ATV

Author: ATVLive

  • 131 për, 29 kundër dhe 11 abstenime- kush si votoi, lista e plotë e rezultatit të djeshëm në Asamble

    131 për, 29 kundër dhe 11 abstenime- kush si votoi, lista e plotë e rezultatit të djeshëm në Asamble

    Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.

    Ajo miratoi një opinion ligjor me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

    Prej 29 deputetëve që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës, shtatë ishin nga Serbia, shtatë nga Spanja tre nga Hungaria, dy nga Bosnje Hercegovina, dy nga Qipro një nga Mali i Zi.

    Po ashtu pati vota kundër edhe nga Franca, Italia dhe Gjermani.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) ka publikuar listën e plotë ty vendeve që votuan pro dhe kundër Aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Votat pro janë shënuar me + të kuq, ato kundër me – të gjelbër kurse abstenimet me një rreth

    Këta delegatë votuan kundër Kosovës në KiE

    Harald WEYEL – Gjermani: Grupi i Konservatorëve Evropianë dhe Aleanca Demokratike

    Emmanuel FERNANDES – Francë: Grupi i të Majtës së Bashkuar Evropiane

    Anne STAMBACH-TERRENOIR – Francë: Grupi i të Majtës së Bashkuar Evropiane

    Branislav BORENOVIĆ (Bosnje dhe Herzegovina, EPP/CD)

    Snježana NOVAKOVIĆ BURSAĆ – Bosnje dhe Hercegovina)

    Maja VUKIĆEVIĆ – Mali i Zi: Anëtarë që nuk i përkasin një grupi politik

    Sergio GUTIÉRREZ PRIETO – Spanjë: Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve

    María FERNÁNDEZ – Spanjë: Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve

    Carmen LEYTE – Spanjë: Grupi i Partisë Popullore Evropiane

    Antonio GUTIÉRREZ LIMONES – Spanjë: Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve

    Pablo HISPÁN – Spanjë: Grupi i Partisë Popullore Evropiane

    Gonzalo ROBLES – Spanjë: Grupi i Partisë Popullore Evropiane

    José María SÁNCHEZ GARCÍA – Spanjë: Grupi i Konservatorëve Evropianë dhe Aleanca Demokratike

    Jelena MILOŠEVIĆ – Serbia: Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve

    Aleksandar MIRKOVIĆ – Serbia: Grupi i Partisë Popullore Evropiane

    Đorđe STANKOVIĆ – Serbia: Anëtarë që nuk i përkasin një grupi politik

    Biljana PANTIĆ PILJA – Serbia: Grupi i Partisë Popullore Evropiane

    Vladimir ĐORĐEVIĆ – Serbia: Anëtarë që nuk i përkasin një grupi politik

    Elvira KOVÁCS – Serbia: Grupi i Partisë Popullore Evropiane

    Dunja SIMONOVIĆ BRATIĆ – Serbia: Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve

    László TOROCZKAI – Hungari: Anëtarë që nuk i përkasin një grupi politik

    Zoltán BÓNA – Hugari: Grupi i Konservatorëve Evropianë dhe Aleanca Demokratike

    Zsolt NÉMETH – Asambleja Kombëtare e Hungarisë

    Dimitri COIN – Itali: Grupi i Konservatorëve Evropianë dhe Aleanca Demokratike

    Nina KASIMATI – Greqi: Grupi i të Majtës së Bashkuar Evropiane

    George LOUCAIDES – Qipro: Grupi i të Majtës së Bashkuar Evropiane

    Christiana EROTOKRITOU – Qipro: Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve

    Vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në KiE i takon organit ministror, që mbahet në maj.
    Pas votimit të Asamblesë Parlamentare çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

  • ​Vrasje në tentativë në Graqanicë, vetura në lëvizje gjuan me armë në drejtim të veturës tjetër

    ​Vrasje në tentativë në Graqanicë, vetura në lëvizje gjuan me armë në drejtim të veturës tjetër

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një vrasje në tentativë në Graqanicë.

    Sipas policisë, nga një veturë e dyshuar e cila ishte në lëvizje me shpejtësi të madhe, nga persona të dyshuar është shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture tjetër në lëvizje dhe pastaj të njëjtat vetura janë aksidentuar në mes veti.

