ATV

Author: ATVLive

  • Sot Dita Ndërkombëtare e Tokës, parashihen disa aktivitete edhe në Kosovë

    Sot Dita Ndërkombëtare e Tokës, parashihen disa aktivitete edhe në Kosovë

    Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës.

    Edhe në Kosovë janë paraparë disa aktivitete që e shënojnë këtë ditë kushtuar planetit në fjalë.

    Grupi i studentëve të nivelit master të Fakultetit Juridik, Programi Kushtetues-Administrativ në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, do të mbajë sot konferencë për media ku do të prezantojë studimin, “Marrëveshja e Parisit dhe gjendja e mjedisit në Kosovë”.

    Ndërkaq, shoqata “Handikos” do ta shënojë këtë ditë me aktivitetet e saj nën moton ‘’Kujdesi për tokën na lumturon!”

  • Vitin e ardhshëm fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtinë

    Vitin e ardhshëm fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Me qëllim që të parandalohen vrasjet, vjedhjet dhe akte të tjera që bien ndesh me ligjin, por edhe të identifikohen kryerësit, komuna e Prishtinës nga viti i ardhëm do të fillojë vendosjen e kamerave në hapësira publike.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se siguria në kryeqytet është ndër planet themelore për transformimin e kryeqytetit.

    “Si pjesë e procesit të zhvillimit të kryeqytetit edhe ne aspektin e SMART CITY, jemi duke planifikuar të bëhet instalimi I pikave të shumta për instalimin ku do të jenë pjesë e sigurisë e gjithë infrastrukturës e transportit”, tha Rama.

    Ndërsa nënkryetari Alban Zogaj thotë se komuna e ka edhe përkrahjen e policisë për këtë projekt.

    Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, konsideron se komuna e Prishtinës është vonuar në këtë drejtim.

    “Edhe pse jo sipas afateve të parapara, por prapëseprapë i mirëpresim këto kamera, vetëm se vendosja e tyre nuk do të thotë që duhet të jetë e fokusuar vetëm në qytet, por edhe në rrugë nacionale, fshatrat përreth, sepse ne çdo ditë po dëgjojmë fenomene të ndryshme edhe nga atje”, tha Shala.

    Për projektin e vendosjes së kamerave në kryeqytet, janë ndarë rreth 1.3 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Asnjë incident në procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Asnjë incident në procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ndërhyrja e Policisë nuk ishte e nevojshme në asnjë moment pasi procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok vijoi pa incidente.

    Sipas zëvendësdrejtorit të policisë në veri, Veton Elshani, në situatën e qetë ndikoi edhe numri i vogël i votuesve.

    Megjithatë, Elshani thotë se forcat e rendit ishin bërë gati më herët, për çdo skenar të mundshëm.

    Ndonëse afër qendrave të votimit qëndruan njësitet e zakonshme.

    Për herë të parë në një proces të votimit, këtë të diel pati kamera të sigurisë brenda qendrave. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme, në tërë territorin e Kosovës.

    Të gjitha këto përgatitje në aspektin e sigurisë, gazetari serb, Branislav Kerstiq, i konsideron deri diku të paarsyeshme, pasi tërë procesin e sheh si përfitim politik.

    Sipas Kerstiq, në numrin e vogël të votuesve mund të ketë ndikuar edhe thirrja e Listës serbe për bojkotim të procesit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dështimi i votimit në veri, Osmani: Vuçiqi shkeli fjalën – masat ndaj Kosovës të hiqen menjëherë

    Dështimi i votimit në veri, Osmani: Vuçiqi shkeli fjalën – masat ndaj Kosovës të hiqen menjëherë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas dështimit të votimit në veri për largimin e kryetarëve shqiptarë.

    Përmes një shkrimi në Facebook, ajo thotë se qytetarët nuk e shfrytëzuan këtë mundësi për shkak të presionit të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale.

    “Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuqiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë. Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin”.

    Ajo kërkon nga BE heqjen e masave ndëshkuese që i janë vënë Kosovës.

    “Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”.

