ATV

Author: ATVLive

  • Osmani: Ata që kanë urdhëruar masakrën e Poklekut kanë marrë medalje nga Vuçiq

    Osmani: Ata që kanë urdhëruar masakrën e Poklekut kanë marrë medalje nga Vuçiq

    Me rastin e 25 vjetorit të masakrës në fshatin Poklek i Vjetër të Komunës së Drenasit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca bënë homazhe pranë varreve të të vrarëve, derisa u shprehën se ky përvjetor është ndër më të rëndit për Kosovën.

    E para e vendit, Vjosa Osmani tha se masakra në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme dhe mizore që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave e foshnjave. Ajo tha se kryerësit e krimeve, jo vetëm që nuk janë dënuar, porse po marrin medalje e po promovohen nga Aleksandër Vuçiq. Osmani theksoi se thirrja për çdo përvjetor është të vihet drejtësi për kriminelët, që shtoi se dihen me emër e mbiemër.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se sot po bëhen 25 vjet nga masakra më e tmerrshme që ka ndodhur në Kosovë. Ai potencoi se para 25 vjetëve, në Poklek ndodhi një prej akteve më të rënda të gjenocidit që Seria kreu mbi popullatën civile të Kosovë. Konjufca tha se vrasja e 25 fëmijëve në këtë masakër, tregon qëllimin e vërtetë gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e popullit të Kosovës. Në homazhe iu ka bashkuar edhe kryetari Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

  • Flamuri në Ambasadë në gjysmështizë, Hovenier: Vrasjet e fundit të grave, urgjencë për të bërë më shumë

    Flamuri në Ambasadë në gjysmështizë, Hovenier: Vrasjet e fundit të grave, urgjencë për të bërë më shumë

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se rastet e fundit të vrasjeve, si dhe ato të dhunës në familje nënvizojnë nevojën urgjente për më shumë punë për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave.

    “Sot, ne qëndrojmë me popullin e Kosovës në Ditën Kombëtare të Zisë, duke nderuar dhe kujtuar viktimat e femicidit dhe të gjitha gratë kosovare që janë viktima të dhunës në familje. Vrasjet dhe aktet e fundit e dhunës në familje nënvizojnë nevojën urgjente për të bërë më shumë për të trajtuar dhe parandaluar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ne duhet të përpiqemi të ndërtojmë shoqëri ku çdo individ mund të jetojë pa frikë dhe pa u lënduar”, ka shkruar Hovenier.

    Edhe ambasadorë të tjerë në Kosovë reaguan pas vrasjeve të fundit të grave në vend dhe ulën flamujt në gjysmështizë në Ditën e Zisë për të nderuar viktimat.

  • Arrestohet admini i grupit “Albkings”, publikonte imazhe intime të femrave

    Arrestohet admini i grupit “Albkings”, publikonte imazhe intime të femrave

    Policia e Kosovës e ka arrestuar njërin nga administratorët e ‘Albkings’, grupit në rrjetin social Telegram i cili shpërndante imazhe intime të femrave.

    Arrestimi i të dyshuarit është bërë të martën në mbrëmje me urdhër të Prokurorisë në Prishtinë, raporton Paparaci.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit Albkings në rrjetin social Telegram, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur”, tha Prokuroria në një komunikatë për media.

    Për identifikimin e të dyshuarit, Policia ka aplikuar masa të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.

    “Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, tha Prokuroria.

    Prokuroria tha se do të vazhdojë të ndërmarrë veprime tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.

  • Rohde: I bashkohemi popullit të Kosovës në Ditën e Zisë, jemi të zotuar të punojmë kundër dhunës me bazë gjinore

    Rohde: I bashkohemi popullit të Kosovës në Ditën e Zisë, jemi të zotuar të punojmë kundër dhunës me bazë gjinore

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se rastet e fundit të dhunës me bazë gjinore janë shokuese për të gjithë në Kosovë.

    Ai tha se i bashkohen qytetarëve të Kosovës në Ditën Zisë, derisa thotë se zotohen që ta luftojnë këtë dhunë.

    “Rastet e fundit të dhunës me bazë gjinore janë shokuese për të gjithë. Ne i bashkohemi popullit të Kosovës sot në Ditën e Zisë dhe shprehim simpatinë tonë për ata që vuajnë për humbjet. Paralelisht me Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ne nënvizojmë zotimin tonë për të punuar drejt një fundi të dhunës me bazë gjinore”.

