ATV

Author: ATVLive

  • Poeti Lulzim Tafa nderohet me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”

    Poeti Lulzim Tafa nderohet me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”

    Në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, data 23 tetor u shënua me një ceremoni të veçantë kushtuar letërsisë shqipe. Në këtë ditë të shenjtë, u kujtua lindja e Gjergj Fishtës, një prej figurave më të mëdha të letërsisë kombëtare.

    Në një ambient të ngrohtë kulturor, Shqipëria hapi dyert për të nderuar edhe zërat poetikë, trashëgimtarë të flakës së Fishtës.

    Në mesin e tetëdhjetë poetëve të pranishëm, poeti i njohur kosovar Lulzim Tafa u nderua me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”.

    “Kur një poet vlerësohet me një çmim është gjë e bukur sepse do të thotë se fjala e tij e ka prekur dikë. Unë poezinë kurrë nuk e kam konsideruar arritje, poezinë gjithmonë e kam konsideruar ecje. Ndoshta duke qenë edhe shkollë e Ali Podrimjes, sepse i takoj gjeneratës së poetëve të viteve të 90-ta në Kosovë. Podrimja kishte një varg ku thoshte “poezia më e bukur nuk është shkruar ende” – dhe një gjysmë-vargu tjetër që thoshte “as nuk është shkruar kurrë””, tha Tafa pasi e pranoi çmimin.

    Poeti Tafa theksoi se pavarësisht shumë çmimeve ndërkombëtare që ka marrë, ky i fundit ka një rëndësi të veçantë, të cilin do ta ruajë si një thesar i çmuar në sirtarin e tij.

    “Ky çmim më bën nder për disa arsye. E para, sepse ndahet nga një juri profesionale dhe shumë kompetente. Pastaj, sepse më jepet në një qytet historik. Kur një poet merr një çmim që mban emrin e një poeti, një shkrimtari që ka lënë gjurmë në ndërgjegjen dhe ndjeshmëritë e kombit, atëherë ai nder bëhet edhe përgjegjësi”, shtoi Tafa.

    Në këtë organizim u ndanë edhe dy çmime tjera mbarëkombëtare. Çmimi për roman iu dha Ermal Hasimjës, kurse asi për përkthim, Milena Selimit.

    Ceremonia, herë pas here shoqërohej me pika muzikore të gërshetuara nga veprat e Fishtës.

    Juria, e përbërë nga emra të njohur të letërsisë, me kryetar Rudolf Markun, si dhe anëtarët tjerë Bajram Kosumin e Renestina Halilin, vlerësoi me kujdes të madh përzgjedhjen e fituesve, duke theksuar nivelin e lartë të krijimtarisë së tyre.

    Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerrin Ndreu, u shpreh krenar që kjo ceremoni u mbajt siç tha, në tokën e begatë të letërsisë.

    “Duke qenë se Lezha quhet qyteti i muzës, ku në fakt letërsia këtu ka një shenjë shumë të madhe, ka autorë të jashtëzakonshëm”, u shpreh Ndreu.

    Për të pestin vit me radhë, Lezha vazhdon traditën e organizimit të kësaj ceremonie përkujtimore në nder të Gjergj Fishtës dhe për të mbështetur poetët që vazhdojnë të kontribuojnë në letërsinë shqipe.

    Letërsia, siç u theksua, mbetet një pasuri e përhershme e një dritë që ndriçon kombin.

  • Skuadrat angleze te pandalshme në Ligën e Kampionëve, pesë prej tyre fituan me rezultate bindëse

    Skuadrat angleze te pandalshme në Ligën e Kampionëve, pesë prej tyre fituan me rezultate bindëse

    Në xhiron e tretë të Ligës së Kampionëve, klubet angleze kanë dhuruar spektakël të vërtetë në fushë, duke dominuar kundërshtarët e tyre me rezultate bindëse.

    Arsenali tregoi forcë të jashtëzakonshme në “Emirates Stadium”, duke e shkatërruar Atletico Madridin me rezultat të thellë 4:0. Skuadra e Artetës po dëshmon se është ndër më të fortat aktualisht në Evropë.

    Në Gjermani, Liverpooli i Jurgen Kloppit zhvilloi një ndeshje perfekte, duke triumfuar 1:5 ndaj Eintracht Frankfurt. Sulmi i “The Reds” ishte thjesht i papërmbajtshëm.

    Në Londër, Chelsea gjithashtu bëri festë të madhe përballë Ajaxit, duke fituar me rezultat 5:1, në një ndeshje ku londinezët dominuan në çdo aspekt të lojës.

    Ndërkohë, Newcastle United vazhdon surprizat pozitive në Evropë – fitorja e pastër 3:0 ndaj Benficas konfirmon se “magpies” janë bërë një forcë serioze.

    Kurse Manchester City fitoi 0:2 përballë Villarreal në Spanjë.

    I vetmi ekip që nuk arriti të triumfojë ishte Tottenham Hotspur, që barazoi pa gola 0:0 në fushën e Monacos.

    Në total, skuadrat angleze kanë regjistruar 5 fitore të mëdha, 1 barazim dhe asnjë humbje – një sinjal i qartë se Premier League është Liga më skuadrat më të mira në Botë./ATVSPORT

     

     

  • Sonte zhvillohet super ndeshja Real Madrid – Juventus, i pranishëm edhe Zhegrova

    Sonte zhvillohet super ndeshja Real Madrid – Juventus, i pranishëm edhe Zhegrova

    Vazhdojnë edhe sot ndeshjet e treta të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

    9 ndeshje do të zhvillohen edhe sonte, me ndeshjet e para si Athletic-Qarabag dhe Galatasaray-Bodo Glimt që nisin nga 18:45.

    Vëmendja e mbrëmjes do të jetë dueli i titanëve mes Real Madridit dhe Juventusit.

    Vlen të theksohet se ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, do të jetë në listë për këtë ndeshje, por nuk dihet ende nëse do të startojë nga minuta e parë.

    Këto janë ndeshjet tjera që do të zhvillohen:

  • Dollari dhe euro dixhitale: Lindja e një epoke të re monetare

    Dollari dhe euro dixhitale: Lindja e një epoke të re monetare

    Nga Prof. Adrian Civici

    Epoka e “parave inteligjente” ka nisur, dhe fati i saj do të matet jo me shpejtësinë e kodit, por me aftësinë për të mbajtur në ekuilibër lirinë individuale, besimin publik dhe përgjegjësinë demokratike në një botë gjithnjë e më algoritmike. Dhe si çdo revolucion financiar – nga ari te letra, nga letra te karta, dhe sot nga karta në kod – ai nuk do të matet me shpejtësinë e inovacionit, por me aftësinë për të mbajtur në ekuilibër lirinë, besimin dhe përgjegjësinë publike.

    Monedhat dixhitale të bankave qendrore po shndërrohen sot në arenën më të re të garës për pushtet financiar global. Pas valës së kriptomonedhave dhe inovacioneve të decentralizuara si Bitcoin, Shtetet dhe bankat qendrore po marrin në dorë flamurin e revolucionit monetar, për ta riformatuar paranë jo më si letër apo monedhë metalike, por si kod, algoritëm dhe kontroll dixhital. Kjo lëvizje nuk është e rastësishme. Historia e parasë është historia e besimit dhe kontrollit. Çdo epokë monetare ka pasqyruar ndryshimet më të thella të rendit politik dhe ekonomik të kohës. Në shek.XXI, ky rend po futet në fazën e tij algoritmike, ku kodi kompjuterik po zëvendëson arin si themel i besimit monetar. Tashmë, koncepti i “parave dixhitale” ka kaluar nga forumet anonime online në zemrën e strategjisë monetare globale. Ajo që në vitin 2009 nisi si një eksperiment libertarian, një përpjekje për t’i shpëtuar kontrollit të qeverive dhe bankave, sot është bërë mjeti kryesor i vetë bankave qendrore për të ruajtur sovranitetin monetar në epokën e inteligjencës artificiale.

    Në një kuptim të gjerë, “jemi duke parë rishpikjen e parasë”. Në antikitet, mbretërit e stampuan figurën e tyre në monedha për të shprehur pushtetin. Në epokën moderne, bankat qendrore shtypën kartëmonedha për të mbajtur nën kontroll ofertën monetare. Në epokën dixhitale, ky sovranitet monetar po transferohet në sferën e informacionit: kush kontrollon kodin, rrjetin dhe të dhënat, kontrollon edhe vlerën. Sipas Bankës për Rregullime Ndërkombëtare, mbi 130 banka qendrore në të gjithë botën janë duke eksploruar, testuar ose zhvilluar monedhat e tyre dixhitale kombëtare. Ky është një rekord historik: asnjëherë më parë, një inovacion monetar nuk është përqafuar kaq gjerësisht e kaq shpejt në nivel global. Historia e parasë është e pandarë nga historia e besimit dhe e kontrollit shtetëror ; një narrativë që ka kaluar nga metalet e çmuara të lashtësisë, tek standardet e arit të Epokës Klasike (shek. XIX-XX), dhe më pas tek monedhat fiat post-Bretton Ëoods, vlera e të cilave mbështetet vetëm në besimin (fides) ndaj qeverive. Sot, ky rend po futet në fazën e tij algoritmike, ku protokolli dhe kodi kompjuterik po zëvendësojnë arin si themel i garancisë monetare.

