ATV

Author: ATVLive

  • Paratë e mbledhura nga shitja e çantave, jepen për bamirësi

    Paratë e mbledhura nga shitja e çantave, jepen për bamirësi

    Përgatiti: Armand Hot

    Secila çantë është unike.

    Unike është edhe mënyra si u bënë.

    “Besoj që gjithë ju keni parë shumë billborde, shumë banera, cerada shumë reklama të ndryshme të kompanive të ndryshme… këto materiale kemi vendosur t’i dërgojmë te Drenusha Xharra që me i qëndisë, dhe këto materiale me i shndërru në tote bags ose në çanta”, tha Donik Karaqa nga “Chameleon – Digital Printing”.

    Kreatorët e kampanjës “Për shnetë”, vendosën që paratë e mbledhura nga shitja e çantave t’i dhurojnë për fëmijët që vuajnë nga kanceri.

    “Unë jam një nënë vetushqyese e një vajze trevjeçare, dhe kur e di që diçka e tillë mundë të shitet dhe t’i ndihmojë fëmijëve në nevojë është diçka e papërshkueshme”, tha Drenusha Xharra, disenjatore.

    Përdorimi i materialeve të riciklueshme nga artistët, do t’i shërbejë edhe ambientit.

    “Nuk ndotet ambienti, pra materialet ridestinohen sepse e dimë që banerët janë zor të degradueshme në ambient”, tha Donik Karaqa nga “Chameleon – Digital Printing”.

    50 çanta tashmë janë porositur nga dy kompani. Çmimi i tyre është 25 euro, derisa porosia mund të bëhet përmes rrjetit social Instagram.

  • Në teatrin e Kolegjit AAB u mbajt forumi për nder të Fehmi Aganit

    Në teatrin e Kolegjit AAB u mbajt forumi për nder të Fehmi Aganit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Teatri kamertal në Kolegjin AAB, hapi dyert për studentë e akademikë, të martën.

    Këtu u mbajt forumi për nder të ish-veprimtarit, sociologut, e politologut Fehmi Agani.

    Vepra dhe jeta e profesorit tashmë të ndjerë, u çmua lart nga rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri.

    “Profesor Agani ishte jo vetëm intelektual e politolog, por edhe një vizionar, i cili ia kushtoi tërë jetën kërkimit dhe dijes, politikës dhe drejtësisë”, tha Olluri.

    I pranishëm nuk ishte, por përmes zëvendëses së tij, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se trashëgimia akademike e Fehmi Aganit, vazhdon t’i shërbejë vendit.

    “Fener i dijes dhe shkencës, hero i kombit tonë. Ne mblidhemi këtu jo vetëm për të kujtuar një njeri me intelekt dhe dhembshuri të thellë, por edhe të festuar trashëgiminë e tij të qëndrueshme në fushën e sociologjisë dhe filozofisë”, tha Pranvera Dibra, zëvendësambasadore e Shqipërisë në Kosovë.

    Djali i veprimtarit, Mentor Agani, shfrytëzoi podiumin e teatrit për të rikujtuar disa momente nga vetë jeta e të atit.

    “Kur kthehet në punë i thojnë atje është zyrja e Sinanit, edhe shkon, çka është kjo? I thonë këto janë përgjigjet që do i japësh. Ky i thotë jo, përgjigjet i jap unë”, tha Agani.

    Akademiku Fehmi Agani u vra në maj të 1999-ës nga forcat serbe. Agani është autor i disa veprave në fushën e politikës dhe sociologjisë.

    Në forum, viti 2024 u cilësua si viti i Fehmi Aganit.

  • Gjyljeta Ukella u godit me një plumb pas kokës në banesën ku po jetonte

    Gjyljeta Ukella u godit me një plumb pas kokës në banesën ku po jetonte

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në këtë banesë në qendër të Pejës në mëngjesin e së martës u vra Gjyljeta Ukella.

    43-vjeçarja u vra nga burri saj, Edmond Lajçi, 45 vjeç, me të cilin kishin tre fëmijë.

    Sipas informacioneve jozyrtare që ka siguruar ATV-ja, ai e vrau gruan e tij me një plumb të vetëm, që dyshohet se e shkrepi mbrapa kokës së saj.

    Pas kësaj, ai u dorëzua në Polici, ku më pas i është sekuestruar edhe arma me të cilën kreu vrasjen.

    Motivet nuk u bënë të qarta, por nga prokuroria vrasja u cilësua si makabre.