  • KQZ e konfirmon: Ka dështuar votimi për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri

    KQZ e konfirmon: Ka dështuar votimi për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri

    Në konferencën për media, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se në bazë të të dhënave të pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, në katër komunat veriore Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut duke potencuar se iniciativa për largimin e kryetarëve në veri ka dështuar për shkak se nuk kanë votuar aq qytetarë sa kërkon ligji.

    “Numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre është si në vijim: në Komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues, në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues, në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues, në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues. Duke u mbështetur nga të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet në ligjin për vetqëverisje lokale andaj konstatojmë se iniciativa për largimin e kryetarëve në veri ka dështuar”, ka thënë Radoniqi.

    Ai ka shtuar se KQZ është angazhuar maksimalisht në këtë proces.

    Votimet në veri u mbajtën pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet e mbledhura nga mesi i muajit janar.

  • Dështon votimi, kryetarët në veri nuk shkarkohen

    Dështon votimi, kryetarët në veri nuk shkarkohen

    Tashmë mund të thuhet me siguri të plotë që ka dështuar votimi në komunat veriore të Kosovës dhe se kryetarët shqiptarë mbesin në krye të komunave me shumicë serbe.

    Arsyeja e dështimit është fare e thjeshtë, mungesa e pjesëmarrjes së qytetarëve pas thirrjes për bojkot nga Lista Serbe, raporton Paparaci.

    Që nga mëngjesi, vetëm 203 persona në katër komunat veriore të vendit dolën për t’iu përgjigjur pyetjes nëse duan apo jo shkarkimin e kryetarëve aktualë shqiptarë.

    Lista Serbe e kontrolluar nga Beogradi, iu bëri thirrje serbëve që të mos marrin pjesë në këtë votim, me arsyetimin se ai është organizuar në atë mënyrë që t’ua mundësojë kryetarëve aktualë të qëndrojnë në udhëheqje të këtyre komunave deri në fund të mandatit.

    Për t’u bërë i mundshëm largimi i kryetarëve aktualë të katër komunave veriore dhe organizimi i zgjedhjeve të reja në veri, më shumë se 50%e atyre që kanë të drejtë të votojnë duhet të merrnin pjesë. Praktikisht, tashmë e pamundur.

    Një vit më parë, ata u bënë kryetarë të komunave në veri të vendit pasi Beogradi iu kërkoi serbëve në Kosovë që t’i bojkotonin zgjedhjet e 23 prillit 2023, gjë që rezultoi me zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë – fitues me pjesëmarrjen e vetëm 3% të votuesve.

    Udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga LVV-ja, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga PDK-ja, udhëheqjen e Zveçanit e mori Ilir Pecit nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut erdhi Erden Atiq nga LVV-ja.

    Rezultati sipas KQZ-së: deri në orën 15:00, nga 46,000 të regjistruar, vetëm 203 persona votuan. Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, në Leposaviq votuan 122 persona, në Zubin Potok 17, në Mitrovicën e Veriut 64, ndërsa në Zveçan asnjë.

  • Mbyllen qendrat e votimit në veri, shqiptarët mbesin në krye të komunave me shumicë serbe

    Mbyllen qendrat e votimit në veri, shqiptarët mbesin në krye të komunave me shumicë serbe

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka treguar se sa qytetarë në katër komunat veriore kanë votuar deri në orën 19:00, në zgjedhjet që sot janë mbajtur atje.

    Por, dihet se deri në orë 15:00 në katër komunat në veri të Kosovës morën pjesë 203 persona në votimet për shkarkimin e kryetarëve komunalë.

    Paraprakisht, deri në orën 11:00, kishin votuar vetëm 85 persona.

    Sipas zëdhënësit të KQZ-së, në Leposaviq kanë votuar 122 persona, në Zubin Potok 17, dhe në Mitrovicë të Veriut 64 persona. Sërish, sikurse edhe në njoftimin paraprak të KQZ-së, në Zveçan ende askush nuk ka votuar.

    Ky proces po mbahet teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve në katër komunat e banuara veriore, të banuara me shumicë serbe.

