ATV

Author: ATVLive

  • Kurti pas vizitës në BIK: Në këtë ditë të përkujtojmë edhe 37 imamë që janë dëshmorë të kombit

    Kurti pas vizitës në BIK: Në këtë ditë të përkujtojmë edhe 37 imamë që janë dëshmorë të kombit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti me rastin e festës së Fitër Bajramit ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, gjersa ka uruar qytetarët për një ditë të gëzuar e në paqe.

    Kurti pas takimit me myftiun Naim Tërnava në një deklaratë për media tha se muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës dhe solidaritetit, që sjellin mbarësi.

    “Të gjithë qytetarëve ju uroj paqe, begati shëndet e dashuri… Muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës dhe solidaritetit dhe të gjithë e dimë se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi.

    Në këtë pranverë për çdo ditë po përkujtojmë 25 vjetorë të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin tonë në vendin tonë, por njëkohësisht edhe beteja të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës andaj me këtë rast duhet përkujtuar edhe 37 hoxhallarë, imamë që janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit”, tha kryeministri Kurti.

  • Mijëra besimtarë falin namazin në sheshin “Skënderbej” në Tiranë

    Mijëra besimtarë falin namazin në sheshin “Skënderbej” në Tiranë

    Mijëra besimtarë myslimanë në Shqipëri kryen faljen e namazit sot në festën e Fitër Bajramit.

    Falja nisi në orën 06:55 në të gjitha qytetet nëpër xhami e sheshe kryesore.

    Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit.

    Në Tiranë, besimtarët kryen faljen e namazit në “Sheshin Skënderbej”, nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.

    Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë./tch

  • Myslimanët falin namazin e Fitër Bajramit në Jerusalem

    Myslimanët falin namazin e Fitër Bajramit në Jerusalem

    Myslimanët kanë falur namazin e Fitër Bajramit në Jerusalem për të shënuar fundin e muajit të agjërimit të Ramazanit.

    Qindra besimtarë ndoqën lutjet në kompleksin e xhamisë Al Aksa, vendi i tretë më i shenjtë në Islam, shkruan Skynews.

  • Masa e sigurisë për mallrat serbe, ministri serb letër ankese BE-së, Britanisë, ShBA-së dhe CEFTA-s

    Masa e sigurisë për mallrat serbe, ministri serb letër ankese BE-së, Britanisë, ShBA-së dhe CEFTA-s

    Ministri i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme i Serbisë, Tomislav Momiroviq, u ka dërguar një letër ankese të gjithë ministrave të tregtisë së Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe CEFTA-s, lidhur me masën e sigurisë që ka vendosur Kosova ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, qysh nga qershori i vitit të kaluar.

    Kosova e kishte marrë këtë vendim pasi Serbia rrëmbeu tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që po ruanin kufirin. Ditën që policët u rrëmbyen, Dogana e Kosovës u urdhërua që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë.

    Siç raporton Kossev, Ministri serb e ka quajtur këtë “politikë kriminale”, derisa ka përmendur edhe çështjen e dinarit.

    “Të gjithë ata që tolerojnë veprime të tilla, të ashtuquajturat Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme se po bëhen bashkëfajtorë në një krim të madh kundër popullit serb, në shkaktimin e qëllimshëm të krizës humanitare, sepse popullata serbe në Kosovë varet nga produktet ushqimore bazë që dërgohen nga Serbia qendrore”, ka deklaruar ai.

    Ai e ka quajtur këtë “presion të paparë ekonomik”, derisa ka thënë se bie në kundërshtim me të gjitha standardet evropiane të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave.

    “Është krejtësisht kundër parimeve themelore të BE-së dhe është më se e qartë se pas kaq kohësh qëllimi i vetëm është frikësimi dhe dëbimi i popullit serb nga territori i Kosovës dhe Metohisë”, tha Momiroviq.

