ATV

Author: ATVLive

  • Mikrofonët në tokë, mediat reagojnë ndaj heshtjes së vazhdueshme të Kurtit

    Mikrofonët në tokë, mediat reagojnë ndaj heshtjes së vazhdueshme të Kurtit

    Refuzimi i vazhdueshëm i kryetarit të Vetëvendosje, Albin Kurti për t’u prononcuar para gazetarëve, mediat në shenjë revolte vendosin mikrofonat në tokë derisa ai shkon në qeveri, raporton KosovaPress.

    Ka disa ditë që Kurti nuk ndalet për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kjo veçmas pas caktimit të seancës konstitutive më 15 prill nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativën kanë fituar 48 mandate, për çka si parti e parë, nuk ka vota të mjaftueshme zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

    Seanca konstituive ka dështtuar sot për të pestën herë me radhë.

    E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk ka marrë sërish votat për kryetare të Kuvendit, raporton KosovaPress.

    Në tentimin e pestë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota për nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK dhe ndërkaq, tre deputetët e Nisma-s abstenuan.

    Vazhdimi i seancë konstituive pritet të mbahet të premten në orën 10:00.

  • ​Krasniqi do të përballet me xhudisten serbe në 1/8-ën e Kampionatit Evropian të Xhudos

    ​Krasniqi do të përballet me xhudisten serbe në 1/8-ën e Kampionatit Evropian të Xhudos

    Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi do të përballet me xhudisten nga Serbia, Milica Nikoliq në fazën e 1/8 së finales së Kampionatit Evropian të xhudos që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, raporton KP.

    Pasi u kualifikua pa luftë në këtë fazë, Krasniqi ka mësuar rivalen e saj e cila është Milica Nikolic nga Serbia e cila mposhti xhudisten ruse Karina Efimova.

    Kjo luftë është në kuadër të kategorisë deri në 52 kilogram.

    Kosova në këtë garë do të përfaqësohet nga: Distria Krasniqi (-52kg), Laurine Gashi (-52kg), Akil Gjakova (-73kg) dhe Dardan Cena (-73kg).

  • Limaj pas ndërprerjes së seancës: Kosova nuk e ka luksin të mbetet pa institucione

    Limaj pas ndërprerjes së seancës: Kosova nuk e ka luksin të mbetet pa institucione

    Pas ndërprerjes së seancës së pestë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se vendi nuk mund të mbetet më gjatë pa institucione funksionale, duke kërkuar nga të gjitha palët të kontribuojnë për tejkalimin e situatës aktuale politike, raporton ATV.

    “Vërtetë është pak një lojë nervash, por gjithmonë konstituimi i institucioneve ka rrugën dhe vështirësitë e veta. Në ditët në vijim, besoj që të gjithë do të angazhohemi të kontribuojmë për të dalë nga kjo situatë. Kosova nuk e ka luksin me mbet pa institucione,” tha Limaj para gazetarëve, duke shtuar se pret përpjekje të përbashkëta për të gjetur zgjidhje.

    I pyetur nëse është takuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të diskutuar mundësinë e një kompromisi, Limaj u përgjigj shkurtimisht: “Jo bre, jo, se marova t’u ju thanë. Kush t’më thirrë, takohemi, kam thënë.”

    Seanca e sotme dështoi sërish të çojë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa seanca e radhës është paralajmëruar për të premten në orën 11:00. /atvlive.tv

  • Murati i përgjigjet AAK-së: Propozimi i takon partisë së parë, jo partisë së katërt

    Murati i përgjigjet AAK-së: Propozimi i takon partisë së parë, jo partisë së katërt

    Pas ndërprerjes së seancës së pestë konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i është përgjigjur AAK-së për propozime e kësaj të fundit, duke thënë se propozimi për kryetarin e Kuvendit është kompetencë ekskluzive e partisë fituese të zgjedhjeve, raporton ATV.

