ATV

Author: ATVLive

  • Rozeta Hajdari po intervistohet në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore

    Rozeta Hajdari po intervistohet në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore

    Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, të hënën rreth orës 9:30 është paraqitur në Prokurorinë Speciale.

    Jo zyrtarisht ATV mëson se Hajdari do të intervistohet lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar rreth dyshimeve për keqpërdorime me rezerveat shtetërore.

    Në gusht të vitit të kaluar ishin arrestuar tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime gjatë blerjeve të rezervave shtetërore. Ishin arrestuar dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe biznesmeni Ridvan Muhaherrimi, i përfolur në publik për afërsi me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Më pas Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara janë liruar nga masa e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri.

    Dyshimet sipas Prokurorisë, e cila është duke zhvilluar hetime rreth këtij rasti janë se i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 600 mijë euro. /atvlive.tv

  • 159 vjet nga vrasja e presidentit të SHBA-së Abraham Lincoln

    159 vjet nga vrasja e presidentit të SHBA-së Abraham Lincoln

    Sot bëhen 159 vjet nga vrasja e presidentit amerikan Abraham Lincoln. Ai u vra më 14 prill të vitit 1865.

    Lincoln vazhdon të mbetet dhe konsiderohet si një nga udhëheqësit më të dashur të SHBA-së, legjitimiteti i të cilit vazhdon të frymëzojë presidentët amerikanë dhe udhëheqësit botërorë.

    Lincoln u vra përderisa bashkë me të shoqen po shikonte një shfaqje në kinemanë Ford në Uashington.

    Ndërsa vrasësi i tij, John Wilkes Booth largohej nga skena e krimit, zotin Linkoln e çuan në një shtëpi pranë kinemasë, ku ai vdiq mëngjesin e së nesërmes.

    Vdekja e tij ndodhi pikërisht në momentet kur ai po e udhëhiqte vendin drejt daljes nga Lufta Civile, gjatë së cilës u vranë mbi 620 mijë ushtarë amerikanë.

    Presidenti Lincoln ndihmoi gjithashtu që t’i jepej fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Proklamata e Emancipimit e publikuar më 1 janar 1863 i hapi rrugën lirisë së afrikano-amerikanëve.

    Ndërsa jeta e tij u pre në mes, legjitimiteti i Lincoln vazhdon të jetojë si një nga presidentët më të mëdhenj në historinë e SHBA-së. Për të janë shkruar më tepër libra se sa për çdo president tjetër amerikan. Fytyra e tij është gdhendur te monedha amerikane, ndërsa vlen për t’u theksuar se miliona njerëz e vizitojnë memorialin e tij në Uashington.

  • ​25 vjet nga masakra në Lagjen e Boshnjakëve

    ​25 vjet nga masakra në Lagjen e Boshnjakëve

    Sot bëhen 25 vjet që kur dora e kriminelëve serbë mori jetën e 23 civilëve të pafajshëm në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

    Forcat serbe më 15 prill 1999, pasi kishin mbledhur rreth 80 persona në shtëpinë e Mustafë Sahitit, kishin nisur torturimin e tyre dhe vranë 23 shqiptarë në gjithë lagjen.

    Shtëpia në të cilën ndodhi masakra tashmë është shndërruar në Muze.

  • ​Xhaka zbulon çelësin e suksesit të Leverkusenit

    ​Xhaka zbulon çelësin e suksesit të Leverkusenit

    Granit Xhaka është njëri nga lojtarët me ndikimin më të madh që Bayer Leverkuzen u shpall kampion i Gjermanisë në futboll për herë të parë në histori. Që nga transferimi i tij nga Arsenali, Xhaka u bë shtylla kryesore e skuadrës gjermane në edicionin 2023.24.

    Pasi festoi titullin bashkë me tifozët dhe lojtarët, Xhaka tha se trajneri dhe kompaktësia e skuadrës janë dy prej elementeve kyçe në këtë sukses, por edhe uria e lojtarëve, transmeton KosovaPress.

    “Mendoj se ka shumë faktorë që na bëjnë të veçantë. Fillon me klubin dhe trajnerin. Mënyra se si funksionojnë të gjithë është e pabesueshme. Dhe uria, sigurisht. Ekuilibri që kemi mes lojtarëve të rinj dhe me përvojë. Gjithashtu edhe mentaliteti që sjellim në fushë çdo tre ditë. Skuadra në të cilën të gjithë kanë potencial dhe e tregojnë atë”, tha Xhaka.

    Ai pastaj foli edhe për festën me tifozët pas ndeshjes.

