ATV

Author: ATVLive

  • Taravari: Maqedonia e Veriut, si shtet i NATO-s, duhet të bëjë thirrje për lirimin e autobusëve me shqiptarë nga Kosova

    Taravari: Maqedonia e Veriut, si shtet i NATO-s, duhet të bëjë thirrje për lirimin e autobusëve me shqiptarë nga Kosova

    Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, përmes një statusi në profilin e tij në facebook, ka thënë se bllokimi i dhjetëra autobusëve në Serbi është shkelje e të drejtave njerëzore.

    “Lajmet e sotme tregojnë se dhjetëra autobusë me shqiptarë nga Kosova, janë bllokuar në Serbi. Si hakmarrje ndaj avancimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ky mentalitet është i papranueshëm, dhe ky bllokim është shkelje e të drejtave njerëzore. Kjo është një arsye më shumë për të dalë nga Ballkani i Hapur”, ka shkruar Taravari.

    Ai tha se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë thirrje për lirimin e autobusëve me udhëtarë dhe për garantimin e të drejtave njerëzore.

    “Maqedonia e Veriut, si shtet i NATO-s dhe si shtet me popullsi të madhe shqiptare, duhet të bëjë thirrje për lirimin e autobusëve me udhëtarë dhe për garantimin e të drejtave njerëzore. Por si duket, ministri i jashtëm e ka vështirë të flasë keq për Beogradin”, ka shkruar Taravari. /atvlive.tv

  • ​Mbappe flet sërish për të ardhmen e tij

    ​Mbappe flet sërish për të ardhmen e tij

    Protagonisti me dy gola për PSG-në kundër Barcelonës në Ligën e Kmapionëve, Kylian Mbappe, ka folur për të ardhmen e tij në fund të ndeshjes . Qendërsulmuesi parizien i pyetur nëse kalimi në raundin tjetër mund të jetë vendimtar në ndryshimin e vendimit të tij, dha një përgjigje të prerë duke thënë: “Jo, jo, jo ”.

    Kujtojmë se numri 10 i PSG-së ka një kontratë që skadon me skuadrën e trajnerit Luis Enrique në fund të sezonit, vit që mund t’i japë klubit të presidentit Al-Khelaifi tripletën: “Jam krenar që vesh fanellën e PSG-së sepse jam parisien. Ëndërroj të fitoj Ligën e Kampionëve me këtë skuadër, do të përpiqemi të shkojmë në Ëembley”, shtoi ai, përcjellë KosovaPress.

    Trajneri i PSG-së, Luis Enrique duke folur për të ardhmen e Mbappe-s në fund të ndeshjes, tha se ai është lider i skuadrës së tij.

    “Ai ishte lideri ynë në fushë. Ne presim që Kylian të flasë për të ardhmen e tij. Kur Mbappé dhe PSG të flasin në publik, do të shohim. Është si një proces. Derisa Mbappé të shkojë të flasë, unë do të qëndroj këtu, do të pres dhe do të hesht”, theksoi ai.

  • Sanduloviq për bllokimin e kosovarëve: E kam paralajmëruar SHBA-në dhe BE-në për politikën nacionaliste të Vuçiqit

    Sanduloviq për bllokimin e kosovarëve: E kam paralajmëruar SHBA-në dhe BE-në për politikën nacionaliste të Vuçiqit

    Opozitari serb, Nikolla Sanduloviq, ka thënë se ai e ka paralajmëruar Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për politikën që e përdorë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Në platformën X, ai ka theksuar se ai Vuçiq ka një politikë nacionaliste, kjo pasi qindra kosovarë nuk u lejuan të kalojnë kufirin Kroaci-Serbi dhe Hungari-Serbi me letërnjoftime.

    “Unë kam vite që flas dhe paralajmëroj se cila është politika e Aleksandër Vuçiqit dhe cili është qëllimi i tij përfundimtar. Të gjithë në BE dhe SHBA ranë në gjumë për shkak të negociatave të tij afatgjata dhe gënjeshtrave që i tha publikut ndërkombëtar, ndërsa në të njëjtën kohë ai ndoqi politikën e tij të vjetër nacionaliste në Serbi”.

