ATV

Author: ATVLive

  • Sekuestrohen droga sintetike dhe armë në vlerë mbi 30 mijë euro në Prishtinë

    Sekuestrohen droga sintetike dhe armë në vlerë mbi 30 mijë euro në Prishtinë

    Policia e Kosovës me njësitet e saj të antidrogës përveç operacionit policor të realizuar një javë më parë (7 prill 2024) në Merdar ku u kapën 20 paketime me mbi 10 kg. me substancë të dyshuar narkotike si heroinë që kapte vlerën rreth 250 mijë euro, mbrëmë gjatë natës Njësitet e antidrogës ka planifikuar dhe realizuar një tjetër operacion taktik antidrogë në Prishtinë ku janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar drogë, armë, para, telefona dhe dëshmi tjera relevante për organet e drejtësisë.

    Hetuesit policor të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prishtinë gjatë punës hetimore-operative në teren kanë pranuar informata të besueshme se në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë persona të dyshuar janë duke u marr me shitblerje të substancave narkotike të llojeve të ndryshme dhe shitjen po e bëjnë kryesisht në nivelin shpërndarjes lokale-shtigjeve të ndryshme.

    “Me datën 13.04.2024 rreth orës 21:30, në funksion të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar dhe gjetjes së dëshmive antidroga e Policisë së Kosovës ka planifikuar dhe realizuar një plan të shpejt taktik ku fillimisht në Rr.”Fehmi Agani” në Prishtinë në një parking është ndaluar i dyshuari i parë me iniciale (T.T; data e lindjes: 02.09.1991), i cili është prezantuar me dokument identifikimi të falsifikuar me emër tjetër me iniciale (L.G; data e
    lindjes:01.06.1992) dokument i lëshuar nga një shtet tjetër dhe gjatë kontrollit të tij i janë gjetur 650 euro para të gatshme në valuta të ndryshme dhe dy telefona celular.

    Në vazhdën e realizimit të operacionit policor në të njëjtin parking është identifikuar dhe ndaluar i dyshuari i dytë me iniciale (N.G; data e lindjes: 14.07.2000), me veturën e tipit Golf 8, ngjyrë e zezë me targa nga të huaja dhe të njëjtit” gjatë kontrollit i janë gjetur 75 euro para te gatshme, një telefon celular dhe qelësat e një banese.

    Njëkohësisht nga ekipet e antidrogës në teren është arrestuar edhe i dyshuari i tretë, me iniciale D.G; data e lindjes: 19.07.2000, i cili ndodhej afër një automjeti me ngjyrë të bardhë me targa të lëshuar nga po i njëjti shtet i huajsikurse automjeti i të dyshuarit të dytë dhe gjate kontrollit të automjetit në derën e saj nga ana e shoferit janë gjeturdy qese të mbushura me kërpudha të dyshuara narkotike me peshë 3.9 gram.

    Lidhur me operacionin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe në konsultim me të, është proceduar dhe ka vazhduar operacioni i bastisjes dhe kontrollit në Rr.”Fehmi Agani” në banesën e të dyshuarit me iniciale (T.T; data e lindjes: 02.09.1991), e cila dyshohet se ka qenë në shfrytëzim nga tre të dyshuarit e lartpërmendur me iniciale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Haradinaj kujton masakrën në lagjen Bair të Mitrovicës: Kryesit ende nuk janë vënë para drejtësisë

    Haradinaj kujton masakrën në lagjen Bair të Mitrovicës: Kryesit ende nuk janë vënë para drejtësisë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar terrorin që kishte ndodhur 25 vjet më parë në lagjen Bair të Mitrovicës.

    Haradinaj ka thënë se kryesit e masakrës në këtë lagje ende nuk janë vënë para drejtësisë.

    “Edhe pas shumë vitesh, kryesit e kësaj masakre nuk janë vënë para drejtësisë. Është obligim i yni i përbashkët që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    Kujtojmë me dhembje terrorin që i ndodhi vëllezërve dhe motrave tonë në lagjen Bair të Mitrovicës, 25 vjet më parë. Përulemi para sakrificës së martirëve, që jetën ia falën atdheut, të cilit çdo ditë e më shumë i afrohej liria.

    Me 14 Prill 1999, në Rrugën e Kovaçëve në lagjen Bair në Mitrovicë, forcat serbe masakruan dhjetëra shqiptarë. Pas ndodhjes së masakrës, ata konsideroheshin të zhdukur, derisa u gjetën më vonë të shpërndarë në disa varreza masive.

    Edhe pas shumë vitesh, kryesit e kësaj masakre nuk janë vënë para drejtësisë. Është obligim i yni i përbashkët që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar.

    Bashkëndjejmë me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ishim me ta, jemi sot e përgjithmonë!

  • Kurti takon regjistruesit dhe mbikëqyrësit që po merren me Regjistrimin e Popullsisë

    Kurti takon regjistruesit dhe mbikëqyrësit që po merren me Regjistrimin e Popullsisë

    Kryeministri, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një takim me regjistrues dhe mbikëqyrës, të cilët janë në proces të regjistrimit të popullsisë, takimi ky që u mbajt në qytetin e Gjilanit.

    Duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në mesin e tyre, në një kohë kur po e zhvillojmë një proces tejet të rëndësishëm në vendin tonë, kryeministri Kurti tha se për të ardhmen e shtetit shumë do të varet nga puna e këtyre javëve të mbetura në procesin e regjistrimit, që nisi me 5 prill.

    “Do të prodhohen të dhëna të shumta që do t’iu ndihmojnë, jo vetëm vendimmarrësve, por edhe shfrytëzuesve të tjerë sikurse Qeveria e shoqëria civile, pastaj bizneset, donatorët e investitorët, që të hartojnë politika, të zhvillojnë strategji, programe e produkte dhe të ofrojnë shërbime, që t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve e i respektojnë të drejtat e tyre”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se ndarjet buxhetore që do të bëhen, do të bazohen gjithashtu në regjistrimin e popullsisë.

    Teksa theksoi aspektet me rëndësi madhore të këtij procesi, ai veçoi dhe efektet pozitive që i ka, si parashikimet dhe planifikimet që do të bazohen në regjistrimin e popullsisë të cilat do të shërbejnë për një shpërndarje sa më të drejtë e të barabartë.

    Kryeministri shprehu përsëri dhe përkrahjen e parezervë në këtë proces: “Ne jemi mbështetje për juve, por në ballë të kësaj beteje shumë të rëndësishme, që i tejkalon ciklet elektorale, jeni ju edhe unë ju falënderoj për punën dhe angazhimin që po e bëni deri tash edhe zotohemi që do t’ju mbështesim për punën e mëtutjeshme dhe për sfidat që do të mund t’iu dalin në rrugën tuaj drejt regjistrimit të popullsisë anembanë.”

  • Kjo është fuqia ushtarake e Iranit

    Kjo është fuqia ushtarake e Iranit

    Lindja e Mesme ka tashmë një vatër të re konflikti. Irani ka nisur sulmet ajrore ndaj Izraelit, në shenjë hakmarrje për bombardimin e ambasadës iraniane në Siri ku u vranë 7 persona. Kjo është hera e parë që Irani dhe Izraeli konfrontohen ushtarakisht drejtpërdrejt.

    Por cila është fuqia ushtarake e Iranit, në kushtet kur dihet se sa e fortë dhe moderne është ushtria e Izraelit?

    Sa i përket fuqisë së përgjithshme ushtarake, forcat e armatosura të Iranit renditen të 14-at në botë në një listë prej 134 vendesh që është përpiluar në vitin 2019.

    Pa bomba bërthamore, por me shumë milici
    Iranianët kanë program shumë të diskutueshëm bërthamor, por tani për tani, nuk kanë kapacitet për të bërë armë. Teherani disponon program me raketa balistike, por jo raketa me rreze të gjatë që mund t’i arrijnë Shtetet e Bashkuara.

    Po ashtu, Irani nuk ka ndonjë “mik” të madh në rajon. Irani ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, por asnjë aleat të fortë, fuqi të madhe, nuk e ka partner strategjik.