    “Tashmë e prisnim. Fakti që kanë duruar kaq gjatë është i veçantë. Ka tifozë që kanë pritur 60 apo 70 vjet për këtë. Ishte qëllimi numër një për të fituar titullin kur jemi kaq afër. Pastaj në stadiumin tuaj, ju vetëm duhet ta përjetoni atë. Është kaq e veçantë dhe nuk mund të gjej as fjalët e duhura”, shtoi Xhaka.

  • ​Sot nis Forumi dyditor WPS organizuar nga presidentja Osmani

    ​Sot nis Forumi dyditor WPS organizuar nga presidentja Osmani

    Edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbahet sot dhe nesër në Prishtinë, në kohën kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

    Ky edicion do të mirëpresë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore me rreth një mijë pjesëmarrës.

    Forumi WPS 2024 sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

    Ky edicion i forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike.

    Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS.

    Si iniciativë e presidentes Osmani, ky forum përfaqëson një nga angazhimet në anën e institucioneve të Kosovës për Samitin për Demokraci dhe do të shërbejë për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe për zhvillimin e strategjive dhe hartimin e kornizave të reja veprimi në vazhdën e një arkitekture gjithnjë në ndryshim të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe përtej.

    Agjenda e forumit për ditën e parë:

    Ceremonia e hapjes bëhet nga ora 10:00-11:00 në hotelin “Emerald”, me video-adresime speciale, pasuar nga ceremonia e nënshkrimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, nga ora 11:00- 11:30. Nënshkruesit do të jenë presidentja Vjosa Osmani me Zyrën e sekretarit amerikan për Çështjet Globale të Grave (S/GWI) të sekretarit amerikan Antony Blinken, me praninë e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier.

    Në rendin e ditës janë diskutimet: 24 vjet të Agjendës së WPS: Një histori nga fillimi në zbatim (ora 11:35-11:55), Dëgjo zërin tim (Ora 12:00-12:10), ceremonia e ndarjes së medaljeve presidenciale (Ora 12:15-12:25), Zërat kanë rëndësi: Një thirrje globale për t’i dhënë fund dhunës seksuale të lidhur me konfliktin (13:45-14:45- salla Beethoven), Rivendosja e ciklit të mosndëshkimit: avancimi i përgjegjësisë për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin (13:45-14:45, salla Strauss1), sesioni special Si të rritet roli i grave në proceset e paqes? (15:00-16:00), Uniforma dhe të paepur: Gratë që udhëheqin ndryshimet në sektorin e sigurisë (16:15-17:15, salla Beethoven), Fundi i heshtjes? Krijimi i sistemeve mbështetëse për të mbijetuarit (ora 16:15-17:15, salla Strauss 1), Nxitja e inovacionit pozitiv: Përparimi rezistenca ndaj klimës, mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i konflikteve me teknologjinë gjithëpërfshirëse (Ora 16:15-17:15, salla Strauss 2).

    Dita e parë e punimeve do të përmbyllet me diskutimet Efektet Ripple të CRSV në pëlhurën sociale dhe shëndetin mendor (17:30-18:30, salla Beethoven) dhe Zgjidhje gjithëpërfshirëse: Dialog mbi agjendën e WPS dhe drejtësinë klimatike (17:30-18:30, salla Strauss 1).

    Agjenda e forumit për ditën e dytë

    Dita e dytë e punimeve nis me tryezën e rrumbullakët: Nga legjislacioni në veprim: Parlamentarët në ballë të agjendës së WPS (08:15-09:15), për të vazhduar me “Mendoj për ty” nga Alketa Xhafa Mripa me praninë e presidentes Osmani, një ftesë e hapur për të gjithë për t’iu bashkuar nismës kushtuar adresimit dhe sfidimit të stigmave që rrethojnë dhunën seksuale në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, Medica Kosova, Medica Gjakova & Qendra për Promovim të të Drejtave të Grave (09:30-09:45), Zërat e Trimërisë: Gratë e Rezistencës së Kosovës (10:20-11:20), Zgjidhjet revolucionare klimatike për komunitetet e vijës së parë (11:30-12:30, salla Beethowen), Formësimi i rrëfimeve, rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i llogaridhënies – roli i medias në adresimin e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin (11:30-12:30, salla Strauss 1), Ngjarja anësore: Udhëtimi i të mbijetuarve meshkuj nga lufta trauma për t’i dhënë fund heshtjes (11:30-12:30, salla Strauss 2), Refugjatët, ndryshimet klimatike dhe dhuna seksuale: Adresimi i dobësive dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë (12:45-13:45, salla Strauss 1), Sigurimi i mbrojtjes për gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut në kohën e konfliktit (12:45-13:45, salla Strauss 2), Rimendimi i sigurisë përmes financimit adekuat: Përparimi qasje efektive për të trajtuar kërcënimet e sigurisë (15:15-16:15, salla Strauss 1), Siguria e klimës: Si të adresohen sfidat klimatike duke vendosur gratë në zemër të proceseve të sigurisë? (15:15-16:15, salla Strauss 2), Ngjarja anësore: Gratë e Afganistanit (15:15-16:15, salla Verdi).