    “Propozimi i takon partisë së parë, jo partisë së katërt. Nuk mund të marrim propozime nga AAK-ja”, tha Murati.

    Murati paralajmëroi se hyrja në një cikël të kontestimeve të ndërsjella do ta bllokonte Kuvendin pafundësisht.
    “Nëse nisemi të kontestojmë kandidatët për nënkryetarë të partive tjera, asnjëherë nuk do të konstituohet Kuvendi”, shtoi ai.

    Sipas Muratit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë interes për të zvarritur procesin dhe se Kuvendi do të ishte konstituuar më 15 prill po të varej vetëm nga partia fituese.

    Seanca e radhës pritet të mbahet të premten, ndërsa konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit mbetet ende e pazgjidhur. /atvlive.tv

  • Murati: Opozita e painteresuar ta konstituojë Kuvendin, po e mban peng vendin

    Murati: Opozita e painteresuar ta konstituojë Kuvendin, po e mban peng vendin

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka kritikuar ashpër partitë opozitare pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke i akuzuar se janë të painteresuara për ta çuar vendin përpara, raporton ATV.

    “Jemi dëshmitarë të një tjetër dështimi për konstituimin e Kuvendit. Opozita nuk është e interesuar të marrë pjesë në proces, madje as në konsultime,” tha Murati për gazetarët në hollin e Kuvendit.

    Sipas tij, sjellja e opozitës është paradoksale: “Në njërën anë thonë që duhet marrëveshje, në anën tjetër refuzojnë takimet për t’u arritur ajo marrëveshje.”

    Ai tha se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm përgjegjësi e partisë fituese, por një proces që përfshin të gjitha grupet parlamentare si përfaqësuese të qytetarëve. “Kuvendi është shtëpia e pluralizmit demokratik, dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në themelimin e tij,” u shpreh Murati, duke shtuar se opozita po e pengon këtë përmes bllokadave dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje.

    Seanca e radhës për tentimin e konstituimit është paraparë të mbahet të premten. Mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë marrëveshje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugën drejt formimit të institucioneve të reja. /atvlive.tv

  • “Oferta përfundimtare” e Trump për paqe kërkon që Ukraina të pranojë pushtimin e Krimesë nga Rusia

    “Oferta përfundimtare” e Trump për paqe kërkon që Ukraina të pranojë pushtimin e Krimesë nga Rusia

    Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Ukrainës një propozim të ashtuquajtur “përfundimtar” të paqes, i cili përfshin njohjen e Krimesë si pjesë e Rusisë dhe pranimin jozyrtarisht të kontrollit rus mbi pothuajse të gjitha territoret e pushtuara që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në 2022.

    Dokumenti një faqësh që SHBA ua prezantoi zyrtarëve ukrainas në Paris javën e kaluar, e përshkruan këtë si “ofertën përfundimtare” të presidentit Trump.

    Në anën tjetër Shtëpia e Bardhë këmbëngul se është gati të largohet nëse palët nuk bëjnë një marrëveshje së shpejti, transmeton Telegrafi.

    Sipas Axios, propozimi i presidentit amerikan Donald Trump përfshin lëshime të rëndësishme nga homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili më parë kishte përjashtuar mundësinë e njohjes së Krimesë si ruse dhe pranimin e pjesëve të katër rajoneve në lindje dhe jug të Ukrainës si nën kontrollin rus.

    Një burim i afërt me qeverinë ukrainase, raportoi se Kievi e konsideron këtë propozim jashtëzakonisht të njëanshëm në favor të Rusisë.

    “Propozimi thotë shumë qartë se çfarë përfitimesh të prekshme merr Rusia, por vetëm në mënyrë të paqartë dhe në përgjithësi thotë se çfarë do të marrë Ukraina”, tha burimi.

    Çfarë do të merrte Rusia sipas propozimit të Trump:

    Njohja de jure nga SHBA e kontrollit rus mbi Krimenë.