  • Zyrtare: UEFA del me njoftim për ndeshjet e Championsit, pas kërcënimeve nga ISIS

    Zyrtare: UEFA del me njoftim për ndeshjet e Championsit, pas kërcënimeve nga ISIS

    Shtëpia e futbollit evropian (UEFA) ka lëshuar një deklaratë zyrtare lidhur me kërcënimet që ka marrë nga Shteti Islamik ISIS, lidhur me zhvillimin e ndeshjeve të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

    Në njoftimin e tyre, UEFA bën të ditur se është e vetëdijshme nga kërcënimet që ka marrë, por ka njoftuar se ndeshjet do të zhvillohen sipas orarit.

    “Jemi të vetëdijshëm për kërcënimet e supozuara terroriste të bëra ndaj ndeshjeve të Ligës së Kampionëve të kësaj jave dhe janë duke u lidhur ngushtë me autoritetet në vendet përkatëse. Të gjitha ndeshjet e sotme tani janë planifikuar të zhvillohen siç është planifikuar me të gjitha masat e sigurisë në vend”, thuhet në njoftimin e tyre.

    ISIS kishte kërcënuar sot qendrat e vendeve evropiane për sulme të mundshme në stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

    Policia e Madridit është vënë në funksion menjëherë për të ofruar siguri për tifozët.

    Sot do të zhvillohen dy ndeshje. Real Madridi do të pres në shtëpi Manchester Cityn, teksa në Londër do të zhvillohet takimi mes Arsenalit e Bayern Munich.

    Këto ndeshje i përkasin fazës së çerekfinaleve në Ligën e Kampionëve.

  • Presidenti Begaj dekreton amnistinë penale

    Presidenti Begaj dekreton amnistinë penale

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, firmosi sot dekretin për amnistinë penale, që u miratua pak ditë më parë në Kuvend.

    Të enjten e kaluar, Amnistia Penale u miratua me votat e 110 deputetëve. Nga kjo amnisti do të përfitojmë 1100 të dënuar, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë ndërkohë 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

    Veprat penale që përfitojnë ulje dënimi pas nga kjo Amnisti:

    Neni 244, Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike

    Neni 245, Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

    Neni 245/1, Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike

    Neni 257/a, Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë…

    Neni 258, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike

    Neni 259, Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike

    Neni 259/a, Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë,

    Neni 260, Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

    Neni 312, Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit

    Neni 319 Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe pikat pasuese të tij.

  • Starlinku mbërrin në Shqipëri

    Starlinku mbërrin në Shqipëri

    Interneti satelitor Starlink ka mbërritur edhe në territorin e Shqipërisë, ka njoftuar kompania amerikane.

    Në rrjetin social X, Starlink njoftoi se interneti me shpejtësi të lartë tashmë është në dispozicion.

    Në hartën e shtrirjes së internetit satelitor figuron edhe Shqipëria, si zonë aktive me këtë internet. Starlinku është kompani që udhëhiqet nga miliarderi Elon Musk.

    Edhe disa vende të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Kroacia posedojnë këtë rrjet interneti.

    Si funksionon Starlinku?

    Rrjeti Starlink lëshohet në hapësirë nëpërmjet antenave satelitore, e përdoruesi obligohet që të paguajë një antenë shpërndarëse dhe llogarinë për qasje në internet.

    Ky internet mbulon një fushë shumë të madhe gjeografike të shpërndarjes.

    Musk ia pati mundësuar ushtrisë së Ukrainës të shfrytëzonte internetin satelitor pa pagesë në luftë me Rusinë.

  • Kryesuesi i radhës i OSBE-së viziton Kosovën të enjten, takohet me Osmanin, Kurtin e Gërvallën

    Kryesuesi i radhës i OSBE-së viziton Kosovën të enjten, takohet me Osmanin, Kurtin e Gërvallën

    Kryesuesi i radhës i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, do ta vizitojë Kosovën më 11 prill për të diskutuar rreth angazhimit të OSBE-së dhe për t’u takuar me liderët politikë.

    Sipas njoftimit, Borg do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schëarz.

    Ai gjithashtu do të mbajë takime me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dhe stafin e misionit, dhe do të takoj pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.

    “Kryesuesi Borg do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave. Ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE. Ministri Borg do të takohet edhe me Peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe”, thuhet në njoftim.

    Borg do të ketë edhe një prononcim të shkurtër për media në selinë e Misionit të OSBE-së në Kosovë në Prishtinë në orën 16:30.

