ATV

Author: ATVLive

  • Nesër eklipsi total i diellit, vendet ku mund të shihet

    Nesër eklipsi total i diellit, vendet ku mund të shihet

    Më 8 prill 2024, 15:42 ora lokale, miliona njerëz do të kenë mundësi ta shikojnë një eklips total diellor.

    Një eklips i plotë diellor do të ndodh më 8 prill në Amerikën e Veriut, duke kaluar mbi Meksikë, SHBA dhe Kanada.

    Eklipsi diellor ndodh kur Hëna kalon mes Diellit dhe Tokës duke e kthyer ditën në natë. Ai do të zgjasë për rreth 4 minuta dhe 28 sekonda, pra gati sa dyfishi i kohës së atij që ndodhi më 21 gusht të 2017 në SHBA.

    Sipas mediave të huaja pritet që trafiku do të rëndohet për shkak se përveç vendasve miliona njerëz të tjerë priten që të udhëtojnë për të parë këtë fenomen natyror.

    “Një eklips total diellor është një nga pamjet më të bukura të natyrës dhe mund të jetë i rrallë kudo në galaktikë”, tha profesori i astrofizikës në Universitetin e Oksfordit, Chris Lintott.

    Shkencëtarët e NASA-s janë veçanërisht të interesuar për njohuritë e reja rreth koronës së Diellit që mund të fitohen kur ata dërgojnë aeroplanë kërkimor në një lartësi prej rreth 15 kilometrash gjatë eklipsit.

    Korona e Diellit është një mister për shkencëtarët, sepse është qindra herë më e nxehtë se sipërfaqja e Diellit dhe burimi i erës diellore.

    Në studimin e këtij fenomeni pritet të marrin pjesë qindra qytetarë, duke matur qetësinë e shpendëve dhe kafshëve të tjera, rënien e temperaturës në Tokë dhe efektin në kanalet e komunikimit.

  • Synohet ndalimi i formave të rrezikshme të punës për fëmijët

    Synohet ndalimi i formave të rrezikshme të punës për fëmijët

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Me ujë e fshesë për xhama, në mes të rrugës të ekspozuar ndaj rrezikut. Kjo është përditshmëria e disa fëmijëve nëpër lagjet e Prishtinës.

    Vetëm në kryeqytet, numri i fëmijëve qe bëjnë punë të rrezikshme varion nga 100 deri në 150, shumica e të cilëve vijnë nga komuna e Fushë Kosovës e ju përkasin komuniteteve jo shumicë.

    Daljen në rrugë të fëmijëve po e sheh me shqetësim, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë, Abaz Gjigoli. Sipas tij, kushtet ekonomike po i detyrojnë ata të dalin e të punojnë.

    “Jemi dëshmitar të krizës financiare, edhe kur flasin menaxherët me prindërit e fëmijëve që të tërheqin fëmijët nga rruga arsyetimet e tyre janë që shuma nuk mjafton për jetesë. Këta fëmijë duhet me iu kthy bankave shkollore e të fitojnë shërbime që i përgjigjen nevojave të moshave të tyre. Për të ndaluar ne kemi adresuar një numër të madh të fëmijëve nëpër qëndrime ditore”, tha Gjigoli.

    Dalja dhe puna e fëmijëve në rrugë po cilësohet me rrezikshmëri të lartë, nga institucionet e shtetit. Qeveria e konsideron këtë si të ndaluar, e që e ka përfshirë në Projekt-Udhëzimin Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve.

    Që hartimi dhe miratimi i këtij projekt-udhëzimi është i rëndësishëm e thotë edhe ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

    Sipas tij udhëzimi ka plotësuar boshllëkun që kishte ligji për të drejtat e fëmijëve.

    “Ligji është i bazuar në konventat ndërkombëtare, e kjo u zbërthye edhe janë përfshi në mënyrë më të konkretizuar që e plotëson atë boshllëkun që është hasë në praktik në sistemin juridik të Kosovës. Kjo është nismë me mirë dhe si udhëzim i plotëson më shumë këtë kornizë ligjore”, tha Jashari.

