ATV

Author: ATVLive

  • Reagon BE-ja: Serbia shkeli marrëveshjen për lëvizjen e lirë

    Reagon BE-ja: Serbia shkeli marrëveshjen për lëvizjen e lirë

    Bashkimi Evropian e ka vlerësuar shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes veprimin e autoriteteve të Serbisë, e cila ka bllokuar qytetarët kosovarë në kufijtë e saj, teksa i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se janë duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar.

    “Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe e ndjekim nga afër. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përcakton parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata aktuale përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes”, ka theksuar Stano.

    Ai tutje ka thënë se BE-ja pret që palët të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre të dialogut, që sipas tij mbeten të vlefshme dhe detyruese.

    “Ne gjithashtu presim që palët të sigurojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e dialogut dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin”, ka theksuar tutje Stano.

    Reagimi i Bashkimit Evropian vjen pasi autoritetet serbe kanë bllokuar dhjetëra autobusë me qindra udhëtarë nga Kosova, duke mos lejuar hyrjen në Serbi. Krerët e institucioneve në Kosovë një veprim të tillë e kanë vlerësuar si hakmarrje të Serbisë ndaj civilëve kosovar për votimin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE në Asamblenë Paralamentare./RTK

  • ​Reali me statistika aspak të mira si mysafir kundër Cityt

    ​Reali me statistika aspak të mira si mysafir kundër Cityt

    Sonte me fillim nga ora 21:00 do të zhvillohet ndeshja e kthimit e fazës së çerekfinales së Ligës së Kampionëve mes Manchester Cityt dhe Real Madridit.

    Ndeshja e sotme do të zhvillohet në stadiumin “Etihad”, ndërsa e kaluara që u luajt në “Santiago Bernabeu” përfundoi me rezultat të barabartë 3:3, raporton KosovaPress.

    Të dy skuadrat do të luftojnë sonte me gjithçka që kanë për ta prekur gjysmëfinalen e kësaj gare, por çfarë rekordi të rezultateve ka Reali si mysafir në “Etihad”?

    Reali është përballuar pesë herë me Cityn si mysafir në Ligën e Kampionëve, ku asnjëherë nuk e ka shijuar fitoren në tokën angleze kundër kampionit aktual evropian.

    Reali ka dy barazimi dhe tri humbje në “Etihad”, ndërsa ka arritur ta gjejë golin pesë herë, ndërsa ka pranuar plot 11 gola.

  • Bislimi njofton Lajçakun për bllokimin e kosovarëve në kufi

    Bislimi njofton Lajçakun për bllokimin e kosovarëve në kufi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka njoftuar emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me bllokimin e qindra kosovarëve në kufirin Kroaci-Serbi.

    Përmes disa postimeve në platformën “X”, Bislimi thotë se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE-së.

    Bislimi poashtu thotë se një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme serbe të agresionit.

    “Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia e pastër, kulmuan me avancimin e djeshëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mrekullueshëm, fatkeqësisht ndezi gjuhën e urrejtjes nga politikanët serbë, por edhe veprime të drejtpërdrejta kundër qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, gra e fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh, mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe”, shkruan Bislimi.

    “Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar më tej Bislimi.

  • ​Kamberi: Serbia filloi masa represioni ndaj shqiptarëve, qytetarët e Bujanocit po ndalohen te “Dheu i Bardhë”

    ​Kamberi: Serbia filloi masa represioni ndaj shqiptarëve, qytetarët e Bujanocit po ndalohen te “Dheu i Bardhë”

    Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, njëherësh deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë e ka konfirmuar se edhe qytetarët shqiptar nga Bujanoci janë duke u ndaluar në pikën kufitare te “Dheu i bardhë”.

    Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që Parlamenti Evrpaian, ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar ‘Dheu i Bardhë’, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për ‘procesimin e gjithë atyre që cenojnë rendin kushtetues’”.

    Sipas tij të rinj shqiptarë nga Bujanoci, po ndalohen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar në këtë pikëkalim.

    “Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shqiptarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë”, tha ai.

