ATV

Author: ATVLive

  • Turqia i bën thirrje Iranit për ndalimin e përshkallëzimit

    Turqia i bën thirrje Iranit për ndalimin e përshkallëzimit

    Ministria e Jashtme turke ka paralajmëruar se lufta në Gaza mund të përshkallëzohet pas sulmit të Iranit mbrëmë si hakmarrje për një sulm izraelit ndaj ambasadës së tij në Damask në fillim të këtij muaji.

    “Sot, ne po i themi qartë mesazhet tona udhëheqësve iranianë dhe vendeve perëndimore që kanë ndikim mbi Izraelin, duke bërë thirrje për ndalimin e përshkallëzimit”, tha ministria.

    “Ne do të vazhdojmë të punojmë për të parandaluar një proces që do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme stabilitetin e rajonit tonë dhe do të përkeqësojë konfliktet globale.”

    Ministria shtoi se të gjitha zhvillimet po monitorohen nga afër.

    Më herët, një burim turk, duke folur në kushte anonimiteti, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Irani informoi ministrin e Jashtëm, Hakan Fidan, për operacionin e tij të planifikuar përpara sulmit, shkruan Al Jazeera.

  • Franca bllokon shitjen e avionëve luftarakë Rafale në Serbi, Kosova një ndër arsyet

    Franca bllokon shitjen e avionëve luftarakë Rafale në Serbi, Kosova një ndër arsyet

    Pak ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq foli për një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Francës që që Beogradi të blejë 12 aeroplanë luftarakë francezë, Rafale, vjen lajmi se kjo çështje do të kushtëzohet nga Parisi.

    Rrjeti televiziv francez, BFM TV, duke cituar agjencinë AFP thotë se Dassault Aviation, prodhuesi francez i këtyre avionëve aktualisht po refuzon të diskutojë për një shitje të mundshme të avionëve në Serbi.

    Operacioni, mund të sjellë 3 miliardë euro, por Franca synon të marrë konfirmime mbi zhvillimet politike në Serbi përpara se të vulosë blerjen.

    Tutje thuhet se Serbia po rrit blerjen e armëve, qofshin ato europiane, kineze apo ruse dhe se në dhjetë vjet, buxheti ushtarak serb është trefishuar.

    Nga viti 2012 deri në vitin 2023, buxheti ushtarak serb u trefishua, duke arritur në 1.4 miliardë euro.

    Më shumë se buxhetet e kombinuara të pesë vendeve të tjera të Ballkanit, shkruan mediumi francez.

    Midis 2014 dhe 2023, Serbia shpenzoi 2.67 miliardë euro për blerjet e armëve – veçanërisht për të blerë sistemin kinez kundërajror FK-3, helikopterët rusë Mi-17 dhe Mi-35, si dhe sistemin rus të mbrojtjes ajrore, Pantsir.

    Afërsia me Rusinë

    Afërsia e kreut të shtetit serb me homologun e tij rus Vladimir Putin përbën një problem për Parisin.

    Ndërsa Serbia e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, ajo nuk është rreshtuar me sanksionet perëndimore.

    Në fund të marsit, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, vizitoi Moskën, një mundësi kjo sipas diplomacisë serbe për t’i përmirësuar “lidhjet tradicionalisht miqësore midis Serbisë dhe Rusisë”.

    Mbi të gjitha, blerjet nga Rusia dhe Kina nuk kanë të ndalur që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.

    Në shkurt, presidenti serb prezantoi me krenari blerjet e tij të fundit: Russian Repellents, një sistem anti-drone, si dhe dronët kinezë.

    Ai gjithashtu premtoi se do të vinte në prodhim një dron shpërthyes të prodhuar në Serbi deri në fund të vitit 2024.

    “Republika e Serbisë blen armë dhe pajisje ushtarake nga Lindja dhe Perëndimi”, shpjegoi Ministria serbe e Mbrojtjes në mars në përgjigje të një pyetjeje nga AFP-së për blerjet e saj nga Rusia dhe Kina, “duke zgjedhur ato karakteristikat e të cilëve do të të përmirësojnë aftësitë e forcave të armatosura serbe”.