    “E kam thënë atëherë, e them edhe tani, vetëm Partia Republikane në Serbi mund të sjellë paqe të qëndrueshme dhe zgjidhje të plotë për Serbinë dhe Kosovën. Diçka e tillë, të cilën Vuçiq po e zbaton, çon vetëm në konflikt dhe katastrofë të pashmangshme”, ka thënë Sanduloviq.

    Kjo deklaratë e Sanduloviq vjen si koment në një postim të eurodeputetes Viola von Cramon.

  • ​Osmani e Konjufca bëjnë thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    ​Osmani e Konjufca bëjnë thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    Në përvjetorin e 25 të masakrës në Çikatovë të Vjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca bënë thirrje për vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.

    E para e vendit, Vjosa Osmani tha u drejtua të gjitha institucioneve të drejtësisë që t’i marrin në pyetje dëshmitarët dhe t’i mbledhin provat, në mënyrë që të fillojnë proceset gjyqësore për ata që kanë kryer këto krime.

    “Po ashtu, ka ndodhur me 17 prill të 99-ës një prej masakrave më të rënda gjatë luftës në Kosovë. Edhe këtu Serbia gjenocidale e Millosheviccit ka vrarë fëmijë, gra e pleq, njerëz të pafajshëm, njerëz të cilët thjeshtë dëshironin të jetojnë në liri. Edhe këtu sikurse edhe në masakrën e Poklekut, ka të mbijetuar të kësaj masakre, ka dëshmitarë të kësaj masakre. Prandaj, i bëjmë thirrje sërish nga këtu, në 25 vjetorin e këtyre masakrave të tmerrshme të gjitha institucioneve të drejtësisë që t’i marrin në pyetje dëshmitarët, t’i marrin deklaratat e tyre, t’i mbledhin provat. Sepse ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe është domosdoshme që të ketë drejtësi dhe pas mbledhjes së provave të fillojnë të gjitha proceset gjyqësore për ata që kanë kryer këto krime të tmerrshme”, tha Osmani.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se masakrat e kryera tregojnë për qëllimin e pushtetit serb në shfarosjen dhe zhdukjen e kombit shqiptar. Ai tha se ky qëllim i Serbisë nuk u arrit falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të NATO-s.

    “Po i nderojmë të rënët, martirët e Poklekut e Cikatovës së Vjetër në 25 vjetorin e masakrave që i kreu Serbia okupatore në Kosovë. Qëllimi i Serbisë ishte që përmes vrasjes së popullatës të Kosovës, e duke mos e kursyer askënd, as fëmijët, as pleqtë, as gratë të krijonte tmerr e frikë në popullin e Kosovës, që ne ta lëshonim Kosovën e ata ta bënin Kosovën serbe. Ky ka qenë qëllimi i vërtetë i gjenocidit, shfarsoja dhe zhdukja e popullit tona nga Kosova…Ky qëllim nuk u arrit, për arsye se ne si popullatë ishim të aftë ta krijonim Ushtrinë Clirimtare të Kosovës falë luftës së lavdishme të së cilës, në bashpëunim të ngushtë edhe me forcat e NATO-s u shporr Serbia nga Kosova dhe populli e gëzoi lirinë e shumë pritur”, tha Konjufca.

    Në homazhe mori pjesë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

    Në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeç.

  • ​Wilder kërkon të përballet me Joshuan

    ​Wilder kërkon të përballet me Joshuan

    Boksieri Deontay Wilder thotë se është 90% i sigurt se një ballafaqim me Anthony Joshuan do të ndodhë në të ardhmen. Boksieri i kategorisë së rëndë përballet me Zhilei Zhang më 1 qershor, gjashtë muaj pas humbjes së tij shokuese nga Joseph Parker.

