ATV

Author: ATVLive

  • MMPHI financon mbi 1 milion euro projekte në Kryeqytet

    MMPHI financon mbi 1 milion euro projekte në Kryeqytet

    Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 1.5 milion euro. Me këtë marrëveshje “synohet shkarkimi i trafikut në Kryeqytet”, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Kryeqyteti do të përfitojë katër projekte, ndërsa MMPHI do të vazhdojë mbështetjen edhe me komunat tjera.

    Ministri i MMPH-së, Liburn Aliu, tha se ministria që e udhëheq ai ka nisur nënshkrimin e memorandumeve me Prishtinën dhe se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve do të vazhdoj edhe me komunat e tjera.

    Ai ka thënë se me këtë nënshkrim komuna e Prishtinës ka përfituar 4 projekte në vlerë e 1.5 milion euro.

    “Ishte një kënaqësi që po e fillojmë një cikël të nënshkrimeve të memorandumeve të me komunat. Po fillojmë me Prishtinën dhe me komunat me radhë. Me Prishtinën nënshkruam memorandume për katër projekte në vlerë 1.5 milion euro të cilat projekte do të lidhej me interesin qytetar, projekt që tani është hekurudha njëri. Të gjitha këto projekte do të kenë një rëndësie të madhe për Prishtinën. Kemi projekte të tjera që na presin një nder to është edhe ura nënë urën të Veterniku që i lidh të dyja lagjet, lagjen e spitalit me lagjen Kalabria, rrugë e cila duhet të kaloj Veternikun. Aty kemi bërë marrëveshje ku komuna do ta bëjë projektin e ministria ka ndarë 8 milionë euro dhe shumë shpejt do të filloj punën që të shkarkohet qyteti”, u shpreh Aliu.

    E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha këto projekte do të kenë ndikim drejtpërdrejt tek qytetarët dhe se do të lirojnë komunikacionin në kryeqytet.

    Ai me këtë rast përmendi edhe projektin e Unazës së Kryeqytetit, për të cilën tha se është jetik dhe që përsëri kërkoi që Ministria e Financave të nënshkruaj për ndarjen e buxhetit për këtë projekt.

    Ai tha se edhe nëse Ministria e Financave nuk do të nënshkruaj, si komunë kanë edhe opsionin me sektorin privat, ku nëpërmjet një partneriteti publiko-privat mund të financohet ky projekt.

    “Me punët që po i bëjmë më qytet po shkon drejtë çlirimit të transportit dhe trafikut. Projektet janë madhorë për kryeqytetin uroj që të vazhdojmë edhe, për shembull ‘Unaza e Kryeqytetit’. Siç e përmenda është jetike për kryeqytet, e kur është jetike për kryeqytet është jetikë për gjithë Kosovën. Jemi në bashkëpunim në këtë aspekt, me ministrin edhe kemi biseduar për zhvillimin e këtij projekti sa më shpjet. Krejt varet prej Ministrisë së Financave. Kemi edhe opsione të tjera me sektorin privat, ku mundemi nëpërmjet një partneriteti publiko-privat ta financojmë ‘Unazën e Kryeqytetit’, mirë është që ta kemi Ministrin e Financave që e nënshkruan edhe i vazhdojmë punët”, ka thënë ai.

    Ministri, sa i përket “Unazës së Kryeqyteti”, tha se është projekt i rëndësishëm për komunën dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet me kohë.

    “Sa i përket projektit dizajnimit të Unazës ne kemi qenë në diskutim të vazhdueshëm duke e parë marrëdhënie e kësaj unaze me korridore të tjera . Çështja e financave mbete një sfidë e cila duhet te zgjidhet mbase në kohë”, ka thënë ai.

  • Kurti i bëri thirrje të dalë në zyrën e tij në Zubin-Potok, Zeqiri i përgjigjet kryeministrit

    Kurti i bëri thirrje të dalë në zyrën e tij në Zubin-Potok, Zeqiri i përgjigjet kryeministrit

    Dje është mbajtur në katër komunat veriore referendumi për votimin pro apo kundër për shkarkimin e kryetarëve.

