ATV

Author: ATVLive

  • Një burrë gjendet i vdekur në ballkonin e banesës në Fushë Kosovë, dyshohet për vetëvrasje

    Një burrë gjendet i vdekur në ballkonin e banesës në Fushë Kosovë, dyshohet për vetëvrasje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë Kosovë, ku një burrë ka humbur jetën pasi dyshohet se vendosi t’i japë fund jetës së tij. Viktima është gjetur pa shenja jete në ballkonin e banesës.

    Sipas informacioneve të para, bëhet e ditur se vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

    Lidhur me rastin, njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion, ndërsa të iniciohet rasti ‘Hetim i vdekjes’.

  • Kurti: Derisa në ushtrinë serbe gjendeshin rusë, në UÇK kishte ushtarë nga Evropa

    Kurti: Derisa në ushtrinë serbe gjendeshin rusë, në UÇK kishte ushtarë nga Evropa

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se shembja e kufirit të padrejtë që ndante Kosovën dhe Shqipërinë, sa strategjike kishte edhe rëndësi historike e kombëtare, raporton EO.

    Ai ka folur për sulmet që UÇK-ja i bëri bazave Jugosllavisë.

    Ai ka shtuar se politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia.

    “Respektimi i traditave shoqërore dhe historisë së popullit janë parime dhe praktika shoqërore në kulturën e ndërtimit të një shteti modern. Politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia. Në mes të këtij vitit do të përmbushet një çerek shekulli kur vendi ynë u çlirua nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Sot në vigjilje të përvjetorit të 25 të Betejës së Koshares le ta kujtojmë me nderime të merituara këtë betejë. Lufta për shembjen e kufirit kishte rëndësi sa strategjike e operative aq edhe historike e kombëtare. Kur e vizitojmë kompleksin memorial, Beteja e Koshares, e gjejmë edhe Agim Ramadanin nga Zhegra e Gjilanit edhe Sali Çekaj nga Peja”, ka thënë ai.

    Kurti është shprehur tutje se derisa në ushtrinë serbe gjendeshin rusë, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kishte ushtarë nga Evropa.

    “Meqë Beteja e Koshares ishte një luftë e betejës për liri gjejmë dëshmorë edhe nga Italia, Franca e Algjeria. Derisa nga radhët e ushtrisë serbe gjenim ushtarë rusë, në radhët e ushtrisë së UÇK-së gjenim ushtarë nga Evropa dhe jo vetëm”, ka thënë kryeministri.

  • ​Kosova nuk ndryshon pozitë në ranglistën e re të FIFA-së

    ​Kosova nuk ndryshon pozitë në ranglistën e re të FIFA-së

    Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA ka publikuar sot ranglistën e re në nivel të kombëtareve. Në këtë renditje, Kosova nuk ka lëvizur nga vendi që ishte deri më tani. “Dardanët” janë të pozicionuar në vendin e 12-të me 1205 pikë.

    Muajin e kaluar, Kombëtarja e Kosovës i zhvilloi dy ndeshje miqësore. Më 22 mars fitoi me rezultat 1:0 kundër Armenisë në Jerevan, ndërsa më 26 mars në Budapest u mposht nga Hungaria me rezultat, 2:0.

    Në top 5-shen më të mirë janë Argjentina, Franca, Belgjika, Anglia dhe Brazili.

  • Trupi gjykues i shqetësuar për mospraninë e të akuzuarve në sallën e gjyqit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Trupi gjykues i shqetësuar për mospraninë e të akuzuarve në sallën e gjyqit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është shprehur i shqetësuar me mosprezencen fizike në sallën e gjyqit të të akuzuarve.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se sipas rregullave, të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë gjyqësore me përjashtim të disa rasteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Jemi të shqetësuar me mosprezencen e të akuzuarve në sallën e gjyqit kur kemi gjykim. Ne besojmë se të akuzuarit me rregull duhet të jenë fizikisht të pranishëm në sallën e gjyqit kur paraqiten prova me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme kur mund t’i ndjekin përmes video-lodhjes”, tha Smith III.

