ATV

Author: ATVLive

  • Situata me bllokimin e autobusëve, reagon Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve

    Situata me bllokimin e autobusëve, reagon Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve

    Kryetari i Shoqatës së Transportit rrugor të udhëtarëve, Jakup Berisha përmes një reagimi ka pretenduar se në territorin e Serbisë, autobusët që janë hyrë përmes pikave kufitare me Hugarinë dhe Kroacinë, iu kanë “konfiskuar” dokumentet e udhëtimit dhe dokumentet e autobusëve.

    Sipas Berishës, zyrtarët kanë marrë nga dy udhëtarë nga secili autobus dhe nga personeli i autobusëve, sipas tij, më pas i kanë vendosur në një objekt, që mbi 12 orë.

    “Në cilësinë e kryetarit të Shoqatës të Transportit Rrugor të Udhëtarëve të organizuar pranë OEK-ut, në Prishtinë, sot në mëngjes të datës 17.04.2024, morëm INFORMATEN se në kufijtë e Serbisë në Shidë dhe Suboticë janë ndaluar autobusët me udhëtarë, pasi kanë hyrë në territorin e Serbisë ju kanë KONFISKUAR dokumentet e udhëtimit dhe dokumentet e autobusëve, i kanë marrë nga dy udhëtar nga secili autobus dhe personelin e autobusëve dhe i kane futur me një objekt. Nuk dihet a është objekt kufitar apo ndonji hangar tjetër, dhe po mbahen mbi 12 orë të ngujuar e të tjerëve udhëtarë ju janë mbyllur dyert e AUTOBUSËVE dhe nuk i lanë as të dalin nga autobusët” – thuhet në reagimin e Jakup Berishës më 17.04.2024 të cilin ka thënë se e ka dërguar edhe tek autoritetet kosovare.

  • Bllokimi i disa autobusëve nga Kosova në Serbi, është ndaluar edhe zv/drejtori i Policisë

    Bllokimi i disa autobusëve nga Kosova në Serbi, është ndaluar edhe zv/drejtori i Policisë

    Dejan Jankoviq, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, është në mesin e mbi 330 qytetarëve kosovarë të ndaluar nga autoritetet në Serbi.

    Jeton Zulfaj, këshilltar për çështje evropiane dhe rajonale në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë se në mesin e të ndaluarve nga autoritetet e Serbisë në pikat kufitare është edhe Jankoviq, zyrtar i lartë policor nga komuniteti serb.

    Të gjithë të bllokuarit, mes tyre dhjetëra fëmijë, sipas tij, “po mbahen peng pa u siguruar ushqim dhe mjekim”.

    “Putini i vogël në Beograd nuk mund ta përballojë suksesin e Kosovës. Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në APKE ai ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim”, ka shkruar Zulfaj në rrjetin social “X”.

    Sipas tij, kjo është një shkelje e hapur e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes në Procesin e Berlinit midis BB6 dhe një përpjekje për të përshkallëzuar tensionet.

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i bëri sot thirrje Serbisë që të ndalojë “së turpëruari veten” dhe duhet të sigurojë lirinë e lëvizjes së të gjithëve.

    “Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë ta lërë Kosovën të kalojnë kufirin e Batrovcit, Serbi- Hungari për mbajtësit e ID/pasaportës! Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, tha Von Cramon.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

  • Sekuestrohen mallra me vlerë afro 7 mijë euro në Mitrovicën e Veriut

    Sekuestrohen mallra me vlerë afro 7 mijë euro në Mitrovicën e Veriut

    Njësitet e Antikontrabandës së Doganës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur të ndalojnë katër raste të kontrabandimit të mallrave nga Serbia në Kosovë duke shfrytëzuar rrugët dytësore.

    Sipas njoftimit, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar mallra me vlerë afro 7 mijë euro.

    Në këto raste të suksesshme të parandalimit të kontrabandës, janë sekuestruar mallrat në vijim: “Rasti 1: Mallra ushqimore në peshë 220 Kg me vlerë prej 1,400.00 Euro. Rasti 2: Mallra ushqimore dhe pije të ndryshme në sasi prej 1,530.7 Kg me vlerë prej 2,400.00 Euro. Rasti 3: Çokollata në peshë 266 Kg me vlerë prej 1,700.00 Euro. Rasti 4: Pije alkoolike dhe cigare (60 litra dhe 7640 cope cigare) me vlerë prej 1,300.00 Euro”.

