ATV

Author: ATVLive

  • Osmani për bojkotin e Listës serbe: Vjen me urdhër të presidentit Vuçiq

    Osmani për bojkotin e Listës serbe: Vjen me urdhër të presidentit Vuçiq

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për media, ka kërkuar që serbët në veri të vendit të mos i dëgjojnë thirrjet e Listës serbe, të cilët kërkuan që të bojkotohet procesi i referendumit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve në veri, raporton Ekonomia Online.

    Sipas Osmanit, ky bojkot vjen me urdhër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Natyrisht Kushtetuta jonë dhe ligjet e kanë krijuar bazën ligjore se bashku me një udhëzim administrative të nxjerrë nga ministria përkatëse që qytetarët e komunave tona të kenë të drejtë të fillojnë procedurat për largimin e kryetarëve. Republika e Kosovës në bashkëpunim me aleatë ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet kjo e drejtë, të mos ju cenohet në as një moment kjo e drejt dhe ata ta realizojnë këtë të drejtë të lirë dhe pa presione”, ka thënë Osmani pas homazheve në përvjetorin e Betejës së Kosharës.

    “Për fat të keq edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuqiq ai që nuk e mbanë fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezent edhe kancelari Scholz edhe presidenti Macron por edhe në takime të tjera ku ai kishte garantuar se nuk do të bëjë presion të pa ligjshme ndaj serbeve që mos të marrin pjesë në një proces të tillë”, u shpreh Osmani.

  • Ambasadori francez: Respektimi i vlerave të Kushtetutës, çelësi për një shtet ligjor efektiv

    Ambasadori francez: Respektimi i vlerave të Kushtetutës, çelësi për një shtet ligjor efektiv

    Ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka uruar Kosovën në Ditën e Kushtetutës.

    Ai ka thënë se respektimi i vlerave dhe i dispozitave, njashtu edhe pavarësia e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është çelësi për një shtet ligjore efektiv.

    “Gëzuar Ditën e Kushtetutës Kosovë! Respektimi i vlerave dhe dispozitave të Kushtetutës, pavarësisë dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e saj, është çelësi për një shtet ligjor efektiv. Në Kosovë si në çdo shtet tjetër demokratik”, ka shkruar në platformën X Guerot.

  • Dyshime për spiunazh, Stoltenberg: Kemi dëbuar nga NATO shumë punonjës rusë gjatë viteve të fundit

    Dyshime për spiunazh, Stoltenberg: Kemi dëbuar nga NATO shumë punonjës rusë gjatë viteve të fundit

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild të premten, deklaroi se vitet e fundit, shumë punonjës të misionit rus janë dëbuar nga selia e NATO-s për shkak të dyshimeve për spiunazh.

    “Ne kemi parë që shërbimet e inteligjencës ruse kanë operuar nëpër vendet europiane për shumë vite. Ne po shohim gjithashtu përpjekje për të rritur aktivitetet e tyre, por sigurisht, aleatët e NATO-s po monitorojnë, duke e ndjekur situatën nga afër,” shtoi ai.

    Ai tha se NATO “përzuri, për shembull, personelin rus nga selia e NATO-s, sepse kuptuam se ata po kryenin aktivitete që nuk ishin punë diplomatike, por punë inteligjente”. Në tetor 2021, NATO dëboi tetë diplomatë rusë që konsideroheshin oficerë të inteligjencës.

    Që nga 1 nëntori 2021, Rusia ka pezulluar aktivitetet e delegacionit të saj në NATO, misionin ndërlidhës ushtarak të NATO-s, si dhe zyrën e informacionit të Aleancës në Moskë.

  • Politikani nga Mali i Zi: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është fakt i kryer

    Politikani nga Mali i Zi: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është fakt i kryer

    Nikollë Gegaj, anëtar i bordit drejtues të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është fakt i kryer, ndërsa shtoi se vota kundër Kosovës në Komitetin për Politikë dhe Demokraci dëshmoi se pushteti ekzekutiv në Mal të Zi devijoi nga kursi euroatlantik.

    “Në fund të fundit, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës – dhe goditja e ulët ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi – është bërë fakt. Kjo do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pra edhe serbëve që jetojnë atje, të kenë një shkallë më të madhe të mbrojtjes së të drejtave të tyre, pikërisht para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaroi Gegaj.

    Mali i Zi, përveç shteteve mosnjohëse brenda Këshillit të Evropës, doli në skenë duke votuar kundër Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë evropiane që është ngritur mbi parimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Maja Vukiçeviç, deputete nga radhët e Partisë Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi votoi kundër.