    Ai tha se edhe në rastet kur merret leje për mospraninë fizike në sallë, të akuzuarit nuk japin ndonjëherë arsyetime për këtë gjë.

    “Kur marrin leje për të mos qenë të pranishëm nuk ka ndonjëherë arsyetim se pse nuk janë të pranishëm. Ne mbështetemi në rregullën 168/1 ku thuhet se të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligji dhe nga rregullorja”, tha kryetari i trupit gjykues.

    Smith III tha se duhet të plotësohen disa kushte që të urdhërohet që gjykimi të bëhet pa praninë e të akuzuarve.

    “Sigurisht që trupi gjykues mendon që të akuzuarit ndonjëherë mund të mos jenë të pranishëm nëse lind nevoja dhe këtë mund ta bëjnë përmes avokatit të tyre. Rregulla 168, pika 4 thotë: Kur të akuzuarit nuk duan të paraqiten, atëherë trupi gjykues mund të urdhëroj që gjykimi të bëhet pa praninë e të akuzuarve, por duhet të plotësohen disa kushte për këtë. Kërkesat që ne marrim këtu, nuk janë më shumë refuzime, por më shumë parapëlqime të të akuzuarve ta ndjekin gjykimin përmes videolidhjes. Sigurisht kur ka arsye të vlefshme kjo lejohet dhe ne e kuptojmë që prania e të akuzuarve mund të mos jetë e nevojshme kur edhe dëshmitari është përmes video-lidhjes apo kur në sallën e gjyqit do të diskutohen aspekte që nuk lidhen drejtpërdrejtë me dëshmitarët”, tha ai.

    “Urdhërojmë pra që të gjitha kërkesat për të mos marrë pjesë në sallën e gjyqit gjatë gjykimeve të kenë një arsyetim të kënaqshëm pse të akuzuarit nuk do të jenë të pranishëm. Pra, të kenë arsyeje të vlefshme. Leje të tilla i duhet t’i paraqiten trupit gjykues brenda 24 orësh para gjykimit, përndryshe nuk do të lejohen të tilla situata më”, tha gjyqtari Smith III.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Konjufca: Beteja e Koshares shënon një përbashkim të lartë kombëtar, u zhvillua krah për krah me NATO-n

    Konjufca: Beteja e Koshares shënon një përbashkim të lartë kombëtar, u zhvillua krah për krah me NATO-n

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Beteja e Koshares ia ka ndërruar fizionominë UÇK-së.

    Konjufca ka deklaruar se Beteja e Koshares shënon përbashkim të lartë kombëtar dhe se operacioni u zhvilluar krah për krah me NATO-n për ndalimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë.

    “Kjo betejë mund të themi që ia ndërroi fizionominë UÇK’së si një ushtri tashmë e aftë të ndërmerrte operacione ushtarake në shkallë të gjerë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë. Pra Beteja e Koshares do të vlerësohet për cilësitë e saj të larta të një beteje të lavdishme e realizuar si një operacion luftarak i paparë deri atëherë nga UÇK.”

    “Kjo betejë shënon një përbashkim të lartë kombëtar, një gjithpërfshirje të të gjitha trevave e luftëtarëve që merrnin pjesë nga të gjitha viset e kombit tonë, duke përfshirë edhe mërgatën tonë e bënë këtë betejë një nga betejat më domethënëse në kuptimin e mobilizimit gjithëkombëtar shqiptar për çlirimin e Kosovës sepse në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria”, tha Konjufca.

  • Osmani: UÇK dëshmoi shpirtin dhe guximin e paepur për lirinë tonë

    Osmani: UÇK dëshmoi shpirtin dhe guximin e paepur për lirinë tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Beteja e Koshares ishte pikë kthese për popullin kundër regjimit gjenocidal serb. Ajo ka theksuar se luftëtarët e kësaj beteje dhanë gjithçka për atdheun dhe realizuan ëndrrën shekullore, raporton EO.

    Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, Osmani ka thënë se njëzet e pesë vjet më parë, ne qëndruam në një udhëkryq ekzistencial të krijuar nga padrejtësia, shtypja, tirania, por mbi të gjitha nga tendenca e regjimit gjenocidal i Serbisë për shfarosje të popullit tonë.

    “Megjithatë, ditëm të mobilizohemi të gjithë në një front të përbashkët, gra e burra, duke mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën tonë për liri dhe shtet. Sot, jemi këtu për të nderuar guximin dhe përkushtimin e vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët dëshmuan shpirtin dhe guximin e paepur për lirinë tonë, për Republikën tonë”, ka thënë Osmani.

    “Kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova. Kjo rezistencë paqësore për gati një dekadë, ka sfiduar padrejtësinë e regjimit kriminal serb, ka bashkuar të gjithë shqiptarët rreth kauzës për liri, pavarësi e demokraci dhe është shndërruar në frymëzim për botën duke shënuar kthesë si rezistenca paqësore me efektin më të madh në historinë moderne sepse si rezultat pati jo vetëm bashkimin e shqiptarëve në një qëllim, por edhe ndërtimin e aleancave të fuqishme të cilat na dolën në ndihmë duke parandaluar pikërisht shfarosjen që synonte regjimi serb”, u shpreh Osmani.

    E para e vendit theksoi se filozofia e mbrojtjes së pragut të shtëpisë gradualisht u transformua në një nevojë të domosdoshme për mbrojtje të përgjithshme të shtëpisë sonë- Kosovës.

    “Ndaj nga pragu i shtëpisë së tij, kryeheroi ynë, Adem Jashari bashkërisht me familjen i priu luftës në mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtës sonë për liri”, tha ajo.

    Duke shtuar se ata ranë në altarin e lirisë dhe tashmë janë flakadan i përhershëm i lirisë dhe shtetit tonë.

    “Pjesëmarrja në luftën tonë për liri nuk pati kufij gjeografik për shqiptarët kudo që ndodheshin ata. Prandaj, natyrshëm, varganit të luftëtarëve të lirisë iu bashkua edhe mërgata jonë dhe shumë luftëtarë nga Shqipëria e viset e tjera shqiptare. Shumë veprimtarë të hershëm të rezistencës kombëtare, shumë eprorë e profesionist ushtarakë pas përgatitjeve iu bashkuan radhëve të ushtrisë sonë çlirimtare”, theksoi ajo.

    Sipas saj, pas betejës së suksesshme të Loxhës, e cila u zhvillua më 1998, disa njësite të UÇK-së, të fuzionuara në Brigadën 138, u riorganizuan dhe u përgatitën për operacionin më të madh ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur më pas si Beteja e Koshares, e cila shënoi njërën ndër betejat më të suksesshme të luftës së UÇK-së kundër forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë.

    “Në këtë betejë, të filluar më 9 prill 1999, Grupi Operativ 3, nën udhëheqjen e oficerëve të rryer ushtarakë profesionist, si: Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Anton Quni dhe shumë të tjerë, arritën që ta realizojnë thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Pas dy ditë luftimesh të ashpra, në fushë të nderit ra strategu i papërsëritshëm ushtarak, frymëzuesi i gjithë luftëtarëve, piktori, poeti, e artisti shumëdimensional, Agim Ramadani –Komandant Katana, me emrin e të cilit më pas u pagëzua Brigada 138. Megjithëse humbje e madhe për luftën, rënia e Komandantit Agim Ramadani, shtoi forcën, motivin dhe vendosmërinë që idealin dhe amanetin e tij, bashkëluftëtarët ta qojnë deri në fund”, theksoi Osmani.

  • Zhduken një burrë dhe një grua në rajonin e  Ferizajt

    Zhduken një burrë dhe një grua në rajonin e Ferizajt

    Janë raportuar të zhdukur dy persona dje në rajonin e Ferizajt.

