ATV

Author: ATVLive

  • Kryeprokurori Blerim Isufaj takon ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog

    Kryeprokurori Blerim Isufaj takon ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili është njëherësh shef i Zyrës së BE-së.

    “Kryeprokurori Isufaj ka falënderuar Ambasadorin Szunyog për vizitën e bërë, si dhe i ka shprehur mirënjohjen e tij për ruajtjen e vazhdimësisë së bashkëpunimit të Zyrës së BE-së me prokurorinë që drejton ai, bashkëpunim ky, që është në funksion të fuqizimit të zbatimit të ligjit në Kosovë”, njofton Prokuroria.

    Me këtë rast, Kryeprokurori Isufaj, e ka njoftuar Ambasadorin Szunyog, me punën, të arriturat dhe sfidat e Prokurorisë Speciale, në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, terrorizimit, krimeve të luftës, dhe veprave tjera të cilat janë në kompetencë të kësaj prokurorie, si dhe për aktivitetet e zhvilluara dhe bashkërendimin e planifikuar gjatë këtij viti, duke konfirmuar angazhimin e shtuar për arritjen e rezultateve në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale.

    “Nga ana tjetër, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka falënderuar Kryeprokurorin Isufaj për pritjen, duke nënvizuar se qëllimi i tyre i përbashkët është arritja e përparimit të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Në përfundim të takimit të sotëm, bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë e tyre, që përmes punës në partneritet, për forcimin e sundimit të ligjit të vazhdohet në mënyrë të sigurt, drejt avancimit të vendit tonë në rrugën e integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • ​BIA arreston kolonelin e Policisë së Kosovës

    ​BIA arreston kolonelin e Policisë së Kosovës

    Koloneli i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është arrestuar nga shërbimi sekret i Serbisë (BIA) dhe aktualisht ndodhet në qytetin e Kralevës, bëjnë të ditura burime të KosovaPress-it.

    Sipas këtyre burimeve, ai është ndaluar sot rreth mesditës nga organet e policisë serbe pasi ka kaluar kufirin e Jarinjës dhe ka hyrë në territorin e Serbisë, dhe pas disa orëve kanë ardhur agjentë të BIA-së dhe e kanë dërguar në Kralevë ku është duke u marrë në pyetje.

    Dyshohet se arrestimi i kolonelit Jankoviq, i cili është nga Shtërpca dhe njëherësh zëvendës i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës (për administratë), ndërlidhet me bashkëpunimin e tij me institucionet e Republikës së Kosovës.

  • ​Liverpooli e Arsenali në garë për mbrojtësin e Eintracht Frankfurtit

    ​Liverpooli e Arsenali në garë për mbrojtësin e Eintracht Frankfurtit

    Siç bëhet e ditur nga gazetari i njohur gjerman, Florian Plettenberg, Liverpooli dhe Arsenali kanë shprehur interesim në mbrojtësin e Eintracht Frankfurtit, William Pacho.

    Po ashtu, Eintracht Frankfurti është i vetëdijshëm për interesimin nga dy gjigantët anglezë, raporton KosovaPress.

    22 vjeçari do të lejohet të largohet nga Eintracht gjatë verës vetëm nëse paguhet shuma mes 50-60 milionë eurosh. Çmimi është vendosur.

    Pacho ka kontratë me Eintracht Frankfurtin deri në qershor të vitit 2028, dhe konsiderohet njëri nga lojtarët kyç të skuadrës gjermane.

  • ​Një pronar restoranti ‘punëson’ robotë pasi nuk arrin të marrë staf

    ​Një pronar restoranti ‘punëson’ robotë pasi nuk arrin të marrë staf

    Një pronar restoranti në Bregun e Amalfit ka ‘punësuar’ dy robotë të prodhuar në Kinë për të pritur në tavolina pasi nuk ka arritur të marrë staf të mjaftueshëm.

    Mario Parlato, pronar i restorantit La Terrazza delle Sirene në Sorrento, tha se ishte “lodhur” nga të rinjtë që kërkonin pushimin e fundjavës dhe tha se ishte “i lumtur që mori këtë vendim për të përdorur pajisje të pajisura me AI”.