  • Haradinaj: Beteja e Koshares i hapi rrugë furnizimit me armatim zonave të luftës në brendësi të vendit

    Haradinaj: Beteja e Koshares i hapi rrugë furnizimit me armatim zonave të luftës në brendësi të vendit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në manifestimin qendror “Beteja e Koshares”.

    Haradinaj ka thënë se fitorja në Koshare nuk ishte vetëm fitore morale, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim edhe për zonat e luftës në brendësi të vendit.

    “Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, Betejën e Koshares dhe ditën e miratimit të Kushtetutës. Lufta jonë çlirimtare kishte disa momente vendimtare, prej të cilave edhe beteja në Koshare. Thyerja e kufirit Kosovë – Shqipëri, ishte ditë gëzimi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për luftëtarët e UÇK-së në vija të frontit. Fitorja në Koshare nuk ishte vetëm fitore morale, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona lufte në brendësi të vendit”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka kujtuar të rënët e kësaj beteje të 25 viteve më parë.

    “Në 25-vjetorin e saj, i kujtojmë me respektin më të lartë heronjtë; Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë të rënët, që me guximin dhe gjakun e tyre shënuan njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës sonë për liri”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka folur edhe për Kushtetutën e Kosovës e cila sot shënon përvejtorin e saj.

    “Në po të njëjtën datë kur nderojmë luftën tonë çlirimtare dhe heronjtë e saj, shënojmë edhe Ditën e Kushtetutës. Republika e Kosovës ka Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave si dhe është garantuese e parimeve të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë – gardiane e fortë ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me qasje autoritare”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se në këtë përvjetor të Ditës së Kushtetutës, Kosova ka një qeveri e cila vazhdimisht e ka shkelur atë.

    “Sot, në 16-vjetorin e shënimit të Ditës së Kushtetutës kemi një qeveri që vazhdimisht ka shkelur Kushtetutën, qoftë përmes nxjerrjes së vendimeve anti-kushtetuese apo mospërfilljes së saj. Andaj i bëj thirrje qeverisë që të tërhiqet nga sjelljet anti-kushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të shtetit”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Shënohet Dita e Kushtetutës me shkelje kushtetuese, kërkohet ndryshimi i saj

    Shënohet Dita e Kushtetutës me shkelje kushtetuese, kërkohet ndryshimi i saj

    Në shënim të Ditës së Kushtetutës në Kosovë, qytetarët dhe njohës të çështjeve kushtetuese shprehen të lumtur për progresin që ka shënuar Kosova përgjatë viteve, porse theksojnë që e njëjta ka nevojë të rishkruhet apo të ndryshohet.

    Derisa theksojnë se ky dokument ka përmbushur misionin primar, themelimin e shtetit, kërkojnë nga institucionet dhe qytetarët që mos të bëjnë shkelje karshi saj.

    Në 16-vjetorin nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, qytetari, Izet Zhuja vlerëson se secili qytetarë duhet të ketë njohuri se çfarë shkruhet brenda këtij dokumenti dhe të dijë të drejtat e tij në raport me shtetin dhe anasjelltas. Ndërsa, i njëjti përmend atë që mendon se duhet të ndryshohet në Kushtetutë.

    “Kushtetuta është akti më i lartë i një shteti, përshkruhen të gjitha veprimet që duhet të bëjë një shtet, drejtësia punën e vet, ekonomia, shëndetësia e të gjithë sektorët si duhet të punojnë drejt, nuk shkruhen detajisht, por me nene të caktuara, se si duhet të sillet një shoqëri. Secili qytetar duhet të dijë Kushtetutën dhe ta lexojë atë, t’i dijë të drejtat e veta në raport me shtetin dhe anasjelltas…Por, ka shumë gjëra që duhet të ndryshohen, p.sh Kushtetutën tonë nuk e kemi bërë ne, e kanë bërë perëndimorët që të na ndihmojnë të ndahemi prej Serbisë, por kanë mbetur shumë gjëra që janë të lidhura me Serbinë ende derisa të pavarsohemi, ato duhet të hiqen një ditë, por momentalisht këtë gjendje siç jemi nuk mund t’i heqim. Që janë të parapara të drejtat e pakicave e që po i keqpërdor Lista Serbe dhe Serbia, ato duhet të hiqen, mirëpo nuk mund të hiqen derisa të vijë një gjendje normaliteti, kur gjithë qytetarët e pranojnë një Kushtetutë dhe sillen sipas saj që thuhet”, thotë Zhuja.

