ATV

Author: ATVLive

  • Kur Reality TV Shndërrohet në Fuqi Digjitale

    Kur Reality TV Shndërrohet në Fuqi Digjitale

    Si Big Brother VIP Pushtoi Hapësirën Digjitale në Shqipëri dhe Kosovë

    Sot, mediat digjitale dhe rrjetet sociale luajnë një rol kyç në formësimin e opinionit publik. Publiku nuk i ndjek më emisionet televizive vetëm përmes televizionit apo portaleve informative, por edhe në platforma si Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube. Monitorimi i këtyre kanaleve u mundëson brendeve, institucioneve dhe mediave të kuptojnë se për çfarë flitet, si reagon audienca dhe cilat tema tërheqin vëmendjen më të madhe.

    Përmes platformës së saj të inteligjencës mediatike në kohë reale, analytics.live, Pikasa ka analizuar praninë online dhe ndikimin mediatik të Big Brother VIP Albania dhe Big Brother VIP Kosova, duke përfshirë kanalet zyrtare në rrjete sociale dhe mbulimin nga mediat në të dy shtetet.

    Periudha e Monitorimit
    Periudha e monitorimit për këtë analizë ishte 5–11 janar 2026. Gjatë kësaj kohe, Big Brother VIP në të dy vendet dominoi plotësisht të gjitha platformat sociale, duke tejkaluar çdo medium, influencues apo lider politik për nga dukshmëria dhe angazhimi.

    Çfarë u Monitorua
    Analiza u fokusua në:
    • Llogaritë zyrtare të Big Brother VIP Albania dhe Kosova në rrjete sociale
    • Mediat në të dy shtetet, përfshirë portalet online, faqet e televizioneve dhe media të tjera digjitale
    • Përmendjet, postimet, komentet, pëlqimet, shpërndarjet dhe angazhimin total
    • Të dhëna në kohë reale, të përditësuara vazhdimisht

    Statistikat e Performancës në Rrjete Sociale
    Facebook: Motor pjesëmarrjeje, jo vetëm kanal shpërndarjeje
    Gjatë javës së monitoruar, Big Brother VIP Albania gjeneroi 481 mijë angazhime, tre herë më shumë se influencuesit dhe liderët politikë kryesorë në vend. Faqja publikoi 2,015 postime, duke tejkaluar vëllimin e publikimeve të 10 faqeve më të angazhuara në Facebook.
    Ndërkohë, Big Brother VIP Kosova regjistroi 405 mijë angazhime, katër herë më shumë se performanca e kombinuar e influencuesve, mediave dhe liderëve politikë. Faqja publikoi 982 postime, më shumë se 20 faqet e tjera më aktive në treg.

    Instagram: Bastioni kryesor i angazhimit të show-t
    E njëjta tendencë vërehet edhe në Instagram, ku diferenca mes faqes udhëheqëse dhe faqeve të tjera kryesore është së paku 2.5 herë më e lartë, duke dëshmuar dominancë absolute.
    Në Shqipëri, Big Brother VIP gjeneroi 2.8 milion angazhime dhe publikoi 1,999 postime dhe reels, ndërsa në Kosovë arriti 1.9 milion angazhime me 929 postime dhe reels. Këto shifra konfirmojnë lidershipin e fortë të Big Brother VIP në Instagram, si në angazhim ashtu edhe në intensitet publikimi.

    TikTok: Arritja algoritmike që riformëson sjelljen e audiencës
    Në TikTok, audienca kosovare dominoi qartë, me dyfish më shumë shikime dhe angazhime krahasuar me Shqipërinë. Big Brother VIP Kosova arriti 5.6 milion shikime dhe 116 mijë angazhime, ndërsa Big Brother VIP Albania regjistroi 2.8 milion shikime dhe 59 mijë angazhime.
    Kjo diferencë lidhet kryesisht me kufizimet dhe bllokimet e përkohshme të TikTok-ut në Shqipëri, të cilat ndikuan drejtpërdrejt në shtrirjen e përmbajtjes dhe aktivitetin e audiencës.

    YouTube: Gati 40 milion shikime në dy tregje
    Big Brother VIP vazhdon të dominojë edhe në YouTube. Big Brother VIP Kosova regjistroi 27.6 milion shikime dhe 160.7 mijë angazhime, ndërsa Big Brother VIP Albania arriti 11.4 milion shikime dhe 48.3 mijë angazhime.
    Edhe në platformat video, kanalet zyrtare të Big Brother VIP tejkalojnë të gjitha mediat e tjera digjitale, duke përqendruar vëmendjen kryesore të audiencës. Kjo dëshmon jo vetëm popullaritetin e show-t, por edhe nivelin e lartë të ndërveprimit të publikut.

    Kur Mediat Ndjekin Vëmendjen, Jo Anasjelltas

    Audienca e madhe në rrjete sociale është shfrytëzuar edhe nga mediat, të cilat përdorin shpesh inserte video nga show-i për të rritur shikueshmërinë dhe klikimet. Në Shqipëri, përmbajtja e Big Brother VIP përbënte 2.66% të gjithë përmbajtjes mediatike, ndërsa në Kosovë 2.77%.
    Në aspektin numerik, lajmet për Big Brother VIP dominojnë dukshëm mbi shumë kategori të tjera lajmesh, duke konfirmuar fuqinë dhe ndikimin e këtij formati në ekosistemin digjital.
    ________________________________________
    Ndikimi është i Matshëm — Kur Dihen të Lexohen të Dhënat

    Performanca digjitale e Big Brother VIP nxjerr në pah rëndësinë gjithnjë e më të madhe të rrjeteve sociale dhe platformave online në formësimin e sjelljes së audiencës, trendeve mediatike dhe diskutimeve publike.

    Të dhënat tregojnë edhe dy ekosisteme digjitale të ndryshme: Shqipëria karakterizohet nga angazhim i lartë social i përforcuar nga amplifikimi mediatik, ndërsa Kosova nga konsum i lartë i videove dhe shtrirje e gjerë në platformat video. Ky kontrast dëshmon se si Pikasa Analytics, përmes analytics.live, e shndërron aktivitetin digjital të fragmentuar në inteligjencë strategjike të qartë.

    Përmes monitorimit në kohë reale, analizës së thelluar të tregjeve dhe krahasimeve ndër-shtetërore, Pikasa ofron insight-e të zbatueshme për vendimmarrësit, jo thjesht tabela apo dashboard-e.

    Link to original article: www.pikasa.ai

  • Sfidat e zhvillimit dhe të integrimit

    Sfidat e zhvillimit dhe të integrimit

    AKADEMIK. PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    E ardhmja ekonomike e Shqipërisë dhe e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor do të vendoset nga mënyra se si të rinjtë e sotëm do të kenë mundësi reale të krijojnë, të punësohen dhe të qëndrojnë këtu, në vendet tona, duke përfituar nga rruga drejt Bashkimit Europian e jo vetëm duke ëndërruar të ardhmen diku tjetër. Kjo kërkon një vizion për integrimin e të rinjve tanë në ekonominë moderne.

    1-SITUATA E TË RINJVE SOT: PËRBALLJA ME PAPUNËSINË DHE SFIDËN E INTEGRIMIT

    Ekonomia shqiptare në vitin 2024-2025 ruajti një dinamizëm të mirë zhvillimi, me rritje GDP në rreth 4%, e nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe turizmi, i cili mbetet një sektor kyç. Inflacioni ra nën synimin e Bankës Qendrore, ndërsa konsolidimi fiskal u përshpejtua, gjë që tregon një qasje më të përgjegjshme ndaj financave publike. Megjithatë, të ardhurat qeveritare si përqindje e GDP-së mbeten ende relativisht të ulëta dhe përmbushja e investimeve publike ndonjëherë nuk arrihet në shkallën e planifikuar. Pavarësisht progresit të bërë, vendi ynë po përballet me një krizë të thellë demografike dhe sociale, e cila tashmë ka prekur gjerë edhe të rinjtë. Kjo është reflektuar qartë në rënien e numrit të nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm dhe në emigracionin masiv të të rinjve. Pra, paralelisht me rritjen makroekonomike, edhe situata e të rinjve është në dinamikë të vazhdueshme. Papunësia e të rinjve në Shqipëri ka arritur në 19% në 2024, niveli më i ulët në gati një dekadë, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 11,2%. Brenda kësaj përqindjeje, norma e të rinjve NEET (jo në arsim, punësim ose trajnim) është rreth 22,2% të popullsisë së moshës 15-29 vjeç. Megjithatë, ka sinjale pozitive: norma e punësimit të të rinjve u rrit në 44,4% në 2024, nga 41,9% në 2023, ndërsa pjesëmarrja e të rinjve në fuqinë punëtore u rrit nga 45,7% në 2016 në 54,8% në 2024. Sfida kryesore, megjithatë, është emigracioni i të rinjve. Sondazhet e fundit tregojnë se 36,5% e të rinjve shqiptarë shprehin dëshirën të emigrojnë për punë dhe jetë më të mirë jashtë vendit, dhe për ata me arsim të lartë, kjo përqindje është edhe më e lartë. Ky “brain drain” e privon vendin nga kapitali njerëzor më i vlefshëm – të rinjtë e arsimuar që mund të jenë motor i zhvillimit dhe inovacionit. Sipas INSTAT dhe Eurostat, grup-mosha 0-29 vjeç është tkurrur me 44% që nga viti 2011, me mbi 600.000 të rinj që kanë emigruar. Ky trend nuk është një dukuri e izoluar, por pasojë e një sërë faktorësh të ndërlidhur ekonomikë, socialë, demografikë dhe politikë, që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë të vendit.