    Kina ka kaluar nga testimi në përdorim real të “e-CNY”, duke krijuar një infrastrukturë të sofistikuar për pagesat publike, pagesat ndërkombëtare dhe përfshirjen financiare të popullsisë. BE ka përfunduar fazën përgatitore të euros dixhitale, një projekt që synon të ruajë peshën ndërkombëtare të euros dhe të modernizojë sistemin e pagesave në kontinent. Ndërkohë, Rezerva Federale e SHBA po studion dollarin dixhital si një instrument të ri për ruajtjen e epërsisë globale të monedhës amerikane, në një botë ku konkurrenca monetare nuk ndodh më në tregjet e arit apo të obligacioneve, por edhe në hapësirën kibernetike.

    Në fakt, rrugëtimi nga Bitcoin tek monedhat dixhitale shtetërore është një nga sfidat më të mëdha të historisë monetare: një teknologji që u krijua për të shmangur bankat qendrore, po bëhet sot instrumenti i tyre më i fuqishëm. Bankat qendrore po kërkojnë jo vetëm të modernizojnë sistemet e pagesave, por të rikthejnë kontrollin mbi një hapësirë financiare që po bëhej gjithnjë e më e fragmentuar e decentralizuar. Në epokën e re të “inteligjencës financiare”, ku algoritmet marrin vendime për kreditë, tregjet dhe investimet, paraja dixhitale e bankave qendrore është bërë thembra e Akilit dhe simboli i sovranitetit të ri monetar. Në këtë betejë, inovacioni teknologjik është mjeti; qëllimi është kontrolli mbi rrjedhën e vlerës, dhe, kontrolli mbi pushtetin ekonomik global.

    Pas një dekade eksperimentesh, vetë bankat qendrore kuptuan se nuk mund të injoronin këtë revolucion, përkundrazi, duhej ta përvetësonin atë. Kështu nisi faza e dytë e evolucionit dixhital të parasë: nga kriptoanarkia te institucionalizimi. CBDC-të — monedhat dixhitale të bankave qendrore — janë, fëmijët e “rebelimit kripto” të adoptuar nga shteti.

    Filozofia që ndryshoi kuptimin e parasë

    Në dhjetor 2008, një figurë enigmatike me pseudonimin Satoshi Nakamoto publikoi një dokument të shkurtër: “Bitcoin: A Peer-to-Peer Electronic Cash System.” Në vetëm 9 faqe, ajo përmbante një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj gjithë sistemit financiar botëror. Ideja ishte radikale: të krijohej një sistem pagese që nuk kishte nevojë për banka, qeveri apo autoritete qëndrore, një sistem i bazuar jo te besimi, por te algoritmi. Bitcoin ishte një “revoltë financiare”, një formë e re lirie ekonomike, që kërkonte të çlironte paranë nga kontrolli i shtetit. Ishte pasardhësi ideologjik i teorive libertariane dhe anarshiste të tregut të lirë, që kishin lindur pas krizave financiare të shekullit XX dhe kulmuan me krizën globale të vitit 2008. Bitcoin u paraqit si reagim ndaj dështimit të bankave dhe ndërhyrjeve qeveritare, një mënyrë për të ndërtuar një sistem që nuk mund të manipulohej nga politika monetare, apo nga interesat e korporatave të mëdha. Por me kalimin e viteve, romantizmi libertarian i kriptovalutave hasi në realitetin e ekonomisë moderne: paqëndrueshmëri ekstreme, mungesë garancie, spekulim masiv dhe përdorim për qëllime të paligjshme. Kjo përvojë nxori në pah paradoksin themelor të parasë dixhitale: pavarësia teknologjike pa garanci institucionale prodhon kaos, jo stabilitet.

    Pas një dekade eksperimentesh, vetë bankat qendrore kuptuan se nuk mund të injoronin këtë revolucion, përkundrazi, duhej ta përvetësonin atë. Kështu nisi faza e dytë e evolucionit dixhital të parasë: nga kriptoanarkia te institucionalizimi. CBDC-të — monedhat dixhitale të bankave qendrore — janë, fëmijët e “rebelimit kripto” të adoptuar nga shteti.

    Filozofia e Bitcoin-it u nda në dy pjesë: Teknologjia (blockchain, kriptografia, transaksionet e menjëhershme) u përvetësua; Ideologjia (decentralizimi, anonimiteti, mungesa e autoritetit) u braktis. Në një analizë mbi “dollarin dixhital”, ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney: “Nëse Bitcoin ishte një akt rebelimi, monedhat dixhitale të bankave qendrore janë përgjigjja institucionale — një mënyrë për të rikthyer besimin në një sistem që po shpërbëhej.”

    Euroja dhe dollari dixhital nuk janë “monedha të reja”, por formate të reja të parasë ekzistuese. Ato janë projektuar për të bashkëjetuar me monedhën fizike, kartat, pagesat elektronike dhe sistemet bankare, por duke futur një element të ri: lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarit me bankën qendrore, pa ndërmjetës. Por përtej efikasitetit teknik, filozofia e këtij transformimi është thellësisht politike. Nëse Bitcoin përfaqësonte një liri të pakontrolluar, euro dhe dollari dixhital përfaqësojnë një liri të administruar, të bazuar në besimin institucional dhe në kontrollin e rregullt të sistemit monetar. Kjo dilemë “midis lirisë dhe stabilitetit” është thelbi i debatit të sotëm global mbi të ardhmen e parasë. Ekonomistët e shohin si “evolucion natyral të teknologjisë monetare”, filozofët si “riformatim të besimit shoqëror”, ndërsa politikanët si “instrument të sovranitetit kombëtar në epokën dixhitale”. Sipas Niall Ferguson “Çdo formë e re e parasë ka ndryshuar mënyrën si njerëzit besojnë tek njëri-tjetri, si krijojnë vlerë dhe si e shpërndajnë pushtetin.” Pra, monedhat dixhitale të bankave qendrore nuk janë thjesht inovacion teknologjik, por shprehja më e fundit e një procesi të gjatë, ku paraja evoluon bashkë me pushtetin që e kontrollon atë. Nga ari i mbretërve te kartëmonedhat e shteteve, e deri te kodet e bankave qendrore, historia e parasë mbetet historia e autoritetit ekonomik mbi individin. Sot, ky autoritet nuk ndodhet më në një kasafortë, por në një server të koduar.

    Euroja dhe dollari dixhital nuk janë “monedha të reja”, por formate të reja të parasë ekzistuese. Ato janë projektuar për të bashkëjetuar me monedhën fizike, kartat, pagesat elektronike dhe sistemet bankare, por duke futur një element të ri: lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarit me bankën qendrore, pa ndërmjetës.

    Mjete të reja të politikës monetare dhe garës gjeopolitike

    Në botën e sotme, monedha nuk është më vetëm një instrument ekonomik, por një infrastrukturë strategjike e pushtetit. Projekti i euros dhe dollarit dixhital nuk është thjesht një hap teknologjik, por një akt politik i epokës dixhitale; një përpjekje për të siguruar që fuqitë tradicionale monetare të mos humbasin terren në garën e re të parave algoritmike. Sipas BQE, qëllimi i euros dixhitale është i dyfishtë: “Të garantojë aksesin e qytetarëve në një mjet pagese të sigurt, të besueshëm dhe të garantuar nga shteti, në një ekonomi, që po bëhet gjithnjë e më dixhitale.” Rezerva Federale e SHBA-së e sheh dollarin dixhital si një mjet për të përmirësuar efikasitetin e pagesave ndërkombëtare, për të ulur kostot e transaksioneve dhe, më e rëndësishmja, për të ruajtur statusin e dollarit si monedha rezervë botërore.

    Koncepti është i thjeshtë: një qytetar do të ketë mundësinë të mbajë euro ose dollarë dixhitalë në një portofol elektronik të hapur direkt pranë bankës qendrore, pa ndërmjetës bankar. Kjo do të mundësojë transaksione të menjëhershme, transparente dhe me kosto minimale. Por, çdo revolucion financiar ka edhe dyshimet e veta. Një sistem ku bankat qendrore kontrollojnë drejtpërdrejt transaksionet, krijon një sasi të paprecedentë të dhënash monetare, duke ngritur pikëpyetje mbi privatësinë dhe lirinë financiare. Sipas Harald Malmgren, “monedhat dixhitale të bankave qendrore mund të kthehen në ekuivalentin financiar të kamerave të sigurisë; përmirësojnë rendin, por e kufizojnë lirinë.” Kjo është dilema themelore e epokës së re: si të ruhet ekuilibri midis transparencës dhe privatësisë. Ky realitet nxori në pah paradoksin themelor të parasë dixhitale: Paraja, për të qenë funksionale dhe e qëndrueshme, kërkon mbështetjen e një autoriteti sovran.