    Jashari thotë se duhet ende punë që të shihen rezultate në praktikë.

    “Nëse flasim për pjesën praktike të kësaj ka ende shumë punë me u bë. Me ligjin bazë fëmijët mund të angazhohen në punë nga 15 vjeç deri në 18, nuk guxojnë të angazhohen nën moshën 15 vjeçare. Nëse angazhimi i tyre ndodh nuk guxojnë me qenë forma te rrezikshme që e kërcënojnë shëndetin dhe mirëqenien por duhet me qenë punë që i përshtaten që nuk e pengojnë zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve”, tha Jashari.

    Ndërkaq, si shkak i daljes në rrugë, shumë fëmijë e kanë të pamundur ta ndjekin edhe shkollimin. Në strategjinë shtetërore për rininë për vitin 2024 – 2032, thuhet se rreth 58 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian nuk vijojnë fare shkollimin e mesëm të lartë. Ndërsa atë të mesëm të ulët e ndjekin vetëm 20 për qind prej tyre.

  • Rikthehet kushtëzimi, vetura nuk regjistrohet pa u paguar dënimi

    Rikthehet kushtëzimi, vetura nuk regjistrohet pa u paguar dënimi

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dënimet që i marrin për shkelje të rregullave në trafik, qytetarët mund t’i paguajnë përgjysmë më lirë, nëse këtë e bëjnë brenda 15 ditëve.

    Por ata që refuzojnë t’i paguajnë dënimet do të hasin në kufizime nga shteti.

    Ata nuk do të mund t’i regjistrojnë veturat për aq kohë sa kanë dënime të pashlyera.

    Megjithëse, ky kushtëzim u largua së fundmi, ai është kthyer përsëri, tash me ligjin e ri për trafikun rrugor.

    Kjo thuhet të jetë bërë me shkas, meqë qytetarët në shumë raste nuk i kanë paguar dënimet e që rrjedhimisht ato edhe janë shlyer.

    “Nëse ka kaluar afati prej 2 viteve nga shqiptimi i gjobës, atëherë kemi pasur parashkrim të këtyre dënimeve dhe siç e dini të gjitha kushtëzimet e mundshme kanë qenë të hequra”, tha Valdet Hoxha, avokat.

    Me ligjin e ri që hyri në fuqi nga dita e djeshme, ndër të tjera, gjobat për shkelje të rregullave në trafik janë shumë më të larta sesa që ishin më herët.

  • Priten ndryshime nga regjistrimi i popullsisë

    Priten ndryshime nga regjistrimi i popullsisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Procesi i regjistrimit të popullsisë pritet t’i ndryshojë shumë të dhëna, nëpër komunat e Kosovës.

    Një nga to mund të jetë Fushë Kosova, që është shumëfishuar për nga numri i rezidentëve dhe banesave, qysh prej regjistrimit të fundit, më 2011.

    Meqë vendimet e institucioneve merren në bazë të këtyre statistikave, nga Drejtoria për Arsim e kësaj komune, pret që në vitet në vazhdim të shtohet numri i shkollave dhe mësimdhënësve.

    Por jo të gjitha komunat mendohet se do ta kenë të njëjtën gjendje. Sipas Kenan Gashit nga rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, migrimi i qytetarëve do të bëjë që në disa qytete të regjistrohen më pak banorë.

    “Ne e shohim se do të ketë numër më të vogël të regjistrimit të popullatës sepse qytetarët kanë ikur në Evropë apo edhe qytete të tjera. Ferizaj dhe disa nga komunat mund të kenë ndryshime te popullatës sepse banorë nga qytet e tjera kanë ardhur për banim në këtë qytet”, tha Gashi.

    Regjistrimi i popullsisë pritet të zgjat deri më 17 maj.

    Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për qytetarët që bojkotojnë këtë proces, gjobat nisin nga 30 euro e deri 2 mijë euro.