    Një shitje e mundshme “qesharake”.

    Franca prej disa kohësh është angazhuar për ta intensifikuar bashkëpunimin e saj në mbrojtje me Serbinë. Një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunimin e mbrojtjes ekziston që nga viti 2011 dhe u ringjall nga viti 2019. Një bashkëpunim që nuk është për shijen e të gjithëve.

    “Do të ishte qesharake që Parisi, nga njëra anë, të përmendte dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe nga ana tjetër t’ia shesë një armë jashtëzakonisht të sofistikuar një prej aleatëve më të afërt të Rusisë”, thotë Jasmin Mujanoviq, studiues i shkencave politike.

    Shitja e avionëve Rafale këtij aleati të Moskës “do të ishte shqetësuese sepse do të lejonte rrjedhjen e informacionit në Kinë dhe Rusi”, beson ai.

    Sytë e Serbisë te Kosova

    Sipas letrës së bardhë të Mbrojtjes së Serbisë, botuar në vitin 2023, “sfida më e madhe e sigurisë” për Beogradin është në anën tjetër të kufirit me Kosovën, që u bë e pavarur në fund të një lufte të përgjakshme me mbi 13,000 të vdekur.

    Ndër kushtet e kërkuara, presidenti francez përmendi edhe nevojën për zbutjen e tensioneve në marrëdhëniet me Kosovën.

    Megjithatë, nëse shitja e Rafale ndodh, “mund të shihni avionë luftarakë francezë që përdoren për ta frikësuar Kosovën. Këta avionë mund të përdoren kundër vendeve fqinje”, paralajmëron Jasmin Mujanoviq.

    Avioni, i cili hyri në shërbim në 2004 dhe synohet të fluturojë deri në vitet 2060, është maja e shtizës së eksportit të industrisë franceze të mbrojtjes.

    Shtatë vende kanë avionë Rafale ose kanë lidhur marrëveshje tregtare për t’i blerë ato: Egjipti, Katari, India, Greqia, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kroacia.

  • Tash e 4 muaj, biçikletat qëndrojnë në bodrumin e komunës së re të Prishtinës

    Tash e 4 muaj, biçikletat qëndrojnë në bodrumin e komunës së re të Prishtinës

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    As 4 muaj pasi u sollën në kryeqytet, nuk arritën që të paktën këto ditë pranvere, të shfrytëzohen nga qytetarët.

    Duke mos dhënë shumë detaje mbi mënyrën se si do të përdoren, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, dha një afat kohor për to. Madje, pas tyre, premton edhe të tjera biçikleta.

    Por, sipas çiklistëve, projekti milionësh për biçikletat nuk është planifikuar siç duhet, pasi fillimisht duhen shtigje e më pas vend-stacionet së bashku me biçikletat.

    Biçikletat, së bashku me procedurat deri në shfrytëzimin e tyre nga qytetarët, Komunës së Prishtinës i kushtuan rreth 500 mijë euro.

  • Pakot e duhanit me dizajn të ri, u shtohen fotografi me vërejtje shëndetësore

    Pakot e duhanit me dizajn të ri, u shtohen fotografi me vërejtje shëndetësore

    Përgatiti: Armand Hoti

    Tash e tutje, pakot e duhanit do të duken ndryshe në Kosovë.

    Atyre do t’u shtohen fotografi të ndryshme, që do të shërbejnë si vërejtje për pasojat që sjell konsumimi i cigareve.

    Në to do të jepen edhe mesazhe se duhanpirja shkakton vdekje, sulm në zemër, kancer në mushkëri, në fyt, në gojë, sulm në tru, sëmundje të enëve të gjakut. Gjithashtu do të vendosen fotografi të dëmeve në shtatzëni dhe fëmijëve të vegjël.