    Në modelin evropian, është propozuar që pagesat e vogla të mbeten anonime deri në një kufi të caktuar, ndërsa transaksionet e mëdha do të jenë të gjurmueshme. Në SHBA, debati është më i polarizuar. Mbështetësit e dollarit dixhital e shohin si garanci për lidershipin financiar të Amerikës dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në sistemin financiar; kritikët, përkundrazi, e cilësojnë si rrezik për privatësinë dhe një hap drejt “shtetit që di gjithçka për portofolin tënd”. Ky qëndrim dallon nga ai i BQE, e cila është më e avancuar në fazën e zhvillimit të euros dixhitale. FED e vë theksin te rëndësia e ruajtjes së stabilitetit financiar dhe të drejtave të privatësisë.

    Një ekuilibër i ri midis shtetit dhe tregut

    Monedhat dixhitale të bankave qendrore po ndryshojnë arkitekturën tradicionale të sistemit financiar. Nëse qytetarët mund të mbajnë para drejtpërdrejt në bankën qendrore, atëherë roli klasik i bankave tregtare si depozituese dhe ndërmjetëse vihet seriozisht në pikëpyetje. Kjo nuk është një çështje teknike, por një rishpërndarje e pushtetit financiar. Jean Pisani-Ferry paralajmëron: “CBDC-të mund të rishkruajnë tërësisht arkitekturën e sistemit financiar, duke e detyruar sektorin bankar të shpikë veten nga e para.” Nga njëra anë, kjo do të ulë kostot e transaksioneve dhe të zvogëlojë varësinë nga kreditë e bankave tregtare, duke nxitur inovacione në financimin alternativ; nga ana tjetër, ajo krijon një rrezik të ri: në rast paniku financiar, “ikja dixhitale e depozitave” mund të ndodhë në sekonda, shumë më shpejt se çdo krizë bankare klasike. Në këtë mënyrë, CBDC-të nuk janë vetëm mjet pagesash; ato janë mekanizma të rinj të politikës monetare dhe të menaxhimit të krizave. CBDC-të mund t’i japin bankave qendrore një mjet të ri të fuqishëm për injektimin ose tërheqjen e likuiditetit në kohë reale. Teorikisht, kjo lejon implementimin e normave të interesit negativ ose pozitiv direkt në portofolin dixhital të çdo qytetari, duke e bërë politikën monetare më të shpejtë, më efikase dhe më të targetuar. Por, kjo rrit rrezikun e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta politike dhe rrit nevojën për pavarësi të Bankës Qendrore.

    Gjeopolitika e parasë dixhitale

    Në sfond të gjithë këtij transformimi, po zhvillohet një garë e heshtur gjeopolitike.
    Kina ka qenë ndër të parat që e ka përdorur e-yuanin (e-CNY) jo vetëm për përdorim të brendshëm, por edhe si mjet për transaksione ndërkombëtare me vendet e Azisë dhe Afrikës, duke testuar mundësinë e një alternative ndaj sistemit SËIFT që dominohet nga Perëndimi.
    Rusia, India, Brazili dhe vendet e grupit BRICS po eksperimentojnë me modelet e tyre kombëtare të CBDC-ve, me synimin e përbashkët për të zvogëluar varësinë nga dollari amerikan. Kina ka shfrytëzuar e-Yuan-in jo vetëm për modernizimin e brendshëm, por edhe për të sfiduar sistemin ndërkombëtar të pagesave, të dominuar nga dollari dhe sistemi SËIFT. Përdorimi i e-CNY në transaksionet tregtare me vendet e Azisë dhe Afrikës, dhe eksplorimi i urave ndërkufitare CBDC (p.sh., Project mBridge i BIS) synon të ofrojë një alternativë të shpejtë dhe pa ndërmjetës perëndimorë. Ky mekanizëm është një mjet i mundshëm për shmangien e sanksioneve financiare ndërkombëtare.

    BE dhe SHBA e shohin zhvillimin e monedhave dixhitale jo vetëm si inovacion ekonomik, por si mbrojtje strategjike ndaj ndikimit monetar. Ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, u shpreh: “Bota po shkon drejt një sistemi të shumëfishtë monetar. Ai që përcakton standardet dixhitale të parasë sot, do të përcaktojë rregullat e tregtisë së nesërme.” Kjo është arsyeja pse euro dhe dollari dixhital janë më shumë se projekte financiare: ato janë instrumente të politikës së jashtme, të sigurisë dhe të identitetit ekonomik. Në këtë garë, teknologjia është terreni, por pushteti është çmimi.

    Dilemat e së ardhmes

    Në thelb, CBDC-të janë përgjigjja institucionale ndaj kriptomonedhave. Nëse Bitcoin mishëron lirinë absolute, euro dhe dollari dixhital mishërojnë besimin e organizuar. Nëse Bitcoin sfidon autoritetin, CBDC-të përpiqen ta ripërkufizojnë autoritetin në epokën dixhitale. Por pyetja qëndron: a po krijojmë një sistem më të drejtë dhe përfshirës, apo një mekanizëm të ri kontrolli të centralizuar financiar? Siç argumenton Kenneth Rogoff : “E ardhmja e parasë nuk do të përcaktohet nga teknologjia, por nga mënyra si shoqëritë vendosin të balancojnë lirinë individuale me interesin publik”. Marrëdhënia midis CBDC-ve dhe kriptomonedhave private “mund të quhet si një bashkëjetesë e tensionuar”: CBDC (Centralizimi), synon të sigurojë që revolucioni dixhital i parasë të jetë i rregulluar dhe i sigurt, duke ruajtur stabilitetin financiar. Kriptovalutat Private (Decentralizimi) veprojnë si një forcë nxitëse e inovacionit dhe një sfidë ideologjike ndaj fuqisë së shtetit. Për Bankat Qendrore, strategjia është e dyfishtë: të minimizojnë rreziqet e kriptomonedhave private (duke i rregulluar rreptësisht ose duke i diskualifikuar si para të rrezikshme) dhe të adoptojnë teknologjinë e tyre përmes CBDC-ve për të ofruar një alternativë zero-risk dhe sovrane. Paraja po humbet trupin e saj fizik, por jo shpirtin e saj politik. Euro dhe dollari dixhital nuk janë vetëm inovacione teknologjike, ato janë projektime të pushtetit, besimit dhe sovranitetit në një botë që po bëhet plotësisht dixhitale.

    Epoka e “parave inteligjente” ka nisur, dhe fati i saj do të matet jo me shpejtësinë e kodit, por me aftësinë për të mbajtur në ekuilibër lirinë individuale, besimin publik dhe përgjegjësinë demokratike në një botë gjithnjë e më algoritmike. Dhe si çdo revolucion financiar – nga ari te letra, nga letra te karta, dhe sot nga karta në kod – ai nuk do të matet me shpejtësinë e inovacionit, por me aftësinë për të mbajtur në ekuilibër lirinë, besimin dhe përgjegjësinë publike.

  • Thirrje për konsulentë – Cerek Miliarde Pezull

    Thirrje për konsulentë – Cerek Miliarde Pezull

    ATV fton të gjithë hulumtuesit e fushës së gazetarisë, politikave, ekonomisë dhe sportit të aplikojnë pozitën e konsulentit/e së jashtëm për dokumentari CEREK MILIARDE PEZULL.

    Përshkrimi i angazhimit

    Konsulenti/ja do të angazhohet në fazën e zhvillimit dhe realizimit të dokumentarit, duke ofruar mbështetje profesionale në:

    • Hulumtimin dhe përgatitjen e përmbajtjes tematike;
    • Strukturimin e narrativës dhe qasjes editoriale;
    • Identifikimin e burimeve, intervistuesve dhe lokacioneve relevante;

    Kualifikimet e kërkuara

    • Së paku 5 vjet përvojë si hulumtues ose udhëheqës projektesh në fushat e lartë-cekura
    • Përvojë profesionale në produksione dokumentare, kërkim mediatik, ose studime analitike;
    • Aftësi të shkëlqyera analitike dhe shkrimore;
    • Njohuri të mira të kontekstit shoqëror e politik në Kosovë dhe rajon;
    • Fleksibilitet për bashkëpunim me ekipin e produksionit gjatë periudhës së zhvillimit të projektit.

    Kohëzgjatja e angazhimit

    Angazhimi i paraparë është 10 ditë pune, gjatë muajit nëntor 2025.

    Aplikimi

    Të interesuarit duhet të dërgojnë:

    • CV-në e përditësuar;
    • Një letër motivimi (deri në 1 faqe) që përshkruan përvojën relevante dhe arsyen e interesimit;
    • Shembuj pune ose referenca (nëse ka).

    Dokumentet duhet të dërgohen me email në adresën: [email protected]
    me subjektin: Aplikim për Konsulent Dokumentari – [Emri Mbiemri]

    Afati i fundit për aplikim: 28 / 10 / 2025, ora 17:00.

  • Ronaldo shpallet futbollisti më i paguar në botë për vitin 2025, lë prapa Leo Messin

    Ronaldo shpallet futbollisti më i paguar në botë për vitin 2025, lë prapa Leo Messin

    Cristiano Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde edhe në moshën 40-vjeçare.

    Ylli portugez i Al-Nassr është shpallur futbollisti më i paguar në botë për vitin 2025, sipas listës më të fundit të publikuar nga revista prestigjioze Forbes, duke lënë pas rivalin e përjetshëm Lionel Messi dhe emra të tjerë të mëdhenj të futbollit modern.