    “Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes ku e ka takuar të dyshuarin mashkull kosovar në afërsi të veturës së tij, i cili vullnetarisht e ka dorëzuar një pistoletë me leje. Njësitet policore të forenzikës në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 5 gëzhoja nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • FSK dhe Policia e Kosovës trajnohen së bashku

    FSK dhe Policia e Kosovës trajnohen së bashku

    Komanda e Forcave Tokësore (KFT) ka realizuar trajnimin Taktika me Njësi të Vogla, gjenerata e dyte e përbashkët me Policinë e Kosovës për vitin 2024.

    Në njoftimin për media nga FSK-ja, thuhet se trajnimi Taktika me Njësi të Vogla (TTNJV) program i adaptuar nga trajnimi Pri-Rengjers i Ushtrisë Amerikane, është trajnim i karakterit profesional dhe sfidues, i cili ndihmon pjesëtarët që të përgatiten për detyra ku kërkohet sfidë dhe angazhim i lartë fizik dhe psikik për përmbushjen e misionit.

    “Gjate trajnimit 4 javor pjesëtarët e Policisë se Kosovës dhe të FSK-së, përkundër sfidave dhe programit intensiv kane arritur që me përkushtim dhe vullnet të jashtëzakonshëm të përfundojnë në mënyrën më të mirë trajnimin. Pjesëtarët që e përfunduan trajnim, nga sot dalin më të përgatitura profesionalisht, me vetëbesim shumë më të lartë dhe me një gatishmëri për të operuar si pjesë e ekipit në të gjitha rastet kur kërkohet angazhimi i tyre”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, ndërveprimi me Policinë e Kosovës është objektivë e Komandantit të FSK-së, dhe se trajnime të tilla ofrojnë institucionet e sigurisë që në rast të intervenimeve të përbashkëta të veprojnë si një trup i përbashkët për të arritur qëllimin përfundimtar.

    Ndryshe, në ceremoninë e ndarjes së Certifikatave morën pjese Shefi i Shtabit të KFT-së, Kolonel Valdet BERISHA, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, përfaqësues nga Regjimentet e Këmbësorisë dhe përfaqësues të Policisë se Kosovës.

    Ndërkaq, Kolonel Berisha ka falënderuar instruktoret për angazhimin në realizimin e këtij trajnimi.

    “U uroj suksese për pjesëtarët pjesëmarrës, me theks të veçantë falënderoj pjesëtarët nga Policia e Kosovës për vullnetin e treguar për pjesëmarrje në këtë program trajnues duke theksuar se trajnimet e përbashkëta ngritin ndërveprueshmërin e dy institucioneve tona.”, ka thënë Berisha.

  • Dhunohet një e mitur në Gjilan, s’pranon të kthehet në familje

    Dhunohet një e mitur në Gjilan, s’pranon të kthehet në familje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për dhunimin e një vajze të mitur.

    Rasti thuhet se ka ndodhur në Gjilan. Sipas raportit të Policisë viktima është dërguar në strehimore pasi që nuk ka pranuar të kthehet në familje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimën femër kosovare- e mitur. Viktima nuk ka pranuar të kthehet te familjarët e saj dhe është dërguar në strehimore”, thuhet në raportin e Policisë.

    I dyshuari thuhet se pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Pas votimit pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare, Serbia po i mban të bllokuar disa autobusë të Kosovës

    Pas votimit pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare, Serbia po i mban të bllokuar disa autobusë të Kosovës

    Sekretari i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli tha se nga mesnata Serbia po i mban të bllokuar mbi 300 qytetarë të Kosovës në kufirin e saj me Kroacinë.

    Haxholli tha se “në hakmarrje dhe nervozizëm absurd” nga votimi i mbrëmshëm në Asamblenë Parlamentare pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, Serbia s’po i lë të kalojnë autobusët me targa të Kosovës.

    “Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarsimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Shpjegimi nga autoritetet serbe, siç thotë Haxholli, është se për këtë ka urdhëruar Beogradi.

    “Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi ai.

    Haxholli thotë se po planifikon të niset personalisht drejt pikëkalimit kufitar ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë ku po mbahen të bllokuar udhëtarët kosovarë.