    Keto operacione të suksesshëm janë rezultat i angazhimit dhe tregon përkushtimin e autoriteteve për luftën ndaj kontrabandës. Njësitet Doganës dhe Policisë së Kosovës vazhdojnë të punojnë në mënyrë të palodhshme për të mbrojtur interesat e shtetit dhe të qytetarëve nga veprimtaria e paligjshme dhe të dëmshme për shoqërinë

    Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

  • Cramon për bllokimin e kosovarëve: Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten, të sigurohet liria e lëvizjes

    Cramon për bllokimin e kosovarëve: Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten, të sigurohet liria e lëvizjes

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka reaguar pas bllokimit të autobusëve nga Serbia në kufirin me Kroacinë.

    Ajo ka thënë se Serbia duhet të ndalojë së turpëruari vetën dhe menjëherë t’i lë udhëtarët të kalojnë kufirin.

    “Liria e lëvizjes për të gjithë duhet të sigurohet, pa diskriminim në baza kombësie”, ka shkruar Cramon “X”.

    Ndryshe Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka njoftuar se në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci se nga mesnata po mbahen të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë me mbi 300 qytetarë të Kosovës.

    Kjo sipas tij për shkak se mbrëmë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

  • Kosova njofton QUINT’in për bllokimin e kosovarëve në kufirin serb – Serbia ndalon edhe autobusë tjerë

    Kosova njofton QUINT’in për bllokimin e kosovarëve në kufirin serb – Serbia ndalon edhe autobusë tjerë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me një njoftim të ri sa i përket bllokimit të autobusëve nga Serbia në kufirin me Kroacinë.

    “Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.”

    MPJD ka thënë se qytetarë kosovarë janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë.

    “Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.”

    Në njoftim thuhet se udhëtarëve u janë marrë dokumente personale dhe të autobusëve, ndërsa disa janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

    “Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.”

    MPJD ka thënë se ka njoftuar shtetet e QUINT’it, institucionet e BE’së dhe institucione tjera ndërkombëtare.

    “Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë.”

    MPJD sërish ka bërë apel që ta evitojnë kalimin nëpër Serbi.

    “Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.”

    Ky veprim i Serbisë, MPJD thotë se duhet ta marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.

    “Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandës kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.”

  • ​Dibrani: Për tri vjet kemi parandaluar 130 raste të kontrabandës në burgje

    ​Dibrani: Për tri vjet kemi parandaluar 130 raste të kontrabandës në burgje

    Në tri vitet e fundit janë shënuar 130 raste të parandalimit të kontrabandës në burgjet e Kosovës. Në disa raste kanë qenë të përfshirë edhe stafi korrektues, të cilët nuk janë më pjesë e këtyre institucioneve. Kështu deklaroi drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani i cili foli edhe për projektet përmes së cilave synohet ngritja e kapaciteteve brenda burgjeve.

    Në konferencën me donatorët, ai tha se këtë vit është shumëfishuar buxheti për investime kapitale.

    “Gjatë këtyre tri viteve kemi arritur që së paku në 130 raste të parandalojmë futjen e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese. Siç e dini, kryesisht rrugët e shpeshta apo rrugët kryesore për futjen e kontrabandës në institucione korrektuese janë përmes familjarëve apo kompanive të tjera të cilat furnizojnë institucionet tona me artikuj të ndryshëm. Në raste të rralla ka pasur raste edhe kur stafi ka qenë i infiltruar por fatkeqësisht këta zyrtarë nuk janë më në pjesën e Shërbimit Korrektues e as nuk do të jenë asnjëherë. Si asnjëherë më parë ShKK nga koha kur investime kapitale kishim më pak se një milion euro, këtë vit po hyjmë me buxhet tetë milionë euro, gjë e cila na mundëson ndryshimin e infrastrukturës”, deklaroi Dibrani.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës, shton Dibrani, ka filluar projektimin dhe ndërtimin e institucioneve të reja. Sipas tij, procesi i ndërtimit të këtyre burgjeve po bëhet në bashkëpunim me partnerët strategjik dhe shoqërinë civile.