    Në vendin e ngjarjes erdhi edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, i cili tha se për këto raste nuk mund të fajësohet vetëm policia.

    Gjyljeta Ukella po punonte tash e dy dekada si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë, derisa Edmond Lajçi, tash e shumë vite ishte i papunë.

    Pas kërkesave të aktivistëve të shoqërisë civile, Presidentja Vjosa Osmani shpalli të mërkurën ditë zie në Kosovë.

  • Dështimi i shtetit për mbrojtjen e grave dhe për ndëshkimin e vrasësve

    Dështimi i shtetit për mbrojtjen e grave dhe për ndëshkimin e vrasësve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Dështimi i institucioneve shtetërore në zbatimin e përpiktë të legjislacionit ndëshkues në raport me kryerësit veprave penale, dhe atij mbrojtës në raport me viktimat, në më pak se një javë rezultoi me vrasjen e dy grave nga bashkëshortët.

    Në të dyja rastet, në Ferizaj dhe në Pejë, vrasësit kanë të kaluar kriminale për veprime të dhunshme, në dhe jashtë familjes, për të cilat kanë marrë dënime të lehta, kryesisht gjoba dhe burgim me kusht.

    Duke përmendur faktin se në të shumtën e rasteve të vrasjeve të grave, viktimat, paraprakisht kishin denoncuar dhunën ose kërcënimet, në Institutin e Kosovës për Drejtësi theksuan përgjegjësinë e shtetit në nxitjen e vrasësve potencialë.

    “Praktikisht ka dështuar komplet zinxhiri institucional në trajtimin e këtij rasti, sepse nëse rasti është raportuar më herët dhe përkundër mënyrës se si ka shkuar, i bie edhe që dënimi i marrë në atë rast nuk ka qenë meritor, sepse kryerësi ka qenë i lirë dhe në të njëjtën kohë nuk është përçuar mesazhi i duhur tek ai dhe kryerësit e tjerë potencialë, me rastin e shqiptimit të një politike aq të butë ndëshkimore”, tha Arrita Rezqini, hulumtuese nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Edhe pse vlerësoi se legjislacioni është i mirë, Arrita Rezniqi nga ky institut, theksoi nevojën e veprimeve parandaluese menjëherë pas denoncimit.

    “Është shumë e rëndësishme që institucionet, në momentin që pranojnë raportime për raste të dhunës në familje, të ndërmarrin hapa për atë që është i njohur si vlerësim i rrezikut. Pra, të merret për bazë i gjithë bashkëpunimi institucional, mes hallkave të institucioneve shtetërore, duke filluar nga Policia, Qendrave për Punë Sociale, Prokuroria, për të trajtuar një rast në mënyrë profesionale dhe për të parë nëse ekziston një rrezik konkret në forma të mëtejme për viktimën”, tha Rezqini.

    Pasi vlerësoi se ka mjaftueshëm ligje, masa e veprime juridike, si dhe mekanizma institucionalë, profesori Fatmir Çollaku theksin e vuri te mos-zbatimi i tyre.

    “Veç duhet të veprohet me përpikëri dhe përgjegjësi, si organet e Policisë, në këtë rast hetuesia, Prokuroria, Gjykata dhe mekanizmat tjerë siç janë strehimoret, kur përmbushen kushtet juridike, kur bëhet e pamundur jeta apo rrezikohet jeta e gruas në familje, atëherë janë edhe institucionet tjera alternative, siç janë strehimoret e ndryshme… Ka mjaft dispozita, përkatësisht bazë juridike, ka mjaft institucione, veç duhet të respektohen në përpikëri dhe masat ndëshkimore të jenë më të ashpra, gjithnjë në pajtim me ligjin”, tha Fatmir Çollaku, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Që nga fillimi i vitit 2023, janë raportuar gjashtë raste të vrasjes së grave, përfshirë dy të fundit.

    Në asnjërin nga katër rastet nga viti i kaluar nuk ka verdikt final nga gjykatat.

    Në rreth 1800 nga rreth 2200 denoncimet e dhunës në familje më 2023, viktima kanë qenë gratë.

  • “Kukësi hap dyert përsëri për kosovarët”

    “Kukësi hap dyert përsëri për kosovarët”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Lotët nuk i mbajti dot posa shkeli në Kukës. Ky 86 vjeçar nga Prizreni, thotë se ardhja këtu, ia kujton 15 prillin e 1999-ës, kur forcat serbe i detyruan të dilnin nga shtëpitë e tyre.

