ATV

Author: ATVLive

  • Krasniqi: Në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës

    Krasniqi: Në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se këto tri vjet Kushtetuta e Kosovës më së shumti ka pasur nevojë që të mbrohet nga Qeveria e Kosovës.

    Krasniqi në një postim në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’i dalë zot mbrojtjes së Kushtetutës, të cilën e ka obligim ligjor, institucional e kombëtar.

    “Fatkeqësisht, në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës – që e ka obligim ligjor, institucional dhe kombëtar t’i dalë zot asaj.

    Angazhimi që duke ndjekur parimet e Kushtetutës tonë, të ndërtojmë një shtet të drejtë, të sigurt dhe barabartë për të gjithë, ka qenë, është dhe mbetet zotimi ynë i përhershëm!”, shkruan Krasniqi.

    Sot bëhen 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.

    Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit. Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj.

    Kushtetuta e Kosovës, e cila në pjesë të madhe rrjedh nga pakoja e Ahtisarit, i dha të drejta specifike minoriteteve që jetojnë në Kosovë.

    16 vjet pas miratimit të kushtetutës, Kosova vazhdon të përballet me sfida, por ka arritur të promovojë vlerat e saj kushtetuese, duke ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe të hapur për të gjithë qytetarët e saj. Për këto vite Kushtetuta e Kosovës ishte amendamentuar disa herë.

  • Ndërron jetë poetesha Lindita Ahmeti

    Ndërron jetë poetesha Lindita Ahmeti

    Lindita Ahmeti ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare. Lajmi i trishtë është konfirmuar nga babai i saj, shkrimtari Xhabir Ahmeti, në Facebook, në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit.

    “Lajm i tmerrshëm. E humbëm edhe vajzën tonë të mrekullueshme Linditën para një gjysmë ore”, shkroi Ahmeti në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit.

    Pas përfundimit të shkollës së mesme në Shkup, ajo vazhdoi studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Shkupit, ku u specializua në filologjinë klasike. Me një pasion të flaktë për letërsinë, ajo ligjëroi letërsinë antike në Universitetin e Tetovës dhe punoi në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.

  • Hovenier: Jemi partnerë me popullin e Kosovës për vizionin e Kushtetutës

    Hovenier: Jemi partnerë me popullin e Kosovës për vizionin e Kushtetutës

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, teksa ka uruar Kosovën për përvjetorin e 16-të të Kushtetutës, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që janë partnere të kosovarëve në vizionin e Kushtetutës.

    “Gëzuar Ditën e Kushtetutës, Kosovë! Kosovarët e kanë mishëruar në kushtetutën e tyre vendosmërinë për të ‘ndërtuar një të ardhme të Kosovës si vend i lirë, demokratik e paqedashës, që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët…’ Jemi krenarë për mbështetjen tonë teksa si jemi partnerë me popullin e Kosovës për ta arritur vizionin e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter të martën.

    Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • Sulm ndaj personit zyrtar, punëtor i burgut

    Sulm ndaj personit zyrtar, punëtor i burgut

    Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët e organeve të rendit ballafaqohen me kërcënime serioze në Kosovë. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Prishtinë dhe këtë herë cak i sulmit ka qenë një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

    Si pasojë e sulmit, zyrtari korrektues ka pësuar lëndime trupore, për çka ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa Policia ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit.

    Të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme.

    “Rr. Ahmet Krasniqi, Prishtinë / 08.04.2024 – 03:20. Janë arrestuar katër të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër kosovarë, pasi që në bashkëveprim e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar (punëtor i burgut). Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Iu gjetën ëmbëlsira pa dokumentacion në veturë – arrestohet serbi në Zveçan

    Iu gjetën ëmbëlsira pa dokumentacion në veturë – arrestohet serbi në Zveçan

    Një serb është arrestuar në komunën e Zveçanit.

    Të njëjtit, policia i kanë gjetur mallra (ëmbëlsira) pa dokumentacion përkatës në automjetin e tij.

    Ato dyshohet që janë të kontrabanduara nga Serbia.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, ndërsa automjeti me mallra do të dërgohet në terminal doganor.