    Tashmë dogana ka nisur të mos e lejojë futjen në territorin e Kosovës, të paketimeve që nuk i kanë të integruara vërejtjet e parapara në Udhëzimin Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara, që ka hyrë në fuqi në fund të shtatorit të vitit të kaluar.

    “Udhëzimi ka paraparë që, gjashtë muaj pasi udhëzimi hynë në fuqi, ndalohet importi. Tani bizneset i kanë edhe gjashtë muaj për t’i shitur stoqet që i kanë brenda. Importuesit kanë qenë të përgatitur, e kanë ditur se po hynë në fuqi ky rregull i ri. Vetëm prodhuesit duhet ta përshtatin pamjen e paketimit me atë që parashihet në udhëzimin e ri”, ka thënë drejtori i Doganës, Agron Llugaliu.

    Referuar Udhëzimit Administrativ, dhjetë fotografi të ndryshme do të vendosen në pakot e cigareve.

    Në disa markete, vetëm se ka filluar të ndjehet mungesa e disa markave të cigareve. Por televizioni nuk pa në asnjë prej tyre, pako me dizajn të ri.
    Psikologu Naim Telaku thotë se zbatimi i udhëzimit të ri do të ndikojë në reduktimin e pirjes së duhanit në Kosovë.

    “Efekti pozitiv është ai kryesori në uljen e pirjes së duhanit nga konsumuesit e tij. Pastaj në uljen e pëlqimit apo simpatisë për duhan pirjen, në rritjen e frikës ose rezistencës për ta konsumuar duhanin, dhe ka një efekt jashtëzakonisht të madh tek ata që nuk janë konsumues të cigares të cilët bëhen edhe më rezistent dhe bëhen edhe më të neveritur nga konsumi i duhanit”, tha Telaku.

    Sipas Udhëzimit Administrativ, vërejtja e kombinuar duhet të mbulojë 65% të sipërfaqes së dukshme të anës së përparme dhe po aq në pjesën e pasme të paketimit.

  • Kritika për Projektligjin që bart kompetencat e inspektorëve komunalë në nivelin qendror

    Kritika për Projektligjin që bart kompetencat e inspektorëve komunalë në nivelin qendror

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Përmes Projektligjit për inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut që është në pritje për t’u miratuar në parim, synohet që kompetencat e inspektorëve komunalë të bartën në nivelin qendror.

    Kjo po vazhdon të kundërshtohet nga opozita sipas së cilës ka tendencë për të ndërhyrë në çështjet e pushtetit lokal, duke i lënë ata jashtë sistemit të inspektimeve.

    “Hapur e themi se tendenca është për të ndërhyrë te pushtete lokale dhe për të marr kompetencat e kryetareve ne raport me inspektimin e tregtisë. Kemi shkelje sepse nuk mund ti merret e drejta e punës të gjithë atyre inspektorëve që qeveria ka investuar tash e 30 vjet duke llogaritur qe duhet te I nënshtrohen një konkursi te ri paralel me militantët e LVV që po tentojnë të vendosen pranë agjencinë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Paqartësi sipas deputetit Shala ka edhe me pagat.

    “Nuk sigurohen pagat për të rinjtë pra nuk e ka qartësuar mënyrën e financimit as të inspektorëve të mbetur e as që vijnë”, tha Shala.

    Njëkohësisht për këtë kanë reaguar edhe komunat. Sipas Sazan Ibrahimit nga Asociacioni i Komunave tendenca e centralizimit e karakterizon qeverinë aktuale, derisa shton se rekomandimet e komunave nuk merren parasysh nga niveli qendror.

    “Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe parimi kryesor në KiE është bartja e shërbimeve më afër qytetarëve. Tendenca e centralizimit të kompetencave po vërehet hapur në Kosovë dhe kjo nuk është vetëm për këtë çështje por edhe për shumë të tjera kur në shumicën e rasteve as komunat nuk konsultohen për këto veprime. Edhe pse ne jemi të interesuar si asociacion që sa më herët të zgjidhen problemet që I pengojnë qytetarët e vendit por këto po anashkalohen. Tendenca e centralizimit nuk është në dobi të qytetarëve sepse çdo shërbim që ofrohet me afër tyre është I mirëseardhur”, tha Ibrahimi.