  • PDK kërkon të vërtetën për zhdukjen dhe gjetjen e monstrave të Deharit

    PDK kërkon të vërtetën për zhdukjen dhe gjetjen e monstrave të Deharit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Partia Demokratike e Kosovës, i ka bërë thirrje prokurorisë, të angazhohet për të gjetur përgjegjësit për zhdukjen dhe kthimin e pjesshëm apo të plotë të monstrave, të Astrit Deharit.

    Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me Kurtin në pushtet, zbardhja e vrasjes së Deharit vetëm sa po bëhet më e komplikuar.

    “Më 29 mars 2024 opinioni publik u informua për gjejten e mostrave të Astrit Deharit, vdekja dhe fatkeqësia e të cilit në rrugën e zbardhjes së saj, këto tri vitet e fundit, nën pushtetit e Albin Kurtit, u vështirësia dhe u mjegullua padrejtësisht dhe në mënyrë misterioze. Zhdukja e mostrave, gjetja e pjesëshme apo e plotë e tyre për secilin rast është përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe nuk mund të tejkalohet me lehtësi sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha Tahiri.

    Tahiri pati edhe disa pyetje për pushtetarët.

    “Nëse kryetari i Kuvendit dhe kryeministri kanë pasur dijeni për zhdukjen e këtyre mostrave në pranverën e vitit 2022 si ndodhi që ministrja e Drejtësisë të njoftoj qytetarët e Kosovës me gjashtë muaj vonesë, në një konferencë për media në dhjetor të atij viti? A ishte rastësi gjetja e një pjesë të mostrave të Astrit Deharit në mars të vitit 2023 dhe zjarri i parë po ashtu në mars i zyreve të IML-së? A ishte rastësi zjarri i dytë i zyreve të IML-së përmes të cilit ishte shkatrruar sistemi i kamerave dhe për katër ditë me rradhë nuk kishte fare vëzhgim të dhomës së dëshmive, pra të dhomës ku mbahen mostrat e rasteve që i trajton ky institucion?”, tha ai.

    Tahiri paralajmëroi se që nga java tjetër do filloj mbledhja e nënshkrimeve për themelimin e një komisioni hetimor që do trajtoj zhdukjen dhe gjetjen e monstrave të Deharit.

  • Intensifikohen punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë

    Intensifikohen punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë, po vazhdojnë edhe në ditë vikendi.

    Të dielën, ekskavatorët u panë në disa vende.

    38 milionë euro janë ndarë për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, projekt i cili pas shumë zvarritjesh, ka përshpejtuar hapat e punimeve.

    Një distancë fare e vogël ndan shtëpinë e Hashim Humollit nga vendpunishtja, ku ekskavatorët ndizen që nga ora 8 e mëngjesit.

    Për këtë, llapjani thotë se nuk mund ta shijojë kafen e mëngjesit në oborr nga pluhuri, andaj ka një kërkesë.

    “S’po them ma shumë po në orën 8 ndizen edhe ju pe shihni sa telashet sa dheu hiqet këtu, gjatë javës mirë por nuk i kanë përfunduar me kohë e tash mundohen edhe vikend edhe natën me i jep punës…le të qesin ujë apo diçka gjatë punës që me u largu pak pluhuri”, tha Humolli.

    Por, njohësit e politikës, projektet në këtë komunë i konsiderojnë marketing nga niveli qendror, në fund të mandatit.

    Ndryshe, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ky projekt pritet të përfundojë në fund të vitit 2024.

  • FMN njofton për rënie të ndjeshme të inflacionit

    FMN njofton për rënie të ndjeshme të inflacionit

    Përgtiti: Armand Hoti

    Referuar të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, inflacioni në Kosovë ka rënë dukshëm.

    Arsye për këtë, sipas këtij institucioni financiar, është rënia e çmimeve për blerjen e lëndës së parë.

    “Inflacioni ka rënë ndjeshëm si pasojë e uljes së çmimeve të lëndës së parë, duke arritur në 2.2 për qind në krahasim me vitin paraprak në muajin shkurt.
    Llogaria e shpenzimeve të jashtme rrjedhëse është ngushtuar në 7.7 përqind të BPV-së në vitin 2023, si pasojë e çmimeve më të ulëta të energjisë dhe ushqimit”, thuhet në njoftimin e FMN-së.

