ATV

Author: ATVLive

  • Opozita bojkoton mbledhjen, Projektligji për tekste shkollore procedohet në komisionet e përhershme

    Opozita bojkoton mbledhjen, Projektligji për tekste shkollore procedohet në komisionet e përhershme

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në mbledhjen e komisionit për arsim nuk ishte asnjëri prej deputetëve të opozitës.

    Ata e bojkotuan punën e këtij komisioni, ku pritej të shqyrtohej projektligji për tekste shkollore, i cili dyshohet se nuk pati votat e mjaftueshme kur u miratua në lexim të parë në Kuvend.
    Të pranishëm në këtë komision ishin vetëm deputetët e pushtetit dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Pretendimet e disa deputetëve, ministrja tha se janë përgjegjësi e administratës dhe beson se do të trajtohen në mënyrën e duhur.

    “Pres që të gjithë deputetët t’i japin mbështetje. Sepse është një ligj që ka qenë i munguar për disa vite. Ligji aktual ka më shumë se një dekadë në përdorim. Ka qenë i mangët dhe nuk i ka përfshirë ndryshimet që janë rezultat i kohës. Apeloj që ta mbështesin dhe reforma në arsim duhet të kemi qëllim të përbashkët”, tha Nagavci.

    Pas mbledhjes, deputeti i Vetëvendosjes, njëkohësisht nënkryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se janë duke e pritur përgjigjen zyrtare nga administrata e Kuvendit, për ta vërtetuar nëse ka pasur kuorum për kalimin e këtij Projektligji apo jo. Gola shtoi se nuk mund t’i ndalin procedurat, përkundër dyshimeve.

    “Nëse ka diçka kontestuese ashtu si po ngrihet nga opozita, është komisioni për legjislacion, për mandate edhe për rregullore, që ka për obligim dhe mandat për me interpretu nëse është shkelë rregullorja apo jo. Ne si komision nuk guxojmë të ndalim automatizimin e kësaj procedure, por duhet të procedojmë në përputhje me obligimet që vijnë nga seancat plenare, nga përfundimet që vijnë nga kryetari që reflektojnë seancën. Nuk guxojmë të prejudikojmë kurrfarë epilogu në ankesat e ngritur, nuk jemi adresa e duhur për t’i adresuar ato. Është kabineti i kryetarit dhe administrata”, tha Gola.

    Dyshime janë ngritur fillimisht nga vetë disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, e pastaj edhe nga të opozitës, të cilët thonë se në ditën kur u votua për projektligjin në fjalë, nuk ka pasur kuorum në Kuvend.

  • Ka filluar rigjykimi në rastin “Drenica 1” ndaj të akuzuarve Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku

    Ka filluar rigjykimi në rastin “Drenica 1” ndaj të akuzuarve Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ish-komandanti Sylejman Selimi u paraqit sërish në gjykatë, si i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

    Në rastin “Drenica 1” të kthyer në rigjykim para 6 vjetësh, me të njëjtën akuzë po ballafaqohet edhe Jahir Demaku. Dyshja e UÇK-së, sipas prokurorisë speciale, kishte rrahur një person në fshatin Likoc të Skenderajt.

    Dëshmia e dëshmitarit A mbi të cilën bazohet pika e vetme e aktakuzës, sipas prokurores speciale, është mjaft bindëse që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

    “Ka treguar se i njeh te akuzuarit. Dhe si i ka parë të njëjtit duke rrahur një person. Gjykata do të bindet se të njëjtit kanë kryer veprën dhe do t’i shpallë fajtor”, tha prokurorja speciale, Florije Salihu-Shamolli.

    Por, avokatët mbrojtës vlerësuan se dëshmitarit nuk duhet t’i falet besimi.
    “Nuk ka prova që është kryer krim. Dëshmia e dëshmitarit nuk është e besueshme. Nuk caktohet koha e kryerjes”, tha Mexhit Syla, avokat i Jahir Demakut.

