kuka: Edhe në Paris pres medalje nga xhudo

    Kur kanë mbetur edhe pak më shumë se 100 ditë deri Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Paris, Federata Botërore e Xhudos ka rikujtuar suksesin historik të Distria Krasniqi e cila ishte shpallur kampione olimpike në Tokio 2020 në kategorinë deri në 48 kilogramë.

    Përmes fotove është shpërfaqur suksesi i xhudistes kosovare dhe për këtë postim ka reaguar edhe trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka i cili përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se për medalje do të luftohet edhe në Lojërat Olimp0ike Parisi 2024, transmeton KosovaPress.

    Postimi i plotë i trajnerit Driton Kuka:

    Për një ditë të mirë …

    Federata Botërore e xhudos përkujton triumfin me foto të bukura të Kampiones sonë Olimpike Disit! Tash diç më shumë se 100 ditë deri te Lojërat Olimpike në Paris!. Kosova tashmë i ka tri medalje olimpike me sportin e xhudos, shpresoj në medalje edhe në Paris.

    Ndryshe, Lojërat Olimpike do të zhvillohen nga 26 korrik deri më 11 gusht të këtij viti.

  • ​Nesër nis regjistrimi i popullsisë, për herë të parë regjistrohen dëmet nga lufta

    ​Nesër nis regjistrimi i popullsisë, për herë të parë regjistrohen dëmet nga lufta

    Kur ka mbetur edhe një ditë të fillojë procesi për regjistrimin e popullsisë, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të gjitha përpjekjet që ky proces të fillojë kësaj radhe me kohë. Kështu bënë të ditur zyrtarja e lartë për komunikim me publikun në Agjencinë për Statistika të Kosovës, Hazbije Qeriqi, e cila thotë se presin të dhëna cilësore.

    Qeriqi në një intervistë për KosovaPress, thotë se ASK tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar një proces të mbarë të regjistrimit të popullsisë që do të fillojë me 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti.

    Derisa ka treguar më shumë detaje për këtë proces, Qeriqi thotë se diaspora është obliguar të plotësojë pyetësorët online.

    “ASK tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar një proces të mbarë të regjistrimit të popullsisë që do të fillojë më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti…Në këtë proces të regjistrimit janë pyetësorët e veçantë…me pyetësorin ER 1, do të regjistrohen të gjitha ndërtesat, të gjitha objektet mbi tokë në gjithë territorin e Kosovës. Ndërkohë, që me pyetësorin ER2, do të regjistrohen të gjitha ekonomitë familjare, shtëpitë, banesat dhe kushtet e jetesës në të cilat jetojnë qytetarët e Kosovës. Pastaj vjen pyetësori ER3, që do të përfshijë pyetësorë individual, d.m.th secila familje do t’i plotësojë pyetësorët individual për anëtarët e familjes së saj. Ndërkaq, pyetësori ER4, është një pyetësor i veçantë që për herë të parë futet në regjistrimin e popullsisë, që është për dëmet nga lufta, në njerëz dhe demet materiale. Pastaj vjen pyetësori ES1, që është për popullatën që jetojnë jashtë Kosovës për diasporën tonë, si dhe janë dy pyetësor të tjerë, që janë banesat kolektive dhe me këto banesat, personat që jetojnë në burgje, shtëpia e pleqve e kështu”, deklaron Qeriqi.

    Për dallim nga vitet e kaluara, Qeriqi shprehet se këtë vit intervistat bëhen përmes pyetësorëve elektronik dhe jo vetëm në letër siç ka qenë më herët, derisa shton se presin të marrin të dhëna më cilësore.

    “Nga ky regjistrim ne presim që do t’i marrim të dhënat më cilësore se në regjistrimin e kaluar, për shkak se për dallim prej regjistrimit të kaluar kur pyetësorët kanë qenë vetëm në letër dhe janë bërë intervistat me shkrim, tani intervistat bëhen përmes pyetësorëve elektronik, tableteve. Ne kemi përgatitur edhe harta digjitale, tabletet janë siguruar, janë instaluar programet dhe në momentin kur regjistruesi e kryen një intervistë, atëherë kontrollohet nga mbikëqyrësi i tij dhe automatikisht ato të dhëna vinë në serverët tanë në qendër dhe nuk mund të bëhen më ndryshime kur aprovohen. Kjo na si8guron neve që kemi marrë të dhëna siç janë deklaruar qytetarët”, shton Qeriqi.