  • Kosova nuk po arrin të rigjenerojë mjek të rijnë, migrimi nuk po ndalet

    Kosova nuk po arrin të rigjenerojë mjek të rijnë, migrimi nuk po ndalet

    Rreth 5700 mjek të licencuar në Kosovë, vetëm 4700 prej tyre janë të punësuar në sektorin publik dhe pjesa tjetër janë të papunë ose në sektorin privat. Të dy palët e mjekëve të punësuar ose jo qëllimin e kanë që të inkuadrohen në tregun e punës në shtetet jashtë Kosovës. Ritmi i migrimit të mjekëve tashmë vite me radhë në mënyrë të vazhdueshme po konsiderohet alarm shqetësues për vendin, sepse kjo situatë e migrimit të punëtorëve shëndetësor Kosovën do ta lërë pa mjek në qendra mjekësore. Kosova në pesë vitet e ardhshme nuk do të mund të rigjenerojë asnjë mjek të ri dhe mjekësia do të mbizotërojë në mosha të shtyra dhe kualiteti i mjekësisë do të jetë zero. Kështu ka deklaruar, Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve. Ai tha se mjekët po refuzojnë të punësohen në QMF-të e qyteteve të tyre sepse të njëjtit nuk kanë interes për të punuar në kushte aktuale të cilat është kuadri mjekësor.

    “Ne të licencuar i kemi mbi 5700 ku prej tyre 441 me 1 janar kanë qenë të papunë, 800 janë në sistemin privat që punojnë dhe disa të huaj, diku rreth 4000 janë të punësuar në sektorin publik në të gjitha nivelet. Ky numër nuk është i pamjaftueshëm dhe nuk i plotëson kriteret për kokë banorë, nëse ata sistemohen në lami të ndryshme. 03:06 Janë arsyeje reale dhe mund të akuzohen edhe mjekët për disa raste ku p.sh. shumica që po largohen janë të rijnë, janë të sapo diplomuar dhe të pa specializuar dhe ata duhet të punësohen në shtëpitë e shëndetit por ata refuzojnë sidomos në qytetet e vogla. 07:24 Ne nuk po mundemi me regjenruar asnjë gjeneratë dhe kur shohim që për 10 vitet e ardhshme jemi minus krejt kohen, dhe pesë vitet ardhshme do të gjejë Kosovën në minus sekondarë, pastaj vjen edhe QKUK e cila do të ngarkohet me pacientë, një moshë e shtyrë që mbesin këta dhe cili do të jetë kualiteti i tyre, shumë i vogël”, tha Sejdiu.

    Se mjekët nuk janë të interesuar për punë në spitalet në Kosovë jo vetëm për çështjen e pagave të pakënaqshme, por edhe për çështje të sigurimit shëndetësor e çështje të tjera e thotë edhe kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë, Tevide Imeri.

    Imeri tha se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë gjë për plotësimin e kërkesave të mjekëve dhe se për këtë arsyeje edhe konkurset për pranim të mjekëve nuk janë më siç kanë qenë.

    Ajo tha se edhe nëse ka konkurse të hapura për punë në spitalet dhe qendrat mjekësore familjare , mjekët dhe infermierët nuk aplikojnë sepse qëllimi i tyre është migrimi jashtë Kosovës.

    “Arsyeje ka plot që kushtet e punës dhe nuk janë vetëm pagat që jemi ankuar për paga, por nuk është arsyeja e vetme që i bënë me ik mjekët dhe infermierët në përgjithësi, edhe profile tjera po ikin prej shëndetësisë. 02:48 Edhe sigurimet shëndetësore po presim me vite që të bëhen dhe nuk po bëhen njëra prej shtyrjeve është edhe kjo, edhe kushtet e punës janë të mjerueshme, edhe një buxhet i shëndetësisë ka shkuar në suficit dhe nuk është shfrytëzuar as 15%….Nuk po shoh rezultat që është i pritshëm , derisa shkon ai buxhet në suficit unë mendoj që është menaxhim jo i duhur.04:25 Në bazë të këtij trendi ne kemi qenë dëshmitarë që do të ketë mungesë të stafit shëndetësor….nuk po trajtohet si prioritet shëndetësia si lami e rëndësishme për popullatën. 05:27 Me i përcjellë konkurse do të shihni që konkurrimi është më i vogël që kjo po i bie që po ikin shuma nga Kosova, po ashtu edhe për ata që janë të punësuar po ikin”, theksoi Imeri.

    Po ashtu, anëtari i komisionit për shëndetësi, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës, theksoi se duhet të gjendet një zgjidhje për mjekët sepse brenda tre muajve kanë ikur rreth 300 profesionistë mjekësorë.

    Haxhiu tha se për ndaljen e mjekëve duhet të gjendet një zgjedhje për të mos ikur.