    Humbja ndaj Parkerit prishi një luftë të planifikuar kundër Joshuas, por Wilder thotë se përballja e shumëpritur mund të ndodhë.

    “Njerëzit gjithmonë do të duan ta shohin atë luftë pa marrë parasysh çfarë”, tha Ëilder për BBC Sport, përcjellë KosovaPress.

    Joshua dhe Wilder luftuan në të njëjtën natë dhjetorin e kaluar, me synimin për t’u takuar në prill 2024, por britaniku u detyrua të ballafaqohet me ish-kampionin e UFC-së, Francis Ngannou, pas humbjes së Wilder.

    Wilder, 38 vjeç, thotë se humbja ishte pjesërisht për shkak të 14 muajve të pasivitetit të tij që çoi në luftën me Parker, por tha se një fitore e madhe do të ringjallë interesin.

    “E kam thënë gjithmonë, do të jetë turp nëse unë dhe Joshua nuk përballemi asnjëherë”, tha Wilder.

  • Agjencia e Punësimit: 68 për qind e grave punësohen përmes këtij institucioni

    Agjencia e Punësimit: 68 për qind e grave punësohen përmes këtij institucioni

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin e Auditimit për mbështetje më të madhe të grave në bujqësi, raporton EO.

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të mërkurën ka shqyrtuar Raportin e Auditimit të Performancës: “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”.

    Anëtarja e Komisionit, Albana Bytyqi, ka thënë se sa i përket Shqyrtimit të Raportit të Auditimit të Performancës: “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”, bizneset mbështeten përmes sektorëve artizanale, agrokultura. Gratë fermere kanë përparësi në marrjen e granteve. Kriteret e përzgjedhjes implikohen, këtu marrin pikët afirmative nëse janë pronarë të tokave.

    “Mos përfshirja e grave në zhvillimin rural, pjesëmarrja e ulët e grave mund të ketë ndodhur se nuk mbahen takime të rregullta gjatë vitit, ka mangësi në raportet e zonave rurale”, tha ajo.

    Bytyqi, shtoi se ka vonesa në shpalljet për aplikim, procedurat e regjistrimit nuk i përkrahin mjaftueshëm gratë.

    “Refuzohen kandidatët për mos plotësimin e duhur të aplikimit. Interesimi nga gjinia femërore për marrjen e granteve është i madh por ka rënë për shkak të mos-përkrahjes në regjistrime. Rezultatet e Auditimit tregojnë se nuk ka rezultate të kënaqshme në përfshirjen e grave në zona rurale, aty mungon aktivizimi i informimit që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre me ligj”, tha ajo.

    Bajrami, tha se ka gabime në Raportin e Auditimit, duhet të kemi një strategji që gratë të jenë aktive në kërkim të punës dhe pastaj mund të shohim se ku kanë nevojë të jenë më aktive.

    Myrvete Gashi -Morina, Auditore e Përgjithshme, tha se masat afirmative nuk janë efektive për mbështetjen e grave në zona rurale.

    “Agjencia e Punësimit ka masa në diversifikimin e pasurisë dhe zhvillimin e biznesit. Masat afirmative nuk janë efektive për mbështetjen e grave në zona rurale”, tha ajo.

    U.d e Agjencisë së Punësimit, Jehona Rexha, tha se do ketë avancim në sistem të informatave.

    “Në avancimin e sistemit të informatave, shumë shpejt do rigjenerohen mundësitë e aplikimit përmes E-Kosova. I kemi lidhur përmes ATK dhe ARC. Në Qendrën e Aftësimit në Pejë kemi në program aftësim profesional në fushën e bujqësisë dhe këtë vit do e shtrijmë edhe në qendrat tjera të Aftësimit Profesional”, tha ajo.

    Drejtori i Statistikave në Agjencinë e Punësimit, Shpëtim Kalludra, tha se kjo agjenci është e para në aspektin e punësimit të grave me rreth 68 për qind.

    “Jemi të parët në aspektin e punësimit të grave sepse 68% të punësimit të grave është një përqindje jo e vogël. I kemi arrit objektivat tona si Agjenci e Punësimit”, tha ai.