    Sa i përket komunave në veri të vendit, Qeriqi thotë se janë bërë përgatitjet e nevojshme, megjithatë shton se në atë pjesë të Kosovës mund të fillojë me disa ditë vonesë.

    Sipas saj, periudha prej gjashtë javësh është e mjaftueshme të regjistrohen të gjitha komunitetet, përfshirë shumicën dhe pakicat.

    “Edhe në atë pjesë ne kemi bërë përgatitjet për gjithë territorin e Kosovës dhe kësaj radhe kemi regjistrues që kanë aplikuar të punojnë si regjistrues, kanë ap0likuar të punojnë edhe si mbikëqyrës dhe i kanë kryer trajnimet. Deri më tani procesi është duke shkuar normalisht dhe ne po presim që edhe qytetarët do t’i përgjigjen thirrjes sonë për të marrë pjesë në regjistrim…Besoj se po (fillon me datën 5) meqenëse ata kanë kërkuar edhe një trajnim shtesë, ndoshta mund të merr kohë disa ditë derisa ë trajnohen edhe njëherë disa persona. Por, sigurisht se periudha prej gjashtë javësh, nga 5 prilli deri me 17 maj është e mjaftueshme që brenda këtij afati kohor të regjistrohen të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe shumicat dhe pakicat”, thotë Qeriqi.

    Sa i përket diasporës, ajo thotë se është e obliguar të bëjë regjistrimin përmes pyetësorëve online, pa qenë e obliguar të jetë prezentë këtu.

    “Diaspora jonë është e obliguar që të bëjë regjistrimin e tyre përmes pyetësorëve online. Kemi pyetësorin ES1 që me deklarimet e familjareve regjistrohen ata. Ata do të regjistrohen si banorë jo rezident të Kosovës, ndërkaq me pyetësorët tanë do të mblidhen të dhënat e banoreve rezident”, thotë Qeriqi.

    Nga fluksi i madh i punës, Qeriqi thekson se janë detyruar të punojnë përtej orarit, madje siç thotë ajo edhe vikendeve.

    “Meqenëse ne kemi filluar që në 2019, shumica e punëve siç janë legjislacioni, pastaj pyetësorët dhe punët tjera, përgatitjet teknike janë bërë, janë bërë tre teste dhe një pilot në terren. Ndërkohë, që kohët e fundit që kur kanë filluar edhe trajnimet me mbikëqyrës fillimisht me stafin e statistikës, pastaj me një ekip të veçantë si ekspert të fushës, trajnimet me mbiçkyrës, me regjistrues, ne kemi filluar që të punojmë edhe jashtë orarit të punës, sidomos edhe vikendeve, dhe festave. Pra, këta muajt e fundit, ne vazhdojmë të punojmë jashtë orarit të punës dhe vikendeve. D.m.th nuk kemi orar, punojmë edhe nga shtëpia, punojmë edhe në zyre”, thotë Qeriqi.

    Ndryshe, regjistrimi i popullsisë është shtyrë disa herë përgjatë viteve të fundit në Kosovë./kp

  • Më 11 prill mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 2024

    Më 11 prill mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 2024

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se më 11 prill 2024 do të mbahet ankandi i katërt i letrave me vlerë për vitin 2024.

    “Në këtë ankand, do të emetohen obligacione me maturitet 3 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga ministria thuhet se investimi në obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen 3 vite dhe është tërësisht i liruar nga tatimi.

  • Sulmi në Finlandë, një nga të plagosurit është nga Kosova

    Sulmi në Finlandë, një nga të plagosurit është nga Kosova

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Alisa Seferi, nga Kosova, është njëra nga dy të plagosurit nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë në Finlandë.

    ATV-ja mëson se 12-vjeçarja ka marrë plagë serioze në kokë dhe si pasojë e kësaj ajo është në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Gazetari shqiptar në Finlandë, Mentor Dreshaj, i cili është autorizuar nga familja Seferi, të flasë për rastin, meqë prindërit janë në gjendje të rëndë emocionale, thotë për ATV-në, se shëndeti i 12-vjeçares nuk ka ndonjë përmirësim.