    Sipas policisë, një burrë u raportua i zhdukur në Kaçanik. I njëjti që nga dhjetori i vitit 2023 është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihet asgjë për vendnodhjen e tij.

    “Kaçanik. 03.04.2024-NN. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se viktima mashkull kosovar, nga dhjetori i vitit 2023 është larguar në drejtim të panjohur dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, në Ferizaj është raportuar e zhdukur një grua.

    ”Ferizaj 02.04.2024-18:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, njofton tutje policia.

  • 75-vjetori i NATO-s, Haradinaj: Synimi ynë i vazhdueshëm është anëtarësimi në NATO

    75-vjetori i NATO-s, Haradinaj: Synimi ynë i vazhdueshëm është anëtarësimi në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se synimi ynë i vazhdueshëm i Kosovës është anëtarësimi në Aleancën më të fuqishme të sigurisë e të paqes në Glob-NATO.

    Kështu ka thënë Haradinaj në 75-vjetorin e NATO-s, derisa ka uruar vendet aleate.

    “NATO, si garant i sigurisë e i paqes, sot shënon 75 vjetorin e saj. Në jubileun e 50-të, NATO në operacionin e saj më të madh ushtarak, ishte vënë në shërbim të mbrojtjes së popullit të Kosovës, ndërsa sot në 75 vjetorin e saj, vazhdon të jetë gardian i paqes në këtë pjesë të Ballkanit”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se Kosova është e bekueme e populli i saj përjetë mirënjohës-NATO-s, të udhëhequr nga SHBA.

    “Kosova është e bekueme e populli i saj përjetë mirënjohës-NATO-s, të udhëhequr nga SHBA, për rolin jetik që pati në lirinë e Kosovës, e sot në ruajtjen e paqes, aq të brishtë, në këtë pjesë të Ballkanit. Synimi yni i vazhdueshëm është, anëtarësimi në Aleancën më të fuqishme të sigurisë e të paqes në Glob-NATO. Urimet më të mira për të gjithë pjesëtarët e kësaj Aleance, kudo ku janë nëpër Botë!”, është shprehur Haradinaj.

  • “Vrasje me pagesë” arrestohen dy të dyshuar që planifikuan vrasjen e një perrsoni në vitin 2023

    “Vrasje me pagesë” arrestohen dy të dyshuar që planifikuan vrasjen e një perrsoni në vitin 2023

    Dy persona janë arrestuar pasi në muajin tetor-nëntor të vitit 2023, njëri i dyshuar i kishte dhënë para personit tjetër në mënyrë që ta kryente një vrasje.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti është cilësuar si “Përgatitje për vrasje të rëndë”.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që në muajin tetor – nëntor të vitit 2023, njëri i dyshuar i kishte dhënë para të dyshuarit tjetër në mënyrë që ta kryente vrasjen e viktimës mashkull kosovar, ose t’i shkaktonte dëme të mëdha”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, pas intervistimit me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Seanca për Betejën e Koshares nis me himnin shtetëror e kombëtar

    Seanca për Betejën e Koshares nis me himnin shtetëror e kombëtar

    Ka nisur seanca solemne në nderim të Betejës së Koshares, e cila filloi me himnin shtetëror dhe atë kombëtar dhe një minutë heshtje për të rënët e kësaj beteje.

    Ish-komandantë, ish-luftëtarë e familjarë të dëshmorëve janë të ftuar në seancën solemne, në nderim të 25 vjetorit të Betejës së Koshares

    Në mesin e të ftuarve janë ish-komandanti Rrustem Berisha, Xhafer Gashari, gruaja e heroit dhe Agim Ramadani, vëllai i heroit Fehmi Lladrovcit, Ramizi e figura të tjera.

    Në këtë seancë po merr pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Seanca solemne në nderim të 25-vjetori të Betejës së Koshares ishte paraparë të nis në ora 10:00, por ajo ka nisur me gjysmë ore vonesë.