    Anëtarja e Komisionit, Mirlinda Tishukaj – Sadiku, pyeti se cila është arsyeja e mos-përfshirjes së grave te Krushës nga anketa e UN Woman.

    “Anketa e bërë nga UN Woman është konsultuar me ZKA lidhur me mostrat a është përfshirë Krusha, gratë e Krushës janë shembull i grave fermere, ndërsa Prishtina nuk ka prirje bujqësore. 7 Qendra të Aftësimit Profesional ndërsa shkolla 63, sa arrini të bashkëpunoni që gratë të aftësohen”, pyeti ajo.

    Drejtoresha Rexha, tha se nuk kanë pas mundësi të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

    “Janë pjesë e grupeve punuese, kandidatët që regjistrohen si punëkërkuese, sistemi i arsimit profesional tek ne është joformal”, tha ajo.

    Auditorja, Gashi tha se MINT-i nuk ka dhënë grante për gratë në vitin 2023 në zona rurale ndërsa e vetmja që i ka mbështetur ka qenë Ministria e Bujqësisë.

    Anëtari i Komisionit, Visar Korenica, tha se do ishte më mirë të kishim një raport më të përgjithshëm në mënyrë që të përfshihen edhe gratë në zona rurale.

    “A shërbejnë këto të dhëna që të ndikohet menjëherë në marrjen e masave nga politika qeverisëse”, tha Korenica.

    Kalludra tha se sistemi i AP-së nuk është i ndërlidhur që të shohim se AZHB-ja kujt i ofron grante.

    “Kemi kontaktuar me Ministrinë që të shohim mundësinë e bashkëpunimit. Çdo vit publikohet një raport për performancën e punës, pasqyrojmë gjendjen e punës. Ne zbatojmë politika të punësimit”, tha ai.

    Bajrami i rekomandoi AP-së të trajton nevojën për trajnime të fermerëve gra dhe burra, duke shtuar se mungon ndërlidhja me sektorin privat.

  • Kosovarët nuk lejohen të kalojnë Serbinë, Tahiri: Kjo çmenduri duhet të ndalet tani

    Kosovarët nuk lejohen të kalojnë Serbinë, Tahiri: Kjo çmenduri duhet të ndalet tani

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Serbia nuk i ka lejuar kosovarët të kalojnë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë si reagim i dëshpëruar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Serbia po mban në mënyrë të paligjshme për orë të tëra qindra qytetarë tanë në pikat e saj ndërkufitare”.

    “Situata shëndetësore e fëmijëve dhe grave në këta autobusë është duke u përkeqësuar. Kjo çmenduri duhet të ndalet tani”, ka shkruar Tahiri në platformën X.

  • 57 gra të vrara që nga viti 2010

    57 gra të vrara që nga viti 2010

    Përgatiti: Sara Shehu

    Vrasja e Gjyljeta Ukella që ndodhi dje në Pejë është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë kur gratë dyshohet se u vranë nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët e tyre. E pikërisht para pesë ditëve nga jeta u nda edhe 21 vjeçarja Erona Cokli e cila u privua nga jeta pikërisht nga ish bashkëshorti i saj në Ferizaj. Këto dy raste kanë bërë që sërish të rikujtohen se nga viti 2010 janë vrarë edhe 55 gra të tjera kështu që dy rastet fundit të vrasjes se grave këtë numër e quan në 57.

    Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Në vitin 2023 Sadije Godeni u vra me sëpatë nga burri i saj gjatë kohës sa ishte në gjumë, ndërkohë që Hamide Magashi, shtatzënë, u vra nga burri i saj në oborrin e Qendrës Klinike Universitare, por edhe Liridona Ademaj humbi jetën nga vrasja e porositur nga burri i saj.

    Dhe jo vetëm pasi në ne muajin gushti të vitit 2023, një shtetase argjentinase, që kishte ardhur në Kosovë së bashku me të dashurin, ishte mes viktimave.

