ATV

Author: ATVLive

  • Zyrtarë të AAPSK-së në vilën e Radojiçiq, nisin identifikimin e pasurisë së sekuestruar

    Zyrtarë të AAPSK-së në vilën e Radojiçiq, nisin identifikimin e pasurisë së sekuestruar

    Përgatiti: Nora Luta

    Në përcjellje të policisë, të mërkurën në vilën e sekuestruar të Milan Radojiçiqit në veri erdhën zyrtarë të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

    Ata u kujdesën të ekzekutojnë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka nxjerrë urdhër ndalues përfundimtar.

    Për më shumë se dy orë, zyrtarët e AAPSK-në kryen matjet gjeodezike dhe kontrollet e tjera të nevojshme në vilen që ndodhet buzë liqenit të Ujmanit.

    Gjykata ka nxjerrë urdhrin pas kërkesës së prokurorit, i cili do të mbetet në fuqi deri në ndryshimin apo shfuqizimin e tij nga ndonjë urdhër tjetër i gjykatës.

    Vendimin e gjykatës së shkallës së parë e ka vërtetuar edhe Apeli, e cila ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Radojiçiqit.

    “Neni 265 që flet për urdhrin ndalues përfundimtar, paragrafi 5 i Kodit të Procedurës Penale thotë se ndalohet ndërmarrja e çfarëdo veprimi lidhur me pasurinë e specifikuar në urdhër” thuhet në Vendim.

    Ndërkohë vilën do të vazhdojë ta sigurojë Njësia Speciale e Kosovës për Reagim të shpejtë.

    Për nisjen e zbatimit të urdhrit të Gjykatës, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska, e ka konfirmuar për ATV zv.drejtori i përgjithshëm i Agjencisë, Enver Krasniqi.

    “Ju informojmë se sot zyrtaret e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë se sekuestruar dhe të konfiskuar – AAPSK kanë filluar ekzekutimin e Urdhrit Ndalues përfundimtare me masë të përkohshëm për administrimin e pasurisë se specifikuar tek Administruesi i Pasurisë të nxjerre nga Gjykata Themelore – Departamenti Special në Prishtine, të Vërtetuar me Aktvendim nga Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special. Agjencia ka filluar evidentimin e pasurive të përshkruara në Urdhrin e lartcekur ndër to edhe Vila tek Ujmani në Zubin Potok me objekte përcjellëse, ne pajtim me Ligjin për Administrimin e Pasurisë se Sekuestruar dhe te Konfiskuar dhe Urdhrin e Gjykatës”, tha Krasniqi.

    Ndërsa pasdite në rrjete sociale njoftoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Kolegu i Haxhiut, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, disa javë pas sekuestrimit të vilës milionëshe, pati thënë se ajo do të jetë në shfrytëzim të Policisë.

  • ​Meta përballet me reagime për mesazhet private të Facebook me Netflix

    ​Meta përballet me reagime për mesazhet private të Facebook me Netflix

    Kompania mëmë e Facebook, Meta, po përballet me reagime të forta përmes mediave sociale mes pretendimeve se ka ndarë mesazhet private të përdoruesve me Netflix.

    Dokumentet në një padi të ngritur kundër Metës në SHBA të martën thanë se kompania dyshohet se i ka dhënë Netflix qasje në mesazhet private të përdoruesve të Facebook për rreth një dekadë.

    Zbulimi shkaktoi zemërim në internet për ndarjen e mesazheve të përdoruesve të Facebook me Netflix, pas raportimeve për një marrëveshje me vlerë disa qindra milionë dollarë mes Meta dhe kompanisë së transmetimit.

    Elon Musk, CEO i Tesla dhe SpaceX, u shpreh i habitur për X. Por drejtori i komunikimit të Metës, Andy Stone, sqaroi në X se mesazhet private nuk u ndanë me Netflix.

    Stone tha se marrëveshja midis Netflix dhe Meta i lejoi përdoruesit të ndajnë përmbajtjen që shikonin drejtpërdrejt nga aplikacioni Netflix me miqtë e tyre në Facebook dhe ai theksoi se marrëveshje të tilla janë të zakonshme në industri.

  • Sulmi në Banjska, nis zbatimi i urdhrit ndalues për pasurinë e Radoiçiqit në veri

    Sulmi në Banjska, nis zbatimi i urdhrit ndalues për pasurinë e Radoiçiqit në veri

    Ministria e Drejtësisë, përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska më 24 shtator të vitit të kaluar.

