ATV

Author: ATVLive

  • ​Dita Botërore e Hemofilisë

    ​Dita Botërore e Hemofilisë

    Sot shënohet Dita Botërore e Hemofilisë, e cila shërben si ndërgjegjësim për hemofilinë dhe çrregullime të tjera të gjakut.

    Dita Botërore e Hemofilisë filloi në vitin 1989 dhe shënohet çdo vit në nder të datëlindjes së Frank Schnabel, themeluesit të Federatës Botërore të Hemofilisë në vitin 1963.

    Tema e ngjarjes këtë vit është “Qasje e barabartë për të gjithë: njohja e të gjitha çrregullimeve të gjakderdhjeve”.

    Hemofilia është një grup i çrregullimeve gjenetike të trashëguara, që dëmtojnë aftësinë e trupit për të kontrolluar koagulimin e gjakut, i cili shërben për të ndaluar gjakderdhjen kur dëmtohet një enë gjaku.

    Hemofilikët (njerëzit me hemofili) kanë nivele të ulëta të faktorit të koagulimit në gjak dhe gjakderdhja vazhdon për periudha shumë më të gjatë.

    Vizioni i Federatës Botërore të Hemofilisë (WFH) i trajtimit për të gjithë është për një botë ku të gjithë njerëzit me çrregullime të trashëguara të gjakderdhjes kanë qasje në kujdes, pavarësisht nga lloji i çrregullimit të gjakderdhjes, gjinia, mosha ose vendi ku jetojnë. /KP/

  • ​25 vjet nga Masakra në Poklek dhe Çikatovë e Vjetër

    ​25 vjet nga Masakra në Poklek dhe Çikatovë e Vjetër

    Sot mbushen 25 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë e Vjetër, komuna e Drenas, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.

    Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas më shumë se dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

    Vetëm në fshatin Poklek i Vjetër, ushtria barbare serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civil të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.

    Sipas dëshmitarëve të shumtë, masakra e Poklekut ka pasur këtë rrjedhë:

    -Më 17 prill, diku rreth orës pesë të mëngjesit, familjet Muqolli, Caraku e Elshani, janë nisur të shkojnë prej Poklekut të Vjetër për në Drenas, ku ishte e tubuar dhe po mbahej peng popullata e fshatrave përreth Drenasit. Diku 1.5 km larg fshatit, ka ardhur një picgauer me policë serb dhe i ka urdhëruar ata të kthehen nëpër shtëpia. Ata janë kthyer sepse janë kërcënuar, madje për anash është gjuajtur edhe me armë. Kur familjarët janë kthyer nëpër shtëpi, aty kanë ardhur, dy policë me shirita të zi në kokë. Në oborr e kanë vrarë qenin, pastaj e kanë thirrur Sinanin jashtë dhe me të kanë folur diç në gjuhën serbe. Pas kësaj këta dy policë kanë shkuar në oborrin e shkollës së fshatit, te policët e tjerë që ndodheshin atje. Në ndërkohë Sinani është kthyer dhe u ka treguar familjeve se atë e kanë pyetur, “a ka këtu terroristë“. Në këtë gjendje ankthi e terrori, familjarët janë mbajtur tërë ditën deri rreth orës 17:30, atëherë ka ardhur njëri nga ata policët dhe në dhomën e shtëpisë së Sinanit, ku kanë qenë të grumbulluar të gjitha familjet, fëmijë, gra e pleq, polici e ka hedhur një bombë e cila nuk ka eksploduar. Pas kësaj polici ka hedhur edhe bombën tjetër, e cila ka rënë dhe ka eksploduar në prehrin e Miradije Rifat Muqollit (55). Menjëherë pas kësaj polici ka zbrazur mbi të gjithë ata që kanë qëlluar në dhomë, shtatë karikator të automatikut. Krimineli që kishte kryer masakrën, kishte hyrë në dhomë dhe me këmbë i kishte rrotulluar kufomat, se mos rastësisht dikush kishte mbetur i gjallë. Në ndërkohë, Elhemja e plagosur ka kërcyer nga dritarja e dhomës së masakrës dhe ka ikur. Pas dy orë e gjysmë të masakrës ka ikur edhe Lumnija me vajzën e vogël katër vjeçe, duke lënë të plagosur lehtë Eminen me Fatosin e vogël dy vjeçar. Më vonë sakoja e Emines është gjetur në bunarin e shtëpisë. Pas tri orësh, që kur është kryer masakra, policia është kthyer dhe e ka djegur dhomën me të gjitha kufomat që ishin në të. Natën e dytë të masakrës, kemi shkuar në shtëpi dhe aty kemi gjetur eshtrat e të masakruarve, kur kemi shkuar një ditë më vonë, më nuk kemi mundur të shohim as eshtra njerëzish. Tashmë nuk ishte djegur vetëm dhoma e korridori, por e tërë shtëpia.