    Përballur me këto sfida, Shqipëria ka nisur disa iniciativa të rëndësishme. Programi i Garancisë për të Rinjtë, i nisur në 2023, ofron një mundësi pune, trajnimi ose edukimi brenda katër muajsh për të rinjtë që regjistrohen si të papunë. Ky program ka filluar me projekte pilot në tri qytete (Tiranë, Shkodër, Vlorë), po zgjerohet dhe po rafinohet për të siguruar përfshirjen më të madhe të të rinjve. Sipas raportit të Partner Albania “Monitoring Report 2024”, gjatë fazës pilot (nëntor 2023 – dhjetor 2024): 560 të rinj NEET u regjistruan në program; 414 të rinj (74%) u integruan me sukses; 242 të rinj u punësuan përmes shërbimeve të ndërmjetësimit të punës; 145 të rinj përfituan nga ofertat e trajnimit; 27 të rinj u përfshinë në mundësi arsimore. Rezultatet janë premtuese dhe duhet të shkallëzohen për të bërë ndryshim thelbësor në papunësinë e të rinjve.

    Largimi masiv i të rinjve (19-40 vjeç) konsiderohet si një humbje strukturore dhe përbën një nga sfidat më serioze për të ardhmen e Shqipërisë. Arsyet kryesore përfshijnë: mungesën e vendeve të punës të denja dhe të mirëpaguara; mungesën e meritokracisë dhe besimit në institucione; cilësinë e ulët të shërbimeve publike; pasigurinë për të ardhmen personale dhe profesionale. Ky emigracion nuk është thjesht ekonomik, por edhe emigracion shprese, ku të rinjtë largohen për të ndërtuar një jetë me dinjitet dhe siguri.

    Një problem shqetësues është dhe numri i nxënësve në shkolla. Sot, krahasuar me 20 vjet më parë, numri i nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme është 50% më i ulët, dmth., është përgjysmuar. Ky fenomen është i lidhur me disa faktorë si:

    -Faktorët demografikë:

    Rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë janë elementët bazë që ndikojnë në tkurrjen e numrit të nxënësve. Emigracioni familjar ka thelluar më tej këtë fenomen, duke zbrazur veçanërisht zonat rurale dhe qytetet e vogla.

    -Faktorët ekonomikë:

    Varfëria, papunësia dhe të ardhurat e ulëta e bëjnë arsimin më pak të aksesueshëm dhe më pak tërheqës. Për shumë familje, investimi afatgjatë në arsim nuk shihet si rrugë e sigurt drejt përmirësimit të jetesës.

    -Faktorët socialë:

    Braktisja shkollore, mungesa e motivimit dhe perceptimi i dobët për rolin e arsimit në suksesin profesional janë bërë fenomene të përhapura. Shkolla shpesh nuk arrin të krijojë lidhje funksionale me realitetin social dhe ekonomik të të rinjve.

    -Faktorët politikë dhe institucionalë:

    Politikat arsimore të paqëndrueshme, investimet e pamjaftueshme dhe mungesa e vizionit afatgjatë kanë ndikuar negativisht në cilësinë dhe besueshmërinë e sistemit arsimor.

    Prandaj mbetet sfidë zbatimi i politikave për frenimin e këtij fenomeni: Politika këto të koordinuara dhe afatgjata: investime serioze në arsim cilësor dhe profesional; rritje të pagave dhe formalizim të tregut të punës; mbështetje për sipërmarrjen rinore dhe inovacionin; luftë reale kundër korrupsionit dhe klientelizmit; politika strehimi dhe mbështetje sociale për të rinjtë, etj.. Një rëndësi të veçantë merr dhe integrimi europian si një mundësi strategjike. Dhe për këtë na shërben edhe përvoja e vendeve që hynë në BE në vitin 2004 dhe 2007.

    Vendet si Polonia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, si dhe vendet baltike – Estonia, Letonia, Lituania të quajtura: “Tigrat Baltik”, janë sot prova më e fortë se çfarë sjell anëtarësimi në BE kur ai shoqërohet me reforma të thella ekonomike dhe institucionale. Ato kanë pasur politika të veçanta për rininë, që kanë qenë thelbësore për suksesin e tyre ekonomik. Ato siguruan rritje, konvergjencë dhe mundësi për të rinjtë. Pavarësisht nga diferenca në rezultate midis këtyre vendeve, këto rezultate nuk erdhën automatikisht. Ato erdhën sepse këto vende bënë reforma të thella në ekonomi, në drejtësi, në administratë, modernizuan sistemet e arsimit dhe formimit profesional; krijuan një klimë tërheqëse për investime dhe sipërmarrje, shfrytëzuan në mënyrë aktive fondet e BE-së për infrastrukturë, inovacion dhe kapital njerëzor.

    Këtu qëndron diferenca: nuk u bënë thjesht anëtare të BE-së, por përgatitën vendet e tyre përpara se të hyni. Ky është një mësim i drejtpërdrejtë për Shqipërinë dhe rajonin tonë. Nëse ne dëshirojmë të arrijmë rezultate të ngjashme, nuk mjafton të hapim kapitujt e negociatave. Duhet ta kuptojmë se secili kapitull i hapur përfaqëson një obligim konkret – të përmbushim standardet europiane në atë fushë, të trajtojmë njerëzit, të ndërtojmë institucione të aftë. Aty qëndron puna e vërtetë.

    Edhe Rumania, edhe Bullgaria, të cilat u anëtarësuan në BE në vitin 2007, kanë përjetuar efekte pozitive të qarta në rritjen ekonomike, por efektet pozitive u bënë të dukshme vetëm rreth shtatë vitesh pas anëtarësimit, si rrjedhojë e vonesës në zbatimin e reformave. Gjithashtu, në këto dy vende, politikat për të rinjtë kanë qenë më të dobëta në krahasim me vendet e anëtarësuara më herët. Ajo që duhet ta kuptojmë këtu është se anëtarësimi në BE është një mundësi shumë e madhe, por jo një zgjidhje, një shkop magjik. Ajo funksionon.

  • Frutex përfaqëson 67% të vlerës së eksportit në kategorinë e pijeve

    Frutex përfaqëson 67% të vlerës së eksportit në kategorinë e pijeve

    Kompania Frutex vazhdon të dominojë sektorin e pijeve, duke përfaqësuar 67% të vlerës totale të eksportit në këtë kategori. Sipas publikimeve të fundit të Institutit GAP dhe Doganës së Kosovës, vlera e përgjithshme e eksportit të pijeve arrin në 54 milionë euro, nga të cilat pjesa dërrmuese realizohet nga Frutex.

    Gjatë vitit 2025, kompania ka shënuar rritje prej 15% në eksport, ndërsa produktet e saj tashmë eksportohen në më shumë se 30 vende të botës. Ky zhvillim e forcon më tej pozitën e kompanisë Frutex si njëra nga kompanitë shqiptare më të suksesshme.

    Vendet kryesore të eksportit për kompaninë mbeten Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Zvicra, Gjermania, Suedia, Bullgaria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia dhe Belgjika.

  • Homazhe poetike pranë varreve të ujit

    Homazhe poetike pranë varreve të ujit

    Lulzim Tafa

    Rreth librit të fundit me poezi të Ismail Syles, “Ëndërr në zarf”, botimet Artini, Prishtinë, 2025

    Secili krijim letrar e ka një identitet të vetin, një lloj veçantie që e bën të duket më ndryshe nga krijimet e tjera. Janë së paku tri elemente që i japin vulë identitetit të kësaj vepre letrare: topika, tmerri dhe, normalisht pas tmerrit, trauma.

    Topika është vendi, Kosova (më saktë emblema e saj, Drenica), tmerri është lufta, respektivisht masakra, dhe e treta është trauma.

    Poezitë e Ismail Syles duken si balada, sepse seç kanë diçka prej atyre këngëve e vajeve popullore shqiptare; mbase e përbashkëta e tyre është toka, njerëzit, gjuha dhe historia. E përbashkëta është pikërisht kjo lloj traume që vjen si pasojë e tmerreve të masakrave që u bënë mbi popullatën civile të Kosovës, pa dallim pleq, gra e fëmijë. Kur nga këto veprime edhe Zoti trishtohet dhe Zotit i vjen keq, s’ka se si të mos ketë traumë poeti. Nuk është traumë e tipit fragmentar. Është traumë që ka një lidhje të vazhdueshme dhe që prek tragjeditë, nga një fëmijë i vrarë te një tjetër, nga një familje e shuar te një tjetër, e kështu për ta përgjithësuar në tërësi fatin e popullit shqiptar.