    “Nuk ka kthim të mjekëve, kanë ikur të profesionistë shëndetësor nga Kosova dhe nëse ky trend vazhdon atëherë do të jemi në fund të sistemit shëndetësor, sepse profesionistët ikin nga Kosova dhe duhet shumë mund dhe angazhim për ti kthyer në Kosovë. 04:02 Shpresojmë që sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje dhe si parti politike të i ofrohemi para qytetarëve me platformën konkrete për ndaljen e mjekëve për të mos ikur nga Kosova, sepse brenda tre muajve mjek e infermier kanë ikur nga Kosova afërisht 300 dhe nëse ky trend vazhdon kështu për një vit do të kemi 100 më pak dhe kjo do të bëjë një brengë më të madhe për sistemin shëndetësor”, shtoi Haxhiu./KP

  • “Prishtina të respektojë zotimet, si dhe zgjedhjet në komunat me shumicë serbe” – Deklarata e Macron për Kosovën

    “Prishtina të respektojë zotimet, si dhe zgjedhjet në komunat me shumicë serbe” – Deklarata e Macron për Kosovën

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Parisi do të sigurohet që çdo hap i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë, do të përmbushet.

    Gjatë konferencës për media, para takimit që zhvilloi në Paris me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit” dhe se e gjithë kjo është përfshirë në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar.

    “Franca do të sigurohet që çdo hap i marrëveshjes do të përmbushet”, tha Macron.

    Udhëheqësi francez po ashtu tha se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, akuzë që është hedhur poshtë nga Beogradi.
    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    “Po ashtu dua që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe”, tha Macron.

    Ndërkaq, Vuçiq tha se qëndrimi se Prishtina dhe Beogradi “kanë bërë diçka” në dialogun për normalizimin e raporteve nuk është i vërtetë, pasi “njëra palë nuk ka bërë asgjë”, duke iu referuar Kosovës.

    Gjatë konferencës për media me Macronin, Vuçiq foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Udhëheqësi serb pretendoi se Serbia ka përmbushur “tri gjëra” sa i përket Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit – të arritur vitin e kaluar – dhe parakusht i saj, sipas tij, ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që Kosova nuk e ka përmbushur.

    “[Kosova] po kryen shpronësim në veri, nuk ka hetim për plagosjen e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiq.

    Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit shkurtin e vitit të kaluar në Bruksel, ndërkaq në mars të vitit 2023, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

    Zyrtarët në Beograd vazhdimisht kanë thënë se nuk do të zbatojnë të 11 pikat e marrëveshjes. Kosova po ashtu deri më tani nuk ka zbatuar obligimet e saj, veçmas ato që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit.

    Paraprakisht, Brukseli kishte akuzuar të dyja palët për moszbatimin e marrëveshjes.

    Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Para takimit në Paris, Vuçiq kishte thënë se do të diskutonte 14 tema me Macronin, duke nisur nga industria, bujqësia, inteligjenca artificiale e deri tek energjia bërthamore.

    Pallati Elize njoftoi më herët se dy zyrtarët po ashtu do të bisedonin për integrimin evropian të Serbisë, raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe Macron “do të riafirmojë zotimin e tij për mbështetjen e plotë të integrimit evropian të Serbisë” dhe se “normalizimi i raporte me Kosovën është pjesë integrale e procesit të pranimit” në Bashkimin Evropian.

    Ky është takimi i njëzetë ndërmjet Vuçiqit dhe Macronit deri më sot, raporton Radio Evropa e Lirë.

  • Yndyrat, shkaktarët e diabetit 2

    Yndyrat, shkaktarët e diabetit 2

    Diabeti është ndër sëmundjet më të përhapura dhe shqetësuese në të gjithë globin. Nga vitit 1980 deri në vitin 2014, numri i diabetikëve në botë u rrit nga 108 milionë në 422 milionë njerëz. Kjo sëmundje shfaqet kur niveli i glukozës dhe i sheqerit në gjak janë më të larta nga normalja. Kështu trupi nuk prodhon më insulinë për të balancuar sheqerin.

    Rekomandimet dhe mënyrat e parandalimit të saj janë të shumta, por duket se vetëm disa prej tyre funksionojnë siç duhen. Ushqimi dhe stili i jetesës janë sigurisht faktorë kyç si në shfaqjen ashtu edhe në zhdukjen e tipeve të diabetit. Sipas ekspertëve, vetëm disa mënyra dhe një stil i caktuar jetese mund të jetë efikas në parandalimin e kësaj sëmundje.