    “Vetëm gjatë vitit që po lëmë pas dhe këtij viti kemi arritur dhe jemi në proces të rekrutimit të së paku 200 oficerëve të rinj. Ju e dini që problem i kamotshëm ka qenë mosha e shtyrë e stafit në Shërbimin Korrektues. Ligji i ri e përcakton qartë, oficerët korrektues nuk mund të jenë mbi 30 vjeçar dhe kjo do të na freskojë do të jetë një rifreskim dhe energji e re”, shtoi ai.

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se po punojnë në avancimin e kushteve brenda qendrave korrektuese.

    “Ne të gjithë do të donim që krimin ta ndalnim me kohë, pa ndodhur. Por ai ndodhë dhe duhet të kemi sistem efikas korrektues për zbatimin me profesionalizëm të sanksioneve penale dhe me heqje lirie. Sot Shërbimi Korrektues i Kosovës ka avancuar në ofrimin e trajtimeve për të dënuarit dhe kjo pa dyshim edhe falë mbështetjes së raporteve miqësore me partnerët tanë strategjik. Ne duhet të vazhdojmë tutje të punojmë në krijimin e kushteve më të mira për ShKK-në dhe të punojmë e sigurojmë trajtimin e barabartë për të gjithë të burgosurit. Përgjatë viteve ShKK ka progresuar për tu bërë një shërbim i cili në përgjithësi përputhet me rregullat, standardet minimale të OKB-së për trajtimin e të burgosurve dhe rregullat evropiane të burgjeve”, theksoi ai.

    Më tej, ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport foli për rëndësinë e trajnimeve për stafin korrektues.

    “Mbështetja për institucionet e sigurisë publike në Kosovë që sigurojnë siguri dhe rend publik për të gjitha komunitetet, është prioritet i dorës së parë në suazat e mandatit të misionit të OSBE-së në Kosovë. Çfarë është e vërteta, në vitin 2001 misioni i OSBE-së në Kosovë ka ndihmuar me trajnimin e klasës së parë të zyrtarëve korrektues që aso kohe diplomuan nga akademia për siguri publike. 20 vite më vonë, në vitin 2021 lidershipi i Shërbimit Korrektues të Kosovës ju drejtoi misionit të OSBE-së në Kosovë me kërkesë për vazhdimin e mbështetjes e sidomos me fokus në ngritjen e kapaciteteve të menaxhmentit ekzekutiv të ShKK-së. Që nga vitit 2021 kemi pasur nderin për të ofruar mbështetje të fokusuar, trajnim për taktikat mbrojtëse, protokollet e vlerësimit për të burgosurit rishtazi dhe kërkimi i sanksioneve alternative si dhe rishqyrtimi i strategjive zhvillimore”, tha ai.

    Edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano theksoi rëndësinë e institucioneve korrektuese për rehabilitimin e personave që vuajnë dënimin.

    “Ato (burgjet) luajnë rol kyç për të siguruar që drejtësia të vendoset, që kryerësit të mbahen përgjegjës dhe që të rehabilitohen për të adresuar shkaktarët rrënjësore të krimeve të tilla. EULEX ka qenë partner i përhershëm i ShKK-së për 16 vite tani përmes monitorimit, mentorimit, këshilldhënies dhe aktiviteteve të tija. Kemi kontribuar në profesionalizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës drejt standardeve ndërkombëtare korrektuese. Përgjatë dekadës së fundit, EULEX i ka ndihmuar po ashtu Shërbimit Korrektues të Kosovës në profesionalizimin e disa institucioneve të reja korrektuese, duke ofruar aftësim profesional për më se 1000 pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, u shpreh ai.

    Ndërkaq, përfaqësuesja ambasadës amerikane, Tamra Greig përmendi mbështetjen që kanë dhënë për siguri në burgje e gjykata.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës ka evoluar shumë gjatë dekadës së fundit drejt krijimit të një sistemi efektiv dhe efikas që trajton të gjithë të burgosurit në hap me standardet ndërkombëtare. Bashkëpunimi dhe forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit me Policinë, Prokurorinë, Gjykatat tani ShKK është në një pozitë ku mund të konsiderohet si model në rajonin e Ballkanit…. ShBA-të së fundmi kanë dhënë si donacion teknologji për ShKK-në dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të përmirësuar në masë të konsiderueshme sigurinë në gjykata dhe në burgje”, përfundoi ai.