    E tërë poezia, e cila është një rrëfim për tragjeditë e ndodhura, ka për bazë realitetin e masakrave të kryera mbi njerëz të pafajshëm. E tërë përmbledhja është si një album ku poeti shpalos përjetimet e veta, duke u ndalur dhe duke i bërë jehonë një detaji të vetëm, që shpesh, për nga mënyra si e thotë poeti, lexuesin e lë pa frymë.

    Ai detaj mund të jetë një lodër fëmijësh, një kukull, një biçikletë apo një top me të cilin një fëmijë nuk do të luajë më kurrë, ngase vdekja e mori.

    Libri zbulon tri adresa/pjesë prej nga poeti e nis rrëfimin:

    · Pjesa e parë, Abria e Imer Deliut – Duart që bien erë, që është një shpalim tragjik i kujtesës, një lloj biografie poetike për të masakruarit e familjes Deliu.

    · Pjesa e dytë, Poklek – Bunari që bari s’e mbulon, pusi ku u hodhën trupat e të vrarëve, është rrëfim poetik për 53 viktimat e një masakre.

    · Pjesa e tretë, Homazh për gjësendet – Homazh për shqiptarët e zhdukur dhe të vrarë nga policia dhe ushtria serbe në vitet 1998–1999.

    Ndonëse rrëfimet ngjasojnë si me gojëdhëna, ato reflektojnë ngjarje të ndodhura në fund të shekullit njëzet. Janë vargje që të tmerrojnë me peshën e rëndë të dhunës, që të trishtojnë me mungesën e humanitetit të atyre që i bënë këto masakra dhe që të lënë pa frymë me egërsinë e treguar mbi njerëz të pafajshëm, madje edhe mbi fëmijë.

    Përjetimin, kujtesën e vet, poeti e bën art, e bën poezi përmes gjetjeve befasuese që të tronditin me simbole poetike e me figura të tjera:

    një e çarë në murin e shtëpisë / nuk e mbyllën kurrë / ndoshta shpirti i fundit ka dalë nga ajo vrimë…Kështu e përshkruan poeti dhomën ku ka ndodhur masakra.

    Ngjarjet godasin çdo pjesë të ndërgjegjes së poetit dhe, kur godasin poetin, ato e godasin ndërgjegjen njerëzore. Nuk thuhet kot se poetët janë ndërgjegjja njerëzore.

    Thuajse secila poezi mbaron me një figurë, me thënie të tipit aforistik e befasues, që mëton të mbahet në mend në kujtesën e lexuesit:

    çupën që nuk pati kohë të mësojë …

    që me thikë ia pret fijet jetës,

    me lehtësi siç thërret një rosë.

    (Ata, nuk i ndali as gjumi,

    as lodrat, as fustani i saj rozë.)…

    (Mu duk se Zoti po kërkonte falje)

    Në poezitë e Ismail Syles, në përgjithësi, ka gjetje të hatashme, të cilat aq sa të mahnitin me forcën shprehëse, po aq edhe të tronditin me tragjedinë që i mbështjell.

    Një nënë e kërkoi të bijën

    pesëmbëdhjetë vjet.

    Kur e gjeti,

    nuk kërkoi drejtësi…

    veç pak tokë për ta mbuluar.

    Secila poezi është një tablo që tregon shkatërrimin e një idili fshati dhe të një gëzimi fëmije nga tmerri i luftës.

    Çdo vit e kërkonte.

    Një biçikletë të kuqe.

    Më në fund, e bleu babi.

    Por kur erdhi dita…

    ajo mbeti e pashaluar

    si një gëzim pa këmbë.

    (Biçikleta e kuqe)

    Kështu, secila poezi e Ismail Syles është një epitaf i veçantë poetik, është shkrim, poezi mbi gurët e varreve. Është kujtesë që nuk duhet ta fshijë kurrë rrjedha e historisë.

  • “Mantra” – Një udhëtim poetik drejt çlirimit të mendjes, botohet libri më i ri i Jeton Kelmendit

    “Mantra” – Një udhëtim poetik drejt çlirimit të mendjes, botohet libri më i ri i Jeton Kelmendit

    Shtëpia botuese IWA Bogdani, me seli në Bruksel dhe Prishtinë, ka botuar së fundmi librin më të ri poetik “Mantra” të poetit, akademikut dhe përkthyesit ndërkombëtar Jeton Kelmendi.

    Ky botim shënon një tjetër moment të rëndësishëm në krijimtarinë e pasur të autorit, duke i shtuar letërsisë shqipe dhe asaj botërore një vepër me thellësi filozofike, meditative dhe estetike.

    “Mantra” është një libër që ndërthur poezinë me reflektimin ekzistencial, duke e vendosur lexuesin përballë pyetjeve themelore të qenies njerëzore: kush jemi, çfarë është koha, si matet dashuria, çfarë roli ka mungesa, kujtesa, besimi dhe heshtja në jetën tonë. Poezitë e këtij vëllimi nuk janë thjesht vargje lirike, por struktura mendimi që funksionojnë si thirrje të brendshme, si mantra personale që përsëriten për të çliruar mendjen dhe shpirtin.

    Vetë titulli i librit, “Mantra”, ka origjinë nga sanskritishtja e lashtë dhe do të thotë “mjet për çlirimin e mendjes”. Në këtë frymë, poezia e Jeton Kelmendit shfaqet si një formë meditimi modern, ku fjala poetike shndërrohet në instrument vetëdijeje.

    Autori e përdor vargun për të zbërthyer realitetin bashkëkohor, për të sfiduar rutinën e zbrazët, iluzionet kolektive dhe mekanizmat e mashtrimit, duke i dhënë poezisë një dimension etik dhe filozofik.

    Tematika e librit është e gjerë dhe universale: dashuria si pafundësi e pamatur, koha si përsëritje rituale, besimi si forcë krijuese dhe shkatërruese njëkohësisht, mungesa si prani e rëndë, identiteti në epokën digjitale, si dhe raporti i njeriut me atdheun, gjuhën dhe lirinë. Poezitë janë shkruar në kohë dhe vende të ndryshme të botës, nga Prishtina në Paris, nga Brukseli në Nju Jork, duke reflektuar përvojën ndërkombëtare dhe vizionin global të autorit.

    Libri “Mantra” është pritur me vlerësime të larta edhe nga personalitete të njohura botërore të letërsisë dhe mendimit kritik.

    Shkrimtarë, akademikë dhe studiues kanë theksuar se poezia e Jeton Kelmendit “hap një labirint mendjeje dhe zemre ku lexuesi humbet me kënaqësi”, ndërsa të tjerë e kanë cilësuar këtë vepër si “një dialog të thellë mes filozofisë dhe poezisë, ku fjala nuk kërkon përgjigje, por zgjon vetëdijen”.

    Kritika ndërkombëtare ka vënë në pah universalitetin e temave dhe qartësinë e mendimit poetik, duke e renditur Kelmendin ndër zërat më përfaqësues të poezisë bashkëkohore evropiane.

    Me botimin e “Mantra”, IWA Bogdani vazhdon misionin e saj për të promovuar letërsinë cilësore shqipe dhe autorët me ndikim ndërkombëtar. Ky libër nuk është vetëm një vëllim poezish, por një ftesë për reflektim të thellë, një udhëtim shpirtëror dhe intelektual që i flet njeriut modern, kudo që ndodhet.

  • Pse na duhen sekretet e gjenive të biznesit?

    Pse na duhen sekretet e gjenive të biznesit?

    Nga Fatos Çoçoli

    Libri në dy vëllime “Sekretet e gjenive të biznesit” i Prof. Dr. Adrian Civici përfaqëson një prej botimeve më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e ekonomisë, menaxhimit dhe edukimit sipërmarrës në Shqipëri.

    Ai sjell një qasje të rrallë: kombinimin e analizës teorike me biografitë konkrete të sipërmarrësve më të mëdhenj të botës moderne, duke i përkthyer eksperiencat e tyre në mësime të thjeshta, të zbatueshme dhe të vlefshme për çdo lexues.

    Ky libër jo vetëm informon, por formon, duke shërbyer si udhërrëfyes për studentët, biznesin, politikëbërësit dhe këdo që kërkon të kuptojë mekanizmat e suksesit në ekonominë globale.

    Një manual modern i mendimit sipërmarrës

    Vlera e parë e librit është se përkthen mendësinë e gjenive të biznesit, nga Steve Jobs te Elon Musk, nga Warren Buffett te Jack Ma, në modele të qarta, të prekshme dhe të sistemuara. Profesor Civici nuk përqendrohet në mitologjinë e tyre, por në procesin e tyre të të menduarit, disiplinën, strategjinë dhe vizionin afatgjatë.

    Libri arrin të lidhë botën e miliarderëve të teknologjisë, industrisë dhe shërbimeve me sfidat e tregut shqiptar: mungesa e inovacionit, frika nga rreziku, kultura e ulët menaxheriale dhe dobësia e planeve strategjike. Kjo e bën veprën një mjet të çmuar orientues për sipëmarrsit e ndërmarrjeve tona të vogla e të mesme, për startup-et tona, për profesionistët e sektorëve të ndryshëm dhe për vendimmarrjen ekonomike publike.