    Njohja de facto e pushtimit të pothuajse të gjithë rajonit të Luhanskut dhe pjesëve të okupuara të rajoneve Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia.

    Një premtim se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO (dokumenti vë në dukje se anëtarësimi në BE është i mundur).

    Heqja e sanksioneve të vendosura që nga viti 2014.

    Rritja e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në, përfshirë në sektorët e energjisë dhe industrisë.

    Çfarë do të marrë Ukraina:

    “Një garanci e fortë sigurie” që përfshin një grup të veçantë të vendeve evropiane dhe potencialisht jo-evropiane me të njëjtin mendim.

    Dokumenti përshkruan në mënyrë të paqartë se si do të funksiononte ky operacion paqeruajtës. Përfshirja e SHBA nuk përmendet.

    Kthimi i një pjese të vogël të rajonit të Kharkivit të pushtuar nga Rusia.

    Lundrimi i papenguar përgjatë lumit Dnipro në zonat ku ai kalon përgjatë vijës së kontaktit.

    Kompensimi dhe ndihma për rindërtim (nuk tregohen burime financimi).

    Propozimi “përfundimtar” i referohet gjithashtu kontrollit të SHBA-së mbi termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili zyrtarisht do të konsiderohej territor ukrainas, me energji elektrike prej tij të furnizuar si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi.

    Dokumenti përmend gjithashtu një marrëveshje SHBA-Ukrainë për burimet minerale, e cila, sipas Trump, është planifikuar të nënshkruhet të enjten më 24 prill.

    Plani u hartua pasi i dërguari i Trump, Steve Witkoff u takua me Putinin për më shumë se katër orë javën e kaluar. Pasi plani u prezantua, Putin ofroi të ndalonte pushtimin e Rusisë përgjatë vijave të frontit aktual, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme.

    Një zyrtar amerikan që mori pjesë në bisedime tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco dhe Witkoff kishin punuar së bashku “për të zhvilluar një kornizë për të na afruar më afër përfundimit të luftës”.

    Megjithatë, sipas zyrtarit, Kievi është aktualisht më i interesuar të diskutojë një armëpushim 30-ditor gjatë takimeve në Londër sesa në miratimin e planit të propozuar të paqes.

    “Negociatat vazhdojnë, ne ndjehemi përsëri dhe shpresojmë se po ecim në drejtimin e duhur”, u tha gazetarëve të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. /Telegrafi/

  • Krasniqi: Vetëvendosje po e mban peng shtetin për një emër të vetëm

    Krasniqi: Vetëvendosje po e mban peng shtetin për një emër të vetëm

    Pas ndërprerjes së seancës së katërt konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të qëllimshëm të institucioneve, raporton ATV.

    “Kanë kaluar 73 ditë nga zgjedhjet dhe 27 ditë nga certifikimi i rezultateve, dhe ende nuk kemi institucione të reja. Vetëvendosje, të cilës i takon ta propozojë kryetarin e Kuvendit, ka vendosur të mbajë peng shtetin për shkak të tekeve të tyre për një emër të vetëm,” tha Krasniqi para gazetarëve në hollin e Kuvendit.

    Ai e cilësoi këtë situatë si të paprecedent në historinë e Republikës së Kosovës dhe theksoi se vonesat po dëmtojnë procesin demokratik dhe pritjet e qytetarëve për krijimin e institucioneve të reja. /atvlive.tv

  • Albulena Haxhiu dështon sërish të zgjidhet kryetare e Kuvendit

    Albulena Haxhiu dështon sërish të zgjidhet kryetare e Kuvendit

    Në tentativën e pestë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, përmes deputetit Glauk Konjufca. Megjithatë, edhe kjo përpjekje për zgjedhje dështoi, raporton ATV.

    Haxhiu mori sërish vetëm 57 vota pro – të pamjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë post të rëndësishëm institucional. Ndërkohë, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë qëndruar në vendimin e tyre për të mos e mbështetur këtë kandidaturë.

