ATV

Author: ATVLive

  • Anëtarët e Listës Serbe japin dorëheqje nga KKZ-të në veri

    Anëtarët e Listës Serbe japin dorëheqje nga KKZ-të në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryetarët shqiptarë të komunave veriore mund ta çojnë deri në fund mandatin.

    Pas thirrjes për bojkot të votimit për shkarkimin e tyre, Lista Serbe të hënën largoi edhe anëtarët nga Komisionet Komunale Zgjedhore.

    Ky vendim i duket paksa i çuditshëm shoqërisë civile në veri, për faktin se Lista Serbe mori pjesë në hapin e parë, që ishte peticioni.

    Megjithatë, thonë se partia më e madhe serbe në Kosovë e di se nuk mund t’i mbledhin aq vota sa kërkohet.

    “Vendimi për bojkotim është befasues në njërën anë, pasi vjen pas nënshkrimit të peticionit, dhe në parim ishte pranim se do të merrnin pjesë në këtë proces, por në anën tjetër nuk është edhe aq befasues, sepse mendoj se vendimi është se ata nuk do të mund të mbledhin votat e mjaftueshme. Ne të gjithë kemi folur për atë se është e pamundur të mblidhen tërë ato vota tash, pasi shumë qytetarë janë jashtë Kosovës tash. Ata kanë pritur që kryetarët do të japin dorëheqje, sepse peticioni u pa si një vullnet i mirë nga serbët lokalë”, tha Aleksandar Sljuka nga OJQ “Nisma e Re Sociale”.

    Ndërsa, politologu Fidan Ukaj thotë se komisionerëve të Listës Serbe ua ka prishur pak punën edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur vendosi që nëpër qendra të votimit të ketë kamera.

    “Vendosja e kamerave nëpër vendvotime e ka frikuar Listën Serbe dhe e ka parandaluar manipulimin me listat zgjedhore, siç duket në të kaluarën ka ndodhur një gjë e tillë me mundësi që njerëzit kanë votuar më shumë se një herë për njerëzit që nuk kanë qenë prezent në veri të Kosovës dhe tanimë vendosja e kamerave nëpër vendvotime e rrit transparencën e po ashtu e parandalon këtë keqpërdorim”, tha Ukaj.

    Me a pa ta, procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, do të mbahet më 21 prill.

    Në rast se nisma dështon, një votim i tillë nuk mund të organizohet të paktën edhe për një vit.

  • ASK-ja prezanton planet për regjistrimin e popullsisë

    ASK-ja prezanton planet për regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Mbi 7 mijë e 600 intervista kanë përfunduar sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë nga 5 prilli e deri të hënën.

    Këtë shifër e tregoi në konference për media, kryesheshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

    Sipas tij, java e parë e regjistrimit, deri tash është duke shkuar sipas planit.

    “Kemi angazhuar regjistruesit, mbikëqyrësit dhe procesi është duke shkuar sipas planifikimit që kemi bërë herët. Aktualisht i kemi 98 për qind të mbikëqyrësve që kemi paraparë, 90 për qind e regjistruesve janë aktiv”, tha Kastrati.

    Por, sfidë për ASK-në mbetet regjistrimi i komunitetit serb në veri të vendit, pasi disa regjistrues janë tërhequr nga ky proces. Kastrati thotë se janë duke punuar në zëvendësimin e tyre.

    “Aktualisht kemi disa sfida nga komuniteti serb në disa pjesë, jo në gjithë Kosovës, dje ishim në pjesën veriore me disa kolegë, supozohet që ditëve në vijim do të angazhohen edhe ata…”, tha Kastrati.

    Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë se secili individ ose komunitet që nuk merr pjesë në regjistrimin e popullsisë, do ta dëmtojë komunën ku banon.

    Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë ka filluar nga data 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

  • Euro 2025, optimizëm te Kosova para sfidës me Uellsin

    Euro 2025, optimizëm te Kosova para sfidës me Uellsin

    Përgatiti: Bleta Gashi

    Kombëtarja e Kosovës në futboll ka zhvilluar të hënën stërvitjet në Kampin Nacional në Hajvali, një ditë para ballafaqimit me Uellsin në kuadër të grupit 4, në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2025.