    “Duke qenë që Zyra Ndërlodhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljës së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, shkroi Haxholli.

  • Sot ditë zie në Kosovë në kujtim të vajzave dhe grave të vrara

    Sot ditë zie në Kosovë në kujtim të vajzave dhe grave të vrara

    Sot është ditë zie në Kosovë në kujtim të të gjitha vajzave dhe grava të vrara.

    Gjatë ditës së djeshme, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shpalli këtë të mërkurë ditë zie.

    Sipas Osmanit, shoqëria duhet të jetë në zi çdo ditë derisa të ketë vrasje të grave.

    “Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”, ka shkruar Osmani.

    Dje, një grua 43-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj në Pejë, i cili ishte dënuar më parë për dhunë në familje.

    Tani të tre fëmijët e tyre janë në kujdesin e familjarëve të tyre ndërsa i dyshuari është në mbajtje për 48 orë.

    Ky është rasti i dytë në katër ditët e fundit, e vrasjes së grave në Kosovë.

    Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Për vrasjen e saj është arrestuar ish-bashkëshorti i saj, të cilit autoritetet ia kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.

  • Diskutimet për dinarin: Pozitë e opozitë përplasen në qëndrime

    Diskutimet për dinarin: Pozitë e opozitë përplasen në qëndrime

    Të enjten në Bruksel do të mbahet një takim i ri mes dy kryenegociatorëve, atij të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.

    Tema që do të diskutohet në këtë takim do të jetë çështja për të gjetur zgjidhje rreth vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb

    Edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të pres kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq për një raund tjetër bisedimesh për të gjetur zgjidhje rreth vendimit të BQK-së për dinarin.

    Derisa pozita thotë se në Bruksel nuk po diskutohet çështja e dinarit serb, por po tentohet të gjendet një mënyrë se si të sjellën paratë në mënyre legale nga Serbia në Kosovë, partitë opozitare e shohin si jo të duhur që kjo çështje të diskutohet në Bruskel.

    Për opozitën kosovare, kjo çështje do të duhej të diskutohej me aleatët dhe se dërgimi i saj si çështje diskutuese në Bruskel është i dëmshëm për Kosovën.

    Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, për FrontOnline thotë se çështja e dinarit nuk po diskutohet në Bruksel, por po tentohet të gjendet një mënyrë se si Serbia do t’i sjellë paratë në mënyrë legale në Kosovë.

    ‘’Nuk po diskutohet për çështjen e dinarit në Bruksel. Atje po tentohet të gjetet një mënyrë se si Serbia ka me i dërguar paratë në Kosovë, pra në mënyrë legale, përmes mënyrës institucionale dhe jo siç i ka dërguar deri tani. Nuk ka dialog për çështjen e dinarit. Tashmë e kemi vendimin e BQK-së që duhet me u respektuar. Bizneset lokale dhe qytetarët atje kanë filluar ta respektojnë, thjeshtë Serbia duhet me gjet një mënyrë se si i sjellë paratë në Kosovë’’, thotë Pacolli

    Ajo thotë se pret nga Serbia të reflektoj dhe ta respektoj vendimin e BQK-së dhe të gjejë mënyrë që t’i sjellë parat në Kosovë.

    ‘’Ne presim që Serbia me reflektuar dhe me respektuar vendimin dhe me gjet mënyrën se si ka me i sjellë paratë në mënyrë ligjore. Ne po insistojmë që Serbia të gjejë një rrugë që është e pranueshme për ti sjellur paratë në Kosovë. Kosova i ka përcaktuar të cilat duhet të i ndjekë Serbia, në mënyrë që ti sjellë paratë në Kosovë’’, thekson ajo

    Deputetja Pacolli thotë se Kosova i ka përcaktuar hapat që Serbia duhet t’i ndjekë sa i përket dinarit.