    “U takova me prindin edhe vajza e ka gjendjen kritike edhe i ka pytë mjekët a ka pas ndonjë përmirësim edhe mjekët i kanë thanë që asnjë përmirësim nuk e ka pasë”, tha Dreshaj.

    Në klasë kishte edhe nxënës të tjerë shqiptarë, por që fatmirësisht nuk ka të tjerë të plagosur.

    “Kanë qenë edhe tjerë shqiptarë, nuk është e vetmja shqiptare që ka pasë. Tjerë s’ka të lënduar po të gjithë çka kanë qenë aty e kanë parë rastin. Normal që psiqikisht jonë krejt të rënduar, ani pse janë tash në shtëpi”, tha Dreshaj.

    Sipas autoriteteve të rendit në Finlandë, sulmi është si pasojë e bullizmit ndaj të miturit, tashmë të dyshuar e të arrestuar.

    “Policia e Finlandës ka thënë se dorasi që ka gjuajtë, sipas deklaratës ai paska pasë problem sepse kinse e kanë bullizuar në shkollë dhe për atë, e ka bo këtë veprim”, tha Dreshaj.

    Për rastin ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkëndije Geci-Sherifi.

    “E pikëlluar thellë për tragjedinë në Finlandë. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje tragjike. Bashkëndiej me familjarët e të plagosurve, në mesin e të cilëve është edhe një vajzë nga Kosova. Lutem që të shërohen dhe jemi me ta në këto momente të vështira!”, ka shkruar ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkendije Geci- Sherifi.

    Gjithashtu, ngushëllime familjes së të ndjerit dhe shërim të shpejtë dy vajzave të plagosura u ka shprehur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën X.

    Sulmi me armë zjarri ndodhi të martën rreth orës 9:00, në njërën nga shkollat fillore në Vanta të Finlandës, me ç’rast një 12-vjeçar u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Sipas policisë, arma e cila u përdor ka qenë me leje dhe i takon një të afërmi të të dyshuarit, po ende nuk dihet se si ajo ka arritur të përfundojë në duart e 12-vjeçarit.

  • Policia sot shqiptoi gjobat e reja ndaj shkelësve të rregullave

    Policia sot shqiptoi gjobat e reja ndaj shkelësve të rregullave

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Patrullimet e policisë ishin të zakonshme, por jo edhe dënimet.

    Qytetarët që thyen rregullat e trafikut, këtë të mërkurë morën gjoba më të larta se më herët.

    Policia nis menjëherë zbatimin e Ligjit të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor që hyri në fuqi sot më 3 prill.

    “Kemi vazhduar menjëherë qysh mbrëmë në mesnatë edhe ndëshkimin e kundërvajtësve, por ka vazhduar edhe largimi i automjeteve, sidomos atyre që janë të paregjistruara”, tha drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi.

    Ndryshimi i gjobave për nga vlera monetare sipas nënkolonelit Jeton Rexhepi, erdhi si shkak i numrit të madh të aksidenteve në trafik.

    “Janë analizuar shkaktarët e aksidenteve, janë analizuar kundërvajtjet më të shpeshta, janë marrë për bazë edhe numri i aksidenteve në trafik me lëndime dhe persona të vdekur, andaj bazuar në të gjitha këto analiza e statistika dhe vlerësime sa i përket zbatimit të ligjit është parë e nevojshme dhe e domosdoshme që ligji i vjetër të hyjë në plotësim-ndryshim”, tha Rexhepi.

    Me këto ndryshime pajtohen edhe qytetarët, megjithëse propozojnë edhe forma të tjera që do mund të ndikonin në parandalimin e aksidenteve.

    “E përkrahi shumë edhe ndoshta ka me ndiku shumë, por ndëshkimet janë të vogla sidomos për telefon e kisha bo 1000 euro”, tha Latif Kaqandolli, qytetar.

    “Duhet më shumë me vendosë kamera me fotografu shpejtësinë se p.sh. kur dalin në autostradë s’ka kamera edhe bëhen aksidente”, tha Xhevdet Kaqiu, qytetar.

    Me ligjin e ri, qytetarët për mosvendosje të rripit të sigurisë do të dënohen me 150 euro, ndërkaq ata që përdorin telefonin gjatë vozitjes do të dënohen deri në 500 euro dhe marrje të patentës për një vit.

    Gjoba pothuajse të njëjta do të marrin edhe ata që bëjnë gara me makina dhe ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.