    “Kam frikë se me këtë procedurë i është dërguar mesazh ndërkombëtarëve se Mali i Zi ka devijuar nga kursi euroatlantik. Dua të shtoj se dikush dëshiron qëllimisht që vendi ynë të prishë marrëdhëniet e mira fqinjësore, gjë që është në kundërshtim me interesat e përcaktuara të politikës së jashtme të vendit tonë”, nënvizoi Gegaj, ndonëse shtoi se nuk habitet nga akti.

    Duke komentuar mungesën e reagimit të presidentit dhe kryeministrit të Malit të Zi – Jakov Milatoviç dhe Millojko Spajiç – ndaj deputetes malazeze që votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ai vlerësoi se të krerët aktual të shtetit synojnë t’i shkaktojnë Malit të Zi dëme të pariparueshme vetëm për të siguruar qëndrimin në pushtet.

    “Nuk mendoj se gjithçka në politikë ka të bëjë me fitimin e pikëve të lira politike. Nëqoftëse do të ishte kështu, Millo Gjukanoviç, i cili ishte në krye të qeverisë, nuk do ta kishte marrë kurrë vendimin që Mali i Zi ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Ai vendim ishte i vështirë, por me kalimin e kohës u vërtetua se ishte shumë i mençur”.

    Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

    Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të majit.

    Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

  • KQZ u kërkon Listës Serbe dhe GI SPO-s zëvendësimin e anëtarëve të dorëhequr nga KKZ

    KQZ u kërkon Listës Serbe dhe GI SPO-s zëvendësimin e anëtarëve të dorëhequr nga KKZ

    Në fillim të mbledhjes, anëtarët e KQZ-së u njoftuan se më 7 dhe 8 prill janë pranuar dorëheqjet e katër përfaqësuese të subjektit politik Lista Serbe nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, dhe dorëheqjen nga përfaqësuesi i subjektit politik GI Za Slobodu Pravdu i Opstanak – (GI SPO) nga komuna e Mitrovicës së Veriut, të cilët ishin emëruar më parë nga KQZ për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në këto komuna.

    Pas pranimit të këtyre dorëheqjeve, KQZ u ka dërguar këtyre dy subjekteve politike kërkesën për zëvendësimin e anëtarëve të dorëhequr nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, raporton ATV.

  • Përpjekja e Lajçak drejt fundit, emisari i zhgënjyer s’beson se Kosova e Serbia janë të gatshme për normalizim

    Përpjekja e Lajçak drejt fundit, emisari i zhgënjyer s’beson se Kosova e Serbia janë të gatshme për normalizim

    Miroslav Lajçak duket i zhgënjyer dhe aspak optimist për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa mandati i tij i ndërmjetësit po i afrohet fundit. I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun nuk beson se këto dy vende janë të gatshme për këtë. Në shtator ai pritet të tërhiqet nga kjo përpjekje për t’u zhvendosur në Zvicër si ambasador i BE-së.

    Është pothuajse e sigurt që i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak s’do të vazhdojë ta mbajë këtë post. Derisa mandati i tij po shkon drejt fundit dhe ai pritet ta marrë një detyrë tjetër pas disa muajsh, sllovaku të hënën shprehu zhgënjimin e tij me procesin të cilin e ndërmjetëson qe 4 vjet.

    Lajçak, i cili çdoherë përsërit thirrjen që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksin e saj, e bëri këtë edhe dje në forumin “BE-ja takon Ballkanin” në Sofje. Por këtë herë nuk u shfaq aspak optimist se gjërat do të lëvizin.

    “Me marrëveshjen e Ohrit, që është një udhëzues drejt normalizimit, më nuk mund të pyesim se çfarë duhet bërë dhe si ta bëjmë. Por, e vërteta është se kam shpresuar që deri sot shumica e pikave të zbatoheshin. Por, ka ndodhur shumë pak. Pse kështu, pasi normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është çështje shumë e ndjeshme. Nuk besoj se palët janë të gatshme për këtë, nuk besoj se shoqëritë janë të gatshme për këtë”, tha Lajçak.

    “Çfarë unë shoh është se sa herë që ka përparim, dy liderët Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq kritikohen ashpër nga opozita. Por, në realitet ata do të duhej të përgëzoheshin që bëjnë përparim drejt normalizimit, pasi është gjë e mirë për qytetarët. Është e qartë që nuk mund të bësh përparim drejt normalizimit kur ke kriza në terren”, shtoi ai.

    E pranoi se periudha e tij në këtë detyrë është karakterizuar me shumë luhatje. “Kemi pasur periudha normalizimi e pastaj menaxhim të krizave, kështu ka qenë gjithë mandati”, tha Lajçak, duke përmendur sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Ai foli për nevojën e krijimin e një atmosfere të mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për ta arritur këtë, ai tha se duhet që “rajoni të besojë se është momenti për zgjerimin e BE-së”.