    Pjesëmarrësit kanë shprehur shqetësimin për dy rastet e vrasjeve të grave në Ferizaj dhe Pejë.

    Aktualisht, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka 11 institucione korrektuese, prej tyre janë qendra korrektuese të tipit të hapur, dy të tipit gjysmë të hapur, gjashtë të paraburgimit dhe një institucion i sigurisë së lartë.

  • Edon Zhegrova, lojtari më i mirë i muajit në Francë

    Edon Zhegrova, lojtari më i mirë i muajit në Francë

    Kampionati francez, Ligue 1 e ka konfirmuar se Edon Zhegrova e ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë muajit mars.

    Ylli i Kombëtares së Kosovës vazhdimisht po tregon paraqitje fantastike në kampionatin francez me skuadrën e Lille, raporton KosovaPress.

    Gjatë muajit mars, Zhegrova ka shënuar dy gola, që të dy kundër skuadrës së Lens, ndërsa po mahnit edhe me driblimet e tij.

    Ligue 1 ka publikuar në “Twitter” një video me mbishkrimin që tregon se Zhegrova ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë të muajit mars.

  • ​Maatsen thumbon Chelsean pasi e ndihmoi Dortmundit të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve

    ​Maatsen thumbon Chelsean pasi e ndihmoi Dortmundit të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve

    Ian Maatsen shënoi për Borussia Dortmundin teksa ata marshuan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, dhe i bëri të qarta ndjenjat e tij pas largimit nga Chelsea.

    Holandezi është vetëm në huazim te klubi i Bundesligas dhe pritet të kthehet në “Stamford Bridge” në fund të sezonit. Megjithatë, ai po shkëlqen me Dortmundin dhe do të luajë në katërshen e fundit të Ligës së Kampionëve pasi gjermanët e mposhtën Atletico Madridin, raporton KosovaPress.

    Maatsen ka qenë në rezervat e Chelseat për vite, por është huazuar në mënyrë serike, duke kaluar kohë në ligën e futbollit me disa klube. 22-vjeçari tani po luan në skenën më të madhe të Evropës dhe, nëse Dortmundi do ta eliminonte PSG, ai mund të luajë në finalen në “Wembley”.

    Ai tha për “CBS”: “Është një ndjenjë kaq e mahnitshme, e dini? Unë e kam ëndërruar këtë që kur isha fëmijë, veçanërisht duke shënuar golin tim të parë në Ligën e Kampionëve. Jam shumë i lumtur që as nuk mund ta përshkruaj”.

    Anësori i gjithanshëm sugjeroi gjithashtu se arsyet e mungesës së kohës së tij për lojë në Chelsea mbeten të paqarta për të.

    “Kam pasur gjithmonë besimin të luaj për Chelsean, por fatkeqësisht për disa arsye nuk funksionoi. Por, tani jam këtu, jam shumë mirënjohës për këtë mundësi. Kam ardhur këtu për të përjetuar në nivelin më të lartë dhe për të luajtur lojën time dhe sot mendoj se kam treguar një paraqitje shumë të mirë.”

    Maatsenit iu dhanë mundësi të kufizuara për të bërë përshtypje te Chelsea në gjysmën e parë të sezonit përpara se të vendoste të largohej në janar. Ai filloi vetëm një herë në ligë me shumicën e minutave të tij të ardhura nga stoli.

  • ​Bellinghamit nuk i interesojnë kritikat: Do ta tregoj reagimin tim në fushë

    ​Bellinghamit nuk i interesojnë kritikat: Do ta tregoj reagimin tim në fushë

    Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham ka folur për formën që ai po e kalon aktualisht, ku ka marrë kritika për shkak se kanë munguar golat nga ai së fundmi.

    Bellingham e nisi furishëm karrierën e tij te Reali, ku deri tani në 34 paraqitje në të gjitha garat ka regjistruar 20 gola dhe 10 asistime, raporton KosovaPress.

    Në gjashtë ndeshjet e fundit, Bellingham ka vetëm dy gola dhe si pasojë e kësaj nuk kanë munguar kritikat drejt tij, gjë për të cilën yllit anglez nuk i intereson.