    ‘’Kosova i ka përcaktuar të cilat duhet të i ndjekë Serbia, në mënyrë që ti sjellë paratë në Kosovë. Serbisë nuk po i konvenon me tregu se deri më tani paratë që i ka dërguar në Kosovë i ka dërguar në mënyrë ilegale, duke financuar krimin dhe terroristët. As në Serbi, Serbia nuk ka treguar se sa para i ka sjellur në Kosovë, prandaj ata duhet me i tregu edhe qytetarëve të vetë atje se sa para i ka sjellur në Kosovë’’, tha deputetja Fitore Pacolli

    Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, thotë se çështja e dinarit është çështje e brendshme e Kosovës dhe se nuk ka qenë dashur të diskutohet në Bruskel.

    ‘”Kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk do duhej të diskutohej me përfaqësuesit e Serbisë’’, thotë Shala.

    Deputeti Shala shprehet se Qeveria e Kosovës do të duhej që këtë çështje ta adresonte me aleatët, por duke mos e bërë pjesë të dialogut me Serbinë.

    “Qeveria e Kosovës do duhej që çështjen ta adresonte në bashkëpunim me aleatët tanë, pa e bërë pjesë të dialogut me Serbinë’’, thotë deputeti Kujtim Shala

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi shprehet skeptike se takimi i së enjtes në Bruksel mes dy krynegociatorëve, atij nga Kosova dhe atij serb do të ketë sukses.

    Ajo thotë se çështja e dinarit serb nuk ka qenë dashur të diskutohet në Bruksel.

    ‘’Fillimisht mendoj që çështjet e brendshme të Kosovës nuk është dashur të diskutohen në Bruksel. Nuk mendoj se na bën nderë që çështjet e brendshme të Kosovës të diskutohen si çështje të dialogut, sepse janë çështje të brendshme që Kosova është dashur vetë të i zgjedhë. Fillimisht nuk besoj se do të ketë një rezultat të veçantë ose pozitiv sepse vetë hyrja e kësaj teme në dialog e ka bërë dëmin e vetë’’ thotë ajo.

    Deputetja Shoshi-Musliu më tej thotë se Qeveria Kurti çështjet e brendshme të Kosovës po i ndërkombëtarizon, sado që ato mund të jenë të drejta ose jo.

    ‘’Kjo Qeveri çështjet e Kosovës po i bën çështje ndërkombëtare dhe këto probleme vazhdojnë dhe ndërlikohen. Këto çështje janë të brendshme pavarësisht që janë të drejta ose jo”, shprehet ajo.

    Ajo thekson se çështje si kjo po i bëjnë dëme Kosovës.

    ‘’Këto çështje nuk i sjellin të mira asgjë Kosovës dhe çështje si kjo duhet të zgjidhen në Kosovë dhe të mos bëhen temë e dialogut në Bruksel’’, u shpreh Musliu-Shoshi.

  • Kosova një hap larg KiE-së, Asociacioni kusht pas anëtarësimit

    Kosova një hap larg KiE-së, Asociacioni kusht pas anëtarësimit

    Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti të martën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

    Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

    Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

    Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.

    Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Në një njoftim më të zgjeruar pas votimit Asambleja Parlamentare rikujton vendimin e Qeverisë për Manastirin e Deçanit të cilin e cilëson si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa theksohet se themelimi i Asociacionit do të ishte “hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.

    Tutje Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, thekson se anëtarësimi i Kosovës në KiE do të “adresojë sfidat e jashtëzakonshme dhe çështjet shqetësuese”.

    Gjithashtu duke zbuluar përmbajtjen e tekstit të votuar thuhet se Asambleja e ka ftuar Komitetin e Ministrave që të sigurojë që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare individuale në lidhje me shtetësinë e Kosovës”.

    “Anëtarësimi gjithashtu do të ndihmonte Kosovën që të “adresojë sfidat e jashtëzakonshme dhe çështjet shqetësuese”, theksuan parlamentarët, duke përfshirë hendekun midis standardeve normative dhe zbatimin e tyre efektiv, nevojën për të mbrojtur më mirë të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe nxitjen e një klime të favorshme. Për besimin, pajtimin dhe përfshirjen.

    Asambleja e përshëndeti si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit, për të cilin tha se ishte “një shenjë e prekshme e përkushtimit të qeverisë për të vepruar në përputhje të plotë me sundimin e ligjit. pavarësisht nga konsideratat politike”.

    Themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, dhe “duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, si një angazhim pas anëtarësimit”.