    Kamberi tha se Serbia, sot po e shkelë brutalisht Marrëveshjen për tabelat e regjistrimit dhe po e cenon rëndë të drejtën fundamentale të njeriut “qarkullimin e lirë”.

    Këto masa sipas tij po ndërmerren si masa retorzive pas hapit të rëndësishëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në KE.

    “Ndalesat nëpër kufij, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Bashkimi Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare duhet të dalin me reagim të fuqishëm ndaj represionit që po e ushtron shteti ‘pretendent për BE’”, ka përfunduar ai.

  • ​Oda Amerikane e shqetësuar me bllokadën e autobusëve nga Kosova në vendkalimet kufitare të Serbisë

    ​Oda Amerikane e shqetësuar me bllokadën e autobusëve nga Kosova në vendkalimet kufitare të Serbisë

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga autoritetet serbe për bllokimin e lëvizjes së disa autobusëve që transportojnë njerëz nga Kosova për në Evropën Perëndimore.

    Kjo bllokadë në vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë e Kroacisë dhe Serbisë e Hungarisë, sipas Odës Ekonomike Amerikane paraqet shkelje të qartë të dispozitave të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, synojnë promovimin e stabilitetit ndërmjet dy shteteve dhe gjithë rajonit. Në qendër të këtyre marrëveshjeve është parimi i lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, i cili përbën një vlerë thelbësore në procesin e integrimit evropian. Duke penguar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në destinacionet e tyre të dëshiruara në Evropën Perëndimore, autoritetet serbe jo vetëm që po i minojnë këto marrëveshje por edhe po pengojnë përparimin drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian”, thuhet në njoftim.

    Oda Amerikane beson fuqishëm se lëvizja e lirë e njerëzve është thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve, prandaj kufizimet e tilla sipas Odës jo vetëm që pengojnë jetën e individëve, por kanë edhe ndikim negativ në tregtinë, investime dhe aktivitete të biznesit në rajon.

    “Oda Amerikane i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e ngjashme në të ardhmen duke respektuar angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në komunikatë.

    Si përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar që të avokojë për parimet e lëvizjes së lirë, bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit ekonomik në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

  • ​Prezantohet projekti i kampusit të Akademisë së Futbollit Manchester Cityt në Shqipëri

    ​Prezantohet projekti i kampusit të Akademisë së Futbollit Manchester Cityt në Shqipëri

    Është prezantuar sot projekti i kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester Cityt në Shqipëri, si dhe u bë ekspozimi i trofeve të Manchester Cityt “Treble Trophy Tour” në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.

    Një ngjarje kjo e organizuar nga “Dyrrah City Football Academy” në bashkëpunim me Manchester Cityn si dhe me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), në të cilën u mundësua sjellja e trofeve të fituar sezonin e kaluar nga klubi anglez si Premier Ligën, Ligën e Kampionëve, FA Cup, Super Kupën UEFA dhe Kupën e Botës për klub, raporton KosovaPress.

    Prezent në këtë ngjarje ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka i cili tha se suksesi i Manchester Cityt është dëshmi e një pune shumëvjeçare. Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët që do të bëjnë të mundur realizimin e projektit të kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester City-t në Durrës dhe shtoi se zhvillimi i futbollit të fëmijëve është një prioritet i FSHF-së.

    “Manchester City në Tiranë ka sjellë pesë kupa dhe është një lajm i bukur. Kupat unë i shoh si dëshmi të një projekti, të një pune shumëvjeçare të një prej klubeve më të mëdha në botë. Në prag të finales së Champions League vitin e kaluar në Stamboll, CEO i Manchester City tha se në futboll rëndom thuhet që duhet të kesh talent, fat dhe duhet të punosh. Rasti i Manchester City-t është punë, punë dhe vetëm punë”, tha Duka.

