ATV

Author: ATVLive

  • ​Nderohen 23 viktimat e masakrës në Lagjen e Boshnjakëve

    ​Nderohen 23 viktimat e masakrës në Lagjen e Boshnjakëve

    25 vjet më parë, forcat okupatore serbe grumbulluan rreth 80 shqiptarë në shtëpinë e Mustafë Sahitit në Lagjen e Boshnjakëve, ku i keqtrajtuan, torturuan e masakruan 23 prej tyre.

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, familjarë të të rënëve, deputetë e qytetarë, sot u mblodhën në shtëpinë përkujtimore për të shënuar këtë ditë dhe për të nderuar sakrificën e 23 të rënëve për lirinë e çlirimin e vendit.

    “I përulemi sakrificës së të rënëve për lirinë që e gëzojmë ndërsa si institucione të Republikës së Kosovës po angazhohemi çdo ditë në zbardhjen e krimeve që Serbia kreu në Kosovë dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë,” ka shkruar Sveçla në Facebook.

  • ​Ministrat dhe diplomatët hapin Konferencën e Dytë të Sigurisë në Detin e Zi

    ​Ministrat dhe diplomatët hapin Konferencën e Dytë të Sigurisë në Detin e Zi

    Konferenca e dytë për sigurinë e Detit të Zi në kuadër të Platformës ndërkombëtare të Krimesë u hap zyrtarisht në Sofje të hënën., organizuar nga ministritë e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Bullgarisë dhe Ukrainës, në partneritet me Qendrën për Strategjitë e Mbrojtjes Ukrainë.

    Investimi në sigurinë e rajonit të Detit të Zi është investim në zonën euroatlantike të paqes dhe lirisë, tha ministri i Jashtëm në detyrë Stefan Dimitrov, i cili hapi forumin.

    Mbështetja për Ukrainën do të mbetet në fokusin e politikës mbrojtëse të qeverisë së përkohshme, tha ministri i Mbrojtjes në detyrë Atanas Zapryanov.

    “Konferenca e sotme do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për sigurinë e rajonit të Detit të Zi,” tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një video-fjalim në konferencë.

    Ai shtoi se është thellësisht mirënjohës për mbështetjen e qeverisë bullgare dhe qytetarëve të vendit.

    “Të gjithë duam ta shohim Detin e Zi si një zonë paqeje dhe zhvillimi ekonomik”, tha Kuleba.

    Deti i Zi duhet të bëhet një det i NATO-s, paqes dhe stabilitetit, tha ai. Kjo tashmë ka ndodhur me Detin Baltik pasi Finlanda dhe Suedia u bashkuan me Aleancën, vuri në dukje ministri i Jashtëm ukrainas.

    Presidenti rus Vladimir Putin besonte se Kievi do të binte shpejt, ai gjithashtu besonte se fqinjët e Ukrainës në rajonin e Detit të Zi do të ndaheshin, tha sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në një video-adresim. Në të gjitha frontet, Putin është provuar se ka gabuar, nënvizoi Blinken.

    Ai vuri në dukje se me guximin e Ukrainës dhe mbështetjen e vendeve në rajon dhe në mbarë botën, vendi rifitoi më shumë se gjysmën e territoreve që i ishin marrë nga Rusia.

    “Rajoni i Detit të Zi përfaqëson një udhëkryq kulturash, traditash dhe paqeje. Stabiliteti dhe prosperiteti janë jetike për ata që jetojnë në të,” tha sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës Maria Pejçinoviq-Buriq në një video-fjalim. Këshilli i Evropës është i përkushtuar për të garantuar të drejtat e njeriut dhe demokracinë, shtoi ajo.

    “Të mos harrojmë kurrë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës filloi në vitin 2014 me pushtimin e Krimesë”, kërkoi në një video-adresim sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Amerikane, Luis Almagro. Ai theksoi se janë injoruar shenjat paralajmëruese se diçka më e keqe do të ndodhte.

    Në forum do të diskutohet edhe zbatimi i formulës së paqes në Ukrainë. Ndër ata që marrin pjesë në forum janë deputetë, diplomatë dhe personel ushtarak. /BTA

  • Osmani takon Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla dhe Ambasadorin Malaj

    Osmani takon Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla dhe Ambasadorin Malaj

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve bilaterale është takuar edhe me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, raporton EO.

    Edhe ky takimi është realizuar në ambientet ku po mbahet edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

  • Analiza se si Kosova mund t’i marrë nesër 2/3 e votave për ta bërë edhe një hap drejt anëtarësimit në KiE

    Analiza se si Kosova mund t’i marrë nesër 2/3 e votave për ta bërë edhe një hap drejt anëtarësimit në KiE

    Gazetari i REL (edicioni në gjuhën angleze), Rikard Jozwiak ka analizuar se si Kosova mund t’i marrë nesër shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme me 306 anëtarë, ku do të debatohet dhe më pas votohet për një hap tjetër drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Këshilli i Evropës ka 46 shtetet anëtare, 12 prej tyre nuk e njohin Kosovën, por pritet që Kosova t’i marrë edhe votat e deputetëve nga vendet që se njohin.