    “Ne vazhdim do ta shihni se dëshmia e tij është e pabazuar. Në shkresat e lëndës nuk do ta gjeni askënd që e përmend të njëjtën ngjarje për të cilën flet dëshmitari A”, tha Artan Qerkini, avokat i Sylejman Selimit.

    Selimi e Demaku vendosën të mbrohen në heshtje, derisa u deklaruan të pafajshëm.

    Në vazhdim, me pajtimin e palëve, trupi gjykues mori vendim që deklarata e dëshmitarit të lexohet, për të vazhduar me procedurat tjera.
    Veç kësaj, prokuroria e as pala mbrojtëse, nuk propozuan dëshmi të tjera e as prova, përveç aplikimit të dëshmitarit A për statusin e veteranit luftëtar.

    Në këtë drejtim, erdhi faza e fjalës përfundimtare, e cila u caktua në fund të prillit, meqë palët kërkuan kohë të përgatiten.

    Sylejman Selimi si i dënuar në rastet Drenica 1 dhe 2, kishte vuajtur dënimin prej 8 vjetësh burgim. Kështu, edhe nëse shpallet fajtor, nuk do të vuajë tjetër dënim. Por, nëse shpallet i pafajshëm, do të kompensohet për një periudhë të qëndrimit në burg.

    Në vitin 2018, rasti për krime lufte, ishte kthyer në rigjykim, për të filluar gjykimi tek tani në prill të 2024-tës, pasi lënda ka kaluar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës në atë të Prishtinës.

  • Forca e Sigurisë së Kosovës FSK organizon aktivitetin “Java Ndërkombëtare e Kadetëve”

    Forca e Sigurisë së Kosovës FSK organizon aktivitetin “Java Ndërkombëtare e Kadetëve”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Kadetë nga vende të ndryshme, përfshirë SHBA-në e Turqinë erdhën në Kazermën “Adem Jashari”. Ata do të jenë pjesëmarrës të “Javës Ndërkombëtare të Kadetëve” që filloi të mbahej nga kjo e premte.

    Kadetët thanë se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për t’i zhvilluar aftësitë e tyre.

    “Deri më tani, ata kanë qenë shumë mikpritës dhe ne jemi mirënjohës që jemi këtu dhe për të dëgjuar dhe mësuar nga një forcë shumë më e vogël… Për të përhapur njohuritë e mia, për bashkëpunimin e përbashkët me vende të tjera dhe… 08:12 aftësi të ndryshme, pra të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të mësojmë secilën prej aftësive tona dhe se si mund të integrohemi dhe mbrojmë në mënyrë efektive”, tha kadeti nga forcat hapësinore të SHBA-së, Aaron Whitlock.

    Për dikë ardhja në Kosovë për herë të parë ishte mjaft emocionuese.

    “Është hera e parë që jam në Kosovë. Janë gjëra të ngjashme që dhe ne i bëjmë në shkollën tonë atje dhe po ndihem sikur në shtëpinë time. Ky program internacional për një javë shumë i mirë dhe kemi qejf të vazhdojmë dhe në të ardhmen”, thotë një pjesëmarrës.

    U kërkua që këtë praktikë ta ndjekin edhe shtetet e tjera.

    Edhe për kadetët e kazermës “Adem Jashari” kjo ishte mundësi e mirë për t’i ditur aktivitetet që kolegët e tyre nga vendet e ndryshme i bëjnë.

    Kadetët do të marrin njohuri për sistemin e edukimit ushtarak, si dhe do të marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta ku do të njoftohen edhe me kulturën e Kosovës.

  • 6 vetura janë dëmtuar si pasojë e një shpërthimi, që, sipas policisë, dyshohet të ketë qenë granatë

    6 vetura janë dëmtuar si pasojë e një shpërthimi, që, sipas policisë, dyshohet të ketë qenë granatë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Mëngjesi i së premtes nuk ishte aspak i qetë për banorët e “Lagjes së profesorëve” në Prishtinë. Nën veturën e njërit prej tyre, personi, ende i paidentifikuar, kishte vendosur një mjet shpërthyes.