    Edhe misionet tjera diplomatike në Kosovë kanë shprehur solidaritetin e tyre për viktimat e femicidit.

  • Ministri i Jashtëm i Shqipërisë takon Thaçin: Do të këmbëngulim për proces gjyqësor të hapur e transparent

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë takon Thaçin: Do të këmbëngulim për proces gjyqësor të hapur e transparent

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani takoi sot në Hagë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

    Hasani tha se “e gjeta në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur që e drejta do të triumfojë”.

    “Ishte vërtet mbresëlënëse kurajo e tij, ekuilibri i brendshëm, qetësia e kthjelltësia e vizionit që ka për të ardhmen. I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me të përpjeta e tatëpjeta. Garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht”, theksoi Hasani.

    Hasani tha se “i përcolla Thaçi urimet më të mira të drejtuesve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit, të Kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve të tjerë, si dhe sigurinë që, ashtu si më parë, mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë”.

    “Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet, as sakrificat e bijve të tij, ashtu si dje në luftë edhe sot në paqe. E informova Thaçin për zhvillimet më të fundit në vendin tonë, por edhe ato në rajon, si dhe përpjekjet e pa kursyera nga ana jonë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin. Diplomacia shqiptare, ashtu si dhe më parë, do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një proces gjyqësor të hapur e transparent, në respektim të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare”, nënvizoi Hasani.

    Hasani u shpreh se “një mbresë e pashlyeshme për mua si ministër i jashtëm i Republikës së Shqipërisë, por edhe si qytetar dhe admirues i përpjekjes së Hashim Thaçit dhe të gjithë atyre burrave, që janë brenda në këtë gjykatë për lirinë e Kosovës”.

  • Deputetja mbështet protestat kundër dhunës seksuale në UP: Ata që heshtin janë pjesë e krimit

    Deputetja mbështet protestat kundër dhunës seksuale në UP: Ata që heshtin janë pjesë e krimit

    Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, njëherit deputete e AAK-së, Albena Reshitaj i ka dalë në mbështetje studentëve që po protestojnë kundër ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës,

    Ajo duke hyrë në Këshillin e Etikës së UP-së, në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, tha se ka përcjellë me shqetësim raportimin e 27 studenteve të UP-së për ngacmim seksual nga një profesor.

    “Kam ardhur sot të mbështes të gjitha viktimat e ngacmimit seksual sidomos në Universitetin e Prishtinës, të gjitha viktimat dhe shantazhimet që ndodhin në këtë tempull të dijes dhe për të luftuar së bashku me të gjithë ju, profesorët, profesoreshat dhe studentët e UP-së këto fenomene, të cilat në të kaluarën janë mbuluar dhe po shihen rezultatet. Këto fenomene nuk duhet mbuluar dhe heshtur. Heshtja është aprovim i së keqes dhe ata që heshtin janë pjesë e krimit”, tha ajo, duke shtuar se duhet mbështetur guximi i atyre studenteve që kanë raportuar ngacmimet seksuale.

    Ajo i ka bërë thirrje Këshillit të Etikës të ndalon degradimin e personalitetit të studentëve, pasi UP duhet t’i mbrojë studentët.

  • Lirohet Fahri Fazliu, i konfiskohet telefoni

    Lirohet Fahri Fazliu, i konfiskohet telefoni

    Fahri Fazliu është liruar pas arrestimit që iu bë sot nga Gjykata Speciale.

    Lajmin e ka konfirmuar familjari i Fahriut, Fadil Fazliu, i cili tha se të njëjtit i është konfiskuar telefoni.

    “Po, është liruar Fahriu. Tash fola me të, telefoni iu ka konfisku dhe më tha se është intervistuar diçka, por nuk më tregoi detaje”, tha Fazliu për Klankosova.tv.

  • Në rigjykim, dënohet me 35 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes me sëpatë

    Në rigjykim, dënohet me 35 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes me sëpatë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim e ka dënuar me 35 vjet burgim Izet Godenin, për vrajsen e bashkëshortes me sëpatë.