    Procesi zgjedhor ka përfunduar pa ndonjë incident, por Komisioni qendror i zgjedhjeve e ka konfirmuar se për shkak të numrit të vogël të votuesve ka dështuar iniciativa qytetarë për të larguar kryetarët aktual në Mitrovicën veriore, Zveçan, Zubin Potok si dhe Leposaviq.

    Pas numërimit të votave, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, iu ka bëre thirrje dy kryetarëve nga PDK-ja që të dalin në zyrat e tyre komunale dhe të ushtrojnë detyrën të papenguar.

    “E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyrat e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

    Ndërsa, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një prononcim për IndeksOnline, ka thënë se për shkak të renovimeve që janë duke u bëre në komunë e kanë pasur të pamundur që të ushtrojnë detyrën e tyre në zyrat komunale.

    Por, premtoj që se shpejti, posa të kryhen renovimet do të dalin në zyre.

    “Do të dalim po, një pjesë e zyrës është në funksion që punon por, pjesa tjetër duhet disa renovime, të dyert dhe disa pjesë tjera sepse ka thyerje për shkak të intervenimit, por gradualisht, kati i parë tashmë veç ka filluar. Ne do të jemi në zyre gjithë andej ku është e nevojshme, natyrisht se edhe atje i kemi zyrat”, ka thënë Zeqiri

    I pyetur se nëse janë renovimet kanë qenë arsyeja kryesore që nuk kanë dal në objektin e komunës, Zeqiri u shpreh “absolutisht që renovimet, sepse ne ishim dal edhe më përpara, proceduralisht ne i kemi në plan të renovimit, por se shpejti do të funksionalizohet e gjitha”, theksojë Zeqiri.

  • Për 24 orë, raportohen tri raste të dhunës në familje

    Për 24 orë, raportohen tri raste të dhunës në familje

    Në raportin e fundit nga Policia e Kosovës, evidentohen tri raste të dhunës në familje, që janë raportuar brenda një periudhe 24-orëshe

    Përgjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tri raste të dhunës në familje në disa qytete të vendit.

    Në rastin e parë, në Prishtinë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua ka raportuar sulmin fizik ndaj saj nga një burrë.

    Edhe pse viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor, autoritetet policore janë në kërkim të dyshuarit.

    “Më datën 21.04.2024 ankuesja femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor. I dyshuari gjendet në kërkim policor, ndërsa rasti ne procedure hetimore”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

    Në Gjakovë, një burrë është arrestuar për dyshimet se ka shkaktuar dhunë ndaj disa familjarëve.

    Autoritetet e prokurorisë kanë vendosur dërgimin e tij në mbajtje për hetim të mëtejshëm.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka shkaktuar dhunë ndaj viktimave kosovarë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Ndërsa në Malishevë, një grua është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK, pasi është viktimë e dhunës psikike nga dy të dyshuarit kosovarë.

    Pas intervistimit, ata janë liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.

    “Viktima femër kosovare pas pranimit të tretmanit mjekësor në QKMF-Malishevë, është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm pasi që sipas saj, dy të dyshuarit kosovarë në vazhdimësi i kanë shkaktuar dhunë psikike. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Në rastin e fundit në Obiliq, një burrë është arrestuar pas hetimeve që nga data 6 prill 2024 dhe i njëjti është dërguar në mbajtje pas hetimeve për dyshime të dhunës në familje.

  • ​Komunat akuzojnë Qeverinë se po tenton t’i marrë një kompetencë

    ​Komunat akuzojnë Qeverinë se po tenton t’i marrë një kompetencë

    Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar ligjin e ri për kadastër, kompetencë kjo që ka qenë e deleguar te komunat që tashmë është centralizuar. E për këtë, këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit ka rekomanduar kryetarët e komunave që mos të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje të mirëkuptimit me nivelin qendror sa i përket marrjes së kësaj kompetence derisa nuk amandamentohet ligji për financa lokale.