    Ronaldo kryeson bindshëm me 280 milionë dollarë fitime vjetore (rreth 239 milionë euro), duke e tejkaluar Messin me më shumë se dyfishin e të ardhurave. Argjentinasi i Inter Miami mban vendin e dytë me 130 milionë dollarë (111 milionë euro).

    Top 10 futbollistët më të paguar në botë për 2025 (sipas Forbes):

    Cristiano Ronaldo (Al-Nassr) – $280 milion (€239 milion)
    Lionel Messi (Inter Miami) – $130 milion (€111 milion)
    Karim Benzema (Al-Ittihad) – $104 milion (€89 milion)
    Kylian Mbappé (Real Madrid) – $95 milion (€81 milion)
    Erling Haaland (Manchester City) – $80 milion (€68 milion)
    Vinicius Jr (Real Madrid) – $60 milion (€51 milion)
    Mohamed Salah (Liverpool) – $55 milion (€47 milion)
    Sadio Mané (Al-Nassr) – $54 milion (€46 milion)
    Jude Bellingham (Real Madrid) – $44 milion (€38 milion)
    Lamine Yamal (Barcelona) – $43 milion (€37 milion)
    Pjesa më e madhe e fitimeve të Ronaldos vijnë nga kontrata rekord me klubin saudit Al-Nassr, por edhe nga sponsorizimet dhe aktivitetet jashtë fushës, ku ai mbetet një prej figurave më të fuqishme të sportit global. Ai vazhdon të mbajë një portofol biznesesh dhe marrëveshjesh që përfshijnë marka si Nike, Herbalife, CR7 dhe shumë të tjera.

    Ndërkohë, surpriza më e madhe e listës është padyshim Lamine Yamal. Vetëm 18 vjeç, talenti i Barcelonës renditet në vendin e 10-të, duke u bërë lojtari më i ri ndonjëherë që hyn në këtë listë të Forbes. Me 43 milionë dollarë fitime në vit, Yamal është tashmë një nga emrat më të lakmuar në botën e futbollit, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

  • Siguria ekonomike në epokën e sotme

    Siguria ekonomike në epokën e sotme

    NGA AKADEMIK. PROF.DR. ANASTAS ANGJELI

    Në dekadën e fundit, kon cepti i sigurisë ekonomike ka fituar një rëndësi të jashtëzakonshme në skenën globale dhe rajonale. Pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë kanë treguar se ekonomia, politika dhe siguria janë të pandashme. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria dhe Kosova, këto zhvillime kanë nxjerrë në pah dobësitë e sistemeve ekonomike dhe nevojën për politika strategjike që garantojnë qëndrueshmëri, pavarësi dhe stabilitet. Në një epokë ku globalizimi, teknologjia dhe ndryshimet klimatike janë faktorë të përhershëm të pasigurisë, siguria ekonomike ka kaluar nga një koncept teorik në një domosdoshmëri praktike për çdo vend që synon zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet social.

    Siguria ekonomike sot nuk është vetëm mbrojtje nga kolapsi financiar apo luhatjet e tregjeve. Ajo përfshin një gamë të gjerë elementesh që lidhen me stabilitetin financiar, pavarësinë energjetike, menaxhimin e burimeve strategjike, zhvillimin e kapitalit njerëzor, sigurinë digjitale dhe aftësinë për të përballuar pasiguri të jashtme. Aftësia e një vendi për të garantuar furnizime të qëndrueshme me energji, ushqim, teknologji dhe burime të tjera strategjike është bërë një tregues kyç i stabilitetit dhe autonomisë së tij. Psh., në aspektin financiar, Shqipëria dhe Kosova kanë bërë përpjekje të dukshme për të ruajtur stabilitetin e sistemeve bankare dhe për të mbështetur ekonominë reale. Në Shqipëri, normat e kredive problematike kanë rënë nga 16% në vitin 2020 në rreth 9% në vitin 2024 dhe tashmë rreth 5%, sipas Bankës së Shqipërisë. Ky tregues dëshmon se sistemi bankar ka arritur të përballojë tronditjet globale dhe të ofrojë një mbështetje të qëndrueshme për ekonominë reale. Në Kosovë, bankat tregtare kanë rritur kredinë për bizneset e vogla dhe të mesme rreth 12% pas vitit 2020, duke treguar një fokus të qartë në forcimin e sektorit të biznesit dhe në sigurimin e stabilitetit ekonomik. Këto shembuj ilustrojnë se stabiliteti financiar është një komponent kyç i sigurisë ekonomike dhe një mburojë kundër pasigurive globale. Një tjetër dimension i sigurisë ekonomike lidhet me energjinë dhe burimet strategjike.

    Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah varësinë e Evropës nga gazi rus dhe ka detyruar vendet e rajonit të rimendojnë strategjitë energjetike. Shqipëria ka nisur investime të rëndësishme në energji të rinovueshme, duke synuar rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet hidrike dhe diellore. Kosova po zhvillon projekte për të rritur kapacitetin e termocentraleve dhe për të diversifikuar furnizimin me energji, duke u përpjekur të shmangë varësinë nga importet dhe pasigurinë që lidhet me tregjet ndërkombëtare. Rajoni e ka kuptuar se siguria ekonomike nuk mund të arrihet pa aftësinë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe pa mekanizma që parandalojnë goditjet e jashtme. Transformimi i tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike janë sfida të tjera që lidhen ngushtë me sigurinë ekonomike. Automatizimi dhe Inteligjenca Artificiale po ndryshojnë rrënjësisht strukturën e punës dhe kërkesën për aftësi të reja. Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe INSTAT, rreth 25% e vendeve të punës në Shqipëri konsiderohen të rrezikuara nga automatizimi gjatë 10 viteve të ardhshme, ndërsa në Kosovë ky tregues shkon deri në 28% për profesionet me intensitet të lartë manual dhe rutinor. Profesione që dikur konsideroheshin të qëndrueshme, si punonjës të prodhimit, fasonerisë apo tregtarë e vegjël po zhduken gradualisht, ndërsa lindin të reja që kërkojnë aftësi teknologjike, digjitale dhe të menaxhimit të informacionit.

    Sektori i IT në Shqipëri ka krijuar rreth 15,000 vende pune gjatë pesë viteve të fundit, duke shënuar një rritje prej rreth 40% në raport me periudhën 2015–2019, ndërsa në Kosovë sektori digjital ka shtuar mbi 8,500 vende pune të reja, duke përbërë rreth 3.5% të totalit të punësimit të vendit, sipas raporteve të Ministrisë së Inovacionit dhe Investimeve. Këto shifra tregojnë qartë se tregu i punës po zhvendoset drejt profesionistëve të specializuar në teknologji dhe inovacion, duke bërë që politika e arsimit dhe kualifikimit profesional të jetë pjesë e domosdoshme e strategjisë së sigurisë ekonomike. Në Shqipëri, sektori i IT dhe start-up-eve ka krijuar rreth 15,000 vende pune në 5 vitet e fundit, duke treguar se inovacioni dhe zhvillimi i aftësive janë thelbësorë për sigurimin e qëndrueshmërisë ekonomike. Në Kosovë, programet e edukimit profesional dhe teknologjik, të mbështetura nga investimet ndërkombëtare po formojnë një bazë të qëndrueshme të talenteve, duke rritur kapacitetet lokale për sektorin digjital dhe duke kontribuar në stabilitetin ekonomik dhe social.

    Investimet strategjike ndërkombëtare kanë një rol kyç në forcimin e sigurisë ekonomike. Baza ushtarake amerikane në Kosovë mbështetet nga mbi 120 biznese lokale që ofrojnë shërbime dhe produkte, duke krijuar stabilitet ekonomik, punësim dhe zhvillim për komunitetet përreth. Psh., investimi amerikano-japonez në Madagaskar, i fokusuar në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar mund të reduktojë rreziqet globale dhe të forcojë kapacitetet ekonomike të vendeve të vogla. Këto shembuj demonstrojnë qartësisht se siguria ekonomike është një koncept multidimensional që kërkon koordinim midis politikave kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Një dimension tjetër kritik është mbrojtja nga ndikimet e jashtme dhe kontrolli mbi burimet strategjike. Kriza e çipeve elektronike dhe konkurrenca globale për metale të rralla kanë treguar se mungesa e kontrollit mbi zinxhirët e furnizimit mund të kërcënojë zhvillimin e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo nënvizon nevojën për të zhvilluar kapacitete prodhuese lokale dhe për të mbrojtur sektorët kritikë, duke përfshirë energjinë, telekomunikacionin, teknologjinë dhe infrastrukturën dixhitale.

    Nga një perspektivë sociale, siguria ekonomike ka efekt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët dhe bizneset. Qytetarët që kanë qasje në punësim të qëndrueshëm, arsim cilësor dhe kujdes shëndetësor përjetojnë një ndjesi sigurie që forcon stabilitetin e shtetit. Për bizneset, stabiliteti i tregut, transparenca rregullatore dhe mbrojtja nga krizat globale janë parakusht për zhvillim. Në Shqipëri dhe Kosovë, kompanitë që kanë siguri financiare dhe infrastrukturë dixhitale të qëndrueshme janë më të afta të rrisin produktivitetin dhe të krijojnë vende pune, duke kontribuar kështu në stabilitetin ekonomik rajonal.