    “Është e mundur që shumica prej 2/3 të arrihet. Aktualisht 12 nga 46 vende anëtare nuk e njohin Kosovës si të pavarur – që janë më pak se pakica që mund të bllokojë. Kjo i përfshin vendet si Serbia, Bosnja; dhe pesë mosnjohëset në BE, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja; sikurse edhe Armenia, Azerbejxhani, Gjeorgjia dhe Moldavia. Ukraina po ashtu se njeh pavarësinë e Kosovës, më së shumti nga frika se Rusa mund ta përdorë këtë si pretekst për t’I njohur më shumë ndërkombëtarisht territoret e Ukrainës që aktualisht janë të okupuara”, shkruan ai.

    Tutje, REL thotë se përfaqësuesit e vendeve (depuetët në APKiE, mund të mos votojnë sipas qëndrimve politike të kryeqyteteve të tyre ndaj Kosovës.

    “Për shembull përfaqësuesit e Ukrainës do të kenë një “votë të lirë” dhe mund të ndodhë që edhe vendet tjera t’i ndjekin”

    Jozwiak pret që deputetet e APKiE nga partia në pushtet Fidesz me gjasë do të vootjnë kundër mocionit pavarësisht njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Hungaria – që përbën një refleksion të lidhjeve në rritje të Budapestit me Beogradin.

    Po ashtu do të ketë edhe disa përfaqësues që do abstenojnë, që do të shkojë në favor të Prishtinës.

    “Është signifikante se autorja e raportit, Dora Bakoyannis është ish-ministrja e jashtme e Greqisë dhe motra e Kryeministrit aktual Kyriakos Mitsotakis. Nuk është e pamundur që, pavarësisht qëndrimit mosnjohës të Greqisë për mosnjohjen e Kosovës, delegacioni grek do të mbështes anëtarësimin e Prishtinës” analizon Jozwiak.

  • ​Garancitë e BE-së do të zhbllokojnë 37 milionë euro për bizneset e vogla në Kosovë

    ​Garancitë e BE-së do të zhbllokojnë 37 milionë euro për bizneset e vogla në Kosovë

    Fondi Evropian i Investimeve (FEI), pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), ka nënshkruar marrëveshje garancie të portofolit me 11 banka dhe ndërmjetës financiarë në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Këto marrëveshje të financuara nga BE-ja në kuadër të Instrumentit për Sipërmarrje dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF) Iniciativa e Garancive për Qëndrueshmërinë e NVM-ve do t’u mundësojnë bankave dhe institucioneve financiare vendase të krijojnë një portofol kredish për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për një shumë totale prej mbi 750 milionë euro, së bashku me ato që do të nënshkruhen deri në gjysmën e parë të vitit 2024.

    Këto burime financiare synojnë të rrisin qasjen në financa te bizneset e vogla dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj vështirësive të vazhdueshme ekonomike, duke krijuar njëkohësisht kushte për zgjerimin e biznesit, punësimin dhe inovacionin.

    Në Kosovë, ky instrument pritet të shpërndajë kredi me një vlerë totale prej 37 milionë eurosh, të disponueshme me kushte të favorshme kreditimi për rreth 690 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, duke mbështetur rreth 9.500 vende pune.

    Marjut Falkstedt, drejtori ekzekutiv i FEI-t, tha këto burime financiare do të përmirësojnë kapacitetin e tyre për risi dhe rritje, duke kontribuar në integrimin e mëtejshëm brenda ekonomisë së BE-së.

    “Në këtë mënyrë, këto fonde të konsiderueshme do të ofrojnë një shtysë për zhvillimin e ekonomive rajonale të fuqishme dhe konkurruese, si dhe avancimin e tyre në zinxhirët globalë,” tha ai.

    Në Kosovë, garancitë e FEI-t zhbllokuan rreth 190 milionë euro në total deri më tani për afro 3 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat ndihmuan në ruajtjen e 31.000 vendeve të punës.

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë do të jenë në gjendje të rrisin mundësitë e tyre të financimit dhe të marrin kredi me kushte të favorshme.

    “Kjo nismë e financuar nga BE-ja do t’i ndihmojë ndërmarrjet e tilla në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor që t’i përgjigjen më mirë sfidave ekonomike dhe të rriten,” tha ai.

    Fondi Evropian i Investimeve (FEI) është pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve. Misioni qendror i tij është të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) duke i ndihmuar në qasjen në financa.

    FEI harton dhe zhvillon kapital sipërmarrjeje dhe rritjeje, garanci dhe instrumente mikrofinancimi që synojnë posaçërisht këtë segment të tregut. Përmes këtij roli, FEI nxit objektivat e BE-së për mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjes, rritjes dhe punësimit.

  • ​Bislimi kërkon heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës

    ​Bislimi kërkon heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë një takimi sot me zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec, ka kërkuar heqjen sa më parë të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, gjersa ato vijojnë të mbeten të padrejta.

