ATV

Author: ATVLive

  • Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

    Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

    Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej një dhe katër gradë Celsius, ndërsa ato maksimale prej 10 deri në 13 gradë.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15 deri në 41 km/h.

  • Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

    Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

    Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës.

    Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

    Nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të iu drejtohen të pranishmeve me nga një fjalë rasti.

    Po ashtu, do të shpërndahen edhe certifikatat për të diplomuarit.

  • Vdekja e ukrainases në Kosovë, raportohet arrestimi i një personi – dyshohet se ishte me të në veturë

    Vdekja e ukrainases në Kosovë, raportohet arrestimi i një personi – dyshohet se ishte me të në veturë

    Një person është arrestuar lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 23-vjeçares ukrainase, O.K., në autostradën “Arbën Xhaferi”, në muajin shkurt. Personi që u prangos dyshohet se natën kritike ka qenë me viktimën në veturën e tij.

    Sinjali raporton se i arrestuari nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Mos evitimi i rrezikut” është H.G 36-vjeçar. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit tashmë ka lëshuar urdhër për ndalim policor.

    Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se si rezultat i hetimit të nisur nga Hetimet Rajonale në Ferizaj në koordinim me Prokurorin e Shtetit, u zbulua se i dyshuari e kishte lënë viktimën në autostradë dhe më pas të njëjtën e ka goditur një automjet.

  • Pejanët marshojnë, kërkohet drejtësi për Gjyljeta Ukellën

    Pejanët marshojnë, kërkohet drejtësi për Gjyljeta Ukellën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rrugët në qendër të Pejës u bllokuan, mesditën e së mërkurës. Këtu po protestohet për Gjyljeta Ukellën, e cila u vra një ditë më parë nga ish-bashkëshorti i saj, në banesë.

    Grupit i prin vajza e viktimës. Bashkë me gjithë protestuesit, u shkojnë derë më derë institucioneve, për të kërkuar drejtësi për 43-vjeçaren, por këtë e bëjnë përmes heshtjes, pa bërë ndonjë thirrje.

    “Fajin e kemi secili prej neve, pastaj pjesa e dytë është pjesa e institucioneve, sidomos ato të drejtësisë. Për atë arsye sot vizituam policinë dhe gjykatën në heshtje. Mendojmë që kjo heshtje t’i shurdhojë ata për shkak se do të duhej të vepronin shumë më shumë, në rastet të cilat kanë pasur një element iniciues sikur rasti ky i fundit”, tha Veton Muja, protestues.

    Protestuesit i bëjnë thirrje shtetit që të kujdeset për fëmijët tashmë jetim të së ndjerës.

    “Bëjmë thirrje nga këtu që të gjithë shërbimet shtetërore t’iu ofrohen fëmijëve të së ndjerës, varësisht prej shërbimeve që kanë nevojë dhe ne si organizatë do të jemi afër familjes dhe fëmijëve të së ndjerës. Familjes do t’i lëmë si kujtim edhe pse është ditë e hidhur, kjo foto e bukur e Gjyljetës ta keni ju familjarë si shenjë kujtimi”, tha organizatori i protestës.

    Dikush erdhi nga larg, me të vetmin qëllim për t’iu bashkuar marshit.

    “Kam ardhë nga Maqedonia e Veriut, nga Struga, nga diaspora se jetoj në Zvicër, enkas për këtë protestë… Më vjen shumë keq për qytetin e Pejës, për Kosovën, që po ndodhin këto vrasje, nënat tona, motrat tona përditë po vriten, kur ne ende kemi jetimë prej lufte”, tha Hatixhe Kelmendi.

    Gjyljeta u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi, me të cilin kishin tre fëmijë.

    Ndaj dorasit, të martën është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Edmond Lajçi ishte paraqitur në polici nga ish-bashkëshortja e tij, në vitin 2021, për dhunë psikike. Por pavarësisht se Gjykata fillimisht i shqiptoi atij dënim në kohëzgjatje prej 3 muajsh, atij iu mundësua lirimi me 300 euro pagesë.

  • Konjufca përfshihet në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

    Konjufca përfshihet në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

    Përgatiti: Fatlum Jashar

    Pasditen e së mërkurës, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, u përfshi direkt në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.

    Në Çarshinë e Shkupit, ai takoi krerët e partive që njihen si opozita shqiptare.

    Për vizitën nuk ishte e njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit fqinj.

    Përveç kryepalamentarit, në fushatë do të përfshihet direkt edhe kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas një njoftimi të koalicionit VLEN, të premten, do të marrë pjesë në takim me mërgatën në Berlin.