    Përveç dëmeve materiale, sikurse gomat e veturave dhe xhamat e thyer dëme të tjera nuk pati. E as persona të lënduar nuk pati.

    “Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, për shpërthimin që ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit. Ka dëme materiale, përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia, po ashtu, njoftoi se është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur rastin.

    Një distancë fare e vogël ndan shkollën e muzikës “Zanat” nga vendi i shpërthimit, ndërkaq banorët u shprehën të shqetësuar nga ky rast.

    Në mesin e veturave, e dëmtuar mbeti edhe vetura e deputetit Ferat Shala, dhe ish-ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami. Ndërkaq, deri më tani nuk ka informacione për personin, apo personat e dyshuar në lidhje me shpërthimin.

  • Djegia e veturës në Lipjan, reagon kompania D2D: Pos dëmeve materiale, nuk ka asnjë të lënduar

    Djegia e veturës në Lipjan, reagon kompania D2D: Pos dëmeve materiale, nuk ka asnjë të lënduar

    Gjatë ditës së sotme, një veture e kompanisë postare D2D është kapluar nga zjarri, ku fillimisht dyshohej se kishte të lënduar.

    Nga kjo kompani, në një prononcim për ATV-së, thanë se pos dëmeve materiale, nuk ka asnjë të lënduar.

    “Në këtë rast nuk ka të lënduar asnjë nga stafi ynë, fatmirësisht dhe kemi pësuar vetëm dëme materiale ku nga hetimet e para, dyshohet se zjarri ka ardhur nga pajisja e GPS-së dhe e ka kapluar tërësisht veturën brenda disa minutave, ku fatmirësisht kolegu i ynë ka shpëtuar”, i tha ATV-së drejtori i kompanisë postare D2D, Lorik Krasniqi. /atvlive.tv

  • Kurti reagon për vrasjen në Ferizaj: E dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet, drejtësia të veprojë

    Kurti reagon për vrasjen në Ferizaj: E dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet, drejtësia të veprojë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për rastin në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku mbeti e vrarë një grua dhe një tjetër i plagosur.

    Kurti ka theksuar se e dënojnë ashpër këtë krim, krim i cili sipas tij po përsëritet.

    Shefi i qeverisë u ka shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj.

    “Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

    “Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje”.

    “Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”.

  • ​Rama-Macronit: Nëse ke nevojë për dikë në momente të vështira, thërrisni një shqiptar

    ​Rama-Macronit: Nëse ke nevojë për dikë në momente të vështira, thërrisni një shqiptar

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë konferencës që mbajti me presidentin francez, Emanuel Macron e falenderoi këtë të fundit për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe nxitjes për integrimin e rajonit në Bashkimin Europian.

    Ai theksoi se Franca është gjithmonë e më e pranishme në Shqipëri dhe rajon me projekte të ndryshme, ndërsa u shpreh i bindur se do të kishte edhe më shumë bashkëpunim mes dy vendeve.

    “Ka gjëra që po marrin formë, është ekselenca franceze që po mbërrin në Shqipëri dhe tani kemi një horizont të ri të punës së përbashkët, ku kanë nisur investime të mëdha për investimin francez për ndërtimin e dy parqeve foto voltaike të rajonit. Duam të bëjmë më shumë, jam i sigurt se do bëjmë më shumë. Do presim me krahë hapur gjithçka që vjen nga Franca. Sepse kur Franca mbërrin, nuk është vetëm një çështje parash, por njohje dhe diturie”– tha Rama.

    Më tej Rama nënvizoi edhe një virtyt për të cilin njihen shqiptarët.

    “Ne shqiptarët nuk jemi të pasur apo të mëdhenj, por kemi aftësi, jemi besnikë, gjë që është unike. Nëse një ditë do keni nevojë për dikë për të qenë me ju në një moment vështirësie të jashtëzakonshme thërrisni një shqiptar, ai do të vijë”, shtoi Rama.