    Ky i fundit dyshohet se e kishte hedhur nga një ndërtesë në Fushë Kosovë, e viktima nuk kishte mundur t’u mbijetonte plagëve.

    Megjithatë një ndër rastet më të rënda të vrasjeve që ka ndodhur në Kosovë, në Pejë, në prill të vitit 2023 ishte kur Urim Hyseni vrau nënën e tij të ndjerën Hyrije, duke i shkaktuar 20 plagë vdekjeprurëse në disa pjesë të trupit me mjete të mprehta.

    I rëndë ishte edhe rasti i 18 vjecares nga Ferizaj Marigona Osmani e cila ishte dhunuar e rrahur fizikisht deri në vrasje. I dashuri i saj Dardan Krivaqa, kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj Osmanit, duke e lënë të vdekur.

    Një tjetër rast është edhe e ndjera Lirie Qerimaj e cila ishte gjetur e vrarë në shtëpinë e saj në Llaushë të Skënderajt. Ajo u godit me armë zjarri për vdekje nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.

    Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri. 5 ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte raportuar rastin në polici.

    E në marsin e vitit 2021, Lulëzim Sopi e kishte vrarë me armë zjarri gruan e tij Sebahaten, e më pas e kishte goditur edhe veten. Të dy ishin burrë e grua që kishin pasur në vazhdimësi probleme, e për të cilat Sebahatja kishte raportuar në institucionet e drejtësisë.

    Ndërkaq Në fshatin Berivojcë të Kamenicës, mesditën e 25 korrikut 2020 u krye një tjetër akt i tmerrshëm i dhunës në familje. Nuhi Mavrovqani e kishte goditur gruan e tij Sabile Mavrovqanime shufër metalike, deri në vrasje. Në muajin gusht të vitit 2018, një tjetër vrasje tronditi vendin. Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga bashkshorti i saj, përkatësisht babai, Pjetër Nrecaj.

    Më 23 dhjetor të vitit 2015, do të ndodhte një tjetër vrasje në familje e cila do ta trondiste Kosovën. Zejnepe Berisha u vra nga burri i saj, Nebih Berisha, i cili e goditi me thikë mbi 20 herë, në prezencë të fëmijëve të mitur.

    Në muajt e parë të vitit 2011, Diana Kastrati kishte shkuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës për të kërkuar urdhër-mbrojtje nga personi me të cilin po bashkëjetonte. Kjo pasi Kastrati, ishte bërë subjekt i dhunës në familje nga Adnon Jashari, personi me të cilin i kishte kaluar dhjetë vitet e fundit.

    Megjithatë, kjo urdhër-mbrojtje nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e drejtësisë. Pasojat ishin fatale. Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011 në një rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë.

    E organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë bërë të ditur se autoritetet kanë dështuar në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

  • Mbrojtja: Janë cenuar të drejtat e Pjetër Shalës për t’u ballafaquar me dëshmitarët

    Mbrojtja: Janë cenuar të drejtat e Pjetër Shalës për t’u ballafaquar me dëshmitarët

    Avokatja Leto Cariolou, tha se janë të mbrojturit të tij, Pjetër Shala, i janë shkelur të drejtat për t’u përballur me dëshmitarët.

    Leto Cariolou, gjatë fjalës përfundimtare tha se problem të duhet të përmendet është pranimi i deklaratave të dy dëshmitarëve të rëndësishëm me shkrim, që tashmë kanë vdekur dhe sipas saj kjo ka cenuar mbrojtjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Qartazi janë cenuar të drejtat e zotit Shala për t’u ballafaquar me dëshmitarët dhe ka pasur një sërë problemesh me faktin që dëshmitë e dy dëshmitarëve që janë shumë të rëndësishëm 2 dhe 4, ishin të disponueshëm për të dhënë dëshmi para këtij trupit gjykues, por në të vërtetë u pranuan deklarata e tyre me shkrim. Mbrojtjes nuk iu dha e drejta t’i ballafaqonte dhe të vinte në pikëpyetje dëshmitë e tyre. Kjo nuk ka qenë as e përligjur dhe as e bazuar. Edhe kjo cenoi mbrojtjen sepse nuk i dha mundësinë të ballafaqojë në mënyrë që të iu bënte atyre të qarta kontradiktat në mes deklaratave të tyre të ndryshme. Krahas kësaj, dëshmitë e dy dëshmitarëve kryesorë; 4733 dhe 1488 po ashtu janë pranuar me shkrim”, tha ajo.