    Agjencia ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në urdhrin në fjalë, duke përfshirë edhe vilën e cila konsiderohej të ketë qenë e kryekriminelit, Milan Radojiçiq te Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera, në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe me urdhrin e gjykatës, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

    Milan Radoiçiq publikisht ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Ai ndodhet në Serbi dhe endet i lirë, ndërsa po kërkohet edhe nga Interpoli.

  • ​Votimi në veri, KQZ zgjat afatin për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

    ​Votimi në veri, KQZ zgjat afatin për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori sot vendim për zgjatjen e afatit për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që do të mbahet më 21 prill 2024.

    Ky afat, që sipas planit të aktiviteteve ishte paraparë të përfundonte më 3 prill, sipas vendimit të KQZ-së është shtyrë deri më 5 prill 2024. Sipas KQZ-së, ky vendim ka për qëllim t’i ofrojë më shumë kohë shtetasve të Kosovës me të drejtë vote dhe që janë të interesuar të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

    Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se deri më 2 prill kanë pranuar vetëm dy kërkesa për regjistrim përmes platformës elektronike.

    “Kjo është për të gjithë shtetasit që jetojnë jashtë Kosovës dhe kanë mundësi të regjistrohen përmes platformës elektronike apo të planifikojnë përmes postës. Nga shërbimi votues raportohet se deri më datën 2 prill përmes platformës elektronike kemi pranuar vetëm dy kërkesa për regjistrim”, tha ai.

    Në anën tjetër, KQZ-ja mori vendim edhe për miratimin e përmbajtjes së fletëvotimi dhe pyetjes që do t’u parashtrohet votuesve me 21 prill në fletëvotim.

    “Miratohet fletëvotimi i tretë me pyetjen: A pajtoheni që emri-mbiemri i kryetarit të Komunës të largohet nga funksioni i kryetarit të komunës. Njëjtë do të jetë edhe në gjuhën serbe, ndërsa pjesa për të votuar do të jetë me po ose jo”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

  • ​Zulfaj i reagon Petkoviqit pas fyerjeve ndaj Lulzim Hetemit

    ​Zulfaj i reagon Petkoviqit pas fyerjeve ndaj Lulzim Hetemit

    Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar pasi kryengociatori serb Petar Petkoviq sot iu referua një kryetari të komunës së Kosovës si “Gauleiter”, “udhëheqës rajonal i Partisë Naziste”.

    Ai në një postim në rrjetin X e ka quajtur fyese dhe thellësisht injorante të krahasosh një kryetar komune të Kosovës, të zgjedhur në zgjedhjet demokratike të njohura nga QUINT, me një udhëheqës rajonal të epokës naziste.

    “Ky krahasim nuk është thjesht një sharje; pasqyron gjithashtu paturpësinë e Petkoviqit dhe zbulon mentalitetin e tij. Nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se ai është anëtar i një partie politike, lideri i së cilës shërbeu si ministër i propagandës gjatë regjimit të Millosheviqit, i cili kreu gjenocid dhe spastrim etnik në Bosnje dhe Kosovë,” ka shkruar ai.

    Petkoviq sot reagoi ndaj vizitës së sotme të kryeministrit Albin Kurti në veri, duke thënë se “nuk ka çfarë të kërkojë në veri, pasi nuk është i mirëpritur”.

    “Ai shkoi në ndërtesën e komunës, ku e priste “Gauleiteri” dhe kryetari “i rrejshëm” i komunës,”, tha ai duke iu referuar kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

  • ​MF: Kujdes nga mashtrimet, pensionistëve iu kërkohen dokumente nga persona të dyshimtë

    ​MF: Kujdes nga mashtrimet, pensionistëve iu kërkohen dokumente nga persona të dyshimtë

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka dalë me një reagim për media pasi ditëve të fundit persona të papërgjegjshëm janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët, me premtimin se do t’u sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare.

    Në reagim thuhet se informatat e qarkulluara nuk janë të sakta dhe konsistojnë në informatë të rremë me tendencë të mashtrimit të pensionistëve, të cilët po frekuentojnë zyrat e pensioneve, me kërkesa për vërtetime apo vendime që dëshmojnë se të njëjtit janë përfitues të pensioneve.