    Trajnerja Anel Andersen shpresojnë në paraqitje më të mirë, ndonëse janë të vetëdijshme për forcën e kundërshtareve.

    “Ju duhet thjesht ta shikoni radhitjen e ekipeve, ne jemi ekipi më i fundit i renditur në të gjithë ligën e ekipeve B. Prandaj, jemi këtu për të mësuar, dhe dëshirojmë të kemi fitore por, duhet të jemi shumë modestë dhe të kuptojmë që ky është një nivel krejtësisht tjetër për ne, ne duam të fitojmë çdo lojë, mirëpo kjo është e vështirë”, tha Andersen.

    Disa nga futbollistet e kombëtares thanë se do të hyjnë në fushë për të marrë rezultat pozitiv.

    “Jemi duke u munduar që ato gabimet që i kemi bërë lojën e kaluar të jemi më kompakt, t’i ikim presionit. Jemi duke u munduar tani t’i përmirësojmë. Besoj që do të shkojë shumë më mirë loja, e dimë që është një lojë shumë e vështirë me liderin e grupit, po besoj që ne do të japim më të mirën dhe besojmë që do të shkojë mirë loja”, tha Lumbardha Misini, futbolliste.

    “Stërvitjet po shkojnë mirë, jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje të vështirë që e kemi. E dimë se është një ekip shumë i shpejtë dhe janë të fortë, por ne jemi duke u përgatitur si ekip maksimalisht edhe atmosfera në grup është shumë e mirë dhe mendojmë se do të dalim me një rezultat pozitiv”, tha Valentina Metja, futbolliste.

    Para ndeshjes me Ukrainën, Kosova ishte në seri prej 14 ndeshjeve pa humbje. Kishte 13 fitore në këtë seri, gjatë së cilës nga Liga C kaloi në Ligën B të Ligës së Kombeve.

    Futbollistet e Kosovës e presin Uellsin në Podujevë për shkak të rinovimit të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Ndërkohë, Kosova i ka përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme kualifikimet për Kampionatin Evropian U19. Pas Gjibraltarit dhe Luksemburgut, Dardanet të hënën e mposhtën Izraelin, me rezultat 2:1. Kjo ishte ndeshja e fundit kualifikuese, me ç’rast edhe dolën triumfuese të Grupit 3 në Ligën B, duke avancuar kështu në Ligën A, për ciklin e ardhshëm kualifikues.

  • Gjykimi për autostradën e Gjilanit, i akuzuari Betim Reçica thotë se nuk pati asnjë shkelje ligjore në tender

    Gjykimi për autostradën e Gjilanit, i akuzuari Betim Reçica thotë se nuk pati asnjë shkelje ligjore në tender

    Përgatiti: Nora Luta

    Procesi gjyqësor rreth akuzave të Prokurorisë Speciale për keqpërdorime në tenderin për ndërtimin e autostradës së Gjilanit është pothuajse në përfundim.

    Të hënën gjatë fazës së mbrojtjes, ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, tha se operatori “Gjoka Construktion”, i ka përmbushur kriteret për të fituar tenderin, sipas tij, me një çmim të ulët.

    Prokuroria Speciale në aktakuzë pretendon se Reçica si ushtrues i detyrës së drejtorit të prokurimit publik në MI, ushtroi ndikim me qëllim të përfitimit financiar për këtë kompani.

    Aktakuza thotë se presioni nga Reçica që rivlerësimin e tenderit ta kryejnë për 10 ditë ishte mbi tre të akuzuarit tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të komisionit. Por, afati, sipas tij, ishte caktuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

    Reçica ka mohuar edhe tjetrën pikë të aktakuzës që flet rreth blerjes së një veture.

    Tre të akuzuarit e tjerë në këtë rast kanë shfrytëzuar të drejtën të mbrohen në heshtje.

    Sipas aktakuzës, Reçica sa ishte në MI vendosi që 14 zyrtarë të kësaj Ministrie të paguhen shtesë, por ai gjatë mbrojtjes mohoi se pati veprime të kundërligjshme.