    Profesori i shquar i ekonomisë sonë dhe publicisti i njohur, për çdo figurë gjeniale të biznesit botëror që analizon, përqendrohet tek psikologjia e suksesit. Civici shpjegon se gjenitë e biznesit dallohen jo vetëm nga inteligjenca apo kapitali, por nga aftësia për të marrë vendime të vështira, nga qëndrueshmëria ndaj dështimit, nga vizioni i qartë për të ardhmen dhe prirja për të parë mundësi, aty ku të tjerët shohin vetëm rrezik.

    Libri, i shkruar me një gjuhë të thjeshtë, komunikuese dhe të zhdërvjelltë, e zhvendos me mjeshtëri vëmendjen nga qasja tradicionale “çfarë bënë” drejt qasjes “si menduan”, një risi me vlerë shkencore dhe praktike.

    Libër që e sjell biznesin si kulturë, jo vetëm si aktivitet ekonomik

    Në një vend si i yni, ku edukimi ekonomik shpesh mbetet teorik, libri plotëson një boshllëk të madh. Ai është i ilustruar me histori reale, i thjeshtëzuar në gjuhë të qartë, i sistemuar në forma që mund të përdoren gjerësisht në leksione, trajnime dhe seminare, si dhe i vlefshëm për sipërmarrësit e rinj, të cilët kërkojnë një “udhëzues fillestar” të besueshëm.

    Profesor Civici ka arritur të japë një analizë të thellë dhe të ekuilibruar të këtyre gjenive, duke e mbajtur narrativën larg romantizimit. Ndryshe nga shumë libra motivues perëndimorë he qasje pothuajse biografike, Civici ruan një qasje kritike. Ai studion jo vetëm sukseset e gjenive të biznesit, por edhe gabimet, krizën e tyre, konfliktet me rregullatorët, etikat e diskutueshme, marrëdhënien mes pushtetit ekonomik dhe atij politik.

    Ky ekuilibër e bën librin të besueshëm dhe akademikisht tejet të vlefshëm. Me të, Civici ia ka dalë ta konceptojë dhe të na e sjellë me shumë ngjyra aktivitetin e biznesit Konceptimi i biznesit si kulturë, jo vetëm si aktivitet ekonomik i jep veprës atë përmasë të gjashtë shtesë, që e bën unikale.

    Libri hedh një mesazh të rëndësishëm: biznesi është sa eksperiencë e jashtëzakonshme e jetuar, aq edhe vlerë shoqërore dhe kulturë. Ai kërkon mentalitet të hapur, inovacion të vazhdueshëm, të mësuarit gjatë gjithë jetës, respekt për kohën, si dhe ndërtim të vlerave, e jo vetëm të pasurisë. Ky dimension i qartë dhe i plotë kulturor është ndoshta kontributi më i madh i librit të Prof. Dr. Adrian Civicit.

    Ai do të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në politikëbërjen dhe edukimin publik ekonomik. Përtej lexuesit individual, libri ofron referenca që shërbejnë si material për politika mbi sipërmarrjen, bazë për reforma në arsimin profesional, literaturë për programet universitare të ekonomisë dhe menaxhimit, si dhe frymëzim për sektorin privat që kërkon modernizim.

    Një ftesë për të ndërtuar “gjenitë e biznesit” shqiptarë të së ardhmes

    Në një vend me treg të vogël, ekonomi të brishtë dhe emigracion të lartë, Civici nxit një ide të rëndësishme: edhe Shqipëria mund të krijojë gjenitë e saj të biznesit, nëse ndërtohen kultura e inovacionit, tregjet konkurruese, mbështetja institucionale, mendësia e rrezikimit të matur dhe investimi në dije. Libri është një thirrje për të mos pritur vetëm “heronjtë globalë”, por për të kultivuar mendjet kreative shqiptare.

    “Sekretet e gjenive të biznesit” është më shumë se një libër për ekonominë. Është një guide për mënyrën e të menduarit, një ftesë për ndryshim kulturor, një manual inspirues dhe një instrument edukativ që i mungonte tregut shqiptar. Kryevlera e tij qëndron tek aftësia e Profesorit të talentuar për të sjellë përvojat globale në realitetin tonës, duke dhënë mësime që mund të shndërrohen në strategji konkrete suksesi. Në një kohë kur Shqipërisë i duhen ide të reja, kultura inovative dhe sipërmarrje e guximshme, libri i Prof. Dr. Civici është një prej burimeve më të vlefshme të mendimit kritik dhe zhvillimor shqiptar në fushën e ekonomisë.

  • Demantohet lajmi për arrestimin e Nexhmije Karaqit, reagon edhe Ministria e Drejtësisë

    Demantohet lajmi për arrestimin e Nexhmije Karaqit, reagon edhe Ministria e Drejtësisë

    Avokatja shtetërore Nexhmije Karaqi ka demantuar publikisht raportimet e publikuara më 18.12.2025, sipas të cilave ajo ishte përmendur në mesin e personave të arrestuar në një aksion policor për korrupsion.

    Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Karaqi ka sqaruar se nuk është arrestuar, nuk është intervistuar, nuk është e përfshirë në asnjë procedurë penale dhe nuk ka asnjë lidhje me rastin në fjalë. Ajo ka theksuar se bëhet fjalë për një identifikim të gabuar, të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme, pa asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet kompetente.

    Sipas saj, publikimi i emrit dhe fotografive të saj përbën informacion të pavërtetë dhe shpifës, cenon rëndë reputacionin dhe të drejtat e personalitetit, si dhe ka shkaktuar dëm serioz moral dhe presion psikologjik për të dhe familjen e saj. Karaqi ka paralajmëruar se është duke ndërmarrë veprime ligjore, përfshirë padi civile për shpifje dhe dëm moral, si dhe ka kërkuar fshirjen e përmbajtjes së pavërtetë dhe publikimin e një korrigjimi zyrtar.

    Lidhur me këtë çështje, reagim zyrtar ka pasur edhe Ministria e Drejtësisë, e cila në një sqarim publik ka bërë të ditur se avokatja shtetërore Nexhmije Karaqi nuk është arrestuar, nuk është intervistuar dhe nuk është subjekt i asnjë procedure nga organet e drejtësisë. Ministria ka theksuar se raportimet për arrestimin e saj janë plotësisht të pavërteta dhe të pabazuara, duke nënvizuar se kemi të bëjmë me një keqinformim mediatik.

    Ministria ka vlerësuar se publikimi i emrit dhe fotografive pa konfirmim zyrtar përbën cenim të reputacionit dhe shkelje të të drejtave të personalitetit, ndërsa raportimet e pasakta krijojnë konfuzion te publiku dhe dëmtojnë besimin në institucione. Po ashtu, ajo u ka bërë thirrje mediave që kanë publikuar këtë informacion të pasaktë të bëjnë korrigjimin e menjëhershëm, të publikojnë demantin zyrtar dhe të respektojnë standardet profesionale të informimit.

    Në lidhje me këtë rast, pas publikimit të lajmit në portalin e ATV-së, të marrë nga mediat tjera, redaksia sot ka pranuar një ankesë zyrtare nga familjarët e znj. Karaqi, në të cilën shprehen shqetësime lidhur me pasaktësinë e informacionit të publikuar dhe pasojat që ky publikim ka shkaktuar në reputacionin personal dhe familjar.

    Redaksia e ATV-së, ka ndërmarrë hapat konkretë duke e larguar lajmin e paverifikuar, dhe rithekson përkushtimin e saj për informim të saktë, të verifikuar dhe në përputhje me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë duke shprehur keqardhje dhe duke i kërkuar ndjesë znj.Karaqi për çdo shqetësim të shkaktuar nga publikimi i këtij informacioni të pakonfirmuar.

  • Roli parësor ekonomik i Shqipërisë në rajon

    Roli parësor ekonomik i Shqipërisë në rajon

    AKADEMIK, PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    Ekonomitë e vendeve të Ballkanit janë shumë më të ndërlidhura sesa mund të duket në pamje të parë. Lidhjet tona nuk kalojnë vetëm përmes marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe shifrave të importit dhe eksportit apo turizmit, që tashmë është shndërruar në një sektor të suksesshëm dhe të rëndësishëm në strukturën e ekonomisë sonë, por edhe përmes një rrjeti më të gjerë marrëdhëniesh kulturore, historike, financiare dhe akademike. Ndaj dhe po ndalem në disa nga këto fusha që lidhen me: stabilitetin financiar e monetar, kapacitetin investues dhe vlerën e dijes dhe kapitalit njerëzor ku mendoj se Shqipëria mund të luajë një rol parësor në rajon.

    Shqipëria është një rast unik në rajon. Megjithëse monedha jonë zyrtare mbetet leku, një pjesë e madhe e ekonomisë sonë funksionon de facto në euro. Ky fenomen i njohur si euroizim i pjesshëm shumë i diskutuar në literaturë e specializuar shqiptare në konceptin e “Asimetrie Monetare”, paraqet njëkohësisht një dobësi relative, por dhe mundësi absolute shumë të rëndësishme. Po ndalem vetëm në dy të dhëna ne tabelat e publikuara.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rezultojnë si vendet me ekspozimin më të lartë ndaj depozitave dhe kredive në euro. Kjo tregon një mekanizëm të fuqishëm të menaxhimit të sistemeve të tyre financiare në monedha të huaja, e cila i bën ato shumë të ndjeshme ndaj vendimeve të politikës monetare të ECB-së dhe luhatjeve të EURIBOR-it. Bosnja dhe Hercegovina gjendet në një pozicion të mesëm, ndërsa Serbia është një rast i veçantë, me një përqindje dukshëm më të ulët.