    Shkencëtarët zbulojnë shkaktarin e vërtetë të diabetit

    Një studim i ri argumenton se diabeti i tipit 2 është një sëmundje që shkaktohet nga grumbullimi i yndyrnave në mëlçi. Kjo e fundit nxit më pas ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe rrit prodhimin e sheqerit në gjak. I gjithë ky mekanizëm rrit edhe nivelet e insulinës në plazmë, duke përshpejtuar kështu prodhimin e yndyrës në mëlçi. Më pas, lipidet prekin shumë zona të tjera në organizëm, përfshirë edhe pankreasin. Ky i fundit është vendi ku ndodhen qelizat beta të cilat janë përgjegjëse për krijimin e insulinës. Ekspozimi afatgjatë ndaj acideve të yndyrnave të ngopura është shumë i dëmshëm ndaj qelizave beta, thonë ekspertët.

    Mënyra më e mirë për luftimin e diabetit

    Sipas ekspertëve në fjalë, ushqyerja e duhur dhe aktiviteti fizik mund të nxisin humbjen e depozitave të tepërta dhjamore në organizëm. Sa më i shpejtë dhe më i qëndrueshëm të jetë ndryshimi në stilin e jetesës aq më i mirë do të jetë shëndeti i një diabetiku. Dieta me bazë perimet është mënyra më e mirë për të mbajtur në nivelin e duhur të sheqerit. Megjithëse mund të përfshijë një shumësi përbërësish dhe ushqimesh, jo të gjitha janë të rekomanduara për diabetin.

    Nëse konsumoni shumë drithëra, ushqime që përmbajnë niseshte apo sheqer nga frutat sëmundja me shumë mundësi do të avancojë. Sipas mjekëve edhe mishi apo vitaminat e marra nga kafshët mund të jenë faktorë kyç të zhvillimit të diabetit. Kjo gjë ndodh kur ushqimet që ju merrni janë të përpunuara, pra edhe nëse janë dietike përbërësit e tyre të shtuar gjatë përpunimit në fabrika janë të dëmshëm. Kjo për shkak se këto ushqime nëse konsumohen në sasi të mëdha bëhen rezistente ndaj insulinës duke krijuar disbalanca në organizëm.

    Çfarë duhet të konsumoni?

    Sigurohuni që të merrni sa më shumë ushqime të pa përpunuara, pra sa më shumë perime të freskëta. Kini kujdes me racionet, thonë ekspertët duke këshilluar që pjatat me mish të alternohen me sasi më të mëdha perimesh. Perimet jeshile si spinaqi, lakrat apo sallatat do t’ju bëjnë të ndiheni të ngopur dhe do të mbajnë organizmin në formë. Këto perime dhe barishte janë shumë të pasur me fibër e cila të mban të ngopur për shumë gjatë.

  • ​Sulmuan fizikisht një punëtor të burgut, arrestohen 4 persona në Prishtinë

    ​Sulmuan fizikisht një punëtor të burgut, arrestohen 4 persona në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona tre burra e një grua, pasi që në bashkëveprim kanë sulmuar fizikisht një punëtor të burgut.

    Sipas policisë rasti ka ndodhur rreth orës 03:20 në rrugën “Ahmet Krasniqi”, në Prishtinë.

    “Janë arrestuar katër të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër kosovarë, pasi që në bashkëveprim e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar (punëtor i burgut). Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

    ​Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

    Profesori i të drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se Kushtetuta e Kosovës është më e avancuara në Evropën Juglindore. Në ditën e aktit më të lartë politik dhe juridik të shtetit, Kryeziu, i cili është edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës, thekson se ky dokument është hartuar për të qenë jetëgjatë në Kosovë. Sipas tij, vakumi kryesor në Kushtetutë është kur nuk mund të arrihen qëllimet e shumicës, për shkak të kompromiseve që janë bërë për komunitetin serb dhe votën e dyfishtë në Kuvendin e Kosovës.

    Ish gjyqtari në Kushtetuese, në një intervistë për KosovaPress, akuzon edhe qeverinë Kurti se përmes ligjeve disa herë ka pasur tendencë për të shkelur Kushtetutën.