  • Policia jep detaje për vrasjen në Ferizaj, dorasi është 36-vjeçar ndërsa viktima 21-vjeçare

    Policia jep detaje për vrasjen në Ferizaj, dorasi është 36-vjeçar ndërsa viktima 21-vjeçare

    Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri.

    Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në
    Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.

    Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A (M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore.

    Hetuesit dhe krim teknikët rajonal janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.

    Për informata tjera ju njoftojmë më vonë.

  • Ministrja Haxhiu reagon pas vrasjes së gruas në Ferizaj

    Ministrja Haxhiu reagon pas vrasjes së gruas në Ferizaj

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar menjëherë pas vrasjes së gruas në Ferizaj.

    Përmes një postimi në “Facebook”, ajo shkroi se kjo është një tjetër jetë më shumë e humbur, andaj kërkoj dënim maksimal për autorin.

    Veç kësaj, ajo tha se duhet pritur edhe rrethanat e plota për të kuptuar më mirë situatën në ngjarjen e kobshme në Ferizaj.

    Më poshtë edhe postimi i plotë:

  • ​Pavarësisht shëndetit të dobët, Papa planifikon udhëtimin e tij më të gjatë

    ​Pavarësisht shëndetit të dobët, Papa planifikon udhëtimin e tij më të gjatë

    Papa Françesku planifikon të shkojë në udhëtimin e tij më të gjatë në pontifikat në shtator, një vizitë gati dy-javore në vendet aziatike, që është dëshira e tij e kahershme, njoftoi sot Vatikani.

    Një udhëtim në Azi dhe Oqeani ka qenë në agjendën e Françeskut prej disa kohësh, por kishte dyshime nëse kreu 87-vjeçar i Kishës Katolike do të merrte fund duke pasur parasysh dobësinë e tij në rritje dhe një sërë angazhimesh të anashkaluar për shkak të problemeve shëndetësore.

    Udhëtimi i tij i fundit ndërkombëtar ishte një qëndrim dyditor në Marsejë, Francë, shtatorin e kaluar. Në nëntor, ai anuloi udhëtimin në konferencën e klimës COP28 në Dubai për shkak të pneumonisë.

    Në shtator, Françesku planifikon të vizitojë Indonezinë më 3 dhe 6 shtator, Papua Guinenë e Re midis 6 dhe 9 shtator, Timorin Lindor nga 9-11 shtator dhe Singapor nga 11-13 shtator.

    Vietnami, të cilin zyrtarët e Vatikanit e përmendën si një tjetër destinacion gjatë një udhëtimi gati dy-javor nëpër Azi dhe Oqeani, nuk u përmend në njoftim.

    Në muajt e fundit, Papa ka vuajtur herë pas here nga të ftohtit, bronkitin dhe gripin dhe për shkak të sëmundjes së gjurit, ai ka nevojë për një karrige me rrota ose një shkop ecjeje.

    Programi i këtij viti përfshin vizita në Itali, në Venecia më 28 prill, Verona më 18 maj dhe Trieste më 7 korrik dhe një vizitë në Belgjikë, datat e së cilës nuk janë konfirmuar, por pritet në gjysmën e dytë të shtatorit.

    Papa argjentinas, i pari nga i ashtuquajturi jug global, e ka bërë arritjen e Azisë një nga prioritetet e pontifikatit të tij, gjatë të cilit Vatikani bëri një marrëveshje historike, por të diskutueshme me Kinën për emërimin e peshkopëve.

    Indonezia është kombi mysliman më i populluar në botë dhe tetë milionë katolikë përfaqësojnë rreth 3 për qind të popullsisë së përgjithshme. Timori Lindor, së bashku me Filipinet, është i vetmi vend me mbizotërim katolik në Azi.

    Në Singapor, katolikët përbëjnë rreth shtatë për qind të banorëve të moshës 15 vjeç e lart, tregoi regjistrimi i vitit 2020, ndërsa në Papua Guinenë e Re rreth 26 për qind e popullsisë janë katolikë, sipas Raportit të Lirisë Fetare të Departamentit të Shtetit të SHBA.