ATV

Author: ATVLive

  • Premier Liga shpall më të mirët e muajit shtator

    Premier Liga shpall më të mirët e muajit shtator

    Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, është shpallur fitues i çmimit prestigjioz Lojtari i Muajit i Ligës Premier nga EA SPORTS për muajin shtator 2025, ndërsa trajneri më i mirë i muajit është shpallur Oliver Glasner.

    Gjatë muajit shtator, Haaland shënoi pesë gola dhe dha një asist, duke kontribuar drejtpërdrejt në gjashtë gola, dyfish më shumë se çdo lojtar tjetër në kampionat për të njëjtën periudhë.

    Në formën e tij të pandalshme, norvegjezi realizoi një dopietë vendimtare ndaj Burnley, një tjetër dopietë në derbin kundër Manchester United, si dhe shënoi në fitoren ndaj Arsenalit, ku City shkëlqeu me një lojë të shpejtë dhe kundërsulmuese.

    Me nëntë gola në shtatë ndeshjet e para të sezonit, Haaland po përjeton një nga startet më të fuqishme në historinë e Ligën Premier, duke konfirmuar statusin e tij si një prej sulmuesve më të frikshëm në botë.

    Ky është çmimi i katërt “Lojtari i Muajit” në karrierën e Haaland në Ligën Premier, një tjetër dëshmi e ndikimit të tij të jashtëzakonshëm në futbollin anglez që prej mbërritjes në “Etihad Stadium”.

    Në anën tjetër, trajneri më i mirë i muajit shtator është zgjedhur Oliver Glasner i Crystal Palace.

    Glasner gjatë muajit shtator ka arritur dy fitore dhe një barazim nga tri ndeshje të zhvilluara.

  • ​Kosovë – Slloveni, “Fadil Vokrri” i stërmbushur sonte për Dardanët

    ​Kosovë – Slloveni, “Fadil Vokrri” i stërmbushur sonte për Dardanët

    Kombëtarja e Kosovës do të luajë sonte një ndeshje tepër të rëndësishme kundër Sllovenisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.

    Interesimi i tifozëve ka qenë i jashtëzakonshëm dhe të gjitha biletat janë shitur, duke garantuar një atmosferë elektrizuese në tribuna. Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i stërmbushur, ndërsa “Dardanët” do të kenë përkrahjen e plotë të publikut në kërkim të një fitoreje të madhe.

    Pas dy ndeshjeve të para në Grupin B, Kosova renditet në vendin e dytë me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6 pikë të plota. “Dardanët” kanë një fitore dhe një humbje (me golavarazh 2:4), ndërsa Sllovenia ndodhet në vendin e katërt me vetëm një pikë pas dy takimeve të para.

    Skuadra e trajnerit Franco Foda kërkon fitoren e dytë në grup për të qëndruar në garë për vendet e para që sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin 2026. Atmosfera në ekip është pozitive dhe motivuese, ndërsa përballja e sontme pritet të sjellë spektakël në kryeqytet.

    Në Grupin B bëjnë pjesë gjithashtu Zvicra dhe Suedia, të cilat po garojnë për kualifikim në fazën finale të turneut më të madh të futbollit botëror.

  • Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i uron dardanëve fat për ndeshjen ndaj Sllovenisë

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i uron dardanëve fat për ndeshjen ndaj Sllovenisë

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka uruar Kombëtaren e Kosovës fat të mbarë në ndeshjen e sotme kundër Sllovenisë.

    Në këtë kontekst, Shefi i Misionit, z. Christian Böttcher, pati kënaqësinë të takohej me trajnerin e Kombëtares së Kosovës, z. Foda, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Weidner.

    Të dy sjellin përvojën dhe përkushtimin e tyre nga Gjermania, dhe me ta si pjesë e ekipit, Kosova gëzon mbështetje të plotë nga Gjermania.

    KosovaPress

  • Trëndafili – mbretëresha e kopshtit: e qëndrueshme, elegante dhe e përjetshme

    Trëndafili – mbretëresha e kopshtit: e qëndrueshme, elegante dhe e përjetshme

    Me plot meritë, trëndafilat mbajnë titullin “mbretëreshë e luleve”, jo vetëm për petalet e tyre të hijshme dhe aromën magjepsëse, por edhe për qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme që i karakterizon.