    Sipas PSRK-së, Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e komisionit që të shkojnë në takim me ish-ministrin Pal Lekaj, e më pas ta shpallin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion”.

    Komisioni Rivlerësues, sipas aktakuzës, kishte rekomanduar kompaninë “Papenburg Adriani”.

    Reçicës në shkurt të këtij viti i është konfirmuar edhe aktakuza në një rast tjetër, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në projektin e rrugës Prizren – Prevallë.

  • Komunat kërkojnë nga qeveria paratë e veta

    Komunat kërkojnë nga qeveria paratë e veta

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komuna e Rahovecit synon të realizojë projekte të reja gjatë vitit aktual.

    Por mjetet për t’i paguar punëkryesit mungojnë, meqë Ministria e Financave, akoma nuk ia ka bartur të hyrat vetjake komunës.

    “Ne i kemi paraparë edhe disa projekte, sepse ligji na e lejon, nëse vonohen me këtë vendim, atëherë problemet janë sepse këto projekte iu janë nënshtruar procedurave të prokurimit dhe kontrata nuk mundë të lidhet pa i pasur mjetet në dispozicion. Problemi tjetër ne kemi parapa që një pjesë e mjeteve të bartet në mallra shërbime, sepse kemi deficit në këtë kategori”, tha drejtori për buxhet dhe financa në Komunën e Rahovecit, Afrim Limani.

    Komuna e Rahovecit ka edhe fatura për të paguar në kohë të limituar. Kështu që bartja e të hyrave vetjake kërkohet me urgjencë nga drejtori për Financa në Rahovec.

    “Ne i kemi dy fatura që janë në pritje dhe sipas ligjeve që janë në fuqi, operatori në momentin kur fatura nuk ekzekutohet brenda 60 ditëve, atëherë ka të drejtë të iniciojë procedura përmbarimore. Realisht kemi hapësirë edhe diku dhjetë ditë, shpresoj që brenda kësaj kohe të na alokohen mjetet. Vlera e faturave është 435 mijë euro”, tha Limani.

    Në pritje të bartjes së të hyrave vetjake, janë edhe komunat e tjera të Kosovës.

    “Janë në pyetje dhjetëra miliona euro, nuk po flasim për një apo dy milion euro, por dhjetëra miliona euro, dhe gjitha këto mjete përkthehen në investime kapitale, shumica absolute e tyre janë për investime kapitale, por ka edhe për subvencionime e tjera dhe gjithçka është duke u vonuar… kërkojmë nga niveli qendror që sa më parë këto mjete financiare t’i bartë në komuna, sepse ato janë të komunave”, tha drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

    Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se vonesa e bartjes së të hyrave vetjake, prodhon dëme zinxhirore për komunat.

    “Nëse një projekt ka mbaruar dhe komuna nuk mundë ta kryejë pagesën, atëherë operatori ekonomik e ka të drejtën ligjore t’i kërkojë ato mjete përmes përmbaruesit, dhe tash kostoja e përmbaruesit rritet dhe kjo kosto nuk është e paraparë me buxhetin komunal dhe komunat duhet t’i marrin nga një vijë tjetër buxhetore, pastaj mundë të lejë moszbatim të një projekti tjetër i cili është i paraparë… Atëherë raportet e auditimit të komunave nuk dalin pozitive”, tha Ibrahimi.

    Lidhur me shqetësimet e komunave, Ministria e Financave nuk ktheu përgjigje të hënën.

    Vonesa në bartjen e të hyrave vetjake të komunave nga niveli qendror, ka pasur edhe vitin e kaluar.

  • Ngecje në liberalizimin e tregut energjetik, plus dy vjet “Monopol” i KESCO-s

    Ngecje në liberalizimin e tregut energjetik, plus dy vjet “Monopol” i KESCO-s

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Të paktën edhe për dy vjet kompania private KESCO do të vazhdojë monopolin në furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

    Javën e kaluar, pas prezantimit të raportit, i cili konstaton se ka përqendrim të lartë të tregut dhe mungesë likuiditeti, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi që kompania turke të vijojë të jetë furnizues i shërbimit universal, që është i barasvlershëm me obligimin e shërbimit publik me kushte të rregulluara.