    Krahas konstatimit se shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut është e politizuar, opinionisti Albert Musliu sqaroi dy pikëvështrimet kryesore në raport me këtë përfshirje të kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

    “Sigurisht përshëndetet nga ata që e përbëjnë opozitën, ata që e përbëjnë shumicën aktuale prej frontit evropian, gjithsesi se nuk shihet mirë. Dhe, mendoj se efekti më i madh do të jetë në marrëdhëniet ndërmjet elitave politike, sa që do të ketë efekt realisht edhe në terren”, tha Musliu.

    Referuar nivelit jo të mjaftueshëm të pjekurisë politike të shoqërisë, Musliu nuk përjashtoi efektet negative nga kjo përfshirje.

    “Devotshmëria e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, në periudhën që vijon, d.m.th pas zgjedhjeve ne kemi prapë jetë normale, dhe ajo hatërmbetja sigurisht se do të ngelë dhe më vjen keq që kjo ndodhë. Realisht shqiptarët e Maqedonisë janë të afërt me popullin e Kosovës, janë të afërt me popullin e Shqipërisë, ndërsa politikanët jo çdoherë kujdesen që të mos ndërhyhet në këto marrëdhënie, të mos ndërhyhet te qytetarët”, tha Musliu.

    Angazhimi i krerëve të partisë në pushtet në Kosovë në fushatën në Maqedoninë e Veriut, në vlerësimin e gazetarit Naser Selmani nuk është ndërhyrje e as nuk përbën problem.

    “Ju kujtohet kur kryetari Thaçi pati ardhur këtu në Maqedoni dhe pati ndarë mirënjohje për njerëzit e Ali Ahmetit, kjo atëherë nuk ishte ndërhyrje; Z. Bujar Osmani, inçizon spote publicitare me kryeministrin e Shqipërisë, ku thotë se Bujar Osmani është super dhe kjo nuk është ndërhyrje; Ose nëse Ali Ahmeti shpallet qytetar nderi i Prizrenit, kjo nuk është ndërhyrje; Ama nëse Konjufca dhe Kurti vijnë në Maqedoni kjo është ndërhyrje, mendoj se kjo është retorikë antishqiptare”, tha Selmani.

    Në gusht të vitit 2023, me ftesë të Bilall Kasamit, njërit nga liderët e koalicionit VLEN, kryeministri Albin Kurti qëndroi për vizitë në Maqedoninë e Veriut, duke shpërfillur institucionet qendrore dhe partitë shqiptare në pushtet.

  • Dëshmon eksperti në gjykimin ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha

    Dëshmon eksperti në gjykimin ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha

    Përgatiti: Nora Luta

    Eksperti financiar, Agim Sheqiri, e ka vazhduar këtë të mërkurë dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve.

    Sipas tij, blerja e hapësirës mediale nga Ministria e Integrimeve Evropiane, me qëllim të informimit të publikut për liberalizimin e vizave, kap vlerën mbi 50 mijë euro.

    Gjatë ballafaqimit me pyetjet e mbrojtjes, Sheqiri tha se, megjithatë, asnjë publikim nëpër portale nuk ka qenë në përputhje me qëllimin e kontratës.

    Në seancën e kaluar, ai kishte deklaruar se ishte eliminuar operatori që kishte ofertuar çmim më të lirë, e dallimi mes kompanisë së përzgjedhur ishte mbi 190 mijë euro.

    Megjithatë, mbrojtja ka vënë në pikëpyetje përmbajtjen e faturave, duke i krahasuar disa nga to.

    Aktakuza ndaj Dhurata Hoxhës ishte ngritur gjatë vitit 2022.

    Sipas saj, Hoxha e kishte shfrytëzuar personalisht kontratën e nënshkruar për Shërbime të Informimit Publik, për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

    Ndërsa, kontrata ishte lidhur për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

  • Akil Gjakova i ka dy raste të hapura për dhunë në familje

    Akil Gjakova i ka dy raste të hapura për dhunë në familje

    Përgatiti: Armand Hoti

    Xhudisti pejan, Akil Gjakova, është dorëzuar në polici në mbrëmjen e së martës, tek pasi u shpall në kërkim nga forcat e rendit.

    Ai u arrestua në pikëkalimin kufitar në Vermicë dhe akuzohet për veprën penale dhunë në familje.