    Ai tha se robotët nuk do të zëvendësojnë kurrë plotësisht personelin njerëzor.

    “Mund të shoqërojnë klientët në tavolinat e tyre, të sjellin pjatat dhe pijet, por mirësjellja dhe ‘simpatia’ e atyre që bëjnë këtë punë janë të pazëvendësueshme”./ANSA/

  • Lirimi i kosovarëve të ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci, flet shoferi i një kompanie

    Lirimi i kosovarëve të ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci, flet shoferi i një kompanie

    Autoritetet e Serbisë nisin të lirojnë qytetarët kosovarë të kalojnë kufirin në pikën kufitare Kroaci-Serbi, pas bllokimit me orë të tëra. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, shoferi i një kompanie të autobusëve, Euron Llugaliu.

    Qindra qytetarë shqiptarë kanë qenë të ndaluar që nga mbrëmë në pikën kufitare Kroaci-Serbi, mirëpo ende nuk dihet shkaku i saktë i gjithë kësaj situate. Ndonëse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një komunikatë për media kanë thënë se e gjithë kjo ka ndodhur, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ende nuk dihet se kur do të lirohen të njëjtit.

    Të shqetësuar me këtë gjendje ishin shoferet e autobusëve atje dhe qytetarët. Para hapjes së pikës kufitare, një prej vozitësve nga një kompani e autobusëve, sa kanë qenë të bllokuar në kufi, ka treguar për KosovaPress detaje lidhur me rastin, ku thotë se u janë konfiskuar dokumentet.

    Ai po ashtu ka thënë se nga pika kufitare atje ju është thëne se ka disa persona të dyshuar, porse nuk dihen shkaqet se për çfarë.

    “Për çdo autobus të Kosovës që kemi ardhur këtu na kanë thënë se janë dy apo tre persona të dyshuar…Veç e kanë bërë që kishe të shohin prej ku vjen dhe ku do të shkojë…Prej orës 23:00 mbrëmë e deri tash (kemi mbet në kufi)…Asnjë pasagjerë nuk e kanë marrë, të gjithë siç kanë qenë janë…Letërnjoftimet na kanë marrë të gjithëve dhe jemi në pritje të tyre.. Nuk e dimë se çfarë po bëhet, është shumë keq për neve, sepse ka mbaruar edhe ushqimi tashmë”, tregon ai për KosovaPress.

    Edhe qytetarë shqiptarë prapa kamerave të KosovaPress-it janë shprehur të shqetësuar me situatën atje.

    Në anën tjetër, sipas njoftimit të MPJD-së, thuhet se , institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

    Të njëjtit derisa kanë apeluar qytetarët tjetër që t’i shmangin këto pika kufitare kanë theksuar se, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas. Sipas kësaj ministrie, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

    Përveç reagimeve nga Institucionet shtetërore, reagime pati edhe nga komuniteti i biznesit, të cilët apeluan tek qeveria që qytetarëve të bllokuar atje t’u ofrohet mbrojtje dhe mbështetje.

  • Legjenda brazilian i rikthehet futbollit në moshën 58 vjeçare

    Legjenda brazilian i rikthehet futbollit në moshën 58 vjeçare

    Legjendaa braziliane e futbollit, Romario është rikthyer nga pensionimi në moshën 58-vjeçare për të luajtur për skuadrën braziliane America Football Club në Rio de Zhaneiro.

    Romario ka konfirmuar se do të rikthehet në futbollin profesionist më shumë se 15 vjet pasi i vari këpucët në vitin 2009. Romario pati një karrierë të suksesshme si lojtar, duke fituar Kupën e Botës në vitin 1994 dhe duke luajtur për skuadrën holandeze PSV dhe gjigantët e La Ligës Barcelona mes klubeve të tjera.

