ATV

Author: ATVLive

  • Aktakuzë kundër katër zyrtarëve të Ndërmarrjes Trepça SH.A për Keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Aktakuzë kundër katër zyrtarëve të Ndërmarrjes Trepça SH.A për Keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër katër personave.

    Të pandehurëve me inicialet H.U., Q.B., S.I., dhe Xh.T për shkak të dyshimit të bazuar mirë u është ngritur aktakuzë për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“, dhe ndaj Xh.T, edhe për kryerjen e veprës penale “Konflikti i interesit”, raporton EO.

    Të pandehurit akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në ndërmarrjen “Trepça“ SH.A, me dashje duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrën zyrtare.

    Kjo për qëllimin që personi A.T., pra njëri nga të pandehurit, të përfitojë dobi, ashtu që duke mos përfillur dispozitat ligjore për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, i pandehuri H.U., në cilësinë e kryetarit të komisionit dhe të pandehurit Q.B., S.I., në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e një punonjësi – vozitësi të menaxherit në ndërmarrjen “Trepça“ SH.A, e përpilojnë dhe nënshkruajnë raportin për propozimin e kandidatit të vetëm A.T., për pranimin në pozitën e shoferit, edhe pse e kanë ditur se në këtë rast duhet përsëritur konkursi pasi që nuk kanë qenë tre kandidatë që i plotësojnë kushtet me konkurs.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë i pandehuri Xh.T., në cilësinë e personit zyrtar U.D Menaxher i Ndërmarrjes “Trepça“ SH.A, akuzohet se me dashje nuk i përfillë dispozitat ligjore, duke tejkaluar kështu kompetencat e tij dhe nuk i përmbushë detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin A.T., ashtu që konkursi për pozitën vozitës i menaxherit të Ndërmarrjes “Trepça“ SH.A., edhe pse është dashur të jetë i hapur pesëmbëdhjetë ditë nga data e publikimit, i njëjti konkurs ka mbetur i hapur vetëm tetë ditë, e po ashtu është dashur të përsëritet konkursi pasi që nuk kanë qenë tre kandidatë që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs.

    Po ashtu, i pandehuri Xh.T., në cilësinë e personit zyrtar U.D Menaxher i Ndërmarrjes “Trepça“ SH.A me dashje nuk i përfillë dispozitat ligjore të “Ligjit për parandalimin e konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik“ dhe merr pjesë personalisht në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes së tij ka interes financiar, ashtu që merr vendimin Nr. 809 të datës 29.03.2019 mbi pranimin në marrëdhënie pune të vëllaut të tij A.T., në kohë të pacaktuar në pozitën “Vozitës“ në këtë ndërmarrje.

    Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprat penale të cilat u vihen në barrë. Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t`i shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

  • ​Xhaferi: Kemi tetë gra në gradën kolonel, para një dekade numri ishte zero

    ​Xhaferi: Kemi tetë gra në gradën kolonel, para një dekade numri ishte zero

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka thënë se janë fuqimisht të përkushtuar në zbatimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe mbështesin zbatimin e kësaj politike.

    Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Xhaferi potencoi se po punojnë vazhdimisht për të drejtat dhe gjithëpërfshirjen e grave, për çka përmendi se kanë emëruar tetë gra në gradën kolonelë, numër ky që para një dekade sipas tij ishte zero.

    “Në Republikën e Maqedonisë së Veriut jemi fuqimisht të përkushtuar në zbatimin e agjendës gratë, paqja dhe siguria. Ne mbështesim zbatimin e kësaj politike… Legjislacioni është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e këtij procesi sepse siguron kornizën në të cilën sigurohet përfaqësimi. I tillë është edhe plani i dytë nacional i aksionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për implementimin e Rezolutës 1325, të miratuar në vitin 2020 si plan strategjik 5 vjeçar për arritjen e barazisë së vërtetë gjinore, integrimit dhe transparencës në nivel nacional”, tha Xhaferi.

    Ndër të tjera, Xhaferi tha se agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ishte një nga prioritetet gjatë kryesimit të tyre me OSBE-në gjatë vitit të kaluar, për çka tregoi se organizuan disa ngjarje lidhur me këtë temë.