    “Në momentin që partnerët tanë e kuptojnë se progresi në normalizim çon te progresi në rrugën e tyre drejt BE-së, atëherë do të shohim përparim të madh”, tha Lajçak, duke shtuar se ky dialog është “procesi më strategjik në Ballkanin Perëndimor”, dhe se ai ka ndikim në të gjithë rajonin.

    Në Zvicër, puna e re e Lajçak

    Miroslav Lajçak duket se do të jetë ambasadori i ri i Bashkimit Europian në Zvicër nga 1 shtatori, duke e pasuar grekun Petros Mavromichalis, i cili do të rikthehet në Bruksel pas katër vitesh në këtë post.

    Mandati i Lajçak si përfaqësues special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundon në vjeshtë. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell e kishte emëruar sllovakun në këtë detyrë jo të lehtë në vitin 2020.

    Pas katër vitesh, rezultati nuk është pozitiv, pasi nga ai pritej të sillte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve ballkanike, por marrëdhëniet vetëm sa janë përkeqësuar, me tensionet që u përshkallëzuan deri në dhunë.

    Nga Brukseli nuk kanë mohuar e as pohuar se Lajçak nga shtatori do të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër, ashtu siç u raportua para pak ditësh. Peter Stano, zëdhënësi kryesor i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, i tha Gazetës Express para një jave se nuk komentojnë spekulimet në media, por tregoi se rotacioni i radhës i rregullt, i cili pritet të ndodhë në shtator, do të përfshijë shefat e delegacioneve dhe zëvendëskryetarët.

    “Nuk ka asnjë ndryshim të afërt të kryetarëve në delegacionet tona në mbarë botën. Rotacioni i radhës i rregullt, që do të përfshijë shefat e delegacioneve dhe zëvendëskryetarët e delegacioneve, është planifikuar vetëm në gjashtë muaj, në shtator”, tha Stano në një përgjigje me shkrim.

    Duke u zhvendosur në Bern, Miroslav Lajçak mund të gjejë një detyrë më të qetë.

    Pas zgjedhjeve europiane që do të mbahen në qershor, do të vendoset edhe se kush do të jetë shefi i ri i diplomacisë europiane, i cili do ta pasojë Borrellin.

  • Votohet për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë

    Votohet për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë

    Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës.

    Raporti, i përpiluar nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, u miratua me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 abstenime.

    Votimi i sotëm është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe.

    Këto pasaporta i lëshon Drejtoria Koordinuese në Beograd, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Liberalizimi i vizave për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës, ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.

    Propozimin për t’ua hequr vizat edhe bartësve të pasaportave serbe në Kosovë, e ka dhënë Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar, duke argumentuar se me një vendim të tillë, të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin në procesin e liberalizimit të vizave.

    Përveç qytetarëve të Kosovës që e siguruan lëvizjen e lirë këtë vit, qytetarët e vendeve të tjera të rajonit e kishin atë për më shumë se dhjetë vjet.

    Por, kur janë hequr vizat për shtetasit e Serbisë, është vendosur që liberalizimi të mos vlejë për ata që kanë pasaporta të Serbisë e që banojnë në territorin e Kosovës.

    Qeveria e Kosovës e ka kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e tyre në liberalizimin e vizave, duke e cilësuar atë si “shkelje të integritetit territorial të Kosovës” dhe duke pohuar se të gjithë shtetasit e Kosovës, përfshirë edhe ata me përkatësi etnike serbe, mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës.

    Për Qeverinë e Kosovës, problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese e Serbisë, vendbanimet në territorin e Kosovës shkruhen sikur të jenë në Serbi.

    Pas votimit të sotëm pritet që i njëjti raport të votohet edhe në seancë plenare nga i tërë Parlamenti Evropian, që do të zhvillohet prej 22 deri më 25 prill.

    Kjo seancë plenare do të jetë edhe e fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, pasi nga data 6 deri më 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian në 27 vendet anëtare të BE-së.

    Raportuesi Nemec ka shprehur qëllimin që procedura për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë të kryhet gjatë këtij mandati të PE-së, në mënyrë që Këshilli Evropian ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi. /REL/

  • Festat zyrtare – sa pushojnë punëtorët në Kosovë e sa në shtetet tjera

    Festat zyrtare – sa pushojnë punëtorët në Kosovë e sa në shtetet tjera

    Sipas Ligjit për festat zyrtare, të punësuarit në Kosovë, gjatë vitit 2024, do të pushojnë në 12 prej ditëve të punës shkaku i festave zyrtare. Ata pushojnë më 1, 2 dhe 8 janar, 19 shkurt, 1 dhe 9 dhe dhjetë prill, 1, 6 dhe 9 maj, 17 qershor dhe 25 dhjetor.