    Bislimi theksoi domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit evropian, veçanërisht trajtimit të aplikimit për anëtarësim në BE, ku mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat, përkundër progresit në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

    Në takim u bisedua edhe mbi zhvillimet e fundit në vend e rajon, fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, vizioni i Planit të Rritjes si instrument që duhet të ndihmojë në konvergjencën mes shteteve të rajonit, por edhe atë me BE-në dhe perspektiva e zhvillimit dhe prosperitetit në shtetin tonë.

    BE vazhdon të mbajë masat penalizuese ndaj Kosovës që përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe.

    Masat e tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit), si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor 2023.

  • Ndërron jetë 21-vjeçarja që u godit nga treni në Prishtinë

    Ndërron jetë 21-vjeçarja që u godit nga treni në Prishtinë

    Ka ndërruar jetë 21-vjeçarja e cila ishte goditur nga treni në lagjen Lakrishtë të Prishtinës.

    Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, shefi i Mjekimit të Intesives, Shaqir Uka.

    Ai ka deklaruar se viktima nuk ka mundur t’i përballojë lëndimet e marra nga goditja e trenit.

    “Fatkeqësisht sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë, nuk ka mundur t’i përballojë lëndimet e marra nga goditja e trenit”, theksoi ai.

    Ndryshe, policia kishte njoftuar se aksidenti kishte ndodhur më 26 mars, rreth orës 16:30.

    “Aksidenti ka ndodhë në hekurudhë ku kanë qenë të përfshirë një tren dhe një këmbësore. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësorja e cila është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret Njësiti i Trafikut”, kishte deklaruar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

  • Fejohet vajza e Bekim Jasharit, fotosesionin e bën tek varrezat në Prekaz

    Fejohet vajza e Bekim Jasharit, fotosesionin e bën tek varrezat në Prekaz

    Vajza e Bekim Jasharit, Feridja, i ka dhënë fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë me fejesë.

    Ajo po nis një kapitull të ri me Orgesin.

    Lajmin e bëri të ditur vet Bekimi me anë të disa fotografive në rrjetet sociale.

    Aty shihet se Feridja e cila mban emrin e gjyshes, e ka realizuar fotosesionin tek varrezat në Prekaz.

    ‘Vajza jonë Feridja, që me krenari mbanë emrin e gjyshes, pas përfundimit të studimeve si një studente dhe vajzë e mrekullueshme, po nis një kapitull të ri të jetës së saj bashkë me Orgesin.Unë, bashkëshortja dhe gjithë familja jemi krenar me Feriden e re, kulturën dhe edukatën e lartë të saj, ashtu siç do të ishte edhe babushi Hamëza dhe nëna Feridja.Familja jonë për çdo vit po rritet e zgjerohet duke përtrirë emrat e më të dashurve tonë të rënë për Liri dhe duke qenë mirënjohës ndaj gjithë bashkëkombasve tanë për nderin dhe respektin e ndersjelltë.Vajza jonë Feride, urime fejesa me Orgesin, qofshi përherë të lumtur!’, shkroi ai në postim.

  • Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

    Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

    Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale.

    Drejtues të kësaj sindikate kanë bërë të ditur se më 1 maj do të organizohet një protestë, kurse në rast së kërkohet nga anëtarësia, do të vazhdohet edhe më grevë të përgjithshme në sistemin arsimor.

    Një protestë më datë 1 maj pritet të organizohet nga Sindikata e Arsimit si paralajmërim për Ministrinë e Arsimit, se mund të ndërmerren hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka gatishmëri për të biseduar, gjë të cilën e kanë kërkuar tash e sa kohë përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit.

    Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, u shpreh se hapat e paralajmëruar janë detyruar t’i marrin pasi po mungon dialogu social ndërmjet SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit.

    “Meqenëse po e shohim që nuk po vendoset dialogu social ndërmjet sindikatës dhe ministrisë së Arsimit në fillimisht ndoshta do të fillojmë me një protestë e cila do të mbahet më 1 maj. Mandej do të fillohet me grevë një orësh, pastaj dy orësh e pastaj një ditësh. Urojmë që të mos shkojmë me grevë të përgjithshme e gjithë procesi mësimor të ndërpritet në Kosovë”, ka theksuar ajo.

  • ​Maqedonia e Veriut mbështet hyrjen e Kosovës në KiE

    ​Maqedonia e Veriut mbështet hyrjen e Kosovës në KiE

    Në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

    Maqedonia e Veriut, sipas presidentes Osmani është shtet fqinj dhe njëkohësisht mbështetëse e Kosovës.

    Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t`i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë shfaqu bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane.

    Në këtë kontekst, presidentja tha se Kosova llogarit në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.

    Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Xhaferi njoftoi presidenten Osmani se mbështetja e Maqedonisë së Veriut është e plotë.

    Në këtë takim u diskutua edhe për finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare përpara fillimit të sezonit veror, sikurse edhe lehtësimin e të bërit biznes.