    Në këtë situatë, që shpesh shihet si sfidë, mund të shihet dhe si një potencial strategjik, që personalisht e konsideroj si mundësi absolute që Shqipëria mund të shndërrohet në një “Pol financiar rajonal”, duke shfrytëzuar lidhjen organike që ekziston tashmë me euron. Përse? Le ta shohim nga një kënd tjetër vështrimi gjithë fenomenin.

    Në rajon, Kosova dhe Mali i Zi e përdorin euron zyrtarisht. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë sisteme të ndërmjetme. Shqipëria, me përvojën e saj në menaxhimin e një ekonomie të euroizuar, mund të ofrojë një model të balancuar duke treguar si mund të ruajmë fleksibilitetin e politikës monetare kombëtare, ndërkohë që afrohemi natyrshëm me arkitekturën e Eurosistemit.

    Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të bëhet ura monetare midis vendeve, që tashmë janë në orbitën e euros dhe atyre që ende ruajnë monedhën kombëtare. Kjo do të ndihmonte në harmonizimin e rregullave bankare, lehtësimin e tregtisë ndërkufitare dhe forcimin e integrimit financiar të rajonit tonë. Një Shqipëri e fortë financiarisht, me institucione të qëndrueshme, nuk do të ishte vetëm në shërbim të stabilitetit të vet ekonomik, por do të shërbente si “garant i besimit rajonal”, si një “stabilizator monetar” në pritje të integrimit të përbashkët në Bashkimin Europian.

    Proceset e modernizimit ekonomik në vendet e vogla dhe të hapura shpesh kërkojnë identifikimin e avantazheve strukturore që mund të shndërrohen në burime konkurruese rajonale. Në rastin e Shqipërisë, dy fusha paraqiten si potencialisht transformuese: sistemi financiar në zgjerim dhe modernizim, i karakterizuar nga përhapja e përdorimit të euros në ekonomi dhe sektori energjetik i mbështetur fort te burimet e rinovueshme, veçanërisht hidroenergjetika. Ndonëse këto dy fusha duken të ndara në mënyrë tradicionale, ndërthurja e tyre strategjike mund të krijojë një model zhvillimi unik, ku stabiliteti financiar dhe kapitali ndërkombëtar shfrytëzohen për të ndërtuar një industri energjetike të qëndrueshme dhe të orientuar drejt eksportit. Në të njëjtën kohë, prodhimi i pastër i energjisë rrit besueshmërinë dhe perceptimin e vendit si destinacion për investimet financiare ndërkombëtare.

    Rritja e përdorimit të euros në ekonominë shqiptare ka sjellë një shkallë të lartë stabiliteti monetar. Ky euroizim de facto ka krijuar një mjedis më të parashikueshëm për investitorët e huaj dhe për institucionet financiare rajonale. Nëse ky proces shoqërohet me reforma të thelluara në infrastrukturën financiare, Fintech, digjitalizim të veprimeve bankare deri në Bankë Digjitale dhe sidomos modernizimi i sistemeve të pagesave i realizuar kohët e fundit me platformat europiane si SEPA, “Open Banking” dhe shumë shpejt me sistemin e pagesave TIPS, projekt i BQ Italiane me mbështetje të BQE, (ku Shqipëria është angazhuar e para bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor) dhe zgjerimi i instrumenteve të tregut të kapitaleve, atëherë Shqipëria mund të pozicionohet si nyje financiare në Ballkanin Perëndimor. Të qenit një pol financiar nuk kuptohet vetëm si prania e bankave, por si aftësia për të mobilizuar kapitale afatgjatë, të tërheqë fonde institucionale dhe të krijojë tregje funksionale të reja. Sektori financiar, nëse arrin këtë nivel zhvillimi, bëhet një mekanizëm i rëndësishëm për të mbështetur transformimin energjetik.

    Projekte të tilla si parqet diellore (fotovoltaike), turbina eolike, magazinimi i energjisë në bateri, zgjerimi i hidrocentraleve ekzistuese apo digjitalizimi i rrjetit energjetik kërkojnë kapital te konsiderueshëm dhe periudha të gjata kthimi. Këto karakteristika i bëjnë projektet e energjisë së gjelbër ideale për financim përmes instrumenteve si obligacionet e gjelbra, fondet e investimeve të specializuara dhe partneritetet publik–privat. Një vend që funksionon si qendër financiare mund t’i strukturojë këto instrumente në mënyrë më efikase dhe tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë. Për shembull, krijimi i një tregu të obligacioneve të gjelbra në Tiranë do t’i mundësonte vendit të kanalizonte kapitalin global drejt projekteve të energjisë së pastër, duke kombinuar reputacionin energjetik me stabilitetin financiar.

    Nga ana tjetër, sektori energjetik shqiptar mbështetet tashmë në një avantazh të rrallë në rajon: prodhimin gati tërësisht të bazuar te burimet e rinovueshme, kryesisht për shkak të hidrocentraleve. Ky profil e vendos Shqipërinë në një pozicion unik për t’u afirmuar si furnizues rajonal i energjisë së pastër, në një kohë kur Bashkimi Europian po orienton gjithnjë e më shumë politikat dhe fondet drejt ekonomive me karbon të ulët. Potenciali për energji diellore dhe të erës mbetet i pashfrytëzuar plotësisht, ndërsa projektet e interkoneksionit me vendet fqinje, përfshirë lidhjet me Italinë, krijojnë mundësi të reja për eksport dhe për stabilizimin e rrjetit energjetik.

    Integrimi i dy sektorëve financiarë dhe energjetikë mund të realizohet përmes krijimit të institucioneve të specializuara dhe instrumenteve të dedikuara financiare. Këtu kërkohet nga njëra anë rritja e rolit të sektorit financiar e bankar në fushën e investimeve dhe projekteve të zhvillimit duke pasur në fokus edhe Investimet për Energjinë e Gjelbër, e modeluar sipas praktikave më të mira europiane që do të mund të ofronin kredi të buta dhe do të nxiste partneritete me institucione si EBRD apo BEI, e do të zvogëlonte rreziqet për sektorin privat. Në të njëjtën kohë, emetimi i obligacioneve të gjelbra sovrane do të siguronte burime financimi afatgjata për projekte strategjike të infrastrukturës energjetike. Nga ana tjetër, investimet në këta sektorë dhe ata strategjikë kërkon dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, për të mundësuar një “filtrim” të investitorëve në këto fusha, veçanërisht të burimeve financiare të tyre.

    Këto ndërhyrje financiare, të kombinuara me rregullore të favorshme për investimet e gjelbra apo atyre infrastrukturore me Partneritet PublikPrivat dhe me stimuj fiskalë, do të krijonin një ekosistem ku kapitali ndërkombëtar do të drejtohen drejt sektorit energjetik shqiptar.

    Nëse Shqipëria ndërmerr reformat e duhura në të dy sektorët, ajo mund të shndërrohet në një pol të dyfishtë financiar dhe energjetik në Ballkanin Veriperëndimor. Kjo do të përmirësonte ndikimin ekonomik rajonal, do të rriste eksportet dhe do të siguronte qëndrueshmëri afatgjatë në zhvillimin ekonomik. Modeli i propozuar synon jo vetëm rritjen e kapacitetit prodhues të energjisë, por edhe transformimin strukturor të ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie të integruar me tregjet europiane dhe të orientuar drejt së ardhmes.

    Në këtë proces që analizova më lart, “Edukimi Universitar” ka një rol jetik. Universitetet shqiptare duhet të përgatisin ekonomistë të gjithanshëm, por edhe ekonomistët e gjelbër të së ardhmes, profesionistë që kuptojnë lidhjen midis financës, energjisë dhe mjedisit, që dinë të projektojnë modele biznesi të qëndrueshme dhe të menaxhojnë riskun klimaterik. Rajoni ynë ka nevojë për një element që unë e quaj “infrastrukturë të butë”, ose më thjeshtë, për një treg universitar rajonal, ku akademikët, studentët, pedagogët dhe kërkuesit të lëvizin lirshëm, të ndajnë programe të përbashkëta, dhe të krijojnë qendra ekselence që bashkëpunojnë ngushtë me bizneset e rajonit. Ky duhet të kthehet si një mision kombëtar. Universitetet shqiptare mund të bëhen “qendra të dijes”, ku formohen brezat e rinj që do të udhëheqin integrimin ekonomik, financiar dhe teknologjik të rajonit. Tiparet e këtyre qendrave duhet të jenë:

    1. Ndërveprim midis akademisë, biznesit dhe institucioneve publike.

    2. Krijim dhe transferim i njohurive, jo vetëm ruajtja e tyre në nivel kombëtar.

    3. Rrjetëzim ndërkombëtar që presupozon bashkëpunim me qendra të tjera të dijes.

    4. Një qasje e hapur ndaj informacionit dhe inovacionit.

    5. Një ndikim real dhe praktik në zhvillimin ekonomik, social ose teknologjik.

    Për mua, ky bashkëpunim universitar nuk është thjesht akademik. Ai duhet të konsiderohet si një investim strategjik në konkurrueshmërinë rajonale, sepse tregjet nuk janë vetëm pronë e mallrave apo e parasë, sot ato janë mbi të gjitha “tregje idesh”.