    Më herët gjatë ditës, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

    KQZ tha se të gjitha qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, përjashtuar disa që u hapën me disa minuta me vonesë për shkaqe teknike, dhe ato do të mbyllen në orën 19:00.

    Rrjeti i organizatave joqeveritare, DnV e ka kritikuar KQZ-në për vonesa që të informojë qytetarët se ku janë qendrat e votimit.

    Sipas tij, vendosja e kamerave të vëzhgimit në vendvotime mund të përbëjë cenim të fshehtësisë së votës, për shkak të pozicionit ku janë vendosur.

    KQZ-ja ka thënë se për herë të parë në këto votime janë vendosur kamera vëzhguese dhe një praktikë e tillë do të vazhdojë edhe në proceset e ardhshme zgjedhore.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë konferencës për media, tha se sa u përket të dhënave të regjistruara nga kamerat vëzhguese, të njëjtat do të shkatërrohen së bashku me materialin zgjedhor, pas votimeve.

    “KQZ nuk mbikëqyr, nuk monitoron regjistrimin apo funksionimin e këtyre online. Pra, nuk ka ndonjë dhomë të veçantë ku shikon në ekrane këto filmime. Qasja në këto video mund të bëhet vetëm me vendim të institucioneve KQZ-së, PZAP-it [Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa], prokurorisë apo gjykatave nëse ka ndonjë rast që trajtohet në këto institucione”, tha ai.

    Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po mbikëqyr procesin e votimit në veri.

    Ky proces, po ashtu, po vëzhgohet edhe nga Bashkimi Evropian përmes 17 ekipeve me 60 anëtarë.

    Policia e Kosovës tha se situata e sigurisë në veriun e Kosovës është e qetë.

    “Nuk ka pasur asnjë problem sa i takon procesit të votimeve. Edhe dje edhe sot situata është e qetë dhe në fakt nuk kemi pasur ndonjë informacion që neve na lidhet me destabilizim të situatës.Kemi policë të mjaftueshëm nëse ka nevojë për reagim”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

    Në Mitrovicë të Veriut, të drejtë vote kanë 18.796 persona. Në Leposaviq, ky numër është 13.674. Në Zveçan të drejtë vote kanë 7.209 persona, ndërkaq në Zubin Potok 6.877 persona. Që votimi për shkarkimin e kryetarëve të konsiderohet i suksesshëm, do të duhen të votojnë 50 për qind plus një votues, në komunat përkatëse.

    Në katër komunat në veri janë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.

    Sipas KQZ-së, në Leposaviq janë tetë qendra votimi, ndërkaq në Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut nga pesë – numër shumë më i ulët i qendrave të votimit në veri nga 43 sa ishin miratuar fillimisht nga KQZ-ja.

    Në mbledhjen e fundit të KQZ-së të mbajtur një ditë para votimeve, u tha se drejtorët e 33 shkollave në veri – që punojnë sipas sistemit serb – kanë thënë se kanë “aktivitete shkollore” dhe nuk mund t’i japin për shfrytëzim objektet për procesin votues. Prandaj, KQZ-ja ka vendosur që disa objekte alternative të shndërrohen në vendvotime.

    Pse po mbahen votimet?

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit 2023, që u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në fund të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

    Si rrjedhojë, udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Në maj 2023, kur këta kryetarë – përjashtuar Atiqin – shkuan në zyret e tyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb.

    Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.

    Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.

    Në shtator 2023, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët.

    Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme – nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar – dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.

    Sipas udhëzimit, do të duhen 50 për qind, plus një votë, nga lista e votuesve të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet.

    Teksa KQZ-ja veçse kishte nisur procedurat për organizimin e votimeve, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – më 7 prill njoftoi se do të bojkotonte votimet.

    Kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, u ankua se autoritetet kanë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”, duke argumentuar se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

    “Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha ai.

    Në ditët në vijim, Lista Serbe tërhoqi anëtarët e saj nga Komisionet Komunale Zgjedhore.

    Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar votimet u kritikua nga Bashkimi Evropian, që i bëri thirrje këtij subjekti që të rishqyrtojë vendimin dhe të mos bëjë thirrje për bojkot.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, më 21 prill vizitoi vendvotimet në Leposaviq.

    Duke folur për bojkotin e Listës Serbe, Krasniqi tha se kjo parti dëshiron që ta ketë “monopolin” mbi politikën e serbëve në Kosovë.

    “Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit të Kosovës. Tashmë qytetarët, edhe me votim, deklarojnë nëse janë për largimin e kryetarëve ose jo”, tha Krasniqi.

    Kryeministri i Kosovës, Kurti, ndërkaq, më 19 prill u bëri thirrje serbëve që të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarët, duke argumentuar se ata mund të shkarkohen vetëm përmes votave, “e jo bandave”. Ai tha se nëse qytetarët vendosin të shkarkojnë kryetarët, Qeveria garanton se ky vendim do të zbatohet “me shpejtësi”.

  • Spice Girls ribashkohen për ditëlindjen e 50-të të Victoria-s

    Spice Girls ribashkohen për ditëlindjen e 50-të të Victoria-s

    Çfarë festimi për ditëlindjen e pesëdhjetë të Victoria Beckham!, shkruan vanityfair.it.

    Ish këngëtarja e Spice Girls dhe stiliste Viktoria e lindur më 17 Prill 1974 organizoi një festë ekskluzive dhe të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

    “Mezi pres të festoj me miqtë dhe familjen time”, shkroi ajo në rrjetet sociale, duke publikuar një seri fotosh të bukura të realizuara në shtëpinë e saj në Londër së bashku me bashkëshortin e saj David, të martuar në vitin 1999 dhe katër fëmijët e tyre: Brooklyn, Cruz, Romeo dhe Harper.

    Festa u mbajt në Oswald’s, një klub ekskluziv në Mayfair, Londër, ku u mblodhën rreth njëqind të ftuar të zgjedhur.

    Mes të ftuarve, Eva Longoria, Gordon Ramsay, Tom Cruise, të gjitha ish vajzat Spice, Emma Bunton, Mel C, Mel B dhe Geri Halliwell. /atsh

  • Vetëm 203 votues në komunat veriore deri në ora 15:00, në Zveçan ende asnjë

    Vetëm 203 votues në komunat veriore deri në ora 15:00, në Zveçan ende asnjë

    Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 në katër komunat në veri të Kosovës, 203 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve komunalë, raporton EO.

    Sipas Elezit, në Leposaviq kanë votuar 122 persona, në Zubin Potok 17 dhe në Mitrovicë të Veriut 64 persona.

    Sërish, sikurse edhe në njoftimin paraprak të KQZ-së, në Zveçan ende askush nuk ka votuar.

    “Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar deri më tani ju njoftojmë se procesi i votimit janë duke vazhduar. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është si në vijim: Në Leposaviq kanë votuar 122 votues, në Zubin Potok 17, në Zveçan nuk ka votues dhe në Mitrovicë të Veriut 64 votues. Në emër të KQZ-së ftoj të gjithë qytetarët e këtyre komunave që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marr4ë pjesë në procesin e votimit”, tha Elezi.

  • Nisma ligjore për mbrojtjen e vlerave të luftës, Kurti takon veteranë e invalidë

    Nisma ligjore për mbrojtjen e vlerave të luftës, Kurti takon veteranë e invalidë

    Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi dhe Hyzri Musliun, Naim Gashin dhe Safedin Zukën, veteranë e invalidë të luftës, me të cilët ka biseduar mbi nevojën e nismës ligjore për mbrojtjen e vlerave të luftës.

    Përtej rregullimit të kompensimit të plotë të shpenzimeve lidhur me protezat e invalidëve të luftës, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, u përmend edhe buxheti i rritur për barnat në vlerë 60 milionë dhe zbatimi i Ligjit të ri për Çmimin e Barnave.

    Kurti theksoi përkushtimin dhe punën e vazhdueshme në adresimin e nevojave dhe mbrojtjes së të drejtave të veteranëve dhe invalidëve të luftës.