    Aktgjykimi ndaj Godenit u shpall të mërkurën nga gjykatësi Naser Foniqi.

    Ky aktgjykim u shpall në mungesë të të akuzuarit, edhe pse zyrtarët policorë thanë se i akuzuri gjendet në Pallat.

    Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kalur në paraburgim. Godeni mbetet në paraburgim deri në plotfuqishmëri të vendimit.

    Pala e dëmtuar u referua në kontest civil për kompensim dëmi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me 25 vite burgim Godenin për shkak të veprës penale vrasje e rëndë.

    Por, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2023 e kishte kthyer çështjen në rigjykim me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i përfshirë në shkelje esenciale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Konkretisht, në vendimin e Apelit thuhet se mbrojtësja e të akuzuarit Godeni, avokatja Myrvete Hasahni nuk ka qenë e pajtimit për pranimin e veprës penale nga i akuzuari dhe se klienti i saj nuk është konsultuar mjaftueshëm lidhur me pranimin e fajësisë. Andaj, sipas Apelit pranimi i fajësisë nga i akuzuari Godeni është bërë jashtë normave ligjore dhe se nuk është mbështetur në të gjitha faktet dhe çështjet që përmban aktakuza.

    Sipas aktakuzës, thuhet se më 25 nëntor 2022 rreth orës 4:00, në mënyrë mizore Izet Godeni me sëpatë kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij S.G.

    Andaj, me këto veprime Izet Godeni ngarkohej për veprën penale “Vrasje e rëndë”nga nenin 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe 1.4 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • ​Çfarë duhet të bëjë Napoli për të arritur marrëveshje me Gasperinin?

    ​Çfarë duhet të bëjë Napoli për të arritur marrëveshje me Gasperinin?

    Gian Piero Gasperini thuhet se është bërë objektivi kryesor i Napolit për verën, kështu që çfarë do të duhej kampioni italian të bëjë për të rënë dakord për një marrëveshje me trajnerin e Atalantas?

    Napoli ka qenë prej kohësh në kërkim të një trajneri të ri afatgjatë, pasi ka vendosur të pres deri në fund të sezonit për të nisur një projekt të ri pas vendimit të tyre fillestar për të shkarkuar Rudi Garcia. Pasardhësit e tij Walter Mazzarri dhe Francesco Calzona nënshkruan të dy marrëveshje afatshkurtra, duke i bërë të qarta qëllimet, raporton KosovaPress.

    Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis tashmë ka hartuar një listë me kandidatë, duke përfshirë Vincenzo Italiano dhe Stefano Pioli, por i preferuari i tij në muajt e fundit duket të jetë Antonio Conte, i cili është i hapur për lëvizje, por vjen me kushte të qarta.

    “TMW” ka detajuar se si Gasperini është i interesuar për projektin në Napoli, duke i pëlqyer ideja për të luftuar për trofe me një klub më të madh se Atalanta, të cilin ai ka të ngjarë ta çojë sa më larg që të jetë e mundur duke marrë parasysh kufizimet e tyre. Bisedimet e para me De Laurentiis ishin pozitive dhe priten më shumë kontakte.

    Trajneri italian është i kontraktuar me skuadrën e Bergamos deri në qershor të vitit 2025 dhe fiton rreth 3 milionë euro neto në sezon, një pagë që ai do ta priste edhe në kryeqytetin e Campanias, bashkëngjitur një kontratë dy ose trevjeçare.

    Napoli gjithashtu do të duhet të gjejë një mënyrë për të bindur familjen Percassi që ta lënë Gasperinin të largohet nga Atalanta në verë, diçka që mund të jetë e vështirë duke marrë parasysh punën e tij historike në klub.

  • ​Protestës në Pejë po i prinë vajza e të ndjerës Gjyljeta Ukella

    ​Protestës në Pejë po i prinë vajza e të ndjerës Gjyljeta Ukella

    Organizatat e shoqërisë civile në Pejë kanë nisur marshin protestues paqësore në shenjë revolte ndaj vrasjes së Gjyljeta Ukellës.

    Marshi nisi në qendrën e qytetit për të vazhduar te objektet e Policisë, Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në Pejë.

    Ndërkohë, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj bashkëshortit Gjyljeta Ukella, i cili vrau dje në mëngjes viktimën.