    Ai tha se pavarësisht që janë në një rrugë të shkëlqyer në zbatimin e kësaj agjende, ka shumë punë për tu bërë.

    Xhaferi potencoi se lufta në Ukrainë është një përkujtues i domosdoshmërisë së përfshirjes së grave në fushat e parandalimit të konflikteve dhe përpjekjeve për të ndërtuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë.

    “Kemi tetë gra në gradën kolonel që është numër që deri para një dekade ishte zero apo një e tillë… Agjenda për Gra, Paqe dhe Siguri ishte gjithashtu një nga prioritet gjatë kryesimit tonë me OSBE-në në vitin e kaluar. Për të afirmuar këtë politikë ne organizuam disa ngjarje në nivelin më të lartë me këtë temë. Me këtë dua të potencoi se jemi në një rrugë të shkëlqyer edhe pse kemi akoma shumë për të ecur në këtë rrugë. Trajektorja e lëvizjes është përcaktuar dhe zotimi im ishte dhe do të mbetet të qëndrojmë në të njëjtën vijë… Lufta në Ukrainë është një përkujtues i fortë i domosdoshmërisë së përfshirjes së grave në të gjitha fushat e parandalimit të konflikteve dhe përpjekjeve për të ndërtuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Kontributi i tyre është i domosdoshëm edhe në përshtatjen e politikave me realitetin e ri. Pikërisht për këtë ne si një anëtare e besueshme e NATO-s mbështesim qasjen e aleancës për të njohur rëndësinë më të madhe të politikës për gra, paqe dhe siguri”, tha Xhaferi.

  • Clinton: Jam krenare për dy presidentet gra të Kosovës

    Clinton: Jam krenare për dy presidentet gra të Kosovës

    Ish-sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, në përshëndetjen e saj virtuale në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka çmuar rrugëtimin e Kosovës ndër vite në aspektin e barazisë gjinore, veçanërisht përfaqësimin dy herë nga presidente gra, raporton EO.

    “Në dekadat prej kur Kosova është bërë shtet i pavarur, aktivistet kanë siguruar progres kuptimplotë për të siguruar barazinë gjinore në sektorin publik dhe politik. Pas shumë vitesh ja keni dalë që të siguroni për viktimat e dhunës seksuale, ju keni zgjedhur presidenten e parë dhe tani të dytën që janë të përkushtuara për ruajtjen dhe forcimin e paqes, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe duke dëshmuar që bashkëpunimi sjellë më shumë rezultat”, ka thënë ajo.

    Clinton organizimin e këtij forumi e ka cilësuar si vendosmëri për forcim të grave.

    “Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës, gratë posaçërisht në Kosovë, kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm gjatë gjithë këtyre viteve, jam e lumtur për themelimin e kësaj qendre të ekselencës, demokracitë tona janë më te fuqishme kur gratë përfshihen. Ju tashme keni dy presidente gra në Kosovë. Jam e emocionuar të shoh se si ky forum ka arrite synimet e tij, unë jam e përkushtuar për të qenë pjesë e arritjeve dhe përpjekjeve për fuqizimin e gruas”, ka deklaruar ajo.

    Ndërkaq fjalimi i saj është pritur me duartrokitje dhe ngritje në këmbë të pjesëmarrësve në Forum.

  • ZPS kërkon dënim të rëndë për Pjetër Shalën, sipas tyre ka ndaluar, torturuar e vrarë viktima të pafajshme

    ZPS kërkon dënim të rëndë për Pjetër Shalën, sipas tyre ka ndaluar, torturuar e vrarë viktima të pafajshme

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar dënim të rëndë ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

    Sipas tyre Shala në vitin 1999 në një fabrikë të përpunimit të metaleve në Kukës, ka ndaluar, torturuar e vrarë viktima të pafajshme.

    ZPS, pretendon se shumica e viktimave kishin qenë shqiptarë të Kosovës.