    Ai tani është regjistruar si lojtar për Klubin e Futbollit Amerikan, ku ai shërben si president dhe gjithashtu ku djali i tij, Romarinho, luan futboll. Ai e ka bërë të qartë se të luajë me djalin e tij dhe për ekipin e tij të preferuar është motivimi i tij kryesor. Legjenda braziliane do të fitojë një pagë minimale në klub, por do ta kthejë atë në Amerikë si donacion, raporton “Marca”, përcjellë KP.

    “Unë nuk do të garoj në kampionat, por do të luaj disa ndeshje për ekipin e zemrës dhe do të bëj realitet një ëndërr tjetër, duke luajtur përkrah djalit tim. Si mendoni?”, ka shkruar Romario në Instagram.

    Klubi Amerikan i Futbollit aktualisht luan në divizionin e dytë të Campeonato Carioca të Brazilit dhe po përgatitet për fillimin e një sezoni të ri që fillon më 18 maj. Mbetet për t’u parë se kur do të debutojë Romario për klubin e tij të ri.

  • ​Dy skuadra italiane e duan Jorginhon

    ​Dy skuadra italiane e duan Jorginhon

    Agjenti i mesfushorit të Arsenalit dhe Italisë, Jorginho, Joao Santos, ka thënë se drejtori i Juventusit, Cristiano Giuntoli ‘mund ta telefonojë’ nëse ka nevojë për të, dhe gjithashtu ka dhënë një përditësim mbi bisedimet e përfolura mes klientit të tij dhe Fiorentinës .

    Jorginhos i skadon kontrata në Londrën Veriore në fund të sezonit 2023-24, megjithatë ekziston një opsion për ta vazhduar edhe për një vit tjetër, përcjellë KosovaPress.

    Si një 52-herë përfaqësues i Italisë, nuk është çudi që ka pasur lidhje me një rikthim të mundshëm në Serie A para përfundimit të karrierës së tij si lojtar.

    Joao Santos, i cili dha një intervistë për TV Play të martën, pranoi se ende nuk ka pasur bisedime zyrtare me asnjë ekip në Itali, por ai dha detaje mbi thashethemet me Juventusin dhe Fiorentinën.

    Joao Santos pranoi se do të befasohej nëse Juventusi do të merrte Jorginhon për shkak të listës aktuale të mesfushorëve.

    “Për mendimin tim, ata nuk kanë nevojë për një lojtar si Jorginho. Nëse Giuntoli ka nevojë ndonjëherë për një mesfushor si Jorginho, ai gjithmonë mund të më kontaktojë mua.”, tha ai.

    Agjenti u pyet edhe për Fiorentinën, ku ai u përgjigj: “Së pari duhet të kuptojmë nëse ata po mendojnë vërtet për Jorginhon. Është një projekt ambicioz, një klub që dëshiron të synojë Ligën e Kampionëve, për ne nuk do të kishte probleme. Megjithatë, për momentin, Fiorentina nuk ka kontaktuar me ne”, theksoi në fund ai.

  • Në maj, faza finale e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Në maj, faza finale e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Tashmë dihet se me 131 vota për dhe 29 kundër Asambleja Parlamentare ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përcjell albinfo.ch.

    Ky është një hap shumë i rëndësishëm, por faza finale është në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.

    Vlen të theksohet që nga themelimi, Komiteti i Ministrave nuk kishte marrë vendim ndryshe prej praj asaj që kishte ardhur si Opinion nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

    Komiteti i Ministrave është organ vendimmarrës, i përbërë nga Ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve anëtare ose përfaqësuesit e tyre të përhershëm diplomatikë në Strasburg.

    Çka dihet për votat në Asamblenë Parlamentare?

    Nga 29 vota kundër Kosovës, shtatë ishin nga Serbia dhe kjo ishte e pritshme, shtatë ishin nga Spanja, tri nga Hungaria, dy nga Bosnjë e Hercegovina, dy nga Qipro e një nga Mali i Zi.

    Votat që ishin kundër nga Mali i Zi edhe nga Bosnja e Hercegovina janë nga partitë serbe. Në ndërkohë, dy votat pro nga Bosnjë e Hercegovina ishin nga partitë politike boshnjake.