    Kështu bënë të ditur drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili thotë se është një tendencë për marrjen e kompetencave të nivelit lokal dhe bartja e tyre në nivel qendror.

    Sfidë tjetër për komunat mbetet procesi i rekrutimit të mësimdhënësve, si dhe në disa raste anashkalimi i kryetarëve të komunave gjatë vizitave të ndryshme të nivelit qendror që po bëhen në nivelin lokal.

    Ibrahimi në një intervistë për KosovaPress, derisa shprehet i pakënaqur me nivelin qendror lidhur me ligjin e ri për kadastër, pasi thotë se kjo kompetencë nuk mund të merret njëherë derisa të amandamentohet ligji për financa lokale.

    “Me ligjin e ri për kadastër, niveli qendror, kompetencën e cila ka qenë e deleguar te komunat e ka marrë, d.m.th kjo kompetencë tash me ligjin e ri për kadastër, është centralizuar. Neve si asociacion në grupin punues qeveritar, në hartimin e këtij ligji, e kemi kundërshtuar marrjen e kompetencës e cila ka qenë e deleguar në nivelin lokal. Argumentet tona kryesore kanë qenë që edhe në Republikën e Kosovës duhet ta marrin parasysh ofrimin e vendimmarrjes sa më afër qytetarëve. Argumentet e fundit shihet se është një tendencë e centralizimit të kompetencave nga niveli qendror, d.m.th marrja e kompetencave të nivelit lokal dhe bartja e tyre në nivel qendror, dhe një ndër ta është edhe çështja e kadastrit. Mirëpo, në takimin e Këshillit të kryetarëve i mbajtur para disa ditëve dhe në bazë të rekomandimeve të kolegjiumeve tona profesionale del se kjo kompetencë nuk mund të merret njëherë derisa të amandamentohet ligji për financa lokale. Mirëpo në takimin e përbashkët të kryetarëve të komunave, të asociacionit dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës është diskutuar për një mundësi që kjo kompetencë të bartet nga niveli lokal në nivelin qendror përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit. Dhe në takimin e fundit të këshillit të kryetarëve në kuadër të Asociacionit, kryetarët e komunave kanë thënë se kjo kompetencë mund të bartet nga niveli lokal në qendror vetëm pas amandamentitimit të ligjit për financat lokale, ashtu siç është e shkruar në ligjin për kadastër. Pra, këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit i ka rekomanduar kryetarët e komunave që mos të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje të mirëkuptimit me nivelin qendror sa i përket marrjes së kësaj kompetence derisa nuk amandamentohet ligji për financa lokale”, thekson Ibrahimi.

    Ai ka ritheksuar se asociacioni dhe kryetarët e komunave që disa kohë kanë kërkuar që ligji për financa lokale të amandamentohet, pasi me këtë ligj do të zgjidhen shumë probleme.

    “Asociacioni dhe kryetarët e komunave që disa kohë kanë kërkuar që ligji për financa lokale të amandamentohet, sepse do të bëjë zgjidhjen e shumë problemeve sa i përket çështjes së zjarrfikëseve, tash është problemi sa i përket kadastrit dhe kryetarët e komunave janë dakorduar që në të ardhmen derisa të mos amandamentohet ligji për financa lokale të mos nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit me Agjencinë Kadastrale të Kosovës”, thotë Ibrahimi.

    Ndërsa, brengë tjetër e adresuar nga kryetarët e komunave është anashkalimi i kryetarëve të komunave gjatë vizitave të ndryshme të nivelit qendror që po bëhen në nivelin lokal në përurimin e projekteve të ndryshme, apo vizitave që po bëhen në terren.