    Ndërsa për këtë vit, FMN parashikon rritje ekonomike për Kosovën 3.8%.

    Me këto konstatime, është krenuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

    Megjithatë, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, i sheh me dyshim të dhënat e FMN-së.

    “Pyetësorët mbushen nga vendorët dhe gjithnjë ka hezitim për ta pranuar këtë realitet, realiteti më i mirë i indikatorëve ekonomik në një shtet është jeta e qytetarëve, standardi i tyre, të hyrat mujore dhe paga minimale. Nëse të gjitha këto analizohet atëhere definitivisht Kosova ka nevojë të jetë shumë më tepër e shqetësuar, sesa të ketë eufori për raporte ndërkombëtare”, tha Gërxhaliu.

    Përparimi në dialogun me Serbinë, sipas FMN-së, do stimulonte një ekonomi më të shëndosh për shtetin e ri evropian.

    “Progresi i theksuar në dialogun me Serbinë dhe procesin e anëtarësimit në BE mund të rritë besimin, IHD-të, turizmin, mbështetjen financiare të donatorëve dhe rritjen ekonomike”, thuhet më tej në njoftimin e FMN-së.

    Për ekonomisitin Mustafë Kadriaj, mbyllja e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë, duhet të trajtohet me urgjencë.

    “Në fakt, vlerësoj që edhe vet interesi i shtetit serb është që t’i zgjatë bisedimet që në fakt Kosovën ta paraqes si shtet të dështuar nga ana ekomike…për atë çka duhet të bëjë Qeveria është që sa më shpejtë të mbyllen bisedimet që Kosova t’i kthehet normalitetit të zhvillimit ekonomik, rritjes ekonomike”, tha Kadriaj.

    Tensionet gjeopolitike dhe ato potenciale në veri të Kosovës, përmenden nga FMN-ja si kërcënime për të ardhmen ekonomike të Kosovës.

  • “Termokosi” është në fazën finale për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes

    “Termokosi” është në fazën finale për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Temperatura ka filluar të rritet por, ngrohtorja e qytetit “Termokos” për sezonin dimëror janë duke punuar për shtrirje të rrjetit edhe në disa lagje të Prishtinës, të pa përfshira më parë.

    Nga kjo ndërmarrje thuhet se zgjerimi dhe rehabilitimi i rrjeti përfshinë rreth 32 kilometra gyp të instaluar, dhe janë në fazën finale të përmbylljes së projektit.

    “Jemi krejt në fund, po punohet shumë, synimi ynë është që të përfshihen edhe pjesët që nuk kanë qenë më parë, banesat e bardha, hamami i Prishtinës, Sahatkulla, Prishtina e Vjetër, kazerma “Adem Jashari…”, tha kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos”, Fisnik Osmani.

    Përveç kësaj, ngrohtorja ka dorëzuar tashmë edhe një koncept-projekt në komunën e Prishtinës, për të cilin janë në pritje të aprovimit.

    “Natyrisht ne nuk do ndalemi me kaq, ne kemi dorëzuar edhe koncept projekt për zgjerimin e 700 mijë metrave katror të tjera por ende jemi në pritje të përgjegjës nga Komuna…”, tha Osmani.

    Ngritja e kapaciteteve edhe në lagjet tjera po mirëpritet nga njohësit e energjisë.

    Lulzim Syla, thotë se zgjerimi i rrjetit do të bëjë që konsumatorët, të shpenzojnë më pak dhe të ngrohen në mënyrë komode.

    “Shumë e vërtetë që kryeqyteti nuk ka pas rrjet të ngrohjes të përfshirë në të gjitha pjesët sidomos ato të rëndësishme, mirë tash që po bëhet, do të ndikoj pozitivisht te qytetarët që nuk kanë qenë të kyçur më pare, do ta kursejnë gjepin, ngrohja është më e thjesht…”, tha Syla.