    Pas dështimit të pestë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, seanca konstituive u ndërpre sërish këtë të hënë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se punimet do të vazhdojnë të premten, më 25 prill, në ora 11:00.

    Kujtojmë se në këtë seancë u hodh sërish në votim kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori votat e nevojshme – njëjtë si në tentativat e mëparshme.

    Opozita e deritashme, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, nuk e përkrahu kandidaturën, duke thelluar më tej bllokadën institucionale. Tani, sytë janë drejtuar nga dita e premte, ku mbetet të shihet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për të dalë nga ngërçi politik. /atvlive.tv

  • Gazetarja e ATV-së zbulon detajet e fundit nga Kuvendi

    Gazetarja e ATV-së zbulon detajet e fundit nga Kuvendi

    Gazetarja e ATV-së, Benita Zeneli, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kuvendi i Kosovës për emisionin informativ të ATV-së, raportoi për përgatitjet dhe qëndrimet politike para nisjes së përpjekjes së pestë për konstituimin e legjislaturës së re.

    Ajo tha se shumica e deputetëve kanë hyrë në ambientet e Kuvendit, ndërkohë që pritet të rifillojë tentativa për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

    “Shumica e deputetëve janë parë që të hyjnë nga objektet e Kuvendit të Kosovës për të tentuar për herë të pestë të bëhet konstituimi i Legjislaturës së nëntë. Paraprakisht është thirrur edhe një mbledhje nga kryesuesi Avni Dehari me përfaqësuesit e partive politike. Tashmë edhe po dëgjohet zilja për nisjen e seancës, e cila është paraparë të fillojë në orën dhjetë. Megjithatë ende kjo seancë nuk ka filluar”, raportoi Benita Zeneli.

    Sipas saj, VV-ja pritet të propozojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, ndërkohë që partitë opozitare mbesin të vendosura kundër këtij emri.

    “Prej disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje është deklaruar se emri i Albulena Haxhiut do të propozohet sërish për kryetare të Kuvendit, edhe pse ajo ka dështuar dy herë që të marrë votat e mjaftueshme. Nga partitë opozitare, si LDK, PDK dhe AAK, është theksuar se nuk do ta votojnë këtë emër. Madje nga PDK kanë thënë se vetëm Donika Gërvalla dhe Albulena Haxhiu janë emrat që nuk do t’i mbështesin, ndërsa emrat e tjerë do të jenë të mirëseardhur”, raportoi Zeneli.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Kolshi: Edhe VV në 2017 kërkoi kandidat tjetër, si sot për Albulena Haxhiun

    Kolshi: Edhe VV në 2017 kërkoi kandidat tjetër, si sot për Albulena Haxhiun

    Në “Studio e Hapur” në ATV, Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka komentuar zhvillimet rreth dështimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke kujtuar një precedent të ngjashëm nga viti 2017.

    Sipas tij, praktika aktuale e mospajtimit me kandidatin për kryeparlamentar nuk është e re dhe ishte ndjekur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën.

    “Një situatë e tillë veçse e kemi pasur edhe në vitin 2017, kur vetë Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishte votuar kandidatin e PAN-it, Kadri Veselin. Ata patën kërkuar një kandidat tjetër,” theksoi Kolshi, duke shtuar se këto veprime tashmë po ndërtojnë një praktikë të gabuar që mund të dëmtojë funksionimin institucional.

    Ai nënvizoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë: të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit e ka partia më e madhe, por zgjedhja kërkon konsultim dhe bashkëpunim ndërpartiak.

    “Konstituimi i Kuvendit nuk duhet të ngatërrohet me formimin e Qeverisë. Pozita e kryetarit të Kuvendit nuk duhet të futet në marrëveshje politike, por duhet të zgjidhet përmes mirëkuptimit ndërmjet subjekteve parlamentare,” tha Kolshi.

    Zhvillimet e fundit nga Kuvendi i gjeni në videon më poshtë: