ATV

Author: ATVLive

  • Khamenei-Izraelit: Keni bërë lëvizje të gabuara, do të ndëshkoheni

    Khamenei-Izraelit: Keni bërë lëvizje të gabuara, do të ndëshkoheni

    Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei është zotuar se siç ka thënë ai, “regjimi keqdashës sionist i Izraelit do të ndëshkohet” pas nisjes së sulmeve të Iranit të dronëve kundër Izraelit.

    Në një video në X, Khamenei tha: “Vetë regjimi dashakeq, i cili është gjithë ligësi, ligësi dhe gabim, i shtoi gabimeve të veta një tjetër gabim duke sulmuar konsullatën iraniane në Siri. Zyrat e konsullatës dhe ambasadave në çdo vend ku ato ekzistojnë konsiderohen si toka e vendit të cilit i përket ambasada. Të sulmosh konsullatën tonë është si të sulmosh tokën tonë… Regjimi dashakeq ka bërë një lëvizje të gabuar në këtë rast. Duhet të dënohet dhe do të dënohet”.

    Irani ka nisur sulme me dronë drejt Izraelit, ka thënë të shtunën në mbrëmje Forca e Mbrojtjes e Izraelit.

    Tash e disa ditë Irani ka kërcënuar me hakmarrje kundër Izraelit për një sulm në konsullatën iraniane në Siri më 1 prill, në të cilin u vranë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare, duke përfshirë dy gjeneralë dhe duke shkaktuar frikë se një klimë tashmë e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme, me Izraelin dhe Hamasin në Gaza në luftë, shpejt mund të zgjerohet më tej.

  • Sulmi iranian mbi Izraelin, Biden do të mbledhë sot liderët e G7

    Sulmi iranian mbi Izraelin, Biden do të mbledhë sot liderët e G7

    Presidenti amerikan Joe Biden e përfundoi deklaratën e tij duke thënë se ai do të mbledhë udhëheqësit e G7 të dielën “për të bashkërenduar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të pacipë të Iranit”.

    Ai shton se ekipi i tij do të mbetet në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e Izraelit, ka raportuar BBC.

    Biden thotë se ndërsa SHBA nuk ka parë sulme në objektet e saj, ajo “mbetet vigjilente ndaj të gjitha kërcënimeve”.

    “Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë,” thotë Biden.

  • Ushtria iraniane thotë se ka “kryer” operacionin, paralajmëron Izraelin dhe SHBA’në për sulme të ardhshme

    Ushtria iraniane thotë se ka “kryer” operacionin, paralajmëron Izraelin dhe SHBA’në për sulme të ardhshme

    Sardar Bagheri, shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit tha se Irani i dërgoi një mesazh Shteteve të Bashkuara përmes ambasadës zvicerane duke paralajmëruar Uashingtonin se nëse bashkëpunon me Izraelin në veprimet e tyre të ardhshme të mundshme, bazat amerikane “nuk do të kenë asnjë siguri”.

    Bagheri tha se nga këndvështrimi i Iranit, operacioni ushtarak kundër Izraelit “ka përfunduar”.

    Megjithatë, ai theksoi se forcat e armatosura iraniane mbeten në gatishmëri të lartë dhe janë të përgatitura të “veprojnë nëse është e nevojshme”, sipas një interviste në TV shtetëror IRINN të dielën, raporton CNN.

    “Nëse regjimi zionist përgjigjet, operacioni ynë i ardhshëm do të jetë shumë më i madh”, tha Bagheri.

    Regjimi zionist është referencë iraniane për Izraelin.

    “Veprimet e Izraelit në konsullatë u dënuan kështu që duhej të jepej një përgjigje”, shtoi Bagheri.

  • A është e pathyeshme Kupola e Hekurt e Izraelit?

    A është e pathyeshme Kupola e Hekurt e Izraelit?

    Kupola e Hekurt i ka parandaluar mijëra raketa të shkrepura nga Rripi i Gazës prej vitit 2011, kur Izraeli e vuri në punë këtë sistem të avancuar kundërajror.

    Ky sistem i ka bërë banorët të ndihen më të sigurt dhe izraelitët mund të shihen shpesh duke i vëzhguar predhat tek fluturojnë nëpër qiell dhe duke i shkatërruar caqet mbi kokën e tyre.

    Por, lufta e tanishme me Hamasin mund të jetë sfida më e vështirë deri më tani.

    Brenda vetëm dy javëve, Hamasi i ka shkrepur 7.000 raketa drejt Izraelit, sipas Ushtrisë së Izraelit. Pra, më shumë se në secilën prej katër luftërave të kaluara mes Izraelit dhe Hamasit qëkur ky grup militant e mori pushtetin në Gazë më 2007.

    Vetëm më 7 tetor, në ditën e parë të luftimeve, Hamasi i lëshoi 2.000 raketa, sipas të dhënave nga West Point, Akademia Ushtarake e Shteteve të Bashkuara. Hezbollahu i Libanit i ka hedhur, po ashtu, qindra raketa në drejtim të Izraelit verior qëkur nisën luftimet.

    Shumica e raketave janë vërejtur dhe shkatërruar nga Kupola e Hekurt. Por, disa ia kanë dalë të depërtojnë dhe t’i vrasin së paku 11 njerëz dhe t’i godasin ndërtesat e largëta deri në Tel Aviv, sipas zyrtarëve izraelitë.

    Më poshtë mund t’i lexoni disa prej arritjeve – dhe kufizimeve – të Kupolës së Hekurt.

    Si funksionin Kupola e Hekurt?

    Kupola e Hekurt është e pajisur me një sërë baterish kundërajrore të cilat përdorin radarë për t’i vërejtur raketat me rreze të shkurtra veprimi dhe për t’i shkatërruar ato.

    Secila bateri kundërajrore i ka nga tri apo katër hedhës, 22 raketa dhe një radar, sipas Raytheon, gjigantit amerikan të mbrojtjes, i cili i bashkëprodhon këtë kundërajror me kompaninë izraelite Rafael Defense Systems.

    Në çastin që radari e vëren raketën, sistemi përcakton nëse raketa është nisur drejt zonës së populluar.

    Nëse po, e hedh një predhë për ta shkatërruar raketën. Nëse sistemi përcakton se raketa është nisur drejt një fushe të hapur apo drejt detit, atëherë e lejon të bjerë, në mënyrë që t’i ruajë predhat e veta. Sipas ushtrisë, të gjitha këto ndodhin brenda hapësirës ajrore të Izraelit.

    Ushtria e Izraelit nuk ka dashur të tregojë se sa bateri kundërajrore të Kupolës së Hekurt janë të zhvendosura tani për tani. Por, nga viti 2021, Izraeli i ka vendosur 10 bateri kundërajrore nëpër vend, secila prej tyre në gjendje për ta mbrojtur një hapësirë prej 155 kilometra katror, sipas Raytheon.

    Sa e saktë është Kupola e Hekurt?

    Përafërsisht 90 për qind e saktë, sipas Rafaelit.

    Por, ajo mund të mposhtet nëse shkrepen një breshri e madhe raketash, duke i lënë disa prej tyre të kalojnë. Megjithëse ka vepruar shumë mirë deri tani, rreziku mund të rritet nëse Hezbollahu futet në luftë.

    Raportohet se Hezbollahu i ka 150.000 raketa dhe predha.

    Sa i shtrenjtë është ky kundërajror?

    Çdo predhë kushton rreth 40.000 deri në 50.000 dollarë, sipas Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

    Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në këtë kundërajror, duke ndihmuar me koston e zhvillimit dhe duke e rimbushur atë gjatë luftimeve.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do t’ia kërkojë Kongresit amerikan 14.3 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Izraelin. Shumica e atyre parave do të ndihmonin sistemet e mbrojtësve kundërajrorë dhe raketorë, sipas Shtëpisë së Bardhë.

    “Ne po e rrisim ndihmën shtesë ushtarake, përfshirë municionin dhe predhat për ta rimbushur Kupolën e Hekurt”, tha Biden.

  • Zhduket një i mitur në Vushtrri

    Zhduket një i mitur në Vushtrri

    Një i mitur është zhdukur në Vushtrri.

    Policia e Kosovës me anë të raportit ditor ka thënë se babai i tij e ka raportuar rastin në polici.

    “Rr. Faik Konica, Vushtrri / 12.04.2024 – 10:00. Ankuesi kosovar me 13.04.2024 ka raportuar se, djali i tij-i mitur, me datën e cekur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij”, thuhet në raport.

    Policia është duke e hetuar rastin.

  • Aleatët e Izraelit e dënojnë ashpër sulmin iranian

    Aleatët e Izraelit e dënojnë ashpër sulmin iranian

    Reagimi i Joe Biden, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës:

    “Sapo u takova me ekipin tim të sigurisë kombëtare për një përditësim mbi sulmet e Iranit kundër Izraelit. Angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit kundër kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij është i hekurt.”

    Reagimi i Rishi Sunak, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar:

    “E dënoj në termat më të fortë sulmin e pamatur të regjimit iranian kundër Izraelit. Irani ka treguar se synon të mbjellë kaos në oborrin e tij. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe të gjithë partnerëve tanë rajonalë, përfshirë Jordaninë dhe Irakun. Së bashku me aleatët tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje.”

    Reagimi i Olaf Scholz, Kancelar i Republikës Federative të Gjermanisë:

    Sulmi ajror në drejtim të territorin izraelit që Irani e nisi sonte është i papërgjegjshëm dhe i pajustifikueshëm. Irani rrezikon të shkaktojë zjarr. Ne qëndrojmë ngushtë me Izraelin dhe tani do të diskutojmë gjithçka me aleatët tanë.

    Reagimi i Karl Nehammer, Kancelar i Republikës së Austrisë:

    “Sulmi i Iranit ndaj Izraelit duhet dënuar me termat më të forte të mundshëm. Austria është fuqimisht e vendosur ndaj sigurisë së Izraelit dhe ne i bëjmë thirrje Iranit për ndalimin e menjëhershëm të veprime armiqësore.”

    Reagimi i Petr Fiala, kryeministër i Republikës Çeke:

    “Ne qëndrojmë fuqimisht përkrah Izraelit dhe të drejtës së tij për të mbrojtur veten!”

    Reagimi i Mark Rutte, Kryeministër i Holandës:

    “Situatë shumë shqetësuese në Lindjen e Mesme. Më herët gjatë ditës së sotme, Holanda dhe shtetet e tjera i dërguan një mesazh me zë të lartë dhe të qartë Iranit që të përmbahet nga sulmi ndaj Izraelit. Holanda dënon ashpër sulmet e Iranit ndaj Izraelit. Përshkallëzimi i mëtejshëm duhet të parandalohet. Ne vazhdojmë t’i vëzhgojmë nga afër zhvillimet.”

    Reagimi i Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë:

    “Kanadaja dënon pa ekuivoke sulmet ajrore të Iranit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë me Izraelin. Pasi që Irani mbështeti sulmin brutal të Hamasit të 7 tetorit, veprimet e fundit të regjimit iranian do të destabilizojnë më tej rajonin dhe do ta bëjnë paqen e qëndrueshme më të vështirë. Këto sulme tregojnë edhe një herë shpërfilljen e regjimit iranian për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij nga këto sulme. Po marr informacione të rregulta të përditësuara nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes dhe Sekretari i Këshillit Privat. Ne jemi në kontakt me aleatët dhe do të vazhdojmë të vëzhgojmë nga afër.”

    Reagimi i Javier Milei, President i Republikës së Argjentinës:

    “Zyra e Presidentit Javier Milei shpreh solidaritetin dhe angazhimin e saj të palëkundur ndaj Shtetit të Izraelit përballë sulmeve të nisura nga Republika Islamike e Iranit. Republika e Argjentinës njeh të drejtën e shteteve për të mbrojtur veten e tyre dhe mbështet fuqishëm Shtetin e Izraelit në mbrojtjen e sovranitetit të tij, veçanërisht kundër regjimeve që promovojnë terrorin dhe kërkojnë shkatërrimin e qytetërimit perëndimor.”

    Reagimi i Lloyd James Austin III, Sekretar i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës:

    Bisedova me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant sot për të ritheksuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për mbrojtjen e Izraelit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin përballë kërcënimeve nga Irani dhe proksive të tij rajonalë.

    Reagimi i Stéphane Séjourné, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës Franceze:

    “Franca dënon me termat më të fort• sulmin e nisur nga Irani kundër Izraelit. Duke vendosur për një veprim të tillë të paprecedentë, Irani po ndërmerr një hap të ri në veprimet e tij destabilizuese dhe duke marrë rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak. Franca ritheksoj lidhjen e saj me sigurinë e Izraelit dhe e siguron atë për solidaritetin e saj.”

    Reagimi i Annalena Baerbock, Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë:

    “Irani ka hedhur dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit. Ne e dënojmë sulmin e vazhdueshëm në termat më të fortë të mundshëm, sulm ky që rrezikon të zhysë një rajon të tërë në kaos. Irani dhe proksit e tij duhet ta ndalojnë këtë menjëherë. Në këto orë, ne qëndrojmë fuqimisht përkrah Izraelit.”

    Reagimi nga Jan Lipavský, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke:

    “Çekia dënon me vendosmëri sjelljen destabilizuese të Iranit dhe proksive të tij që vendosën të sulmojnë Izraelin. Ne e ritheksojmë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Sjellja agresive afatgjatë e Iranit po e pengon rajonin e Lindjes së Mesme të jetojë në paqe dhe siguri.”

  • Analistët: Qeveria përmes zgjedhjeve të parakohshme dëshiron që të paraqitet si viktimë

    Analistët: Qeveria përmes zgjedhjeve të parakohshme dëshiron që të paraqitet si viktimë

    Gatishmëria e qeverisë aktuale dhe e kryeministrit Albin Kurti, që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, nga njohës të çështjeve politike po konsiderohet si tendencë e mazhorancës për ti ikur përgjegjësisë së implementimit të marrëveshjeve, konkretisht formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tyre, për herë të parë në historinë e Kosovës është një parti politike e cila ka mbi 50 për qind të votave dhe shpreh gatishmëria që të shkojë në zgjedhje.

    Analisti politik, Shemsi Jashari, ka thënë se duke marr parasysh zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka bërë që qeveria të jetë e gatshme të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme që të dal si viktimë, si qeverisje të cilës iu pamundësua të vazhdoj mandati deri në fund.

    “Deklaratat e fundit rreth zgjedhjeve e tregojnë në fakt një dëshirë të pushtetit për të shkuar në zgjedhje, kjo për faktin se jemi në vitin e fundit të mandatit të kësaj legjislature që nënkupton në gjashtë mujorin e ardhshëm ne veç hymë në fazën kur zgjedhjet do të konsideroheshin të rregullta kurdo që mbahen. Duke i pas parasysh zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë rreth dialogut Kosovë-Serbi, implementimit të marrëveshjes mes Serbinë dhe të gjitha presionit ndërkombëtarë që është izolimi i Kosovës, e dimë që Kosova është nën masa, nën sanksione e po ashtu edhe takimet e personaliteteve të larta nga Departamenti Amerikan e shohim që mungon Kurti në ato takime. Të gjitha këto kanë bërë që qeveria duket se është e gatshme të shkoj në zgjedhje duke tentuar të krijoj një momentum që të dal në zgjedhje të jashtëzakonshme si viktimë, si qeverisje të cilës iu pamundësua me vazhduar mandati deri në fund. Do të thotë duke e parasysh që nuk kanë numra opozita për ta rrëzuar ofrimi i numrave nga VV-ja për të nisur një mocion për shpërndarje të Kuvendit tregon që është një hile që pushteti në këtë rast po mundohet tua shes partive opozitare për të shkuar në zgjedhje e pastaj për të pasur një argument se ne ishim të gatshëm për të vazhduar me qeverisje po opozita u bë merak për zgjedhje dhe shkuam në zgjedhje”, ka thënë ai.

    Ai ka shtuar se deklaratat se si qeveri janë të gatshëm për zgjedhje, janë me qëllim që të dërgojnë mesazh tek votuesit e vet, se si parti janë mirë edhe me sondazhe edhe me mbështetje.

    “Në anën tjetër deklarimi se janë të gatshëm për zgjedhje duan të qojnë një mesazh tek votuesit e vet, mbështetësit e vet se këta janë mirë edhe me sondazhe edhe me mbështetje dhe kurdo që dalin do fitojnë prapë për ta ruajtur at besimin në VV kështu që duan ta mbjellin një vetëbesim tek elektorati se edhe po shkuam në zgjedhje prapë do të qeverisin subjekti politik i njëjte, përndryshe e dimë se opozita nuk i ka numrat dhe është një test që pushteti po e bën edhe me opozitën edhe me qytetaret”, ka thënë ai.

    Donat Syla, ish-konsull në Kanada, ka thënë se për herë të parë në historinë e pas luftës në Kosovë kemi një situatë kur një parti politike e cila e ka shumicën e votave në Parlament, është e gatshme që të shkojë në zgjedhje.

    Ai tha se qeveria përmes kësaj forme dëshirojnë që të ti ik përgjegjësisë që e presin në raport me Asociacioni.

    “Për herë të parë në historinë e pas luftës në Kosovë kemi një situatë kur një parti politike e cila e ka shumicën e votave në Parlament, jo një koalicion, një parti politike edhe është e gatshme që të shkojë në zgjedhje. Sa janë të gatshëm në zgjedhje unë kam dyshim që përmes kësaj forme partia në pushtet përpiqet që të eksivoj nga përgjegjësit që e presin në raport me Asociacioni dhe obligimet e tjera që derivojnë nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se sondazhet e publikuara nuk janë shumë reale, mirëpo sipas tij, nëse i shikojmë zgjedhjet lokale kemi një pasqyrë tërësisht tjetër.

    “Nëse i shohim sondazhet nuk e di sa janë realiste ato sondazhe. Mirëpo nëse i shohim zgjedhjet lokale kemi një pasqyrë tërësisht tjetër. Në zgjedhjet lokale VV-ja nëse nuk gaboj ka fituar vetëm katër komuna, dy komuna më të mëdha dhe dy më të vogla. Ndërkohë që komunat e tjera dominohen kryesisht nga PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe një pjesë prej AAK-së. Tash kur po behën edhe këto sondazhe unë kam vërejte për këto se si po bëhen se sepse, një faktor kyq në zgjedhjet e ardhshme do të jetë edhe pozicionimi i presidentes Vjosa Osmani, mos harroni se në atë momentum zgjedhor kur VV-ja ka fituar 51 për qind të votave kanë qenë dy figurat më të lakmuara prej gjithë elektoratit të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit”, ka thënë ai.

  • Ibrahimi: Dëmi që po u bëhet komunave nga zbatimi i kontratave kolektive është milionësh

    Ibrahimi: Dëmi që po u bëhet komunave nga zbatimi i kontratave kolektive është milionësh

    Asociacioni i Komunave të Kosovës konsideron se dëmi që po u bëhet komunave nga zbatimi i kontratave kolektive është milionësh dhe se pasojat po i bartin vetë ato. Kësisoj, AKK-ja po kërkon që të shqyrtohet zbatimi i kontratave kolektive. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

    Ai thotë se shumica e këtyre mjeteve të dedikuara për investime kapitale shkojnë për këtë çështje, andaj e konsiderojnë edhe të gabueshëm. Ai kërkon që kjo barrë të bartet tek niveli qendror.

    “Problem tjetër të cilën është identifikuar nga kryetarët e Komunave janë zbatimi i kontratave kolektive dhe pasojat financiare që komunat janë duke i bartur, janë me dhjetëra miliona euro ku Komunave i merren padrejtësisht sepse kontratat kolektive nuk janë nënshkruar nga niveli lokal por janë nënshkruar nga niveli qendror dhe kryetarët e Komunave kërkojnë që barra financiare për mbulimin e kostos që del nga zbatimi i kontratave kolektive në arsim por gjithashtu edhe në shëndetësi të merret nga niveli qendror e jo nga niveli lokal”, thotë Ibrahimi.

    Ai ka shtuar se kemi të bëjmë me dhjetëra miliona euro dëme.

    “Kemi të bëjmë me dhjetëra miliona euro, shumica absolute e këtyre milionave eurove nuk shkojnë për shkak se i merren komunave në zbatimin e projekteve për investime kapitale ku përmes investimeve kapitale edhe cilësia e jetës së qytetarit përmirësohet mirëpo edhe ambienti për zhvillim ekonomik lokal”.
    Krahas dëmit që po i shkaktojnë këto kontrata kolektive, komunat po ballafaqohen edhe Ligjin e Prokurimit Publik. Thotë se procedurat po zvarriten si shkak se Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit po i zvarritë procedurat.

    “Problem tjetër është edhe ligji i prokurimit publik, Komunat janë duke u ballafaquar me shumë sfida në zbatimin e ligjit të prokurimit publik aktual dhe kërkojnë me ngulm amendamentimin e këtij ligji sepse po ka në disa raste kur fillojnë procedurat e tenderimit për një projekt të caktuar mirëpo ato procedura janë aq burokratike e në disa raste edhe pse bordi i organit shqyrtues të prokurimit publik OShP është i funksionalizuar ata nuk janë në krye të detyrës sepse shumë procese po zvarriten për shkak se ky bord nuk po i kthen përgjigje operatorëve ekonomik në mënyrë indirekte edhe Komunave sa i përket fillimit të procedurave për zbatimin e projekteve për investime kapitale. Janë edhe një mori çështjesh tjerash të cilat janë ngritur si shqetësim nga kryetarët, mirëpo këto janë tri prioritetet kryesore të identifikuara nga kryetarët e Komunave në takimet e Asociacionit. Në anën tjetër asnjë nga këto tri probleme të identifikuara nga Kryetarët e Komunave nuk ka gjet përkrahje nga niveli qendror dhe për këtë arsye kryetarët e Komunave në disa raste po vlerësojnë që takime të tilla janë të nevojshme, të domosdoshme mirëpo po kërkojnë rezultat e jo që pas disa viteve të këtyre shqetësimeve të cilat janë ngritur në takime me nivelin qendror as një nga këto shqetësime të mos i gjetet zgjidhja. Gjithashtu është premtuar nga niveli qendror që çdo dilemë çdo shqetësim çdo rekomandim që del nga kryetarët e Komunave përgjigjja t’i kthehet nga niveli qendror në të shkruar, mirëpo deri më tani nuk ka ndodhur pra po shihet që bashkëpunimi është i mangët mes nivelit lokal dhe nivelit qendror në hartimin e politikave që avancojnë jetën e qytetarit mirëpo edhe sa i përket kompetencave”, ka thënë Ibrahimi.

    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë po ashtu se është diskutuar edhe sa i përket mundësisë së nënshkrimit të marrëveshjeve të mirëkuptimit mes Komunave dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës, për bartjen e kompetencës e cila ka qenë e deleguar nga niveli qendror te niveli lokal.

    “Në takimin e fundit të Këshillit të kryetarëve, i mbajtur para disa ditëve është diskutuar edhe sa i përket mundësisë së nënshkrimit të marrëveshjeve të mirëkuptimit mes Komunave dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës, për bartjen e kompetencës e cila ka qenë e deleguar nga niveli qendror te niveli lokal, mirëpo duke e marrë parasysh që ligjin aktual të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, aty thuhet që kjo kompetencë mund të bartet nga niveli lokal, në nivelin qendror, një vit pas miratimit të ligjit për financat e pushtetit lokal, domethënë kryetarët e Komunave menduan dhe rekomanduan që të gjitha Komunat që të mos bëhet një nënshkrim i tillë, i marrëveshjeve të mirëkuptimit që në mënyrë vullnetare Komunat ta bartin këtë kompetencë në nivelin qendror, përkatësisht në Agjencinë Kadastrale të Kosovës”, ka thënë ai.
    Ibrahimi ka folur edhe për faktin që Republika e Kosovës është duke synuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës në Strasburg ku është edhe Kongresi i pushtetit lokal ku parimi i kryesorë i funksionimit të pushtetit lokal është parimi i vendimmarrjes e jo centralizimi i kompetencave, ashtu siç është tendencë e qeverisë që të marrë kompetenca sa më shumë që është e mundur, apo të përzihet në kompetencat e Komunave në Republikën e Kosovës.

    “Kryetarët janë thirrur në ligjin aktual ku aty theksohet se ky veprim mund të bëhet një vit pas miratimit të ligjit për financa lokale. Gjithë kryetarët e Komunave një zëri edhe në të kaluarën kanë kërkuar në nga niveli qendror që ligji aktual për financa lokale ta amdandamentohet, në mënyrë që shumë kompetenca të cilat janë marrë nga niveli qendror Komunave, të qartësohen në ligjin për financa lokale, dhe në mënyrë që gjithçka të jetë e qartë, mirëpo çka është problem që është ngritë edhe nga Kryetarët e Komunave është tendenca e marrjes së kompetencave nga niveli qendror kundruall nivelit lokal, nuk është vetëm kjo sa i përket zyrave kadastrale të Komunave, që me ligjin aktual të Komunave ka të bëj edhe me çështje tjera sa i përket inspektoratit, sa i përket rojeve të pyjeve, mirëpo edhe ligji për financa lokale duhet të kjartësoj njëherë e përgjithmonë edhe çështjen e zjarrfikësve të cilët kanë mbetur as me komuna as me nivelin qendror, çështja e zjarrfikësve e cila duhet të definohet me ligjin për financa lokale, duhet se kompetenca është e nivelit qendror. Përpara ka qenë e nivelit lokal mirëpo ende pagat ndaj zjarrfikëseve, dhe shumë obligime të cilat Komunat i kryejnë në mënyrë vullnetare ndaj zjarrfikësve duhet të definohen me ligjin për financa lokale, pra edhe që mjetet financiare të cilat i shkojnë komunave për të mbuluar koston financiare të zjarrfikësve të bartet në nivelin qendror ashtu siç është bartë edhe kompetenca, mirëpo si konkluzë është që Republika e Kosovës është duke synuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës në Strasburg, e në Këshillin e Evropës është edhe kongresi i pushtetit lokal ku parimi i kryesor i funksionimit të pushtetit lokal në Këshillin e Evropës në Strasburg është parimi i vendimmarrjes sa më afër qytetarëve, e jo centralizimi i kompetencave, ashtu siç është tendecë e qeverisë që të marrë kompetenca sa më shumë që është e mundur, apo të përzihet në kompetencat e Komunave në Republikën e Kosovës”.

    Ibrahimi ka shtuar se brengat kryesore të Kryetarëve të cilat janë paraqitur ndaj nivelit qendror janë të radhitura dhe ato i kemi diskutuar në disa takime me nivelin qendror.

    “Brengat kryesore të Kryetarëve të cilat janë paraqitur ndaj nivelit qendror janë të radhitura dhe ato i kemi diskutuar në disa takime me nivelin qendror ku kryetari i Asociacionit, Agim Aliu i ka ngrit këto shqetësime dhe një ndër kërkesat kryesore është themelimi i grandit të katërt dhe me themelimin e grandit të katërt Kryetarët e Komunave mendojnë që pa barazia e ndarjes së mjeteve financiare ndaj Komunave ku Kryetarët shumica tyre vlerësojnë që mjetet financiare po ndahen duke përdorur kritere politike në disa raste edhe etnike nuk do të ndodh me themelimin e grandit të katërt. Ky grand i katërt ka qenë i paraparë të themelohet në vitin 2022, mirëpo pas një takimi të përbashkët të kryetareve të Komunave me Kryeministrin Kurti ku ka qenë prezent edhe ministri Murati, pas dy jave nga ai takim ministri Murati e ka tërheq projektligjin i cili ka pas të bëj edhe me grandin e katërt, kurse në vitin 2023 fare nuk e ka paraparë në strategji, po problemi është i njëjtë edhe në vitin 2024 se ky projektligj nuk është i paraparë në strategjinë legjislative”, ka thënë mes tjerash Ibrahimi.

  • Gërvalla: Kosova është e mbushur me varre dëshmorësh e martirësh, na kujton sa i madh është çmimi i lirisë

    Gërvalla: Kosova është e mbushur me varre dëshmorësh e martirësh, na kujton sa i madh është çmimi i lirisë

    Ministrja e Punëve të Jashtme deh Diasporës, Donika Gërvalla ka shkruar për Masakrën në Lubizhdë të Hasit të Prizrenit, ku më 13 prill, u shënua 25-vjetori i saj.

    Gërvalla tha se Kosova është e mbushur me varre dëshmorësh dhe martirësh të lirisë, të cilët ministrja thotë se kjo kujton sa i madh çmimi i lirisë.

    “Kosova e mbushur me varre dëshmorësh dhe martirësh të lirisë na kujton sa i madh ishte çmimi i lirisë, sakrifica dhe vuajtjet e popullit tonë në njërën anë dhe sa të tmerrshme krimet serbe në anën tjetër”, shkroi Gërvalla në Facebook.

    “25 vjet me parë, në Lubizhdë të Hasit të Prizrenit, forcat kriminale serbe masakruan civilët e pafajshëm, duke mos kursyer as gratë dhe fëmijët”.

    “Në nderim të sakrificës së tyre, bashkë me Kryeministrin Kurti, Ministrin Çeku, deputetë dhe qytetarë nga e gjithë Kosova, bëmë homazhe dhe nderime te varret e tyre në Lubizhdë”.

  • Prokuroria ngre aktakuzë kundër një kosovari për “krim kundër njerëzimit” në Siri dhe Irak

    Prokuroria ngre aktakuzë kundër një kosovari për “krim kundër njerëzimit” në Siri dhe Irak

    Përgatiti: T. Arifaj & A. Hajdaraj

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës me iniciale M.D., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim kundër njerëzimit” dhe “Shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.

    Sipas Prokurorisë Speciale, këto vepra u kryen ndaj vajzave dhe grave të komunitetit ‘’Yazzidi’’ gjatë konfliktit në Siri dhe Irak, në periudhën kohore 2014-2017.

    Në njoftim thuhet se kjo çështje penale tashmë ka kaluar në kompetencë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

    Pas fillimit të luftës në Siri dhe në kohën kur grupi terrorist, Shteti Islamik kishte marrë hov në Lindje të Mesme vlerësohet se disa vite me radhë, duke filluar nga viti 2011, më shumë se 350 shtetas të Kosovës udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut. Shumica prej tyre u rreshtuan përkrah grupit militant Shteti Islamik.

    Duke marrë këtë për shkas qysh në vitin 2015, Kosova kishte miratuar ligjin i cili ndalonte pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në luftëra të huaja. Bazuar në këtë ligj, shkeljet parashohin dënime deri në 15 vjet burgim për të akuzuarit.
    Në prill të 2019-s, Kosova i ktheu 110 shtetas nga Siria, në mesin e të cilëve katër ish-luftëtarë të ISIS-it, 32 gra dhe 74 fëmijë, ndërsa në korrik të vitit 2021, autoritetet kanë riatdhesuar edhe 11 shtetas nga Siria.

    Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të publikuara në mars të vitit 2023, “shumica e të kthyerve, me të arritur në Kosovë, janë arrestuar dhe u janë nënshtruar proceseve gjyqësore kundër tyre”.