    Projektligji për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut ishte miratuar në qeveri në dhjetor të vitit të kaluar.

  • Lindja e Mesme në frikë për një konflikt të gjerë

    Lindja e Mesme në frikë për një konflikt të gjerë

    Përgatiti: Gjelbrim Berisha

    Më shumë se 300 dronë dhe raketa nga Irani dhe aleatët e tij në Irak dhe Jemen u lëshuan në drejtim të Izraelit, natën mes 13 dhe 14 prillit, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.

    Konfrontimi me Iranin “nuk ka përfunduar ende”, tha Ministria e Mbrojtjes së Izraelit, ndërsa sulmi ndaj Izraeli erdhi si pasoj hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri më 1 prill.

    Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

    “Ne i zmbrapsëm, së bashku do të fitojmë”, shkroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në platformën X, të dielën.

    Autoritetet e këtij vendi u zotuan se do të hakmerren kundër çdo sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani dhe kabineti i luftës u mblodh gjatë natës për të diskutuar situatën.

    Ndërkohë, Irani ka thënë se tani “çështja mund të konsiderohet e mbyllur”, por ka kërcënuar Izraelin që “të mos bëjë tjetër gabim, pasi përgjigja do të jetë dukshëm më e ashpër”

    Sulmin e Irani ndaj izraelit e kanë dënuar shumë vende nga mbarë bota. Presidenti Biden ka qenë i qartë dhe ka theksuar se përkrahja për sigurinë e Izraelit është e hekurt. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me popullin e Izraelit dhe përkrahin mbrojtjen e tij kundër kërcënimeve nga Irani”, ka thënë Biden.

    Bashkimi Evropian, Britania, Japonia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Meksika, Holanda, Norvegjia dhe vende të tjera e dënuan sulmin e Iranit kundër Izraelit dhe bënë thirrje për përmbajtje.

  • Gjenerali amerikan: Do t’i shtojmë forcat e KFOR-it

    Gjenerali amerikan: Do t’i shtojmë forcat e KFOR-it

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komandanti i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, Christopher Cavoli, paralajmëroi shtim të trupave dhe pajisjeve ushtarake në kuadër të KFOR-it, në Kosovë.

    Deklarimi i komandantit amerikan para senatorëve, vjen pas lëvizjeve të fundit të trupave serbe përreth kufirit me Kosovën.

    “Kemi bërë një analizë për KFOR-in dhe del se jo vetëm që na duhen më shumë trupa të KFOR-it, por na duhet edhe forcë më e rëndë dhe aktualisht jemi në proces të kësaj. Të gjitha shtetet po tregohen gjeneroze, por ne do të vendosim pajisje më të rënda në terren dhe gjithashtu më shumë njerëz”, thotë Cavoli.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën, se kërcënimeve të Serbisë, Qeveria iu përgjigj me rritje të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë.

    “Në kohën kur kemi luftë në Evropë, dhe kërcënime të sigurisë nga fqinji verior, jemi përgjigjur me dyfishim të buxhetit për ushtri dhe trefishim për buxhetin për armatim. Blemë dronët bajraktar dhe prokuruam reketët anti-tankë”, ka thënë Kurti.

    Rritja e gatishmërisë është e nevojshme, sipas Mentor Vrajollit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

    “Duket një momentum i qartë ku shihet një situatë e pazakonshme ku kanë filluar të zgjerohen konfliktet…kjo mbase duket të jetë e planifikuar dhe potenciali që mundë të jetë e organizuar dhe akterë që mundë të jenë pjesë e kësaj shtytje mundë të jenë edhe në rajonin tonë dhe shtuarja e trupave është e domosdoshme sidomos edhe shtuarja e pajisjeve për shkak se kjo e lehtëson punën e KFOR-it dhe institucioneve tona të sigurisë”, tha Vrajolli.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se rritja e kapaciteteve të KFOR-it në Kosovë, është dëshmi që NATO-ja synon ta ruajë paqen në Ballkan.

