ATV

Author: ATVLive

  • ​Dëmtohet vetura e një gruaje në Mitrovicë të Veriut

    ​Dëmtohet vetura e një gruaje në Mitrovicë të Veriut

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në Mitrovicë të Veriut, persona të panjohur ia kanë thyer xhamat e veturës një gruaje.

    Vetura sipas policisë ishte e parkuar para banesës së saj.

    “Njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes. Rasti ne procedure hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Gjendet një burrë i vdekur në Prishtinë

    Gjendet një burrë i vdekur në Prishtinë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete përgjatë së dielës në Prishtinë.

    Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës me anë të raportit 24-orësh, pa dhënë më shumë detaje.

    “VDEKJE E DYSHIMTË- Prishtinë 07.04.2024-NN. Raportohet se nga ekipi mjeksor është pranuar informata për një trup të pa jetë të viktimës mashkull kosovar”, thuhet në njoftim.

    Trupi i viktimës, sipas policisë, është dërguar për obduksion.

  • 25-vjetori i dëbimit të shqiptarëve të Kosovës, homazh në Qendrën Memoriale “Bllaca ’99”

    25-vjetori i dëbimit të shqiptarëve të Kosovës, homazh në Qendrën Memoriale “Bllaca ’99”

    Në 25-vjetorin e dëbimit të shqiptarëve të Kosovës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup do të organizojë homazh.

    Në këtë ngjarje pritet pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës.

    Njashtu, të pranishëm pritet të jenë edhe drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, dhe kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.

    Homazhi do të mbahet në Qendrën Memoriale “Bllaca ‘99” në Hanin e Elezit”.

  • MSh-ja dhe IKShPK-ja shënojnë Ditën Botërore të Shëndetit me një aktivitet

    MSh-ja dhe IKShPK-ja shënojnë Ditën Botërore të Shëndetit me një aktivitet

    Të dielën qëlloi të ishte Dita Botërore e Shëndetit, e cila shënohet me 7 prill.

    Ndërkaq sot, ministria e Shëndetësisë bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në nder të kësaj date, do ta organizojnë konferencën “Shëndeti im, e drejta ime”.

    Eventi do të mbahet në amfiteatrin e IKShPK-së.

  • ​Sot eklipsi total diellor, fenomeni zgjat mbi katër minuta

    ​Sot eklipsi total diellor, fenomeni zgjat mbi katër minuta

    Një numër shkollash në veri të Nju Jorkut kanë vendosur të anulojnë ose shkurtojnë mësimet më 8 prill për shkak të eklipsit total të pritshëm diellor. Shpjegimi zyrtar për këtë vendim janë bllokimet e trafikut që do të ndodhin për shkak të eklipsit, por motivi jozyrtar është edhe një përpjekje e shkollave për të shmangur përgjegjësinë për dëmtimin e mundshëm të syve që do të pësonin nxënësit nga vëzhgimi i eklipsit pa mbrojtje në shkollë, raporton New York Post.

    Eklipsi diellor do të jetë i dukshëm në orën 15:18 me orën lokale – gjatë pjesës së ditës kur studentët kthehen në shtëpi nga shkolla. Zona e eklipsit – zona nga e cila do të jetë në mënyrë perfekte eklipsi – përfshin 29 nga 62 qarqet e Nju Jorkut, dhe policia në ato zona paralajmëron bllokime të mëdha trafiku duke filluar nga mesdita, veçanërisht për shkak të numrit të madh të turistëve, të cilët do të vijnë për të vëzhguar këtë fenomen. Eklipsi total i diellit, shtrirja perfekte e Tokës, Hënës dhe Diellit, do të jetë e dukshme nesër nga Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Eklipsi do të zgjasë katër minuta e gjysmë dhe do të mund të përcillet direkt në ueb sajtin dhe kanalin YouTube të NASA. Ndryshe nga një eklips i pjesshëm diellor, eklips total diellor e errëson qiellin sikur të ishte muzg dhe ju lejon të shihni koronën e Diellit – atmosferën e tij të bardhë të ndritshme. Ky eklips është i pazakontë sepse, megjithëse normalisht është i dukshëm nga i njëjti vend një herë në 375 vjet, ai do të jetë i dukshëm në shtetin e Illinois për herë të dytë në vetëm shtatë vjet.

  • Rriten çmimet në bregdetin shqiptar, rekordi i turistëve shoqërohet me shtrenjtime

    Rriten çmimet në bregdetin shqiptar, rekordi i turistëve shoqërohet me shtrenjtime

    Vlora tashmë mund të quhet qyteti i turizmit gjithë vjetor. Edhe pse jemi në muajin prill, moti i ngrohtë bëri që plazhet atje të mbushen plot nga vizitorët.

    Ndërkohë operatorët turistikë thonë se deri më tani numri i rezervimeve krahasuar me vitin e kaluar është 20% më i madh.

    Por rritja e numrit të turistëve, ka sjellë dhe rritje të çmimit të pronës në qytetin bregdetar.

    Kjo pasi të huajt po interesohen akoma për të blerë apartamente në këtë zonë. Çmimi për metër katror i të cilëve momentalisht shkon 2500-3500 euro.

    Por sipas kreut të dhomës së tregtisë Vlorë, çmimi mund të rritet akoma më shumë, raporton TCH.

    Kërkesat më të shumta për prona vijnë kryesisht nga kosovarët, italianët por dhe gjermanët.

  • Sot mblidhen dy komisione parlamentare

    Sot mblidhen dy komisione parlamentare

    Të hënën do të mblidhen dy komisione parlamentare, ai për Media si dhe ai për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Përderisa i pari mblidhet për të mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i dyti do ta shqyrtojë Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, atë për mbrojtje nga zjarri, si dhe projektligjin për letërnjoftimin.

  • ​Dita Ndërkombëtare e Romëve

    ​Dita Ndërkombëtare e Romëve

    Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale.

    Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën. Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.

    Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë. Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.

    Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar gjuhën rome duke prodhuar abetare dhe fjalorë. Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore dhe veriore, dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën gjeografike të romëve.

    Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i romëve.Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në komunitetin rom, ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.

    Flamuri rom është flamuri ndërkombëtar i romëve. Ai është krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933 dhe u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtar romë në vitin 1971. Ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin./KP/

  • ​Gjykata Kushtetuese hap dyert për qytetarët

    ​Gjykata Kushtetuese hap dyert për qytetarët

    Gjykata Kushtetuese do të organizojë sot aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”, në shënim të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, miratuar më 9 prill të vitit 2008.

    Sipas njoftimit, në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni.

    “Organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë personash në të njëjtën kohë. Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë minuta. Para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë). Gjatë vizitës, vizitorët do të kenë mundësi të bëjnë foto vetëm në Gjykatore dhe në oborrin e Gjykatës”, thuhet në njoftim.

  • Moti sot do të jetë me diell

    Moti sot do të jetë me diell

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell.

    “Për të hënën parashikohet të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë,” thotë Meteo Kosova.

    “Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 7-26 km/h”.

    Ata kanë thënë që temperaturat minimale do të shkojnë nga katër deri në nëntë gradë Celsius, ndërkaq maksimalet nga 23 deri në 26 gradë Celsius.