    Kërkojmë nga gjykata ta shpallni fajtor për krimet që I ka kryer… Viktimat e krimeve të akuzuarit nuk mund të largoheshin… Të tjerët kanë shenja të përhershëm fizike.. ata s’mund të harrojnë, ata dhe familjet na kanë përshkruar traumat… Shumicat e dëshmitarëve nuk e kanë rrëfyer për herë të parë historinë e tyre, ishin të gatshëm të vijnë përsëri këtu sepse ende besojnë se ka drejtësi dhe këtë drejtësi mund ta ofrojë kjo gjykatë”, thuhet nga ZPS.

    “Akuzat lidhen për krimet me datën 15 maj dhe qershor në një fabrikë metali në Kukës të Shqipërisë, me pak përjashtime viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Ai akuzohet me krimin e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes”Viktimat shqiptarë të Kosovës, sipas pretendimeve të ZPS-së akuzoheshin për bashkëpunim me Serbinë, dhe se sipas tyre rraheshin me shkopa bejzbolli, me hekur, me hekur të pushkëve.

    Rrahjet sipas tyre ishin brutale.

    “Dënimi që kërkon ZPS vjen pas … edhe sjelljes dhe veprimeve që shkaktuan pasojat…. Ai ka ushtruar dhunë të frikshme ndaj viktimave të terrorizuara. Të rrahësh persona që nuk mund të mbrohen është luftë, është akt frikacak i pajustifikueshëm dhune. I akuzuari nuk bëri asgjë për t’ua lehtësuar dhimbjet, më së pakti duhej të largohej, nuk e bëri, I rrahu njëri pas tjetrit. Koha nuk e ka ndryshuar karakterin e tij. Ai meriton dënim të rëndë”, vijon ZPS.

  • ​Italia në gatishmëri maksimale pas sulmeve të Iranit ndaj Izraelit

    ​Italia në gatishmëri maksimale pas sulmeve të Iranit ndaj Izraelit

    Italia është në gatishmëri maksimale për kërcënimet e mundshme të sigurisë pas sulmeve të Iranit ndaj Izraelit në fundjavë.

    Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, ka thirrur për të hënën një takim të komitetit kombëtar të rendit dhe sigurisë publike, me krerët e forcave policore të vendit dhe agjencive të inteligjencës.

    Ndërkohë, ministri i jashtëm Antonio Tajani dhe ministri i mbrojtjes Guido Crosetto do të raportojnë mbi situatën në një sesion të përbashkët të komiteteve të punëve të jashtme të Dhomës së Ulët dhe Senatit.

    Të dielën, Kryeministrja Giorgia Meloni mbajti një takim me video-konferencë të krerëve të shteteve dhe qeverive të G7, gjatë së cilës u miratua një deklaratë e përbashkët që dënonte “pa mëdyshje” sulmin.

    “Ne shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë për Izraelin dhe popullin e tij dhe riafirmojmë angazhimin tonë ndaj sigurisë së tij”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga presidenca italiane e G7.

    “Me veprimet e tij, Irani ka ecur më tej drejt destabilizimit të rajonit dhe rrezikon të provokojë një përshkallëzim të pakontrollueshëm rajonal. Kjo duhet shmangur. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të stabilizuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Në këtë frymë, ne kërkojmë që Irani dhe përfaqësuesit e tij të ndërpresin sulmet e tyre dhe ne jemi të gatshëm të marrim masa të mëtejshme tani dhe në përgjigje të nismave të mëtejshme destabilizuese”./ANSA/

  • Presidentja sllovene: Ngritja e vetëdijes mbi dhunën seksuale në konflikte, duhet të përfshihet në politikat vendore

    Presidentja sllovene: Ngritja e vetëdijes mbi dhunën seksuale në konflikte, duhet të përfshihet në politikat vendore

    Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka thënë se ngritja e vetëdijes mbi dhunën seksuale në konflikte, duhet të përfshihet në politikat vendore, raporton EO.

    Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e organizuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja sllovene ka përmendur gratë nëpër botë të cilat janë duke u ballafaquar me në vendet e konfliktit, siç është rasti i luftës në Rripin e Gazës.