    Ajo tha se as Shala nuk ka pasur mundësi t’i ballafaqonte këta dy dëshmitarë lidhur me dëshmitë që kishte dhënë kundër tij.

    “Kjo mund të duket e logjikshme se ata kanë vdekur, por kur bëhet fjalë për identifikimin dhe për faktin se për dëshmitarin 4733 përshkrimi që ka dhënë ky person për të akuzuarin është tërë gabime dhe 1488 e ka identifikuar të akuzuarin duke u bazuar në informacione që ia kanë dhënë persona të tjerë të pabesueshëm. Ka pasur cenim për faktin që është pranuar dëshmia e tyre pa e pasur ne mundësinë t’i ballafaqojmë këta dëshmitarë”, tha ajo.

    Tutje, avokatja Leto Cariolou tha se trupi gjykues nuk duhet t’iu kushtojë rëndësi këtyre dëshmive.

    “Për të zgjidhur këtë cenim, trupi gjykues nuk duhet t’iu kushtojë rëndësi dëshmive të tyre dhe të mos pranojë asnjë nga aspektet që nuk konfirmohet në dëshmi si të besueshme dhe të rëndësishme”, tha ajo.

    Mbrojtja thotë se Pjetër Shalës iu shkelën të drejtat gjatë intervistimit para autoriteteve

    Leto Cariolou, avokate e Pjetër Shalës, në deklaratë përmbyllëse tha se janë shkelur të drejtat e të akuzuarit gjatë marrjes në intervistë nga autoritetet përkatëse përpara se të transferohej në Hagë.

    “Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave mbështeten fuqimisht në deklaratat e bëra nga zoti Shala gjatë intervistave në të cilat është marrë në pyetje nga prokurorët me përvojë dhe hetues me përvojë, pa u informuar paraprakisht dhe pa iu dhënë ndihëm ligjore qoftë përpara apo gjatë intervistës. Kjo ka të bëjë me intervistat e të akuzuarit të bëra nga Policia Federale Belge dhe ZPS-ja më 2016 dhe 2019 si dhe dy intervista më të hershme të bërë nga Zyra e Prokurorit të TPNJ-së”, tha ajo.

    Avokatja shtoi se në të gjitha këto intervista i akuzuari është marrë në pyetje pa praninë e avokatit dhe pa iu dhënë mundësia që të konsultohej me ndonjë avokat përpara se te merrej në pyetje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ajo tha se në të gjitha këto intervista bëhej fjalë për çështje inkriminuese në të cilat Shala është përgjigjur në çdo pyetje ndaj tij.

    “Mbrojtja në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar pranimin e këtyre deklaratave. Në vazhdimisht kemi argumentuar se mbështetja e trupit gjykues në ato do t’i bënte këto procedura të padrejta. Pavarësisht kundërshtimeve, pavarësisht pranimeve të panelit të trupit gjykues të DhSK-së, e drejta e zotit Shala që të ketë një ndihmë ligjore efektive gjatë intervistës më 2016 është shkelur, deklaratat edhe tani vazhdojnë që të jenë në dispozicion të trupit gjykues në marrjen e vendimit e tyre”, tha Cariolou.

    Ajo thotë se siç kanë parë, ato luajnë një rol kryesor në dosjen e Prokurorisë dhe në fjalën e tyre përfundimtare.