    Siguria ekonomike ka gjithashtu një dimension kibernetik, që po bëhet gjithnjë e më kritik në epokën e digjitalizimit. Sulmet kibernetike ndaj sistemeve bankare, kompanive private dhe administratave shtetërore janë rritur në mënyrë dramatike gjatë viteve të fundit. Sipas raportit të Qendrës Europiane për Sigurinë Kibernetike (ENISA) për vitin 2023, numri i incidenteve kibernetike në Ballkanin Perëndimor është rritur mbi 35% krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që sipas Bankës Botërore, rreth 60% e bankave në rajon kanë raportuar sulme ndaj sistemeve të tyre elektronike që kanë kërcënuar informacionin e klientëve dhe stabilitetin e transaksioneve financiare. Në Shqipëri, për shembull, sulmet ndaj sistemeve bankare dhe të telekomunikacionit janë rritur me mbi 40% gjatë periudhës 2020–2024, duke detyruar institucionet të investojnë mbi 50 milionë euro në sisteme mbrojtjeje dhe edukim të stafit për cyber-security. Në Kosovë, një raport i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë tregon se mbi 70% e kompanive të mëdha dhe të mesme janë përballur me sulme kibernetike të ndryshme, nga ransomware deri te tentativat për manipulim të të dhënave financiare dhe operative. Këto sulme kanë treguar qartë se stabiliteti i vendeve lidhet drejtpërdrejt me aftësinë për të mbrojtur infrastrukturën dixhitale dhe informacionin, duke e bërë sigurinë kibernetike pjesë integrale të politikave kombëtare ekonomike.

    Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka krijuar programin “Cybersecurity Capacity Building” me një fond mbi 2 miliardë euro për vitet 2020–2025, për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike dhe për të mbrojtur sektorët kritikë, përfshirë energjinë, financat dhe administratën publike. Në të njëjtën kohë, SHBA ka investuar rreth 1.5 miliardë dollarë për projekte të mbrojtjes kibernetike dhe trajnime për stafe vendore në rajon, duke përfshirë bashkëpunime direkte me autoritetet shqiptare dhe kosovare për të përmirësuar sigurinë e rrjeteve dhe sistemit bankar. Në këtë kontekst, siguria kibernetike nuk është thjesht një masë teknike, por një komponent strategjik i sigurisë ekonomike kombëtare. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ekonomitë janë të vogla dhe infrastruktura dixhitale është ende në zhvillim, investimet në cyber-defense janë vendimtare për të mbrojtur tregjet financiare, kompanitë strategjike dhe shërbimet publike nga sulmet që mund të destabilizojnë ekonominë dhe të rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve. Në një kuadër më të gjerë, siguria ekonomike mund të shihet si një strategji multidimensionale që integron politikat fiskale dhe monetare, menaxhimin e burimeve, zhvillimin e kapitalit njerëzor, mbrojtjen dixhitale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të garantojnë stabilitet, zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të paqëndrueshme. Në këtë kuadër, siguria ekonomike nuk është më një abstraksion akademik, por një nevojë praktike dhe strategjike. Ajo përcakton aftësinë e vendeve për të përballuar pasiguritë globale, për të ruajtur stabilitetin dhe për të krijuar kushte për rritje dhe inovacion. Për rajonin e Ballkanit, ku ekonomitë janë të vogla dhe të hapura, përkushtimi ndaj konceptit të sigurisë ekonomike është i domosdoshëm për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme, konkurruese dhe të sigurt.

  • IWA Bogdani boton librin “Kodi i fjalës në poezinë e Jeton Kelmendit” të Zejnepe Alili Rexhepit

    IWA Bogdani boton librin “Kodi i fjalës në poezinë e Jeton Kelmendit” të Zejnepe Alili Rexhepit

    Një ngjarje e rëndësishme në fushën e studimeve letrare dhe të kritikës bashkëkohore shqiptare është botimi i librit “Kodi i fjalës në poezinë e Jeton Kelmendit”, nën autorësinë e Prof. Dr. Zejnepe Alili Rexhepi.

    Ky vëllim studimor, i botuar në Bruksel dhe Prishtinë më 2025, paraqet një përmbledhje unike të analizave, vlerësimeve dhe eseve kritike kushtuar krijimtarisë së poetit të njohur Jeton Kelmendi, një prej figurave më të përkthyera dhe më të studiuara të poezisë moderne shqiptare.

    Libri përfshin mendimet dhe analizat e 60 shkrimtarëve, poetëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme të botës — ndër ta figura të njohura si Prof. Emeritus Ernesto Kahan (Izrael), Akad. Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Prof. Dr. Lee Kuei-Shien (Tajvan), Prof. Dr. Giovanni Dotoli (Itali), Nicole Laurent-Catrice (Francë), Dante Maffia (Itali), Graciela Maturo (Argjentinë), Ion Deaconescu (Rumani), Erling Kittelsen (Norvegji), Maria do Sameiro Barroso (Portugali), Sabahudin Haxhialiç (Bosnjë e Hercegovinë), Prend Buzhala, Smail Smaka, Engjëll Berisha e shumë të tjerë.

    Këto figura përfaqësojnë pesë kontinente dhe një shumësi kulturash që janë bashkuar në një qëllim të përbashkët: të deshifrojnë universin poetik të Kelmendit dhe kodin e tij të fjalës.

    Përmes këtij botimi, Prof. Dr. Zejnepe Alili Rexhepi sjell një sintezë të pasur akademike dhe shpirtërore, ku poezia e Jeton Kelmendit trajtohet si fenomen letrar global. Studiuesja analizon mënyrën se si fjala poetike e tij kalon përtej kufijve gjuhësorë dhe kulturorë, duke u bërë një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, mes mitit dhe realitetit, mes shenjtës dhe tokësores.
    Vepra paraqet Kelmendin si poet të kujtesës dhe të shpresës, si zë që flet për dashurinë, luftën, identitetin dhe ekzistencën njerëzore me një thellësi filozofike e lirizëm të veçantë.

    Në libër janë përfshirë dhjetëra studime në gjuhët përkatëse të autorëve, të përkthyera në shqip nga një ekip përkthyesish të njohur, mes tyre: Alfred Beka, Luan Rama, Albert Nikolla, Baki Ymeri, Engjëll I. Berisha, Anila Dahriu, Ilire Zajmi-Rugova, Agron Tufa e të tjerë.
    Kjo shumëgjuhësi i jep veprës një dimension ndërkombëtar dhe e bën atë një mozaik kulturor të rrallë në letrat shqipe.

    “Kodi i fjalës në poezinë e Jeton Kelmendit” është një dëshmi e fuqishme e ndikimit të poezisë shqiptare në skenën letrare botërore. Kritikët e përfshirë e vlerësojnë Kelmendin si një nga poetët më përfaqësues të poezisë moderne europiane, duke e cilësuar “poetin e urave”, që lidh të kaluarën me të ardhmen, atdheun me universin dhe fjalën me heshtjen.

    Botimi, nën kujdesin e shtëpisë botuese IWA Bogdani, është jo vetëm një nder për autorin Jeton Kelmendi, por edhe një kontribut madhor për kulturën dhe letërsinë shqipe në përgjithësi.
    Libri përbën një arkiv vlerësimesh ndërkombëtare për një poet që ka ditur të bëjë nga fjala një hapësirë të re të mendimit dhe ndjenjës, duke dëshmuar se poezia shqipe është pjesë organike e “weltliteratur”-ës botërore.