    “Duhet të luftojmë për paqen dhe sigurinë në çdo nivel kështu që kjo konferencë është në kohën e duhur. Gjendja është gjithçka tjetër por jo e mirë, jam e brengosur për gjendjen e grave, ka pabarazi. Një raport tregon se janë gratë ato që së pari vuajnë nga uria kur ekonomia është jo stabile. Duke parë ndikimi e tmerrshëm në botë të grave, mund të arrijmë që situata është duke u përkeqësuar. Dënojmë dhunën seksuale si instrument të luftës. Ngritja e vetëdijes mbi dhunën seksuale në konflikte duhet të përfshihen në politika vendore në të gjitha vendet. Duhet të luftojmë dhe nuk duhet ta humbin shpresën. Gratë janë në gjendje dhe duhet tu besohet që të punojnë si ndërtuese të paqes”, ka thënë ajo.

  • Begaj: Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përparim të dukshëm të përfshirjes së gruas në të gjitha proceset

    Begaj: Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përparim të dukshëm të përfshirjes së gruas në të gjitha proceset

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot liderët rajonalë në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë, që zhvillohet në Prishtinë, raporton EO.

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në fjalën e tij ka thënë se ndër ata që kanë bartur barrën më të rëndë të konflikteve janë gratë. Ai ka shtuar se qenësor është arsimimi i grave dhe vajzave.

    “Kjo mbledhi është dëshmi e zotimit tonë ndaj paqes dhe sigurisë. Ndërsa reflektojmë për kontributin e Kosovës për një të ardhme përparimtare ku roli i grave do të jetë thelbësor. Ndër ata që kanë bartur barrën më të rënd të konflikteve janë gratë. Këto konflikte na shërbejnë si një rikujtesë i dhimbshëm është i çmimi dhe shtrenjtë është paguar. Historia në Ballkani Perëndimor dhe në shoqërinë shqiptare ka parë se sa të durueshme janë gratë si ndëmjetëse të paqes dhe stabilitetit. Sot po ashtu luajnë kontribut të shquar në ndërtimin e institucioneve demokratike. Vlen të theksohet se edhe Shqipëria edhe Kosova kanë shënuar përparim të dukshëm të përfshirjes së gruas në të gjitha proceset. Paqja dhe siguria e qëndrueshme nuk mund të realizohet pa përfshirjen e grave dhe burrave në të gjitha proceset. Qenësor këtu është arsimimi i grave dhe vajzave. Lufta nuk duhet të harrohet dhe kryesit të mbetet pa ndëshkuar. Ky forum është me rëndësi ngase theksohet roli që luan secili vend”, ka thënë ai.

  • Ministrja Gërvalla në Strasburg, të martën votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

    Ministrja Gërvalla në Strasburg, të martën votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

    Pas miratimit me sukses të raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, përmes të cilit u konstatua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministrin, z. Kreshnik Ahmeti, po qëndrojnë në Strasburg të Francës, për të zhvilluar takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Që nga maji i vitit 2022, kur Ministrja Gërvalla kishte dorëzuar aplikimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, janë zhvilluar qindra takime dhe biseda. Progresi brenda një periudhe të shkurtër kohore është i jashtëzakonshëm. Janë jetësuar reforma në drejtësi, sundim të ligjit, demokratizim dhe si rezultat Kosova sot ka plotësuar të gjitha kriterët për anëtarësim, duke lënë pas në shumë fusha edhe shtete që janë prej kohësh anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    Në Strasburg ndodhet edhe delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, bëhet e ditur në njoftim.

    “I konfirmuar nga raporte dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare si dhe raporti i Këshillit të Evropës, i cili vërteton plotësimin e kritereve për anëtarësim në KiE, i paraqitur nga raportuesja Bokoyannis, përparimi i Republikës së Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit, respektim të të drejtave të komuniteteve joshumicë, lirinë e shprehjes, të mediave dhe lufta kundër korrupsionit, i hap dyert Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatën më të rëndësishme ndërkombëtare në Evropë.

    Propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht e egër dhe bie në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Por shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës.

    Të martën Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës ka në rend të ditës diskutimin dhe votimin për Kosovën. Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KiE pranimin e Kosovës. Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror. Mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti”, njofton po ashtu MPJD-ja.

  • Osmani: T’i përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt

    Osmani: T’i përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në edicionin e dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Osmani, ka deklaruar se Kosova qëndron kampione e agjendës së këtij forumi, raporton EO.