    Këto lule janë ndër bimët më mirënjohëse që mund të mbillni në kopshtin tuaj. Edhe pa ujitje të rregullt apo plehërim të shpeshtë, trëndafilat mund të mbijetojnë për vite të tëra. Mjafton të kujtoni ata që rriten në parqe publike – shpesh pa kujdes të vazhdueshëm, por që sërish lulëzojnë çdo sezon me plot ngjyra e jetë.

    Megjithatë, pak kujdes bazë pas mbjelljes do t’i ndihmojë të lulëzojnë më gjatë dhe më bukur, duke ju falur një kopsht plot aromë dhe elegancë.

    Koha më e mirë për mbjellje

    Pas periudhës së luleve verore, kur shumica e bimëve fillojnë të zbehen dhe kopshti humbet gjallërinë e tij, vjeshta është momenti ideal për të shtuar një freski të re.
    Trëndafilat lulëzojnë shpejt pas mbjelljes dhe do ta transformojnë pamjen e kopshtit tuaj.
    Nëse nuk arrini t’i mbillni tani, mund ta bëni edhe në nëntor, madje në zonat më të ngrohta – deri në dhjetor, për sa kohë që toka nuk është e ngrirë.

    Si t’i planifikoni dhe kombinoni

    Nëse dëshironi të krijoni një shtrat trëndafilash, mbillni 3 deri në 5 fidanë të së njëjtës varietet për një efekt më të plotë dhe uniform.
    Për kontrast më të gjallë, kombinoni ngjyra të ndryshme; ndërsa nëse doni një pamje harmonike e elegante, zgjidhni një ngjyrë të vetme për gjithë hapësirën.
    Trëndafilat duken veçanërisht bukur kur kombinohen me shkurre zbukuruese ose bimë shumëvjeçare me gjethe dekorative.

    Hapësira dhe kushtet e rritjes

    Trëndafilat rriten shpejt dhe, sipas varieteteve, mund të shtrihen horizontalisht apo të arrijnë lartësi të konsiderueshme.
    Lëreni 40–50 cm hapësirë ndërmjet fidaneve që të kenë mjaft ajër dhe dritë.
    Ata e duan diellin, ndërsa toka më e përshtatshme është ajo e pasur me humus dhe me drenazh të mirë, që rrënjët të mos qëndrojnë në ujë.

    Mbjellja dhe kujdesi

    Gjatë mbjelljes, sigurohuni që rrënjët të mbulohen plotësisht me dhe.
    Një nga sekretet për rritje të shëndetshme dhe lulëzim të pasur është prerja e rregullt, që ndihmon bimën të krijojë fidane të rinj dhe të ruajë formën e saj elegante.

    Në pranverë, ushqejini me plehra organikë ose kompost, ndërsa gjatë verës, ujitja më e mirë bëhet në mëngjes herët ose në mbrëmje, kur dielli nuk është i fortë.

     

  • ​Harry Kane i hapur për kontratë të re me Bayernin

    ​Harry Kane i hapur për kontratë të re me Bayernin

    Sulmuesi anglez Harry Kane ka lënë të kuptohet se mund të zgjasë qëndrimin e tij te Bayern Munich përtej vitit 2027, kur përfundon kontrata e tij aktuale.

    Kane tha se është i gatshëm të zhvillojë bisedime për një marrëveshje të re me klubin bavarez, ndërsa dëshira për t’u rikthyer në Premier League është zbehur.

    “E shoh patjetër mundësinë për ta vazhduar kontratën. Ende nuk kemi biseduar, por nëse lind nevoja, do të flisja hapur me Bayernin,” deklaroi 32-vjeçari.

    Që nga transferimi i tij nga Tottenham në vitin 2023, Kane ka qenë në formë të jashtëzakonshme, duke shënuar 103 gola në 106 ndeshje dhe duke fituar Bundesligën e Superkupën e Gjermanisë.

    “Kur u largova për herë të parë nga Anglia, do të kisha thënë se do të kthehesha patjetër. Tani, pas disa vitesh në Gjermani, ajo dëshirë është pak më e vogël, por asnjëherë nuk i dihet së ardhmes,” shtoi ai.

    Aktualisht, Kane ndodhet me kombëtaren e Anglisë, që të enjten do të zhvillojë një miqësore ndaj Uellsit në Wembley dhe më pas do të përballet me Letoninë më 14 tetor në Riga për kualifikueset e Kupës së Botës.