  • Përfshihet nga zjarri nënstacioni i KOSTT-it “Prishtina 3”

    Përfshihet nga zjarri nënstacioni i KOSTT-it “Prishtina 3”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Nënstacioni i Operatorit të Transmisionit dhe Tregut “Prishtina 3” u përfshi nga zjarri, në mëngjesin e së mërkurës. Flakët u nisën nga bodrumi, por i dëmtuan edhe katet e sipërme të ndërtesës.

    Megjithatë, nuk pati të lënduar.

    Krahas vështirësive në intervenim, zjarri u fik.

    “Reagimi ka qenë i shpejtë, mirëpo problemi është se zjarri i cili ka ndodhur këtu është bukur problematik për faktin se gjendet në pjesën e poshtme në podrum dhe është i mbuluar sipër me pllaka”, tha Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës.

    Për shkak të kësaj, disa pjesë të kryeqytetit mbetën pa rrymë që nga mëngjesi.

    “Nga KEDS-i kanë njoftuar se intervenimi për rregullimin e problemit është i pamundur, ngase institucionet relevante janë duke bërë vlerësimin”, tha Lulzim Fushtica nga drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës.

    “Njoftojmë konsumatorët se pas zjarrit në Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT, që furnizon kryesisht qendrën e qytetit të Prishtinës, se ekipet e KEDS-it, edhe pse në gatishmëri, për momentin e kanë të pamundur për të intervenuar, meqenëse aty gjenden institucionet relevante shtetërore duke bërë vlerësimin e gjendjes dhe verifikimet e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it.

    Shkaqet që çuan deri te shpërthimi i zjarrit në Nënstacionin Prishtina 3, ende nuk dihen.

  • Një vit nga nisja e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Një vit nga nisja e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në orën 10:00 të 3 prillit 2023, nisi gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së, të cilët nga banka e të akuzuarve u deklaruan të pafajshëm.

    Jashtë mureve të Speciales, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi morën mbështetje nga bashkatdhetarë.

    Nga ajo kohë, përballë të akuzuarve për krime lufte u dhanë dhjetëra dëshmi.

    “Kanë dëshmuar më shumë se 50 dëshmitarë. Tani numri është 140”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Sipas monitoruesve, procesi nuk shkoi sipas afateve kohore.

    “Mund të flasim për mosplanifikim. ZPS-ja dhe mbrojtja nuk i kanë planifikuar mirë dëshmitë. Kjo mund të ndikojë në zvarritje të procesit”, tha Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    “Me këtë ritëm, atëherë prokurorisë do t’i duhet së paku edhe 2 vjet për t’i dëgjuar dëshmitarët”, tha Amer Alija.

    Përveç vonesave, Instituti i Kosovës për Drejtësi e Fondi për të Drejtën Humanitare kanë identifikuar edhe disa probleme të tjera.

    “Kemi raste kur dëshmitarët kanë folur shqip dhe ndonjë fjalë nuk është përkthyer”, tha Astrit Kolaj.

    “Më shumë se 55 për qind e dëshmitarëve kanë dhënë dëshmi në seanca të mbyllura. Sigurisht redaktimi i tepërt ndikon te opinioni publik, sepse qytetarët nuk kanë qasje”, tha Amer Alija.

    Në muajin nëntor, krerëve të UÇK-së iu kufizuan vizitat e telefonatat.

    “Vizitat nuk janë ndalu komplet. Janë kufizuar. Të akuzuarve do t’u mundësohet vizita e personave të tretë, por me mbikëqyrje strikte, për shkak të ruajtjes së dëshmitarëve”, tha Alija.

    Derisa vazhdonin dëshmitë, zyrtarë të dhomave të specializuara gjatë vitit kryen bastisje për të siguruar edhe të tjera prova.

    “Konsideroj se ZPS duhet të jetë më transparente. Kuptohet pa ndikuar në proces” tha Astrit Kolaj.

    Në fillim të vitit 2024, Ministria e Drejtësisë kishte kufizuar pagesat për mbrojtjet e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara.

    Ndërsa, më 14 shkurt, Thaçi mbeti pa avokatin Gregory Khoe, i cili ishte i angazhuar privatisht. Juristi i cili u tërhoq nga mbrojtja për shkak se familja e ish-presidentit nuk pati më mundësi financiare ta paguante.