    Irani, i cili cilësohet si një nga vendet më të izoluara në botë, zbaton një strategji të luftërave të milicive ose kryen sulme asimetrike, duke shfrytëzuar dobësitë e forcave amerikane dhe atyre që udhëhiqen nga SHBA-ja.

    Buxhet modest për ushtrinë

    Buxheti i mbrojtjes i Iranit në vitin 2018, sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, ka qenë mbi 13 miliardë dollarë.

    Por, Teherani qëndron larg rivalëve rajonalë, si Arabia Saudite, e cila ka shpenzuar 70 miliardë dollarë, dhe Izraeli 18.5 miliardë.

    Shteteve të Bashkuara, me një buxhet prej 700 miliardë dollarësh, as që mund t’iu afrohet.

    Për më tepër, shpenzimet ushtarake të Iranit janë zvogëluar me 9.5 për qind në vitin 2018, krahasuar me vitin paraprak, për shkak të problemeve të mëdha ekonomike, që ia kanë shkaktuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara – një strategji kjo që Uashingtoni i referohet si “presion maksimal”.

    Megjithatë, establishmenti ushtarak i Iranit, sidomos Garda Revolucionare, nuk varet shumë nga buxheti i shtetit sa u përket fondeve, thotë Fondacioni për Mbrojtje të Demokracive, me seli në Uashington.

    “Establishmenti ushtarak kontrollon (një të pestën) e vlerës së tregut të kompanive, të listuara në Bursën e Teheranit, dhe zotëron mijëra kompani të tjera, që sjellin të ardhura për forcat e armatosura. Për më tepër, Garda Revolucionare kontrollon një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë nëntokësore të Iranit”, thotë Fondacioni për Mbrojtje të Demokracive.

    Me ushtrinë më të madhe në Lindjen e Mesme
    Sa i përket fuqisë së përgjithshme ushtarake, forcat e armatosura të Iranit renditen të 14-tat në botë në një listë prej 134 vendesh që është përpiluar në vitin 2019 nga Global Firepower dhe Business Insider.

    Me rreth 523,000 forca në detyrë dhe 350,000 rezervë, Irani ka ushtrinë më të madhe aktive në Lindjen e Mesme.

    Focat aktive përbëhen nga 350,000 ushtarë të rregullt dhe së paku 150,000 pjesëtarë të Gardës Revolucionare, e cila ka pushtetin më të madh në ushtrinë iraniane.

    Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, raporton drejtpërdrejt tek udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

    Ushtri brenda ushtrisë

    Garda Revolucionare përbëhet nga pesë nëngrupe. Një prej këtyre nëngrupeve, Forca Kuds, është udhëhequr me dekada nga Soleimani, derisa u vra në një sulm me dron nga SHBA-ja. Forca Kuds është e ngarkuar me operacione jashtë shtetit, kryesisht në Lindjen e Mesme.

    Vlerësimet për numrin e saktë të pjesëtarëve të saj ndryshojnë.

    Por, Jack Watling, nga Instituti për Shërbime të Bashkuara Mbretërore, ka vlerësuar për NBC News se ajo numëron 17,000 deri në 21,000 anëtarë.

    Një tjetër nëngrup i Gardës Revolucionare është milicia Basij, një forcë paraushtarake me 90,000 anëtarë, të mobilizuar për të zbatuar rendin.

    Si shumë institucione të ndërlidhura në Iran, Basij është formuar fillimisht si forcë vullnetare, gjatë luftës Iran-Irak. Por, që atëherë, “është bërë një pjesë e ngulitur e shtetit”, shkruan Washington Post.

    Nën komandën e Gardës Revolucionare veprojnë edhe 20,000 pjesëtarë të forcës detare, të vendosur kryesisht në Ngushticën e Hormuzit.

    Kjo Ngushticë, ku kalon mbi 20 për qind e tregtisë globale të naftës, është një rrugë e rëndësishme dhe ka qenë shpesh skenë e konfrontimeve midis anijeve iraniane dhe atyre me flamuj të huaj, në vitin 2019.

    Edhe pse më e vogël në numër, Garda Revolucionare është më e fuqishme se ushtria e rregullt, për shkak të natyrës së degëzuar të shtetit iranian. Dhe, për këtë arsye, marrëdhëniet midis qeverisë dhe Gardës Revolucionare kanë qenë gjithmonë të tensionuara.