    “Nuk më intereson për kritikat, unë duhet të reagoj në fushë. Unë nuk e prisja të shënoja kaq shumë gola, dhe sigurisht që tani dua të shënojë shumë më shumë. Do ta tregoj reagimin tim në fushë”, tha Bellingham.

  • Studim i ri: Mosha e universit është 26.7 miliardë vjet, gati dy herë më e vjetër se sa besohej më parë

    Studim i ri: Mosha e universit është 26.7 miliardë vjet, gati dy herë më e vjetër se sa besohej më parë

    Universi ynë mund të jetë dy herë më i vjetër se vlerësimet aktuale, sipas një studimi të ri që sfidon modelin dominues kozmologjik dhe hedh dritë të re mbi të ashtuquajturin “problem të hershëm të galaktikës së pamundur”.

    Puna është publikuar në revistën Monthly Notices of the Royal Astronomical Society .

    “Modeli ynë i ri i krijuar rishtazi e shtrin kohën e formimit të galaktikës me disa miliardë vjet, duke e bërë universin 26.7 miliardë vjet të vjetër, dhe jo 13.7 siç është vlerësuar më parë,” thotë autorja Rajendra Gupta, profesore ndihmëse e fizikës në Fakultetin e Shkencave në Universitet. të Otavës.

    Për vite me radhë, astronomët dhe fizikantët kanë llogaritur moshën e universit tonë duke matur kohën e kaluar që nga Big Bengu dhe duke studiuar yjet më të vjetër bazuar në zhvendosjen e kuqe të dritës që vjen nga galaktikat e largëta. Në vitin 2021, falë teknikave të reja dhe përparimeve në teknologji, mosha e universit tonë u vlerësua kështu në 13.797 miliardë vjet duke përdorur modelin e përputhjes Lambda-CDM.

    Megjithatë, shumë shkencëtarë kanë qenë në mëdyshje nga ekzistenca e yjeve si Metuselahu që duket se janë më të vjetër se mosha e vlerësuar e universit tonë dhe nga zbulimi i galaktikave të hershme në një gjendje të avancuar evolucioni të mundësuar nga teleskopi hapësinor James Webb. Këto galaktika, që ekzistojnë vetëm rreth 300 milionë vjet pas Big Bengut, duket se kanë një nivel pjekurie dhe masë të lidhur zakonisht me miliarda vjet evolucion kozmik. Për më tepër, ato janë çuditërisht të vogla në madhësi, duke shtuar një shtresë tjetër misteri në ekuacion.

    Teoria e dritës së lodhur e Zwicky-t sugjeron që zhvendosja e dritës nga galaktikat e largëta është për shkak të humbjes graduale të energjisë nga fotonet në distanca të mëdha kozmike. Megjithatë, u pa se binte ndesh me vëzhgimet. Megjithatë, Gupta zbuloi se “duke lejuar që kjo teori të bashkëjetojë me universin në zgjerim , bëhet e mundur të riinterpretohet zhvendosja e kuqe si një fenomen hibrid, dhe jo thjesht për shkak të zgjerimit.”

    Përveç teorisë së dritës së lodhur të Zwicky-t, Gupta prezanton idenë e evoluimit të “konstantave të bashkimit”, siç hipotezohet nga Paul Dirac. Konstantat e bashkimit janë konstante fizike themelore që rregullojnë ndërveprimet midis grimcave. Sipas Dirakut, këto konstante mund të kenë ndryshuar me kalimin e kohës. Duke i lejuar ato të evoluojnë, afati kohor për formimin e galaktikave të hershme të vëzhguara nga teleskopi Webb me zhvendosje të larta të kuqe mund të zgjatet nga disa qindra milionë vjet në disa miliardë vjet. Kjo ofron një shpjegim më të mundshëm për nivelin e avancuar të zhvillimit dhe masës së vëzhguar në këto galaktika të lashta.

    Për më tepër, Gupta sugjeron se interpretimi tradicional i “konstantës kozmologjike”, e cila përfaqëson energjinë e errët përgjegjëse për zgjerimin e përshpejtuar të universit, ka nevojë për rishikim. Në vend të kësaj, ai propozon një konstante që llogarit evolucionin e konstantave të bashkimit. Ky modifikim në modelin kozmologjik ndihmon në adresimin e enigmës së madhësive të vogla të galaktikave të vëzhguara në universin e hershëm, duke lejuar vëzhgime më të sakta. /Top Channel