    Ceremonia e mbylljes së WPS 2024 – Udhëzime të reja për Agjendën e grave, paqes dhe sigurisë (WPS): Çfarë vjen më pas, ora 16:30-17:30.

  • ​Mosmarrëveshje në komunikacion, pesë persona përfshihen në përleshje

    ​Mosmarrëveshje në komunikacion, pesë persona përfshihen në përleshje

    Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar në Podujevë për shkak se pas një mosmarrëveshje në komunikacion janë përfshirë në një përleshje ndërmjet vete.

    “Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja që dyshohet se janë të armës AK47. Katër nga të dyshuarit pas inicimit të rastit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri prej të dyshuarve që dyshohet se ka shtënë me armë në ajër me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Haradinaj kujton vëllain Enverin: Me plagë lufte në trup, i’u ndërpre jeta nga një dorë që donte të mbillte vëllavrasje

    Haradinaj kujton vëllain Enverin: Me plagë lufte në trup, i’u ndërpre jeta nga një dorë që donte të mbillte vëllavrasje

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar vëllezërit Shkelzenin dhe Enverin në përvjetorin e përjetësimit.

    Haradinaj ka thënë se përvjetorët na rikthejnë në kujtimin e vlerave, fisnikërinë dhe heroizmin e të rënëve për liri.

    “Përvjetorët na rikthejnë në kujtimin e vlerave, fisnikërinë e heroizmin e mijëra djemve e vajzave që nuk kursyen asgjë për lirinë e për vendin. Edhe mua po më rikthehen krejt e me radhë, ndër të cilët edhe vëllezërit e mi, Shkëlzeni që ra në vijën e frontit në Maznik, Luani në Qafë Mullar, por edhe Enveri, të cilit me plagë lufte në trup, nga një dorë që donte të mbillte vëllavrasje ndër shqiptare, i’u ndërpre jeta në ditën e sotme të para 19 vjetëve”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se rënia heroike e shumë djemve e vajzave na është bërë betim ta çojmë amanetin e tyre në vend.

    “Kanë shumë virtyte për të cilat i kujtojmë sot, vëllezërit e mi e shumë e shumë të tjerë e që rënia e tyre na është bërë betim ta çojmë amanetin e tyre në vend, që gjithmonë të jemi në shërbim të Atdheut. Enverin e kujtoj për mirësinë, për përkushtimin, për kurajon e vendosmërinë, e mbi të gjitha për dashurinë e paskaj që kishte për njerëzit! Gjithmonë në nderim e i përulur para dëshmoreve të Kombit!

    I përjetshëm kujtimi!”, është shprehur Haradinaj.

  • Sot protestohet për vrasjen e gruas në Ferizaj

    Sot protestohet për vrasjen e gruas në Ferizaj

    Sot në Prishtinë do të protestohet për vrasjen e gruas në Ferizaj.

    Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist.

    Protesta pritet të zhvillohet me fillim nga ora v 17:30 në sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

  • Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike, po peshkonte në Romajë të Prizrenit

    Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike, po peshkonte në Romajë të Prizrenit

    Një person ka vdekur sonte në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi derisa ishte duke peshkuar me gjenerator elektrik, në fshatin Romajë, ishte goditur nga rryma elektrike.

    Këtë për Klankosova.tv e bëri të ditur Shaqir Bytyqi, zëdhënës për media në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren.

    “Viktima ( F.S.1983) me lëndime të renda (pothuajse pa shenja jete) ishte dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Prizren, ku mjekët kompetent i kanë dhënë tretman mjekësor dhe janë munduar ta shpëtojnë, por i njëjti për shkak të lëndimeve të marra, rreth orës 17:45 ka ndërruar jetë”.

    “Patrulla policore bashkë me njësit tjera përgjegjëse kanë dalë në vendngjarje, dhe në konsultim me prokurorin kujdestar është hap rast ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë Bytyqi.

  • 25 vjet nga beteja e Zhegocit

    25 vjet nga beteja e Zhegocit

    Në agun e 15 prillit 1999, forcat serbe ia mësynë Zhegocit me një arsenal të paparë ndonjëherë.

    Ishte ora 05:30 minuta kur kolona të shumta ushtarësh dhe arsenal i shumtë ushtarak serb rrethuan fshatin nga të gjitha drejtimet.

    Në përleshjen mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave armike për disa orë, në altarin e lirisë ranë 8 ushtarë të UÇK-së dhe 18 civilë.

    Po të njëjtën ditë në fshatin Sllovi nga dora e armikut serb u vranë 49 civilë të pafajshëm shqiptarë.