    “Në takimet dhe kontaktet që i kemi me komunat e Kosovës ka probleme të shumta si në fushën e arsimit, shëndetësisë, gjithashtu edhe zbatimit të ligjit për partneritet publiko-privat, i cili është në amandamentim e sipër, por njëkohësisht është edhe çështja e financave lokale. Një ndër problemet tash rishtazi që është diskutuar në kontaktet me kryetarët e komunave, është në disa raste anashkalimi i kryetarëve të komunave gjatë vizitave të nivelit qendror që po bëhen në nivelin lokal në përurimin e projekteve të ndryshme, apo vizitave që po bëhen në terren. Nuk është praktikë e mirë që gjatë vizitave të nivelit qendror në nivelin lokal të mos njoftohen fare kryetarët e komunave për këto vizita, sepse po ka përurim të projekteve apo objekteve tjera nga niveli qendror dhe kryetarët e komunave kanë vullnet pozitiv që vizitat që organizohen nga niveli qendror ato edhe mirëpriten dhe ka vullnet shumë pozitiv që kryetarët e komunave të takohen me nivelin qendror, sepse janë raste të mira të diskutohen problemet, sfidat që kanë komunat në zbatimin e projekteve dhe bashkëpunimin me nivelin qendror”, thotë Ibrahimi.

    Derisa ka renditur sfidat që po ballafaqohen komunat, Ibrahimi nënvizon se procesi i rekrutimit është shumë i vështirë dhe po merr me muaj të tërë. Për këtë, ai kërkon zgjedhje urgjente nga niveli qendror.

    “Procesi i rekrutimit po është shumë i vështirë dhe po merr me muaj të tërë. Gjithashtu procesi i zëvendësimit të mësimdhënësve të cilat marrin pushimin e lehonisë, dhe në këtë takim janë diskutuar mënyrat si të zgjidhet ky problem. Nga niveli qendror përgjigja ka qenë që ka probleme sa i përket këtij procesi mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Administratës Publike dhe Punëve të Brendshme, ku ata duhet të koordinohen në mënyrë që komunat të mos kenë këtë sfidë. Gjithashtu, është problemi edhe sa i përket pagesave të mësimdhënësve të cilët zëvendësojnë mësimdhënësit të cilët lëngojnë nga sëmundjet e ndryshme apo në pushim të lehonisë, sepse nuk mund të futën në listën e pagave. Pra, ata nuk mund të marrin paga dhe është problem kryesor që po ballafaqohen komunat, për këtë arsyeje nxënësit janë duke humbur orë mësimore për shkak të këtyre problemeve dhe kanë kërkuar zgjedhje urgjente nga niveli qendror”, përfundon Ibrahimi.

  • Qeveria reagon pas procesit të votimit: Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve

    Qeveria reagon pas procesit të votimit: Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve

    Qeverisë e Republikës së Kosovës ka reaguar në lidhje me procesin e djeshëm të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

    Në Komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dje u mbajt procesi i votimit për largimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave, sipas udhëzimit administrativ, mbështetur në nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Procesi u përmbyll pa asnjë incident. Për këtë, përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tona të sigurisë.

    “Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar. Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore. Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë:, thuhet mes tjerash në reagimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Në reagim pos tjerash thuhet se “Qeveria shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim”.

    “Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet mes tjerash në komunikatën drejtuar mediave.

  • BE: Rezultatet e bisedimeve Kosovë-Serbi për dinarin varen nga aftësia e të dy palëve

    BE: Rezultatet e bisedimeve Kosovë-Serbi për dinarin varen nga aftësia e të dy palëve

    Përfundimi i raundit të katërt të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë i mbajtur më 18 prill në Bruksel për çështjen e dinarit nuk dha rezultate drejtë një zgjidhjeje. Kjo ngjalli dyshimet se ky proces po shkon drejtë dështimit, pasi palët nuk po arrijnë pajtueshmëri mbi një propozim të ndërmjetësit, Miroslav Lajçak.

    Zëdhësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se rezultatet e bisedimeve Kosovë-Serbi për çështjen e dinarit varen nga aftësia e të dyja palëve.