    E ardhmja e rajonit tonë nuk do të përcaktohet vetëm nga marrëveshjet politike apo nga korridoret e transportit. Ajo do të përcaktohet nga “besimi në stabilitetin monetar”, nga “zhvillimi energjetik” dhe nga “hapësira e përbashkët e dijes”. Vetëm kështu duke e parë monedhën, energjinë dhe dijen si tri shtylla të një realiteti të ri, mund të avancojmë drejt një Ballkani Perëndimor më të integruar, më të begatë dhe më europian.

    Shqipëria është e përgatitur të japë kontributin e saj në të tria këto fronte, duke ndërtuar ura monetare, energjetike dhe universitare ndërfunksionale, që jo vetëm t’i afrohemi Europës, por të sjellim Europën më afër nesh.

  • “Sekretet e një miqësie të hershme e bashkëpunimi me Fatos Nanon”- Ditët e fundit të jetës, rrëfimi i Anastas Angjelit

    “Sekretet e një miqësie të hershme e bashkëpunimi me Fatos Nanon”- Ditët e fundit të jetës, rrëfimi i Anastas Angjelit

    VALENTINA MADANI/ Anastas Angjeli flet për humbjen e Fatos Nanos si humbje të një njeriu të mendimit të lirë, të urtësisë dhe vizionit politik, që i parapriu kohës së vet.

    Ish-ministri socialist ka ndarë me Fatos Nanon jo vetëm miqësi të hershme, por edhe një bashkëpunim politik, që zgjati më shumë se tri dekada. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, Angjeli rrëfen momentet e vështira dhe të bukura të bashkëpunimit me z.Nano, nga kabinetet e qeverisë te ditët e debatit politik, duke treguar anën njerëzore të një figure, që shënoi një epokë në tranzicionin shqiptar. Për Anastas Angjelin, Fatos Nano nuk ishte thjesht një udhëheqës politik, por një shkollë mendimi, dialogu dhe humanizmi. Ai e cilëson Nanon si arkitektin e së majtës moderne, një njeri që i dha Partisë Socialiste identitet, frymë dhe vizion evropian. Sipas Angjelit, Nano ishte njeri i kulturës dhe i ideve, një politikan që dinte të dëgjonte, të bashkonte e të falte cilësi, që rrallë gjenden në politikën shqiptare.

    Z.Angjeli, si e përjetuat personalisht lajmin e ndarjes nga jeta të z.Fatos Nano?

    Humbja e Fatos Nanos është një ngjarje e rëndë për vendin. Është një humbje e madhe në radhë të parë për familjarët e tij, për fëmijët dhe të dashurit e tij, bashkëshorten, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët. Është dhimbje e madhe largimi i një figure të shquar politike, publike, intelektuale dhe shtetare. Humbja për mua ishte e dyfishtë: e para, humbja e jetës së mikut tim të shtrenjtë, shokut tim, bashkëpunëtorit dhe bashkudhëtarit tim prej dekadash. Nga ana tjetër, humbja e jetës së Fatos Nanos nuk më gjeti në Tiranë, por në SHBA dhe u ndjeva shumë keq që nuk isha atje fizikisht, por me zemër po.

    Z.Nano ishte i shtruar në spital prej afro një muaji… A ishit në dijeni për situatën e rëndë shëndetësore të atyre ditëve?

    Ngjarjen e kam ndjekur më shumë se prej tri javësh kur u bë njoftimi se Fatos Nano ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Kam përjetuar një moment shumë të vështirë që nga dita e parë që mora vesh lajmin e rëndë për gjendjen dhe situatën e tij.

    A keni pasur komunikim me z.Nano kohët e fundit?

    Gjatë ditëve që ndodhej në spital kam komunikuar me doktor Solis, në spitalin privat ku Fatos Nano ndodhej dhe kam marrë informacion për gjendjen e tij. Një situatë e vështirë edhe për mua si një nga bashkëpunëtorët e tij që nga ditët e para të themelimit të Partisë Socialiste.

    Si e vlerësoni figurën e tij?

    Vlerësimi im mbetet më i lartë për një nga figurat më të shquara të jetës politike shqiptare që prej vitit 1990, një figurë historike jo vetëm si drejtues i emancipuar që revolucionoi dhe modernizoi Partinë Socialiste, por jo vetëm atë, edhe të gjithë shoqërinë demokratike në Shqipëri. Me detyrat dhe funksionet e ndryshme që prej vitit 1991, ai ka pasur një vizion të qartë, një mendim të kthjellët dhe një kontribut të çmuar për zhvillimin gjithanshëm ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë, të cilin e ka ushtruar gjatë gjithë kohës që ka qenë në drejtim të partisë dhe në funksione të larta shtetërore. Ai ishte lideri i socialistëve nga 1991 deri në 2005 dhe jo vetëm kaq, por duke ushtruar dhe funksionin e kryeministrit disa herë. Kjo tregon dhe dëshmon, dhe historia do e tregojë këtë, që roli i tij është i pazëvendësueshëm për demokracinë shqiptare, tranzicionin e vendit në atë periudhë. Me tolerancën e tij, me sjelljen politike europianiste dhe të qeverisjes, ai krijoi të gjitha hapësirat e nevojshme që demokracia pluraliste dhe pluralizmi politik të zhvilloheshin dhe Shqipëria të ecte drejt Bashkimit Europian.

    Kur jeni njohur me Fatos Nanon?

    Me Fatos Nanon kam pasur një miqësi dhe një shoqëri që rrjedh që nga viti 1983, kur ne të dy, unë pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fatos gjithashtu pedagog i jashtëm në këtë fakultet, pasi ishte në funksione të tjera, pra jepnim mësim në të njëjtin universitet. Kështu që njohja e parë fillon 7 vjet para fillimeve të transformimeve demokratike në Shqipëri.

    Si e përshkruani marrëdhënien tuaj profesionale dhe njerëzore me të gjatë viteve?

    Në radhë të parë, një marrëdhënie shokësh, miqsh, bashkëpunëtorësh dhe sigurisht, edhe marrëdhënie politike e profesionale dhe shtetare me të gjatë viteve. Po ju tregoj një rast. Ishte fundviti 1990. Atë natë dhjetori, nga miku im Fatos Nano mora vesh se më kishin zgjedhur të isha pjesë e një delegacioni ekonomistësh që do të merrnin eksperiencë, këshillë dhe njohuri nga vende të Lindjes, që ishin ndarë nga komunizmi. Hungaria, Polonia dhe Bullgaria ishin tri stacionet tona. Shkuam për 45 ditë në tri vende të Europës Lindore për të marrë përvojën e tyre dhe për ta sjellë në Shqipëri, në një kohë kur ende qeveriste Partia e Punës me President Ramiz Alinë.

    Ishim katër veta, Fatos Nano, Mynyr Maska, Arben Bakllamaja dhe unë. Fatos Nano qëndroi vetëm pak ditë, vetëm në Budapest me grupin. Ndërkohë që ai ndodhej në delegacion, u njoftua se ishte emëruar Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Më pas edhe zëvendës dhe Kryeministër i vendit. Njihesha shpejt me të… Fati e desh që rrugët tona në jetë dhe në politikë të ishin një bashkudhëtim i gjatë, ku miqësia, shoqëria mbizotëronte mbi debatin politik mes nesh, në disa raste. Herë si miq që ndanin të njëjtin fat dhe bindje, herë si bashkëpunëtorë dhe herë si “kundërshtarë” që i ndante mbi të gjitha, helmi i keqkuptimeve dhe pesha e politikës. Udhëtimi ynë kishte të bënte me dilemat e Ramiz Alisë në atë periudhë. Besoj se ai e kuptonte se Shqipëria nuk mund të ecte më në rrugën e saj. Se ndonëse ishte prej shumë vitesh lajtmotiv se Shqipëria ishte një rast i veçantë, nuk kishte më asnjë mundësi dhe motiv që vendi të ishte tërësisht i veçantë në ato kohëra të veçanta, që po ndryshonin e drithëronin botën. Ishte ekonomia e rrënuar dhe shumë faktorë të tjerë, tashmë të njohur, që e bëri popullin tonë të triumfonte mbi ideologjinë “triumfaliste” të komunizmit, ishte liria që vinte si shenjë edhe për ne, që nuk e njihnim lirinë që e kishte shembur komunizmin. Përtej dritareve me hekura ku kishim kaluar jetën deri më atëherë, ne vetë kishim ndërtuar një mur. Dhe nuk shihnim dot përtej murit, duke pandehur shpesh se vetë muri ishte kufiri i botës.

    Nëse do të përmendnit një vendim apo një moment politik që sipas jush e përcakton më mirë figurën e Fatos Nanos, cili do të ishte ai?