    “Fëmijët na kanë pre, ku mos me kajtë, në ciment kemi ra 24 anëtarë, çikat, rejat dathë, çikat i kom pasë dathë, na kanë përzanë n’gjysë të natës shkijet. Kemi ardhë natën në qytet”, thotë një ish-refugjat.

    Fatin e njëjtë e kishte pasur edhe Naser Isufi nga Lipjani. Teksa hyn në tendat që u ngjasonin atyre në të cilat kishin qëndruar vite më parë, ky thotë se iu kthyen kujtimet e asaj kohe.

    “Atë ditë kur kemi dalë kanë qenë shumë numër i madh. E falënderojmë Kukësin që na ka pritur. Kemi nejtë këtu afër tre muajve. Kur i pashë m’u dok sikur në luftë, është liri tash po e gëzojmë pavarësinë”, tha Isufi.

    Ndonëse kuksianët thonë se as vetë nuk ishin mirë financiarisht, në atë kohë strehuan 10 kosovarë në shtëpinë e tyre.

    “Ju kemi lëshu dhomën e miqve, edhe ne s’kemi qenë në nivelin e duhur, por me ato që kishim u pajtuam. Kur po i shoh këto pamje, po më mbushet zemra me vaj, çfarë vuajtjesh kanë pasë”, tha Xhanie Hereni, banore nga Kukësi.

    Për t’i kujtuar të dëbuarit edhe në sheshin kryesor u organizua një manifestim nga i cili u bë thirrje për drejtësi.

    “Në këtë 25 vjetor përkujtojmë sot për të mos harruar atë që bëri Kukësi në vitin 1999, për ta vazhduar këtë traditë që na bën bashkë tash e dy dekada”, tha kryetari i bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj.

    Një kërkesë iu drejtua edhe qeverive në të dyja anët e kufirit.

    “Kërkojë nga dy qeveritë që të ndërtojnë muzeun kombëtar të eksodit shqiptar në Kukës ose në kufi, kjo kërkesë vjen për t’i ruajtur vlerat mbarëkombëtare shqiptare”, tha Ali Topalli nga shoqata “Eksodi ‘99”.

    25 vjet më parë, gjysmë milioni shqiptarë u dëbuan nga Kosova nga forcat serbe, në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi. 70 mijë u ndalën në Kukës, në komunën shqiptare më të afërt me Kosovën.

  • Deputeti rumun: Ditë historike, Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës dhe t’i përmbushë angazhimet ndërkombëtare

    Deputeti rumun: Ditë historike, Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës dhe t’i përmbushë angazhimet ndërkombëtare

    Deputeti nga Rumania Iulian Bulai, e konsideroi historike ditën e sotme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku po shqyrtohet raporti që rekomandon anëtarësiomin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme.

    Megjithëse vjen nga vendi që s’e njeh pavarësinë e Kosovës, ai tha se shpreson që vendimi të jetë në favor të anëtarësimit të shtetit më të ri të Ballkanit në KiE.

    “Kjo është ditë historike nga këndvështrimi liberal. Ne mbrojmë të drejtat e individëve, jo të shteteve, jo të etnive. Vendimi i sotëm do të thotë më shumë të drejta për 1.6 milionë njerëz që kanë përjetuar edhe luftën, plagët e të cilëve ende janë duke u shëruar, dhe janë të detyruar ta ndërtojnë të ardhmen së bashku”, tha Bulai.

    “Vendimi i sotëm është pikë fillimi dhe presim nga Kosova të përmbushë të gjitha reformat e dakorduara dhe angazhimet ndërkombëtare të saj. Kosova është e gatshme dhe meriton të hyjë në Këshillin e Europës”, shtoi ai.

    Duke iu referuar Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se s’duhet të krijohet një Republika Srpska e dytë në Kosovë.

    “Ne nuk duam të marrim shtegun e gabuar të krijimit të një Republika Srpska të dytë në Kosovë, por as të mos i injorojmë nevojat reale të pakicës serbe që duhen respektuar dhe duhen të jenë të përfshirë në Kosovë”, tha Bulai.

  • Lajm i madh nga Strasburgu, Asambleja i thotë po anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Lajm i madh nga Strasburgu, Asambleja i thotë po anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Asambleja Parlamentare ka votuar PRO që Kosova të avancojë edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

    Për anëtarësimin e Kosovës votuan 131 deputetë, 29 ishin kundër, ndërsa 11 abstenuan.

