Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi dhe Hyzri Musliun, Naim Gashin dhe Safedin Zukën, veteranë e invalidë të luftës, me të cilët ka biseduar mbi nevojën e nismës ligjore për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Përtej rregullimit të kompensimit të plotë të shpenzimeve lidhur me protezat e invalidëve të luftës, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, u përmend edhe buxheti i rritur për barnat në vlerë 60 milionë dhe zbatimi i Ligjit të ri për Çmimin e Barnave.
Kurti theksoi përkushtimin dhe punën e vazhdueshme në adresimin e nevojave dhe mbrojtjes së të drejtave të veteranëve dhe invalidëve të luftës.
Stadiumi ishte i mbushur plot, madje disa shfrytëzuan edhe ballkonet e banesave në Suharekë për të parë derbin më të madh në vend: Ballkani kundër Dritës.
Krahas “Xhebrailave” dhe intelektualëve, stadiumin e mbushën me praninë e tyre edhe shumë familje, duke ndjekur nga afër derbin e Superligës së Albi Mall me fëmijët e tyre.
Në fushë, rivaliteti ishte i jashtëzakonshëm, ku të dyja skuadrat luanin për fitore. Megjithatë, ndeshja përfundoi pa fitues, por u shënuan 4 gola.
Në pjesën e parë rastin më të mirë e pati Drita, e cila shënoi në minutën e 7-të me anë të Blerim Krasniqit, por pas rishikimit të VARIT nga gjyqtari Dardan Qaka, goli u anulua. Kështu, pjesa e parë u mbyll pa gola.
Pjesa e dytë ishte shumë më dinamike dhe prodhoi gjithçka që mund të ofronte një ndeshje futbolli.
Mysafirët kaluan në avantazh me golin e Blerim Krasniqit në minutën e 50-të, duke elektrizuar intelektualët në stadium. Mirëpo, avantazhi i klubit nga Anamorava zgjati vetëm 4 minuta teksa barazoi mbrojtësi Gentrit Halili, gol që ngriti në këmbë gjithë stadiumin e Suharekës.
Kampionët në fuqi patën raste pas golit të barazimit, por nuk arritën të shënonin golin e dytë.
Ishte minuta e 89-të kur Ensar Huruglica i Dritës bombardon portën me një goditje fantastike, duke mposhtur portierin Enea Koliqi, gol që “çmendi” intelektualët.
Pavarësisht ishin minutat shtesë, lojtarët e trajnerit Ilir Daja nuk u dorëzuan dhe në minutën e 96-të Nazmi Gripshi shënoi golin e barazimit, duke gëzuar shumë shikuesit në stadium. Megjithatë, më të lumturit ishin prindërit e Nazmi Gripshit, të cilët kishin ardhur nga Shqipëria për të parë djalin e tyre. (Ndiqeni videon më poshtë)
Kujtojmë se pas këtij barazimi, Ballkani mbetet lider me 60 pikë, dy më shumë se Drita, e cila është e dyta.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka organizuar mbledhje komemorative në nderim të veprimtarisë së ish komandantit dhe biznesmenit të njohur vushtrrias, Gani Imeri.
Lajmi për vdekjen e tij i u bë i ditur të shtunën në mbrëmje, teksa u tha se do ketë dhe organizime tjera në kuadër të cermonisë mortore.
Imeri do varroset sot në fshatin Dumnicë e Epërme, të Vushtrrisë.
Ashtu edhe si ç shihet në pamje, një numër i madh qytetarësh janë mbledhur në Palestrën “Jeton Tërstena– TOTA”, për të nderuar veprimtarinë e tij.
Agjenda e organizimit të cermonisë së varrimit:
Homazhe:
Ora: 12:00– 13:30
Vendi: Palestra “Jeton Tërstena– TOTA”, në Vushtrri
Mbledhje komemorative:
Ora: 13:30
Vendi: Palestra “Jeton Tërstena– TOTA”, në Vushtrri
Ceremonia e varrimit
Ora:15:00
Vendi: Varrezat e fshatit në Dumnicë të Epërme”.
Policia e Kosovës ka konfiskuar dy kallashnikovë dhe municion për armatim në shtëpinë e një serbi në Zveçan, mëngjesin e së dielës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë PK’ja, ku thuhet se i dyshuari tashmë gjendet në Serbi.