    Lista e plotë e masakrës në Poklekut të Vjetër më 17 prill 1999:

    1.Sinan Rexhep Muqolli (52), Poklek i Vjetër

    2.Elheme Rifat Muqolli (50), Poklek i Vjetër

    3.Emine Sinan Muqolli (22), Poklek i Vjetër

    4.Elife Sinan Muqolli (18), Poklek i Vjetër

    5.Sherife Sinan Muqolli (17), Poklek i Vjetër

    6.Hafije Sinan Muqolli (10), Poklek i Vjetër

    7.Feride Selman Muqolli (33), Poklek i Vjetër

    8.Shehide Fadil Muqolli (13), Poklek i Vjetër

    9.Naser Fadil Muqolli (12), Poklek i Vjetër

    10.. Ylber Fadil Muqolli (10), Poklek i Vjetër

    11.. Egzon Fadil Muqolli (4), Poklek i Vjetër

    12.. Hyle Selman Muqolli (22), Poklek i Vjetër

    13.. Florentina Qamil Muqolli (3), Poklek i Vjetër

    14. Lirie Qamil Muqolli (gjashtëmuajshe), Poklek i Vjetër

    15. Mehreme Muqolli (58), Poklek i Vjetër

    16. Bahrije Halil Muqolli (24), Poklek i Vjetër

    17. Naime Halil Muqolli (22), Poklek i Vjetër

    18. Hidajete Nebih Muqolli (33), Poklek i Vjetër

    19. Menduhie Liman Muqolli (11), Poklek i Vjetër

    20. Mirsad Liman Muqolli ( Poklek i Vjetër

    21. Mergim Liman Muqolli (5), Poklek i Vjetër

    22. Bahtije Halil Caraku (34), nga Dobrosheci

    23. Besart Ejup Caraku (13), nga Dobrosheci

    24. Hasan Ejup Caraku (12), nga Dobrosheci

    25. Kunata e Bahtije Halil Carakut- nuk i dihet emri (45),

    26. Miradije Rifat Muqolli (55), Poklek i Vjetër

    27. Zarife Rrahman Muqolli (23), Poklek i Vjetër

    28. Arife Rrahman Muqolli (20), Poklek i Vjetër

    29. Florije Salih Muqolli (23), Poklek i Vjetër

    30. Eronita Xhavit Muqolli (4), Poklek i Vjetër

    31. Fatos Xhavit Muqolli (1,5), Poklek i Vjetër

    32. Shemsije Muqolli (42), Poklek i Vjetër

    33. Vezire Ilmi Muqolli (20), Poklek i Vjetër

    34. Fatmire Ilmi Muqolli (17), Poklek i Vjetër

    35. Rexhep Ilmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

    36. Agron Ilmi Muqolli (10), Poklek i Vjetër

    37. Albulena Ilmi Muqolli (5), Poklek i Vjetër

    38. Nexhmije Ramadan Muqolli (25), Poklek i Vjetër

    39. Hasime Ramadan Muqolli (37), Poklek i Vjetër

    40. Avdullah Fehmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

    41. Shehrije Xhemail Muqolli (27), Poklek i Vjetër

    42. Vahide Mehdi Muqolli (4), Poklek i Vjetër

    43. Dy djem të Mehdiut, njëri 10 muaj, tjetri dy vjeçar, Poklek i Vjetër

    44. Ymer Elshani (55), Poklek i Vjetër

    45. Nafije Elshani (50), Poklek i Vjetër

    46. Shukrije Elshani (37), dhe katër djemtë e Ymer Elshanit, prej 22-vjeç e më të rinj

    47. Kimete Fadil Muqolli (20), Poklek i Vjetër

    48. Lindita Skender Hoxha (25), nga Korrotica e Epërme

    (…)

    Të zhdukur konsiderohen edhe tre persona

    1.Halim Kluna (75)

    2.Nëna e Ymer Elshanit (75)

  • ​Deputetja e Maqedonisë në KiE ia përmend Serbisë vrasjen e familjes Jashari

    ​Deputetja e Maqedonisë në KiE ia përmend Serbisë vrasjen e familjes Jashari

    Deputetja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Arta Bilalli-Zeneli në debatin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u shqyrtua raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ia ka përmendur Serbisë, vrasjen e 56 anëtarëve të familjes Jashari, brenda një dite, duke thënë se nga Asambleja mund t’i dërgojnë një sinjal asaj familje dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

    Deputetja Bilalli-Zeneli ka thënë se nuk pajtohem me mendimet se ky antarësim do të krijojë konflikte të reja në Evropë.