    Duke qenë se tema kyçe e këtij forumi është dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, para të pranishmëve, Osmani tha se lufta për drejtësi për gratë s’është punë e vetëm një misioni apo forumi.

    E para e shtetit, tha se ky edicion i forumit është unik në shumë aspekte.

    “Atëherë këtu më lejoni ta bëj të qartë se Kosova qëndron si kampione, si flamurtare e kësaj agjende për shkak se përfshirja dhe përfaqësimi qëndrojnë si gur themeltar të të gjitha përpjekjeve që kemi ndërmarrë që nga dita e parë. Këtu desha të shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, për të gjitha institucionet kosovare që kanë punuar me ne për ta bërë këtë forum të suksesshëm, për organizatat e shoqërisë civile, për institucionet e sigurisë, për komunitetin akademik, mediat dhe të tjerët që janë përfshirë”, tha Osmani.

    “Përzgjedhja e dy temave kyçe për këtë edicion, nga njëra anë dhuna seksuale në lidhje me konfliktin dhe siguria klimatike në anën tjetër, nuk janë rastësi dhe në përpjekjet tona natyrisht kemi adresuar të gjitha sprovat e kohës por na duhen edhe leksionet e të kaluarës në mënyrë që të ballafaqohemi suksesshëm me të ardhmen”, tha tutje Osmani.

    “Në këtë sfond të konfliktit, kufizimeve shoqërore dhe trazirave kulturore është e rëndësishme që t’i përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, për t’i mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha gratë kudo qofshin njëherë e përgjithmonë”, tha presidentja Osmani.

  • Titaniku, sekreti 112-vjeçar me të mbyturit

    Titaniku, sekreti 112-vjeçar me të mbyturit

    Titaniku u mbyt 112 vjet më parë, por detajet e kësaj tragjedie detare nuk janë sqaruar plotësisht.

    Anija u mbyt më 15 prill 1912, rreth 740 kilometra nga vendi më i afërt, dhe anija e parë për ndihmë arriti një orë e gjysmë pas fundosjes, shumë kohë pasi viktima e fundit u mbyt në det.

    Temperatura e ujit ishte 2.2 gradë Celsius, ku mbijetesa njerëzore është vetëm 15 minuta. Nga fundosja e Titanikut, humbën jetën 517 njerëz, ndërsa shanset më të larta për mbijetesë patën udhëtarët e klasës së parë, pasi u shpëtuan 63 për qind e tyre.

    Në Titanik ishin 20 barka shpëtimi, të cilat mund të mbanin vetëm 1.100 pasagjerë, gjysma e atyre që ndodheshin në bord, por kjo ishte në përputhje me rregullat ligjore të asaj kohe dhe u konsiderua e mjaftueshme.

    Pavarësisht nga kjo, vetëm 700 pasagjerë mundën të hynin në barkat e shpëtimit, shumica e tyre ishin gjysmë të zbrazura dhe në pothuajse secilën prej tyre kishte ende vende të lira.

    Por çfarë ndodhi me kufomat?

    E vërteta në lidhje me këtë është fshehur dhe ata që ishin në dijeni nuk dëshironin të tregonin.

    Por, pas kaq shumë vitesh del në shesh e vërteta e hidhur se kapiteni i një prej barkave shpëtuese, Mackay-Bennet, donte të tërhiqte të gjitha trupat nga deti.

    Por shpejt e kuptoi se barka e tij ishte shumë e vogël për 334 trupa të gjetur.

    Atëherë u mor vendimi që ata do të hidhnin kufomat e udhëtarëve më të varfër, atyre të klasës së tretë, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për ata që janë në klasën e parë dhe të dytë.

    Domethënë, mendimi i ekuipazhit ishte se ata kishin të drejta më të mëdha për një varrim dinjitoz. Nga 334 trupat e gjetura, më shumë se njëqind u hodhën jashtë anijes dhe nuk u gjetën kurrë në Oqeanin Atlantik.

    E vërteta për atë që ndodhi ishte fshehja e telegrameve sekrete, të cilat më vonë u morën nga historianët nga arkivat e fshehtë.