    Risi ishin votat kundër dhe abstenimet nga përfaqësuesit e partive politike të Italisë. Anëtarë të partisë “Fratelli d’Italia” të kryeministres Georgia Meloni dhe votat kundër nga partia e Matteo Salvinit.

    Nga 47 vota në Komitetin e Ministrave në muajin maj, Kosovës i duhen 2/3 e votave apo me numra saktësisht 31 vota të pranishme.

    Këto procedura të fazës finale i ka shpjeguar në një intervistë në emisionin “Përballje” Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Cilat janë fazat e tjera finale drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – zëvendësministri Ahmeti shpjegon procedurat

    Çka është Këshilli i Evropës dhe kush janë anëtarët?

    Këshilli i Evropës është themeluar në vitin 1949, themelues ishin njerëzit që filluan procesin e ndërtimit të Evropës nëpërmjet krijimit të Këshillit të Evropës në vitin 1949 dhe ngritjes së Komitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ) në 1950 dhe Komunitetin Ekonomik Evropian (KEE) në 1957.

    Këshilli ka 47 shtete, ku bëjnë pjesë të gjitha 27 vendet e BE-së, shtetet e Ballkanit Perëndimor, Turqia, Ukraina, Azerbejxhani, Moldavia e Armenia, Britania etj. Për më shumë shih listën e plotë.

    Gjithashtu janë shtatë shtete vëzhguese: Kanadaja, Selia e Shenjtë (Vatikani), Izraeli, Japonia, Meksika e Shtetet a Bashkuara të Amerikës.

    Çka është Këshilli i Evropës dhe çka duhet të dihet?

    Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e organizimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave.

    Këshilli i Evropës i ndihmon shtetet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme ligjore. Grupi i tij i ekspertëve për çështjet kushtetuese, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshillim ligjor për shtetet në mbarë botën.

    Këshilli i Evropës promovon të drejtat e njeriut nëpërmjet konventave ndërkombëtare, të tilla si Konventa për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik.

    Ai monitoron progresin e shteteve anëtare në këto fusha dhe bën rekomandime nëpërmjet organeve të pavarura të ekspertëve për monitorimin. Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk e zbatojmë më dënimin me vdekje.

    Zyra kryesore e Këshillit të Evropës gjendet në Strasburg, Francë.

    Në të janë të punësuar 2200 persona dhe përfshin zyra të jashtme dhe ndërlidhje me organizatat e tjera ndërkombëtare.

    I konceptuar nga arkitekti francez Henry Bernard dhe i përuruar në vitin 1977, Pallati i Evropës është ndërtesa kryesore e Këshillit të Evropës.

  • Dortmundi fitoi miliona me kualifikimin në gjysmëfinale të UEFA Champions League

    Dortmundi fitoi miliona me kualifikimin në gjysmëfinale të UEFA Champions League

    Skuadra gjermane, Borussia Dortmund mbrëmë siguroi gjyëmfinalen e madhe të Ligës së Kampionëve pasi eliminoi Atletico Madrid.

    Siç raportohet, klubi nga “Iduna Park” me këtë kualifikim ka gjeneruar shumën prej 100 milionë euro, shkruan Indeksonline

    Këto shifra klubi gjerman i fitoi pa u përfshi biletat e tifozëve, vetëm nga shtëpia më e madhe e futbollit në Europë, UEFA.

    Kujtojmë që në fazën gjysmëfinale, Dortmund do të luaj ndaj Paris Saint-Germain, që mbrëmë eliminoi Barcelonën.

  • Lirohen kosovarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci

    Lirohen kosovarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci

    Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci – Serbi.

    12 autobusët e ndaluar u nisën për Kosovë dhe ndalimi i tyre u bë në shenjë proteste ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar.

    Në mesin e të ndaluarve kishte fëmijë e pleq, të cilët së fundi kishin mbetur edhe pa ushqime.

    Ndalimi i tyre ka nxitur reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia shkeli Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.

    S’ka ende informacione për të ndaluarit në pikën kufitare Serbi – Hungari.