    “Të dahsur kolegë a është themeluar kjo organizatë për të parandaluar luftërat në mes të popujve në Evropë, të gjithë pajtohemi që po, pra komentet se ky anëtarësim do të provokojë konflikte të mëtejme në Evropë, nuk tingëllon mirë dhe nuk është i përshtatshëm dhe është në kundërshtim me qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës. Të gjitha shtetet demokratike dhe organizatat ftojnë për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas mendimit tim, ky anëtarësim do të përforcojë, do të shtyjë përpara këtë dialog sepse do t’i kemi dy palë të barabarta në dialog dhe barazia është një vlerë thelbësore e Këshillit të Evropës. Në 1999, një ish ministër i Francës ka thënë se po të ishte një çmim nobel për liri, atëherë do t’i jepej familjes Jashari në Prekaz, sepse është një familje ku 56 anëtarë të familjes janë vrarë brenda një dite të vetme. Familja Jashari nuk e ka marrë çmimin nobel por duke e mbështetur këtë raport dhe këtë kërkesë për anëtarësim, do t’iu japim një sinjal se ata do të kenë një karrige dhe do t’i bashkohen familjes së madhe evropiane të cilës ata i përkasin”, tha ajo.

  • Gërvalla: Sot është ditë gëzimi, Serbia e mori përgjigjen

    Gërvalla: Sot është ditë gëzimi, Serbia e mori përgjigjen

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla pas votimit pozitiv pro Kosovës në AP të KiE-së ka thënë se është fitore e madhe dhe ditë gëzimi për qytetarët e vendit ndërsa Serbia ka marrë përgjigjen e duhur.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE) ka votuar me një shumicë votash pro Kosovës që të avancojë edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, menjëherë pas votimit pozitiv në KiE, ka thënë se “kjo është fitore e Evropës, shteteve demokratike që sot konfirmuan që Kosova është pjesë e tyre”.

    Ajo tutje ka thënë se sot është “ditë gëzimi”, duke i uruar qytetarët e vendit për këtë sukses.

    “Emocioni i vetëm që kam është gëzimi dhe falënderimi për ata që kanë luftuar shumë edhe në këtë seancë për t’i arritur votat e nevojshme për rekomandimin…Shpresojmë që pas këtij hapi të rëndësishëm në maj të mund ta kurorëzojmë Kosovën me pranin në KiE”, është shprehur ministrja Gërvalla para mediave.

  • Kurti pas votimit në Asamblenë Parlamentare: Kosova një hap më afër anëtarësimit në KiE

    Kurti pas votimit në Asamblenë Parlamentare: Kosova një hap më afër anëtarësimit në KiE

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare ka votuar pro draftit që parashihte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Kurti me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se faza e fundit është mbledhja e ministerialit, që pritet të mbahet në maj.

    “Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, ka shkruar ai.

    “Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, thuhet më tej në postimin e tij.

    Me 171 votues pjesëmarrës, 131 pro, 29 kundër dhe 11 abstenime Kosova ka marrë dritën e gjelbër nga Asambleja Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

  • Krasniqi falënderon të gjithë deputetët që votuan pro Kosovës në KiE, veçon deputetin rumun

    Krasniqi falënderon të gjithë deputetët që votuan pro Kosovës në KiE, veçon deputetin rumun

    Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përshëndetur votimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të Raportit të raportueses Dora Bakojanis, që i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Krasniqi ka shtuar se ky proces e shtynë përpara Kosovën duke i hapur rrugë tutje, raporton Ekonomia Online.

    “Veçanërisht, e falënderoj mikun tim, Iulian Bulai, deputetin rumun, i cili si Kryetar ne APKE i grupit te ALDE-s, anetare e se cilit eshte edhe PDK, bashkë me deputetët e grupit tonë, ka kontribuar ne çdo hap të këtij procesi”, ka shkruar kreu i PDK-së.

    Postimi i plotë:

    Me mbi 2/3 të votave, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi sot Raportin që i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi sot Raportin që i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Veçanërisht, e falënderoj mikun tim, Iulian Bulai, deputetin rumun, i cili si Kryetar ne APKE i grupit te ALDE-s, anetare e se cilit eshte edhe PDK, bashkë me deputetët e grupit tonë, ka kontribuar ne çdo hap të këtij procesi.

    Tani, me optimizëm, angazhim dhe lobim, presim votimin final të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet pas një muaji.

  • Osmani: Zëri i europianëve u dëgjua, faleminderit të gjithëve që e mbështesin vazhdimisht popullin tonë

    Osmani: Zëri i europianëve u dëgjua, faleminderit të gjithëve që e mbështesin vazhdimisht popullin tonë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, sot Kosova ka shënuar një moment historik.