    “Pas publikimit të personit në kërkim, Akil Gjakova, mbrëmë në orët e vona, është dorëzuar në pikën kufitare në Vërmicë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
    Ndaj Gjakovës është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

    Por ai nuk do të hetohet për vetëm një rast. Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, xhudisti dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dy herë.

    “Ne si prokurori i kemi dy raste të hapura për dhunë në familje, të cilat dyshohen se janë shkaktuar ndaj bashkëshortes së tij, mirëpo për këtë çështje do zhvillohen hetimet, do të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore dhe në fund do të vendoset për epilogun”, tha Nikçi.

    Bashkëshortja e Akil Gjakovës ka deklaruar në polici se vazhdimisht ka pasur dhunë psikike nga xhudisti.

    Federata e Xhudos e Kosovës, përmes një komunikate të lëshuar të martën, deklaroi se beson në pafajësinë e Akilit. Ndërkaq, kjo federatë theksoi se dënon çdo formë dhune.

  • “Kosovën e pret punë e vështirë për t’i bindur ministrat e jashtëm Evropian”

    “Kosovën e pret punë e vështirë për t’i bindur ministrat e jashtëm Evropian”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i tha po anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, të martën.

    Por, deri në hapin e fundit e që është votimi në Këshillin e Ministrave pas një muaji, nga Kosova priten veprime konkrete për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Këto janë çështje shumë sensitive, për të cilat ne mund të presim progres. Dhe mendoj se ndoshta hapat e parë mund të merren, madje edhe para se Komiteti i Ministrave e shqyrton këtë kërkesë. Ky do të ishte sinjal i fortë dhe shumë i vlerësuar”, tha deputeti francez, Alain Milon.

    Krahas deputetit francez, Alen Milon, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se, gjatë majit, Kosovën e pret “një punë e vështirë” për t’i bindur ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës.

    I pyetur nëse Kosova do ta dërgojë draftin e Asociacionit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti, pas seancës në Strasburg, tha se paraprakisht duhet të flitet për Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit.

    Sidoqoftë, sipas opinionistit Bekim Kabashi, pa hapa konkretë në themelimin e Asociacionit, Kosova nuk do të pranohet në organizatën më të vjetër evropiane. Por beson se as Kurti, nuk do ta dërgojë draftin në Gjykatën Kushtetuese, muajin që po vjen.

    “Unë jam i bindur që deri në votimin në maj, nëse nuk ka shenja të forta se Kosova do ta themelojë Asociacionin, nuk do ta këtë mbështetjen e komitetit të ministrave”, tha Kabashi.

    Rreth një muaj më parë, nëpërmjet një letre të përbashkët, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti ishin zotuar ta respektojnë besnikërisht një listë zotimesh, që u është përcjellë nga raportuesja Dora Bakoyannis. Në të përfshihet edhe angazhimi për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe sa më parë.

  • Adelina Tahiri përjeton tmerrin nga përmbytjet masive në Dubai

    Adelina Tahiri përjeton tmerrin nga përmbytjet masive në Dubai

    Stuhia që ka përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, vazhdon ta kërcënojë vendin edhe më shumë duke shkaktuar përmbytje masive. Fluturimet ajrore janë anuluar për shkak se aeroporti është përfshirë tërësisht nga uji.

    Ndërkohë rrjetet sociale janë mbushur me pamje tronditëse nga Dubai, ku vendi që jemi mësuar ta shohim mbi luks, shfaqet i zhytur nën ujë.

    Në Dubai momentalisht ndodhet edhe këngëtarja shqiptare, Adelina Tahiri e cila ka ndarë gjithashtu në InstaStoy disa pamje nga përmbytjet.

    Nga postimet e pak ditëve më parë, Adelina ka treguar se në Dubai ndodhet me familjen dhe ka publikuar edhe foto me të birin. Prandaj gjendja mund të jetë më e rënduar për këngëtaren.

  • I jepet lamtumira e fundit gruas që u vra dje në Pejë

    I jepet lamtumira e fundit gruas që u vra dje në Pejë

    Në varrezat e qytetit në Pejë, sot iu dha lamtumira e fundit Gjyljeta Ukellës, 43 vjeçarës që u vra nga bashkëshorti i saj.

    Ukella u vra mëngjesin e djeshëm nga bashkëshorti Edmond Lajqi, i cili gjendet në masën e paraburgimit për një muaj.

    Në ceremoninë mortore morën pjesë qytetarë të shumtë të Pejës, përfshirë dhe kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri, si dhe ministren e MINT-it, Rozeta Hajdari. Ukella la pas vetes 3 fëmijë.