    Ky obligim vendoset kur ka dominim të tregut nga një kompani, që në rastin e Kosovës mundësohet nga marrëveshja për furnizim me shumicë KEK-KESCO, si pjesë e procesit të privatizimit.

    Marrëveshja vijon të mbetet e paprekur, përkundër se Bashkimi Evropian e vlerëson atë si pengesë kyçe në raport me liberalizimin e tregut.

    “Kosova ende nuk ka bërë progres në ristrukturimin e marrëveshjes ekzistuese për furnizim me shumicë ndërmjet Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Largimi nga marrëveshja e furnizimit me shumicë do të kontribuonte në zhbllokimin e konkurrencës dhe likuiditetit në treg, për të mirën e konsumatorëve të energjisë në Kosovë”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

    Teksa shprehen të pafuqishëm për veprim, me arsyetimin se gjatë privatizimit janë përjashtuar nga marrëveshja, në ZRRE shpresojnë në hapje të tregut.

    “ZRRE-ja e ka përkrahë edhe krijimin e bursës shqiptare (ALPEX), bashkimin e tregut me Shqipërinë. Dhe si e tillë, ky është një parakusht dhe një lehtësim për sjelljen e konkurrencës në vend dhe shpresojmë që në vitet në vazhdim do të kemi konkurrencë të mjaftueshme dhe të kemi mundësi që edhe ne, konsumatorët, të zgjedhin në mënyrë vullnetare të shkojnë të zgjedhin furnizuesit komercialë. Të mos ketë nevojë që ZRRE-ja në të ardhmen të përcaktojë tarifat”, tha kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

    Megjithatë, gjendja faktike e dominimit të plotë, sipas ekspertit të energjisë Naim Bujupi, nuk jep shpresë për liberalizim të tregut së shpejti.

    “KESCO-ja, e cila mbulon 99% të tregut me pakicë, dhe kjo tregon që në një të ardhme të afërt do ta kemi të pamundur të ndërtojmë një treg likuid. Shto faktin se ekziston marrëveshja mes KEK-ut dhe furnizuesit publik për shitblerje të energjisë për rreth 30 euro për megavat orë, që një çmim tejet i ulët krahasuar me çmimin e tregut dhe kjo i pengon që të futen furnizuesit e rinj në tregun elektroenergjetik të Kosovës”, tha Bujupi.

    Marrëveshja për furnizim me shumicë, në kuadër të procesit të privatizimit, e obligon KEK-un energjinë e prodhuar t’ia shesë ekskluzivisht KESCO-s, për një çmim të rregulluar prej 29.5 euro për megavat orë – përveç tepricave, të cilat mund t’i shesë në treg ose t’i shkëmbejë, si rasti me Shqipërinë.

  • Shënohet 52 vjetori i ditës botërore të romëve

    Shënohet 52 vjetori i ditës botërore të romëve

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Thonë se janë pjesa më e margjinalizuar e shoqërisë. Prandaj në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, pjesëtarë të këtij komuniteti po i kërkojnë të drejtat e tyre.
    Kërkesat më së shumti lidhen me shkollim dhe mirëqenie.

    “Duhet të përfshihemi më shumë në institucione, punësim, arsim. Të jemi të barabartë me të gjitha kategoritë e tjera shoqërore, sepse jemi njerëz”, thotë një qytetar i komunitetit rom.

    Për nder të kësaj dite, komuna e Prishtinës mbajti një aktivitet në sheshin “Adem Jashari”, të shoqëruar me këngë në gjuhën romane.

    Këtu u shpërndanë edhe fletushka me histori të këtij komuniteti.

    Përfshirja e romëve në sferat e shoqërisë, është drejtim në të cilin i pari i Prishtinës, Përparim Rama, zotohet se është duke punuar.

    “Ju uroj romëve ditën ndërkombëtare të tyre, është komunitet i cili fatkeqësisht nuk ka gjetur vend më parë në shumë rrugë, mirëpo jemi duke punuar sidomos në arsim dhe punësim…”, tha Rama.