    ⸻

    Autorët e përfshirë në libër

    Prof. Emeritus Ernesto Kahan (Izrael)
    Prof. Dr. Lee Kuei-Shien (Tajvan)
    Akademik Athanase Vantchev de Thracy (Francë)
    Nicole Laurent-Catrice (Francë)
    Prof. Dr. Giovanni Dotoli (Itali)
    Dante Maffia (Itali)
    Dr. Gaetano Appeso (Itali)
    Dr. Saverio Sinopoli (President i Shoqatës Kulturore “Pablo Neruda”)
    Alessandro Ramberti (Itali)
    Claudia Piccinno (Itali)
    Prof. Gustavo Vega Mansilla (Spanjë)
    Julio Pavanetti (Uruguai / Spanjë)
    Elisabetta Bagli (Itali)
    Popely Lapiy-Caza (Kolumbi)
    Balfour Hakak, Zipi Weiner (Izrael)
    Daniel Revach
    Prof. Dr. Hasan Erkek (Turqi)
    Ricardo Rubio (Argjentinë)
    Graciela Maturo (Argjentinë)
    Ion Deaconescu (Rumani)
    Jorge Oscar Bach (Argjentinë)
    Susana Roberts (Argjentinë)
    Erling Kittelsen (Norvegji)
    Akademik Khazal Almajidi (Irak)
    Prof. Dr. Ion Deaconescu (Rumani)
    Prof. Dr. Nicolae Dabija (Moldavi)
    Prof. Emeritus Ernesto Cohan
    Dr. Rajdeep Chowdhury (Indi)
    Pramila Khadun (Mauritani)
    Suren Abrahamyan (Armeni)
    Yolande Duque Vidal (Kanadë)
    Craig Czury (SHBA)
    Michela Primerano (Itali)
    Maria Maraglia (Itali)
    Stanislaw Stanić (Poloni)
    Jerzy Parusyevski (Poloni)
    Kristina Lenkovska (Poloni)
    Dmitro Tchystiah (Ukrainë)
    Mihai Firica (Rumani)
    Millutin Xhuriçkoviç (Serbi)
    Danica Stolliç (Serbi)
    Trajko Ognenovski (Maqedoni e Veriut)
    Sasho Obnenovski (Maqedoni e Veriut)
    Prof. Dr. Miomir Milinkoviq (Serbi)
    Sofija Kalleziç (Mali i Zi)
    Memmed Ismayl (Azerbajxhan)
    Maria do Sameiro Barroso (Portugali)
    Luis Serrano (Portugali)
    Tatyana Terebinova (Rusi)
    Jozhe Brençiç (Slloveni)
    Zdravo Odorçiç (Kroaci)
    Sabahudin Haxhialiç (Bosnjë dhe Hercegovinë)
    Prend Buzhala (Kosovë)
    Shyqri Nimani (Kosovë)
    Smail Smaka (Kosovë)
    Violeta Allmuça (Shqipëri)
    Engjëll Berisha (Kosovë)
    Taner Gyçliturk (Kosovë)
    Bujar Tafa (Kosovë)
    Prof. Dr. Zejnepe Alili Rexhepi (Maqedoni e Veriut)

  • Çmimi Nobel në ekonomi, inovacioni motor i rritjes ekonomike

    Çmimi Nobel në ekonomi, inovacioni motor i rritjes ekonomike

    NGA AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Që prej themelimit të tij në vitin 1969, Çmimi Nobel në Ekonomi ka qenë gjithmonë më shumë se një vlerësim për arritje akademike. Ai ka reflektuar sfidat, dilemat dhe ndryshimet që kanë karakterizuar ekonominë botërore në periudha të caktuara. Ndërthurja mes kohës dhe kërkimit shkencor është e pandashme — konteksti historik i jep kuptim çdo zbulimi dhe çdo vlerësimi. Në këtë kuptim, edhe Çmimi Nobel në Ekonomi është një pasqyrë e botës që e prodhon atë.

    Në dekadat e fundit, ky çmim ka ndjekur ritmin e ndryshimeve të mëdha ekonomike dhe teknologjike, duke reflektuar në mënyrë të qartë tensionet mes rritjes, pabarazisë dhe transformimit global. Në vitet ‘90, çmimet iu dhanë ekonomistëve që studiuan rolin e institucioneve financiare dhe tregjeve në stabilitetin ekonomik; pas krizës së vitit 2008, fokusi kaloi te studimet mbi sjelljen e tregjeve, pasiguritë financiare dhe ekonominë e sjelljes. Ndërsa në vitin 2024, Akademia vlerësoi rëndësinë e institucioneve gjithëpërfshirëse dhe demokracisë për zhvillimin ekonomik afatgjatë. Këtë vit (2025) fokusi zhvendoset drejt një dimensioni tjetër thelbësor: inovacionit si motor i rritjes ekonomike.

    Në një botë që përballet me ngadalësim të rritjes, tronditje demografike, transformim teknologjik dhe tronditje të vazhdueshme gjeopolitike dhe gjeoekonomike, vlerësimi i këtij viti përpiqet të japë përgjigje pyetjes që shoqëron çdo epokë pasigurie: si mund të ruhet zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm?

    Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2025 iu akordua ekonomistëve Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt “për kontributet e tyre në shpjegimin e rritjes ekonomike të nxitur nga inovacioni”. Me këtë vendim, Akademia suedeze vlerësoi tre studiues që, ndonëse kanë punuar në fusha të ndryshme — historia ekonomike, teoria e rritjes dhe ekonomia institucionale — kanë ndërtuar një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si idetë, njohuritë dhe përparimet teknologjike formësojnë mirëqenien materiale të shoqërive moderne. Joel Mokyr, profesor i historisë ekonomike në Northwestern University, ka ndërtuar një karrierë të tërë mbi përpjekjen për të kuptuar pse Revolucioni Industrial ndodhi në Europë dhe jo diku tjetër. Ai argumenton se zhvillimi teknologjik i shekujve XVIII dhe XIX nuk ishte vetëm rezultat i shpikjeve, por edhe i ndryshimit të kulturës së dijes — një përmbysje intelektuale, që e bëri kërkimin shkencor pjesë të logjikës së përparimit. Sipas Mokyr, “ekonomia moderne nuk u ndërtua mbi avullin, por mbi idetë”. Shpjegimi i tij historik është në thelb një analizë e marrëdhënies midis dijes, institucioneve dhe inovacionit: aty ku shoqëritë inkurajuan kërkimin dhe eksperimentimin, prosperiteti u bë i qëndrueshëm; aty ku mbizotëroi frika nga ndryshimi, pasoi stanjacioni. Mokyr është autor i disa librave të njohur si: “The Economics of the Industrial Revolution” (si redaktor) (1985) “The Gifts of Athena: Historical Origins of the Knowledge Economy” (2002), “The Enlightened Economy: An Economic History of Britain”, 1700–1850 (2009), “A Culture of Growth: The Origins of the Modern Economy” (2016).

    Nga ana tjetër, Philippe Aghion (Collège de France dhe London School of Economics) dhe Peter Howitt (Brown University) ndërtuan në vitin 1992 një model teorik, që ndryshoi mënyrën se si ekonomistët kuptojnë rritjen: modelin e rritjes përmes shkatërrimit krijues (creative destruction). Duke ndjekur idetë e Joseph Schumpeter-it, ata treguan se zhvillimi ekonomik është një proces i vazhdueshëm ku firmat e reja dhe teknologjitë e reja zëvendësojnë të vjetrat. Në këtë proces, fitimet e përkohshme që gjeneron një inovacion krijojnë nxitje për kërkim, ndërsa konkurrenca i detyron të tjerët të përmirësohen. Rritja, në këtë mënyrë, është produkt i një cikli të vazhdueshëm krijimi dhe prishjeje, një ekuilibër delikat mes shpërblimit dhe konkurrencës.

    Aghion dhe Howitt e kthyen këtë ide në një teori të plotë ekonomike, duke treguar se niveli i inovacionit, investimi në kërkim shkencor dhe ndërtimi i institucioneve që nxisin konkurrencën janë faktorët themelorë që përcaktojnë rritjen afatgjatë. Më vonë, Aghion e zgjeroi këtë kornizë në analiza mbi lidhjen midis politikave publike, edukimit dhe inovacionit, duke theksuar se shtetet që krijojnë hapësirë për eksperimentim dhe tolerancë ndaj dështimit arrijnë të jenë më dinamike ekonomikisht. Idetë e tyre kanë qenë në qendër të veprave më të rëndësishme si: The Economics of Growth (2024) — Philippe Aghion & Peter W. Howitt, Handbook of Economic Groëth — Philippe Aghion & Steven Durlauf (redaktorë), Growth, Inequality, and Globalization: Theory, History, and Policy — Philippe Aghion & Jeffrey G. Williamson (1999), Monetary Policy in Transition: A Study of Bank of Canada Policy, 1982-8,5, The Keynesian Recovery and Other Essays etj..

    Në qendër të punës së tre laureatëve qëndron një ide themelore: burimi më i rëndësishëm i pasurisë nuk është më toka apo kapitali fizik, por aftësia për të gjeneruar ide të reja. Në një epokë ku përparimi teknologjik është bërë sinonim i zhvillimit, kjo ide fiton peshë të veçantë. Por inovacioni, siç tregojnë studimet e tyre, nuk ndodh në vakum. Ai kërkon institucione të hapura, konkurrencë të shëndetshme dhe një kulturë që vlerëson risinë më shumë se stabilitetin.

    Në këtë kuptim, Çmimi Nobel 2025 është edhe një reagim ndaj klimës së tanishme globale. Ekonomia botërore ndodhet në një fazë ku rritja e produktivitetit ka ngadalësuar ndjeshëm, ndërsa pasiguritë politike dhe sociale janë rritur. Sipas të dhënave të FMN-së, rritja e PBB-së globale pritet të mbetet nën 3% në vitet e ardhshme, ndërkohë që borxhi publik, tensionet tregtare dhe pasojat e krizave energjetike vazhdojnë të rëndojnë mbi ekonomitë kombëtare. Në këtë sfond, teoritë e Mokyr, Aghion dhe Howitt tingëllojnë si një thirrje për rinovim intelektual: nuk ka rritje pa ide dhe nuk ka ide pa institucione që i mbështesin.