    Shumica e deputetëve prezentë në Asamblenë Parlamentare u shprehën dhe votuan pro Kosovës, ndërsa Serbia ishte e pafuqishme ta pengonte këtë.

    Paraprakisht, Asambleja i hodhi poshtë me rend amandamentet e propozuara nga Serbia.

    Më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë disa amandamente tjera që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

    Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e pati miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi ika plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

    Bakoyannis argumentoi në fillim të diskutimit të sotëm në Strasburg se Kosova duhet të jetë anëtare e KiE dhe më pas vazhdoi diskutimi.

    Tani, fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

  • Shefi i EULEX-it reagon për vrasjen e gruas në Pejë

    Shefi i EULEX-it reagon për vrasjen e gruas në Pejë

    Shefi i Eulexit, Giovanni Pietro Barbano ka reaguar lidhur me vrasjet e grave në Kosovë.

    Përmes një postimi në rrjetin social, X, Barbano shkroi se EULEX-i i dënon ashpër rastet e fundit të femicideve në Kosovë.

    Ai tha se EULEX është i përkushtuar që të mbështes institucionet në luftën kundër këtij fenomeni.

    “EULEX dënon ashpër rastet e fundit të femicideve në Kosovë. Si Mision për Sundimin e Ligjit, ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur institucionet vendore në luftën kundër këtij fenomeni të tmerrshëm, ku gratë janë kryesisht viktima”, shkroi Barbano.

  • Anëtarësimi i Kosovës në KiE – Bakoyannis thirrje vendeve që s’e njohin: Mbroni në “çadrën” evropiane dy milionë qytetarë të tjerë

    Anëtarësimi i Kosovës në KiE – Bakoyannis thirrje vendeve që s’e njohin: Mbroni në “çadrën” evropiane dy milionë qytetarë të tjerë

    Këshilli i Evropës pritet të votojë për raportin e Dora Bakoyannis, që i hap rrugë hyrjes së Kosovës si anëtare e këtij institucioni.

    Gjatë fjalës së saj, Dora Bakoyannis iu bëri thirrje vendeve që s’e njohin Kosovën që të votojnë pro ndërsa shtoi se kriteret e pranimit nuk kanë të bëjnë me kundërshtimet e tyre.

    “Unë shpresoj që sot asambleja e parlamentit të mënvizojë nevojën për të vendosur nën çadrën demokratike të kulturës evropiane 2 milionë evropianë të tjerë, duke i mbrojtur ata nga problematikat që përmenda. Në një aspekt më personal, që kur raporti u bë publik, kam marrë kritika të forta dhe sulme personale për mënyrën se si unë reagova, komentet më agresive janë bërë nga përfaqësuesit e vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën.

    Do të shpresoja që të jenë guximtarë sepse në realitet çështjet e tyre nuk janë të njëjtat me Kosovën. Nuk do të ketë asnjë parakusht mbi nevojën që këto anëtarë të suportojnë një raport pozitiv për arsyen se kundërshtimet e tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me kriteret e pranimit që raporti ekzaminoi. Ata kundërshtojnë idenë e një shteti të Kosovës dhe nëse ata janë të duhura. Do të ishte më kurajoze nëse do të kishin vendosur të qëndronin në këtë pikë. Raporti nuk ka asnjë pikënisje në çështjen e shtetësisë.“, u shpreh mes të tjerash Bakoyannis.

  • Deputeti ukrainas në diskutimin e Asamblesë Parlamentare: Kosova është Evropë

    Deputeti ukrainas në diskutimin e Asamblesë Parlamentare: Kosova është Evropë

    Deputeti ukrainas, Oleksii Goncharenko ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    “Dua të uroj Kosovën. Kosova e meriton. Bota e lirë duhet të bashkohet”, tha deputeti Goncharenko.

    Ai në fund të fjalimit të tij tha në gjuhë shqipe “Kosova është Europë.

    Deputeti ukrainas tha se Serbia duhet ta kuptojë mirë mesazhin se kurrë nuk do të arrijë të ndërtojë perandori.

    Sipas tij, s’ka më vend për perandori.

    “Kosova nuk duhet të jetë zonë gri, por pjesë e Evropës. Sepse është Evropë. Ne duhet të ndihmojmë. Serbisë dua t’i them: Ne deshtëm të ecëm me Serbinë si demokraci, por ju kurrë s’do të ndërtoni Perandori Serbi. S’ka më vend për Perandori”, tha ndër tjerash ai.

    Olekssi Goncharenko është deputeti i Ukrainës e cila nuk e ka njohur Kosovën.