     

  • Realizohet fluturimi i parë direkt Jeddah – Prishtinë

    Realizohet fluturimi i parë direkt Jeddah – Prishtinë

    Aeroplani i linjës direkte Xhide – Prishtinë, me 66 pasagjerë në bord, ateroi në mëngjesin e së mërkurës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Kështu nga kjo e mërkure zyrtarisht u hap linja më e re ajrore për në Xhide të Arabisë Saudite, që ndryshe konsiderohet edhe si porta hyrës për myslimanët që vizitojnë Mekën dhe Medinën.

    “Ky rrugëtim është më shumë se një udhëtim, është urë mes popujve tanë dhe do të bëjë ndërlidhje. Kjo linjë shënon një kapitull të ri që forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Arabisë”, tha Gökhan Acikgoz, drejtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

    Përveç se u cilësoi moment historik, sipas ushtruesit të detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, linja e re do të ndikojë edhe në turizmin kosovar.

    “Besojmë se përmes rrugëtimeve dhe kontakteve do forcojmë më shumë bashkëpunimin mes dy popujve tanë që kanë traditë dhe kulturë të lashtë. Kjo linjë do të rrisë turizmin në Kosovë, do sjellë vizitorë nga Arabia dhe ata do të shijojnë bukuritë natyrore, ushqimin dhe mikpritjen e popullit tonë”, tha Durmishi.

    Veç turizmit, fluturimi direkt për në Xhide e anasjelltas do të ndikojë edhe në sektorin ekonomik.

    “Kosova është vend ideal për investitorë. Shpresoj që ato të gjejnë veten në tregun e Arabisë Saudite”, tha Lulzim Mjeku, ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite.

    Rëndësi më të veçantë kjo linjë direkte do ketë për Haxhilerët.

    “Hapja e zyrës së kësaj kompanie ndihmon udhëtarët me shërbime më cilësore, sidomos ata që kryejnë haxh dhe umre”, tha Faisal Ghazi Ismail Hifzi, ambasador i Arabisë Saudite.
    Kompania Flynas do ta realizojë fluturimin mes qytetit të dytë më të madh të Arabisë dhe Prishtinës.

    “Ne kemi bërë historinë duke lidhur Kosovën me Arabinë Saudite. Sot fillojmë me 3 fluturime në javë drejt Jeddah dhe shpresojmë që ky numër do të rritet, duke ju uruar fluturim të këndshëm me Flynas”, tha Abulelah Aledi, president i kompanisë “Flynas”.

    Nga Aeroporti i Prishtinës fluturimet drejt Xhides realizohen të mërkurën të premten dhe të dielën.

  • Lufta ekonomike, ekonomia e luftës dhe ekonomia e paqes

    Lufta ekonomike, ekonomia e luftës dhe ekonomia e paqes

    Nga akademik, prof. Anastas Angjeli

    “…Nuk do të jetë një luftë botërore, por një luftë ekonomike”, – ka deklaruar javë më parë Presidenti i SHBA, Donald Trump. Dhe ditë më parë, gjithashtu Presidenti Trump, riemërtoi Departamentin e Mbrojtjes në SHBA në Departamentin e Luftës. Dhe duket se koncepti i luftës ekonomike dhe i ekonomisë së luftës rierdhi në diskursin politik dhe ekonomik, që pas fillimit të luftës Rusi–Ukrainë. Ato u nxorën nga librat dhe “arkivat e bibliotekave ku ishin kyçur” që pas Luftës së Dytë Botërore, duke e kthyer në të spostuar tashmë termin “Ekonomia e paqes”. Kjo, sepse tashmë ndodhemi përballë faktit që ekonomia e luftës dhe bashkë me të edhe lufta ekonomike kanë filluar, janë një realitet. Një luftë, e cila është shfaqur në forma të ndryshme, që nga lufta tregtare dhe politika e re e tarifave deri te politika e sanksioneve etj.. Arsyet dhe ndikimet e kësaj lufte janë të ndryshme, por gjithsesi, në këtë periudhë po zhvillohen të lidhura dhe me dallimet e tyre edhe lufta ekonomike dhe ekonomia e luftës, duke iu larguar ekonomisë së paqes.