“Sipas detyrës zyrtare është njoftuar prokurori kujdestar, me autorizim të të cilit zyrtarët policorë sipas procedurave të parapara kanë realizuar një operacion të kontrollit të një shtëpie, në tavanin e së cilës janë gjeture dhe konfiskuar dy armë zjarri AK-47, disa karikatorë, një sasi e municionit dhe një elektroshok”, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës posedon informacione lidhur me personin e dyshuar mashkull serb të cilit i përket shtëpia e banimit, e i cili dyshohet se gjendet në Serbi”, vijon njoftimi.
Policia shton se ky rast nuk ndërlidhet me zgjedhjet në veri.
Gazetari serb në Kosovë, Branislav Krstic, në një prononcim për ATV-në, tha se kryetarët aktualë në veri do ta vazhdojnë mandatin e tyre, pasi që sipas tij, qytetarët e komunitetit serb në këtë pjesë të Kosovës nuk do t’i përgjigjen votimeve për shkarkimin e kryetarëve aktualë.
Ai tha se i gjithë ky proces është një lojë politike si nga ana e Serbisë ashtu edhe nga ana e Kosovës.
“Shfaqje lojërave politike edhe nga ana e Prishtinës zyrtare, kuptueshme edhe nga ana e Beogradit zyrtar. KQZ-ja edhe Qeveria, me siguri që kanë bërë hulumtime dhe e kanë kuptuar që pa një marrëveshje politike, me subjektet politike, ky proces nuk do të kalojë”, tha Krstic. /atvlive.tv
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i ka ftuar qytetarët në Veri që të dalin të votojnë pro ose kundër largimit të kryetarëve aktualë, raporton EO.
“Qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarët me të drejtë vote. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11 është: në Leposaviq kanë votuar 46 votues. Në Zybin Potok 7 votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e veriut 32 votues”, ka thënë Radoniqi.
Radoniqi ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Në emër të KQZ-së, i ftoj të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarit të komunës së tyre”, tha Radoniqi.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar betejën e Baballoqit të Deçanit të 21 prillit 1998.
Haradinaj ka thënë se kjo betejë ishte një kapitull i ri i luftës çlirimtare.
“Beteja në Baballoq të Deçanit më 21 prill 1998, nisi një kapitull të ri të Luftës Çlirimtare. Kjo ditë përpos që nisi luftën frontale, ishte dhe datë mobilizimi për mbarë rajonin e Dukagjinit. Dy vjet para Betejës së Baballoqit, më 1996, Armend Daci, një student i dalluar nga Irzniqi, që ishte bashkuar në UÇK me Adrian Krasniqin dhe Edmond Hoxhën, do të binte në një atentat të organizuar nga forcat e pushtuesit në Prishtinë”, ka thënë ai.
Haradinaj ka kujtuar edhe dëshmorët Afrim Vitia e Sokol Sopi.
“Në vitin 1999, në Viti të Marecit, do të binte heroikisht bashkë me shokët e plagosur, Afrim Vitia e Sokol Sopi, atdhetari i madh, luftëtari i dalluar Isa Kastrati. Emrin e tij do ta nderonte në beteja deri në çlirim, Brigada 172 e Zonës Operative të Karadakut. Përjetësisht mirënjohës për ata që jetën ia falën lirisë së Atdheut”, është shprehur ai.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, në një lidhje të drejtpërdrejt në ATV, tha se situata e sigurisë në veriun e vendit është e qetë.
“Situata e sigurisë me mbarë veriun e vendit është e qetë. Në fakt, edhe në ditët paraprake ne nuk kemi pasë ndonjë informacion që do të ketë ndonjë zhvillim këtu, për ditën e votimit, ndërsa sikurse edhe për një ngjarje tjetër të rëndësishme apo interesante që është për neve, ne punojmë plane të operative policore, të cilat i përshtaten situatës”, tha Elshani.
Ai tha se, edhe në rast se mund të ketë ndonjë veprimtari kriminale, në veri të vendit ka policë të mjaftueshëm që të reagojnë.
“Ne kemi pasë policë të mjaftueshëm nëpër qendrat e votimeve në kohë të caktuara. Në fakt që nga dje kemi qenë të angazhuar, vazhdojmë të jemi edhe sot. Nuk ka diçka për me theksu situata duket e qetë. Nuk kemi informacion që mund të ndodhë diçka. Po në rast se vjen deri tek ndonjë veprimtari kriminale apo diçka të tillë, ne kemi policë të mjaftueshëm në këtë vend që të reagojnë”, tha Elshani. /atvlive.tv