    Në vitet paraprake, me vendim të Qeverisë, nuk është punuar as më 28 nëntor, edhe pse kjo datë që shënon Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk hyn në listën e festave zyrtare. Në shumë kompani private punohet edhe në ditët e festave zyrtare.

    Edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor pushohet thuajse njëjtë. Në Maqedoni të Veriut, janë 11 ditë pushim, në Serbi 12, në Shqipëri 15, në Mal të Zi 17 ditë, derisa në Bosnje e Hercegovinë janë dy ditë, por përvec dy festave të përbashkëta, njësitë administrative shpallin ditët e pushimit në mënyrë të pavarur.

    Ndërkohë, në botë, më së shumti ditë pushimi ka në Nepal, apo 35 ditë. Pas Nepalit renditet Indonezia me 28 ditë dhe India me 26.

    Në Itali janë 12 ditë pushim, në Francë 11 ditë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 10 ditë, në Gjermani 9 ditë, derisa në Angli 8 ditë.

    Në shumë vende të botës dhe të Ballkanit Perëndimor – por jo edhe në Kosovë – në ditët e festave fetare pushojnë vetëm besimtarët e atij religjioni. Praktika e zëvendësimit të ditëve të pushimit kur ato bien në fundjavë, si në Kosovë, zbatohet edhe në shumë vende të tjera në botë. Në Nepal, Ligji i Punës përcakton gjashtë ditë pune në javë./REL

  • Paralajmërimi i shkencëtarëve nëse temperaturat nuk ulen deri në fund të vitit

    Paralajmërimi i shkencëtarëve nëse temperaturat nuk ulen deri në fund të vitit

    Ndryshimet klimatike mund të lëvizin “në një territor të paeksploruar” nëse temperaturat nuk bien deri në fund të vitit, ka thënë një shkencëtar për BBC.

    Paralajmërimi erdhi pasi të dhënat treguan se muaji mars ishte më i ngrohtë i regjistruar, duke e zgjatur ecurinë e rekordeve mujore të temperaturës.

    Një sistem moti i quajtur El Niño qëndron pas temperaturave të larta jo normale të regjistruara kohët e fundit.

    “Deri në fund të verës, nëse ne jemi ende duke parë temperaturat rekorde në Atlantikun e Veriut ose diku tjetër, atëherë me të vërtetë kemi lëvizur në një territor të paeksploruar,” tha Gavin Schmidt, drejtori i Institutit Goddard të NASA-s për Studimet Hapësinore.

    Marsi i vitit 2024 ishte 1,68 gradë Celsius më i ngrohtë se koha “para-industriale” – dmth përpara se njerëzit të fillonin të digjnin sasi të mëdha lëndësh djegëse fosile – sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së Copernicus.

  • Kurti në Kaçanik, nderon të rënët për liri

    Kurti në Kaçanik, nderon të rënët për liri

    Sot është shënuar 25-vjetori nga lufta e “Lagjes së Re” dhe të Rakocit. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur ditën me homazhe në Kaçanik, për nder te dëshmorëve të rënë për liri.

    Ai ka vizituar Lagjen e Re dhe Rakocin si dhe ka vendosur kurora me lule në vendin e rënies, pranë lapidarit të ngritur si dhe në Kompleksin Memorial “Varrezat e Dëshmorëve”, në Kaçanik.

    Përkujtojmë, se në këtë ditë ranë heroikisht 28 dëshmorë dhe 32 martirë.

    “Nebih Livoreka i kishte 105 vjet kur e vranë në Rakovec të Kaçanikut. Ai ishte në mesin e 32 civilëve që u vranë atë ditë. Në betejë me forcat armike të Serbisë që kishin sulmuar popullsinë shqiptare ranë heroikisht 28 dëshmorë të UÇK-së. Sot u mbushën 25 vjet.

    Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku ishte zgjuar i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, duke granatuar nga të gjitha anët.

    Në mbrojtje të tyre dolën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me forcat e armatosura serbe. Në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, u zhvilluan luftime të ashpra. Në mbrojtje të popullatës civile ranë 28 dëshmorë. Në mesin e tyre edhe katër gra dëshmore: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri. Sikurse që doli në ballë të luftimeve në prill 1999, ashtu në maj 1998 Mukadezja ishte në ballë të protestave kundër dhunës serbe në Kaçanik.

    Ne ishim sot në Kaçanik për të nderuar kujtimin e burrave e grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun.

    Në këtë datë, nderojmë 28 dëshmorë dhe 32 viktima civile, martirë të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re.

    Me përkushtimin për ta ruajtur trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke nderuar sakrificat e popullit të Kosovës për liri, punojmë me vendosmëri për një Kosovë të paqes, të drejtësisë dhe përparimit.

    Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë!”, ka shkruar Kurti.