    LUFTA EKONOMIKE

    Çfarë është lufta ekonomike dhe në çfarë forme paraqitet ajo? Si koncept teorik, lufta ekonomike është përdorimi nga një vend i instrumenteve (mjeteve) ekonomike si një armë për të dëmtuar një vend tjetër. Lufta ekonomike paraqitet në forma nga më të ndryshmet, më të përdorshmet janë:

    – “Luftë” tregtare, tarifash dhe barrierash tregtare, e cila ka qenë në qendër të politikës tregtare të Presidentit Trump që me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Kjo luftë, këto 9 muaj të këtij viti është përdorur dhe po përdoret nga SHBA ndaj shumë shteteve (BE, Kanada, Meksikë, Japoni, etj.) si një instrument i rëndësishëm i “luftës tregtare” apo i ndryshimit të marrëdhënieve tregtare (sidomos me BE). Rezultatet e politikës së re të tarifave, deri më 1 gusht, janë bërë publike dhe ndërkaq kjo luftë vazhdon.

    – Lufta përmes “sanksioneve ekonomike”, që janë masa që kufizojnë marrëdhëniet ekonomike, financiare dhe tregtare me një subjekt të caktuar për qëllime politike ose sigurie. Politika e sanksioneve ekonomike është përdorur nga shtetet ose organizatat ndërkombëtare për të ndëshkuar ose penguar një shtet, një grup individësh ose kompani për veprime që këto institucione i shohin si të kundërta me normat ndërkombëtare të drejtësisë, sigurisë ose së drejtës ndërkombëtare. Qëllimi zakonisht është të ushtrohet presion politik/ ekonomik në mënyrë që subjekti që po sanksionohet të ndryshojë sjelljen – psh., të tërhiqet nga agresioni, të respektojë ligjet ndërkombëtare ose të respektojë të drejtat e njeriut. Aktualisht, rasti më tipik i sanksioneve janë ato të vendosura nga SHBA dhe BE ndaj Rusisë për shkak të luftës Rusi– Ukrainë.

    Disa nga format e sanksioneve janë:

    •Ngrirja e aseteve të personave/kompanive që janë subjekt sanksionesh.

    •Ndalimi i udhëtimeve (vizave) për persona të caktuar.

    •Embargot/ndalesa për eksport ose import të mallrave, shërbimeve ose teknologjisë. •Kufizime financiare, përfshirë pengesa në pagesa ndërkombëtare, transferime bankare, përdorimin e sistemeve ndërkombëtare financiare.

    •Masa që synojnë evazionin e sanksioneve, partnerët që mbështesin ose lejojnë evazionin.

    Sipas të dhënave të fundit, BE ka miratuar 18 paketa sanksionesh që kur filloi lufta e Rusisë në Ukrainë (22 shkurt 2022 deri më tani), të cilat përfshijnë më shumë se 2 500 individë dhe subjekte të sanksionuara. Gjithashtu, paketat më të fundit (18a) kanë përfshirë zgjerime të kuadrit të sanksioneve, përfshirë masa që godasin “flotën e hijeve” (shadow fleet) të anijeve që transportojnë naftë, si dhe shtimin e individëve/subjekteve me ndikim në sektorë të ndryshëm. Ndërsa Shtetet e Bashkuara (SHBA), deri në shkurt 2024, kanë sanksionuar 4 000 individë dhe subjekte, si masa që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me luftën e Rusisë në Ukrainë.

    Forma të tjera të luftës ekonomike që po përdoren janë: embargoja tregtare apo energjetike, bllokimet e ndryshme të ndihmave financiare, lufta përmes politikave monetare për të realizuar zhvlerësim të qëllimshëm të valutës për të krijuar avantazh, si dhe gjithashtu, në kohën e sotme mund të përdoren edhe spekulimet dhe tronditjet në tregjet dhe bursat financiare dhe të mallrave, kriptomonedhat, lufta për shtimin e rezervave në ar dhe sigurimi i metaleve të çmuara. Pra, qëllimi i luftës ekonomike është të dëmtohet ose të dobësohet kapaciteti ekonomik, financiar ose teknologjik i një vendi kundërshtar, për ta detyruar në këtë mënyrë të ndryshojë sjelljen politike apo strategjike, përmes instrumenteve ekonomike që përmendëm dhe pa përdorur armë. Historikisht, lufta ekonomike, veçanërisht ajo e sanksioneve, që pas Luftës së Dytë Botërore e deri tashmë me luftën Rusi–Ukrainë është përdorur dhe vazhdon të përdoret.

    PO EKONOMIA E LUFTËS, ÇFARË ËSHTË?