    “Pra do të kemi një shtim të forcave ushtarake në Bosnje dhe në Republikën e Kosovës, ku njëkohësisht do të kemi edhe pajisje të rënda të cilat dëshmojnë faktin se forca Veri-Atlantike është e interesuar me çdo kusht dhe në çdo formë ta mbajë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Shala.
    Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zvençanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, KFOR ka shtuar numrin e trupave në Kosovë, ashtu si edhe patrullimin në zonën veriore të vendit.

  • E dhunuan në sy të djalit të saj, e mbijetuara rrëfen për tmerrin

    E dhunuan në sy të djalit të saj, e mbijetuara rrëfen për tmerrin

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    25 vjet më parë, u nis nga shtëpia e saj, deri tek baza e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t‘iu dërguar ushtarëve veshmbathje e medikamente.

    Rrugën po e bënte me të birin, derisa papritmas kjo grua u ndalua nga serbët që më pas i dërguan në stacionin policor.

    “Kam hasur në policë, kam qenë me djalin. Kemi filluar të zbresim prej autobusit, na kanë ardhur policia mbrapa dhe na kanë thirr në gjuhën e tyre serbo-kroate në mënyrë më të vrazhdë, na i kanë sharë nënat shqiptare, aq vrazhdë që kanë folur. Na kanë marrë edhe na kanë dërguar në stacion policor prej orës 10 të mëngjesit deri në orën 01:00”, rrëfen ajo.

    Në mes të atyre mureve e në prani të të birit, ajo thotë se u dhunua seksualisht për 15 orë nga 4 ushtarë serbë.

    “Mi kanë thyer dy dhëmbë, ma kanë shky veshin, më kanë kafshuar në gjoks. I pari, i dyti, i treti, i katërti, në mënyrën më të vrazhdë, shtazarake derisa një copë e gjirit më ka munguar aty. Më kanë dhunuar katër persona aty në prezencën e djalit. Kom thanë kurrë ky person nuk do të bëhet njeri kur t’i kujtohet rasti i nënës”, rrëfen më tej ajo.

    Trishtimi e makthi nuk ju nda më, e që nga ajo kohë bie e zgjohet me një lutje.

    “Jeta ime aty ka përfunduar, kënaqësia ime aty e ka përfunduar, dielli për mua nuk ka shkëlqyer më”, thotë ajo.

    Nga dhimbja, jo rrallë herë mendonte t’i jepte fund jetës.

    “Më kanë lëshuar në orën 01:00, kam vendosur një herë e përgjithmonë me i dhënë fund jetës. Djalin e kam këshilluar ‘të lutem bir, merre jetën përpara, ti je i ri, vazhdon jeta përpara. Një shtëpi si ta shikosh të hapur bir mbroju’. Ka thënë ‘jo nënë, ti e vdekur, unë i vdekur, ti e gjallë, unë i gjallë”, rrëfen ajo.

    Me dhimbje e trishtim po, por ajo jetoi edhe me frikën ndaj paragjykimeve, e kjo bëri që të mos e ndaj me askënd ngjarjen e asaj nate prilli të 1999-ës.

    Aktualisht janë gjashtë aktakuza të ngritura për dhunime seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Deri më tani janë rreth 2100 raste të cilat kanë aplikuar në komision dhe rreth 1600 prej tyre që e gëzojnë pensionin personal si te mbijetuar të dhunës seksuale.

  • 170 gra mbesin pa punë, digjet fabrika në fshatin Kërpimeh

    170 gra mbesin pa punë, digjet fabrika në fshatin Kërpimeh

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Thotë se ka pak dhimbje, teksa shikon duart e tij të përlyera. Mirëpo, Nexhmi Kastrati më shumë ndihet krenar për punën që kreu pak më herët.