    Kemi përballuar krizën e vitit 1998 ku u sulmuan të gjitha institucionet e shtetit për t’u shkatërruar. Jemi përballur me kriza të tjera ekonomike dhe financiare dhe ka qenë mençuria, urtësia, aftësia për t’i zgjidhur problemet jo me dhunë, por me dije, me kulturë, me paqe, me demokraci. Ky ka qenë vizioni i Fatos Nanos. Bashkëpunimi me Nanon ka qenë jo thjesht bashkëpunim formal, por një bashkëpunim njerëzor, bashkëpunim mendimesh, miqësor, politik. Ky bashkëpunim në hapat e para në vitet ‘90 u shndërrua në një punë të palodhur për të reformuar e transformuar Partinë e Punës, distancimin e plotë prej saj dhe krijimin e një partie të re me profil socialdemokrat europiane.

    Si e vlerësoni periudhën kur Nano drejtoi PS-në dhe shërbeu disa herë si kryeministër, që përkoi me zbatimin e reformave më të rëndësishme, që hodhën themelet e zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë së sotme?

    Në vitet 1988-1999, Shqipëria doli nga dy kriza të rënda, ajo e skemave piramidale dhe nga ngjarjet shkatërruese të vitit 1997 dhe sulmi vandal ndaj institucioneve shtetërore i vitit 1998. Duhej filluar rindërtimi i shtetit dhe institucioneve dhe vënia në funksionim e tij nga fillimi, duheshin filluar reformat ekonomike për ringjallje e saj, duhej ngritur sistemi financiar bankar, reformat strukturore të privatizimit dhe zhvillimit, duheshin adresuar çështjet sociale të agravuara në këtë periudhë. Falë atyre politikave që u morën në qeverisjet e atëhershme dhe po zhvillohen sërish, më tej e me sukses, nga qeverisja e socialiste të drejtuar nga Edi Rama. Historia do ta njohë dhe vlerësojë rolin e Fatos Nanos si një reformator i vërtetë, një lider që kontribuoi në ndërtimin e themeleve të demokracisë dhe ekonomisë moderne shqiptare.

    Si e shihni trashëgiminë e tij politike në krahasim me liderët e tjerë të tranzicionit shqiptar?

    Fatos Nano ishte bashkëluftëtari më i mirë në betejat për demokraci. Lideri reformator i modernizimit dhe europianizimit të Partisë Socialiste. Njeriu i mirë për të gjithë, vizionar dhe koleg i jashtëzakonshëm, mendjehapur, vizionar, bashkëpunëtor, mirëkuptues i rrallë në të gjitha detyrat, funksionet e larta drejtuese shtetërore për zhvillimin e gjithanshëm të Shqipërisë. Mik dhe frymëzues që do të mbetet i paharruar dhe përgjithmonë në kujtesën dhe zemrat tona! Sigurisht, kanë kaluar 20 vite që Fatosi, si i pari dhe i vetmi politikan që njohu dhe zbatoi institucionin e dorëheqjes. Në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime të vrullshme në Shqipëri, ndryshime të mëdha në një botë në zhvillim, e majta europiane është përballur me sfida të mëdha, pikëpamjet e majta kanë qenë në ndryshim dhe zhvillim. Kësisoj, PS-ja në drejtimin e lidershipit të ri post-Fatos Nano trashëgoi themelet dhe principet bazë të PS-së që nga krijimi dhe evoluimi i saj, duke reflektuar dhe zhvilluar e çuar më tej ndryshimet që dikton koha, duke ridimensionuar filozofinë socialdemokrate europiane, vazhdon hapjen dhe rinovimin e saj e për më tepër, duke qenë në mandatin e katërt të qeverisjes, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, drejton me sukses qeverinë, me filozofinë e gjithëpërfshirjes dhe jo të Partisë Shtet, e ka afruar më shumë PS-në me nevojat e zhvillimit ekonomik e social të vendit. Sigurisht, që në 20 vite nga largimi i Fatos Nanos, duke ruajtur principet bazë dhe filozofinë majtiste të Nanos dhe PS-së së themeluar prej tij, natyrisht modernizimi dhe ndryshimi pozitiv i PS-së vazhdon rrugëtimin e vet.

    Ju e keni njohur nga afër Fatos Nanon, si ishte ai njeri përtej politikës dhe pushtetit? Njerëzit e kanë parë shpesh si figurë të fortë, ndonjëherë edhe të ashpër. Si ishte Nano në rrethin e tij të ngushtë, në marrëdhëniet njerëzore?

    I ashpër?! Jo! Përkundrazi! Fatosi ishte shumë shoqëror e miqësor, i thjeshtë në takime e biseda, komunikues me të gjithë, i përshtatshëm në biseda nga ato me intelektualët deri te më njerëzoret, sipas terrenit ku zhvillohej biseda apo takimi, politikë vizionare kur ishte fjala për politikë, kishte humor dhe ironi, i këndshëm në tryezë, ishte shumë njerëzor. Jo i ashpër, por tolerant. Tolerant në politikë duke u shtrirë dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve politikë, ai nuk ishte hakmarrës, por paqësor.

    Cili është kujtimi më i bukur, ose më i veçantë që do ta mbani gjithmonë nga ai? Po këshilla më e vyer? Ka ndonjë bisedë mes jush, që ju ka mbetur në kujtesë?

    Oh! Janë disa, shumë. Duhen orë të tëra të flasësh për to. Biseda, udhëtime, fushata elektorale, diskutime qeverisëse, mbrëmje familjare, “debate dhe përplasje politike”, përballje me sfida dhe kriza, etj…. Njëherë tjetër do të flasim për to.

    Si ishte të debatoje me Nanon? Një njeri që të sfidonte me mendim, apo që të fitonte me logjikë e humor?

    Siç ju thashë më lartë, Fatosi ishte një debatues, dialogues, negociator i kujdesshëm, i duruar, argumentues, bindës, pranues i mendimit ndryshe kur argumentohej, tolerant. Këtë frymë e mbolli dhe e përcolli edhe në zhvillimet në Partinë Socialiste.

    A kishte shumë kundërshtarë brenda partisë së tij? Kush ishin miqtë dhe “armiqtë” e tij në PS?

    Mendoj që pranimi dhe lejimi i mendimit ndryshe në PS nuk konsiderohet armiqësi. Përplasjet për karrierë dhe lidership të ri në PS ishin pjesë e zhvillimit, reformimit e transformimit të PS. Ndonjëherë edhe me kosto. Gjithsesi, në fund të çdo debati brenda PS-së, apo “përplasjeje”, “familja socialiste” mbetej më miqësore dhe ecte përpara, siç deri më sot.

    A mendoni se shoqëria shqiptare e kuptoi plotësisht dimensionin njerëzor të Fatos Nanos, apo ai mbeti shpesh i keqinterpretuar?

    Koha po provon se me gjithë keqinterpretim e ndonjëhershëm, dimensioni njerëzor i Fatos Nanos çdo ditë që kalon bëhet më i qartë, më i kuptueshëm dhe më i pranueshëm nga mbarë opinioni publik.

    Si do të donit që brezi i ri ta kujtojë Fatos Nanon, si politikan, si reformator, apo thjesht si një njeri që i deshi shqiptarët në mënyrën e tij?

    Ndoshta në tria mënyrat! Pse jo më shumëdimensional si intelektual, shtetar, ekonomist, erudit, orator, poliglot e shumë të tjera dimensione njerëzore.

  • Shkrihet akulli i luftës tregtare SHBA-Kinë

    Shkrihet akulli i luftës tregtare SHBA-Kinë

    Nga akademik. prof Anastas Angjeli

    Me tone optimiste u zhvillua takimi i fundit mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping në Busan (Koreja e Jugut). Deklaratat e bëra nga ky takim konfirmuan se SHBA-të do të ulin disa tarifa për importet kineze dhe Kina u angazhua të rifillojë blerjet e disa mallrave amerikane (psh., soja) dhe të lehtësojë eksportet e mineraleve të rëndësishme si ato të rrallë.

    PAK HISTORI PËR KONFRONTIMIN TREGTAR SHBA–KINË

    Lufta tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, e nisur zyrtarisht në vitin 2018, shënoi një pikë kthese në marrëdhëniet ekonomike globale. E karakterizuar fillimisht nga vendosja e valë pas vale të tarifave reciproke mbi qindra miliarda dollarë mallra, ky konflikt nuk ishte thjesht një mosmarrëveshje mbi bilancin tregtar. Në thelb të tij qëndronin çështjet strukturore si detyrimi për transferim teknologjik (detyrimi i kompanive amerikane për t’ia dhënë teknologjinë Kinës për të hyrë në treg), subvencionet shtetërore kineze për industritë e veta, “vjedhja e pronësisë intelektuale” dhe kontrolli mbi burimet kritike, siç janë mineralet e rralla etj.. Qëllimi i SHBA-ve ishte të korrigjonte atë që e shihte si sjellje të padrejtë tregtare të Kinës, ndërsa Pekini reagoi duke theksuar sovranitetin e tij ekonomik dhe modelin shtetëror të zhvillimit. Përshkallëzimi i tensioneve jo vetëm që dëmtoi eksportuesit dhe konsumatorët në të dyja vendet, por gjeneroi një pasiguri të madhe në ekonominë globale, duke vënë në pikëpyetje tërësinë e zinxhirëve të furnizimit.