    “Në këtë kohë po thellohet më shumë një hendek i madh midis asaj që nga njëra anë, vendet janë të përgatitura të shpenzojnë për qëllime ushtarake, për të ofruar siguri dhe për të ruajtur statusin e fuqisë së tyre globale dhe rajonale, dhe nga ana tjetër, shpenzimeve për të zbutur varfërinë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik e social”. Ekonomia e luftës është një sistem ekonomik ku burimet kombëtare – si prodhimi, industria, teknologjia dhe fuqia punëtore – orientohen dhe mobilizohen për të mbështetur një konflikt të armatosur. Kjo ndodh zakonisht kur një vend është në gjendje lufte dhe qeveria e ndryshon funksionimin ekonomik për të përballuar nevojat ushtarake. Pra, “ekonomia e luftës” përfshin veprimet e ndërmarra nga një shtet për të mobilizuar ekonominë e tij në prodhim gjatë periudhës së luftës. Philippe Le Billon e përshkruan “ekonominë e luftës” si: “Sistemin e prodhimit, mobilizimit dhe shpërndarjes së burimeve për të mbështetur dhunën (luftën) — është një ekonomi lufte”. Për sa i përket kërkesës agregate, ky koncept është lidhur me “kejnsianizmin ushtarak”, ku buxheti i mbrojtjes stabilizon ciklin ekonomik në kushtet kur ekonomia hyn në recesion. Shembujt e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore tregojnë politikat e riarmatimit që u ndoqën në periudhat përkatëse. Zhvillimet e tri viteve të fundit si pasojë e luftës Rusi–Ukrainë po e rikonfirmojnë atë. Karakteristikat kryesore të ekonomisë së luftës janë:

    • Rritje e shpenzimeve ushtarake.

    • Mobilizim i industrisë për prodhim armësh.

    • Racionim i ushqimit, energjisë apo burimeve të tjera.

    • Kontroll shtetëror mbi çmimet dhe prodhimin.

    • Rikthim në “luftën e yjeve” — kontrolli i hapësirës.

    Shembull: Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë vende (si Gjermania, SHBA apo Bashkimi Sovjetik) kaluan në ekonomi të luftës, ku industria civile u kthye për prodhimin e armatimit.

    RRITJA E SHPENZIMEVE USHTARAKE DHE E PRODHIMIT USHTARAK — TIPAR I EKONOMISË SË LUFTËS?

    Duket se periudha e demilitarizimit po mbaron dhe një garë e re armatimesh po rishfaqet. Prandaj, një tipar dallues i një “ekonomie luftarake” konsiston pikërisht në rritjen e shpenzimeve ushtarake (prodhimit ushtarak). Po të shikojmë të dhënat për nivelin e prodhimit ushtarak për vitin 2020, vëmë re se në vendin e parë për shpenzimet ushtarake në raport me PBB-në është Rusia me 4.2% dhe pas saj Ukraina me 4%. Pra, rezistenca e popullit ukrainas që habiti botën mbështetej edhe në rritjen eksponenciale të shpenzimeve ushtarake, të cilat në vitin 2014 zinin më pak se 1% të GDP-së, ndërsa në vitin 2020 arritën në 4% të tij. Pas këtyre dy vendeve vijnë SHBA me 3.5% por me një PBB 2.5 herë më të madhe se Rusia, dhe më poshtë Kina me 1.8%, Italia me 1.7% dhe Gjermania me 1.4%. Sigurisht, përqindja ndaj PBB-së nuk tregon masën absolute të shpenzimeve ushtarake, por po të vëmë re, pas luftës të gjitha vendet rritën buxhetin e armatimeve.

    Për herë të parë Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore i është lejuar të ketë një buxhet ushtarak prej 2% të GDPsë. Pra, tendencat në rritje të buxheteve ushtarake janë shenja indirekte të një ekonomie të orientuar, të paktën nga parandalimi i luftës. Kjo u duk edhe në punimet e Samitit të NATO-s në Hagë. Pas përfundimit të këtij samiti, një shifër rezonon më fort se çdo deklaratë diplomatike: 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto duhet të jetë kontributi i çdo vendi anëtar të NATO-s për këtë aleancë. Ky është objektivi i ri që aleatët e NATO-s janë zotuar ta arrijnë deri në vitin 2035, një rritje e ndjeshme nga objektivi i mëparshëm prej 2%, i cili vetë përmbushej në mënyrë të pjesshme nga disa vende anëtare. Në mënyrë të dukshme, kjo shifër sinjalizon një ndryshim të madh në mënyrën si shtetet e përkufizojnë sigurinë dhe përparësitë strategjike. Ndërsa agresioni i Rusisë në Ukrainë, pasiguritë gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe tensionet e shtuara në Azinë Lindore e kanë rritur ndjeshmërinë ndaj kërcënimeve të jashtme, përpjekjet për të garantuar mbrojtjen kombëtare po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një strukturë të re ekonomike: atë që shumë analistë po e quajnë “ekonomia e luftës”. Të dhënat më të fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen në Stokholm (SIPRI) tregojnë se shpenzimet ushtarake globale arritën në mbi 2.718 trilionë dollarë në vitin 2024, nga rreth 2.113 trilionë dollarë në 2021, duke shënuar një rritje prej 6.8% (2024/2023) — një nivel i paparë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