    Duke pranuar “rrethanat e paprecedentë” të aplikimit, duke pasur parasysh se një numër i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës nuk e njohin Kosovën si shtet, Kuvendi bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis”. Asambleja ftoi Komitetin e Ministrave që të sigurojë që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare individuale në lidhje me shtetësinë e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

    Krerët shtetërorë të Kosovës mirëpritën vendimin e Asamblesë Parlamentare, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit të shtetit për demokraci.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist për një vendim pozitiv në Këshillin e Ministrave në maj. Kurti nga Strasburgu foli edhe për çështjen e Asociacionit.

    Kryeministri ka thënë se Qeveria e tij nuk do që Marrëveshjen Bazike me Serbinë ta shndërrojë në mjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai nga Strasburgu ka theksuar se çështja e Asociacionit është brenda kësaj marrëveshjeje, dhe jo e kundërta.

    Ai është shprehur se serbët e Kosovës kanë shumë të drejta si pakicë që përbën 4% të popullsisë, ndërsa ka shtruar pyetjen se si mund të kërkohen më shumë të drejta, kur serbët po i bojkotojnë ato që i kanë tani.

    “I kemi dhjetë ulëse të rezervuara për serbët në Kuvend, gjuha serbe është gjuhë zyrtare, prej 38 komunave dhjetë janë me shumicë serbe. Politikat qeveritare tona, me ekonomi, në aspektin social, kemi bërë përpjekje dhe suksese që të integrojmë serbët. Kemi një ministër serb. Duhet si shoqëri, qeveri, si shtet, vazhdimisht të përmendim sa shumë gëzojnë pakicat serbe në Kosovë e cila është 4%. Nuk do duhej të flasim thjesht për Asociacionin pa folur për marrëveshjen bazike, dhe nuk do duhej të flasim për Asociacionin pa përmendur që dhjetë ulëse në Kuvendin e Republikës po bojkotohen. Si mund të kërkohen më shumë të drejta kur bojkotohen ato aktuale”, ka thënë Kurti.

    Sipas Kurtit, Kosova të martën pati mbështetje masive dhe të thellë, pasi pati debate që u fituan me argument.

    “Jemi optimistë për anëtarësimin në muajin maj dhe njëkohësisht do të angazhohemi që kjo të ndodhë për shkak se në njërën anën tjetër kemi shansin e jashtëzakonshëm, e në anën tjetër nuk ka rast tjetër në historikun e Këshillit të Evropës që Këshilli i Ministrave shpërfillë një këso mbështetje në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, aty ku është demokracia e Këshillit të Evropës, u panë edhe diskutimet që u bënë aty, mbështetja për Republikën e Kosovës, për anëtarësimin e vendit tonë nuk ishte thjeshtë vetëm masive, por ishte edhe e thellë meqenëse edhe debati me argumente u fitua, e jo vetëm me një ngadhënjim me fuqinë e numrave në sallë”, ka thënë ai.

  • Osmani sot bën homazhe në Poklek e Çikatovë të Vjetër

    Osmani sot bën homazhe në Poklek e Çikatovë të Vjetër

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, këtë të mërkure nga ora 10:30 do të bëjë homazhe në Poklek të Drenasit.

    Osmani, homazhet në Poklek do t’i bëjë në nderim të masakrës së kryes nga forcat serbe, ku u vranë dhe u masakruan 53 civilë shqiptarë të paarmatosur.

    E para e shtetit më pas nga ora 11 do të bëjë homazhe në Çikatovë të Vjetër, ku sot shënohet përvjetori i 25-të i kësaj masakre ku u vranë e u masakruan 24 shqiptarë.

  • Moti sot: Me shi dhe reshje bore

    Moti sot: Me shi dhe reshje bore

    Këtë të mërkurë në Kosovë pritet të ketë ulje drastike të temperaturave ku priten reshje shiu.

    Reshjet do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, e po ashtu pritet të ketë edhe shqotë apo në zona malore edhe borë.

    Temperaturat minimale për sot do të lëvizin prej 11 deri në 15 gradë Celsius, kurse maksimalet nga 11 deri në 16 gradë, kurse gjatë mbrëmjës, temperaturat parashihen të ulen prej 1 deri në 6 gradë Celsius./MeteoKosova