    Osmani ka falënderuar të gjitha shtetet që votuan pro anëtarësimit, siç thotë presidentja kanë mbështetur qytetarët, raporton EO.

    “Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë”, ka thënë ndër tjera Osmani.

    Postimi i plotë:

    Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian.

    Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë.

    Falenderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike!

    Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!

  • Akil Gjakova dorëzohet në Polici

    Akil Gjakova dorëzohet në Polici

    Xhudisti Akil Gjakova më në fund i është dorëzuar Policisë së Kosovës, pasi i njëjti u shpall si person në kërkim si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    Burime të Insajderit bëjnë me dije se në këto momente, ai ka hyrë në Kosovë nga pika kufitare në Morinë.

    Sipas këtyre burimeve, një patrullë policore nga Peja është nisur për në atë drejtim, për ta shoqëruar xhudistin Gjakova në stacionin në Pejë, ku edhe pritet të intervistohet.

    Gjakova u lajmërua pak më herët në rrjetet sociale, pasi që u shpall i kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    Gjakova ka shpërndarë reagimin e Federatës së Xhudos së Kosovës, ku thuhet se ata besojnë në pafajësinë e tij.

    “Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë”, thuhej në njoftimin e federatës ndër të tjera.

  • Vrasja në Pejë, dorasi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës

    Vrasja në Pejë, dorasi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Edmon Lajçi, 45 vjeç, i dyshuari për vrasjen e gruaja së tij në Pejë, nuk ishte i panjohur për Policinë.

    Në shtator të 2021, bashkëshortja e tij, tashmë e ndjerë, Gjyljeta Ukella, denoncoi atë për dhunë psikike.

    Pas një muaji, atij iu ngrit aktakuzë për veprën penale “Dhunë në familje”.

    Në aktakuzës e Prokurorisë themelore në Pejë, të cilën e ka siguruar televizioni, thuhet se ai për disa vite e kishte ofenduar vazhdimisht bashkëshorten.

    “Pikërisht në shtëpinë e tij, ushtron dhunë psikike ndaj bashkëshortes të tij, të dëmtuarës Gjyljeta Ukella, në atë mënyrë që, ditën kritike, pas një zënke verbale që kishin në mes veti, (për shkak se i pandehuri ka 3-4 vite vazhdimisht e ofendon me fjalë të dëmtuarën) duke i thënë se “ti je krvè, vëllai yt po don me të nda dhe me të martua me miqësinë e tij, gjysma e Pejës janë frajerat e tu, e shumë fjalë të tjera, ku e njëjta e lajmëron rastin në polici”, thuhej në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë.

    Për këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Pejë e kishte dënuar Edmon Lajçin, me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajve. Por pas kërkesës tij, dënimi i ishte zëvendësuar me gjobë tejet të ulët.

    “Dënimi, me kërkesën e të pandehurit, i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej treqind (300) eurosh, e të cilin dënim është obliguar ta paguajë jo më vonë se tre (3) muaj, pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. Ndaj aktgjykimit, palët nuk kanë ushtruar ankesë, andaj aktgjykimi ka marrë formën e prerë me datë 25.02.2022 dhe i dënuari pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në tërësi e ka paguar dënimin me gjobë”, thuhej në vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

    Pas aktit të vrasjes, Edmond Lajçi u është dorëzuar organeve të rendit dhe po mbahet në mbajtje 48 orë, deri në një vendim tjetër të gjykatës.

  • Haxhiu: Me mosveprime, shteti po i shndërron dhunuesit në vrasës

    Haxhiu: Me mosveprime, shteti po i shndërron dhunuesit në vrasës

    Raporti: Nora Luta

    Pak orë pas lajmit për vrasjen e një gruaje në Pejë, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, mblodhi në takim udhëheqësit e institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë.

    Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, kryesuesin e KGJK-së, Albert Zogaj, përfaqësuesit e sistemit prokurorial Jetish Maloku e Agron Qalaj, Haxhiu tha se kërkoi që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me prioritet.

    Ministrja Haxhiu ka pranuar se disa nga institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë gratë, kanë dështuar, duke mos përjashtuar krijimin e një task-force.

    Megjithatë, një grup ndërministror që adreson parandalimin e dhunës në familje ka kohë që funksionon.

    Haxhiu ka renditur disa nga veprimet që, sipas saj, u dakorduan gjatë takimit që duhet të ndërmerren urgjentisht.

    Armëmbajtja pa leje dhe lirimi i të dyshuarve me procedurë të rregullt, sipas saj janë çështje që duhet të adresohen.

    Kur është pyetur nëse do të duhej të kishte dorëheqje morale, Haxhiu tha se do ta bënte vetëm në një rast.

    Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga paslufta 99 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.