    Sipas avokates, edhe Paneli i Apelit ka konfirmuar se pyetjet e bëra ndaj Shalës më 2016 kanë bërë që të shkelen standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

    “Paneli i Apelit ka konfirmuar se marrja në pyetje e Shalës në vitin 2016 është bërë në shkelje të qartë të standardeve të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Shkelja e të drejtave të zotit Shala gjatë kësaj interviste e bën përdorimin e deklaratave inkriminuese në kontekstin e intervistës pasuese më 2019 të palejueshme dhe të padrejtë”, tha ajo.

    Cariolou tha se po t’i jepej Shalës e drejta e përfaqësimit ligjor më 2019, atëherë përgjigjet e tij do të ishin krejtësisht ndryshe. Ajo tha se konstatimet e bazuara në këto deklarata do të ishin të pasigurta.

    Avokatja theksoi se është shkelur edhe parimi i barazisë së armëve, parashtrim ky të cilin e bëri në seancë private.

    Cariolou për vrasjen e paligjshme në aktakuzë: S’ka prova që vërtetojnë se Shala donte ta vriste këtë person

    Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës po vazhdon edhe të mërkurën me deklaratën përmbyllëse avokatja e tij, Leto Cariolou, e cila tha se nuk është paraqitur asnjë provë që vërteton se i akuzuari donte të vriste të ndaluarin që pretendohet në aktakuzë.

    “Së fundi, nuk është paraqitur asnjë provë që vërteton që i akuzuari donte të vriste këtë person. Përkundrazi, i akuzuari nuk kishte dijeni dhe nuk luante asnjë rol në vrasjen e pretenduar. Ai është informuar për vdekjen e tij shumë kohë pas lufte”, tha Cariolou.

    Ajo tha se nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se vdekja e këtij personi ishte diçka që mund të parashikohej nga i akuzuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se vdekja e këtij individi ishte diçka që i akuzuari mund ta parashikonte”, tha avokatja, duke përmendur edhe gjykimin Geci e që më pas seanca kaloi me përmbajtje të redaktuar për publikun”, tha ajo.

    Pas kësaj, Cariolou tha se si mund të ketë qëllime për vrasje në këtë mes, kur dëshmitarët kanë dëshmuar që pas vdekjes së një të ndaluari, Xhemshit Krasniqi dhe të tjerët urdhëruan përgjegjësit që t’i përmirësonin kushtet në vendet ku mbaheshin të ndaluarit.

    Avokatja tha se një dëshmitar kishte thënë se Xhemshit Krasniqi ishte nervozuar pas vdekjes së këtij të ndaluari, duke thënë se ajo gjë nuk do të duhej të përsëritej sërish atje.

    “Si është kjo në përputhje me qëllimin apo synimin për të vrarë të ndaluarit. Këto prova kundërshtojnë drejtpërdrejt pretendimin e Prokurorisë se grupi përgjegjës për të ndaluarit në Kukës dhe zoti Shala nuk ka qenë kurrë asnjëherë pjesëtar i këtij grupi, nuk kishin qëllimin e përbashkët për t’i vrarë ata. Në fakt, provat vërtetojnë se personat përgjegjës nuk donin të vrisnin asnjë të ndaluar. Atyre iu ka ardhur keq për atë që ka ndodhur dhe menjëherë kanë marrë masa për t’u siguruar që nuk do të ndodhte më”, tha ajo.

    Tutje, ajo tha se provat tregojnë që grupi nuk dëshironte që t’i vriste të ndaluarit apo t’i linin që të vdisnin.

    “Gjithashtu, provat në të cilat mbështetet Prokuroria, bën që të besohet se pavarësisht trajtimit mjekësor që ishte në dispozicion, kjo është dhënë individit që i ishte lënë në duar dhe kjo tregon se grupi nuk dëshironin që t’i vrisnin ata apo ti linin që të vdisnin”, tha ajo.

    Tutje, Cariolou tha se i akuzuari nuk kishte pozita që të autorizonte dhënien apo mosdhënien e ndihmës mjekësore të ndonjë personi që ndodhej në Fabrikën e Metalit në Kukës.