    MARRËVESHJA E FUNDIT, NJË PAUZË APO ZGJIDHJE STRUKTURORE?

    Klima pozitive e takimit të fundit mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping, duket që sugjeronte një “shkrirje të akullit tregtar” midis dy vendeve. Sipas përmbajtjes se marrëveshjes, të dyja palët pas bisedimeve e negociatave arritën në kompromise, lëshime dhe angazhime reciproke në thelb të të cilave qëndrojnë: Lëshimet e SHBA-ve: SHBA-të deklaruan se do të ulin disa tarifa mbi importet kineze dhe angazhimet e Kinës: Kina u angazhua të rifillojë blerjet e mallrave të caktuara amerikane (sidomos sojën dhe produkte të tjera bujqësore) dhe të lehtësojë eksportet e mineraleve strategjike, si ato të rrallë.

    Në përgjithësi, kjo marrëveshje, sipas analizave dhe komenteve të deritashme, vlerësohet si një hap i domosdoshëm politik drejt depërshkallëzimit, por jo si një garanci përfundimtare për zgjidhje të plota dhe afatgjata. Kjo, e parë në shumë këndvështrime, analiza, rezervat e tregut, ndikimet që do ketë në ekonominë amerikane, në ekonominë kineze dhe natyrisht, në ekonominë globale, pesha ekonomike e dy fuqive të mëdha është shumë e madhe. Dhe konkretisht:

    SKEPTICIZMI ANALITIK DHE REZERVAT E TREGUT

    Pavarësisht shenjës pozitive të “shkrirjes së akullit tregtar” SHBA-Kinë, analiza e tregut dhe komentatorët kryesorë mbeten disi të rezervuar, duke e parë këtë marrëveshje si një masë afatshkurtër, pasi marrëveshja nuk adreson si dhe sa duhet disa çështje si:

    -Çështjet strukturore të pazgjidhura: Vëzhguesit theksojnë se marrëveshja nuk adreson pikat kryesore të konfliktit – teknologjinë, subvencionet, apo kontrollin mbi mineralet strategjike. Kjo rrit frikën se po bëhet fjalë vetëm për një “pauzë të tarifave” dhe jo një zgjidhje të qëndrueshme.

    -Skepticizmi publik kinez: Edhe pse media zyrtare kineze e mirëpriti marrëveshjen, në rrjetet sociale dhe në publikun e gjerë ekziston një dozë e lartë skepticizmi për qëndrueshmërinë e angazhimeve të kësaj marrëveshjeje.

    EFEKTET E PRITSHME NË EKONOMITË RESPEKTIVE DHE ATË GLOBALE

    Marrëveshja, padyshim që do të ketë ndikime pozitive të rëndësishme dhe sfida për t’u përballur nga të dyja vendet. Kështu, për secilin vend përfitimet dhe sfidat kryesore mund të përmblidhen:

    1. Për SHBA-të, ndikimi pozitiv i pritshëm është në uljen e çmimeve për shkak të tarifave më të ulëta mbi importet kineze dhe në këtë mënyrë do të përfitojnë konsumatorët amerikanë. Përfitime do të kenë dhe eksportuesit amerikanë të sektorit të bujqësisë (rifillimi i blerjeve kineze të sojës amerikane ), etj.. Edhe nga rritja e konkurrencës për ndërmarrjet që më parë përfitonin nga “mbrojtja” tarifore, industria amerikane do të përfitojë.

    Ndikimi negativ dhe sfida që mund të përballen SHBA janë se kompromisi për tarifat mund të rrisë presionin mbi buxhetin federal (pasi tarifat janë burim të ardhurash dhe ulja e tyre do të pakësojë të ardhurat e parashikuara nga rritja e tarifave). Gjithash tu, pasiguria do të vazhdojë për bizneset që varen nga zinxhirët e furnizimit (supply chains) me Kinën.

    2-Për Kinën: Ulja e tarifave amerikane e bën eksportin kinez më konkurrues në SHBA, gjë që ndihmon prodhuesit kinezë.

    Rifillimi i blerjeve amerikane (soja, mallra bujqësore, etj.) do të japë një nxitje për sektorin eksportues kinez. Megjithatë, Kina ka ende sfida, ajo nuk ka zgjidhur plotësisht çështje si transferimi i teknologjisë, kontrolli mbi minerale strategjike, apo të drejtat e pronës intelektuale — çështje që ishin prej kohësh pika konflikti me SHBA-të. Nëse marrëveshja është vetëm “temporare”, Kina mund të përballet me presione të rivendosura në të ardhmen.

    3- Çfarë pritet për disa industri?

    -Sektori i teknologjisë: Kompani që varen shumë nga Kina (psh., eksportet, zinxhirët e komponentëve) janë më të ekspozuara ndaj rritjes së kostove dhe ndërprerjeve të furnizimit. Për shembull, Jefferies ka reduktuar vlerësimet për shumë “big-tech” për shkak të rrezikut që sjellin tarifat dhe kufizimet të eksportit të teknologjisë.

    -Mallrat industriale (metalet, minerale strategjike): Për shembull, çmimet e bakrit, aluminit, etj., kanë reaguar jo vetëm përmes ofertës dhe kërkesës, por edhe përmes ndikimeve të tarifave dhe ndryshimeve në rrugët e furnizimit.

    -Bujqësia: Sektori amerikan i sojës po përballet me rënie të eksporteve nëse Kina diversifikon furnizuesit, kjo pritet të ndikojë çmimet globale të sojës dhe aksionet/bizneset amerikane në këtë sektor.

    4. Për Ekonominë Globale Lehtësimi i tensioneve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha do të ulë rrezikun e “ndarjes” të zinxhirëve të furnizimit, gjë që do të kishte pasoja katastrofike. Kjo marrëveshje do të përmirësojë stabilitetin e tregjeve financiare, pasi investitorët kërkojnë siguri. Megjithatë, çdo paqëndrueshmëri e marrëveshjes ruan rrezikun e rikthimit të tarifave, çka do të sillte rritje të çmimeve (inflacion) dhe pasiguri të rritur të biznesit global.

    JA DISA VLERËSIME TË INSTITUCIONEVE FINANCIARE

    Raportet e fundit financiare të disa institucioneve të rëndësishme financiare nënvizojnë ndikimin e ndjeshëm të tarifave. Kështu sipas:

    Goldman Sachs: Në rastin e implementimit të qëndrueshëm të tarifave, mund të shihej një ulje e fitimeve për aksionet amerikane (EPS) për indeksin S&P 500 deri në 2-3%.

    J.P. Morgan: Një zbritje temporare e tarifave mund të përmirësojë perspektivën e rritjes së Kinës (psh., nga 4.1% në 4.8%).

    IG Group: Përshkallëzimi i tarifave shkaktoi rënie të indekseve dhe rritje të volatilitetit në tregjet aksionare amerikane, për shkak të pasigurisë në fitimet e kompanive dhe zinxhirëve të furnizimit.

    Ky impakt duket konkretisht në:

    Sektorin e Teknologjisë: Kompanitë që mbështeten te zinxhirët kinezë të komponentëve janë më të ekspozuara ndaj rritjes së kostove dhe ndërprerjeve.

    Bujqësinë: Sektori i sojës në SHBA rrezikon humbje nëse Kina vazhdon diversifikimin e furnizuesve për këtë produkt. Nëse Kina redukton blerjet amerikane (psh., sojës) ateherë, eksportuesit amerikanë humbasin, çmimet globale bien; në të njëjtën kohë, për metalet dhe materiale industriale, ndryshimet në rrjetet e furnizimit mund të sjellin ngushtime ose luhatje më të mëdha çmimesh.

    MARRËVESHJA NJË HAP TAKTIK, APO STRATEGJIK?

    Marrëveshja e fundit tregon vullnetin, ose të paktën deklarimin e vullnetit, të të dyja palëve për të zvogëluar tensionet tregtare. Ajo është një hap taktik që ofron një lehtësim të përkohshëm dhe ndihmon në stabilizimin e sentimentit të tregut. Megjithatë, për sa kohë që çështjet thelbësore, si teknologjia, pronësia intelektuale dhe kontrolli mbi burimet strategjike mbeten ende të pazgjidhura, marrëveshja nuk është një zgjidhje përfundimtare, strategjike. Nëse nuk ndiqet nga negociata të thella dhe transparente, ekziston rreziku i lartë i ripërshkallëzimit. Suksese afatgjata do të kërkojnë vazhdimësi dhe adresim të sinqertë të mosmarrëveshjeve strukturore, përndryshe efektet negative si rritja e tarifave, çmimet më të larta dhe pasiguria, mund të rijetohen. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk duhet të keqinterpretohet: ajo është hap i mirë, pozitiv, por jo garantues final për zgjidhje të plota dhe përfundimtare. Nëse zbatohet mirë, mund të sjellë përfitime të prekshme për ekonomitë amerikane dhe kineze si dhe për ekonominë globale, por kërkon vazhdimësi, transparencë dhe adresim të diskutimeve strukturore (teknologji, minerale, etj.). Nëse dështon, efektet negative mund të rijetohen: rritje e tarifave, çmime më të larta, më shumë pasiguri.