    “Rezultati i bisedimeve të vazhdueshme varet vetëm nga aftësia e të dyja palëve për t’u sjellë në mënyrë evropiane dhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht”, tha Stano për Rtv21.

    Menjëherë pas takimeve kryenegociatorët dhanë qëndrimet e tyre.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, takimin e kishte quajtur “të kotë dhe pa rezultate”. Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë,Petar Petkoviq, tha se Serbia “bëri gjithçka për të gjetur zgjidhje”.

    Bisedimet e 18 prillit për dinarin u mbajtën nën tensionin e votimit në Asamblen Parlamentare të Këshillit të Evropës ku Kosova kaloi fazën e dytë me sukses, pavarësisht një fushate agresive të Serbisë kundër Kosovës.

    BE-ja ka paralajmëruar shumë shpejtë takimin e radhës midis kryenegociatorëve në Bruksel për dinarin.

    Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave në territorin e Kosovës.

  • Vazhdon sot procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon sot procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

    Së fundi kryetarja e DhSK-së në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të hequr apo zëvendësuar gjyqtarin e procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

    “Më 8 prill, kryetarja Trendafilova rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nicolas Guillou si gjykatës të vetëm”, kishte thënë zëdhënësi i këtij institucioni, Michael Doyle.

  • 100 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit

    100 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit

    ​Avni Rustemi vdiq pas një atentati në Tiranë pranë Pazarit të Ri, më 22 prill 1924. Atentati ndaj tij u krye më 20 prill, por ai ndërroi jetë nga plagët e pësuara dy ditë më vonë.

    Rrustemi u lind në Libohovë, në një familje atdhetare. I ati ishte Qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës.

    Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut Pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke.

    Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913, dhe Tepelenë e në Vlorë 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij, u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.

    Në pranverë 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, ndërsa më 13 qershor 1920 vrau në Paris Esat Pashë Toptanin. Gazeta e njohur franceze “Le Meiroir”, më datë 20 qershor 1920 publikoi një fotografi të panjohur deri me sot të Avni Rustemit.

    Në këtë foto, ai shihet i torturuar barbarisht nga policia franceze pasi kishte kryer atentat ndaj Esat Pashë Toptanit. Megjithatë, Avni Rrustemi u lirua pas vetëm 6-muajve.

    Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intensifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi shoqërinë federata “Atdheu”, me kryetar nderi Avni Rustemi.

    Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës “Atdheu”, në gusht 1922, përsëri me nismën e Avni Rustemit, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”.

    Avni Rustemi, nuk ishte vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Daljen e vendit nga prapambetja, Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare.

    “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”. Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fudullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi.

    Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vendit nga njerëz të vënë prej qeverisë së asaj kohe, ndaj tij kryhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë, ku vdes dy ditë më vonë. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjes, që triumfoi më 10 qershor 1924./KP/

  • Marrëveshja mes Prishtinës dhe ministrisë së Infrastrukturës nënshkruhet sot

    Marrëveshja mes Prishtinës dhe ministrisë së Infrastrukturës nënshkruhet sot

    Sot kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të takohet me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, dhe zëvendësin e tij, Hysen Durmishin.

    Në këtë takim që mbahet në ndërtesën e vjetër të komunës, palët do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi.

  • Osmani dhe Vuçiqi përballen sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

    Osmani dhe Vuçiqi përballen sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

    Presidentja Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën të hënën në Këshillin e Sigurimit, në seancën që pritet të mbahet nga ora 16:00, sipas kohës lokale në Prishtinë.

    Osmani në këtë seancë do të përballet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Siç ka njoftuar Presidenca, Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.

    Ajo, thuhet se do të flasë për “domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”.

    Vuçiqi nga ana tjetër, ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj, pavarësisht “poshtërimit” që i është bërë deri më tani.

    “Ne do të vazhdojmë të luftojmë për Serbinë, për popullin tonë, për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, që të shkojmë me kokën lart, pa marrë parasysh se ata u përpoqën të na poshtërojnë me dhunë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.