    “Duke përgatitur shpalljen e pavarësisë kemi punuar në hartimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila bazament ka qenë Pakoja e Ahtisarit. Kjo Kushtetutë hyn në kuadër të kushtetutave të kushtëzuara ose të ndikuara. Faktikisht Kushtetuta duhet me qenë referendare ose me referendum me vullnetin e plotë të popullit. Kushtetuta jonë ka kaluar në parlament nga përfaqësuesit e popullit… Kushtetuta e Kosovës në krahasim me 11 kushtetuta të Evropës Juglindore është njëra prej Kushtetutave më demokratike në Evropë, në kuptimin e normës kushtetuese. Është një kushtetutë ku gjejnë shprehje minoritetet në të gjitha fushat në aspektin e së drejtave. Qofshin ato në të drejtat njerëzore, fetare, kulturore dhe trashëgimore. Bazamentin kjo kushtetutë e ka në Pakon e Ahtisarit, quhet kushtetutë me elementë të jashtëm. Aty është favorizuar kryesisht minoriteti serb i cili ka qenë një kompromis për Pavarësinë e Kosovës. Kushtetuta ka vakume ende, për shkak se ndonjëherë nuk mund të arrijmë qëllimet e shumicës, pasi votimi bëhet në bazë të sistemit të Banditerit, që nënkupton dy të tretat plus dy të tretat e minoriteteve që në ligjet vitale duhet t’i kemi edhe votat e dyfishta të minoriteteve në parlament”, thotë Kryeziu.

    Sipas tij, s’ka ndonjë mekanizëm të veçantë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por thotë se në bazë të nenit 116 të Kushtetutës, autoritetet që nuk i zbatojnë vendimet kryejnë vepër penale.

    “Shteti jonë duhet me qenë shtet juridik me sundimin e ligjit. Kjo nënkupton se çdo vendim, qoftë ai i parlamentit, apo gjykatave shteti ka për detyrë me i zbatu. Nëse një shtet merr vendime, qofshin ato në karakterin e aktgjykimeve apo të parlamentit dhe nuk i zbaton nuk konsiderohet shtet që mundet me u integru në nivele ndërkombëtare. Vendimi për Manastirin e Deçanit kam thënë disa herë se duhet të zbatohet nuk është tradhti kombëtare… Nuk ka ndonjë mekanizëm të veçantë për zbatimin e vendimeve (të Gjykatës Kushtetuese). Por në bazë të nenit 116 të Kushtetutës së Kosovës, autoritetet që nuk i zbatojnë vendimet kryejnë vepër penale. Prokuroria ka për detyrë që me i nis hetimet penale për moszbatimin e vendimit dhe dënimet janë deri në gjashtë vite”, shton ai.

    Duke folur për numrin e projektligjeve që Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar gjatë qeverisjes Kurti, Kryeziu kërkon kujdes më të madh në hartimin e tyre.

    “Duhet pasur kujdes në hartimin e projektligjeve sidomos departamentit ligjore që janë në ministri. Më duket se nuk po koncentrohen shumë dhe aty konsiderohen se shkelet disa të drejta, të natyrës së punës, financiare dhe të tjera. Nëse shkelen disa të tjera dhe nuk janë në harmoni me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese i konsideron në kundërshtim me kushtetutën dhe i hedh si të pabaza… Kushtetutën nuk munden me shkel pasi Gjykata Kushtetuese nuk lejon, por tendencat për me shkel kushtetutën ka pasur. Gjykata Kushtetuese i mbron liritë dhe të drejtat e njeriut, pa marrë parasysh gjininë, racën, fenë e kështu me radhë. Përmes ligjit kanë pasur tendenca për me shkel të drejtën kushtetuese, sidomos në punësim, paga dhe kështu me radhë”, deklaron Kryeziu.

    Sa i përket rrezikut që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive dhe mbi Kushtetutën e vendit, Kryeziu thotë se asnjë dispozitë e tillë nuk mund të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Asociacioni i komunave serbe mund të krijohet në bazë të marrëveshjes së vitit 2013. Marrëveshja e vitit 2013 e përshkruan edhe statutin, këto veprime të tjera kanë qenë shumë politike, të cilat qeveria ka pasur për detyrë të hartojë një projekt-statut vet. Duke marrë parasysh se nuk e ka hartuar atëherë faktori ndërkombëtar e ka marrë përsipër. Ky projekt-statut është konglomerat i disa projekt-statuteve… Ka disa elemente, është i paqartë 1244, pastaj është arbitrazhi që është një element që i tejkalon institucionet tona. Unë besoj si profesor i të drejtës kushtetuese se këto dispozita nuk mund të kalojnë në Gjykatën Kushtetuese”, përfundon Kryeziu.

    Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. /kp