    Në krye të kësaj liste qëndrojnë Shtetet e Bashkuara me 997 miliardë dollarë (2025) nga 801 miliardë dollarë (2021), ndjekur nga Kina me 314 miliardë, nga 293 miliardë dollarë në 2021, dhe Rusia me 149 miliardë në 2025 nga 65.9 miliardë USD në 2021. Gjithashtu, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, India dhe Arabia Saudite renditen gjithashtu ndër shpenzuesit e mëdhenj në rritje të shpenzimeve ushtarake. Veçanërisht, shtetet evropiane, që historikisht kanë pasur një profil më të ulët në raport me investimet ushtarake që nga vitet ‘90, po përjetojnë një rritje të fortë: buxhetet për mbrojtjen në kontinent u rritën mesatarisht me 16.7% në vitin 2024, me Gjermaninë që synon të dyfishojë shpenzimet e saj në vetëm katër vjet. Në këtë panoramë të gjerë, vendet e NATOs janë përballë një dileme të madhe politike dhe buxhetore: të ndjekin këtë standard të ri prej 5% të PBB-së për mbrojtjen ose të përballen me vështirësitë e përafrimit të plotë me Aleancën në aspektin strategjik dhe operativ. Kjo tendencë nuk është thjesht teknike, ajo riorienton gjithë logjikën e politikave publike, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi sektorët civilë si arsimi, shëndetësia, çështjet sociale, infrastruktura dhe tranzicioni ekologjik.

    Sipas vlerësimeve të analistëve evropianë, nëse Bashkimi Evropian do të ndjekë këtë rrugë deri në vitin 2035, do të nevojiten rreth 600–650 miliardë euro shtesë çdo vit, të cilat nuk janë të lehta për t’u siguruar pa cenuar prioritetet sociale. Nga ana ekonomike, efekti i menjëhershëm i shpenzimeve ushtarake mund të jetë pozitiv për sektorë të caktuar të industrisë dhe teknologjisë, veçanërisht në vendet që zotërojnë kapacitete të zhvilluara për prodhimin e pajisjeve ushtarake. Megjithatë, literatura ekonomike është e kujdesshme kur bëhet fjalë për ndikimin afatgjatë. Studiues të ndryshëm kanë vlerësuar se rritja e shpenzimeve ushtarake ka tendencë të ulë rritjen ekonomike në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, për shkak të fenomenit të “crowding out”, ku fondet e disponueshme për investime produktive zëvendësohen me financime për mbrojtjen. Për vendet me ekonomi më të vogla dhe me prioritete të shumta zhvillimore, si Shqipëria, këto dinamika kërkojnë analiza të kujdesshme dhe vendimmarrje strategjike. Shqipëria është angazhuar ndër vite për modernizimin e ushtrisë, për përmirësimin e infrastrukturës ushtarake, po përgatitet për të filluar zhvillimin e industrisë ushtarake dhe për përmbushjen e objektivave që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.