    Studimet e Mokyr tregojnë se historia ekonomike është më shumë se një arkiv faktesh, ajo është laborator i ideve. Në shekullin XVIII, Britania dhe Evropa Veriore ndërtuan një “ekonomi të dijes”, ku inovacioni nuk u konsiderua rrezik, por mundësi. Shkenca dhe tregu filluan të bashkëpunojnë dhe rezultatet u shfaqën në rritjen e paprecedent të produktivitetit. Ajo që ndodhi atëherë, sipas Mokyr, është e ngjashme me sfidën që përballet sot ekonomia botërore: të gjejë mënyra për të gjeneruar dhe përhapur njohuri në një kohë kur teknologjitë po ndryshojnë çdo dimension të jetës.

    Ndërkohë, puna e Aghion dhe Howitt e zhvendos vëmendjen nga e kaluara drejt të ardhmes. Modelet e tyre ekonomike shpjegojnë pse disa vende arrijnë të ruajnë rritje të qëndrueshme, ndërsa të tjera mbeten në stanjacion. Vendet që investojnë në arsim, në kërkim shkencor dhe që ruajnë konkurrencën e lirë, krijojnë një cikël pozitivinovacioni. Ndërsa vendet që favorizojnë monopole, burokraci dhe frikë ndaj ndryshimit, bien në atë që Aghion e quan “kurthi i mungesës së inovacionit”.

    Në vitin 2025, bota po përballet me disa tensione të mëdha që lidhen drejtpërdrejt me idetë e laureatëve.

    Së pari, transformimi dixhital dhe përhapja e inteligjencës artificiale kanë krijuar një valë të re “shkatërrimi krijues”. Industria e automobilave, media, shërbimet financiare dhe vetë arsimi po përjetojnë ndryshime të thella strukturore. Pyetja nuk është më nëse teknologjia do të zëvendësojë punët ekzistuese, por nëse shoqëritë do të arrijnë të krijojnë mekanizma për t’u përshtatur.

    Së dyti, sfida e tranzicionit të gjelbër ka bërë që koncepti i inovacionit të shtrihet përtej fitimit ekonomik — drejt mbijetesës planetare. Aghion ka argumentuar se përballja me ndryshimet klimatike kërkon “drejtim të inovacionit” përmes politikave që stimulojnë kërkimin në teknologjitë e pastra. Sipas tij, vetëm përmes konkurrencës dhe risisë mund të arrihet dekarbonizimi i qëndrueshëm.

    Së treti, rreziku i stagnacionit institucional është kthyer në temë qendrore të debatit global. Siç tregon edhe historia e Mokyr, shoqëritë që ndalojnë së besuari te përmirësimi gradual humbasin energjinë e tyre krijuese. Në shumë vende të zhvilluara, burokracia, rregulloret e tepërta dhe dominimi i firmave të mëdha kanë ngadalësuar frymën e inovacionit. Kjo i bën idetë sivjetshme të Nobelit jashtëzakonisht të rëndësishme: inovacioni kërkon liri, por edhe përgjegjësi. Një nga mësimet më të vlefshme që dalin nga puna e tre fituesve është se politika ekonomike nuk mund të kufizohet në menaxhimin e tregjeve ekzistuese, ajo duhet të krijojë kushtet për tregjet e së ardhmes. Aghion ka theksuar se shtetet që investojnë në kërkim, arsim cilësor dhe startup-e teknologjike janë më elastike ndaj krizave. Po aq i rëndësishëm është edhe roli i institucioneve që mbrojnë konkurrencën dhe pengojnë krijimin e monopoleve, duke ruajtur ekuilibrin midis stimulit dhe kontrollit.

    Në këtë kuptim, Çmimi Nobel i sivjetshëm është një mesazh politik po aq sa akademik. Ai thekson se ekonomia e së ardhmes nuk do të varet nga burimet natyrore, por nga mënyra se si shoqëritë menaxhojnë dijen dhe inovacionin. Dhe se kapitalizmi i shekullit XXI do të duhet të gjejë mënyra për të ruajtur dinamizmin e inovacionit pa e shndërruar shoqërinë në një fushë përçarjesh sociale.

    Nga ana tjetër, vlerësimi i Mokyr, Aghion dhe Howitt është edhe një reflektim mbi kohën që po jetojmë. Pas një dekade krizash – pandemike, energjetike, klimatike dhe gjeopolitike – besimi në përparim është venitur. Diskursi publik është bërë më pesimist, ndërsa ekonomitë po përpiqen të gjejnë një ekuilibër të ri midis sigurisë dhe inovacionit.

    Në këtë sfond, Çmimi Nobel në Ekonomi 2025 rikujton një të vërtetë të thjeshtë, por shpesh të harruar: përparimi nuk duhet marrë si i mirëqenë, por si rezultat i një përpjekjeje të vazhdueshme për të kuptuar dhe përmirësuar botën. Nëse në vitin 2024 Akademia na kujtoi se demokracia dhe zhvillimi ecin bashkë, këtë vit ajo na kujton se asnjë demokraci nuk mund të mbijetojë pa një ekonomi që gjeneron shpresë dhe shpresa, në fund të fundit, buron nga inovacioni.

    Në një epokë të pasigurisë dhe ndryshimesh të shpejta, Çmimi Nobel në Ekonomi 2025 është një thirrje për t’u rikthyer te rrënjët e progresit: tek ideja se risia, kur bashkohet me institucione të forta dhe besim shoqëror, mbetet forca më e qëndrueshme e rritjes dhe mirëqenies njerëzore.

  • Çel punimet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare me titull “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”

    Çel punimet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare me titull “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”

    Kjo veprimtari shkencore organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke mundësuar kështu organizimin e dytë të saj në Tiranë pas konferencës së parë të vitit 2023 në Kosovë.

    Në ceremoninë e hapjes nderuan me praninë e tyre: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Bajram Begaj; Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja; zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil S. Tole; Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, znj. Randi Davis; anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së dhe ASHAK-ut, rektorë universitetesh, akademikë, profesorë, shkencëtarë e studiues të fushës nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

    Seanca plenare nisi me fjalën e hapjes të akad. Anastas Angjelit, kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Shkencave Sociale dhe Juridike (ASHSH). Në emër të komisionit organizator, ai u shpreh se tematika e konferencës lidhet me problematikat vendimtare për të ardhmen e shoqërive tona, që nuk prek thjesht çështjet ekonomike apo statistikore, por edhe dimensionin njerëzor të zhvillimit. “Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të rajonit kanë përjetuar ndryshime të thella demografike të cilat nuk vijnë vetëm nga largimi në vendet, rënien e lindshmërisë, emigracionin e vazhdueshëm të të rinjve, plakjen graduale të popullsisë dhe ristrukturimin e tregut të punës. Këto janë procese komplekse, me shkaqe të ndërthurura – ekonomike, sociale, kulturore e politike – që kërkojnë analizë të thelluar, të dhëna të sakta dhe politika të menduara afatgjatë.” -tha akad Angjeli.

    Më tej, ai e vlerësoi konferencën si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin institucional dhe shkencor ndërmjet dy akademive si një partneritet që tashmë po shndërrohet në një platformë të përbashkët kërkimore shqiptare dhe rajonale, ku ide, përvoja dhe analiza shkencore ndërthuren për t’u vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit europian dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.

    Akad. Angjeli shprehu bindjen se kjo konferencë mund të hedhë themelet e dialogut shkencor, të nxisë bashkëpunim ndërinstitucional dhe të krijojë hapësira për politika të reja të bazuara në dije, me synimin për të kontribuar për ndërtimin e një strategjie kombëtare dhe rajonale të zhvillimit të qëndrueshëm.

    Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja vlerësoi punën e organizatorëve dhe pjesëmarrësve të konferencës, duke marrë në shqyrtim një problematikë, siç është demografia dhe tregu i punës, e cila ka filluar të bëhet një çështje e mprehtë për shumicën e shteteve të Europës, përfshirë edhe shtetet e rajonit të Ballkanit, perëndimor ose jo tamam perëndimor. “Nëse i kuptojmë drejt dhe i paraprijmë këtyre ndryshimeve me strategji afatgjata dhe politika të mirëmenduara e të koordinuara, ato të mund të kthehen nga sfida, në mundësi. Ne kemi nevojë për një treg më të bashkuar, më të koordinuar, që i gjithë rajoni të bëhet më tërheqës, tërheqës për investime dhe projekte të përbashkëta zhvillimi. Në këtë kontekst, procesi i integrimit evropian mbetet rruga më e qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe zbut disa shkaqe të emigracionit.”- tha akad. Kraja.

    Ai solli në vëmendje arritjet e qeverive të Europës, të cilat tashmë kanë hartuar projekte për përmirësime demografike, për ndërprerjen e trendit negativ demografik dhe rikthimin e treguesve pozitivë, jo vetëm në raport me tregun e punës, por në raport edhe me treguesit e tjerë, që mund të definohen si faktor të sigurisë, të mirëmbajtjes materiale të shoqërive në këtë nivel të mirëqenies.

    Akad. Kraja tha se “Sfidat demografike e të tregut të punës janë kombëtare e rajonale dhe përvoja e suksesshme e vendeve të tjera tregon se ato mund të përballohen më lehtë nëse ka bashkëpunim, nëse ka integrim dhe zhvillim ekonomik. Në këto kushte, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës, integrimi rajonal dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian marrin një kuptim të ri.”

    Në fund, ai vlerësoi si prioritet bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon për krijuar më shumë mundësi, më shumë qëndrueshmëri dhe më shumë shpresë për të rinjtë tanë.

    Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kryesisë së saj, konferencën e përshëndeti zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil S. Tole. Kjo konferencë shkencore, e cila i kushtohet një teme të ndjeshme e me rëndësi strategjike për të ardhmen e vendeve tona dhe të rajonit, ka bërë bashkë dy akademitë tona përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të frytshëm, duke i afruar universitetet, studiuesit dhe ekspertët e fushës për të dhënë kontribute shkencore në një çështje kaq madhore. Në dekadat e fundit, realiteti demografik i Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit tonë ka ndryshuar rrënjësisht. Popullsia është në tkurrje, ritmet e lindshmërisë janë ulur, emigracioni masiv i të rinjve ka sjellë boshatisjen e shumë zonave dhe humbjen e potencialeve të vlefshme njerëzore. Ai e vlerësoi konferencën si një dëshmi të përkushtimit të përbashkët për të vendosur dijen dhe kërkimin shkencor në shërbim të shoqërisë. Përballë sfidave të sotme, akademitë nuk janë vetëm institucione të traditës, por edhe institucione të rëndësishme rekomanduese e këshilluese, që me rolin e tyre shërbejnë si ura mes shkencës dhe politikës, mes dijes dhe vendimmarrjes. Kjo është një praktikë që e gjejmë në të gjitha vendet europiane dhe që po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e vizionit tonë për akademinë si partner strategjik të shtetit dhe të shoqërisë. Ne jemi të vetëdijshëm se përmasat e sfidave demografike e ekonomike janë të tilla që nuk mund të adresohen vetëm nga një vend apo nga një institucion i vetëm. Ato kërkojnë një qasje të koordinuar, një dialog rajonal dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Bajram Begaj në fjalën e tij përgëzoi organizatorët për këtë nismë që bashkon mendimin shkencor dhe institucional për të analizuar një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit tonë, demografinë, tregun e punës dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendeve tona. Tema e konferencës vështirë se do të ishte më e rëndësishme dhe më me vend po të kemi parasysh zhvillimet e tanishme dhe ato të pritshme demografike. Ato prekin themelet e shoqërisë sonë: sigurinë, familjen, punësimin, mirëqenien dhe perspektivën zhvillimore, prekin të ardhmen tonë. Parashikimet e Kombeve të Bashkuara mbi numrin e popullsisë në vendet e rajonit tonë janë mjaft pesimiste dhe realiteti i sotëm po i konfirmon. Sot, Shqipëria, Kosova dhe Ballkani Perëndimor po përballen me një tranzicion demografik. Popullsia po zvogëlohet dhe plaket për shkak të lindshmërisë së ulët, të emigracionit, si dhe po përqendrohet gjithnjë e më shumë në qytetet e mëdha si pasojë e migrimit të brendshëm. Më tej, presidenti Begaj tha se zhvillimet negative demografike nënkuptojnë sfida serioze jo vetëm për ekonominë, por dhe më gjerë, për sigurinë tonë kombëtare. Ato sjellin uljen e bazës ekonomike dhe tatimore të shtetit, uljen e aftësisë prodhuese të fuqisë punëtore dhe mbingarkojnë sistemet e pensioneve dhe ato të shëndetësisë. Shpopullimi i zonave rurale dhe kufitare dëmton kohezionin social dhe kontrollin territorial, ndërsa emigracioni i të rinjve zvogëlon kapitalin njerëzor dhe kapacitetin mbrojtës të vendit. Uroj që kjo konferencë të arrijë suksese dhe të mund të ofrojë propozime konkrete që merren me shkaqet dhe jo me pasojat.

    E ardhmja e Shqipërisë dhe e Kosovës do të varet nga aftësia jonë, nga aftësia jonë për ta fituar këtë betejë. Kjo është sfida e brezit të sotshëm dhe përballimi i saj me sukses është detyrimi ynë, detyrimi ynë për brezat e ardhshëm.

    Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj e vlerësoi konferencën si një ngjarje me rëndësi për shpresat dhe zgjedhjet e qytetarëve tanë dhe shoqërisë sonë për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve që po ndodhin, të cilat kërkojnë një qasje të re politike, që të lidh arsimin, trajnimin profesional, inovacionin dhe punësimin në një sistem të vetëm dinamik dhe elastik.

    “Në këtë frymë, Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar lidhjen midis arsimit dhe ekonomisë reale. Janë përditësuar kurrikulat profesionale, janë zhvilluar programe të reja për aftësi në energji të rinovueshme, siguri kibernetike, turizëm dhe teknologji informacioni, ndërsa bashkëpunimi me biznesin është bërë tashmë pjesë e qeverisjes së arsimit profesional. Ky bashkëpunim është thelbësor sepse asnjë sistem arsimor nuk mund të funksionojë i shkëputur nga ekonomia që kërkon t’i shërbejë. Puna dhe arsimi janë bërë pjesë e një cikli të pandarë që kërkon mësim të vazhdueshëm, rikualifikim dhe përmirësim të aftësive. Në këtë drejtim, po promovojmë një kulturë të të nxënit gjatë gjithë jetës, me programe për aftësi digjitale, soft skills, si dhe përfshirjen e “mikro-kualifikimeve” që u japin njerëzve më shumë fleksibilitet për t’u zhvilluar profesionalisht. Në partneritet me sektorin privat, po zgjerojmë aksesin në trajnime praktike, ndërsa digjitalizimi po e bën procesin më gjithëpërfshirës. Platforma puna.gov.al po i lidh qytetarët me vendet e punës në kohë reale, ndërsa aplikacionet e reja me inteligjencë artificiale po ndihmojnë të rinjtë të orientojnë karrierën e tyre me më shumë vetëdije dhe efikasitet. E ardhmja jonë varet nga mënyra si do të investojmë sot në njerëz; në aftësi, dije dhe mundësi.-tha znj. Ibrahimaj.

    Konferencën e përshëndeti edhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, znj. Randi Davis.

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko u shpreh se ekonomia e Shqipërisë vijon të shënojë ecuri të mirë. Megjithatë, horizonti afatgjatë kërkon adresimin e disa sfidave strukturore si: rritja e produktivitetit, përshtatja me risitë teknologjike, përfshirë këtu dhe zhvillimin e madh të inteligjencës artificiale e digjitalizimit, si dhe kufizimet në burime, veçanërisht ato që lidhen me tregjet e punës. Në dritën e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, integrimi evropian do të krijojë mundësi të reja për tregtinë, investimet dhe konvergjencën institucionale. Megjithatë, përvojat që tashmë kemi nga zgjerimet e mëparshme tregojnë se ky integrim mund të përshpejtojë lëvizshmërinë e fuqisë punëtore, veçanërisht të të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar, drejt vendeve anëtare me ekonomi më të zhvilluara. Guvernatori vlerësoi se në Shqipëri, si rezultat i kushteve të favorshme të kursit të këmbimit dhe qëndrimeve të duhura të politikës monetare, inflacioni qëndron pranë objektivit të bankës qendrore. Megjithatë, në harkun kohor afatmesëm apo afatgjatë, ndryshimet strukturore në tregun e punës mund të shkaktojnë presione inflacioniste. Deficiti strukturor i vazhdueshëm i fuqisë punëtore, i shoqëruar me plakjen e popullsisë, emigracionin dhe mospërputhjen e aftësive, mund të shkaktojë rritje të pakthyeshme të pagave, veçanërisht nëse nuk shoqërohet edhe me rritje të produktivitetit. Në afat të gjatë, këto dinamika demografike ushtrojnë presion, duke kufizuar kapacitetin e politikës monetare për të stimuluar aktivitetin ekonomik.

    Konferenca u zhvillua në pesë panele tematike me ligjërues kryesorë, z. Volker Treichel, ekspert i lartë i zhvillimit ekonomik ndërkombëtar, dr. Zsolt Darvas, studiues në Institutin “Bruegel” në Bruksel, prof. Will Bartlett, njohës i shquar i zhvillimeve ekonomike dhe sociale të Ballkanit Perëndimor.

    Punimet shkencore trajtuan çështjen e krizës demografike, potencialin e zhvillimit ekonomik në dekadat e ardhshme, integrimin në Bashkimin Europian dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, dijes dhe kapitaleve; sfidat dhe mundësitë për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Gjithashtu u paraqitën kërkime ndërdisiplinore, që nga ekonomia e sociologjia, tek politikat e arsimit, teknologjisë dhe punësimit; dixhitalizimi, automatizimi dhe inteligjenca artificiale e më gjerë, në kuadrin e një një debati më të gjerë mbi vetë kuptimin e zhvillimit, në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri, me kriza energjetike, klimaterike e gjeopolitike, si një domosdoshmëri për të rishikuar mënyrën se si e matim dhe e kuptojmë progresin.

    Pas sesionit të sotëm, punimet do të vazhdojnë në disa panele të tjera tematike gjatë dy ditëve të konferencës në mjediset e Akademisë së Shkencave. 68 kumtues: profesorë, studiues dhe ekspertë nga 10 universitete dhe institute kërkimore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi , do të ndajnë me ne rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore dhe propozime për politika të reja zhvillimore.