    Ky arriti ta shpëtonte një punëtor që gjendej brenda, kur nisi të digjej fabrika “KASTRATI SHPK” në fshatin Kërpimeh të Podujevës.

    “Kam tentuar t’i ndihmojë diçka, i kemi thirre zjarrfikësit derisa kanë arritur veç e kishte përfshirë flaka…”, tha Kastrati.

    Pronari i fabrikës qe në gjendje të rënd emocionale, andaj për dëmet nga flakët, foli i afërmi i tij, Arif Hoti.

    Sikurse zjarrfikësit të mos ishin vonuar 45 minuta nga telefonata, për në vatrën e zjarrit 10 kilometra larg qendrës, sipas Hotit, humbjet s’do të ishin tre milionë euro.

    “Unë kam qenë duke ngrënë bukë me pronarin kur na kanë thirre, kemi ardhur për me i prit zjarrfikësit janë vonuar diku 45-50 minuta…”, tha Arif Hoti, i afërm i pronarit të fabrikës “Kastrati SHPK”.

    Por, shkatërrimi i tërësishëm i fabrikës, nuk e ka dëmtuar vetëm pronarin.

    Që fqinjët e tyre të mos mbesin pa punë, banorët kërkojnë ndihmë institucionale.

    Zjarri qe i madh, andaj përgjatë lokalizimit edhe një zjarrfikës kërkoi ndihmë mjekësore.

    “10:50 kemi marrë lajmin, i lënduar mbeti pak një punëtor dhe zjarrfikës, por vetëm lëndime të shkallës së parë, pjesa dërrmuese është dëmtuar”, tha Milaim Ajvazi, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Podujevë.

    Dyshimet e para për zjarrin lidhen me rrjetin elektrik.

    Mirëpo, pavarësisht kësaj, hetimet për shkakun e zjarrit po vazhdojnë.

  • 14 Prilli “Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit”

    14 Prilli “Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Secila nga mbi 20 mijë medaljet e vendosura në memorialin Heroinat në Prishtinë, bartin histori e rrëfime të sakrificave e kontributeve të mijëra grave shqiptare në kohën e luftës.

    E mundin dhe sakrificën e tyre, përkrah dy grave të mbijetuara të dhunës seksuale në luftë, i përkujtoi edhe presidentja Vjosa Osmani.

    “Shënimi i 14 është më shumë se një thirrje për drejtësi, është deklaratë e forte e solidaritetit ndër njerëzor me të mbijetuarat dhe mbijetuarit dhe një kujtim i përhershëm i forcës i guximit dhe rezistencës në ballafaqim me dhunën. Në këtë ditë ne e ngrisim ditën për drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë por edhe në vendet e tjera të botës. Drejtësia nuk do të jetë e plotë deri sa kriminelët nuk ballafaqohen me përgjegjësi për veprat e tyre”, tha Osmani.

    Pikërisht nga ky memorial, drejtësi për viktimat kërkoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    “Ajo çfarë u ka ndodhur këtyre personave nuk u ka ndodhur për shkak të emrave të tyre të veçantë, apo karakteristikave individuale, por për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetonin në tokën e tyre të lirë”, tha Kurti.

    Në mesin e 20 mijë viktimave te dhunës është edhe Vasfije Krasniqi, e cila e kujton tmerrin që përjetoi para 25 vjetëve.

    “Ishte një ditë shumë e tmerrshme për mua. Por unë sot jam shumë e fortë, jam shumë krenare për shtetin që kemi. Kemi ushtrinë tonë, policinë dhe me plot besimin që policia jonë dhe ushtria nuk do të bëjë çfarë bëri ushtria serbe”, tha Krasniqi.

    14 prilli u shpall “Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit” nga Qeveria në bashkërendim me presidenten Vjosa Osmani.