    Tanket

    Irani ka 1,634 tanke, duke u renditur i 18-ti në mesin e 137 vendeve. Ky numër mbështetet nga rreth 2,345 automjete të blinduara luftarake dhe 1,900 raketahedhës.

    Tanket, megjithatë, janë modele të vjetra. Vetëm modeli i ri “Karrar” mund të krahasohet me disa tanke më të mira në botë.

    Edhe pse “Karrar” duket shumë i ngjashëm me prodhimin e njohur rus, “T-90”, Irani i ka hedhur poshtë sugjerimet se ka bashkëpunuar me Rusinë në prodhimin e tij.

    Marina

    Marina iraniane është krahasimisht një forcë modeste, e cila nuk ka as transportues aeroplanësh, as shkatërrues.

    Marina e Iranit posedon gjashtë luftanije, tri korveta, 34 nëndetëse dhe 88 anije patrullimi.

    “Fluturuesit e shpejtë”

    Me rreth 509 avionë luftarakë, Forca Ajrore e Iranit mbetet larg – si për nga sasia, ashtu edhe cilësia – kundërshtarëve rajonalë, si Arabia Saudite dhe Izraeli, që kanë 848, respektivisht 595 aeroplanë në flotat e tyre, raporton National Interests.

    Pjesa më e madhe e forcave ajrore të Iranit daton në epokën e Shahut ose është mbetje nga forca ajrore irakiane e diktatorit Saddam Hussein.

    Forca irakiane i ka çuar shumë nga aeroplanët e saj në Iran gjatë Luftës së Gjirit Persik, më 1991, për të shmangur shkatërrimin e tyre nga forcat e drejtuara nga SHBA-ja.

    Forca Ajrore e Iranit mban nofkën “Tizparvazan” (“fluturues të shpejtë”).

    Pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 – e cila i hoqi Iranit disa sanksione të ashpra ndërkombëtare – ky vend pati një mundësi të shkurtër për të përmirësuar forcën e tij ajrore.

    Mirage 2000 i Francës ka qenë një opsion, por Teherani përfundimisht ka vendosur kundër tij, sepse ka qenë më familjar me aeroplanët e prodhuar në Amerikë dhe Rusi.

    Irani po ashtu ka pasur shansin të blejë 30 avionë të sofistikuar Su-30 nga Rusia, por ka hequr dorë, raporton National Interests.

    “Kjo ndoshta ka ndodhur sepse paraushtarakët e Gardës Revolucionare nuk janë pajtuar kurrë që ushtria e rregullt iraniane të bëhet shumë e fuqishme”, shkruan revista amerikane.

    Raketat

    Si pasojë e sanksioneve amerikane, që i kanë zvogëluar Iranit eksportet e naftës, importet e pajisjeve ushtarake në Iran kanë rënë ndjeshëm, viteve të fundit.

    Importet e armëve në Iran kanë rënë në mënyrë drastike në vitin 2018 dhe importet e përgjithshme të vendit për ushtrinë e tij – nga viti 2009 deri më 2018 – kanë qenë vetëm 3.5 për qind e importeve të përgjithshme të Arabisë Saudite gjatë së njëjtës periudhë kohore.

    Për këtë arsye, Teherani është dashur të mbështetet gjithnjë e më shumë në zhvillimin e teknologjive vendase për nevojat e tij ushtarake, përshirë importet e pajisjeve më të lira, që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Kina.

    Irani po ashtu mbështetet në zhvillimin e raketave dhe thuhet se ka sistemin më të zhvilluar të raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme në rajon.

    Përveç tjerave, Irani ka raketa Shahab 1, me rreze prej 300 kilometrash, gjë që e ka bërë Uashingtonin të instalojë sistemin e tij anti-raketor Patritot në disa vende fqinje të Iranit, për t’iu kundërvënë kërcënimeve të mundshme.

    Teherani ka punuar edhe në zhvillimin e raketave interkontinentale, edhe pse programet e tilla janë pezulluar pasi Irani ka arritur marrëveshje me gjashtë fuqi botërore në vitin 2015, për të kufizuar programin e tij bërthamor.

    Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja, më 2018, Irani ka nisur gradualisht t’i injorojë kufizimet e parapara me marrëveshje. Pas vrasjes së Soleimanit, ka thënë se ndalon së zbatuari marrëveshjen.

    Ky zhvillim lë hapur mundësinë e Teheranit për të rinisur përpjekjet për zhvillimin e raketave ndërkontinentale.

    Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, raketa Shahab 3, me një rreze prej 2,000 kilometrash, mund të godasë Izraelin.

    Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike gjithashtu raporton se Irani ka 32 bateri të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-300.

    Lufta kibernetike dhe me dronë

    Irani ka dronë që ka përdorur në operacionet në Irak dhe kundër Izraelit. Besohet gjithashtu se një dron iranian është përdorur në shtator të vitit të kaluar, për të sulmuar objektet e naftës në Arabinë Saudite.

    Garda Revolucionare krenohet gjithashtu me një njësi kibernetike që dihet se ka qenë përgjegjëse për disa sulme jashtë Iranit.

    Pas vrasjes së Soleimanit, shumë kanë menduar se Irani mund të përgjigjet me sulme masive kibernetike kundër njësive amerikane dhe kjo frikë vazhdon pohojnë analistët.

    Strategjia

    Shumë analistë kanë parashikuar se Irani nuk do të hyjë në konflikt të hapur me armiqtë e tij, por do t’i shfrytëzojë burimet e tij për të kryer operacione asimetrike, në përpjekje për të dëmtuar forcat amerikane ose interesat amerikane në Lindjen e Mesme.

  • Tajfunët RAF, avionët luftarakë që Britania e Madhe përdori për rrëzimin e dronëve iranianë

    Tajfunët RAF, avionët luftarakë që Britania e Madhe përdori për rrëzimin e dronëve iranianë

    Tajfunët britanikë RAF mendohet se janë përfshirë në rrëzimin e dronëve iranianë mbi Siri dhe Irak gjatë natës.

    Kështu po raporton mediumi britanik ‘The Guardian’ me burime, informacione të cilat më pas u konfirmuan edhe nga Ministria britanike e Mbrojtjes. Operacioni i Mbretërisë së Bashkuar u vlerësua si një zgjatje e misioneve të vjetra të bombardimeve dhe mbikëqyrjes kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, të quajtur Operacioni Shader, përcjell Insajderi.

    RAF gjithashtu asistoi forcat ajrore amerikane në operacionet kundër ISIS-it, ashtu që amerikanët kishin një dorë më të lirë për të ndihmuar Izraelin të rrëzonte 300 dronët dhe raketat që ushtria izraelite tha se u gjuajtën gjatë natës.

    Më shumë informacion pritet të publikohet nga Britania e Madhe në lidhje me bazën ligjore për përfshirjen ushtarake britanike. Në deklaratat fillestare nuk kishte referenca për vetëmbrojtje apo ndihmën e një aleati, por pati një thirrje më të gjerë për stabilitet nga kryeministri britanik, Rishi Suank brenda natës.

    “Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe atë të të gjithë partnerëve tanë rajonalë, përfshirë Jordaninë dhe Irakun. Krahas aleatëve tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje”, tha ai.

  • Kurti bën nderime tek memoriali ” Heroinat”, thotë se qeveria është e angazhuar për gjetjen e drejtësisë, teksa bën thirrje për luftimin e stigmatizimit

    Kurti bën nderime tek memoriali ” Heroinat”, thotë se qeveria është e angazhuar për gjetjen e drejtësisë, teksa bën thirrje për luftimin e stigmatizimit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me figura tjera publike ka bërë nderime tek memoriali “Heroinat”, në shënim të ditës memoriale të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    E pranishme ishte edhe Vasfje Krasniqi, një prej të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, e cila përmendi 14 prillin e 25 viteve më parë duke thënë se tashmë me zhvillimin e vendit është më e fortë.

    “Para 25 vite, 14 prilli ishte një ditë shumë e tmerrshme për mua, por unë sot jam shumë e fortë, kemi shtetin tonë, kemi policinë tonë, faleminderit”.

    Ndërkaq kryeminstri Kurti përmendi 20 mijë viktimat e dhunës seksuale duke thënë se qeveria është e anagazhuar për gjetjen e drejtësisë.

    “Sot është dita memoriale për viktimat dhe të mbijetuarat e dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, rreth 20 mijë gjithsej të cilët kanë paguar çmim të lartë fizik, psiqik për shtetit tonë andaj si ç bën thirrje Vasifja Shyhretja, ne nuk i harrojmë kurrë por angazhohemi e bëjmë thirrje për drejtësi”.

    Kurti tha se këto janë shembuj për kombin, për thyeje të heshtje për një krim në projeketin serb kundër Kosovës.

    “Ministria e drejtësisë ,qeveria, unë, presidentja janë në krye të detyrës në mënyrë që kësaj detyrë ta mbështesim me çka mundemi por iu bëj thirrje të gjithë njerzëve në Kosovë e cila edhe ka kripën në plagë, krimi që bëri Serbia, pasoi stigmatizimi ndaj këtyre personave andaj iu bëjmë thirrje qytetarëve, dhe atyre që kanë pasur të marrin shembullin e Vasfijes, ta thyejnë heshtjen sepse ajo çfarë u ka ndodhur këtyre personave nuk u ka ndodh për shkak të emrit por për shkak se ishin shqiptar, institucionet do ti mbështesin dhe stigmatizimi duhet të luftohet, janë mbi 20 mijë gra vajza burra djem të përdhunuar gjatë luftës nga Serbia, e atyre që më nuk janë u përulemi për dhimbjen pikëllimin që nuk është veç e tyre, faleminderit”. deklaroi Kurti.

  • Pas zhvillimeve të fundit në botë, Hoxhaj thotë se Kosova ka nevojë për një politikë të jashtme të mençur

    Pas zhvillimeve të fundit në botë, Hoxhaj thotë se Kosova ka nevojë për një politikë të jashtme të mençur

    Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në botë, duke përmendur sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit.

    Sipas tij, politika e jashtme ngritja e kapaciteteve të sigurisë duhet të jenë primare mbi çdo politikë të jashtme.

    “Sulmi i Iranit mbi Izraelin mbrëmë, vazhdimi i luftës në Ukrainë dhe Gaza, agresionit i Serbisë në Banjskë vjet dhe deklarimi i hapur i Hungarisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, gjë që çdoherë ka votuar për anëtarësimin tonë në organizata, janë ngjarje që tregojnë që për Kosovën një politikë e jashtme e mençur, së bashku me rritjen e kapaciteteve të sigurisë duhet ta ketë primatin mbi çdo politikë të brendshme ekonomike dhe shoqërore”, ka shkruar Hoxhaj.

  • Kurti e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Akt i paprecedent që rrezikon destabilizimin e rajonit, bota t’i japë fund armiqësive

    Kurti e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Akt i paprecedent që rrezikon destabilizimin e rajonit, bota t’i japë fund armiqësive

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

    Ai ka thënë se ky është një akt i paprecedentë që përbën një rrezik të madh për destabilizimin e gjithë rajonit.

    “E dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky veprim i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e tërë rajonit. Tash, më shumë se kurë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, ka shkruar Kurti.

  • Netanyahu pas sulmit të Iranit: Ne do të fitojmë

    Netanyahu pas sulmit të Iranit: Ne do të fitojmë

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, premtoi fitore pas sulmit të Iranit kundër shtetit të tij.

    “Ne i zmbrapsëm, së bashku do të fitojmë”, shkroi Netanyahu në platformën X, të dielën.

    Mbrëmjen mes 13 dhe 14 prillit, Irani sulmoi Izraelin me dronë dhe raketa, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri, më 1 prill.

    Ndonëse Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, ky i fundit as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.

    Izraeli tha se rreth 300 dronë dhe raketa u hodhën nga Irani, ndërsa disa të tjera edhe nga Iraku dhe Jemeni.

    Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja e ndihmoi Izraelin që “t’i rrëzonte pothuajse të gjitha”.

    Mbretëria e Bashkuar dislokoi avionët e saj luftarakë në rajon.

    Kjo është hera e parë që Teherani e sulmon drejtpërdrejt Izraelin.