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton qytetarët të kenë kujdes nga informatat e rreme që po qarkullojnë këto ditë që për theks kanë keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Po ashtu, fton përfituesit e skemave pensionale të kenë kujdes lidhur me dokumentacionin dhe autorizimin e bërë tek palët e treta, meqë mund të cenohet privatësia e të dhënave të tyre.

    Po ashtu, lidhur me skemat pensionale dhe përcaktimin e shumës së pensioneve, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Kosovës, ndërsa të kursehen nga njoftimet dhe shërbimet tjera jo zyrtare, të cilat mund të bëhen për interesa private të personave të caktuar.

    “Ne do të sigurohemi që të shpërndajmë në kohë të gjitha informacionet e sakta lidhur me pensionet dhe çështjet me interes për pensionistët. Andaj, ju lutem që t’i referoheni njoftimeve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve si kanali i vetëm zyrtar në lidhje me këtë fushë”, përfundon reagimi.

  • ​Ndëshkimet me gjoba të ashpra, policia nis zbatimin e ligjit të ri në trafik

    ​Ndëshkimet me gjoba të ashpra, policia nis zbatimin e ligjit të ri në trafik

    Ngasësit e automjeteve nga sot duhet të kenë kujdes në zbatimin e rregullave të reja, pasi me hyrjen në fuqi të ligjit të ri parashihen gjoba të larta për shkelësit e këtyre rregullave në trafik.

    Ashpërsimi i gjobave me ligjin e ri vjen si pasojë e numrit të lartë të aksidenteve, vetaksidenteve dhe aksidenteve me fatalitet të shumta në vendin tonë.

    Policia e Kosovës ka nisur me zbatimin e ligjit të ri në komunikacion dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shkelin rregullat.

    Nënkoloneli në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, thotë se deri te ndryshimi i ligjit ka ardhur si pasojë e vlerësimeve të kryera deri më tash sa i përket zbatimit të ligjit të vjetër. Ai thotë se bazuar në analiza ka një shpërqendrim të ngasësve të automjeteve gjatë vozitjes e cila po ndikon në shtimin e numrit të aksidenteve.

    “Ky ligj ka hyrë në plotësim-ndryshim për shkak të nevojës dhe analizave, të cilat janë bërë nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji. Meqenëse janë analizuar dhe shkaktarët e aksidenteve, kundërvajtjet më të shpeshta, janë marrë për bazë edhe numri i aksidenteve në trafik, që është me rëndësi numri i aksidenteve me persona të vdekur. Andaj të gjitha këto analiza dhe statistika dhe vlerësime sa i përket zbatimit të ligjit të vjetër, është parë e nevojshme dhe e domosdoshme që ligji i vjetër të hyjë në plotësim-ndryshim, i cili vetëm ka ndodhur… Bazuar në analiza kemi një shpërqendrim të shoferëve në vozitje, është rritur numri i aksidenteve me fatalitet, sidomos atyre vetaksident”, thotë Rexhepi.

    Me ligjin aktual për mos vendosjen e rripit të sigurisë, gjoba është 150 euro për shoferin dhe për pjesëmarrësit tjerë në automjet, gjoba për telefon do të jetë në tre variante, për herë të parë do të gjobitet për 100 euro, herën e dytë 200 euro dhe herën e tretë 500 euro dhe gjashtë muaj ndalohet të ngasë veturën.

    Ndërsa për shpejtësi brenda vendbanimit 20 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 5 – 10 kilometra në orë (km/h) mbi shpejtësinë e lejuar, 40 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 10 – 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 60 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 20 – 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 200 euro dhe tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit, plus tri pikë negative për tejkalim të shpejtësisë nga 30 – 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar dhe shumë rregulla të tjera.

    Të paktën 104 të vdekur dhe mijëra të lënduar është bilanci i aksidenteve rrugore për 2023. Sipas policisë, gjatë 2023 janë shënuar mbi 22.000 aksidente. Krahasuar me 2022, numri i aksidenteve për 2023 është rritur mbi 1.000. /KP

  • Derbi i Suharekës i takon Ballkanit, Prishtina dhe Drita barazojnë pa gola

    Derbi i Suharekës i takon Ballkanit, Prishtina dhe Drita barazojnë pa gola

    Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të fazës gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

    Në stadiumin ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan, Prishtina është takuar me Dritën, ndeshje kjo e cila ishte cilësuar derbi, por që loja e zhvilluar nuk e vërtetoi epitetin e derbit dhe kështu takim ka përfunduar me rezultatin më të padëshiruar në futboll 0:0.