    Rritja graduale e buxhetit për mbrojtje përkon me një përpjekje për rritjen e besueshmërisë si aleat dhe për harmonizimin me standardet euroatlantike të sigurisë. Megjithatë, në një kontekst ku nevojat për investime në arsimin publik, kujdesin shëndetësor dhe social, zhvillimin teknologjik, infrastrukturën rurale dhe mbrojtjen e mjedisit mbeten të pranishme, është e domosdoshme që çdo vendim për rritjen e shpenzimeve ushtarake të analizohet në raport me ndikimin në mirëqenien e qytetarëve dhe qëndrueshmërinë ekonomike. Në këtë sfond kompleks, përkufizimi i sigurisë po kalon nga një koncept i gjerë që përfshinte zhvillimin, mirëqenien dhe paqen e qëndrueshme, në një model të ngushtë të bazuar mbi përgatitjen për përballje ushtarake. Rreziku është që ky tranzicion të mos jetë thjesht reagim ndaj një realiteti të tensionuar ndërkombëtar, por të shndërrohet në një politikë të qëndrueshme që e riorienton thellësisht mënyrën se si funksionojnë shtetet, përfshirë në fushën e edukimit qytetar dhe të formësimit të brezave të rinj. Kësisoj, në vendin tonë, ruajtja e ekuilibrit midis përkushtimit për sigurinë kolektive dhe ruajtjes së investimeve në zhvillimin social është jetike.

    Siguria e qëndrueshme, padyshim ndërtohet bazuar mbi teknologji ushtarake dhe strategji mbrojtjeje, por njëkohësisht edhe mbi institucione të forta, qytetarë të mirarsimuar, shërbime publike të aksesueshme dhe një mjedis të shëndetshëm. Në këtë kuptim, çdo vendim për buxhetet ushtarake nuk është thjesht teknik — është një zgjedhje politike që flet për vizionin që një shoqëri ka për të ardhmen. “Racionimi” është një tipar tjetër i ekonomisë së luftës. Shumë vende të BE-së po ndërmarrin skema ekonomike që ngjajnë me gjithë elementet e ekonomisë së luftës. Një nga tiparet e ekonomisë së luftës është racionimi. A po ndodh kjo në ekonominë europiane? Sinjalet tregojnë se po ndodh ky fenomen. Kjo duket në politikat që Komisioni Evropian po ndjek për racionimin e përdorimit të energjisë elektrike dhe të gazit, pezullimet që i kërkohen vendeve të BE-së për të mos u furnizuar me naftë dhe gaz nga Rusia (që u theksua dhe nga letra e fundit e Presidentit Trump), problemet në zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore e drithëra të bukës që, sa kohë vazhdon lufta Rusi–Ukrainë, ato janë prezentë etj.. Gjithë kjo situatë në fakt është tipar i një ekonomie lufte, por në thelbin e saj ekonomik ka rritjen e madhe të kostove si në lëndët e para ashtu dhe në çmimet e faktorëve të prodhimit.

    EKONOMIA E PAQES

    “Nga të gjithë armiqtë për liri publike, lufta është ndoshta më e tmerrshmja, sepse ajo përfshin dhe zhvillon mikrobin e secilit. Lufta është prindi i ushtrive. Nga këto burojnë borxhet dhe taksat… Instrumente të njohura për të vënë të shumtët nën dominimin e të paktëve… Asnjë komb nuk do të mund ta ruante lirinë e tij në mes të luftës së vazhdueshme”.

    —James Madison, 4th President of the USA, Political Observations, 1795

    Zhvillimet në luftën ekonomike dhe ekonominë e luftës, sidomos këto tri vitet e fundit, pas fillimit të luftës Rusi–Ukrainë, dëshmojnë për një spostim nga zhvillimet e mëparshme të ekonomisë së paqes, që pas Luftës së Dytë Botërore ishte prioritet i zhvillimit. Ekonomia e paqes është një koncept që fokusohet në ndërtimin e një ekonomie që mbështet paqen, stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë. Kjo do të thotë përdorim i burimeve për të parandaluar konfliktet dhe për të promovuar drejtësi sociale, mirëqenie dhe bashkëpunim mes kombeve. Disa elemente kryesore të ekonomisë së paqes janë:

    • Investim në arsim, shëndetësi dhe zhvillim social.

    • Ulje e shpenzimeve ushtarake. • Bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar.

    • Ndërtim i institucioneve demokratike dhe të qëndrueshme.

    Programet e rindërtimit pas luftërave (si “Plani Marshall” në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, apo programe të tjera të ngjashme për rindërtim pas luftërave rajonale) janë shembuj të aplikimit të ekonomisë së paqes. Përgjigjja ndaj pyetjes se cila lloj ekonomie është më e dobishme, sigurisht që është ekonomia e paqes.

  • Zyrtare: Arsim Abazi jep dorëheqje nga posti i trajnerit të FC Ferizaj

    Zyrtare: Arsim Abazi jep dorëheqje nga posti i trajnerit të FC Ferizaj

    Pas përfundimit të ndeshjes së sotme ndaj Prishtinës, FC Ferizaj ka njoftuar se kryetrajneri Arsim Abazi dhe stafi i tij kanë dhënë dorëheqje nga detyrat e tyre në klub.