    Për ditën e tyre, romët i ka uruar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila vlerësoi kontributin dhe angazhimin e këtij komuniteti, duke kujtuar kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit rom në Kosovë dhe më gjerë.

    8 prilli u shpall Dita Ndërkombëtare e Romëve, në vitin 1990, në ditën kur u mbajt Kongresi i parë i Unionit Ndërkombëtar Rom.

  • Eklipsi ‘errëson’ Amerikën, mijëra qytetarë gati për të parë fenomenin e rrallë

    Eklipsi ‘errëson’ Amerikën, mijëra qytetarë gati për të parë fenomenin e rrallë

    Eklipsi i diellit ka filluar në Oqeanin Paqësor dhe tash po ndodh edhe në Meksikë, transmeton Periskopi.

    Sipas “Sky News”, nga Oqeani Paqësor, eklipsi i diellit do të vazhdoj drejt Amerikës së Veriut.

    Çka është eklipsi i diellit?

    Një eklips diellor ndodh kur Hëna lëviz midis Tokës dhe Diellit, duke bllokuar disa ose të gjitha rrezet e Diellit që të arrijnë në Tokë. Fenomeni është një ngjarje kozmike, që kërkon që Dielli, Hëna dhe Toka të jenë në shtrirjen e duhur që Hëna të hedhë hije në planetin tonë.

    Kur kjo ndodh, Hëna hedh dy lloje hijesh. Njëra rezulton në një eklips të pjesshëm diellor, i cili mbulon vetëm një pjesë të Diellit.

    Tjetri – dhe më spektakolari – quhet një eklips diellor total, në të cilin disku i Diellit mbulohet tërësisht nga Hëna.

    Një eklips total diellor ndodh diku në Tokë afërsisht çdo 18 muaj ose më shumë. SHBA-ja kontinentale ishte gjithashtu me fat për të parë një të tillë në 2017, por mundësia e saj e ardhshme e rëndësishme nuk do të vijë deri në vitin 2045.

    Hija e plotë e Hënës përfundon udhëtimin e saj nëpër Tokë në Oqeanin Atlantik rreth 620 milje (1000 km) nga Cornëall.

    Por duhet të jetë ende e mundur të kapet një eklips i pjesshëm nga pjesët perëndimore të Britanisë së Madhe, pikërisht përpara perëndimit të diellit.

  • Bojkoti i shkarkimit të kryetarëve nga Lista Serbe, Rohde: Rast i qartë i presionit ndaj qytetarëve në veri

    Bojkoti i shkarkimit të kryetarëve nga Lista Serbe, Rohde: Rast i qartë i presionit ndaj qytetarëve në veri

    Vendimi i Listës Serbe për mospjesëmarrje në votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore, ka shtyrë për reagim ambasadorin gjerman Jorn Rohde.

    Në një prononcim Rohde ka thënë se është shqetësuese kjo qasje e këtij subjekti.

    “Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, u shpreh ambasadori.

    Politikën e këtij subjekti Rohde e ka quajtur “bojkot dhe dorëheqje”, duke e cilësuar edhe si një tjetër autogol nga Lista Serbe.

    “Për mua, politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet fare sinqerisht në dy fjalë: ‘bojkot dhe dorëheqje’. Kjo është katastrofike, një dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe, sigurisht që kjo nuk ndihmon për të siguruar që ne do të kemi në veri kryetarë që përfaqësojnë plotësisht elektoratin të cilit i shërbejnë”, tha ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

  • Japin dorëheqje anëtarët serbë të komisioneve për referendumin në veri

    Japin dorëheqje anëtarët serbë të komisioneve për referendumin në veri

    Anëtarët serbë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve kanë dhënë dorëheqje të hënën, një ditë pasi Lista Serbe u tërhoq nga përkrahja e referendumit për largimin e kryetarëve të komunave në veri.

    Lajmi është konfirmuar nga Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    “Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe”, tha Elezi.

    “Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilë përfaqësojnë subjektet politike parlamentare”, tha ai.