    Ndërkohë në Suharekë janë takuar, FC Suhareka dhe FC Ballkani, takimi i tyre i parë në histori.

    Kampioni i Kosovës ka fituar 0:1 me golin e mesfushorit Ismailgeci, ish lojtari i Tiranës, realizoi një gol të bukur në minutën e 89.

    Kujtojmë që ndeshjet e kthimit, Drita – Prishtina dhe Ballkani – Suhareka, do të zhvillohen pas një jave.

     

  • Klientë e faktura fiktive, arrestohet 24-vjeçari që dëmtoi me mbi 35 mijë euro firmën ku punonte

    Klientë e faktura fiktive, arrestohet 24-vjeçari që dëmtoi me mbi 35 mijë euro firmën ku punonte

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar kompaninë ku punonte.

    Bëhet e ditur se dëmi i shkaktuar është mbi 35 mijë euro përmes fakturave fiktive e klientëve fiktivë.

    Më poshtë edhe komunikata e plotë:

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Rajoni Ferizaj, pas pranimit te informatës mbi dyshimin se një person ka bere përfitim personal ne mënyrë te paligjshme, ka filluar hetimet intensive lidhur me personin e dyshuar.

    Pas veprimeve hetimore është vërtetuar, se personi i dyshuar E.Q ( viti i lindjes 2000) m/k., me pozitë menaxher në një kompani private, në periudhën Janar-Mars 2024 kishte arritur që përmes fakturave dhe klientëve fiktiv, për vete të përfitoj një shumë të hollash në vlerë 35 mije euro, duke i shkaktuar dëmkompanisë ku ai mbante këtë pozite.

    Më këto veprime, i dyshuari E.Q. duke mos zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata dhe përgjegjësitë si menaxher, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike“ nga neni 284 i KPRK-së.

    Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me Kryeprokurorin e PTHF, dhe sot, me datë 03.04.2024, është siguruar prezenca e të dyshuarit E.Q., i cili është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës, ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë kryerjen e veprave penale.

  • ​EUFOR nis stërvitjet ushtarake në Bosnje, sjell rezervë strategjike

    ​EUFOR nis stërvitjet ushtarake në Bosnje, sjell rezervë strategjike

    Ushtarë shtesë nga vendet e BE-së nga java e ardhshme do të vendosen në Bosnje dhe Hercegovinë, konfirmoi sot komandanti i forcave paqeruajtëse të BE-së, EUFOR, gjenerali Laszlo Sticz, duke shtuar se këto janë aktivitete të planifikuara më parë që synojnë ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm në vend.

    Ai u tha gazetarëve se ushtarët francezë do të jenë të parët që do të mbërrijnë në fushë dhe do të qëndrojnë në BeH për muajin e ardhshëm. Ushtarë nga Italia dhe Rumania do t’u bashkohen atyre dhe gjithsej 250 anëtarë të rezervës strategjike EUFOR janë planifikuar të mbërrijnë.

    “Çdo vit, aftësia për të vendosur dhe integruar (forca shtesë) duhet të testohet për t’u njohur me procedurat dhe situatën në terren”, tha gjenerali hungarez që komandon një forcë prej rreth njëmijë ushtarësh nga 23 vende.

    Në rast përkeqësimi të situatës së sigurisë, kontingjenti i EUFOR-it që është tashmë në terren mund të llogarisë në mbështetjen e menjëhershme të rreth 3.500 ushtarëve që janë pjesë e rezervës strategjike dhe janë gati për veprim.

    Ushtarët që do të mbërrijnë në BeH do të kryejnë stërvitje dhe patrullim së bashku me EUFOR-i që ndodhet tashmë në terren për t’u përgatitur për integrimin strategjik të forcave rezervë në rast të një krize që mund të kërkojë ndërhyrje ushtarake.

    Ministri i Mbrojtjes i BeH, Zukan Helez njoftoi se një batalion këmbësorie do të merr pjesë në stërvitje me anëtarët e forcave ushtarake të BE-së.

    Në vitin 2004, BE mori nga NATO misionin e monitorimit të situatës së sigurisë në BeH. Mandati i EUFOR-it, operacioni Althea, i nënshtrohet miratimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili vendos për të çdo vit.