    “Në rrethana të tilla, ai nuk mund të mbahet përgjegjës për vdekjen e një personi i pranishëm aty për shkak, apo si rezultat i dhënies së ndihmës mjekësore të pamjaftueshme apo të papërshtatshme. Sidoqoftë, dëshmitari 1 nuk ngritë ndonjë akuzë duke përfshirë të akuzuarin, vendimin e pretenduar për t’i mohuar ndihmë mjekësore viktimës”, tha ajo.

    Sa i takon Prokurorisë, Cariolou tha se mbështetet në dy forma të përgjegjësisë sa i takon Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK).

    “Qëndrim i jonë është që Ligji Penal në Kosovë nuk përmban asnjë formë të NPK-së që përfshinë këtë përgjegjësi. Jo vetëm që Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale nuk përfshihej në Kodin Penal të RFSJ-së, por ajo shprehimisht përjashtohej nga Ligji i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Interpretimi i zgjeruar i formulimit të nenit 16 (a) të Ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për të përfshirë këtu përgjegjësinë sipas NKP-së, në qoftë se do të bëhej kjo gjë do të bëhej në dëm të të akuzuarit dhe do të ishte shkelje e parimit të ligjshmërisë”, tha Cariolou .

    Ajo tha se qëndrimi i tyre është që NPK-ja në përgjithësi dhe në NKP 3 në veçanti nuk janë përcaktuar në ligjin ndërkombëtar zakonor dhe nuk mund të krijojnë përgjegjësi për veprat e kryera në atë kohë.

    “Ligji Penal duhet të jetë i ditur dhe i kuptueshëm në mënyrë që i akuzuari të dijë se cilat akte përbëjnë krime. Në këtë rast nuk ka ndodhur kjo gjë dhe kjo është e qartë. Zoti Shala nuk mund të dinte paraprakisht që ai do të akuzohej për një krim që nuk synonte ta kryente duke u bazuar thjesht në rregulla të ndërtuara nga organi gjyqësor i ligjit zakonor ndërkombëtar që do të zbatoheshin pastaj në mënyrë retroaktive e do të konsideroheshin pjesë e ligjit të Kosovës pas 20 vitesh”, tha ajo tutje.

    Cariolou tha se Prokuroria po ashtu ka dështuar që të vërtetojë se ishin persona të shumtë që kanë vepruar si ndërmarrje me një synim të përbashkët për të vrarë të ndaluarit në Fabrikën e Metalit në Kukës.

    “Përveç problemit të rendë që Shala akuzohet në bazë të përgjegjësisë së tij të pretenduar në NPK, Prokuroria ka dështuar të vërtetojë se ishin persona të shumtë, disa persona që kanë vepruar për të arritur synimin e përbashkët, pra për të vrarë të ndaluarit në Fabrikën e Metalit në Kukës siç pretendon ajo dhe një synim i tillë nuk mund të nxirret apo të deduktohet nga provat e paraqitura”, tha avokatja.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Ndërsa, seancat për deklaratat përmbyllëse të palëve në këtë çështje janë caktuar për në muajin prill.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Kusari-Lila kërkon përjashtimin e Serbisë nga KiE: Bllokimi i 300 kosovarëve rrezikon jetë

    Kusari-Lila kërkon përjashtimin e Serbisë nga KiE: Bllokimi i 300 kosovarëve rrezikon jetë

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se bllokimi i mbi 300 kosovarëve nga autoritetet serbe, rrezikon jetët e tyre.

    Duke komentuar këtë zhvillim, ajo ka kërkuar përjashtimin e Serbisë nga Këshilli i Evropës.

    “Dje përfaqësuesit serbë në Këshillin e Evropës kërcënuan me tërheqje, nëse Kosova pranohet. Serbia duhet të përjashtohet, ngjashëm sikurse Rusia”, ka shkruar ajo.

    “Veprimet si bllokimi i 300 udhëtarëve në kufirin Serbi-Kroaci që nga mëngjesi, rrezikon jetë dhe dëmton qytetarë të pafajshëm”.