    Qytetari tjetër, Shefki Gashi derisa këtë ditë e vlerëson si më të rëndësishmen për shtetin, kërkon nga institucionet përgjegjëse të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

    “Rendësi më të madhe nuk ka…Gëzim është për popullin, jemi çliruar prej serbëve, jemi të lirë që del, nuk ke frikë që të sulmojnë, në çdo vend flitet shqip, gjitha të mirat…01:10 Por, duhet të festohet më shumë, mirë po bëjnë, por duhet edhe më mirë, munden…Unë e festoj jashtë, pasi jetoj në Norvegji që 30 vite, atje e festojmë”, thotë Gashi.

    Edhe qytetari tjetër, Izet Gashi thotë se për të festuar këtë ditë vjen çdo vit nga Zvicra në Kosovë.

    “Po, e festojmë…Çdo vit vijë këtu prej Zvicrës për ditë të Kushtetutës, shkoj e kthehem serish pa probleme…01:54 S’ka asgjë tjetër më të rëndësishme se Kosova, nuk ka pas asnjëherë…Ndoshta ish dashur më shumë (të bëhet nga institucionet), por po bëjnë aq sa munden, megjithëse nuk është e varur prej institucioneve çdo gjë”, thotë Gashi.

    Në anën tjetër, profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se Kushtetua e vendit do duhet të rishkruhet. Sipas tij do duhet të shkruhej për historinë e shqiptarëve më shumë.

    “Ka shumëçka. Më e rëndësishmja dhe e para çështje dhe punë që duhet bërë në ndryshim-plotësimin e Kushtetutës ka të bëjë me preambulën e saj, e cila kështu si është, është e padrejtë dhe e mangët. Aty do duhej të shkruhej për historinë e komunitetit më të madh, pra shumicës shqiptare në Kosovë dhe komuniteteve tjera, për historinë edhe të lavdishme dhe tragjike dhe të përgjakshme. Të rëndësishme për të shkruar në preambulë, pasi nuk është e shkruar dhe pastaj është njëra prej dy pjesëve kryesore të Kushtetutës është preambula dhe pjesa normative. Tek pjesa normative ka shumëçka për të ndryshuar dhe plotësuar, dhe më së miri do ishte të rishkruhet një Kushtetutë e re”, thotë Baraliu.

    I njëjti kërkon nga institucionet dhe individët që mos të shkelin Kushtetutën, pasi sipas tij, kjo po ndodhë shumë shpesh, për çfarë thotë se nuk është në të mirën e vendit.

    “Institucionet në radhë të parë do duhej të bënin më tepër që mos të shkelin Kushtetutën, sepse përveç individëve personave fizik dhe juridik dhe vet qeverisjet madje, strukturat, galeritë e ndryshme të qeverisjeve e shkelin Kushtetutën, jo fort të rrallë, por relativisht shpesh. Po ashtu ndikojnë politikisht në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pra, në radhë të parë do duhej institucionet dhe gjithë qytetarët ta respektojnë Kushtetutën e Kosovës më shumë, mos ta shkelin dhe pastaj patjetër që ka nevojë të domosdoshme imperativë që e njëjta Kushtetuta të rishkruhet ose të ndryshohet dhe plotësohet në rast se pajtohen të gjithë, sepse ka një pengesë serioze që është e drejta e vetos e komuniteteve pakicë, të cilat kanë të drejtë që të japin mendimin, dhe duhet të japin mendimin e tyre për ndryshim çfarëdo qoftë dhe plotësim të Kushtetutës”, ka përfunduar Baraliu.

    Kujtojmë se, Kushtetuta e Kosovës është miratuar me 9 prill të vitit 2008, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.