Përgatiti: Kastriot Tahiri
Lotët nuk i mbajti dot posa shkeli në Kukës. Ky 86 vjeçar nga Prizreni, thotë se ardhja këtu, ia kujton 15 prillin e 1999-ës, kur forcat serbe i detyruan të dilnin nga shtëpitë e tyre.
“Fëmijët na kanë pre, ku mos me kajtë, në ciment kemi ra 24 anëtarë, çikat, rejat dathë, çikat i kom pasë dathë, na kanë përzanë n’gjysë të natës shkijet. Kemi ardhë natën në qytet”, thotë një ish-refugjat.
Fatin e njëjtë e kishte pasur edhe Naser Isufi nga Lipjani. Teksa hyn në tendat që u ngjasonin atyre në të cilat kishin qëndruar vite më parë, ky thotë se iu kthyen kujtimet e asaj kohe.
“Atë ditë kur kemi dalë kanë qenë shumë numër i madh. E falënderojmë Kukësin që na ka pritur. Kemi nejtë këtu afër tre muajve. Kur i pashë m’u dok sikur në luftë, është liri tash po e gëzojmë pavarësinë”, tha Isufi.
Ndonëse kuksianët thonë se as vetë nuk ishin mirë financiarisht, në atë kohë strehuan 10 kosovarë në shtëpinë e tyre.
“Ju kemi lëshu dhomën e miqve, edhe ne s’kemi qenë në nivelin e duhur, por me ato që kishim u pajtuam. Kur po i shoh këto pamje, po më mbushet zemra me vaj, çfarë vuajtjesh kanë pasë”, tha Xhanie Hereni, banore nga Kukësi.
Për t’i kujtuar të dëbuarit edhe në sheshin kryesor u organizua një manifestim nga i cili u bë thirrje për drejtësi.
“Në këtë 25 vjetor përkujtojmë sot për të mos harruar atë që bëri Kukësi në vitin 1999, për ta vazhduar këtë traditë që na bën bashkë tash e dy dekada”, tha kryetari i bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj.
Një kërkesë iu drejtua edhe qeverive në të dyja anët e kufirit.
“Kërkojë nga dy qeveritë që të ndërtojnë muzeun kombëtar të eksodit shqiptar në Kukës ose në kufi, kjo kërkesë vjen për t’i ruajtur vlerat mbarëkombëtare shqiptare”, tha Ali Topalli nga shoqata “Eksodi ‘99”.
25 vjet më parë, gjysmë milioni shqiptarë u dëbuan nga Kosova nga forcat serbe, në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi. 70 mijë u ndalën në Kukës, në komunën shqiptare më të afërt me Kosovën.

Leave a Reply