    Misioni i Iranit në OKB e citoi dispozitën e Kartës së OKB-së për vetëmbrojtje dhe tha se e konsideron operacionin “çështje të përfunduar”.

    Megjithatë, paralajmëroi se do të përdorë më shumë forcë nëse Izraeli përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

  • “Jeta ime ka përfunduar aty, e bënë në prani të djalit”, ky është rrëfimi rrëqethës i të mbijetuarës së dhunës seksuale

    “Jeta ime ka përfunduar aty, e bënë në prani të djalit”, ky është rrëfimi rrëqethës i të mbijetuarës së dhunës seksuale

    Flen me lutjen që të mos zgjohet të nesërmen. Thotë se për të dielli më nuk rrezoi kurrë. Që nga lufta po jeton me shenjat në trup të kriminelëve serbë, të cilët ia shuan rininë. Kujton çdo detaj të 15 orëve ku ajo bashkë me djalin e saj u keqtrajtuan në format më mizore. Jo rrallë i kthehet makthi i para 25 vitesh, ku mëngjesin e një ditë pranvere u morr nga forcat serbe dhe u dhunua seksualisht në një stacion policor. Ajo po punonte si infermiere dhe ishte nisur për të dërguar veshmbathje dhe medikamente medicinale për ushtarët e UÇK-së. Pas aktit makabër, ajo kishte tentuar t’i jap fund jetës. Që nga ajo kohë po përballet me shëndet të ligë, së voni është operuar për heqjen e kancerit në gji. Një jetë plot vuajtje e me kushte jo të mira, megjithatë siç tregon, detyrohet të gjitha shpenzimet t’i mbulojë vet.

    Emri Afërditë, viktimës i është vënë nga redaksia e KosovaPress, me qëllim të mbrojtjes së identitetit të saj.

    Mëngjesin e asaj dite, ajo tregon se do ta kujtojë derisa të hyj në varr. Dita që ia ndryshoi jetën përgjithmonë, po e përcjell në çdo hap që hedh.

    Duke folur për momentin e rëndë, ajo kujton fytyrën e secilit kriminel serbë, që përkundër rezistencës së saj, e maltretuan dhe e keqtrajtuan në format më çnjerëzore.

    Nuk u mjaftuan me kaq, madje tentuan që ta detyronin një shqiptar për ta dhunuar Afërditën. I njëjti kishte rezistuar, duke mos pranuar në asnjë formë një gjë të tillë.

    Klithmat e saj dhe të djalit, siç rrëfen ajo, i kishte dëgjuar një grua e cila ju dali në ndihmë me veshmbathje dhe për të pastruar gjakun që kishte mbuluar trupat e tyre. Në këtë gjendje, ata ishin nisur për shtëpi. Përveç bashkëshortit, ajo nuk mori guximin t’i tregojë dikujt tjetër.

    Mes lotëve flet për jetën e saj që nga viti 99, për çka thotë se nuk gëzoi më asnjë ditë të mirë.

    Jeta pas luftës i kujton vështirësitë shëndetësore e financiare, por thotë se pengun më të madh kishte “moralin”.

    Afërdita nuk gëzon pensionin kontribut dhënës e as të pleqërisë, por vetëm pensionin si viktimë e dhunës seksuale.

    Feride Rushiti, e cila udhëheq Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thotë se të mbijetuarit nuk po gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj.

    Selvi Izeti e cila punon më shumë se 15 vjet me të mbijetuarit e dhunës seksuale thotë se gratë e burrat kanë nevoja të theksuara për shërbime shëndetësore.

    Ajo shton se ligji është diskriminues për këtë kategori të luftës dhe se nuk po i gëzojnë të drejtat e tyre.

    Lidhur me këtë, KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, por sipas tyre “çështja e personave të dhunuar nuk është në fushëveprimin e Ministrisë se Drejtësisë”.

    14 prilli shënon ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Aktualisht janë gjashtë aktakuza të ngritura për dhunime seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Deri më tani janë rreth 2100 raste të cilat kanë aplikuar në komision dhe rreth 1600 prej tyre që e gëzojnë pensionin personal si te mbijetuar të dhunës seksuale.