ATV

Author: ATVLive

  • “Euro 2024”, UEFA kërkon korrektësi nga lojtarët

    “Euro 2024”, UEFA kërkon korrektësi nga lojtarët

    Europiani i Gjermanisë pritet të jetë shembull sa i përket sjelljes së lojtarëve në fushë, dhe veçanërisht sjelljes së tyre me arbitrat e ndeshjeve.

    Drejtori menaxhues i arbitrave të UEFA-s, Roberto Rosetti, u bëri thirrje trajnerëve të kombëtareve që lojtarët e tyre të tregojnë respekt kur iu drejtohen zyrtarëve të ndeshjeve.

    “Ne duam të shmangim raportimet e panevojshme dhe të mbrojmë imazhin e lojës, kështu që do të jemi të fortë me sjelljet negative. Për këtë kemi nevojën edhe të trajnerëve. Nëse trajerët janë të qetë, edhe lojtarët do të kenë sjellje korrekte”.

    UEFA tha gjithashtu se do të marrë një vendim së shpejti nëse do t’i lejojë ekipet të zgjedhin 26 lojtarë në vend të 23 të zakonshëm për turneun.

  • Deklarohen avokatët pas seancës për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

    Deklarohen avokatët pas seancës për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

    Në Departamentin për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, raporton Ekonomia Online.

    Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, Lulëzim Fejzullahu kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

    Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.

    Pas seancës që u zhvillua e mbyllur për media avokati i palës së dëmtuar Tomë Gashi, ka thënë se një dëshmitar është dëgjuar ndërsa tjetri ka mbetur për seancën e radhës.

    Ai ka bërë të ditur se seancat e radhës pritet të mbahen më 15 dhe 16 prill.

    “Seanca është e tipit të mbyllur ne mundemi me iu thënë se është vazhdimi sipas propozimit të Gjykatës Themelore për shqiptimin e vendimit dhe Gjykata ka urdhëruar që detajet e gjykimit të mos shpalosen. Seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill të këtij viti ndërsa nuk është e ndaluar me iu tregu se kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje ndërsa tjetri në mungesë të asaj se ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetur për seancën e radhës”, Tomë Gashi

    Ndërsa xhaxhai i të ndierit Lulëzim Fejzullahu, Rrahim Fejzullahu ka thënë shukrt se i beson drejtësisë.

    “ Unë i besoj drejtësisë dhe vetëm drejtësisë”, është shprehur Fejzullahu.

    Nga ana tjetër avokati i të akuzuarve Skender Musa ka thënë se çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar që flitet në publik dhe se gjendja është përcjellur nga ana e psikologut ndaj dy të miturve.

    “Çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar është marrë aktvendim. Gjendja është përcjellur nga ana e psikologut ndaj dy të miturve”, ka thënë Musa.

  • ​Banka Botërore parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë

    ​Banka Botërore parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë

    Banka Botërore parashikon rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor më të lartë në vitin 2024, dhe të përshpejtohet edhe në vitin 2025, duke u kthyer në nivelet mesatare të parapandemisë. Sipas BB, rritja e PBB-së në Kosovë pritet të përshpejtohet në 3.7 për qind në vitin 2024, e mbështetur nga stabilizimi i vazhdueshëm i çmimeve ndërkombëtare dhe më vonë do të rritet drejt potencialit të Kosovës prej rreth 4 për qind, e nxitur nga flukset e qëndrueshme të diasporës dhe një rritje gradual e investimeve.

    “Perspektiva është pozitive, por pasiguritë që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe politikën e brendshme, dhe një ngadalësim i mëtejshëm në BE sjellin rreziqe të konsiderueshme”, citohet në komunikatë Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

    “Për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike me BE-në, reformat në sektorët fiskal, të qeverisjes, arsimit dhe energjisë duhet të jenë prioritet”, shtoi ai.

    Sipas njoftimit vendet e rajonit duhet të vijojnë me zbatimin e reformave me qëllim ngushtimin e hendekut të zhvillimit me vendet e Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e standardeve të jetesës. Kjo përfshin rritjen e investimeve për qytete më të gjelbra, duke u dhënë atyre mundësi të kontribuojnë në mënyrë më efikase në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thuhet në Raportin e ri Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.

    “Aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor pritet të rritet me 3.2 për qind këtë vit, ose 0.2 pikë përqindje më shumë se rritja e parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit, dhe të vijojë me një rritje prej 3.5 për qind në vitin 2025. Parashikimet individuale për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, janë përfshirë në Përditësimin Ekonomik të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, të publikuar po sot”, thuhet në njoftim.

    Rritja e lehtë në vlerat e parashikuara të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme reflekton një optimizëm të kujdesshëm pasi Ballkani Perëndimor ka përballuar një sërë goditjesh gjatë viteve të fundit. Megjithatë, rreziqet në perspektivë vijojnë të anojnë nga kahu negativ. Vazhdimi i rritjes së dobët në ekonominë botërore, veçanërisht në Eurozonë, do të përkthehej në nivele më të ulëta të investimeve dhe tregtisë me vendet e rajonit. Përveç kësaj, vlerat e parashikuara të rritjes ndikohen negativisht edhe nga faktorë të brendshëm, si shtimi i tensioneve gjeopolitike, emigracioni, pasiguria zgjedhore dhe inflacioni i vazhdueshëm.

    “Pas disa viteve të trazuara si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike, është mbresëlënëse të shohësh se si rritja ekonomike e Ballkanit Perëndimor po arrin nivelet e parapandemisë, ndërsa varfëria vijon të ulet”, tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Megjithatë, progresi aktual nuk mjafton për të përmbushur aspiratat e qytetarëve dhe për të përmirësuar standardet e jetesës drejt atyre të Bashkimit Evropian. Plani i ri i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të mirë për të nxitur zhvillimin ekonomik përmes reformave dhe investimeve, veçanërisht për ekonominë e gjelbër”.

    Plani prej gjashtë miliardë eurosh do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve ekonomike midis rajonit dhe Bashkimit Evropian, partnerin e tij më të madh tregtar, dhe në zbatimin e reformave për rritjen e integrimit ekonomik brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas Bankës Botërore, përmirësime të tilla si reduktimi i kohës së zhdoganimit dhe modernizimi i sistemeve të pagesave në vendet e rajonit mund të çojë në përfitime të ndjeshme ekonomike për këto vende.

    Investimi në tranzicionin e gjelbër dhe përmirësimi i nivelit të jetueshmërisë së qyteteve në Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojë gjithashtu në rigjallërimin e rritjes rajonale, sipas raportit të Bankës Botërore.

    Qytetet janë vendi ku zhvillimi ekonomik ndodh realisht. Ato i afrojnë punëtorët me vendet e punës, duke nxitur produktivitetin, rritur mundësitë dhe duke lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe ideve”, tha Natasha Rovo, Ekonomiste e Lartë e Bankës Botërore dhe një nga autoret kryesore të raportit. “Qytetet në Ballkanin Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri në vitet e fundit. Megjithatë, ato e kanë patur të vështirë të shndërrohen në motorë të rritjes ekonomike, jo vetëm për shkak të efekteve të sfidave strukturore dhe demografike, por edhe për shkak të cënueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Investimet në ekonominë e gjelbër mund të jenë një mundësi e mirë për t’i dhënë shtysë rritjes në të ardhmen”.

    Raporti rekomandon ndërmarrjen e veprimeve në tri fronte kryesore me qëllim gjelbërimin dhe forcimin e qyteteve në Ballkanin Perëndimor.

    “Së pari, krijimi i qyteteve sa më kompakte do të ndikonte pozitivisht në rritje, do të ulte kostot në ofrimin e shërbimeve publike dhe do të përmirësonte situatën mjedisore. Së dyti, reformat dhe investimet që synojnë zgjerimin e sistemeve të transportit publik dhe kalimin në ndërtesa më të gjelbra, dhe me efiçencë energjitike do të pakësonte ajrin e ndotur, i cili është shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme çdo vit në rajon. Së treti, nxehtësia ekstreme në qytete, me temperatura që në stinën e verës shkojnë 4,5- 7,5°C më të larta se në zonat rurale rreth tyre, do të ndikojë negativisht në produktivitet dhe shëndetin e njeriut. Bashkitë duhet të miratojnë masa për freskimin e hapësirave fizike përmes projektimit dhe planifikimit më të mirë urban dhe investimeve të posaçme”, njofton BB.

  • Murati: Sot kam miratuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove!

    Murati: Sot kam miratuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove!

    Ministri i Financave Hekuran Murati ka njoftuar se është bërë bartja e të hyrave vetanake të komunave, në vlerë prej 60 milionë euro.

    Murati tha se bartja në këtë formë është bërë për të hyrat vetanake që kanë qenë të alokuara, kurse për pjesën e pa-alokuar, bartja sipas ministrit bëhet me vendime të kuvendeve komunale përkatëse.

    “Bëhet bartja e të hyrave vetanake të komunave. Në pajtim me Nenin 9.6 të Ligjit të Buxhetit, sot kam miratuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove. Bartja në këtë formë bëhet për të hyrat vetanake që kanë qenë të alokuara, kurse për pjesën e pa-alokuar, bartja bëhet me vendime të kuvendeve komunale përkatëse” shkruan Murati në Facebook.

  • ​KQZ sqaron dilemat për vendosjen e kamerave në vendvotime dhe për krijimin e Listës së Votuesve

    ​KQZ sqaron dilemat për vendosjen e kamerave në vendvotime dhe për krijimin e Listës së Votuesve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është deklaruar lidhur me vendimin e këtij institucioni për vendosjen e kamerave në vendvotime për procesin e votimit më 21 prill në komunat e veriut të Kosovës apo në proceset e ardhshme zgjedhore. Ndërsa, është sqaruar edhe çështja e krijimit të Listës Votuese.

    Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi lidhur me këtë çështje ka thënë se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore.

    “Lidhur me planifikimet për të vendosur kamera në vendvotime, KQZ sqaron se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore. Vendosja e kamerave në vendvotime është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ, më saktësisht me Rregulloret Zgjedhore Nr. 11/2024 për Këshillat e Vendvotimeve dhe Nr. 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e Vendvotimit. Këto dhe Rregulloret tjera Zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, vendosja kamerave në vendvotime do të bëhet në atë mënyrë që do të ruajë fshehtësinë e votës dhe se ky vendim nga KQZ është marrë me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotime.

    “Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Sipas vlerësimeve të KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve, në Qendra të Votimit, përkatësisht në Vendvotime, në proceset zgjedhore nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë evidentuar parregullësi të cilat kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje. Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor. Së treti, edhe sipas procedurës së miratuar nga KQZ-ja, është me rëndësi të sqarojmë se vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesi”, tha Elezi.

    Elezi ka thënë se Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor.

    “Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bëhet brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Dhe, së fundmi, KQZ në ditën e votimit nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive. Në videoregjistrim mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese: KQZ-së, PZAP-it, Prokurorisë apo Gjykatës dhe jo në rrethana tjera”, tha Elezi.

    Gjithashtu, Elezi ka sqaruar edhe çështjen e krijimit të Listës Votuese, e cila do të përdoret në procesin e votimit për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zeçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, më 21 prill 2024.

    Ai ka thënë se KQZ ka ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore për krijimin e Listës së Votuesve.

    “Sipas vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës së Votuesve për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut është: 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para një viti, më 23 prill 2024. Në votues të rinj përfshihen të gjithë ata persona që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill 2023 apo persona që më herët nuk kanë qenë në Listën e kaluar votuese, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil apo votues që kanë ndërruar komunën pas atyre zgjedhjeve. Sqarojmë se kjo është një rritje e natyrshme e numrit të votuesve, siç ndodh rëndom nga një proces zgjedhor në tjetrin”, tha Elezi.

    KQZ ka sqaruar edhe dilemat e ngritura në opinion se në këto komuna numri i banorëve rezidentë është më i ulët në krahasim me numrin e votuesve.

    “Gjithashtu, lidhur me deklarimet se numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve rezidentë, sqarojmë se Lista e Votuesve nuk përmban vetëm qytetarët me të drejtë vote që jetojnë momentalisht në një vendbanim të caktuar, por edhe qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit”, ka përfunduar Elezi.

    Ndërkaq, mbledhja e KQZ-së e paraparë për sot, është shtyrë për një ditë tjetër derisa disa çështje të jenë të gatshme.

  • Komuna e Leposaviqit solidarizohet me familjet e dy të rinjve që humbën jetën në aksidentin e së martës

    Komuna e Leposaviqit solidarizohet me familjet e dy të rinjve që humbën jetën në aksidentin e së martës

    Komuna e Leposaviqit ka njoftuar se nuk do të punohet të enjten për shkak të tragjedisë së ndodhur me të martën pas mesnate, ku si pasojë e një aksidenti të rëndë humbën jetën dy të rinj.

    “Njoftohen të gjithë qytetarët e Komunës së Leposaviqit se me datën 11.04.2024 nuk do të punohet në shenjë të tragjedisë së ndodhur me datën 09.04.2024, vdekja e dy të rinjve: Dordje Micovic-1999, Mikica Barac-1999”, thuhet në njoftimin e Komunës së Leposaviqit, raporton ATV.

  • 39 vite nga vdekja e rapsodit të njohur Dervish Shaqa

    39 vite nga vdekja e rapsodit të njohur Dervish Shaqa

    Sot mbushen 39 vjet nga vdekja e rapsodit të njohur Dervish Shaqa.

    Ai u lind në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912 dhe vdiq më 11 prill 1985.

    Devish Shaqa deri në vitin 1956 jetoi në Kosovë, mirëpo në këtë vit iu desh të lëshonte Kosovën për shkak të përndjekjes nga aksioni i njohur “mbledhja e armëve” që ndërmerrte në atë kohë Sigurimi i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë (UDB-ja) kundër shqiptarëve.

    Ai së bashku me kolegun e tij të këngës Demush Neziri, u vendosën në Rashbull afër Durrësit. Aty e vazhdoi shprehjen e ndjenjave nëpërmjet këngës që për të ishte e vetmja mënyrë e shprehjes së dhimbjes që kishte për familjen dhe vendlindjen që për të ishin të ndaluara. Këtë e shpreh në këngën “Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lame borë e gjetëm dimën…”

    Dervish Shaqa në Shqipëri e vazhdoi traditën e këndimit të historisë së vendlindjes së tij. Në vargjet e këngëve të tij të përcjella me çifteli përshkruhen kullat e gurta të Dukagjinit, figurave kombëtare, patrioteve te devotshëm, trimave, luftëtarëve të atdheut.

    Në Rashbull, Dervish Shaqa arrin të themelojë e të udhëheqë grupin e rapsodit. Po me këtë grup në vitin 1968 prezantohet për herë të parë në Festivalin e Folklorit Kombëtar ne Gjirokastër. Qe nga kjo kohë së bashku me kolegun e tij rapsodin Demush Neziri prezantojnë një varg këngësh të cilat për disa gjenerata ende janë të njohura si “Ç`janë këto gjamë që i bjen era”, “Prej Prokuplje deri n`Nish”, “Moj e mira porsi bora”, këngët për Azem dhe Shote Galicën, Nak Berishën e shumë të tjera.

    Pjesa më e madhe e regjistrimeve muzikore të bëra nga Dervish Shaqa dhe kolegu i tij gjenden në arkivin e Radio Tiranës.

    Përpos këngëve popullore dhe të përpunuar nga ai vetë, për Dervish Shaqën ka kompozuar edhe kompozitori Tish Daija si këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria” që për disa vite ka dominuar në përsëritjen e saj në Radio Stacionin e Tiranës, shkruan FrontOnline.

    Populli ku ai kalojë pjesën më të madhe të jetës së tij e mban mend si këngëtar të lindur që këndon për këngën dhe jo për para.

  • Gjermania dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Gjermania dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Në kazermën “Adem Jashari” është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Gjermania për FSK-në.

    Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. /atvlive.tv

  • Zelensky i lutet Perëndimit për kundërajrorë, pas sulmeve të reja ruse

    Zelensky i lutet Perëndimit për kundërajrorë, pas sulmeve të reja ruse

    Qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa rrymë si pasojë e një vale të re sulmesh të mëdha ajrore që Rusia e kreu ndaj infrastrukturës së Ukrainës, duke e nxitur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, t’i lutet përsëri Perëndimit që t’ia japë Kievit sistemet kundërajrore për të cilët ka aq shumë nevojë.

    Infrastruktura energjetike ishte caku kryesor i sulmeve raketore dhe me dronë nga Rusia në katër rajone ukrainase mëngjesin e së enjtes, tha ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko.

    “Sistemet e transmisionit dhe objektet e gjeneratorëve në rajonet Harkiv, Zaporizhja, Lviv dhe Kiev u sulmuan. Punonjësit e energjisë po punojnë për t’i eliminuar pasojat”, tha Halushchenko në Facebook.

    Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit rus, ishte përsëri caku kryesor i sulmeve ruse mëngjesin e së enjtes.

    Zyrtarët lokalë raportuan për 10 sulme ajrore ruse në Harkiv.

    Si pasojë e këtyre sulmeve, më shumë se 200.000 qytetarë mbetën pa rrymë në Harkiv, tha Oleksiy Kuleba, zëdhënësi i Presidencës ukrainase.

    “Deri tani, nuk ka viktima. Informatat janë duke u përditësuar. Ne jemi duke i rregulluar prishjet në rrjetin energjetik”, tha shefi i administratës ushtarake në Harkiv, Oleh Synyehubov.

    Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se sulmet shkaktuan telashe në linjat e rrymës dhe në transport publik.

    Sulmet ruse në Harkiv janë rritur dukshëm javët e fundit. Terekhov tha së fundmi se raketave S-300 u nevojiten vetëm 40 sekonda për të arritur në Harkiv nga rajoni rus Belgorod.

    Ndërkohë, Zelensky tha se Rusia kreu sulme me shumë dronë dhe raketa, duke e dërrmuar sistemin kundërajror të Ukrainës.

    “Disa nga raketat dhe [dronët] Shahed u rrëzuan. Fatkeqësisht, vetëm një pjesë e tyre”, tha Zelensky në Telegram.

    Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës të veprojnë më shpejt dhe t’ia japin Ukrainës mjetet për ta mbrojtur veten.

    “Kemi nevojë për mbrojtje ajrore dhe mbrojtje të tjera, jo për shpërfillje dhe bisedime të gjata”, shkroi Zelensky.

    “Nëse Rusia lejohet të vazhdojë ta bëjë këtë, raketat ruse dhe ‘Shaheds’ nuk do ta sulmojnë vetëm Ukrainën, por edhe përkushtimin e partnerëve të saj. Kjo do të jetë licencë globale për terror”, tha ai.

    Një paketë me ndihmë amerikane në vlerë prej 60 miliardë dollarë ka ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve që disa muaj, i bllokuar nga një numër i republikanëve, të cilët besojnë se çështjet e brendshme kanë përparësi, edhe pse Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes po e shtyjnë Kongresin ta miratojë atë.

    Të mërkurën, gjenerali i lartë amerikan në Evropë paralajmëroi se Ukraina nuk mund t’i bëjë ballë e vetme luftës kundër Rusisë.

    Gjenerali Christopher Cavoli, komandant i Komandës Evropiane, tha: “Ukraina nuk mund t’i bëjë ballë e vetme kësaj lufte. Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë, duhet të vazhdojë t’i japin Ukrainës municion, armatim dhe materiale”, tha Cavoli.

  • ​Enrique: Shkojmë në Spanjë për ta përmbysur Barcelonën

    ​Enrique: Shkojmë në Spanjë për ta përmbysur Barcelonën

    Trajneri i Paris St-Germain, Luis Enrique është i bindur se skuadra e tij mund të përmbys humbjen 3-2 në shtëpi ndaj Barcelonës në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve dhe të shkëlqejë kundër skuadrës spanjolle javën e ardhshme për të vazhduar tutje.

    Ende në kërkim të kurorës së parë të Ligës së Kampionëve, PSG lëshoi nga dora epërsinë 2-1 në “Parc des Princes” në fund të pjesës së dytë të mërkurën kundër një skuadre të Barcelonës që shfrytëzoi rastet që kishte.

    “Është e qartë se të gjitha humbjet lëndojnë dhe bezdisin, por besoj se kemi luajtur një lojë të mirë kundër një ekipi shumë të fortë”, tha Luis Enrique.

    “Ne do të ndryshojmë vetëm gjërat që nuk funksionuan, ne gjithmonë duhet të vlerësojmë se çfarë do të thotë një ndeshje e kësaj shkalle. Ne po shkojmë në Barcelonë me shumë dëshirë. Është një këndvështrim pozitiv të mendosh se mund të fitojmë atje. Do të jetë një finale për ne. Unë kam besim në ekipin tim”, shtoi ai, përcjellë KosovaPress.

    Luis Enrique refuzoi të komentonte performancën e Kylian Mbappés, pasi kapiteni i Francës ishte i prangosur nga mbrojtja e Barcelonës dhe kishte pak ndikim në lojë.

    Trajneri spanjoll, i cili fitoi tripletën me Barcelonën në vitin 2015, tha se skuadra e tij e meritonte të fitonte dhe se Barça nuk ishte domosdoshmërisht favorit.

    “Ne do të shkojmë në Barcelonë për të luftuar një luftë. Unë kurrë nuk e shoh kundërshtarin si favoritë, kushdo qoftë ai. Në konkurrencën e nivelit të lartë, kështu e shoh unë. Dhe unë do të vazhdoj të besoj se do të shkojmë te Barcelona për të fituar ndeshjen”, tha në fund ai.