    “FSHF e ka në prioritetet e saj mbështetjen e futbollit të fëmijëve dhe bën gjithçka për ta bërë atë sa më atraktiv, më të suksesshëm dhe e mbështet atë me bazë materiale, invenstime dhe me gjithçka mundet, mbase më mirë se çdo Federatë tjetër në Europë. Jam i bindur që futbolli ka nevojë për projekte dhe strategji të përbashkëta ku të përfshihemi të gjithë si në këtë rast, ku të përfshihet edhe bota e biznesit, për ta bërë këtë lojë të dashur për të gjithë akoma edhe më të suksesshëm. Ne kemi vërtetë shumë detyrime për fëmijët tanë dhe një nga ato është edhe sporti. Ne i dimë benefitet që ka sporti: shëndetësore, edukative por edhe ekonomike. Futbolli sot e ka jetike ligjin e sponsorizimit, në fakt tashmë të premtuar nga Kryeministri dhe unë jam i sigurt që ky ligj nuk do të jetë një kosto për buxhetin e shtetit, por është një investim që ka rikthim të sigurt në një afat pesë vjeçar”, tha më tej Duka.

  • ​Zhegrova mungon kundër Aston Villës

    ​Zhegrova mungon kundër Aston Villës

    Edon Zhegrova nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës së tij, Lille për ndeshjen kthyese kundër Aston Villës në Ligën e Konferencës. Lajmin e ka konfirmuar trajneri i Lille, Paulo Fonseca në konferencë për media para kësaj ndeshje.

    Për sfidën me Aston Villën mungojnë Rafael Fernandes, Nacho Miramon, Andrej Ilic, Sam Umtiti dhe Edon Zhegrova. Të tjerët janë gati për ndeshjen. Për Edonin, pres që ai të jetë gati për ndeshjen e radhës në kampionat. Adam Ounas kthehet në grup”, ka thënë Fonseca, përcjellë KP.

    Lillë ka pësuar disfatë me rezultat 2-1 në ndeshjen e patë të zhvilluar në Angli, ndërsa i nevojitet përmbysja e këtij rezultati në ndeshjen e së enjtës për të vazhduar në raundit tjetër të kësaj gare.

  • Reagon ministrja Haxhiu pas arrestimit të adminit të grupit ‘Albkings’

    Reagon ministrja Haxhiu pas arrestimit të adminit të grupit ‘Albkings’

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të adminit të grupit “Albkings”.

    Ajo ka thënë se ka mirëpritur arrëstimin e adminit të grupit “më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë”.

    “Mirëpres arrestimin e administratorit të grupit më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë “Albkings”.Ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave. Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura”.

    Sipas Haxhiut dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar.

    “Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona. Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje. Secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë. E vlerësoj punën e policisë dhe prokurorisë”, ka thënë ajo.

  • Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës: Ndalimi i qytetarëve akt qyqar i Serbisë

    Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës: Ndalimi i qytetarëve akt qyqar i Serbisë

    Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) ka marrë me shqetësim lajmin për ndalimin e qytetarëve të Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë të cilët nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

    “Ky lajm ka tmerruar OHTK-në dhe udhëheqësit e saj prandaj kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse që të veprojnë sa më parë në mënyrë që qytetarët tanë të lirohen të lëvizin lirshëm”, thuhet në reagim.

    Sipas OHTK, e drejta për lëvizje të lirë bazuar në të gjitha aktet ndërkombëtare u takon të gjithë njerëzve dhe ‘askush nuk ka të drejtë t’ua mohoj këtë qytetarëve të Kosovës’.

    “Është koha që institucionet tona dhe ato të shtetit shqiptar të reagojnë ndaj këtij akti qyqar të Serbisë”, thuhet në reagim.

    OHTK ka apeluar te Qeveria që qytetarëve të Kosovës t’u ofrohet mbrojtje dhe mbështetje duke uruar ata sa më parë të kthehen në Kosovë.

  • Reagon Kurti për maltretimin e qytetarëve në kufi: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

    Reagon Kurti për maltretimin e qytetarëve në kufi: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

    Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hakmarrje të Serbisë për votimin në Këshill të Evropës, ndalimin e qindra shtetasve të Kosovës që nga orët e mbrëmjes të së martës në pikëkalimet kufitare të Serbisë.

    Të martën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. Tani vendimi mbetet në duart e ministrave të shteteve anëtare.

    “Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti në Twitter.