    Ndërkaq, prishtinasit që e shfrytëzojnë Termokosin për ngrohje, nga sezoni i ardhshëm, nuk do paguajnë në bazë të hapësirës së banesës, siç ishte deri më tani, por aq sa shpenzojnë.

    Aktualisht, ngrohtorja ka mbi 32 mijë konsumatorë si adresa banimi pasive dhe aktive, kurse mbi 24 mijë prej tyre marrin shërbime.

  • Kurti fton përfaqësuesit evropianë të mbështesin Kosovën për anëtarësim në KiE

    Kurti fton përfaqësuesit evropianë të mbështesin Kosovën për anëtarësim në KiE

    Kryeministri Albin Kurti njoftoi se gjatë qëndrimit në Bukuresht në konferencën e Partisë së Socialistëve Evropianë, i ka ftuar zyrtarët evropianë të mbështesin Kosovën në rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Ai ka shkruar në Facebook se takim ishte edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, e është pritur edhe nga kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu.

    “Në konferencë e margjina të saj bashkëbiseduam por edhe patëm kënaqësinë të ishim edhe në praninë e Komisionerit Evropian dhe njëherazi kandidatit unanim të PES-it për President të Komisionit Evropian, Nicolas Schmit, Kryetarit të PES-it dhe ish-Kryeministrit të Suedisë Stefan Löfven, gjithashtu të Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Zëvendëskryetares të Parlamentit Evropian, Katarina Barley, Kryetares së grupit të socialistëve dhe demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia Pérez, dhe shumë përfaqësuesve të tjerë prej partive anëtare të PES-it”.

    “Të gjithë të pranishmit, i ftova që ta mbështesin vendin tonë në rrugëtimin drejt Këshillit të Evropës, veçanërisht në votimin e radhës me 16 prill në Asamblenë Parlamentare”, ka deklaruar Kurti.

    Sipas Kurtit, ky takim me përfaqësues të partive socialdemokrate është i rëndësishëm për fuqizimin mes partive.

    Kurti ka përmendur edhe takimin me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Bukuresht.

  • Sekuestrohen 10 kilogramë heroinë në Merdar

    Sekuestrohen 10 kilogramë heroinë në Merdar

    Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës ka zhvilluar një aksion të madh policor që ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie prej 10 kilogramë të drogës të llojit heroinë, transmeton atvlive.tv.

    Operacioni policor është zhvilluar pas hetimit të zhvilluar nga Policia në koordinim me organet e tjera dhe u finalizua me bastisjen e disa lokacioneve.
    Drejtori i njësitit antidrogë, major Reshat Murseli, në konferencën e sotme për media.

    “Sot Policia e Kosovës, duke filluar nga orët e mëngjesit, gjegjësisht njësia e antidrogës, sektori qendror, pas trajtimit të disa informatave nga burime në terren, e mbështetur nga policia kufitare në Merdar, njësitet K9 dhe njësitë tjera ligj zbatuese, siç është Dogana e Kosovës, e kemi zhvilluar një plan taktik të koduar “Tika 2” dhe kemi filluar me kontrolle duke selektuar disa automjete për kontrollë, në vijën e dytë kontrolluese. Në mesin e këtyre automjeteve, gjatë kontrollës, tek një automjet me targa kroate e llojit Reno Megana, të drejtuar nga personi tani më i dyshuar A.L. i vitit të lindjes 1959, shqiptar, shtetas kosovar dhe kroat, i cili ishte në dalje nga territori i Kosovës, hetuesit ishin në indikacione të dyshuara dhe kanë ndërmarrë kontrolle të detajuar, duke u mbështetur nga njësitet e e flotës policore dhe kanë arritur që në pjesën me bagazh të kamufluar në gomën rezervë të automjetit të gjejnë 20 paketime të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë”, tha Murseli.

    Ai në këtë konferencë tregoi se droga e sekuestruar kapë vlerën rreth 250 mijë e euro. Kjo sasi e drogës, thotë ai, ishte e destinuar për në vendet e tjera të Evropës. /atvlive.tv