    Në një deklaratë zyrtare, klubi ka bërë të ditur se presidenti Lulzim Abazi dhe drejtori sportiv Genc Hyseni e kanë pranuar dorëheqjen, megjithëse mbështetja ndaj trajnerit dhe stafit të tij ka qenë e palëkundur gjatë gjithë mandatit të tyre.

    “FC Ferizaj e falënderon kryetrajnerin Arsim Abazi dhe stafin e tij për kontributin e tyre të çmuar. Me të në krye, klubi arriti të rikthehej në Superligë dhe ishte pretendent serioz për një vend në garat evropiane,” thuhet në komunikatën e klubit.

    Klubi gjithashtu ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar nga Abazi, duke theksuar se ai do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e historisë së FC Ferizaj.

    “I urojmë trajnerit Abazi shumë shëndet dhe suksese në karrierën e tij të mëtejme,” përfundon njoftimi.

    Aktualisht nuk është bërë e ditur se kush do ta marrë drejtimin e skuadrës, ndërsa pritet që drejtuesit e klubit të reagojnë në ditët në vijim me emërimin e trajnerit të ri./ATVLIVE.TV

  • Ministria e Mbrojtjes “mbetet” pa mobile, tenderi 138 mijë eurosh iu dha një kompanie të papërgjegjshme

    Ministria e Mbrojtjes “mbetet” pa mobile, tenderi 138 mijë eurosh iu dha një kompanie të papërgjegjshme

    Në Ministrinë e Mbrojtjes së fundmi ishte shfaqur nevoja për furnizim me mobile të reja dhe inventar.

    Andaj, ky institucion i ndau afro 138 mijë euro për tenderin përkatës.

    Ditë më vonë, fituese u zgjodh operatori ekonomik Mobelland, me ofertën më të ulët.

    Por, Ministrisë do t’i duhet edhe për një kohë të funksionojë me mobilet e vjetra.

    Tenderi për ato të rejat, përfundoi në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas ankesës së kompanisë Wood Corporation, e cila pretendon se operatori fitues nuk i plotësonte kriteret.

    Një ndër pretendimet kryesore të operatorit ekonomik ankues, është mungesa e specifikimeve për mobilet që do të vendosen në Ministri e FSK.

    Aktualisht, komisioni i gjykatës së tenderëve ende nuk ka marrë vendim në këtë rast. Por, nëse ankesa shpallet e pabazuar, operatori ekonomik ankues detyrohet t’i paguajë kompensim hiç më pak se 5000 euro.

  • Një hap i ri drejt bamirësisë dhe ruajtjes së mjedisit – përmes bankomatit të NLB Bankës

    Një hap i ri drejt bamirësisë dhe ruajtjes së mjedisit – përmes bankomatit të NLB Bankës

    NLB Banka dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë kanë lansuar një formë të re, të thjeshtë dhe të qasshme të dhurimit për fëmijët pa përkujdesje prindërore që jetojnë në SOS Fshatra.

    Tani, çdo klient i NLB Bankës, gjatë përdorimit të bankomatit, ka mundësinë të zgjedhë mos ta printojë faturën e transaksionit, dhe shumën e kursyer nga kjo zgjedhje mund ta dhurojë për fëmijët në nevojë.

    Ky partneritet përfaqëson dy vlera të rëndësishme:
    • Dashurinë dhe kujdesin për fëmijët që kanë nevojë për përkrahje, dhe
    • Përgjegjësinë ndaj ambientit, për një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

    Si funksionon?
    • Pas përfundimit të transaksionit, në ekran shfaqet opsioni: “Printo faturën” ose “Kontribuo”.
    • Klienti zgjedh të kontribuojë për fëmijët e SOS Fshatrave.
    • Cdo shumë e kursyer do të dyfishohet nga NLB Banka, duke e rritur ndikimin dhe mbështetjen për të ardhmen e fëmijëve, pa asnjë kosto për klientin.

    Kaq e thjeshtë është të mbështesësh ëndrrat e fëmijëve në nevojë dhe të kontribuosh në ruajtjen e natyrës. Sepse fëmijët dhe natyra janë dy nga pasuritë më të çmuara të Kosovës.
    Mos printo faturën. Dhuro dashuri. Ruaj ambientin.